Koçiu në hapjen e ekspozitës së ATSH-së: Informacioni i besueshëm, shtyllë e vlerave europiane dhe misioni i ATSH-së
TIRANË, 9 maj/ATSH/ Ekspozita e përbashkët fotografike dhe dokumentare “ATSH – Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar”, e çelur në mjediset e Kalasë së Tiranës nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), sjell një pasqyrë të plotë të historisë së informacionit në Shqipëri, duke dokumentuar transformimin e lajmit si mjet komunikimi publik, si instrument institucional dhe si pjesë e kujtesës kombëtare.
Ekspozita përshkon më shumë se një shekull zhvillimesh, nga sallat e para të transmetimit në vitet ’20, te radiostacionet dhe gazetaria tradicionale, deri te epoka digjitale dhe transformimi teknologjik i medias moderne.
Ajo vendos në qendër rolin e ATSH-së si institucioni bazë i prodhimit dhe shpërndarjes së lajmit, si dhe lidhjen e ngushtë të informacionit me zhvillimet politike, sociale dhe kulturore në vend.
Në ceremoninë e hapjes, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vlerësoi ekspozitën si një nismë që ndërthur historinë me reflektimin mbi të ardhmen e informacionit, në një kohë kur dezinformimi dhe sfidat teknologjike po ndikojnë drejtpërdrejt hapësirën mediatike.
Koçiu u shpreh se ekspozita përkon simbolikisht me Ditën e Europës, duke theksuar se liria e medias, vërtetësia e informacionit dhe besueshmëria e burimeve zyrtare janë vlera themelore europiane.
“Liria e medias, vërtetësia e informacionit dhe komunikimi i saktë me qytetarët janë koncepte që na bashkëshoqërojnë dhe janë boshti i vlerave të shoqërisë që ne aspirojmë”, deklaroi ajo.
Ajo vlerësoi gjithashtu punën e ATSH-së dhe bashkëpunimin me DPA-në, duke theksuar se ekspozita krijon një hapësirë reflektimi mbi të shkuarën dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare.
Koçiu nënvizoi se Shqipëria përballet sot me sfida të mëdha të informacionit, ku sipas Eurobarometrit, 73% e qytetarëve e perceptojnë dezinformimin si rrezik të përditshëm, ndërsa 86% e konsiderojnë atë kërcënim për demokracinë.
“Në epokën e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së avancuar, verifikimi i informacionit bëhet gjithnjë e më i vështirë. Pikërisht për këtë arsye, institucionet zyrtare me kredibilitet janë thelbësore për të garantuar informacion të besueshëm dhe të saktë”, u shpreh zv.kryeministrja Koçiu.
Zëvendëskryeministrja theksoi gjithashtu se mbështetja e qeverisë për forcimin e ATSH-së nuk do të mungojë, me synim konsolidimin e saj si institucion referues i informacionit të vërtetë.
“Ekspozita të bën të ndihesh mirë dhe të mendosh që potenciali është aty, institucioni është aty, historiku është aty, sfidat janë gjithashtu prezente. Po ndërkohë nga ana tjetër, mbështetja nga ana e qeverisë nuk do të mungojë për t’a ngritur institucionin në një nivel më të lartë. Unë besoj që është nga institucionet bazë dhe më të forta për të konsoliduar vërtetësinë e informacionit”, u shpreh zv.kryeministrja Albana Koçiu.
/r.e/
The post Koçiu në hapjen e ekspozitës së ATSH-së: Informacioni i besueshëm, shtyllë e vlerave europiane dhe misioni i ATSH-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.