Normal view

Apple po teston iPhone-in e parë me ekran pothuajse 7 inç

6 August 2026 at 21:57

Apple po teston një prototip të ri të iPhone-it me ekran 6.96 inç, i cili, nëse hyn në prodhim, do të jetë modeli i parë i kompanisë me ekran pothuajse 7 inç.

Sipas raportimeve nga burime të industrisë, pajisja pritet të prezantohet në vitin 2027 si pjesë e linjës speciale që Apple do të lansojë me rastin e 20-vjetorit të iPhone-it. Modeli mund të mbajë emrin iPhone 20 Pro Max.

Ekrani i ri do të jetë më i madh se ai i gjeneratës aktuale Pro Max, ndërsa rritja e diagonales pritet të arrihet kryesisht falë skajeve më të holla të ekranit dhe një dizajni të ri me xham të lakuar, pa rritur ndjeshëm përmasat e telefonit.

Raportohet gjithashtu se Apple po punon në një ridizajnim të rëndësishëm të modeleve jubilare, me ekran që mbulon pothuajse të gjithë pjesën e përparme të pajisjes dhe efikasitet më të lartë energjetik falë një kontrolluesi të ri për ekranin OLED.

Megjithatë, bëhet fjalë ende për prototipe në fazën e testimit, ndaj specifikimet dhe dizajni përfundimtar mund të ndryshojnë para prezantimit zyrtar. Deri më tani, Apple nuk ka komentuar këto raportime.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Apple po teston iPhone-in e parë me ekran pothuajse 7 inç appeared first on Sinjali.

Zelensky shkarkon ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, Kroaci dhe Mal të Zi

6 August 2026 at 21:47

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar ambasadorët e vendit në Shqipëri, Kroaci dhe Mal të Zi.

Vendimet janë bërë publike përmes dekreteve presidenciale, me të cilat është përfunduar mandati i Volodymyr Shkurov, ambasador i Ukrainës në Shqipëri, Vasyl Kyrylych, ambasador në Kroaci, si dhe Oleh Herasymenkos, ambasador në Mal të Zi.

Shkurov kishte shërbyer si ambasador i Ukrainës në Shqipëri që nga prilli i vitit 2020.

Këto ndryshime vijnë vetëm pak ditë pasi, më 3 gusht, Zelensky shkarkoi edhe ambasadoren e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Olha Stefanishyna.

Pas largimit të saj nga detyra, Gjykata e Lartë Kundër Korrupsionit në Ukrainë vendosi ndaj Stefanishynës një masë hetimore me kusht pagese të një garancie prej 6 milionë hryvni, rreth 134 mijë dollarë amerikanë.

Ajo dyshohet për pasurim të paligjshëm dhe deklarim të rremë të pasurisë, ndërsa ka deklaruar se nuk disponon mjete të mjaftueshme financiare për të paguar shumën e caktuar nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zelensky shkarkon ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, Kroaci dhe Mal të Zi appeared first on Sinjali.

Policia jep detaje për ekstradimin e Dukagjin Nikollajt nga Spanja

6 August 2026 at 21:37

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka”, ishte një nga personat e dyshuar për përfshirje në përleshjen e armatosur në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ku mbeti i vrarë 39-vjeçari Kastriot Ramadani.

Tashmë, Sinjali mëson se Nikollaj është ekstraduar nga Spanja në Kosovë dhe ndodhet në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 6 gusht 2026 ka ekstraduar nga Spanja një shtetas kosovar, i cili kërkohej përmes INTERPOL-it me letërreshtim ndërkombëtar për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.

Sipas Policisë, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet spanjolle, ndërsa pas ekstradimit u është dorëzuar njësive përkatëse policore në rajonin e Prishtinës për vazhdimin e procedurave ligjore.

Rasti në “Bon Vivant” kishte ndodhur më 4 gusht 2023, në rrugën “Rexhep Luci”, pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave, ku dyshohet se ishin përdorur armë zjarri.

Si pasojë e të shtënave, Kastriot Ramadani kishte humbur jetën, ndërsa katër persona të tjerë ishin plagosur. Po ashtu, 17 persona, prej tyre tre burra dhe 14 gra, kishin marrë lëndime nga thyerja e gotave dhe shisheve të qelqit.

