Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 2 February 2026Main stream

Atletico Madrid rrit ofertën, 50 milionë euro për yllin e Atalantës

2 February 2026 at 16:15


Atletico Madrid nuk dorëzohet dhe është gati të ndërmarrë sot ofensivën e fundit për transferimin e Ederson.

Klubi madrilen ka vënë mbi tryezë një ofertë zyrtare prej 50 milionë eurosh fikse plus bonuse, me synimin për të bindur Atalantën ta lëshojë menjëherë mesfushorin brazilian.

Në “Metropolitano” po punohet me orë të zgjatura, ndërsa afati kalimtar i dimrit po hyn në fazën e saj vendimtare.

Skuadra e Diego Simeones e dëshiron Ederson pa humbur kohë dhe, pas javësh negociatash të vështira, drejtuesit kuqebardhë kanë vendosur të rrisin ndjeshëm ofertën financiare, në përpjekje për të thyer rezistencën e klubit nga Bergamo në këto orë të fundit të afatit kalimtar.

Klubi italian heziton të japë miratimin përfundimtar, veçanërisht pas largimit të fundit të yllit të skuadrës, Ademola Lookman.

Në zyrat e “La Dea” nuk duan të shpërbëjnë bërthamën e ekipit në mes të sezonit, por presioni nga Madridi është i madh dhe shifra e ofruar po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u refuzuar, duke marrë parasysh standardet e klubit italian.

Presion maksimal

Marrëveshja mes Atletico Madrid dhe përfaqësuesve të Ederson është e mbyllur në aspektin personal, ndërsa mesfushori brazilian është i vendosur të punojë nën drejtimin e Simeones.

Ai i ka komunikuar tashmë Atalantës dëshirën e tij për t’u transferuar në kryeqytetin spanjoll që këtë dimër, duke ushtruar presion që oferta të pranohet dhe transferimi të mos shtyhet për në verë.

Çështja po shkon drejt një përfundimi të shpejtë.

Pavarësisht dyshimeve të Atalantës, Atletico do ta provojë deri në sekondën e fundit, i bindur se Ederson është pjesa që mungon në mesfushën e Simeones për të bërë hapin e radhës në cilësi dhe ambicie.

Pa brazilianin, realiteti sportiv ndryshon ndjeshëm, ndaj klubi madrilen është i gatshëm të bëjë gjithçka për ta mbyllur këtë telenovelë përpara mbylljes së afatit kalimtar.

Mbetet për t’u parë, a do të jenë të mjaftueshme 50 milionë euro që Atalanta të lejojë largimin e perlës së saj. /Telegrafi/

Bayern Munich i shqetësuar për largimin e një ylli drejt Real Madridit

2 February 2026 at 14:50


Real Madridi ka në plan të përforcojë repartin e mbrojtjes gjatë afatit kalimtar të verës dhe një nga emrat që po monitorohet me vëmendje është Dayot Upamecano.

Mbrojtësi qendror i Bayern Munich dhe kombëtares franceze është drejt përfundimit të kontratës së tij, e cila skadon në fund të sezonit, ndërsa ende nuk ka një marrëveshje për rinovim.

Në Bayern Munich ka shpresë që lojtari të qëndrojë, por mungesa e përparimit në negociata ka shtuar pasigurinë.

Ndërkohë, në Madrid po rritet besimi se Upamecano mund të transferohet në “Santiago Bernabeu” pa kosto transferimi.

Real Madrid ka shfrytëzuar me sukses tregun e lojtarëve të lirë vitet e fundit, duke afruar emra të rëndësishëm si Antonio Rudiger, Kylian Mbappe dhe Trent Alexander-Arnold.

Në këtë kontekst, Upamecano shihet si një përforcim i përshtatshëm për mbrojtjen madrilene.

Situata ka shkaktuar shqetësim edhe në kampin bavarez.

Presidenti i nderit i Bayern Munich, Uli Hoeneb, ka shprehur publikisht frikën se mbrojtësi francez mund të largohet në verë.

Me largimin e pritshëm të David Alaba dhe me të ardhmen e Antonio Rudiger ende të paqartë, Real Madrid ka nevojë për një mbrojtës të ri qendror.

Klubi madrilen ka hequr dorë më herët nga opsione të tjera, si Marc Guehi dhe Ibrahima Konate, gjë që e bën Upamecanon një alternativë serioze.

Për momentin, Real Madrid po ndjek nga afër zhvillimet, por nëse situata aktuale e lojtarit nuk ndryshon, nuk përjashtohet hapja e bisedimeve për një marrëveshje paraprake. /Telegrafi/

Portieri gjerman jashtë fushe, rikthimi te Barcelona mund të ndodhë

2 February 2026 at 12:37


Marc-Andre ter Stegen mund të qëndrojë jashtë fushave deri në dy muaj pas një dëmtimi muskulor të pësuar gjatë ndeshjes së Girona kundër Real Oviedo, sipas raportimeve të Nil Sola.

Ekzaminimet e para mjekësore rezultojnë negative, duke lënë të hapur skenarë të ndryshëm për të ardhmen e portierit, përfshirë edhe një rikthim të mundshëm te Barcelona.

Portieri gjerman, 33 vjeç, aktualisht në huazim te Girona nga Barcelona, kishte luajtur vetëm dy ndeshje për klubin e përkohshëm para se të pësonte dëmtimin.

