Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 January 2026Main stream

Sala në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore: Shfrytëzimi i shkencës në forcimin e kujdesit ndaj kancerit

TIRANË. 27 janar/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala gjatë vizitës në Vjenë, Austri, zhvilloi një takim në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

“Shqipëria ka një vizion të qartë, shfrytëzimin e shkencës për të forcuar kujdesin ndaj kancerit, mjekësinë bërthamore dhe sigurinë nga rrezatimi”, tha Sala në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Sala u shpreh se “po forcojmë programin kombëtar të radioterapisë si pjesë e ngritjes së Institutit të Onkologjisë dhe Rrjetit Kombëtar të Kancerit”.

“Në partneritet me Agjencinë, ne po investojmë te njerëzit dhe te inovacioni i sigurt, duke udhëhequr me përgjegjësi dhe duke vendosur standarde për përdorimin paqësor të teknologjive bërthamore”, tha Sala.

/k.s/a.f/

The post Sala në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore: Shfrytëzimi i shkencës në forcimin e kujdesit ndaj kancerit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 26 January 2026Main stream

Vengu: Për Pashalimanin i qëndrojmë marrëveshjes me Turqinë që prej vitit 1992 

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri  Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se nuk ka asnjë ndryshim të marrëveshjes me Turqinë për bazën e Pashalimanit.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me bazën e Pashalimanit dhe deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Turqisë, Yaşar Güler, Vengu theksoi se “ne kemi një marrëveshje prej vitit 1992 e ratifikuar, e rinovuar sërish në 1998 që parashikon pjesëmarrje të forcave detare turke të stacionuara me rotacion në Pashaliman”.

“Është e dobishme për forcat detare t’i qëndrojmë kësaj marrëveshje, nuk ka asnjë ndryshim sa i përket kësaj marrëveshje ndaj me të drejtë edhe homologu turk ka dhënë përgjigjen që ka dhënë sa i përket qëndrimit të forcave me rotacion në Pashaliman”.

Vengu u shpreh se marrëveshja midis kompanisë shtetërore “Kajo” me kompaninë italiane të prodhimit të anijeve “Fincantieri” ka të bëjë me veprimtarinë e prodhimit në Pashaliman.

“Ne po krijojmë një kompani të përbashkët ku shteti shqiptar do të ketë 49% të pronësisë të bashkëpronësisë dhe pala italiane do të jetë mazhoritare me përgjegjësi  përkatëse sa i takon investimeve në infrastrukturë, që mbeten prona jonë dhe linjës së prodhimit dhe të rinovimit sepse kemi nevojë për linjë mirëmbajtje të flotës sonë”, informoi Vengu.

“Pra, janë dy çështje të ndryshme nga njëra anë bashkëpunimi operacional dhe ushtarak stërvitor me Turqinë prej vitesh dhe nga ana tjetër veprimtaria prodhuese”, sqaroi Vengu.

/k.s/j.p/

 

The post Vengu: Për Pashalimanin i qëndrojmë marrëveshjes me Turqinë që prej vitit 1992  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Rishikim i strategjisë së Mbrojtjes, paga sa mesatarja e NATO-s deri në 2029-ën

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha sot se Shqipëria është duke përgatitur edhe rishikimin strategjik të mbrojtjes.

Në një konferencë për shtyp mbi punën për rritjen e kapaciteteve të Forcave të Armatosura, emergjencave civile dhe industrisë së mbrojtjes, si prioritete të buxhetit të Mbrojtjes 2026, Vengu tha se aktualiteti në të cilën jetojmë dikton qartë se mbrojtja dhe siguria nuk janë më koncepte abstrakte, as tema të nivelit të dytë.

“Në debate ato janë kthyer në terma të një rëndësie parësore dhe në thelbin e sovranitetit dhe dinjitetit të një kombi”, u shpreh ministri i Mbrojtjes ndërsa vuri në dukje se zhvillimet gjeopolitike, tensionet rajonale, kërcënimet hibride dëshmojnë çdo ditë se paqja e stabilitetit nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, por përkundrazi këkojnë inevstime përgatitje të vazhdueshme dhe të përditshme.

Dinamikat ndërkombëtare, vijoi Vengu, nuk premtojnë paqe të qëndrueshme, por përballje të menaxhuar midis fuqive të mëdha.

“Shqipëria është duke përgatitur edhe rishikimin strategjik të mbrojtjes. Në tërësi të gjitha këto rishikime evidentojnë një fragmentim të rendit ndërkombëtar dhe konkurrencën e përhershme që strukturon një lloj lufte të re të ftohtë. E përmend këtë sepse Europa juglindore pavarësisht se nuk është epiqendra e rivalitetit të ri global nuk është as një periferi e padukshme. Është një teatër dytësor jo për tanke, por për narrativa, dezinformim dhe ndërhyrje hibride. Nuk mund të mos jetë një fushëbetejë tankesh, por është fushëbeteje perceptimesh, influencash konkurruese nga palë të treta dhe në një rajon ku kemi ende plagë të pambyllura padyshim që përbën një problematikë të re”, tha Vengu.

Ministri Vengu u shpreh se “mbrojtja civile, kibernetike, veprimtaria prodhuese, infrastruktura kritike, zinxhirët e furnizimit, komunikimi strategjik janë pjesë e sigurisë kombëtare dhe në këtë kontekst Shqipëria ndërton sot politikën e saj të mbrojtjes”.

Më tej, Vengu u ndal në disa elemente sfida e shtylla të aktiviteteve në 2026 duke nisur me elementet buxhetorë që sipas tij, “vijnë si përgjigje ndaj këtij realiteti të ri”.

Vengu tha se buxheti 2026 nuk është një buxhet rutinë në shumë aspekte është një mekanizëm për të ndërtuar kapacitete reale për të zhvilluar industrinë për të forcuar sovranitetin digjital dhe për të garantuar një Shqipëri si një aleate e qëndrueshme në NATO.

“Këtë vit buxheti arrin vlerën 2.12 të PBB-së dhe nëse e krahasojmë me 2025 kemi një rritje domethënëse prej 12%”, theksoi ai.

Ministri Vengu theksoi se “shtylla e parë e artikulimit të kësaj përpjekjeje të madhe buxhetore, të cilën e kemi kërkuar pranë sovranit është kapitali njerëzor si themeli i forcës tonë. Është themeli i çdo ushtrie moderne dhe për këtë arsye do të vijojmë politikën afatgjatë të rritjes së pagave në mënyrë të qenësishme me synim që deri në vitin 2029 të arrijmë mesataren e NATO-s. Rritja parashikon një rritje progresive 60-70% për pagat bazë dhe 30% për nivelet më të lartë të komandimit”.

