Normal view

Received — 6 February 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Brataj për ATSH-në: Gripi – sëmundje shtëpie, 85% e të prekurve asimptomatikë

6 February 2025 at 11:40

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Kreu i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj tha sot se situata e gripit në vend është në pikën e vet kulmore.

Nga vizitat ditore në qendrat ambulatore të lagjeve, te rastet urgjente apo ato që përfundojnë me shtrime në spital, Brataj bëri një “skaner” të situatës aktuale të gripit që prek të gjitha grup-moshat, por sidomos grupet e riskut: fëmijët e vegjël, të rritur me sëmundje bashkëshoqëruese dhe moshat mbi 65 vjeç.

Brataj u shpreh se nuk ka vend për panik, pasi muaji shkurt përkon me një periudhë normale gripi.

“Gjendjet febrile te pacientët kanë njohur rritje këtë vit, nëse do ta krahasojmë me dy vitet e kaluara. Sipas të dhënave të organizatave kryesore të shëndetësisë në botë, por edhe sipas ISHP-së, krahasimisht me dy vitet e kaluara, në vend rezultojnë 23 mijë raste gripi. Ndërsa, në javën e parë të vitit kemi pasur 17 mijë raste me grip, javën e dytë 19 mijë raste dhe aktualisht jemi në 23 mijë raste në javë. Nga vizitat në Urgjencën Kombëtare 10-15 janë shtrime në spital nga gripi”, tha ai.

Kreu i Urgjencës Kombëtare tha se gripi është një sëmundje shtëpie, ndërsa 85% e të prekurve nuk shfaqin asnjë simptomë.

“Kujdesi duhet të fillojë nga shtëpia, por nëse ka rikthim të temperaturës së lartë pas disa ditëve, nëse ka kollë persistente, dhimbje fyti, temperaturë që zgjat te të rriturit 5-7 ditë, ndërsa te fëmijët mbi 10 ditë, duhet folur me mjekun e familjes dhe mjekët e QSUT-së përmes telefonit për disa këshilla më të specializuara. Nga përdorimi i antiinflamatorëve, te dozimi, te shtimi i lëngjeve dhe higjiena etj. Vitaminat B, C nuk duhet të mungojnë, pasi janë mënyra më e mirë për të forcuar imunitetin, që këtë periudhë bëhet edhe më i predispozuar ndaj sëmundjeve apo virozave të stinës”, theksoi Brataj.

Sipas tij, në vend qarkullojnë disa lloj virusesh, nga gripi A, AH1, AH3, gripi B, RSV dhe në përqindje më të ulët COVID-19.

“Format e lehta të gripit trajtohen në shtëpi. Nëse ka temperaturë për 2-3 ditë, dhimbje fyti, dhimbje muskujsh, duhet distancim nga vendet me shumë njerëz. Qëndrim në shtëpi me çajra të ngrohtë dhe antiinflamatorë. Nëse temperatura e lartë rikthehet, ka vështirësi në frymëmarrje apo dhimbje trupi, ndiqet protokolli mjekësor përmes mjekut të familjes, më pas me mjekun specialistë dhe ata të QSUT-së për trajtim më të detajuar”, deklaroi Brataj.

/a.f/r.e/

The post Brataj për ATSH-në: Gripi – sëmundje shtëpie, 85% e të prekurve asimptomatikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 3 February 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Bilanci i janarit, Koçiu: Investime në shëndetësi dhe mbrojtjen sociale

3 February 2025 at 10:06

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë publik këtë mëngjes, bilancin e investimeve dhe reformave të ndërmarra nga institucioni që ajo drejton.

Ministrja Koçiu, thotë se muaji janar shënoi fillimin e një viti të mbarë për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, me investime dhe reforma të rëndësishme.

“Nga fillimi i bashkëpunimit për transformimin e shërbimit onkologjik me Sheba Medical Center në Izrael, te spitali i ri i Kardiokirurgjisë dhe modernizimi i QSUT-së po krijojmë kushte më të mira për pacientët”, shprehet Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Koçiu në bilancin e punëve të MSHMS për muajin janar, ndalet edhe te hapja e Poliklinikës së Specialiteteve në Shkodër, një hapësirë e ndërtuar tërësisht me kushte bashkëkohore, ndërsa u forcuan shërbimet diagnostikuese edhe në Durrës.