Kjo vjen në një moment sfidues për portierin, i cili kishte kërkuar huazimin për të siguruar minuta të rregullta loje, pas angazhimeve të kufizuara me Barcelonën këtë sezon.

Burime pranë klubit raportojnë se dëmtimi i pësuar kundër Oviedo është mjaft serioz, duke mundësuar mungesën e Ter Stegen për një periudhë të gjatë, me rikuperim që mund të zgjasë deri në fund të pranverës.

Kjo situatë ngre pyetje të reja për të dy klubet, Girona dhe Barcelona, mbi planet e tyre për portierin në javët e ardhshme.

Huazimi i Ter Stegen te Girona kishte për qëllim ofrimin e minutave të rregullta për portierin para Kupës së Botës 2026, ku ai synon të rikthehet në formë të plotë dhe të ketë ritëm loje.

Para huazimit, ai kishte luajtur vetëm një ndeshje për Barcelonën këtë sezon në Kupën e Mbretit. /Telegrafi/

PSG nxiton për të siguruar të ardhmen e Enriques

2 February 2026 at 12:20


Paris Saint-Germain po përshpejton bisedimet për rinovimin e kontratës së trajnerit Luis Enrique, e cila aktualisht skadon në vitin 2027.

Negociatat e hershme mes trajnerit dhe drejtuesve të klubit kanë nisur, me të dyja palët që shprehin gatishmëri për të arritur një marrëveshje.

Klubi e konsideron Enrique si yllin e vërtetë të projektit të tyre, duke e përshkruar si trajnerin më të mirë në historinë e PSG-së dhe duke i atribuar atij arritjen e titullit të parë në Ligën e Kampionëve për ekipin parisien.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se PSG dëshiron të shmangë nisjen e sezonit të ardhshëm me rrezikun e largimit të trajnerit, veçanërisht në një kohë kur klube të Ligës Premier po monitorojnë situatën e tij.

Enrique ka konfirmuar vetë se ka qëllim të respektojë kontratën e tij, duke deklaruar se do të largohet vetëm nëse shkarkohet dhe se nuk ka plane për t’u larguar verën e ardhshme, pavarësisht thashethemeve që kanë qarkulluar.

"Unë gjithmonë përmbush kontratat që nënshkruaj. Largohem vetëm nëse më shkarkojnë", ka thënë Enrique.

Diskutimet aktualisht përqendrohen tek një marrëveshje e re deri në vitin 2030, me një kontratë dyvjeçare dhe një opsion për vitin e tretë që mund ta aktivizojë vetë trajneri.

Si PSG, ashtu edhe Enrique dëshirojnë të vazhdojnë bashkëpunimin që ka nisur në 2023 dhe që deri tani ka sjellë dhjetë tituj në kryeqytetin francez.

Ndërkohë, Enrique vazhdon të integrojë talentet e reja në ekip, përfshirë mesfushorin e ri Dro, ish-akademik i Barcelonës, i cili u transferua këtë dimër për të fituar minuta loje.

Megjithëse Dro ende nuk ka debutuar kundër Strasburgut, Enrique po tregon durim dhe mund t’i japë minutat e para në ndeshjen e rëndësishme kundër Marseille.

"Më pëlqejnë këtë lloj lojtarësh. Do të shohim kur do të jetë gati për të hyrë në fushë”, përfundoi Enrique. /Telegrafi/

A do të largohet Ronaldo nga Arabia Saudite në ditën e fundit të afatit kalimtar?

2 February 2026 at 11:06


Cristiano Ronaldo ka hyrë në një konflikt të hapur me drejtuesit e klubit Al Nassr dhe me Fondin e Investimeve Publike (PIF) të Arabisë Saudite, duke vendosur të mos luajë ndeshjen e ardhshme si shenjë proteste.

Lëvizja e yllit portugez ka tronditur futbollin saudit dhe ka ngjallur shqetësim të madh brenda klubit, i cili ndodhet mes presionit të Ronaldos dhe ndikimit të PIF-it.

Shkaku i krizës lidhet me transferimin e mundshëm të Karim Benzemas te Al Hilal, rivali kryesor i Al Nassrit për titullin.

Vendimi për të refuzuar të luajë është një mesazh i qartë ndaj drejtuesve, duke treguar se ylli portugez nuk do të pranojë një situatë që e konsideron të padrejtë.

Konflikti thellohet edhe nga perceptimi i Ronaldos se PIF ka marrë vendime sistematikisht kundër interesave të Al Nassrit, duke forcuar klubet rivale në momente kyçe.

Ai ndjehet i përdorur më shumë si fytyrë mediash sesa si pjesë qendrore e një projekti sportiv të drejtë, çka ka rritur tensionin brenda klubit dhe ka bërë që vendimi i tij të jetë strategjik, jo impulsiv.

Në ditën e fundit të afatit kalimtar, thashethemet për një rikthim të mundshëm të Ronaldos në Evropë janë riaktivizuar.

Kontakte nga agjentë dhe klube evropiane janë rifilluar, edhe pse një transferim në janar konsiderohet i komplikuar.

Akoma nuk ka asgjë të mbyllur, por situata nënvizon ndikimin e madh që Cristiano Ronaldo vazhdon të ketë, edhe larg Evropës.

Për momentin, Al Nassr dhe PIF mbeten të palëkundur në pozicionet e tyre, ndërsa futbolli saudit përjeton një nga momentet më delikate që nga ardhja e yjeve botërorë.

