Kryepeshkop Joani: Të mbajmë të gjallë trashëgiminë që na la Janullatos
TIRANË, 25 janar/ATSH/ Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” u përkutjua sot 1-vjetori i ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Në këtë ditë përkujtimore morën pjesë krerë të komuniteteve fetare, ambasadorë, përfaqësues të lartë të Këshillit Botëror të Kishave, të Komunitetit të Sant’Egidios, të Qendrës së Krishterë Misionare në Amerikë, si dhe besimtarë të shumtë.
Në fjalën e tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij imzot Joani, theksoi se përkujtimi vjetor i Kryepeshkopit Anastas është një nevojë shpirtërore për reflektim, falënderim dhe forcim në hirin e Perëndisë Triadik.
Ai vuri në dukje se largimi i njerëzve të mëdhenj lë gjithmonë trishtim dhe boshllëk, por besimi në Ngjalljen e Krishtit dhe përjetësinë e shpirtit sjell ngushëllim dhe shpresë.
“Përkujtimi i Kryepeshkopit të lumur Anastas nuk është thjesht një kthim nostalgjik në të kaluarën, është zgjedhja e vetëdijshme për të mbajtur të gjallë trashëgiminë që ai na la. Jo si eksponat muzeu, por si udhërrëfyes për të sotmen dhe për të ardhmen dhe si një mundësi për meditim të brendshëm dhe për orientimin e jetës sonë. Fjalët e Shën Joan Gojartit: Ata që i duam dhe i humbasim, nuk janë aty ku ishin më parë,, ata janë tani kudo ku jemi ne, – i përshtaten plotësisht Kryepeshkopit Anastas. Ne besojmë dhe e ndiejmë praninë e tij dhe kjo na jep shpresë, kurajë dhe lehtësim”, tha Kryepeshkopi Joan.
Ai tha se “Kryepeshkopi i lumtur na la mësime dhe fjalë të cilat vazhdojnë të ndriçojnë jetën tonë. Do të citoj disa nga këto mësime dhe fjalë të çmuara”.
“Lutemi që Perëndia të na japë forcë e urtësi për të vazhduar rrugën e ndritshme të Kryepeshkopit të lumur Anastas, sepse nderimi më i madh që mund t’i bëjmë atij është të ecim të bashkuar në atë rrugë dhe me të njëjtën frymë”, tha Kryepeshkopi Joan.
Kryepeshkopi Janullatos ndërroi jetë pas një beteje të gjatë shëndetësore më 25 janar të 2025.
Kryepeshkopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rivitalizuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin e tij hyjnor dhe punën e palodhur, ai rindërtoi jetën kishtare nga themelet, ndërtoi qindra kisha, themeloi institucione arsimore dhe bamirëse dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar shërbim të pafund dhe sakrificë për më shumë se 33 vjet.
/k.s/a.f/
The post Kryepeshkop Joani: Të mbajmë të gjallë trashëgiminë që na la Janullatos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.