Sinjali kishte mësuar se Nikollaj dyshohej se ishte përfshirë në shkrepjen e armëve dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Në mesin e të dyshuarve për rastin ishin përmendur edhe Andi Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”, Hysni Geci dhe Gzim Zakuti.

Ekstradimi është realizuar në koordinim mes Policisë së Kosovës, institucioneve të drejtësisë dhe autoriteteve spanjolle.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Policia jep detaje për ekstradimin e Dukagjin Nikollajt nga Spanja appeared first on Sinjali.

Në Iran raportohet se janë ekzekutuar të paktën 71 persona gjatë korrikut

6 August 2026 at 21:23

Irani ekzekutoi të paktën 71 persona gjatë muajit korrik, përfshirë gjashtë persona që morën pjesë në protestat masive kundër Qeverisë në fund të vitit të kaluar dhe fillim të këtij viti, sipas organizatës joqeveritare me seli në Norvegji, Iran Human Rights (IHR).

Në një raport të publikuar më 6 gusht, IHR-ja tha se kjo shifër e çon numrin total të ekzekutimeve të regjistruara gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti në të paktën 444. Sipas organizatës, qindra persona të tjerë aktualisht janë të dënuar me vdekje.

Në Iran ka pasur një rritje të ekzekutimeve të personave që grupet për të drejtat e njeriut i konsiderojnë të burgosur politikë – nga protestuesit, tek anëtarët e dyshuar të grupeve të ndaluara dhe personave të dënuar për spiunazh – që nga fillimi i luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin më 28 shkurt, shkruan REL.

Aktivistët thonë se rritja e ekzekutimeve është një përpjekje e autoriteteve iraniane për të ndjellë frikë tek iranianët dhe për të parandaluar përsëritjen e protestave mbarëkombëtare që tronditën udhëheqësit klerikalë në janar.

“Jemi thellësisht të shqetësuar se konflikti i ushtarak mes Republikës Islamike, SHBA-së dhe Izraelit do të përdoret për të intensifikuar ekzekutimet nën pretekstin e sigurisë kombëtare”, tha Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i IHR-së.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të përgjigjet me presion më të fuqishëm dhe më të koordinuar kundër përdorimit të dënimit me vdekje nga Republika Islamike”, shtoi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Në Iran raportohet se janë ekzekutuar të paktën 71 persona gjatë korrikut appeared first on Sinjali.

Aktakuzë për vrasjen e 107 civilëve në Gjakovë – në mesin e të akuzuarve edhe Milan Radoiçiq

6 August 2026 at 21:10

Gazeta Sinjali raportoi sot se Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 20 personave për krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera gjatë viteve 1998-1999 në Komunën e Gjakovës.

Sinjali ka mësuar se në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq, i cili sipas aktakuzës akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policor.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, të pandehurit akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Aktakuza përshkruan se gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R.Ç., si komandant i Njësive të Policisë së Posaçme (PJP), dhe M.D., si komandant i Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit e tjerë, kanë marrë pjesë në një operacion të gjerë ushtarako-policor, gjatë të cilit u vranë 107 civilë.

Sipas aktakuzës, gjatë operacionit gratë dhe fëmijët u ndanë nga burrat. Gratë u plaçkitën, ndërsa burrat u ekzekutuan në shtëpitë dhe oborret e tyre, si dhe në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”. Po ashtu, sipas Prokurorisë, gjatë operacionit u dogjën edhe shumë shtëpi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Aktakuzë për vrasjen e 107 civilëve në Gjakovë – në mesin e të akuzuarve edhe Milan Radoiçiq appeared first on Sinjali.

Arrestohet një person pasi dyshohet se sulmoi qytetarët në një qendër tregtare në Pejë

6 August 2026 at 21:07

Një person është arrestuar mbrëmjen e së enjtes në Pejë, pasi dyshohet se ka sulmuar qytetarë brenda një qendre tregtare.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se rasti është raportuar rreth orës 20:15.

Sipas tij, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar personin e dyshuar.

I njëjti është shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë, ku është duke u intervistuar.

Fatmirësisht, nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Arrestohet një person pasi dyshohet se sulmoi qytetarët në një qendër tregtare në Pejë appeared first on Sinjali.