Vendimi i Ronaldos mund të ndryshojë rrjedhën e afatit kalimtar ose të shënojë fillimin e fundit të aventurës së tij në Arabinë Saudite, duke treguar fuqinë e jashtëzakonshme të një prej futbollistëve më të njohur të botës. /Telegrafi/

Juventusi synon yllin e Atletico Madridit në orët e fundit të afatit kalimtar

2 February 2026 at 10:14


Alexander Sorloth është rikthyer në qendër të vëmendjes në orët e fundit të afatit kalimtar të janarit.

Sulmuesi norvegjez i Atletico Madrid mund të jetë protagonist i një prej lëvizjeve të fundit të afatit kalimtar dimëror, pasi Juventusi ka shfaqur interes serioz për shërbimet e tij.

Situata mbetet e hapur dhe varet nga disa faktorë, ndërsa drejtuesit e klubit madrilen po e ndjekin me kujdes zhvillimin e ngjarjeve.

Interesi i Juventusit është konkret dhe në Torino e shohin Sorloth si profilin ideal për të përforcuar repartin ofensiv.

Forca fizike, përvoja në kampionate të mëdha dhe aftësia për të dhënë menjëherë rezultat janë elementët që bindin drejtuesit bardhezi.

Klubi italian po punon kundër kohës për të paraqitur një ofertë zyrtare para mbylljes së afatit kalimtar, edhe pse negociatat konsiderohen të ndërlikuara.

Nga ana e lojtarit, një transferim i mundshëm në Serie A shihet me sy pozitiv.

Mundësia për të pasur një rol më të rëndësishëm në një klub historik si Juventusi është tërheqëse, sidomos nëse hapësirat e tij te Atletico Madrid pritet të reduktohen në pjesën e dytë të sezonit.

Ardhja e Marcos Leonardo ka ndryshuar ndjeshëm situatën në “Metropolitano”.

Me repartin ofensiv tashmë të mbuluar, Atletico është i hapur të dëgjojë oferta, por pa asnjë urgjencë për të shitur.

Qëndrimi i klubit madrilen është i qartë: Sorloth nuk do të largohet për më pak se 30 milionë euro dhe çdo ofertë nën këtë shifër do të refuzohet automatikisht.

Juventusi duhet të vendosë shpejt nëse është gati të plotësojë kërkesat financiare të Atletico Madrid, pasi koha e mbetur është minimale dhe çdo vonesë mund ta bëjë të pamundur realizimin e marrëveshjes. /Telegrafi/

Newcastle United dëshiron të nënshkruaj me yllin e Real Madridit para mbylljes së afatit kalimtar

2 February 2026 at 08:49


Kanë mbetur më pak se 24 orë deri në mbylljen e afatit kalimtar dimëror dhe për Real Madridin, gjithçka ka qenë mjaft e qetë.

Gjatë këtij muaji, “Los Blancos” kanë finalizuar vetëm një marrëveshje: huazimin e Endrick Felipe te Olympique Lyon.

Megjithatë, ende ka kohë që të ndodhë ndonjë lëvizje.

Edhe pse nuk pritet asnjë përforcim i ri, ekziston mundësia që disa lojtarë të largohen nga “Santiago Bernabeu” para mbylljes së afatit, dhe njëri prej tyre mund të jetë Brahim Díaz.

Sulmuesi spanjoll, i cili ishte vendimtar në fitoren e së dielës ndaj Rayo Vallecanos, ka rritur ndjeshëm vlerën e tij në javët e fundit, veçanërisht pas paraqitjeve shumë të mira në Kupën e Afrikës 2025.

Një nga klubet që ka shfaqur interes konkret është Newcastle United.

Sipas CaughtOffside, klubi anglez dëshiron ta rikthejë Brahimin në Ligën Premier përpara mbylljes së afatit kalimtar dimëror.

Raportohet se Newcastle ka zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e lojtarit, të cilët po shqyrtojnë një largim të mundshëm nga Real Madridi.

Përveç Newcastle, interesim kanë shfaqur edhe Aston Villa dhe Tottenham Hotspur, ndërsa çmimi i kartonit të tij vlerësohet rreth 60 milionë euro.

Largimi në verë është skenari më realist


Megjithatë, është pothuajse e pamundur që Real Madridi të lejojë largimin e Brahim Diaz brenda këtij afati, pasi ai pritet të ketë një rol të rëndësishëm në gjysmën e dytë të sezonit.

Një shitje në verë konsiderohet shumë më e mundshme, sidomos duke pasur parasysh rikthimin e pritshëm të Nico Paz nga Como.

Me rikthimin e Paz, Brahim rrezikon të zbresë në hierarkinë e ekipit, dhe duke qenë se vlera e tij është aktualisht e lartë, një shitje do të kishte kuptim ekonomik për klubin madrilen.

Newcastle pritet ta mbajë gjallë interesin edhe gjatë verës, ndaj mbetet për t’u parë nëse do të ketë lëvizje konkrete në muajt në vijim. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Lewandowski drejt largimit nga Barcelona, bashkëshortja e tij jep mesazhin për fansat

30 January 2026 at 16:04


E ardhmja e Robert Lewandowskit te Barcelona duket gjithnjë e më e pasigurt.

Bashkëshortja e tij, Anna Lewandowska, ka lënë të kuptohet se ky sezon mund të jetë i fundit i sulmuesit polak me fanellën blaugrana, edhe pse vetë lojtari ende nuk ka vendosur se ku do të vazhdojë karrierën.