“Me Fondin Social 2025 dhe gatishmërinë e strukturave shëndetësore ndaj gripit, po kujdesemi për çdo qytetar”, përfundon ministrja Koçiu.

Disa nga punët e MSHMS të shpalosura në posterat e ministres Koçiu
1 nga 10

/a.f/

The post Bilanci i janarit, Koçiu: Investime në shëndetësi dhe mbrojtjen sociale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Përurohet Qendra Rinore Multifunksionale në Mat, i shërben 3,200 të rinjve

30 January 2025 at 22:54

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të Qendrës Rinore Multifunksionale në Bashkinë Mat.

Ministrja Muzhaqi u shpreh se të rinjtë e Matit, tashmë kanë hapësirën e tyre.

“Një hapësirë e re moderne, e cila do t’i shërbejë 3200 të rinjve të Burrelit, ku do të zhvillohen aktivitete të shumllojshme. Ky projekt i mbështetur përmes Agjencisë Kombëtare të Rinisë, i realizuar nga Bashkia Mat, do të jetë vendtakimi për të rinjtë, duke ofruar mundësi për trajnime, ndarje të ideve mbi sipërmarrjet inovative dhe pjesëmarrjes aktive në komunitet”, tha ministrja Muzhaqi në postimin e saj në rrjetet sociale.

Nga përurimi i Qendrës Rinore Multifunksionale në Mat, e pranishme edhe Ministrja e Shtetit për...
1 nga 20

/a.f/

The post Përurohet Qendra Rinore Multifunksionale në Mat, i shërben 3,200 të rinjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Raportuesi për Shqipërinë në PE, Schieder: Ruani vullnetin për reforma dhe nxitjen drejt BE-së

30 January 2025 at 18:24

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder në një intervistë televizive u shpreh sot, se katër muaj para zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri, ka një panoramë të qartë të situatës politike në vend.

“Më duhet të them se këto zgjedhje do të jenë sfidë, pasi kemi një ligj të ri për diasporën dhe e dimë që shumë qytetarë shqiptarë janë jashtë, kështu që kjo do të jetë një sfidë teknike dhe administrative, por kam besim se të gjitha burimet janë të përgatitura mirë”, tha ai.

Raportuesi i PE thekson se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it nuk u implementuan në ligjin zgjedhor, por sipas tij, në kaq pak kohë që ka ngelur përpara zgjedhjeve, nuk është momenti për të kërkuar kompromisin.

“Ndoshta para zgjedhjeve nuk është koha për të gjetur kompromisin, por pas zgjedhjeve, mendoj se është një ide e mirë të shikojmë rekomandimet e tjera për t’i zbatuar,” shtoi Schieder.

Zyrtari i lartë në Parlamentin Evropian vlerëson klimën politike në Shqipëri, por që sipas tij duhet punuar akoma nga forcat shqiptare për një kulturë politike më gjithëpërfshirëse.

“Mendoj se ka vend për përmirësimin e kulturës politike për të krijuar një mënyrë më të mirë diskutimi midis qeverisë dhe opozitës, midis politikanëve, e kështu me radhë,” u shpreh ai për “Klan tv”.

Eurodeputeti austriak vlerësoi edhe punën e SPAK, që sipas tij nuk ka bërë dallime në goditjen e rasteve të korrupsionit.

“Kemi parë edhe me SPAK-un, Prokurorinë e Posaçme, që shumë raste të bujshme kanë qenë ministra nga parti të ndryshme politike, ndaj askush nuk është falur. Mendoj se kjo ishte e rëndësishme që Evropa të kuptonte se ka një vullnet për ta bërë këtë, për të kuptuar se Shqipëria po transformohet,” theksoi ai.

Në fund të intervistës së tij, Schieder dha tre mesazhe për forcat politike dhe autoritetet shtetërore.

“Nëse do të më kërkonit ta them me një fjalë, do të thosha: ta ruani këtë ritëm, ruani nxitjen drejt Bashkimit Evropian, ruani vullnetin për reforma.”

/r.e/a.f/

The post Raportuesi për Shqipërinë në PE, Schieder: Ruani vullnetin për reforma dhe nxitjen drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 22 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Brataj apel për vaksinim: Nuk jemi ende në kulmin e shifrave për virozat e stinës

22 January 2025 at 16:10

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj foli sot në një intervistë televizive për situatën e gripit në vend.