“Paralelisht me këtë përpjekje në kuadër të rritjes së pagave synojmë gjithashtu rritjen me 30% të komponentit aktiv më shumë forca aktive, më shumë forca profesionale”, tha Vengu.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu konferencë për shtyp, foto: Andrin Hoxha
1 nga 9

/k.s/j.p/

The post Vengu: Rishikim i strategjisë së Mbrojtjes, paga sa mesatarja e NATO-s deri në 2029-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Drejtësia funksionon kur respektohet, jo vetëm kur deklarohet

TIRANË, 26 janar/ATSH/ “Drejtësia nuk është thjesht një pushtet, është garancia që i jep kuptim shtetit në jetën e qytetarit”.

Me këtë mesazh e nisi Presidenti Bajram Begaj, fjalën drejtuar përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë në ceremoninë e hapjes së vitit gjyqësor.

Kreu i Shtetit përforcoi qëndrimin e tij në mbështetje të institucioneve te reja të dala nga reforma në drejtësi, e cila nisi 10 vite më parë.

“Dhjetë vjet më pas, rezultatet janë të dukshme. Shumica e qytetarëve besojnë se epoka e pandëshkueshmërisë ka filluar të marrë fund. Raportet ndërkombëtare, mediat dhe publiku, me të drejtë, i kushtojnë vëmendje aktivitetit dhe sukseseve të SPAK-ut dhe GJKKO-së, por në sistemin tonë të drejtësisë kemi edhe struktura të tjera, gjyqtarë e prokurorë, të cilët, po me kaq përkushtim, profesionalizëm, dinjitet dhe përgjegjësi kanë arritur të japin drejtësi”, deklaroi Begaj, i cili duke nënvizuar kulturën e re juridike dhe demokratike të përftuar si rrjedhojë e kësaj reforme, theksoi nevojën e respektimit të vendimeve gjyqësore nga të gjithë.

“Drejtësia funksionon kur respektohet, jo vetëm kur deklarohet”,  u shpreh Kreu i Shtetit.

Presidenti Begaj bëri thirrje për një drejtësi të pavarur, funksionale dhe me integritet, që garanton barazinë para ligjit dhe e çon përpara procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Vetëm duke dhënë drejtësi, duke fituar besim te qytetarët, duke garantuar shtetin e së drejtës, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe forcuar institucionet do të kemi progres të qëndrueshëm edhe në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo është zgjidhja e vetme që kemi dhe sfida më e rëndësishme për institucionet që ndodhen sot në këtë sallë, si dhe të gjithë ata që flasin, veprojnë dhe vendosin në emër të Kushtetutës dhe ligjit”, tha Begaj.

Presidenti Begaj deklaroi, gjithashtu, se ky vit gjyqësor duhet të sjellë një drejtësi funksionale e të qëndrueshme.

“Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë rol thelbësor për të krijuar norma, praktika unifikuese dhe garantim të sigurisë juridike. Strukturat e qeverisjes së sistemit: Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Shkolla e Magjistraturës mbeten thelbësore në funksionalitetin e sistemit të drejtësisë për vetëmenaxhim, transparencë dhe llogaridhënie”,  deklaroi Kreu i Shtetit, i cili  nënvizoi rëndësinë e bashkërendimit dhe bashkëpunim ndërinstitucional për adresimin e problematikave dhe suksesin e reformës në drejtësi.

Ndërsa u ndal të pavarësia e gjyqësorit, të cilin e vlerësoi si boshtin themelor të reformës në drejtësi, Presidenti theksoi se gjyqtarët duhet të japin vendime pa presione apo ndërhyrje, duke garantuar një drejtësi efektive, të paanshme dhe në përputhje me standardet evropiane.

Njëherazi, Begaj theksoi rëndësinë e llogaridhënies në ushtrimin e  kësaj pavarësisë.

“Sot, gjyqësori është juaji. Sistemi i drejtësisë ka fituar autonomi të plotë. Kjo pavarësi është arritje madhore, por pavarësia shkon domosdoshmërisht krah për krah me përgjegjësinë. Edhe funksionimi, integriteti dhe besueshmëria e sistemit të drejtësisë janë, në radhë të parë, përgjegjësia juaj.  Pavarësia e sistemit të drejtësisë është gur themeli i patjetërsueshëm i rendit tonë kushtetues dhe funksionimit të shtetit të së drejtës”, tha Begaj.

Krahas respektimit të pavarësisë, Presidenti Begaj, gjatë fjalës së tij, përmendi sfidat më të cilat përballen institucionet e drejtësisë.

Duke u shprehur se i mirëkupton ato, Kreu i Shtetit solli në vëmendje rëndësinë e besimit publik të drejtësia.

Ai theksoi se eficienca e sistemit, rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shmangia e arbitraritetit, forcimi i standardeve dhe suksesi i mekanizmave të vetëkontrollit përbëjnë elemente thelbësore që garantojnë besueshmërinë e qytetarëve të drejtësia.

Duke renditur problematikat e zvarritjeve të çështjeve dhe perceptimin te qytetarët e një impakti negativ për jetën, të drejtat, pronën, Presidenti i Republikës inkurajoi gjyqtarët t’u japin fund këtyre praktikave. “Në institucionet e së drejtës nuk ka vend për tranzicion”,  u shpreh Begaj.

E drejta nuk negociohet, tha Begaj, duke shtuar se “dhënia e drejtësisë është sa përgjegjësi dhe profesionalizëm, aq edhe akt i lartë shtetarie”.

Në fund të fjalës së tij, Kreu i Shtetit garantoi mbështetje për institucionet e drejtësisë dhe avokati  ndaj qytetarëve që presin drejtësi funksionale, të ndershme e të barabartë për të gjithë.

“Si President i Republikës do të vijoj të mbështes fuqimisht forcimin e pavarësisë dhe funksionalitetit të sistemit të drejtësisë, të mbështes çdo nismë që shkon në drejtim të forcimit të institucioneve të drejtësisë dhe ruajtjes së integritetit të tyre, por gjithmonë do të mbetem edhe një zë  ne mbrojtje të  qartë të interesit  të qytetarëve që presin drejtësi funksionale, të ndershme dhe të barabartë për të gjithë”, theksoi Begaj.