Me 12 gola dhe tri asistime në 25 ndeshje zyrtare këtë sezon, Lewandowski vazhdon të jetë një lojtar i vlefshëm për Barcelonën.

Pavarësisht se po i afrohet moshës 38-vjeçare, ai ruan një formë fizike të shkëlqyer dhe instinktin e tij karakteristik për golin.

Megjithatë, vazhdimësia e tij në “Camp Nou” duket e vështirë.

Në një intervistë për One, Anna Lewandowska sugjeroi se largimi i sulmuesit gjatë verës së ardhshme është një skenar shumë i mundshëm.

“Do të shohim si do të shkojë sezoni këtë vit në Barcelonë, sepse, le të themi, me shumë gjasë do të jetë sezoni i fundit i burrit tim këtu. Po e shijojmë çdo moment, çdo ndeshje me tifozët, sepse e dimë që një ditë nuk do ta kemi më këtë”, ka thënë Anna.

E ardhme e paqartë

E pyetur për destinacionin e ardhshëm të Lewandowskit, Ana Lewandowska u tregua më e rezervuar, duke theksuar se ende nuk ka një vendim përfundimtar.

“Nuk e dimë çfarë vjen më pas, por ky është rrugëtimi i një sportisti të madh dhe ne jemi të përgatitur për këtë”.

Sipas Mundo Deportivo, drejtuesit e Barcelonës planifikojnë të takohen me Lewandowskin në fund të muajit mars.

Klubi nuk e përjashton mundësinë e rinovimit, por kjo do të ishte e mundur vetëm nëse sulmuesi pranon një ulje të ndjeshme të pagës dhe një rol më dytësor në skuadër.

Ndërkohë, disa klube nga Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Arabia Saudite po monitorojnë nga afër situatën e sulmuesit polak. /Telegrafi/

Shtylla e ekipit dhe lider absolut, Barcelona nuk pranon asnjë ofertë për yllin e skuadrës

30 January 2026 at 15:30


Barcelona vazhdon të refuzojë ofertat për Raphinha, pavarësisht interesimit të madh nga klubet e Ligës Premier.

Sulmuesi brazilian po kalon një moment kulmor në karrierë dhe është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të skuadrës, si për performancën në fushë ashtu edhe për rolin e tij udhëheqës.

Paraqitjet e tij këtë sezon e kanë vendosur Raphinhan mes lojtarëve më të mirë në botë.

Ai spikat për rregullsinë, aftësinë për të vendosur ndeshje të rëndësishme dhe për kontributin e gjithanshëm, si në sulm ashtu edhe në fazën mbrojtëse.

Në ‘Camp Nou’ nuk ka më dyshime: ai është një lojtar kyç i projektit sportiv aktual.

Forma e shkëlqyer ka sjellë oferta shumë të larta financiare, disa prej tyre mbi 100 milionë euro.

Megjithatë, drejtuesit e Barcelonës kanë qenë të prerë në qëndrimin e tyre, duke refuzuar edhe një propozim që thuhet se i afrohej 120 milionë eurove, pasi një largim i tillë do të dobësonte ndjeshëm ekipin.

Së bashku me Pedrin dhe Lamine Yamal, Raphinha konsiderohet pjesë e bërthamës që mban gjallë ambiciet e Barcelonës në La Liga dhe në Evropë.

Klubi e sheh atë si të pazëvendësueshëm në afatshkurtër dhe mesazhi është i qartë: vetëm një ofertë krejtësisht jashtë normales mund të ndryshojë këtë qëndrim. /Telegrafi/

Tre lojtarëve të Real Madridit u ka mbaruar durimi me Arbeloan

30 January 2026 at 14:51


Humbja e Real Madridit në Lisbonë ndaj Benficës me rezultatin 4-2 vazhdon të shkaktojë reagime të forta brenda klubit.

Disfata e së mërkurës së kaluar i privoi madrilenët nga një vend në tetëshen më të mirë të Ligës së Kampionëve, duke i detyruar të kalojnë nëpër fazën “playoff”, një skenar i konsideruar dështim për ambiciet e klubit.

Pas disa paraqitjeve pozitive, ky rezultat u përjetua si një hap i madh pas.

Situata ka sjellë edhe një ndryshim të menjëhershëm në atmosferën rreth ekipit dhe trajnerit Alvaro Arbeloa.

Lavdërimet e fundit për teknikun janë kthyer në kritika, ndërsa vëmendja është përqendruar te problemet mbrojtëse dhe mungesa e përkushtimit të disa lojtarëve në fushë.

Sipas raportimeve të COPE, brenda dhomës së zhveshjes kanë nisur të shfaqen shenja pakënaqësie nga disa futbollistë të rinj.

Franco Mastantuono dhe Arda Guler thuhet se janë të zhgënjyer me vendimet e Arbeloas, pasi janë zëvendësuar herët në ndeshje të rëndësishme dhe ndihen të penalizuar për shkak të mungesës së statusit të tyre në ekip.

Në veçanti, Arda Guler e shfaqi hapur zemërimin e tij gjatë zëvendësimit në ndeshjen ndaj Benficës, duke e konsideruar trajtimin e trajnerit si të padrejtë.

Ndërkohë, gazeta ABC raporton se edhe Aurelien Tchouameni ndodhet në një situatë të ngjashme, duke shtuar se Arbeloa është më i kujdesshëm në vendimet ndaj yjeve si Vinicius Junior dhe Jude Bellingham, sesa ndaj lojtarëve që ende nuk janë të padiskutueshëm në formacion.