Ekstradohet nga Spanja Dukagjin Nikollaj, i dyshuari për rastin “Bon Vivant”

6 August 2026 at 20:39

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht se Dukagjin Nikollaj ishte një nga personat e dyshuar për përfshirje në përleshjen e armatosur në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ku mbeti i vrarë 39-vjeçari Kastriot Ramadani, ndërsa u plagosën dhe u lënduan edhe 17 persona të tjerë.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se Dukagjin Nikollaj, i njohur ndryshe me nofkën “Duka” se tashmë është ekstraduar nga Spanja në Kosovë dhe ndodhet në Prishtinë.

Rasti kishte ndodhur më 4 gusht 2023 në rrugën “Rexhep Luci”, pas një mosmarrëveshjeje në lokalin e njohur “Bon Vivant”, ku dyshohet se mes disa personave ishin përdorur edhe armë zjarri.

Si pasojë e të shtënave, Kastriot Ramadani kishte humbur jetën, ndërsa katër persona të tjerë kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit. Po ashtu, 17 persona, prej tyre tre burra dhe 14 gra, kishin marrë lëndime nga thyerja e gotave dhe shisheve të qelqit.

Sinjali kishte mësuar se Nikollaj dyshohej se ishte përfshirë në shkrepjen e armëve dhe se kishte arritur të largohej nga vendi i ngjarjes. Njësitë policore kishin ndërmarrë veprime të shumta hetimore për lokalizimin e vendndodhjes dhe arrestimin e tij.

Në mesin e të dyshuarve për rastin ishin përmendur edhe Andi Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”, Hysni Geci dhe Gzim Zakuti.

Pajaziti kishte mbetur i plagosur gjatë përleshjes dhe ndaj tij ishte lëshuar urdhër për ndalim, ndërsa të dyshuarit e tjerë ishin arrestuar dhe ndodheshin nën përkujdesje policore.

Në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë relevante policore dhe njësia K-9, ndërsa ishin gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku.

Autoritetet kompetente pritet të japin detaje të tjera pas përfundimit të intervistimit dhe veprimeve të mëtejshme hetimore ndaj Nikollajt.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekstradohet nga Spanja Dukagjin Nikollaj, i dyshuari për rastin “Bon Vivant” appeared first on Sinjali.

Përplasen dy tramvaje në Gjermani, rreth 25 të lënduar– tre në gjendje kritike

6 August 2026 at 20:25

Rreth 25 persona kanë mbetur të plagosur pas përplasjes së dy tramvajeve në qytetin e Gelsenkirchenit, në Gjermani.

Sipas informacioneve paraprake, njëri tramvaj ishte ndalur në një segment të hapur të linjës, kur u godit nga një tramvaj tjetër me pasagjerë.

Policia ka bërë të ditur se shtatë persona kanë pësuar lëndime të rënda, ndërsa tre prej tyre ndodhen në gjendje kritike dhe nuk përjashtohet rreziku për jetën.

Të plagosurit morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportuan në spitalet e zonës.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Autoritetet kanë ngritur një ekip të posaçëm hetimor për të zbardhur rrethanat e përplasjes dhe arsyen pse tramvaji i parë ishte ndalur në mes të itinerarit.

Pas aksidentit, një pjesë e bulevardit Kurt-Schumacher u mbyll në të dy drejtimet, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim. Më vonë, autoritetet rihapën vetëm një korsi.

Në vendngjarje u angazhuan dhjetëra ekipe shpëtimi, ambulanca dhe psikologë për t’u ofruar ndihmë pasagjerëve dhe personave të prekur nga ngjarja.

Kryebashkiakja e Gelsenkirchenit, Andrea Henze, e cilësoi aksidentin si “një tronditje absolute”, pasi pa nga afër dëmet e shkaktuara brenda njërit prej tramvajeve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Përplasen dy tramvaje në Gjermani, rreth 25 të lënduar– tre në gjendje kritike appeared first on Sinjali.

Vinicius rinovon kontratën me Real Madridin deri në vitin 2032

6 August 2026 at 20:17

Vinicius Junior do të vazhdojë të jetë pjesë e Real Madridit edhe për shumë vite të tjera.

Sulmuesi brazilian ka firmosur zyrtarisht kontratën e re me klubin madrilen, e cila do ta mbajë të lidhur me “Los Blancos” deri në qershor të vitit 2032.