Brataj theksoi se nga nisja e simptomave të para dhe deri te mbikëqyrja e gjendjes shëndetësore për shkak të virozave të stinës, qytetarët nuk duhet të drejtohen menjëherë në spital apo në urgjencë.

“Sëmundjet virale nuk kanë komplikacione te personat e shëndetshëm. Ato me patologji, moshat e treta, fëmijët janë më të rrezikuar. Por, edhe ato format e lehtë duhen trajtuar në banesë. Duke parë këto 2-3 ditë e fundit, gjendjen e Italisë dhe Shqipërisë, shifrat janë në rritje. Nuk mund të themi që jemi në kulmin e pandemisë. Gripi është në sezonin e vet dhe këto numra janë të vërtetuara se janë prekur me COVID apo gripin e stinës. Ky i fundit dallohet me një test të thjeshtë, pasi gripi shfaqet me temperaturë të menjëhershme 39-40 gradë. Ka këto simptoma: dhimbje muskujsh, bllokim hundësh, kollë”, tha Brataj.

Kreu i Urgjencës Kombëtare bëri thirrje për vaksinim kundër gripit, ndërkohë që fushata informuese dhe ndërgjegjësuese ka nisur që në tetorin e vitit të kaluar.

“Gripi pati disa ndërprerje këto vite. Ka pësuar dhe ai këto ndryshimet e veta. Mediet online propaganduan antivaksinimin, por mendoj se do të ishte shuar bota po të kishim dëgjuar këshillat e tyre. Falë vaksinimit janë zhdukur sëmundje të tjera. Viruset kanë materiale ADN-je, që ndryshojnë gjithmonë. Janë 250 mijë viruse që qarkullojnë. Vaksinimi është baza nga sezoni në sezon. Fëmijët nga 1-5 vjeç dhe personat mbi 65 vjeç mirë do të ishte ta bënin që në tetor, kur fillon fushata e vaksinimit”, theksoi Brataj.

/r.e/a.f/

The post Brataj apel për vaksinim: Nuk jemi ende në kulmin e shifrave për virozat e stinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Malaj: Transformim i parkut natyror të Liqenit të Ulzës në atraksion turistik

8 January 2025 at 23:09

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Parku natyror i Liqenit të Ulzës do të shndërrohet në një nga atraksionet më të bukura për turistët në çdo stinë të vitit.

Kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj bëri të ditur bëri të ditur se rehabilitimi i parkut do të sjellë edhe zhvillim ekonomik për zonën.

“Një investim tejet i rëndësishëm për Matin, pasi falë mbështetjes së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me zbatimin e këtij projekti, vendi ynë do të ketë një zhvillim të konsiderueshëm të turizmit”, theksoi Malaj.

Sipas tij, Ulza është perla turistike e zonës, por me krijimin e zonës së plazhit dhe shëtitores do të shndërrohet në një nga atraksionet më të bukura turistike për turistët në çdo stinë të vitit.

Projekti për rehabilitimin e Parkut Natyror “Liqeni i Ulzës” dhe zonave përreth tij synon të arrijë rikualifikim dhe rikompozim të parkut duke kryer edhe ndërhyrje specifike në infrastrukture, ngritjen e qendrës së informimit duke aplikuar struktura në harmoni me natyrën, ngritjen e mjediseve çlodhëse si dhe argëtuese për vizitorët, si dhe identifikimin dhe krijimin e shtigjeve natyrore.

Parku Natyror “Liqeni i Ulzës” dhe zonat përreth tij ofrojnë një potencial shumë të mirë për zhvillimin e turizmit natyror, të kombinuar me kulinarinë, hiking, lundrimin në liqen, etj.

Nëpërmjet këtij projekti synohet të realizohet ruajtja në gjendjen natyrore të peizazhit, sistemet ekologjike dhe karakteristikat natyrore të zonës. /j.p/

The post Malaj: Transformim i parkut natyror të Liqenit të Ulzës në atraksion turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 7 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

OBSH informacion rreth metapneumovirusit, simptomat dhe kujdesi që duhet treguar

7 January 2025 at 15:54

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë si dhe zyra qendrore e OBSH-së, kanë publikuar disa informacione të përgjithshme lidhur me metapneumovirusin sipas të dhënave deri më 5 Janar 2025.

Çfarë është Metapneumovirusi Njerëzor (hMPV)?