Trajneri spanjoll do të duhet të gjejë ekuilibrin mes rezultateve, autoritetit dhe motivimit të lojtarëve të rinj, në mënyrë që tensionet e brendshme të mos ndikojnë negativisht në objektivat e sezonit. /Telegrafi/

Grealish jashtë fushës për një sezon, Botërori 2026 në pikëpyetje

30 January 2026 at 13:44


Jack Grealish mund të mos luajë më këtë sezon për Evertonin, në një zhvillim që përbën një goditje të rëndë për ambiciet e tij për t’u rikthyer në Kombëtaren e Anglisë dhe për të qenë pjesë e Kupës së Botës 2026.

Anësori anglez ka impresionuar gjatë huazimit nga Manchester City, duke shënuar dy gola dhe dhënë gjashtë asistime, ndërsa ka nisur 18 ndeshje si titullar në Ligën Premier.

Nën drejtimin e David Moyes, Grealish kishte gjetur një formë të re dhe një rol kyç në skuadrën e Evertonit.

Megjithatë, trajneri Moyes ka dhënë lajme shqetësuese në konferencë për shtyp, duke pranuar se lojtari mund të mos luajë më këtë sezon për shkak të një dëmtimi serioz në këmbë, i cili mund të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale.

“Ne besojmë se ai ndoshta ka nevojë për operacion. Kjo ende nuk është konfirmuar plotësisht, por ka shumë gjasa që sezoni i tij të ketë përfunduar”, u shpreh Moyes.

“Është zhgënjyese për lojtarin, për klubin dhe për të gjithë ne, sepse ai është një pjesë shumë e rëndësishme e ekipit. Ka personalitet të madh dhe eksperiencë, dhe do të na mungojë”.

I pyetur për të ardhmen e Grealish gjatë verës, Moyes u shpreh shkurt:

“Është shumë herët për të folur për këtë”.

Grealish ka zhvilluar gjithsej 19 ndeshje me fanellën e “Toffees”, ndërsa forma e tij e përmirësuar kishte nxitur spekulime se ai mund të rikthehej në planet e trajnerit të Anglisë, Thomas Tuchel, për Kupën e Botës 2026.

Megjithatë, edhe nëse do të rikthehej para ndeshjes së parë të Anglisë kundër Kroacisë më 17 qershor, mungesa disa mujore nga fushat do ta vështirësonte ndjeshëm përfshirjen e tij në skuadër.

Vitet e fundit kanë qenë të vështira për Grealish, që u transferua te Manchester City për shumën rekord prej 100 milionë eurosh.

Ai ishte pjesë kyçe e sezonit historik të tripletës në vitin 2023, por më pas humbi vendin titullar nën drejtimin e Pep Guardiola.

Vështirësitë e tij reflektuan edhe në Kombëtaren angleze, ku nuk është aktivizuar që nga tetori i vitit 2024.

Ai ende nuk është grumbulluar nga Thomas Tuchel, që mori drejtimin e Anglisë në fillim të vitit 2025.

Më herët këtë sezon, Grealish kishte folur për mungesën e tij nga Kombëtarja, duke theksuar se fokusi i tij ishte thjesht të luante mirë me Evertonin. /Telegrafi/

Ylli i madh që po shkëlqen te Barcelona, drejt blerjes përfundimtare

30 January 2026 at 12:05


Barcelona po shpreh kënaqësinë e saj për performancën e Marcus Rashford që nga momenti kur vendosi ta sjellë nga Manchester United, një klub ku futbollisti po rrezikonte të humbiste ritmin e karrierës.

Sulmuesi anglez ka treguar që mund të prodhojë rezultate me konsistencë, dhe shuma prej 30 milionë eurosh për transferimin e tij në qershor duket e përballueshme për klubin katalanas.

Në kushtet aktuale ekonomike, Barcelona shpesh është e detyruar të përdorë formula kreative për të sjellë lojtarë që përmirësojnë ekipin, dhe kështu ndodhi edhe me Rashford, i cili duhej të gjente një destinacion tjetër për të mos kaluar një sezon të tërë në stol tek Manchester United, nën drejtimin e Ruben Amorim.

Edhe pse Rashford ishte më efektiv në pjesën e parë të sezonit sesa në mes të kampionatit, performanca e tij ka justifikuar plotësisht blerjen eventuale në qershor.

Sipas “AS”, shuma prej 30 milionë eurosh për ta bërë transferimin përhershëm është e përballueshme, duke marrë parasysh se Rashford tashmë ka dëshmuar aftësitë e tij nën drejtimin e Hansi Flick dhe është një alternativë e vlefshme për sulmin e parë të Barcelonës.

Pritet që Rashford të marrë më shumë hapësirë në pjesën finale të sezonit dhe të kontribuojë në golat dhe asistimet e ekipit.

Nëse Raphinha dhe Lamine Yamal janë të gatshëm, ata do të vazhdojnë të jenë titullarë në ndeshjet kyçe, por Rashford duhet të jetë gati për të zëvendësuar pa ndikim në performancën e ekipit.

Michael Carrick ende nuk ka bërë një deklaratë publike për Rashford, dhe nuk përjashtohet mundësia që ish-mesfushori i njohur të ketë interes për ta rikthyer futbollistin në Old Trafford.

