8 policë të arrestuar në Durrës, nuk respektuan procedurat standarde të shoqërimit të Ndocit
TIRANË, 14 janar /ATSh/ Tetë punonjës të Policisë së Burgjeve në Durrës janë arrestuar pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, një ditë më parë nga Spitali Rajonal në Durrës.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm: komisar Dezdemon Pazaj, punonjës i Policisë së Burgjeve; Komisar Violeta Uka, punonjëse e Policisë së Burgjeve; kryeinspektor Dorjan Saraçi, punonjës i Policisë së Burgjeve; inspektor Sali Ferrollari, punonjës i Policisë së Burgjeve; inspektor Fatjon Braçi, punonjës i Policisë së Burgjeve; inspektor Preng Marvataj, punonjës i Policisë së Burgjeve; Kryeinspektor Aranit Çela, punonjës i Policisë së Burgjeve; kryeinfermier Aulon Quku, punonjës i IEVP Durrës.
Gjithashtu, është bërë edhe pezullimi i tyre nga detyra. Po ashtu janë pezulluar me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ drejtori i IEVP-së Durrës Indrit Cerloj, Afrim Zeqiraj, shef i Policisë; Ylfete Sema, shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor; Idajet Calamaj, punonjës i Policisë së Burgjeve.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Shtetasi Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20.05.2020, me masë sigurimi “arrest me burg”, pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
“Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë”, njoftoi drejtoria e Burgjeve.
Drejtoria e Burgjeve informoi më tej se “i paraburgosuri është paraqitur në pavijonin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset”.
“Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve”, njoftoi drejtoria e Burgjeve.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nënvizoi se po vijon me marrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjore dhe administrative, si dhe me forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
/m.q/j.p/
The post 8 policë të arrestuar në Durrës, nuk respektuan procedurat standarde të shoqërimit të Ndocit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.