/k.s/j.p/

The post Begaj: Drejtësia funksionon kur respektohet, jo vetëm kur deklarohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Pavarësia e gjyqësorit nuk mund të jetë alibi për mosveprim dhe mungesë llogaridhënieje

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfor Lamallari mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së vitit të ri gjyqësor ku gjatë fjalës së mbajtur vuri theksin te hendeku mes pritshmërive të qytetarëve pas Reformës në Drejtësi dhe funksionimit aktual të sistemit, veçanërisht në aspektin e llogaridhënies dhe disiplinës së magjistratëve.

Teksa uroi institucionet e drejtësisë për një vit të ri gjyqësor me vendimmarrje të drejta dhe të pavarura, Lamallari theksoi se pavarësia dhe llogaridhënia janë “dy anë të së njëjtës medalje” dhe se besimi publik nuk mund të ndërtohet pa një balancë reale mes tyre.

Në fokus të kritikave të ministrit ishte Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, për të cilin ai deklaroi se nuk po përmbush siç duhet misionin kushtetues për garantimin e standardeve të larta profesionale dhe disiplinore në sistem.

“Pavarësia e drejtësisë nuk mund dhe nuk duhet të keqpërdoret si alibi për mosveprim, për zvarritje apo për mungesë përgjegjshmërie”, u shpreh Lamallari, duke nënvizuar se ILD është krijuar pikërisht për të ushtruar kontroll dhe për të garantuar disiplinë, jo për të funksionuar si filtër bllokues ndaj ankesave të qytetarëve.

Ministri solli të dhëna konkrete që, sipas tij, tregojnë një situatë jo të mirë teksa tha se, gjatë viteve 2023–2025 janë regjistruar 1.374 ankesa pranë ILD-së, ndërsa vetëm 23 vendime për çelje hetimi disiplinor janë marrë për 25 magjistratë.

Kjo do të thotë se më pak se 2% e ankesave të qytetarëve kalojnë filtrin fillestar për hetim disiplinor.

Edhe kërkesat e përcjella nga vetë Ministria e Drejtësisë, sipas Lamallarit, kanë hasur në të njëjtën qasje: nga 12 kërkesa zyrtare për verifikim ose hetim disiplinor gjatë dy viteve të fundit, vetëm një rast ka çuar në fillimin e procedimit disiplinor, dhe kjo mbi bazën e një ankese të paraqitur nga një përfaqësi diplomatike e huaj në Shqipëri.

“Përtej vështirësive në plotësimin e vakancave, nuk ka asnjë arsye bindëse që të justifikojë një numër kaq të ulët procedimesh disiplinore dhe mungesën e inspektimeve proaktive”, theksoi ministri, duke e cilësuar rolin e ILD-së si të pazëvendësueshëm për besueshmërinë e sistemit të drejtësisë.

Lamallari paralajmëroi se mungesa e reflektimit dhe veprimit real nga institucionet e përgjegjshme për disiplinën rrezikon të kthejë pavarësinë e drejtësisë në një koncept formal, të shkëputur nga përgjegjësia ndaj qytetarëve.

Në përfundim, ministri siguroi se Ministria e Drejtësisë do të vijojë të referojë çdo rast shkeljeje të afateve dhe standardeve ligjore pranë ILD-së, duke theksuar se pas një dekade Reformë në Drejtësi, sistemi ndodhet tashmë në fazën e llogaridhënies dhe konsolidimit, ku retorika duhet t’i lërë vendin rezultateve konkrete.

“Pavarësia e drejtësisë merr forcë dhe legjitimohet vetëm nga besimi i publikut”, përfundoi Lamallari, duke e cilësuar vitin e ri gjyqësor si një test maturie dhe përgjegjshmërie për të gjithë sistemin.

Lidhur me stokun e dosjeve, Ministri i Drejtësisë veçoi veçanërisht si problematike situatën në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm.

“Nëse për Gjykatën e Lartë konstatojmë progres, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për pjesën tjetër të sistemit. Në shumë segmente, veçanërisht në gjykatat e apelit, normat e përfundimit të çështjeve janë minimale dhe numri i çështjeve të prapambetura paraqitet alarmant. Në disa raste, më pak se një e dhjeta e çështjeve përfundojnë brenda vitit, çka nuk është vetëm problem kapaciteti, por çështje menaxhimi, prioritetesh dhe vullneti institucional. Nuk mund të flasim për besim publik kur qytetari humbet shpresën për të marrë një vendim brenda një afati të arsyeshëm”, tha Lamallari.

Ministri i Drejtësisë u shpreh se “në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm, përqindja e përfundimit të çështjeve penale ra ndjeshëm gjatë 9 muajve të parë të vitit që lamë pas. Për çdo 100 dosje në shqyrtim, vetëm 12 prej tyre u përmbyllën, ndërsa stoku total po shenjon shifrën rreth 19.000! Në çështjet civile dhe administrative, norma e përfundimit në disa gjykata zbret në 5%, duke e kthyer apelimin në një pritje të pafund për qytetarin. Kjo nuk është thjesht statistikë. Është praktikisht mohim i drejtësisë përmes vonesës. Prirja rritëse e stokut shfaqet gjithashtu tek çështjet ende në hetim. Pavarësisht përmirësimeve të pjesshme në përfundimin e çështjeve, ngarkesa strukturore e sistemit të hetimit penal mbetet e lartë, me 23.623 çështje në vitin 2024. Qartësisht, edhe në këtë rast nevojiten masa të qëndrueshme për rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e procedimeve”.

Ai foli gjithashtu edhe për nivelin e lartë të paraburgimit në vend.

“Paraburgimi duhet të jetë përjashtim dhe jo rregull. Kur ai zëvendëson gjykimin e shpejtë dhe të drejtë, kemi një problem serioz me standardet demokratike. Ky fenomen nuk përputhet me aspiratat e një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Është koha për të ndryshuar kulturën ndëshkuese dhe represive, ku masa e arrestit me burg shihet si zgjidhja më e shpejtë”, tha Lamallari.

Hapja e vitit të ri gjyqësor, foto: Florian Abazaj
1 nga 15

/k.s/j.p/

The post Lamallari: Pavarësia e gjyqësorit nuk mund të jetë alibi për mosveprim dhe mungesë llogaridhënieje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja në FITUR 2026, takim me Presidenten e Ishujve Baleare

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja gjatë panairit ndërkombëtar të turizmit në Madrid, Fitur 2026 zhvilloi një takim me Marga Prohens, Presidente e Ishujve Baleare.

Gonxhja dhe Prohens shkëmbyen eksperienca mbi politikat e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, menaxhimin e destinacioneve dhe promovimin kulturor, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të praktikave më të mira.