Megjithatë, Rashford duket i kënaqur në Barcelonë dhe nuk ka arsye të ndryshojë ambientin pa nevojë. /Telegrafi/

Goretzka merr një vendim drastik për të ardhmen

30 January 2026 at 11:11


Sipas asaj që ka konfirmuar Fabrizio Romano, Leon Goretzka ka vendosur të refuzojë ofertën e Atletico Madrid dhe të mos largohet nga Bayern Munich gjatë afatit kalimta të janarit.

Mesfushori gjerman, i cili ishte shndërruar në objektivin kryesor të klubit madrilen për të përforcuar repartin e mesfushës, ka zgjedhur të qëndrojë në Mynih deri në fund të sezonit aktual.

Goretzka, kontrata e të cilit skadon në muajin qershor, ka vendosur ta përmbushë marrëveshjen me klubin bavarez dhe të largohet në verë si lojtar i lirë.

Kjo zgjedhje ka prishur planet e Atletico Madrid, që kishte intensifikuar kontaktet ditët e fundit me synimin për ta afruar menjëherë lojtarin dhe për t’i dhënë atij një rol qendror në skuadër.

Vendimi i mesfushorit për të qëndruar te Bayern lidhet kryesisht me stabilitetin dhe me përfitimin e mundësisë për të zgjedhur vetë destinacionin e radhës pa kosto transferimi.

Për Atletico Madrid, ky refuzim nënkupton ndryshim të menjëhershëm të strategjisë.

Me pak ditë para mbylljes së afatit kalimtar, drejtuesit sportivë janë të detyruar të kërkojnë alternativa të tjera për mesfushën, pasi Diego Simeone e konsideronte Goretzkën profil ideal për forcë fizike, personalitet dhe depërtim nga vija e dytë.

Klubi madrilen tashmë punon kundër kohës për të gjetur një zgjidhje që mund të japë ndikim të menjëhershëm. /Telegrafi/

Një yll i Real Madridit pranë largimit, klubet e Ligës Premier përgatisin ofertat

30 January 2026 at 10:10


Real Madridi është i gatshëm të dëgjojë oferta për mesfushorin francez Eduardo Camavinga, me një çmim të vlerësuar rreth 70 milionë euro.

Vera e vitit 2026 pritet të jetë shumë e ngarkuar për drejtuesit e klubit madrilen, për shkak të interesimit serioz që po vjen nga Liga Premier.

Arsenali dhe Liverpooli e shohin Camavingën si një përforcim kyç, ndërsa lojtari mund të kërkojë një rol më të rëndësishëm jashtë Madridit.

Kjo lëvizje e mundshme lidhet me strategjinë financiare dhe sportive të Real Madridit, i cili synon të balancojë buxhetin përpara afrimeve të mëdha.

Drejtuesit janë të hapur për oferta konkrete që arrijnë vlerën e kërkuar, në mënyrë që të realizohet një ristrukturim i thellë i mesfushës.

Sipas mediave, klubi madrilen synon të gjenerojë fonde për të transferuar një mesfushor më kreativ dhe organizator.

Emra si Enzo Fernandez dhe Vitinha përmenden si objektiva potencialë për t’i dhënë më shumë vizion loje ekipit.

Shitja e Camavingës do t’i lejonte Realit të financojë këto operacione pa rrezikuar stabilitetin ekonomik të klubit.

Në Angli, Arsenali e konsideron Camavingën ideal për rotacion me Declan Rice, ndërsa Liverpooli është i gatshëm të bëjë një investim të madh për të fituar garën për firmën e tij.

Të dy klubet besojnë se profili i mesfushorit francez përshtatet në mënyrë perfekte me intensitetin e Ligës Premier.

E ardhmja e tij pritet të vendoset në fund të sezonit, por gjithnjë e më shumë po duket se largimi nga Madridi është një skenar realist. /Telegrafi/

Transferimi i dimrit që thuhet se Real Madridi e refuzoi

30 January 2026 at 09:34


Humbja e re e Real Madridit në Ligën e Kampionëve ka rindezur valën e thashethemeve, spekulimeve dhe analizave rreth situatës së klubit, si dhe mbi operacionet e dështuara në afatin kalimtar, teksa afati i janarit është ende i hapur.

Si gjithmonë në botën e futbollit, rezultatet diktojnë ritmin e debatit të përditshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për humbje të skuadrave të mëdha si Real Madridi.

Kjo është një situatë që po përjetohet shpesh këtë sezon.

Skuadra madrilene vjen nga një sezon i kaluar zhgënjyes, pa fituar asnjë trofe, ndërsa sezoni aktual ka qenë i paqëndrueshëm, me ulje-ngritje dhe me dy kompeticione tashmë të humbura gjatë këtij muaji.

Disfata ndaj Benficës ka hapur sërish plagë të vjetra: disa lojtarë janë vënë në shënjestër dhe presioni mbi ekipin e drejtuar nga Alvaro Arbeloa është rritur ndjeshëm.

Real Madridi shihet se ka nevojë për përforcime, veçanërisht në repartin e mesfushës.

Sipas një informacioni të publikuar nga Rodra dhe të cituar nga Bernabeu Digital, një mesfushor i njohur i është ofruar klubit gjatë kësaj periudhe.

Bëhet fjalë për Bruno Fernandes

Emri i mesfushorit portugez ishte në tryezë pas shkarkimit të Ruben Amorim, në një moment kur Manchester United po shqyrtonte mundësinë e largimit të tij.