Metapneumovirusi njerëzor (hMPV) është një virus i zakonshëm respirator, i zbuluar për herë të parë në vitin 2001 nga shkencëtarë holandezë. Ai shkakton sëmundje të rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes. Virusi ndjek një model sezonal, duke arritur kulmin në dimër ose në fillim të pranverës.

Si përhapet hMPV?

  • Cërklat e prodhuara gjatë kollitjes dhe teshtitjes.
  • Kontakti i ngushtë personal, si puthja, prekja ose shtrëngimi i duarve.
  • Prekja e sipërfaqeve të kontaminuara dhe më pas prekja e gojës, hundës ose syve.

Simptomat kryesore

Simptomat përfshijnë kollë, ethe, bllokim të hundëve dhe fishkëllima gjatë frymëshkëmbimit. Shumica e rasteve janë të lehta, me simptoma të ngjashme me rrufën e zakonshme.

Kush është në rrezik?

  • Foshnjat dhe të moshuarit.
  • Personat me imunitet të dobësuar.
  • Individët me sëmundje të mushkërive si astma, COPD ose emfizema.

Pasojat e mundshme
Në raste të rënda, hMPV mund të çojë në bronkit ose pneumoni, veçanërisht tek grupet e rrezikuara.

Si të parandalojmë përhapjen e hMPV?

  • Qëndroni në shtëpi kur jeni të sëmurë.
  • Mbani maska në ambiente të mbushura ose të ajrosura dobët.
  • Mbuloni kollën dhe teshtitjen me pecetë ose bërryl të përthyer.
  • Lani duart shpesh me ujë dhe sapun.
  • Shmangni prekjen e fytyrës me duar të palara.
  • Ndiqni këshillat e mjekut dhe merrni vaksinat e rekomanduara.

A ka trajtim ose vaksinë kundër hMPV?
Aktualisht nuk ka trajtim specifik ose vaksinë për hMPV. Kujdesi mjekësor është kryesisht simptomatik. Medikamentet pa recetë mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave, ndërsa inhalatorët mund të përshkruhen për pacientët me fishkëllimë ose kollë të rëndë.

Situata aktuale në Kinë

Sipas raportit të fundit të 2 janarit 2025 nga Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, niveli i infeksioneve respiratore (përfshirë gripin sezonal, RSV dhe hMPV) është në rritje të pritur për dimrin, por në krahasim me vitin e kaluar aktiviteti i gripit është më i ulët.

Mesazhi për qytetarët:

Parandalimi i përhapjes së hMPV dhe patogjenëve të tjerë respiratorë është i mundur duke ndjekur masat bazë të higjienës dhe këshillat mjekësore. Këto masa përfshijnë: qëndrimin në shtëpi kur jeni të sëmurë, ndjekjen e këshillave mjekësore për kujdesin, mbajtjen e maskave në hapësira të mbushura me njerëz ose të ajrosura dobët, mbulimin e kollës dhe teshtitjes me pecetë ose bërryl të përthyer, praktikimin e larjes së rregullt të duarve, shmangien e prekjes së syve, hundës ose gojës me duar të palara dhe marrjen e vaksinave të rekomanduara kundër gripit sezonal, sipas këshillave të mjekut dhe autoriteteve lokale të shëndetit publik.

Kujdesuni për veten dhe të tjerët!

/e.i/ /a.g/

 

The post OBSH informacion rreth metapneumovirusit, simptomat dhe kujdesi që duhet treguar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 December 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

KAZAKISTAN – Rrëzohet një avion pasagjerësh, ende i paqartë numri i viktimave

25 December 2024 at 09:37

AKTAU, 25 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një aeroplan pasagjerësh nga Azerbajxhani u rrëzua pranë qytetit Aktau në Kazakistan, raportuan mediat kazake me numrin e njerëzve në bord fillimisht të paqartë.

Agjencia shtetërore kazake e lajmeve Kazinform tha se 105 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit ishin në bordin e avionit, ndërsa agjencia Tengrinews raportoi se 67 persona në bordin e avionit, i cili po udhëtonte nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku në Grozny, kryeqyteti i republikës ruse të Çeçenisë.

Ministri i Shëndetësisë së Kazakistanit, Akmaral Alnazarova tha se të paktën gjashtë persona i mbijetuan aksidentit.

Raporte të tjera sugjerojnë se 12 persona u plagosën dhe u dërguan në spital.