Gjithashtu, gjatë ditëve të panairit u zhvilluan një seri takimesh zyrtare dhe dypalëshe në stendën e Shqipërisë me përfaqësues të nivelit të lartë institucional dhe drejtues të kompanive kryesore ndërkombëtare të turizmit dhe investimeve.

“Paralelisht, zhvilluam takime profesionale me përfaqësues të KPMG, LeadPro Advisors, Transat, IMC, Grupo Piñero dhe THB Hotels, të fokusuara në mundësitë e investimeve strategjike, strukturimin e projekteve turistike, partneritete afatgjata dhe interesin konkret për tregun shqiptar”, u shpreh Gonxhja në rrjetet sociale.

Në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Madrid, stenda shqiptare tërhoqi interes të jashtëzakonshëm nga vizitorët dhe profesionistët e industrisë.

Vizitorët u njohën nga afër me ofertën turistike të vendit përmes prezantimeve inovative që përfshijnë përvoja virtuale (VR), degustime të produkteve tradicionale, performanca artistike live, artizanat dhe elemente të traditës shqiptare të mikpritjes.

Në këtë panair, Shqipëria u promovua si një destinacion turistik gjithëvjetor, autentik dhe gjithëpërfshirës, duke synuar zgjerimin e pranisë së saj në tregjet ndërkombëtare dhe forcimin e imazhit si një destinacion me potencial të lartë turistik.

/k.s/j.p/r.e/

The post Gonxhja në FITUR 2026, takim me Presidenten e Ishujve Baleare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare të Edukimit Mjedisor, Jaupaj: Takime në mbi 325 shkolla për mbrojtjen e natyrës

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Prej 3 vitesh në shkollat e vendit po zhvillohet Programi i Edukimit Mjedisor, si një ndër mënyrat më të mira për t’i rritur fëmijët me dashurinë për natyrën.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Edukimit Mjedisor, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj tha se gjatë vitit 2025, përmes këtij programi të Ministrisë së Mjedisit, kemi qenë të pranishëm në 325 shkolla dhe kemi bashkëbiseduar me mbi 6,000 nxënës, duke forcuar ndërgjegjësimin për mbrojtjen e natyrës dhe pyjeve.

“Ky program do të vijojë edhe në vitin 2026, ndërsa me zgjerimin e mëtejshëm dhe me përdorimin e teknologjive inteligjente për pyjet, e bëjmë edhe më konkret pasionin e të rinjve për natyrën”, theksoi Jaupaj.

Edukimi mjedisor natyror i ndihmon nxënësit të njihen me çështje të rëndësishme dhe jetike mjedisore si: ujin, ajrin, tokën, natyrën, biodiversitetin.

Përgjatë tyre nxënësit përfshihen emocionalisht dhe fizikisht; ata mësojnë për zgjidhjen e shqetësimeve dhe problematikave të ndotjes, mbetjeve, energjisë, ekonomisë qarkulluese dhe mbrojtjen e dashurinë për natyrën.

Gjatë orëve të mësimit nxënësit informohen nga ekspertët e zonave të mbrojtura dhe kultivojnë dashurinë për ekosistemet, biodiversitetin, lagunat, parqet dhe përkujdesjen ndaj tyre.

Dita Botërore e Edukimit Mjedisor, që prej 10 vjetësh mbahet çdo 14 tetor. UNESCO thotë se, kjo datë shënon një pikë fillimi dhe jo një pikë mbërritjeje, duke ftuar të gjithë të marrin pjesë në iniciativë.

Data 14 tetor shënon hapjen e punimeve të Konferencës Ndërqeveritare të UNESCO-s për Edukimin Mjedisor, e cila u zhvillua në Tbilisi të Gjeorgjisë, në vitin 1977 dhe ishte një shenjë e interesit të shtuar shqetësimit që shoqëria civile dhe institucionet filluan të ndjenin në ato vite. Për herë të parë çështjet mjedisore dhe edukimi mbi ndjeshmërinë mjedisore u mirëpritën dhe u njohën në nivel institucional, pas Konferencës së OKB-së për mjedisin njerëzor të mbajtur në Stokholm në 1972.

/k.s/j.p/

The post Dita Ndërkombëtare të Edukimit Mjedisor, Jaupaj: Takime në mbi 325 shkolla për mbrojtjen e natyrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Kryepeshkop Joani: Të mbajmë të gjallë trashëgiminë që na la Janullatos

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” u përkutjua sot 1-vjetori i ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Në këtë ditë përkujtimore morën pjesë krerë të komuniteteve fetare, ambasadorë, përfaqësues të lartë të Këshillit Botëror të Kishave, të Komunitetit të Sant’Egidios, të Qendrës së Krishterë Misionare në Amerikë, si dhe besimtarë të shumtë.

Në fjalën e tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij imzot Joani, theksoi se përkujtimi vjetor i Kryepeshkopit Anastas është një nevojë shpirtërore për reflektim, falënderim dhe forcim në hirin e Perëndisë Triadik.

Ai vuri në dukje se largimi i njerëzve të mëdhenj lë gjithmonë trishtim dhe boshllëk, por besimi në Ngjalljen e Krishtit dhe përjetësinë e shpirtit sjell ngushëllim dhe shpresë.

“Përkujtimi i Kryepeshkopit të lumur Anastas nuk është thjesht një kthim nostalgjik në të kaluarën, është zgjedhja e vetëdijshme për të mbajtur të gjallë trashëgiminë që ai na la. Jo si eksponat muzeu, por si udhërrëfyes për të sotmen dhe për të ardhmen dhe si një mundësi për meditim të brendshëm dhe për orientimin e jetës sonë. Fjalët e Shën Joan Gojartit: Ata që i duam dhe i humbasim, nuk janë aty ku ishin më parë,, ata janë tani kudo ku jemi ne, – i përshtaten plotësisht Kryepeshkopit Anastas. Ne besojmë dhe e ndiejmë praninë e tij dhe kjo na jep shpresë, kurajë dhe lehtësim”, tha Kryepeshkopi Joan.

Ai tha se “Kryepeshkopi i lumtur na la mësime dhe fjalë të cilat vazhdojnë të ndriçojnë jetën tonë. Do të citoj disa nga këto mësime dhe fjalë të çmuara”.

“Lutemi që Perëndia të na japë forcë e urtësi për të vazhduar rrugën e ndritshme të Kryepeshkopit të lumur Anastas, sepse nderimi më i madh që mund t’i bëjmë atij është të ecim të bashkuar në atë rrugë dhe me të njëjtën frymë”, tha Kryepeshkopi Joan.

