TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq tre zyrtarë të akuzuar për abuzim me detyrën.
Prokuroria dërgoi në gjyq shtetasen A.H., Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës dhe shtetasen A.C., Drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, si dhe shtetasin V.Ç. për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Nga hetimet rezulton se e pandehura A.H., në cilësinë e Drejtoreshës së Përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës në Bashkinë Fier, nuk ka marrë masat për vendosjen e kasës fiskale në sistemin e parkimit të Bashkisë, duke lejuar shmangien nga pagimi i detyrimeve tatimore në vlera të larta.
Gjithashtu, mbi ushtrimin e ndikimit të paligjshëm prej të pandehurës mbi drejtoritë në varësi, janë realizuar faturime fiktive të subjekteve, duke i taksuar në vlera më të ulta. E pandehura A.H., ka ushtruar ndikim të paligjshëm edhe tek Drejtoresha e Taksave në Bashkinë Fier për të kryer përllogaritje të parregullt të taksave subjektit “R…” shpk, si dhe për të lëshuar një vërtetim se ky subjekt nuk kishte detyrime, ndërkohë që ai ka pasur taksa pa paguar në një vlerë të konsiderueshme.
Ndërsa e pandehura A.C., në cilësinë e Drejtoreshës së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, ka lëshuar (konceptuar) fatura të taksave dhe tarifave mbi vlerën reale për subjekte të caktuara dhe, pasi u janë njoftuar subjekteve të cilët kanë bërë ankesa, vlera ka ndryshuar, duke u ulur në disa raste edhe tej parashikimeve të vendosura nga Këshilli Bashkiak.
E pandehura ka realizuar faturime fiktive të subjekteve, duke i taksuar ata me taksa në vlerë më të ulët se ajo për të cilën ata duhej të taksoheshin. Gjithashtu, nuk ka marrë asnjë masë për fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve në administrimin e Bashkisë.
Ndërkohë, i pandehuri V.Ç., me detyrë Drejtor i DVKT Rajoni Jugor, me urdhrin e nxjerrë prej tij ka detyruar inspektorët të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar, pa pasur më parë një urdhër pune nga DPT. Pas kryerjes së kontrollit, i pandehuri nuk ka kryer procedurën ligjore për të kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe nuk ka mbikëqyrur fushatën sensibilizuese, pasi nuk është kontrolluar asnjë subjekt tjetër.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.
/m.m/a.f/
The post Prokuroria dërgon tre zyrtarë të Bashkisë Fier në gjyq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.