Ndërsa avioni u rrëzua pranë aeroportit Aktau në Detin Kaspik, video të shumta të përplasjes u shpërndanë në rrjetet sociale, duke treguar një kolonë të trashë tymi të zi mbi vendin e rrëzimit.

Aeroporti i Groznit thuhet se është mbyllur për shkak të mjegullës, duke e detyruar avionin të devijojë drejt Makhachkala, kryeqyteti i republikës ruse të Dagestanit. /os/

The post KAZAKISTAN – Rrëzohet një avion pasagjerësh, ende i paqartë numri i viktimave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 December 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gripi i stinës, Mjeku Lama për ATSH: 250 vizita në ditë në Urgjencën Pediatrike, rekomandohet dietë e pasur ushqimore

24 December 2024 at 08:55

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Me afrimin e pikut të stinës së dimrit, infeksionet virale dhe gjendjet gripale bëhen edhe më të pranishme, duke prekur të gjitha grup-moshat e shoqërisë, sidomos ato të moshës pediatrike, pra fëmijët.

Shefi i Shërbimit të Urgjencës Pediatrike, dr. Albert Lama, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, foli jo vetëm për qarkullimin e virozave dhe sezonin gripal në të cilin jemi futur zyrtarisht, por edhe për pikun që pritet të jetë në muajt e ardhshëm, janar dhe shkurt.

“Temperatura është përgjigje e trupit ndaj inflamacionit që shkaktohet nga infeksionet, qoftë virale apo bakteriale. Infeksionet virale të tillë si influenca apo dhe RSV prekin kryesisht rrugët e frymëmarrjes dhe si të tillë shkaktojnë kollë nga përgjigjja imunitare e trupit ndaj virusit, po kështu dhe temperaturë, në varësi të rastit dhe frymëmarrje të rënduar. Ambientet komunitare sigurisht që ndikojnë në përhapjen e infeksioneve virale duke qenë se janë ngjitëse dhe kontaktet e afërta ndikojnë në përhapjen e tyre. Stina e ftohtë gjithashtu ndikon në përhapjen e infeksioneve virale”, thotë ai.

Mjeku Lama thekson se sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në vendin tonë kemi prani të infeksioneve virale të tipeve A dhe B.

“Sigurisht që kemi duke qenë se këto infeksione virale, qoftë influenca tipit A apo B, janë të zakonshëm në stinën e dimrit, ku aktualisht jemi. Gjithsesi përgjigjja shkencore është serologjike ndaj prezencës së këtyre viruseve dhe përgjigjen e jep ISHP. Infeksionet virale të stinës së ftohtë janë influenca tipi A dhe B. Tek fëmijët e vegjël qarkullon dhe RSV (virusi sincicial i frymëmarrjes) dhe kanë simptomatologji përgjithësisht të njëjtë, me prekje respiratore e temperaturë. Dallimi i tyre bëhet me analizat serologjike të popullatës së prekur”, thekson Kreu i Urgjencës Pediatrike për ATSH.

Sipas tij, “tek fëmijët, temperatura e lartë zgjat disa ditë. Kjo është e ndryshueshme, nga rasti në rast, dhe temperatura e lartë menaxhohet me përdorimin e antipiretikëve që jepen në varësi të gjendjes klinike dhe variojnë nga rasti në rast, gjithashtu dhe përdorimi i kompresave është i këshillueshëm. Në Urgjencën e Pediatrisë vizitohen rreth 200-250 raste në ditë gjatë 24 orëve, shumica e të cilëve marrin trajtim ambulator dhe rekomandohen të ndiqen në vazhdimësi pranë mjekut të familjes, ndërsa rastet e komplikuara apo që paraqesin një gjendje klinike jo të mirë, trajtohen me shtrim në spital”.

Shefi i Urgjencës Pediatrike shton se numri i vizitave ditore pritet të rritet deri në 300 raste në janar dhe shkurt. “Megjithatë janë shumica e rasteve që marrin trajtim ambulator, ndërsa raste të rënduara që trajtohen për më tutje me shtrim spitalor janë përafërsisht rreth 10% e rasteve të vizituara”.

Sipas Lamës, “grup-moshat pediatrike më të riskuara janë mosha letante deri një vjeç dhe mosha deri në katër vjeç. Kjo nuk do të thotë se grup-mosha më e madhe nuk preket apo rrezikohet nga infeksionet virale, por përgjigjja imunitare është më e mirë, që bën të mundur një simtomatologji më të lehtë në përgjithësi”.