Kryepeshkopi Janullatos ndërroi jetë pas një beteje të gjatë shëndetësore më 25 janar të 2025.

Kryepeshkopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rivitalizuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin e tij hyjnor dhe punën e palodhur, ai rindërtoi jetën kishtare nga themelet, ndërtoi qindra kisha, themeloi institucione arsimore dhe bamirëse dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar shërbim të pafund dhe sakrificë për më shumë se 33 vjet.

/k.s/a.f/

The post Kryepeshkop Joani: Të mbajmë të gjallë trashëgiminë që na la Janullatos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjinari destinacioni i preferuar dimëror i vizitorëve

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Fshati turistik i Gjinarit, 22 km larg Elbasanit ofron në këto ditë dimri peizazhe mahnitëse, të mbuluara nga dëbora dhe qetësia karakteristike e zonave malore.

I njohur për bukurinë natyrore, pyjet e dendura dhe freskinë e ajrit malor, Gjinari po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga pikat më të preferuara të turizmit në qarkun e Elbasanit, veçanërisht gjatë fundjavave dhe sezonit dimëror.

Kryeministri Edi Rama në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur” ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Gjinari, që këto ditë fund janari po preferohet nga vizitorët të tërhequr nga bukuria e natyrës dhe aktivitetet në ajër të pastër.

Pamjet e publikuara nga Rama ofrojnë një panoramë mbresëlënëse të Gjinarit turistik, ku bie në sy edhe një kolonë mjetesh të të njëjtit tip, të cilat kanë zhvilluar një guidë turistike mes natyrës së mbuluar nga dëbora, duke përshkuar rrugët malore dhe shtigjet piktoreske të zonës.

Rrugët malore, pyjet e bardha dhe ajri i pastër dimëror kanë krijuar një atmosferë magjike, duke e kthyer këtë udhëtim në një eksperiencë të veçantë për pjesëmarrësit.

Kjo panoramë tregon edhe një herë bukurinë natyrore dhe potencialin turistik që ofron zona malore e Elbasan, veçanërisht gjatë sezonit dimëror, ku Gjinari mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara për guida turistike, aktivitete në grup dhe dashamirës të natyrës, ndërsa me dëborën e parë të sezonit zona ka qenë e mbushur plot me vizitorë.

1 nga 3

/k.s/a.f/

The post Gjinari destinacioni i preferuar dimëror i vizitorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kampionati i Shahut në Elbasan, nismë që edukon dhe formon fëmijët

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Kampionati i Përvitshëm i Shahut për nxënësit e shkollave 9-vjeçare në Elbasan tashmë është kthyer në traditë dhe që synon të nxisë zhvillimin intelektual dhe kulturën sportive te fëmijët.

Ky kampionat u zhvillua në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve (QKF) në Elbasan, ku fitues të këtij edicioni u shpallën Erdet Alla nga shkolla “Sule Harri” dhe Arsa Çekani nga shkolla “Jorgji Dilo”, të cilët u dalluan për përqendrimin, strategjinë dhe aftësitë e tyre logjike.

Organizatorët i uruan kampionët për suksesin dhe i inkurajuan të vijojnë rrugën e sportit të mendjes.

Këtë vit, kursi i shahut është përfshirë si pjesë e rregullt e kurseve që QKF ofron, pas kërkesave të shumta nga nxënësit dhe prindërit. Pjesëmarrja e lartë në kampionat dëshmon interesin gjithnjë e në rritje të fëmijëve për aktivitete që zhvillojnë mendimin kritik, përqendrimin dhe disiplinën.

Qendra Kulturore e Fëmijëve në Elbasan ofron një sërë kursesh artistike, kulturore dhe sportive, me qëllim edukimin, argëtimin cilësor dhe largimin e fëmijëve nga përdorimi i tepruar i mjeteve teknologjike. Kjo qendër përbën një shembull pozitiv të investimit në formimin e brezit të ri, duke krijuar hapësira ku talenti dhe vlerat edukative kultivohen çdo ditë.

/k.s/a.f/

The post Kampionati i Shahut në Elbasan, nismë që edukon dhe formon fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Teatri “Skampa” i Elbasanit çel sezonit artistik me Galanë e Operetës Rumune

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Një mbrëmje e jashtëzakonshme muzike, elegance dhe kulturë evropiane solli Galanë e Operetës Rumune në skenën e Teatrit “Skampa”, duke shënuar hapjen zyrtare të sezonit artistik në qytet.

Në këtë event festiv u zhvillua një performancë unike nga artistë të Teatrit Kombëtar të Operetës dhe Muzikalit “Ion Dacian” i Bukureshtit, të shoqëruar me këngëtaren e dashur për publikun, Eli Fara, e cila solli interpretime të fuqishme me gjurmë arumune dhe shpirt shqiptari.

Programi përfshiu arie, duete dhe vepra të njohura që sollën emocione të thella dhe duartrokitje të gjata nga publiku i pranishëm.

Ky aktivitet jo vetëm që shënoi një fillim dinjitoz për sezonin e ri artistik, por edhe forcoi marrëdhëniet kulturore mes Shqipërisë dhe Rumanisë, një nismë e rëndësishme për bashkëpunime të mëtejshme artistike mes dy vendeve tona.

Ndër të ftuarit e nderit ishte edhe dirigjenti i njohur Zhani Ciko.

Ky event u prit me entuziazëm nga qytetarët, duke shënuar nisjen e një sezoni plot art, kulturë dhe emocione në Teatrin “Skampa”.

 

/k.s/a.f/

 

The post Teatri “Skampa” i Elbasanit çel sezonit artistik me Galanë e Operetës Rumune appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pse shkrimi i dorës nuk duhet të humbasë nga bankat e shkollës

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Përdorimi i teknologjisë digjitale vitet e fundit ka ndikuar ndjeshëm në mënyrën se si njerëzit shkruajnë dhe komunikojnë.

Si pasojë, shkrimi i dorës po përdoret gjithnjë e më pak, veçanërisht nga fëmijët dhe të rinjtë. Në këtë kontekst, UNESCO ka propozuar një projekt të posaçëm për mbrojtjen e shkrimit me dorë, duke synuar ruajtjen e tij si trashëgimi kulturore jomateriale e njerëzimit.

Shkrimi i dorës ka një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e nxënësve, sidomos në arsimin fillor dhe ciklin e lartë të shkollës 9-vjeçare.

