Manja: Sistemi i pagave jo listë dëshirash, nuk ka cenim të magjistratëve
TIRANË, 5 shkurt /ATSh/ Deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja, tha sot se ndryshimet ligjore nuk kanë cenuar pagën e magjistratëve.
Gjatë një interviste televizive në “Top Story”, i pyetur në lidhje me debatin për pagat e gjyqtarëve, çështje e cila po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese, Manja tha se në një shtet demokratik sistemi i pagave nuk mund të jetë një listë dëshirash.
“Nuk është debat që zhvillohet në distancë mes gjyqtarëve dhe ekzekutivit, sepse flasim për një vendim kushtetues ku qeveria është palë e interesuar. Debati në rastin konkret po zhvillohet mes dy palëve të interesuara. Në një shtet demokratik sistemi i pagave nuk mund të jetë një listë dëshirash. Sistemi i pagave është pasqyra e funksionimit politik, demokratik dhe social të një shteti”, u shpreh Manja.
Deputeti socialist argumentoi normën ligjore që përcakton pagat e sistemit të drejtësisë sot.
Sipas tij, ligji për statusin e prokurorëve që u miratua në 2016, ishte ndër ligjet e rëndësishme sepse statuset për kategori të caktuara të funksioneve publike janë sa privilegje, por dhe lidhen me përgjegjësinë e funksionit të tyre publik.
Sipas tij, ligji parashikonte një sërë kriteresh që përbënin statusin e magjistratit, nga shkalla e funksionit dhe vjetërsia në punë, te kompetenca, pozicionet drejtuese, shtesat për kualifikim dhe trajtimet financiare shtesë.
“Parimi kryesor që kishte ligji sa i takon caktimit të pagës, ishte respektimi i dinjitetit të profesionit. Kriteri i dytë ishte vjetërsia në punë, i treti kompetenca ku e ushtron funksionin, kriter tjetër paga për pozicion drejtues, shtesa për kualifikime. Statusi nuk mbaronte këtu sepse ishte dhe trajtimi i veçantë financiar, kompensimi për raste transferimi, për kur përfshiheshin në skemë delegimi jashtë qendrës së banimit, pensioni suplementar, sigurimi i jetës dhe familjarëve dhe shtesa për vështirësisë profesioni. Ishin një sërë kriteresh që përbënin statusin e magjistratit”, tha Manja.
Manja tha se debati për pagën referuese nisi në vitin 2017 dhe u thellua në vitin 2021, kur Ministria e Financave kërkoi saktësim të terminologjisë ligjore. Pas ndryshimeve, sipas Manjës, paga referuese u lidh me pagën e një drejtori në Kryeministri, por kjo u kundërshtua nga shoqatat e magjistratëve dhe u çua në Gjykatën Kushtetuese.
Manja u shpreh se debati tani është për pagën referuese.
“Debati i parë lindi në 2017. Në 2021, Ministria e Financave ngriti një shqetësim dhe tha neni 12 pika 5, kur flet për pagën referuese, pagë për funksion. I kemi pyetur a e cenon në vlerë nominale saktësimi i kësaj terminologjie? Jo. Kemi bërë ndryshime dhe kemi bërë që paga referohet me pagën e një drejtori në kryeministri”, shpjegoi ish-ministri i Drejtësisë.
“Sapo hyri në fuqi ky ndryshim, shoqata i atakoi dhe e çoi në Kushtuese, dhe kjo e fundit urdhëroi: paga referuese bazë nuk do jetë drejtor i Kryeministrisë, por kategoria B që i korrespondon Sekretarit të Përgjithshëm, dhe do ketë pagën referuese plus pagën e grupit, jo për përfitime të tjera”, tha Manja.
Manja shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i qartë. Manja shpjegoi se në vitin 2023, Kuvendi e përktheu vendimin e Kushtetueses në ligj, duke e lidhur pagën referuese të magjistratëve me atë të Presidentit të Republikës.
“Përcaktimi i pagës referuese, e reja është përcaktuar nga vendimi i Kushtetuese. Nuk duhet të prekni pagën e fituar deri tani nga magjistratët tha Kushtetuesja. Çfarë ndodhi pas këtij vendimi? Duke qenë se norma u shfuqizua, Ministria e Financave tha të fillojë zbatimi nga 1 janari i 2019, pra të merrnin diferencën. Gjyqtarët nuk pritën dhe iu drejtua gjykatës administrative”, u shpreh ai.
Duke iu përgjigjur kritikave të gjyqtarëve se rritja e pagave në administratën publike krijoi diferenca në dëm të magjistratëve, Manja theksoi se neni 138 i Kushtetutës flet vetëm për ndalimin e uljes së pagës.
“Kur u rritën pagat në shërbimin civil dhe administratën publike, magjistratët thanë do shkojmë në Kushtetuese se ju na keni cenuar pagën dhe keni shkelur nenin 138, sepse nëse do na kishit lënë me referencë të Sekretari i Përgjithshëm, paga e tyre është rritur me 30%, në vlerë paga bazë plus pagën e grupit, shkon 237 mijë lekë të reja për Sekretarin e Përgjithshëm”, informoi Manja.
“Neni 138 thotë mos e ul pagën e magjistratit. Ne nuk e ulëm, por e rritëm, por ama nuk do të thotë ulje page nëse një formulë e përllogaritje e re të jep një përfitim më të vogël, është në shkelje të nenit, dhe një formulë që të jep përfitim më të madh qenka në zbatim të nenit. Nuk di të ketë vlerësim më të madh sesa të të referojmë pagën me atë të Presidentit”, tha Manja.
/m.q/j.p/
The post Manja: Sistemi i pagave jo listë dëshirash, nuk ka cenim të magjistratëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.