Marrëveshja e re është gjashtëvjeçare dhe konfirmon besimin e plotë që Real Madridi ka te një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës.

Pas javësh spekulimesh për të ardhmen e tij, Vinicius ka vendosur të vazhdojë karrierën në “Santiago Bernabéu”, duke i dhënë fund zërave për një largim të mundshëm.

Me rinovimin e kontratës, Real Madridi siguron shërbimet e një prej yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror, ndërsa 25-vjeçari pritet të mbetet një nga figurat kryesore të projektit të klubit për vitet e ardhshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Vinicius rinovon kontratën me Real Madridin deri në vitin 2032 appeared first on Sinjali.

Kreu i VATRA-s i shkruan Trumpit, kërkon angazhim për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Haga

6 August 2026 at 20:11

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, Dr. Elmi Berisha, i ka dërguar një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, duke i kërkuar angazhim të drejtpërdrejtë diplomatik lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në letrën drejtuar presidentit amerikan, Berisha e ka cilësuar procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si të motivuar politikisht, duke paralajmëruar se ai mund ta rishkruajë historinë e luftës çlirimtare të Kosovës dhe ta dëmtojë një prej aleatëve më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në Ballkan.

Sipas tij, lufta në Kosovë nuk ishte një konflikt ndërmjet dy palëve të barabarta, por një fushatë sistematike e spastrimit etnik e regjimit të Slobodan Millosheviqit ndaj popullsisë shqiptare.

Berisha ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u krijua si forcë mbrojtëse, me qëllim që ta ndalonte shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre.

Në letër përmenden mbi 15 mijë civilë shqiptarë të vrarë, rreth 25 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës dhe më shumë se një milion persona të zhvendosur.

Sipas kreut të VATRA-s, kriminalizimi i drejtuesve të UÇK-së cenon kujtesën e viktimave, sakrificën e popullit të Kosovës dhe drejtësinë historike për atë që ka ndodhur gjatë luftës.

Berisha ka rikujtuar gjithashtu lidhjen e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar Kosovën si vendin më pro-amerikan në botë.

Ai ka vlerësuar se procesi në Hagë e dobëson këtë partneritet strategjik dhe dërgon mesazhin se aleatët e SHBA-së mund të lihen në mëshirën e tribunaleve ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, nuk pasqyrojnë vlerat amerikane të drejtësisë dhe sovranitetit.

Në letër vlerësohet edhe roli i Donald Trumpit në Ballkan, veçanërisht Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020 dhe njohja e Kosovës nga Izraeli.

Berisha ka pretenduar se Serbia dhe Rusia po e shfrytëzojnë procesin gjyqësor në Hagë për propagandë kundër shtetësisë së Kosovës dhe ndikimit amerikan në rajon.

Duke iu referuar afrimit të vendimit përfundimtar të Dhomave të Specializuara, kreu i VATRA-s i ka kërkuar presidentit Trump që ta përdorë ndikimin diplomatik të Shteteve të Bashkuara për rishikimin e mandatit të kësaj gjykate.

Ai ka kërkuar gjithashtu që t’i jepet fund, siç e ka cilësuar, tejkalimit të kompetencave të Dhomave të Specializuara dhe që SHBA-ja ta mbështesë lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në përfundim të letrës, Berisha ka theksuar se mbrojtja e atdheut nga gjenocidi nuk duhet të konsiderohet kurrë krim, ndërsa e ka falënderuar presidentin Trump për mbështetjen e vazhdueshme ndaj popullit të Kosovës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kreu i VATRA-s i shkruan Trumpit, kërkon angazhim për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Haga appeared first on Sinjali.

Temperaturat arrijnë në 42.5 gradë në Korenë e Jugut, 21 persona humbin jetën

6 August 2026 at 19:57

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka urdhëruar qeverinë të mobilizojë të gjitha burimet në dispozicion për t’u përballur me valën rekord të të nxehtit që ka përfshirë vendin.

Gjatë një takimi me ministrat dhe drejtuesit e pushtetit vendor, Lee kërkoi aktivizimin e një sistemi të plotë reagimi për të mbrojtur qytetarët dhe për të zbutur pasojat e temperaturave ekstreme dhe thatësirës.