Mësuesja e gjuhës shqipe në ciklin e ulët të shkollës “Vaçe Zela” në Tiranë, Adelina Kraja shpjegoi për ATSH-në se si ndikon shkrimi i dorës në zhvillimin e fëmijës.

“Shkrimi i dorës ndihmon shumë në zhvillimin motorik të nxënësve, në përqendrimin e të menduarit kritik, zhvillimin e kujtesës, forcon lidhjen mes mendimit dhe aftësive shprehëse si: leximi, drejtshkrimi, sidomos në arsimin fillor”, nënvizoi ajo.

Sipas saj, zëvendësimi i lapsit me tastierën rrezikon të krijojë shumë boshllëqe në zhvillimin motorik dhe gjuhësor të fëmijëve, sepse ul përqendrimin dhe durimin e tyre.

Kraja sugjeron që shkrimi i dorës të praktikohet më shpesh si dhe të shtohen më shumë orët e shkrimit.

“Kjo është një thirrje për të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit për të mbrojtur dhe praktikuar sa më shumë shkrimin e dorës në shkolla, sidomos në klasat I–IV.  Mendoj se duhet të rriten orët e diktimit në lëndën e gjuhës, të rriten më shumë orët e shkrimit si dhe të krijohet një balancë mes teknologjisë dhe shkrimit tradicional”, tha Kraja.

Ajo rekomandon të bëhen më shumë trajnime mbi rëndësinë e shkrimit të dorës, duke përfshirë edhe prindërit, që të ndërgjegjësohen për rëndësinë që ka ky shkrim në zhvillimin motorik të fëmijëve të tyre.

Kraja u shpreh se çdo shkrim është unik dhe bart gjurmë të personalitetit të individit.

“Vetëm kështu ne mund të sigurojmë një arsim më cilësor për brezat që do të vijnë”, tha Kraja, duke shtuar se shkrimin e dorës duhet ta ruajmë si një pasuri kulturore, në ruajtjen e dijes dhe proceseve të të nxënit.

Ndërsa mësuesja e gjuhës shqipe e ciklit të lartë në këtë shkollë, Brunilda Kondakçiu, duke e vlerësuar këtë nismë të ndërmarrë nga UNESCO tha se “shkrimi i dorës nuk është vetëm aftësi, por ndihmon edhe në zhvillimin e trurit, përqendrimit, kujtesës, mendoj që është njëkohësisht dhe identitet”.

Kondakçiu vuri në dukje se duhet t’i kushtohet shumë vëmendje shkrimit të dorës, sidomos në arsimin fillor, pasi ai është baza e të nxënit dhe për zhvillimin motorik të fëmijëve.

“Teknologjia nga njëra anë ka rritur komunikimin dhe të nxënit, por nga ana tjetër ka ulur praktikën e të shkruarit të shkrimit të dorës. Mendoj se për ta praktikuar sa më shumë shkrimin e dorës duhet të jepen sa më shumë detyra të shkruara me shkrim dore pra kombinim i shkrimit të dorës me ndërthurjen e teknologjisë”, tha Kondakçiu.

Ekspertët dhe UNESCO theksojnë se ruajtja e shkrimit të dorës është e domosdoshme, jo vetëm për trashëgiminë kulturore, por edhe për cilësinë e arsimit dhe zhvillimin e brezave të ardhshëm.

Për UNESCO-n, shkrimi i dorës nuk është thjesht një aftësi e rëndësishme, por një element kyç i identitetit njerëzor, i të nxënit dhe i transmetimit të dijes ndër breza.

/k.s/j.p/r.e/

The post Pse shkrimi i dorës nuk duhet të humbasë nga bankat e shkollës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja takim në Madrid me Sekretaren e Përgjithshme të UN Tourism

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja gjatë qëndrimit në Madrid, Spanjë në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit Fitur u takua me Sekretaren e Përgjithshme të UN Tourism, Sheikha Al Nowais.

Gjatë takimit Gonxhja dhe Al Nowais, që sapo ka marrë detyrën në krye të UN Tourism diskutuan mbi suksesin e Shqipërisë si destinacion turistik.

“Diskutuam edhe mbi hapjen e Akademisë së Turizmit në Shqipëri, nismë që gëzoi mbështetjen e plotë të Sekretares së Përgjithshme. UN Tourism do të asistojë me ekspertizë të specializuar sipas nevojave të identifikuara, ndërsa u dakordësua një plan pune me pika konkrete bashkëpunimi”, tha Gonxhja.

Shqipëria po prezantohet me moton “Albania All Senses” në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit Fitur në Madrid, Spanjë duke promovuar destinacionet turistike, produktet autentike dhe ofertën e plotë të shërbimeve turistike të vendit.

Ky panair mbledh 161 vende nga e gjithë bota, më shumë se 10 mijë kompani dhe mirëpret profesionistë të sektorit të turizmit, autoritete vendimmarrëse, si dhe vizitorë të interesuar për të mësuar më shumë rreth destinacioneve dhe ofertave turistike ndërkombëtare.

/k.s/a.f/r.e/

The post Gonxhja takim në Madrid me Sekretaren e Përgjithshme të UN Tourism appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Ligj për produktet “Made in Albania” brenda vitit 2026

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në  konferencën e sotme për shtyp lidhur me analizën për të dhënat më të fundit ekonomike, bëri të ditur se gjatë këtij viti pritet që të miratohet ligji për produktet “Made in Albania”.

Ibrahimaj theksoi se ky ligj synon që të mbrojë produktet që prodhohen këtu, por edhe të garantojë nxitjen e eksportit të tyre”.

“Një komponent tjetër është ligji që do të miratojmë brenda vitit 2026 për “Made in Albania”, i cili synon promovimin e produkteve vendase brenda dhe jashtë vendit, ndërtimin dhe mbrojtjen e brandit “Made in Albania” dhe nxitjen e eksporteve të produktit shqiptar. Elementi i dytë është thjeshtimi dhe digjitalizimi. Një pjesë e kostove të biznesit në tregti lidhen me procedurat dhe barrierat jotarifore. Procesi i digjitalizimit të doganave dhe agjencive shtetërore që operojnë në pikat doganore është kyç për reduktimin e këtyre barrierave”, nënvizoi Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh se “prej vitesh po punojmë me Bankën Botërore në një projekt të madh që synon reduktimin e kohës së operimit në dogana përmes krijimit të dritares së vetme kombëtare “National Single Window”, e cila do të rrisë efikasitetin e pikave kufitare, do të reduktojë barrierat tarifore dhe jotarifore dhe do të krijojë rregulla më të parashikueshme për operatorët”.