Për një kapërcim më të lehtë të gjendjes virale, mjeku Lama rekomandon ushqime të freskëta, dietë të pasur ushqimore dhe fruta e zarzavate të stinës si dhe suplemente vitaminash.

Një dietë e pasur dhe konform grup-moshës pediatrike është gjithmonë mirë dhe ndihmon për një imunitet më të mirë.

/r.e/

The post Gripi i stinës, Mjeku Lama për ATSH: 250 vizita në ditë në Urgjencën Pediatrike, rekomandohet dietë e pasur ushqimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 17 December 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gonzato: Fuqizimi i grave dhe rruga drejt BE, procese jetike për Shqipërinë

17 December 2024 at 21:52

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, foli sot në një takim me gratë se angazhimi për barazinë gjinore dhe fuqizimi i tyre në rolet vendimmarrëse janë procese jetike për vendin dhe rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“BE mbetet e vendosur në angazhimin e saj për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave si shtylla të rëndësishme të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sigurimi i mundësive të barabarta për gratë, veçanërisht në politikë dhe vendimmarrje, është thelbësor për përparimin dhe prosperitetin e vendit dhe për një shoqëri kohezive ku gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë në të gjithë diversitetin e tyre mund të përmbushin aspiratat e tyre”, u shpreh ai.

Sipas ambasadorit Gonzato, “fuqizimi i grave dhe rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, jo vetëm që janë të ndërlidhura, por janë jetike për progresin, stabilitetin dhe prosperitetin e ardhshëm të Shqipërisë. Arsimi, kujdesi shëndetësor dhe pjesëmarrja politike janë vetëm disa fusha ku përfshirja e grave mund të bëjë një ndryshim transformues”.

/a.f/r.e/

The post Gonzato: Fuqizimi i grave dhe rruga drejt BE, procese jetike për Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Integrimi në BE, Lamallari: Rezultat i punës dhe reformave ndër vite

17 December 2024 at 21:42

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari u shpreh sot në një intervistë për media, për rrugën drejt integrimit në BE dhe çeljen e negociatave për kapitullin e gjashtë. Ai e vlerësoi si një moment shumë të rëndësishëm dhe të veçantë për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare.

Lamallari nënvizoi se e gjitha kjo arritje është si pasojë e punës së vazhdueshme, duke shtuar se qeveria mbetet e vendosur për të vijuar me këtë ritëm, në mënyrë që të procedohet sa më shpejt edhe me hapjen e grup-kapitujve të tjerë.

“Është një moment shumë i rëndësishëm i veçantë. Çdo konferencë ndërqeveritare është një gur kilometrik në hapat e fundit që Shqipëria po bën drejt BE. Është rezultat i një pune të mundimshme prej vitesh. Nga kjo ditë jemi shumë të vendosur për të vijuar me këtë ritëm dhe me këtë energji. Vetëm dy muaj më parë hapëm grup-kapituj të rëndësishëm. Asnjë grup-kapitull nuk mund të konsiderohet i lehtë.

Çdo kapitull ka rëndësinë e tij. Shqipëria e ka bërë shumë të qartë politikën e saj të Jashtme, dhe ne përputhemi me BE. Kemi qenë ndër vendet që kemi sanksionuar Rusinë dhe po ashtu jemi edhe ndër vendet e rëndësishme. Pozicioni i Shqipërisë u pranua për vetë masat, për të arritur në këtë ditë dhe për të hapur këtë grup-kapitull shumë të rëndësishëm.

Nga janari do të fillojmë me takime javore, monitorime nga Komisioni Europian dhe jam i bindur që brenda pranverës të bëjmë të pamundur që t’i japim mundësisë Shqipërisë që të procedojmë me hapjen e grup-kapitujve të tjerë. Është një proces transformuar dhe në dobi të shoqërisë shqiptare për vitet që do të vijnë”, tha ai.

/r.e/a.f/

The post Integrimi në BE, Lamallari: Rezultat i punës dhe reformave ndër vite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 December 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ibrahimaj: Bashkë kundër korrupsionit që dëmton shtetbërjen dhe ekonominë tonë

10 December 2024 at 14:11

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Shtetin, Sipërmarrjen dhe klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj foli sot në tryezën publike me temë: “Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit në sektorët me risk të lartë në qeverisjen qendrore dhe vendore”.