“Vala e të nxehtit ka shumë të ngjarë të vazhdojë edhe për një kohë, ndaj qeveria duhet të aktivizojë me vendosmëri një sistem gjithëpërfshirës reagimi deri në përmirësimin e situatës”, deklaroi ai.

Sipas autoriteteve shëndetësore, deri të mërkurën 21 persona kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjeve të lidhura me temperaturat e larta, ndërsa mijëra të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Temperaturat në shumë pjesë të vendit kanë arritur pranë 40 gradë Celsius, ndërsa qyteti Yangsan regjistroi një rekord prej 42.5 gradësh Celsius.

Presidenti Lee u bëri thirrje autoriteteve të forcojnë mbrojtjen për të moshuarit që jetojnë vetëm dhe grupet më të rrezikuara, si dhe të sigurojnë pushime të detyrueshme për punëtorët në ambiente të hapura gjatë orëve me temperaturat më të larta. Ai kërkoi gjithashtu masa për mbrojtjen e bagëtive dhe kulturave bujqësore.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Temperaturat arrijnë në 42.5 gradë në Korenë e Jugut, 21 persona humbin jetën appeared first on Sinjali.

Trump pritet ta mbështesë Vance-in në garën presidenciale të vitit 2028

6 August 2026 at 19:55

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thuhet se në një takim privat me donatorët ka shprehur dëshirën që zëvendëspresidenti J.D. Vance të jetë kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Sipas raportimit të Washington Post, Trump gjatë një takimi në Zyrën Ovale u ka thënë donatorëve: “Në fund të fundit, ne duhet ta zgjedhim Jay-n”, duke iu referuar Vance.

Burime të cituara nga media amerikane bëjnë të ditur se presidenti amerikan e ka vendosur privatisht Vance-in si pasardhësin e tij në Partinë Republikane, megjithëse ende nuk është përcaktuar se kur ai do ta shpallë kandidaturën apo kur Trump do ta bëjë publike mbështetjen e tij.

Megjithatë, disa këshilltarë dhe aleatë të Trumpit kanë shprehur dyshime se vendimi është përfundimtar, duke theksuar se ai shpesh ndryshon qëndrimet e tij dhe u jep mesazhe të ndryshme personave të ndryshëm.

Deklaratat e raportuara bien ndesh me qëndrimet publike të Trumpit në muajt e fundit, kur ai kishte inkurajuar konkurrencën mes J.D. Vance dhe Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, për nominimin republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Trump pritet ta mbështesë Vance-in në garën presidenciale të vitit 2028 appeared first on Sinjali.

Ambasada e SHBA-së: Ngërçi po i kushton Kosovës, formimi i institucioneve të bëhet në përputhje me Kushtetutën edhe vendimet e GJK-së

6 August 2026 at 19:47

Ambasada e SHBA’së në Prishtinë ka kërkuar nga liderët politikë në Kosovë që të punojnë duke u bazuar në Kushtetutë dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për ndërtimin e institucioneve të reja. Duke alarmuar për mundësitë e humbura, ambasada thekson se ka ardhur koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve.

“Udhëheqja politike e Kosovës duhet të bashkëpunojë për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tij që të përmbushin zotimin për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, tha ambasada amerikane në një përgjigje dërguar Gazetës Express pak para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit.

Mesazhi amerikan erdhi pikërisht në ditën kur seanca konstituive për Kuvendin s’nxori Kuvend të konstituuar për shkak të kërkesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime për Presidentin, e cila u aprovua nga kryesuesi i seancës, bashkëpartiaku i tij, Avni Dehari.

Afati për konstituim të Kuvendit, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, obligon deputetët që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve nga dita e certifikimit të rezultateve zgjedhore. Ky afat përfundon nesër më 7 gusht, në orën 23:59.

Kurti nuk dha shenja se do ta thërrasin vazhdimin e seancës brenda këtij afati, duke thënë se i duhet kohë shtesë për bisedime dhe se “vetëm atëherë kur ta kemi arritur dakordimin për çështjen e Presidentit, të procedojmë me konstituimin e institucioneve të tjera”.

Por, pritshmëri tjera kanë amerikanët nga udhëheqësit politikë kosovarë.

“Qytetarët e Kosovës presin nga udhëheqësit e tyre që ta përmbushin zotimin për të vepruar në interesin më të mirë të vendit. Ky ngërç i vazhdueshëm politik po i kushton Kosovës mundësi të humbura. Ka ardhur koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha më tej ambasada në përgjigje.