Sipas saj, një komponent tjetër i këtij projekti është tranziti doganor më i shpejtë, me qëllim lehtësimin e tregtisë ndërkufitare.

Ministrja Ibrahimaj informoi se gjatë vitit 2025 do të fillojë faza e dytë e projektit, e cila do të fokusohet edhe në modernizimin dhe digjitalizimin e infrastrukturës së cilësisë.

“Ky projekt lidhet me komponentin e tretë, harmonizimin. Ne do të kujdesemi që bizneset shqiptare të njihen dhe të zbatojnë standardet e Bashkimit Europian, në mënyrë që të integrohen më lehtësisht në tregun e përbashkët europian. Për këtë arsye, gjatë këtij viti do të miratojmë një program që përgatit bizneset për tregun e përbashkët europian, i cili do të informojë, do të trajnojë dhe do të vërë në dispozicion kapacitete financiare për mbështetjen e bizneseve në arritjen e standardeve”, tha Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj tha se “ky program do të synojë rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare, lehtësimin e aksesit në fondet dhe grantet e BE-së dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme të eksporteve”.

/k.s/a.f/r.e/

The post Ibrahimaj: Ligj për produktet “Made in Albania” brenda vitit 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Investimet në ekonomi u rritën me 4,2%

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Për periudhën janar-shtator 2025 investimet totale në ekonomi u rritën me 4,2%, ndërkohë që një normë rritjeje e ngjashme reflektohet edhe në investimet e huaja direkte.

Kështu deklaroi sot ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për shtyp.

“Stoku i investimeve të huaja direkte në fund të 9-mujorit të parë të vitit 2025 është 1,2 miliardë euro dhe rritja e vazhdueshme e stokut dhe flukseve të investimeve të huaja direkte në sektorë të shpërndarë, por me potencial të lartë për zhvillimin në të ardhmen, tregon për një besim në ekonominë shqiptare si të investitorëve shqiptarë, ashtu edhe të investitorëve të huaj”, tha Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, vijoi Ibrahimaj, nga ana e financimit, investimet janë mbështetur nga kredia, e cila për 11-mujorin e këtij viti është rritur me 14%.

“Kredia për investime garanton jo vetëm financimin e investimeve të vitit aktual, por edhe pritshmëritë për investimet në vitin e ardhshëm. Unë besoj fort që kjo është një shifër që tregon se biznesi ka besim të shtuar në stabilitetin ekonomik të vendit dhe kjo është arsyeja pse kredia vijon të rritet për komponentin e investimeve”, tha Ibrahimaj.

/k.s/r.e/a.f/

The post Ibrahimaj: Investimet në ekonomi u rritën me 4,2% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Ekonomia për tremujorin e tretë të 2025 u rrit me 3.75%

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se  “Prodhimi Brendshëm Bruto për 3 mujorin e tretë të 2025 u rrit me 3.75%, një normë rritëse e cila është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e BE-së, por më e lartë edhe  sesa edhe mesatarja e rajonit në të cilin ne jetojmë”.

Në një konferencë për shtyp lidhur me analizën për të dhënat më të fundit ekonomike , Ibrahimaj tha se “kjo është shifër një domethënëse pasi tregon që ekonomia gjatë viteve të fundit të periudhës post pandemisë ka pasur një stabilitet në rritje dhe është luhatur nga 3.5 deri në 4%. Ndërkohë që po jetojmë në një situatë gjeopolitike, e cila ka qartësira dhe në fakt treguesit kryesorë makroekonomikë të Europës tregojnë për këtë situatë të paqartë”.

Ibrahimaj vuri në dukje se “një element kyç i stabilitetit makro- ekonomik janë çmimet.  Treguesi i çmimeve të inflacionit përgjatë vitit 2025 është rritur me 2.2%, një normë e cila është brenda kufirit, apo targetit prej 3% të Bankës së Shqipërisë që tregon se çmimet janë rritur në linjë me potencialin që ka ekonomia shqiptare, pra janë rritur në mënyrë të shëndetshme”.

Sa i takon inflacionit në vendet e BE-së, Ibrahimaj tha se “ka qenë i ngjashëm me inflacionin më vend. Mesatarja e inflacionit në vendet e BE për 2025 ka qenë 2.3%, ndërsa elementi kryesor, i  cili më së shumti diskutohet dhe të cilin më së shumti ne e kemi në vëmendje në hartimin e politikave tona, inflacioni i çmimeve të ushqimeve për vitin 2025 është rritur me 2.6%, lehtshëm më lartë se inflacioni i të gjithë shportës së mallrave të konsumit”.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj në konferencë për mediet - Foto: Andrin...
1 nga 8
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj - Foto: Andrin Hoxha

/vijon/k.s/a.f/

The post Ibrahimaj: Ekonomia për tremujorin e tretë të 2025 u rrit me 3.75% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Matura Shtetërore 2026, formularët A1 dhe A1Z të plotësohen brenda 11 shkurtit

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore ka miratuar periudhën e aplikimeve me formularët A1 dhe A1Z për Maturën Shtetërore dhe Maturën Shtetërore Profesionale 2026.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se “nxënësit duhet të përcaktojnë edhe lëndët me zgjedhje duke nisur nga data 2 -11 shkurt “.

“Ndërsa për maturantët e viteve të kaluara, të cilët duan të bëhen pjesë e Maturës Shtetërore 2026, shërbimi për formularët A1Z do të aktivizohet në datat 10–11 shkurt”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro i bëri apel maturantëve të ndjekin me vëmendje afatet dhe udhëzimet përkatëse.

Ministria e Arsimi sqaron hapat si duhet të aplikojnë maturantët: Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania; Zgjidhni shërbimin “Matura Shtetërore”; klikoni butonin “Përdor”; zgjidhni llojin e formularit të aplikimit (maturantët duhet të zgjedhin A1, ndërsa kandidatët A1Z) dhe plotësoni të gjithë të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular; klikoni butonin “Dërgo” në fund të formularit.

Për aplikimin me A1/A1Z, përgjigjja merret pasi përfundon procesi me konfirmimin dhe printimin e formularit në shkollë.

Aplikimi me formularin A1/A1Z është i vlefshëm vetëm për Maturën Shtetërore të këtij viti shkollor, duke përfshirë edhe sesionin e dytë (të vjeshtës).

/k.s/a.f/

The post Matura Shtetërore 2026, formularët A1 dhe A1Z të plotësohen brenda 11 shkurtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia e Tiranës ndihmë ekonomike për mbi 500 familje, mbështetje edhe për strehim

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Këshilli bashkiak i Tiranës në mbledhjen e parë për vitin 2026, votoi disa vendime të rëndësishme kryesisht për mbështetje me subvencion nga bashkia, për strehimin e familjeve në nevojë për disa kategori të caktuara.

