TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Me afrimin e pikut të stinës së dimrit, infeksionet virale dhe gjendjet gripale bëhen edhe më të pranishme, duke prekur të gjitha grup-moshat e shoqërisë, sidomos ato të moshës pediatrike, pra fëmijët.
Shefi i Shërbimit të Urgjencës Pediatrike, dr. Albert Lama, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, foli jo vetëm për qarkullimin e virozave dhe sezonin gripal në të cilin jemi futur zyrtarisht, por edhe për pikun që pritet të jetë në muajt e ardhshëm, janar dhe shkurt.
“Temperatura është përgjigje e trupit ndaj inflamacionit që shkaktohet nga infeksionet, qoftë virale apo bakteriale. Infeksionet virale të tillë si influenca apo dhe RSV prekin kryesisht rrugët e frymëmarrjes dhe si të tillë shkaktojnë kollë nga përgjigjja imunitare e trupit ndaj virusit, po kështu dhe temperaturë, në varësi të rastit dhe frymëmarrje të rënduar. Ambientet komunitare sigurisht që ndikojnë në përhapjen e infeksioneve virale duke qenë se janë ngjitëse dhe kontaktet e afërta ndikojnë në përhapjen e tyre. Stina e ftohtë gjithashtu ndikon në përhapjen e infeksioneve virale”, thotë ai.
Mjeku Lama thekson se sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në vendin tonë kemi prani të infeksioneve virale të tipeve A dhe B.
“Sigurisht që kemi duke qenë se këto infeksione virale, qoftë influenca tipit A apo B, janë të zakonshëm në stinën e dimrit, ku aktualisht jemi. Gjithsesi përgjigjja shkencore është serologjike ndaj prezencës së këtyre viruseve dhe përgjigjen e jep ISHP. Infeksionet virale të stinës së ftohtë janë influenca tipi A dhe B. Tek fëmijët e vegjël qarkullon dhe RSV (virusi sincicial i frymëmarrjes) dhe kanë simptomatologji përgjithësisht të njëjtë, me prekje respiratore e temperaturë. Dallimi i tyre bëhet me analizat serologjike të popullatës së prekur”, thekson Kreu i Urgjencës Pediatrike për ATSH.
Sipas tij, “tek fëmijët, temperatura e lartë zgjat disa ditë. Kjo është e ndryshueshme, nga rasti në rast, dhe temperatura e lartë menaxhohet me përdorimin e antipiretikëve që jepen në varësi të gjendjes klinike dhe variojnë nga rasti në rast, gjithashtu dhe përdorimi i kompresave është i këshillueshëm. Në Urgjencën e Pediatrisë vizitohen rreth 200-250 raste në ditë gjatë 24 orëve, shumica e të cilëve marrin trajtim ambulator dhe rekomandohen të ndiqen në vazhdimësi pranë mjekut të familjes, ndërsa rastet e komplikuara apo që paraqesin një gjendje klinike jo të mirë, trajtohen me shtrim në spital”.
Shefi i Urgjencës Pediatrike shton se numri i vizitave ditore pritet të rritet deri në 300 raste në janar dhe shkurt. “Megjithatë janë shumica e rasteve që marrin trajtim ambulator, ndërsa raste të rënduara që trajtohen për më tutje me shtrim spitalor janë përafërsisht rreth 10% e rasteve të vizituara”.
Sipas Lamës, “grup-moshat pediatrike më të riskuara janë mosha letante deri një vjeç dhe mosha deri në katër vjeç. Kjo nuk do të thotë se grup-mosha më e madhe nuk preket apo rrezikohet nga infeksionet virale, por përgjigjja imunitare është më e mirë, që bën të mundur një simtomatologji më të lehtë në përgjithësi”.
Për një kapërcim më të lehtë të gjendjes virale, mjeku Lama rekomandon ushqime të freskëta, dietë të pasur ushqimore dhe fruta e zarzavate të stinës si dhe suplemente vitaminash.
Një dietë e pasur dhe konform grup-moshës pediatrike është gjithmonë mirë dhe ndihmon për një imunitet më të mirë.
/r.e/
The post Gripi i stinës, Mjeku Lama për ATSH: 250 vizita në ditë në Urgjencën Pediatrike, rekomandohet dietë e pasur ushqimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.