Për kohën që po e humb Kosova dje paralajmëroi edhe ambasada e Gjermanisë në vend.

“Kosova nuk ka kohë për të humbur: Shpresojmë që institucionet e reja të formohen në kohën e duhur dhe për një mandat të plotë, në mënyrë që të mund të vazhdojmë punën për agjendën tonë të përbashkët europiane me Kosovën”, tha kjo ambasadë në një përgjigje për Express.

Shtyrjen e procesit të konstituimit të Kuvendit Kurti e arsyetoi me “nevojën” për t’iu kthyer bisedimeve për çështjen e Presidentit me pretendimin se me ngulm synon shmangien e zgjedhjeve.

“Dhe kur ta kemi një marrëveshje, ta ftojmë vazhdimin e seancës konstituive. Pra, kur të jemi të siguruar që kemi bërë çdo gjë për të evituar shkuarjen edhe në një palë zgjedhje të panevojshme për shtetin, të paarsyeshme për qytetarët, e të dëmshme për buxhetin dhe ekonominë”, tha Kurti në një konferencë për media pas seancës ku vazhdoi të tregojë për ftesat e dërguara partive politike.

Derisa PDK është pozicionuar në opozitë dhe Aleanca ka kërkuar përmbushjen e disa pikave që kryesisht lidhen me përfshirjen e Kosovës në projektin e gazit amerikan në këmbim të votave për Presidentin, LDK është angazhuar në bisedime me Vetëvendosjen.

I pari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, para nisjes së seancës konfirmoi se “kanë distancë” për çështjen e Presidentit meqë tha se LDK kërkon “balancë demokratike” të ndarjes së pushteteve në përputhje me rezultatin e dalë nga zgjedhjet.

Numrat në epërsi të Vetëvendosjes i përmendi Kurti edhe për Presidentin në konferencën në Kuvend.

“Presidenti ose Presidentja nuk i takon ndonjë partie. Nëse do t’i takonte ndonjë partie atëherë duhet parë numrat. LVV i ka 53, tri partitë tjera opozitare bashkë 47, apo 6 më pak se ne”, tha Kurti, derisa përmendi sërish “koncensionin e madh” që bëri me tërheqjen e kandidaturës së Glauk Konjufcës për President.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ambasada e SHBA-së: Ngërçi po i kushton Kosovës, formimi i institucioneve të bëhet në përputhje me Kushtetutën edhe vendimet e GJK-së appeared first on Sinjali.

Ukraina godet dy rafineri nafte brenda Rusisë

6 August 2026 at 19:41

Ukraina ka njoftuar se ka goditur dy rafineri nafte thellë brenda territorit rus, si dhe disa anije në Detin e Zi, në një seri sulmesh me dronë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se në shënjestër ishin rafineritë Bashneft-Novoil dhe Slavneft-Yanos, me synimin për t’i kufizuar të ardhurat nga nafta që, sipas tij, Moska i përdor për financimin e luftës.

Guvernatori i rajonit të Yaroslavlit, Mikhail Evraev, bëri të ditur se rafineria Slavneft-Yanos u përfshi nga zjarri pas asaj që ai e cilësoi si sulmin më të madh me dronë në rajon. Sipas tij, katër persona u plagosën.

Zelensky tha se rafineria Bashneft-Novoil ndodhet rreth 1,300 kilometra larg kufirit ukrainas, ndërsa Slavneft-Yanos rreth 700 kilometra larg.

Presidenti ukrainas deklaroi gjithashtu se në Detin e Zi janë goditur dy anije patrulluese ushtarake dhe anije të ashtuquajturës “flotë në hije”, të cilat dyshohet se përdoren nga Rusia për eksportimin e naftës së sanksionuar.

Ndërkohë, Ukraina njoftoi se të paktën 11 persona janë vrarë nga sulmet ruse, ndërsa qyteti jugor Kherson mbeti pa energji elektrike.

Rusia tha se sulmet e saj kishin në shënjestër objekte të karburantit, energjisë dhe transportit.

Të dyja palët kanë intensifikuar sulmet ndaj qyteteve, objekteve energjetike dhe depove, ndërsa përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës nuk kanë sjellë përparim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ukraina godet dy rafineri nafte brenda Rusisë appeared first on Sinjali.