Ibrahimaj e vuri theksin te bashkërendimi i punës në shumë sektorë publik, por sidomos ato kyç për ekonominë e vendit që mund të luftojnë korrupsionin në çdo formë të tijën.

Ministrja tha se “korrupsioni është një dukuri që pavarësisht investimeve që janë bërë në dixhitalizim, apo në sektorë të caktuar në institucione ku janë ngritur mekanizma sinjalizues, sërish ka shfaqje të tij.”

“Vura re që gjatë analizës në të gjithë sektorët me risk të lartë, tatime, dogana, prokurime, konçesione, Partneritet Publik Privat janë katër elementët kyç që ritheksohen: transparenca, ndryshimet ligjore, profesionalizmi i Administratës Publike dhe digjitalizimi i procedurave. Besoj që ndër vite ne jemi munduar t’i dedikohemi dhe të përqendrohemi në të gjithë sektorët në përmirësimin e tyre, por ne jetojmë këtu dhe e dimë që ka ende sfida”, tha Ibarhimaj.

“Unë besoj fort që ky lloj dialogu që vë në tryezë ekspertë dhe përfaqësues të sektorit privat, por edhe institucionet publike, por edhe shoqatat e shoqërisë civile, ky është mekanizmi për të kuptuar se çfarë elementësh duhet të përfshihen në planet e veprimit. Ndaj dua të ftoj të gjithë përfaqësuesit që të shprehin mendimet e tyre lirshëm, pasi për ne është e rëndësishme që përveç dokumenteve strategjike që kemi punuar me Bashkimin Evropian në adresimin e këtyre katër elementëve, mbase ka eksperiencë praktike që na shërben për të pasur plane veprimi konkrete, pasi korrupsioni mbetet një dukuri që dëmton shtetbërjen dhe ekonominë tonë”, u shpreh në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj.

The post Ibrahimaj: Bashkë kundër korrupsionit që dëmton shtetbërjen dhe ekonominë tonë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 7 December 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kurti ekspozon emblemat e sekuestruara serbo-ruse në veri

7 December 2024 at 19:06

PRISHTINE, 7 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Albin Kurti ka ekspozuar emblemat ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë që u kapën pas sulmit terrorist të 29 nëntorit në kanalin ujor të “Ibër-Lepencit”.

Ai ka thënë se ky zbulim dëshmon përfshirjen potenciale të grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse me lidhje të forta në Serbi, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon.

“Stabiliteti dhe paqja në Ballkan kërkojnë një reagim të unifikuar dhe vendimtar kundër këtyre aksioneve terroriste dhe aktiviteteve destabilizuese që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe vlerat demokratike në rajon”, ka shkruar Kurti.

Pas bastisjeve në veri, në lidhje me sulmin terrorist në Varagë të Zubin Potokut, Policia e Kosovës kishte konfiskuar sasi të konsiderueshme të armatimit, municionit, uniforma dhe pajisje të ndryshme. Në lidhje me rastin ka pasur edhe arrestime.

 

Lexo po ashtu
Rektori i UP ka një paralajmërim për profesorët dhe i fton studentët ta anulojnë protestën

Menjëherë pas sulmit terrorist, kryeministri Kurti ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa organizimit të bandave kriminale serbe.

 

“Ata po dëshirojnë të shkaktohet panik edhe te ne me sulme të tilla. S’kanë çka t’i bëjnë ushtrisë, policisë së Kosovës dhe as Kosovës, por do të gjendet ndonjë njeri që do të hedhë ndonjë granatë”, kishte thënë ai.

Kurti ka ndërlidhur sulmet e fundit terroriste me ato të Federatës Ruse ndaj infrastrukturës kritike në Ukrainë. Pesha e pasojave të këtij sulmi, po të arrinte qëllimin e tij, do të shkaktonte për javë të tëra ndërprerje të prodhimit të energjisë nga TC Kosova B, duke lënë pa energji elektrike mbi gjysmën e popullatës së Kosovës dhe pa ngrohje 130 mijë qytetarë të Prishtinës.

