FLORIDA, 28 dhjetor /ATSH/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Florida për bisedime me presidentin Donald Trump në rezidencën e tij Mar-a-Lago, sipas BBC.
Dy liderët po diskutojnë një version të përditësuar të planit të paqes, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, i cili ende nuk është mbështetur nga Moska.
“Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri”, tha Zelensky, duke shtuar se Rusia ka kryer mijëra sulme gjatë kësaj jave.
Përpara takimit, Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, të cilën e përshkroi si “shumë produktive”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi Donald Trump për pritjen në Florida, duke thënë se shpreson që bisedimet të “sjellin paqen sa më shpejt të jetë e mundur”.
Duke shpjeguar arsyen e takimit në Florida, Zelensky tha se ekipet e tyre kanë punuar prej kohësh mbi një plan paqeje me 20 pika dhe se takimi i sotëm është i përqendruar te diskutimi i strategjive për ta çuar këtë plan përpara.
I pyetur nëse beson se do të ketë lëshime territoriale në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme, presidenti ukrainas u tregua i rezervuar, duke theksuar se kjo çështje do të diskutohet gjatë bisedimeve të sotme.
Ndër zyrtarët ukrainas që shoqërojnë Zelenskyn në takimin me Trump ështe edhe ministri i Ekonomisë, Oleksii Sobolev, çka sugjeron se bisedimet do të përqendrohen pjesërisht te rindërtimi i Ukrainës pas luftës.
Trump la të kuptohet se ky proces mund të sjellë përfitime të mëdha ekonomike.“Ka potencial për fitime të mëdha,” u shpreh Trump.
Vëzhguesit vunë re se një skenar i ngjashëm ishte ndjekur edhe në tetor, gjatë vizitës së fundit të Zelenskyt në SHBA, kur Trump foli fillimisht me Putinin përpara takimit me liderin ukrainas. Pas atij takimi, Trump hezitoi të furnizonte Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe shtyu Kievin drejt një marrëveshjeje paqeje.
Këtë herë, Zelensky ka ardhur me një propozim konkret paqeje, që përfshin ide të debatueshme si krijimi i një zone të çmilitarizuar në rajonin e Donetskut dhe ndarja e operimit të centralit bërthamor të Zaporizhas, i cili aktualisht ndodhet nën kontrollin rus, me Shtetet e Bashkuara.
Pas bisedimeve të Trump me Putinin para dhe pas negociatave të sotme, pritet të shihet reagimi i presidentit amerikan ndaj këtyre propozimeve.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve përpara takimit, Trump u përpoq të ulë pritshmëritë, duke thënë se lufta ose do të “përfundojë”, ose do të “vazhdojë për një kohë shumë të gjatë” me shumë viktima. Ai e quajti “të pamend” një pyetje mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën, por më pas shtoi se do të ketë një marrëveshje të fortë sigurie, me përfshirjen aktive të vendeve evropiane.
Trump tha gjithashtu se nuk ka vendosur asnjë afat për arritjen e një marrëveshjeje paqeje dhe shprehu bindjen se si presidenti rus, ashtu edhe ai ukrainas “duan të bëjnë një marrëveshje”. Zelensky nuk reagoi publikisht ndaj kësaj deklarate. /Ad.Ab./
The post SHBA – Trump dhe Zelensky takohen për bisedime rreth paqes në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.