Qytetari gjen portofol me para e dokumente në Viti, e dorëzon në Polici

6 August 2026 at 19:31

Një qytetar ka dorëzuar në Stacionin Policor në Viti një portofol të gjetur, brenda të cilit ndodheshin dokumente personale, karta bankare dhe një shumë parash të gatshme.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, qytetari B. Haziri është paraqitur në Polici më 6 gusht 2026 dhe ka njoftuar për gjetjen e portofolit.

Pas pranimit të tij, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe, përmes verifikimit të dokumenteve, kanë arritur ta identifikojnë dhe ta kontaktojnë pronarin.

Portofoli, së bashku me të gjitha dokumentet, kartat bankare dhe paratë, i është kthyer pronarit legjitim.

Policia Rajonale e Gjilanit ka falënderuar qytetarin për veprimin, duke theksuar se raste të tilla dëshmojnë rëndësinë e bashkëpunimit dhe besimit ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Kosovës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Qytetari gjen portofol me para e dokumente në Viti, e dorëzon në Polici appeared first on Sinjali.

Tragjedi në futboll: 24-vjeçari humb jetën pasi u godit nga rrufeja gjatë ndeshjes

6 August 2026 at 19:15

Një futbollist 24-vjeçar ka humbur jetën pasi u godit nga rrufeja gjatë një ndeshjeje miqësore në Tajlandë.

Viktima është identifikuar si Safwan Awae, i cili po luante në një takim mes dy skuadrave të ligës së tretë nga Tajlanda dhe Malajzia. Ngjarja ndodhi më 4 gusht në stadiumin Santiphap, në kushte të motit të rënduar nga shirat e sezonit musonik.

Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur rrufeja godet futbollistin, i cili rrëzohet menjëherë pa ndjenja në fushë.

Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë dhe tentoi ta rikthente në jetë me reanimim (CPR), por 24-vjeçari ndërroi jetë pak pasi mbërriti në spital, si pasojë e lëndimeve dhe djegieve të rënda.

Përveç tij, edhe 12 futbollistë të tjerë pësuan djegie dhe lëndime të ndryshme. Ata u transportuan në spital, ku morën trajtim mjekësor.

Sipas protokolleve të FIFA-s dhe UEFA-s, ndeshjet duhet të ndërpriten dhe fusha të evakuohet kur konstatohet aktivitet i rrufeve në afërsi, por në këtë rast tragjedia nuk arriti të parandalohej.

🇹🇭⚡ Thai footballer Sofwan Awae has died after being struck by lightning during a match, with 12 others also injured.

The incident occurred during a Golok Cup fixture at Santiphap Stadium in Sungai Golok, southern Thailand, between Samcolts and Abu x Nong Sirin.

Awae, a… pic.twitter.com/iYoIKy1dry

— Football Tweet ⚽ (@Footballtweet) August 5, 2026

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Tragjedi në futboll: 24-vjeçari humb jetën pasi u godit nga rrufeja gjatë ndeshjes appeared first on Sinjali.

Xhaka para sezonit të ri: Të luftojmë për njëri-tjetrin

6 August 2026 at 19:11

Granit Xhaka është rikthyer në stërvitje me Sunderlandin dhe u ka dërguar një mesazh emocional tifozëve të klubit anglez para nisjes së sezonit të ri.

Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane iu bashkua të enjten skuadrës, pas pushimit që kishte marrë pas angazhimeve me Kombëtaren e Zvicrës në Kupën e Botës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhaka falënderoi tifozët për mbështetjen dhe kujtoi momentet e veçanta të përjetuara me ta.

“Ne krijuam kujtime që do të mbeten me ne përgjithmonë. Zhurma, pasioni, netët nën drita dhe këngët tuaja janë momentet që të kujtojnë pse e do këtë lojë”, ka shkruar ai.

Xhaka shtoi se tashmë nis një sezon i ri, me ëndrra dhe sfida të reja, por me të njëjtin simbol dhe të njëjtin pasion.

“Le ta vlerësojmë çdo moment, të luftojmë për njëri-tjetrin dhe ta bëjmë këtë sezon më të mirë se të mëparshmin. Së bashku. Gjithmonë”, ka shkruar mesfushori.

