Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare që mbahen brenda një viti në Kosovë, pas dështimit për të formuar Qeverinë e re nga zgjedhjet e shkurtit. Asnjëra nga partitë nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme për ekzekutivin e ri. Për shkak të ngërçit politik dhe pamundësisë për marrëveshje, Kuvendi u shpërnda dhe u shpallën zgjedhje të parakohshme.
Nga Prishtina. Fatos Shala
Rreth dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë të sot, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u shpallën pasi legjislatura e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk e miratoi asnjërin prej dy kabineteve qeveritare që u propozuan.
Të shtunën në mëngjes, ekipe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kanë shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet për në 38 komunat e Kosovës. Që nga ora 7:00, 1 milion e 999 mijë e 24 shtetas kanë të drejtë t’u drejtohen vendvotimeve, për ta zgjedhur legjislaturën e dhjetë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se të gjitha përgatitjet janë bërë në mënyrë që procesi i votimit të nisë me kohë.
“Numri i qendrave të votimit që do të hapen më 28 dhjetor është 948, prej të cilave 910 për votimin e rregullt me 2,557 vendvotime. Po ashtu, do të hapen edhe 38 qendra të votimit me gjithsej 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”.
Për zgjedhjet e së dielës, garojnë 24 subjekte politike me 1,180 kandidatë për deputetë. Nga to, 8 subjekte politike janë të shqiptarëve me 624 kandidatë që synojnë 100 vendet në Kuvend, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve që garojnë për 20 ulëset e garantuara.
Zgjedhjet e muajit shkurt e edhe këto të dhjetorit do të organizohen konform ndryshimeve ligjore, sipas të cilave deri në orën 7:00 kur të hapen vendvotimet, subjektet politike kanë të drejtë të bëjnë fushatë. Ndryshimet kërkojnë që pasi të mbyllen kutitë në orën 19:00, numërimi i votave në vendvotime të bëhet vetëm për partitë, ndërsa për kandidatët për deputetë procedura do të zhvillohet nga e hëna.
“KQZ-ja ka bërë përgatitjet që më 28 dhjetor të publikohen rezultatet preliminare të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Rezultatet nga vendvotimet e para, do të fillojnë të publikohen duke filluar para orës 20:00 dhe ato do të përditësohen vendvotim pas vendvotimi”, ka thënë ai. “Pra, brenda një kohe të shkurtër pasi numërohen fletëvotimet e një vendvotimi, do të publikohen të dhënat në platformën e rezultateve”.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, pati dështuar platforma për publikimin e rezultateve në kohë reale. Zyrtarë të KQZ-së patën thënë se ka pasur ndërhyrje të jashtme në sistem.
Por, në vjeshtë, në zgjedhjet lokale dhe në balotazhin që pasoi, platforma ka funksionuar dhe që në orën e parë pas mbylljes së votimit, ka nisur të publikohen rezultatet.
Përveç rezultateve, KQZ-ja do të publikojë në pesë orare të ndryshme edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve: 09:00, 11:00, 13:00, 15:00, 17:00 dhe 19:00.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u ka bërë apel të gjithë anëtarëve të komisioneve komunale zgjedhore dhe të këshillave të vendvotimeve që të jenë në nivel të detyrës, të respektojnë ligjin dhe rregullat zgjedhore të KQZ-së.
“Na pret një ditë e gjatë nesër, një ditë ku duhet t’i ofrojmë qytetarëve të drejtën e votës, andaj shpresojmë që të gjithë janë në nivel të detyrës dhe të respektojnë rregullat dhe ligjin”, ka thënë Radoniqi, në konferencën e KQZ-së, të organizuar në orët e mbrëmjes.
Edhe në institucione të tjera kanë thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet, për ta garantuar një proces të drejtë votimi.
Policia ka hartuar dhe e ka në zbatim urdhrin operativ për ditën e zgjedhjeve dhe një ditë më parë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë janë mbajtur dy takime koordinuese lidhur me planifikimin, zbatimin dhe koordinimin e këtij urdhri.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ka kërkuar nga të gjithë menaxherët rajonalë e ata qendrorë mbikëqyrje dhe ka dhënë porosinë që policia të kryejë këtë aktivitet me profesionalizëm e integritet sa më të lartë.
Apel të njëjtë ka bërë edhe Prokuroria.
Zyra e Prokurorit të Shtetit ka ftuar qytetarët, subjektet politike, institucionet dhe organizatat e ndryshme që të denoncojnë çdo rast për të cilin dyshohet se ka keqpërdorim apo manipulim të votës, në çfarëdo forme dhe nga kushdo qoftë.
Në njoftimin e këtij institucioni është thënë se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet me qëllim të mbrojtjes së votës së lirë të qytetarëve dhe garantimi i integritetit të procesit zgjedhor.
Mbarëvajtja e këtij procesi zgjedhor do të monitorohet edhe nga vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë. Të shtunën mbrëma, në zyrat e KQZ-së janë pritur edhe vëzhguesit nga Shqipëria. Në cilësinë e vëzhguesve të këtyre zgjedhjeve, pos organizatave joqeveritare e disa të tjerave ndërkombëtare, i akredituar është edhe Këshilli i Evropës me 23 vëzhgues.
Para zgjedhjeve pati fushatë 11-ditore. Grupi i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), ka vlerësuar se fushata ka qenë konkurruese, por e përqendruar te liderët, dhe ka pasur nivel të zbehtë të entuziazmit qytetar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi gjithsej 24 subjekte politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në mesin e tyre janë 18 parti politike, tri koalicione parazgjedhore, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Në garë për ulëse në Kuvendin e Kosovës janë 1.146 kandidatë për deputetë, të certifikuar nga KQZ-ja nga të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, ndërsa 61 mandate janë të nevojshme për të siguruar shumicën parlamentare dhe formimin e Qeverisë.
The post Vit i zgjedhjeve: Qytetarët e Kosovës sot sërish drejt kutive të votimit appeared first on Revista Monitor.