BERLIN – Pistorius: Shkeljet në repartin elitar ushtarak gjerman janë tronditëse
BERLIN, 30 dhjetor /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dënoi ashpër sot një sërë shkeljesh të rënda disiplinore të zbuluara në një nga regjimentet elitare të parashutistëve të vendit.
”Rastet e raportuara të ekstremizmit të djathtë, sjelljeve seksuale të papërshtatshme dhe përdorimit të drogës në Zweibrucken janë tronditëse”, tha Pistorius.
Sipas tij, këto veprime bien në kundërshtim të hapur me vlerat themelore të Bundeswehr-it, Forcave të Armatosura të Gjermanisë.
Ushtria njoftoi se ka shkarkuar disa ushtarë pas hetimeve për Regjimentin e Parashutistëve 26, i vendosur në qytetin Zweibrucken, në landin perëndimor Rheinland-Pfalz, dhe ka paralajmëruar masa të tjera.
Ndërkohë, prokuroria po heton 19 ushtarë.
Megjithatë, Pistorius shprehu pakënaqësi me mënyrën se si udhëheqja lokale ushtarake reagoi fillimisht ndaj rasteve të raportuara.
Edhe pse hetimi u nis menjëherë dhe çështja u sqarua plotësisht me pasoja të rënda, sipas tij pati mangësi.
”Ajo që është e papranueshme është fakti se sjelljet e gabuara duket se nuk u njohën menjëherë si të tilla në terren dhe për këtë arsye nuk u ndoqën me konsistencën e nevojshme. Kjo duhet të përjashtohet”, tha Pistorius.
Ministri falënderoi Inspektorin e Ushtrisë, gjenerallejtnant Christian Freuding, për ndërmarrjen e menjëhershme të masave për të parandaluar vazhdimin e shkeljeve.
“Freuding do t’i përmbledhë këto masa në një plan veprimi për forcat ajrore-desantuese dhe do të sigurojë zbatimin e tyre”, shtoi Pistorius.
‘Prioriteti im tani është, së pari, të sigurohem që incidentet individuale të vazhdojnë të hetohen plotësisht; së dyti, nëse akuzat e tjera konfirmohen, që rastet të ndëshkohen me të gjithë forcën e ligjit dhe së treti, të rikthehet besimi te udhëheqja ushtarake në terren”, përfundoi ministri./ /Ad.Ab./
The post BERLIN – Pistorius: Shkeljet në repartin elitar ushtarak gjerman janë tronditëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.