Arratisja e Altin Ndocit/ Gazetarja Klodiana Lala: Ka një përplasje të ashpër në këtë proces, u ndihmua nga brenda burgut…
Këtë të enjte, gazetarja e njohur Klodiana Lala, ka komentuar arratisjen e Altin Ndocit nga spitali rajonal i Durrësit, duke ngritur dyshime serioze se ngjarja nuk ka qenë e rastësishme, por e planifikuar prej kohësh.
Lala kritikoi ashpër mënyrën se si institucionet reaguan pas arratisjes, duke thënë se në një vend normal me polici funksionale do të ishin vënë në lëvizje menjëherë të gjitha kapacitetet e sigurisë.
Sipas saj, do të duhej të ishin nxjerrë në terren qentë e specializuar, të ngriheshin dronë dhe helikopterë për gjurmim ajror dhe të informohej komuniteti për personin e rrezikshëm që ishte në arrati.
Gjithashtu, Lala shpjegoi tensionet në seancën e radhës të dosjes së bujshme “Plumbi i artë” në GJKKO, ku dështoi për shkak të mungesës së një prej të pandehurve, Altin Ndocit, që u arratis dy ditë më parë nga spitali i Durrësit, ku ishte dërguar për mjekim.
Aktualisht, avokatët kanë kërkuar ndërprerjen, sepse klienti nuk mund të përfaqësohej pa qenë prezent dhe përplasjet kanë qenë të forta, deri edhe në ironi.
Sipas saj, Ndoci e kishte menduar arratisjen që në momentin kur u vendos në paraburgimin e Durrësit, një strukturë ku, sipas Lalës, ai nuk duhej të ishte futur për shkak të rrezikshmërisë së lartë.
“Mendoj se ka pasur bashkëpunëtorë jashtë që e kanë ndihmuar në lëvizjen e tij dhe kam dyshime edhe për bashkëpunëtorë ose informatorë brenda sistemit”, u shpreh ajo.
GJKKO ka vendosur në këtë situatë që t’i dërgojë shkresë Policisë së Shtetit për të sqaruar statusin e Altin Ndocit, për arratisjen dhe nëse ëhstë në kërkim.
“Altin Ndoci duhet të paraqitej sot në Gjykatën e Posaçme për proces për përballje me drejtësinë, por nuk u paraqit për shkak të arratisjes. Në dosjen “Plumbi i artë” ai akuzohet për vrasje dhe plagosje në 2019. Viktimat ishin armiq të organizatës së Çopjave, kryesisht në aktivitetin e trafikut të narkotikëve në Amerikën latine, por edhe në kuadër të ngjarjeve kriminale në Elbasan dhe më gjerë”, tha Lala.
Mes te tjerash, , gazetarja shpjegoi edhe dinamikën e seancës dhe pozitën juridike të Ndocit në dosje.
“Por Ndoci nuk u paraqit sepse u arratis, avokati shpjegoi disa detaje. Gjykata do i drejtohet Policisë së Shtetit për informacion, nëse ky person është zyrtarisht në arrati dhe i kërkuar. GJKKO do presë shkresën e Policisë për Ndocin. Avokatët kanë bërë ironi në proces për rastin për shkak të situatës së dosjes, sepse ata po përpiqen të rrëzojnë dëshminë e të penduarit Nuredin Dumani. Ka një përplasje të ashpër në këtë proces. Nga hetimet e deritanishme për rastet e para Ndoci nuk doli i përfshirë në dy ngjarjet, por u hetua për të paktën 4 vrasje të tjera në lidhje me dosjen “Plumbi i artë”. Sipas dëshmisë së Dumanit ai kishte kryer vrasjen e Andi Zylyfit dhe të paktën 4 vrasje të tjera që janë nën hetim, por tani ndodhi arratisja”, u shpreh ajo.
Më tej, Lala shpjegoi se Ndoci nuk është i dënuar, por i paraburgosur.
The post Arratisja e Altin Ndocit/ Gazetarja Klodiana Lala: Ka një përplasje të ashpër në këtë proces, u ndihmua nga brenda burgut… appeared first on Albeu.com.