Xhaka pritet të ketë sërish rol të rëndësishëm te Sunderlandi, ndërsa gjatë verës raportohet se ai refuzoi një kalim të mundshëm te Chelsea.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Xhaka para sezonit të ri: Të luftojmë për njëri-tjetrin appeared first on Sinjali.

Zelensky viziton të shtunën Serbinë

6 August 2026 at 18:55

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të zhvillojë të shtunën vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i lartë ukrainas për agjencinë AFP, i cili e cilësoi vizitën si një mesazh simbolik në një kohë kur Serbia vazhdon të ruajë marrëdhënie të ngushta me Rusinë, pavarësisht synimit të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Deri më tani nuk janë bërë publike detaje mbi agjendën e vizitës apo takimet që Zelenskyy pritet të zhvillojë gjatë qëndrimit në Beograd.

Vizita vjen në një periudhë të ndjeshme diplomatike, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe raportet mes Serbisë dhe Rusisë mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zelensky viziton të shtunën Serbinë appeared first on Sinjali.

Sulme me raketa dhe dronë në Jemen, të paktën 38 ushtarë të vrarë

6 August 2026 at 18:42

Rebelët Huthi të Jemenit kanë marrë përgjegjësinë për një seri sulmesh me raketa dhe dronë ndaj forcave të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, ku mbetën të vrarë të paktën 38 persona.

Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Sareh, tha se operacioni kishte në shënjestër përqendrimet e forcave qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite.

Sipas tij, sulmet goditën pozicione në Al-Ruwaiq, Al-Abr dhe Al-Thaniyya, ndërsa u pretendua se janë vrarë ose plagosur qindra luftëtarë dhe janë shkatërruar kampe, depo armësh e automjete. Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Burime mjekësore i thanë AFP-së se të paktën 38 pjesëtarë të ushtrisë qeveritare u vranë dhe 29 të tjerë u plagosën. Ky është numri më i lartë i viktimave që nga armëpushimi i vitit 2022.

Një zyrtar ushtarak bëri të ditur se në shënjestër ishin kampe në provincat Marib dhe Hadramout, pranë kufirit me Arabinë Saudite.

Përleshjet mes Huthive dhe forcave të mbështetura nga Riadi janë intensifikuar gjatë javëve të fundit, pas një periudhe disa-vjeçare të uljes së armiqësive.

Misioni diplomatik amerikan në Jemen dënoi sulmet dhe shprehu ngushëllime për familjet e ushtarëve të vrarë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Sulme me raketa dhe dronë në Jemen, të paktën 38 ushtarë të vrarë appeared first on Sinjali.

Trump mohon se SHBA-ja po përballet me mungesë municionesh

6 August 2026 at 18:37

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mohuar raportimet se Shtetet e Bashkuara po përballen me mungesë municionesh, mes shqetësimeve në rritje për gjendjen e arsenalit ushtarak gjatë luftës me Iranin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump deklaroi se SHBA-ja posedon sasi të mëdha municionesh dhe se prodhimi po vazhdon sipas nevojave të ushtrisë.

“SHBA-ja ka sasi të mëdha municionesh, veçanërisht të disa llojeve. Përveç kësaj, sasi të mëdha po prodhohen dhe po dërgohen sipas nevojës”, ka shkruar ai.

Trump paralajmëroi gjithashtu se administrata e tij do të kërkojë dënime të gjata me burg për personat përgjegjës për rrjedhjen e informacioneve të ndjeshme rreth rezervave ushtarake.

Deklarata e tij vjen pasi disa media amerikane raportuan se SHBA-ja ka përdorur një pjesë të konsiderueshme të rezervave të raketave me precizion të lartë gjatë luftës me Iranin.

Sipas raportimeve të pakonfirmuara, Trump ishte përballur edhe me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, lidhur me një mungesë të mundshme armësh. Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni i kanë mohuar pretendimet për mungesë municionesh dhe përplasje mes tyre.

SHBA-ja dhe Irani kanë vazhduar shkëmbimin e sulmeve, pavarësisht disa pauzave në luftime, ndërsa ende nuk është arritur një marrëveshje për përfundimin e konfliktit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Trump mohon se SHBA-ja po përballet me mungesë municionesh appeared first on Sinjali.

❌