Atletico Madrid dhe Sunderland interesohen për Mario Mitajn
TIRANË, 14 janar /ATSH/ Mario Mitaj po kthehet në një nga emrat më të kërkuar të merkatos për repartin e majtë të mbrojtjes.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, aktualisht pjesë e Al Ittihad në Arabinë Saudite, është në fokusin e disa klubeve të njohura europiane, mes tyre Atletico Madrid dhe Sunderland.
Sipas raportimeve të “Fichajes.net”, Atletico Madrid është në kërkim të një mbrojtësi të majtë për skemat e Diego Simeones.
Objektivi kryesor i klubit madrilen ka qenë Carlos Romero i Villarreal, por kostoja prej rreth 45 milionë eurosh e ka bërë klubin të tërhiqet nga negociatat.
Në këtë kontekst, Mitaj shihet si një alternativë shumë më ekonomike dhe me potencial të madh zhvillimi.
22-vjeçari shqiptar ka bërë paraqitje mjaft bindëse me Al Ittihad, duke rritur ndjeshëm vlerësimin e tij në treg.
Aktualisht, kartoni i tij vlerësohet rreth 5.5 milionë euro, ndërsa Atletico Madrid do të ishte e gatshme të ofronte deri në dyfishin e kësaj shume për të siguruar shërbimet e tij.
Interes për Mitajn ka shfaqur edhe Sunderland, që militon në Premier League, duke shtuar konkurrencën për firmën e mbrojtësit kuqezi.
Për këtë arsye, Al Ittihad nuk pranon të negociojë për një shifër më të ulët se 10 milionë euro, duke pasur parasysh se e afroi futbollistin vetëm një vit më parë nga Lokomotiva e Moskës për 4 milionë euro.
Një tjetër detaj që ushqen zërat për një largim të mundshëm është fakti se Mitaj nuk ka qenë i gatshëm në tre ndeshjet e fundit, çka ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e tij në klubin saudit.
Mitaj ka kontratë me Al Ittihad deri në verën e 2028-ës, por forma e tij dhe interesimi nga klube të rëndësishme europiane mund ta rikthejnë shumë shpejt në një kampionat të madh të kontinentit.
/gj.m/
The post Atletico Madrid dhe Sunderland interesohen për Mario Mitajn appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.