Në nisje të mbledhjes, kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani u ndal edhe te situata e përmbytjeve që përfshiu vendin tonë pak ditë më parë, duke vlerësuar punën e ekipeve të emergjencave.

Ristani tha se pavarësisht sasisë së shirave, Tirana e ka përballuar mjaft mirë situatën e përmbytjeve për shkak të gatishmërisë së ekipeve në terren.

Një tjetër pikë që ceku Ristani ishte dhe puna e bërë nga bashkia e Tiranës përgjatë verës, për të parandaluar daljen e lumit Lana nga shtrati në zonën e Pallatit me Shigjeta, e cila ka rezultuar mjaft problematike gjatë shirave më herët.

“Dua të shfrytëzoj një moment për të falënderuar punonjësit e bashkisë së Tiranës, të cilët kanë qenë të përfshirë në përballimin e emergjencave dhe situatave që patëm për shkak të motit pak ditë më parë. Arritëm ta përballojmë me sukses. Që nga Tirana dhe zonat qendrore, fshatra dhe zonat e thella malore. Kemi pasur disa banorë të prekur në urën e Farkës, të cilët përkohësisht janë evakuuar, janë vendosur në banesa sociale. Dhe pastaj kur banesat e tyre nuk kanë qenë më në rrezik, janë rikthyer përmes ndihmës së punonjësve tanë të emergjencave”, theksoi Ristani.

Ristani u shpreh se rikujtoi pastrimin e shtratit të Lanës gjatë verës.

“Kjo gjë na ka ndihmuar në përballimin e kësaj situate, sidomos në segmentin e Lanës te Pallati me Shigjeta, e cila është një zonë problematike, ka qenë nën vëzhgim dhe nuk doli këtë radhë nga shtrati”, tha Ristani.

Bashkia miratoi ndihmë ekonomike për mbi 500 familje, subvencion qiraje për familje në nevojë, përfshirë të moshuar, nëna kryefamiljare dhe persona me aftësi të kufizuar, rritje e pagesës së qirasë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, si dhe u miratuan procedura më të qarta që sigurojnë më shumë kontroll për monitorimin e përfituesve të bonusit të strehimit.
/k.s/a.f/r.e/

The post Bashkia e Tiranës ndihmë ekonomike për mbi 500 familje, mbështetje edhe për strehim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Në 24 janar do të tregojmë fuqinë e opozitës

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se në situatën aktuale kauza e protestës së opozitës është më e ligjshme se në çdo protestë tjetër.

Në një intervistë televizive, Berisha theksoi se arsyeja e parë është se qeveria nuk ka legjitimitetin për shkak të farsës elektorale, kjo, sipas tij, është faktuar nga raportet ndërkombëtare dhe nga Departamenti i Shtetit.

Së dyti, sipas kreut të PD, një qeveri që del nga zgjedhje të ndershme, por vjedh qytetarët humbet legjitimitetin.

“Efekti më i tmerrshëm i censurës është se i bën njerëzit që të mos dinë se çfarë të besojnë. Jep 40 rroga analistësh që në çdo studio mashtrojnë qytetarët”, theksoi Berisha duke iu referuar klimës aktuale.

Kreu i PD-së u shpreh se Rama nuk është alternativë dhe duhet të largohet.

“Në datën 24 do të tregojmë fuqinë e opozitës, kreativitetin e saj.Opozita do të qëndrojë deri në pikën e fundit të saj se këta kanë zero legjitimitet”, deklaroi Berisha.

Berisha foli edhe në lidhje me votimin në parim në parlament për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, ku përfaqësues do të jetë kryeministri Edi Rama.

Berisha tha se PD votoi pro për të treguar partneritetin e vendit dhe të PD-së me SHBA.

“U votua në parim sepse unë dua ta them këtu, gjatë gjithë kohës në pushtet, porosi e prerë e përfaqësuesve të Shqipërisë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, ka qenë do të votoni siç votojnë Shtetet e Bashkuara, për çështje sigurie. Së dyti, u detyrohemi pavarësinë e Kosovës, betejën ajrore kundër Beogradit dhe mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës”, tha Berisha.

Ne, vijoi Berisha, dokumentin nuk e votuam nen për nen, ne votuam në parim.

Sa i përket projektit të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner për ishullin e Sazanit, Berisha tha se edhe ai kur ishte kryeministër ka tentuar që Sazanin t’ia jepte ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi për zhvillim, por diçka e tillë nuk u realizua.

“Zvërneci është investim kryekëput privat. Nuk kam parë që është dhënë tokë publike. Si mund të jem kundër kur ka një ujdi mes privatëve. Janë të mirëpritur. Vijmë te Sazani, tokë publike. Si ta kundërshtoja unë kur unë vet isha përpjekur që të jepej për zhvillim”, tha Berisha.
/k.s/j.p/

The post Berisha: Në 24 janar do të tregojmë fuqinë e opozitës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama pret Ivanka Trump në Kryeministri

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Ivanka Trump pas qëndrimit prej ditës së djeshme në Vlorë mbërriti mbrëmjen e sotme në Tiranë.

Sipas medieve Ivanka Trump u prit në Kryeministri nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Të mërkurën në mbrëmje, kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Vlorës, ku u takua dhe darkoi me Ivanka Trump dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë.

Ivanka Trump mbërriti dje në qytetin bregdetar të Vlorës e shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga Policia, teksa qëndroi në një nga hotelet në zonën e “Ujit të ftohtë”.

Ivanka Trump vizitoi zonën e Novoselës dhe më pas edhe Zvërnecin. Gjithashtu, në itinerarin e saj ka qenë edhe zona bregdetare e njohur si Porto Novo.

Vizita e saj vijon pa asnjë njoftim zyrtar për agjendën, me synim kryesor vijimin e projektit të madh të investimit që ajo dhe bashkëshorti i saj jared Kushner kanë planifikuar të bëjnë në gjirin e Vlorës, në zonën e ishullit të Sazanit dhe në Zvërnec, një investim prej 1 miliard dollarësh për një resort turistik elitar në këto zona.

Ivanka Trump ka qenë disa herë në Shqipëri në gjirin e Vlorës, të cilin e ka vizituar edhe duke udhëtuar me helikopter.

/k.s/j.p/

The post Rama pret Ivanka Trump në Kryeministri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