Më tej, do të kishte ndërprerje të ujit në fabrikat Shkabaj, Drenas, Shipol, Balincë duke lënë pa ujë mbi 300 mijë qytetarë të Mitrovicës së Jugut, Skenderajt, Vushtrrisë, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Drenasit, Fushë Kosovës e Obiliqit, e duke rrezikuar furnizimin edhe për mbi 300 mijë të tjerë në Prishtinë dhe kësisoj do të rrezikoheshin shërbimet e tjera që varen nga rryma sikur telekomunikimet. KosovaPress

The post Kurti ekspozon emblemat e sekuestruara serbo-ruse në veri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rizzo: Reformat, pjesë kyçe e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE

15 November 2024 at 19:23

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Shefi i Sektorit Politik të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Andre Rizzo mori pjesë në Samitin e Qeverisjes së Hapur të Ballkanit Perëndimor 2024, aktivitet që u mbajt në Tiranë në datat 14-15 nëntor. Rizzo e vuri theksin te rëndësia e reformave, si një pjesë kyçe e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

“Bashkimi Evropian ka qenë një mbështetje e fortë e Partneritetit të Qeverisjes së Hapur, duke njohur vlerën e tij në forcimin e qeverisjes dhe nxitjen e besimit të qytetarëve. Ne shohim gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së bashkive në zbatimin e parimeve të qeverisjes së hapur edhe në nivel lokal. Ndërmarrja e reformave të tilla janë thelb të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE”, tha Andre Rizzo.

Samiti i Qeverisjes së Hapur të Ballkanit Perëndimor 2024 mblodhi së bashku liderë dhe ekspertë për të diskutuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe angazhimin qytetar.

“I fokusuar në qeverisjen e hapur dhe inovacionin digjital, samiti theksoi reformat kryesore që e çojnë rajonin më afër integrimit në BE dhe fuqizimin e qytetarëve të tij. Ky samit shërbeu gjithashtu si një platformë për të ndarë sukseset, për të adresuar sfidat dhe për të ndërtuar lidhje më të forta në të gjithë rajoni”, u shpreh Rizzo. /j.p/

Nga punimet dyditore të Samitit për Qeverisjes së Hapur të Ballkanit Perëndimor 2024
1 nga 4

The post Rizzo: Reformat, pjesë kyçe e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SERBI – Rritet numri i viktimave prej shembjes së soletës së stacionit hekurudhor

2 November 2024 at 10:49

BEOGRAD, 2 nëntor /ATSH-DPA/ – Numri i njerëzve të vrarë pas shembjes së një solete betoni në stacionin kryesor të trenit në qytetin verior serb të Novi Sadit është rritur në 14, deklaroi ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç.

”Mes viktimave ishte një vajzë 6 ose 7-vjeçare, theksoi ministri pas përfundimit të operacioneve të shpëtimit.

Dhjetëra persona kanë mbetur të plagosur, tre prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Qeveria serbe shpalli të shtunën ditë zyrtare zie në të gjithë vendin.

Aksidenti ka ndodhur rreth mesditës së të premtes. Shkaku është ende nën hetim.

Punimet e ndërtimit ishin duke u zhvilluar në kohën e shembjes, por kompania kineze përgjegjëse për rinovimet e vazhdueshme në objekt tha se tenda e jashtme nuk ishte prekur. /os/

The post SERBI – Rritet numri i viktimave prej shembjes së soletës së stacionit hekurudhor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 October 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Nis riparimi i ish-shtëpisë së ushtarakëve në Mat, strehohen 35 familjeve

27 October 2024 at 14:11


TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Ish shtëpia e ushtarakëve në Mat ka nisur të riparohet për t’u shndërruar në shtëpi banimi për 35 familje në nevojë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja si dhe kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj inspektuan sot këtë punimet në këtë kantier, teksa theksuan se godina do të jetë multifunksionale, ku një pjesë do të jetë për banim dhe një pjesë tjetër e godinës për shërbime.

Kosto totale për riparimin e këtij objekti llogaritet 69 milionë lekë.

“Ish-shtëpia e Ushtarakëve me sipërfaqe totale 2 740 m2 do të strehojë në kushte të përshtatshme për jetesë 35 familje në nevojë.Kjo tregon se bashkia Mat është e angazhuar për të qenë pranë banorëve të saj”, tha ministri.

Më parë kjo ndërtesë ishte zaptuar nga banorët. Pas riparimit, për familjet që nuk kanë mundësi për të pasur një banesë do të rikthehen në këtë ndërtesë, tashmë të adaptuar për tu banuar.

/a.f/

The post Nis riparimi i ish-shtëpisë së ushtarakëve në Mat, strehohen 35 familjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