Në moshën 31-vjeçare, Fernandes mbetet një nga shtyllat kryesore të ekipit anglez, ku këtë sezon ka regjistruar 22 ndeshje, 5 gola dhe 11 asistime. /Telegrafi/

Barcelona po planifikon të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube 2029

30 January 2026 at 08:37


Sipas raportimeve të Mundo Deportivo, Barcelona ka nisur tashmë planifikimet për të siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës për Klube 2029.

Aktualisht, klubi katalanas ndodhet në një pozitë shumë të favorshme për kualifikim, falë paraqitjeve të forta në garat evropiane.

Rezultatet në Ligën e Kampionëve nga sezonet 2024/25 deri në 2027/28 do të merren parasysh për renditjen kualifikuese të turneut.

Në ciklin e mëparshëm, Barcelona ishte penalizuar nga eliminimet e hershme në edicionet 2021/22 dhe 2022/23, situatë që përfitoi Atletico Madrid.

Megjithatë, këtë herë panorama është ndryshe.

Barcelona aktualisht renditet e treta në klasifikimin e përgjithshëm me 63 pikë, pas Arsenalit (71 pikë) dhe Interit (66 pikë).

Katalanasit kanë krijuar tashmë një avantazh të konsiderueshëm ndaj rivalëve vendas, me Real Madridin që numëron 45 pikë dhe Atletico Madridin 43.

Ecuria pozitive e sezonit të kaluar, ku Barça arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, si dhe kualifikimi aktual në fazën e 1/16-ve, kanë forcuar ndjeshëm pozitat e klubit në këtë cikël katërvjeçar.

Ndërkohë, kampionët në fuqi të Kupës së Botës për Klube janë Chelsea, të cilët triumfuan ndaj Paris Saint-Germain verën e kaluar, duke fituar edicionin e parë të këtij formati të ri të turneut. /Telegrafi/

Chelsea i ka vendosur Cole Palmer çmim marramendës

29 January 2026 at 14:56


Interesimi i fortë i Manchester United për Cole Palmer ka ndezur një debat të madh në futbollin anglez.

Ylli i Chelseat është shndërruar në një nga emrat më të përfolur të afatit kalimtar, duke shkaktuar shqetësim në Stamford Bridge.

Në moshën 23-vjeçare, Palmer është afirmuar si një nga lojtarët më vendimtarë të Ligës Premier, çka e bën çdo lëvizje të mundshme për të një çështje me peshë të madhe sportive dhe financiare.

Manchester United e sheh Palmer si liderin ofensiv që i mungon projektit të tyre.

Në Old Trafford vlerësohet talenti, qëndrueshmëria dhe aftësia e tij për të marrë përgjegjësi në momentet kyçe.

Mediat britanike raportojnë për një ofertë fillestare rreth 120 milionë euro, një shifër që tregon seriozitetin e interesit dhe dëshirën e klubit për të ndërtuar të ardhmen rreth tij.

Klubi londinez e konsideron Cole Palmer të patransferueshëm, përveç rasteve kur paraqitet një ofertë jashtë çdo standardi të zakonshëm.

Drejtuesit e klubit kanë vendosur një çmim prej 200 milionë eurosh, duke e cilësuar Palmer si boshtin e projektit sportiv afatgjatë dhe një aset strategjik të pazëvendësueshëm.

Kjo përplasje mes dy gjigantëve anglezë pritet të ketë ndikim të madh në tregun e transferimeve.

Man Utd është i vendosur të rikthehet në majën e futbollit evropian, ndërsa Chelsea nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga ylli i tij.

Nëse marrëveshja do të konkretizohet, ajo mund të shndërrohet në një nga transferimet më të shtrenjta në historinë e futbollit anglez. /Telegrafi/

Transferimi më i dështuar i sezonit për Bayern Munich

29 January 2026 at 13:30


Nicolas Jackson po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një nga dështimet më të mëdha të sezonit 2025/26 te Bayern Munich.

Sulmuesi senegalez u afrua në formë huazimi nga Chelsea gjatë verës, me synimin për të ofruar alternativa dhe për të lehtësuar ngarkesën e Harry Kane.

Megjithatë, pritshmëritë nuk janë përmbushur dhe bilanci i tij sportiv ka qenë zhgënjyes.

Që nga mbërritja në Mynih, Jackson nuk ka arritur të përshtatet me stilin e lojës së Bayernit dhe kërkesat e larta të klubit.

Trajneri Vincent Kompany nuk i ka besuar një rol të rëndësishëm në skuadër, ndërsa paraqitjet e tij kanë qenë të dobëta edhe në momentet kur i është dhënë mundësia për të luajtur.

Mungesa e bashkëpunimit me ekipin dhe efektiviteti i ulët para portës e kanë penalizuar ndjeshëm.

Performancat pa ndikim, gabimet elementare dhe mungesa e vetëbesimit kanë bërë që Jackson të shihet si një hallkë e dobët e skuadrës.

Në mediat gjermane flitet hapur për një huazim të dështuar, që nuk i ka sjellë asnjë përfitim sportiv Bayern Munichut në momente kyçe të sezonit.

Bayern pagoi rreth 13 milionë euro për huazimin e Jackson, një shumë e konsiderueshme për një operacion pa asnjë kthim.

Në klub pranohet se vendimi ka qenë i gabuar dhe se lojtari nuk do të qëndrojë përtej këtij sezoni, duke u kthyer te Chelsea në fund të kampionatit.

Një klub i mësuar me lëvizje të sakta në treg, këtë herë ka gabuar, dhe rasti i Nicolas Jackson pritet të mbetet si shembull i një investimi të pasuksesshëm. /Telegrafi/

Problemi i Real Madridit nuk ishte Xabi Alonso

29 January 2026 at 09:00


Rezultatet e fundit po tregojnë qartë se përgjegjësi kryesor për momentin e dobët të Real Madridit është Florentino Perez.

Realiteti i futbollit evropian ka dhënë verdiktin e tij, duke nxjerrë në pah se kriza e thellë institucionale dhe sportive që po kalon klubi madrilen nuk ishte një çështje stoli trajnerësh.

Pas largimit të hidhur të Xabi Alonsos, i shoqëruar me tensione të brendshme, bilanci ka qenë katastrofik: eliminim nga Kupa e Mbretit përballë Albacetes modest dhe turpi i përfundimit në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampionëve pas humbjes ndaj Benfikës së drejtuar nga Jose Mourinho.

Klubi tani përballet me një realitet të ashpër, ku as hija e legjendave nuk arrin të fshehë një planifikim sportiv të dobët që ka minuar ambiciet e sezonit.

Alvaro Arbeloa, aktualisht përgjegjës teknik, duket se ka trashëguar një situatë të pamundur për t’u menaxhuar, duke konfirmuar se problemet e skuadrës janë më të thella se emri i trajnerit në stol.

Ndërtimi i ekipit paraqet çarje serioze, veçanërisht në repartin defensiv, ku mungesa e autoritetit dhe hierarkisë është evidente dhe rotacioni nuk përmbush kërkesat e elitës evropiane.

Raul Asencio dhe Dean Huijsen, të hedhur në formacion më shumë nga nevoja sesa nga merita, kanë treguar se ende nuk zotërojnë pjekurinë e nevojshme për të përballuar presionin e klubeve të mëdha të Evropës.

Në qendër të kritikave qëndron Florentino Perez, i cili duket se ka humbur busullën që dikur ndërtoi cikle fituese.

Real Madridi po vuan pasojat e një filozofie ndërtimi të skuadrës që ka harruar se suksesi vjen nga arsyeja dhe harmonia, jo nga grumbullimi i lojtarëve me vlerë të lartë tregu, por pa lidhje funksionale mes tyre.

Menaxhimi i dobët sportiv nga zyrat ka krijuar një boshllëk identiteti që Albacete dhe Benfica e shfrytëzuan me një lehtësi të papranueshme për një klub me këtë histori.

Është e qartë se, edhe pse Xabi Alonso mund të ketë bërë gabime të izoluara, problemi real dhe i thellë i projektit qëndron te një drejtuesi që ka neglizhuar arkitekturën bazë futbollistike për t’u mbështetur në një model marketingu tashmë të konsumuar. /Telegrafi/

65 milionë euro që mund të ndryshojnë mbrojtjen e Real Madridit

28 January 2026 at 16:00


Futbolli evropian po përflitet për të ardhmen e Nico Schlotterbeck, që mund të jetë një nga transferimet kryesore të verës.

Qendërmbrojtësi gjerman ka kontratë me Borussia Dortmund deri në vitin 2027, por nuk ka ndërmend ta rinovojë, duke lënë të hapur rrugën për një largim nga Bundesliga.

Real Madrid shihet si një nga klubet kryesore që e ndjek sulmuesin, me negociata që duket se po avancojnë pozitivisht.

Schlotterbeck, 26 vjeç, ka shkëlqyer si një nga qendërmbrojtësit më premtues të Evropës, duke kombinuar shpejtësinë, aftësinë për të udhëhequr mbrojtjen dhe lojën me topin nga pas.

Performancat e tij me Dortmund dhe përfaqësuesen gjermane e bëjnë atë një zgjedhje tërheqëse për Real Madridin, që kërkon të rinovojë mbrojtjen dhe të ndërtojë një qendër të fortë për të ardhmen.

Megjithatë, marrja e Schlotterbeck nuk do të jetë e lehtë.

Barcelona dhe Bayern Munich janë gjithashtu të interesuar për mbrojtësin gjerman, të cilët kërkojnë të forcojnë linjën e tyre defensivë.

Përparësia duket të jetë në favor të Real Madrid, pasi bisedimet me lojtarin dhe agjentët e tij po ecin me ritëm pozitiv dhe ai shihet i prirur të bashkohet me projektin e klubit spanjoll.

Borussia Dortmund ka vendosur një çmim prej 65 milionë eurosh për Schlotterbeck, një shifër që konsiderohet e drejtë për cilësinë dhe potencialin e lojtarit.

Real Madridi duket i gatshëm ta investojë këtë shumë, duke e parë si një blerje strategjike për të ardhmen.

Klubi i ka mundësitë ekonomike dhe planifikon ta bëjë mbrojtësin gjerman një nga gurët themelorë të mbrojtjes për shumë vite.

Nëse gjithçka ecën sipas planit, Schlotterbeck mund të bëhet një nga shtyllat e mbrojtjes së Real Madridit, duke formuar një partneritet të fortë me Eder Militao ose ndonjë qendërmbrojtës tjetër që mund të vijë në të ardhmen.

Klubi spanjoll ka përparësi në këtë garë dhe synon të sigurojë një nga transferimet më të rëndësishme të sezonit të ardhshëm, duke e bërë mbrojtjen më të rinovuar dhe konkurruese në Evropë. /Telegrafi/

❌
❌