Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

TENIS: Djokovic mposht Sinnerin dhe shkon në finalen e Australian Open, përballë Alcaraz

31 January 2026 at 00:11

MELBOURNE, Australi, /ATSH/ Novak Djokovic ka siguruar kualifikimin në finalen e Australian Open, pasi ka mposhtur në një përballje të fortë gjysmëfinale italianin Jannik Sinner, numri 2 i botës, pas pesë seteve të luftuara në “Rod Laver Arena”.

Kampioni serb triumfoi me rezultatin 6-3, 3-6, 6-4, 4-6, 6-4, në një ndeshje që zgjati mbi katër orë dhe konfirmoi edhe një herë përvojën dhe qëndrueshmërinë e Djokovic në momentet vendimtare të turneve Grand Slam. Me këtë fitore, Djokovic siguron një tjetër finale madhore dhe do të përballet për titullin me spanjollin Carlos Alcaraz, numrin 1 të renditjes botërore.

Sinner, i cili vinte në këtë turne pas paraqitjeve shumë të mira dhe me ambicie të mëdha për titull, arriti t’i rezistonte presionit të kampionit serb, duke barazuar dy herë rezultatin në sete. Megjithatë, në setin e pestë dhe vendimtar, Djokovic tregoi qetësi dhe saktësi më të madhe në pikët kyçe, duke mbyllur ndeshjen në favorin e tij.

Ndeshja u karakterizua nga ritëm i lartë, shkëmbime të gjata dhe nivel të lartë teknik nga të dy tenistët. Sinner u shfaq agresiv në lojën nga vija e fundit dhe me shërbime të fuqishme, ndërsa Djokovic mbështeti fitoren e tij te përvoja, lëvizja e shkëlqyer në fushë dhe menaxhimi i momenteve të vështira.

Me këtë sukses, Djokovic vijon të konfirmojë statusin e tij si një nga tenistët më dominues në historinë e Australian Open, turne ku ka arritur disa herë të ngrejë trofeun. Finalja ndaj Carlos Alcaraz pritet të jetë një nga më të shumëpriturat e viteve të fundit, duke vënë përballë përvojën e kampionit serb dhe energjinë e brezit të ri të tenisit botëror.

Nga ana tjetër, pavarësisht eliminimit, Jannik Sinner largohet nga Melbourne me një tjetër paraqitje pozitive, që forcon pozitat e tij në elitën e tenisit dhe konfirmon se ai mbetet një prej pretendentëve kryesorë për tituj Grand Slam në të ardhmen e afërt.

Finalja e Australian Open pritet të zhvillohet në fundjavë dhe do të përcaktojë kampionin e parë të Grand Slam-it për këtë sezon.

The post TENIS: Djokovic mposht Sinnerin dhe shkon në finalen e Australian Open, përballë Alcaraz appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA: Mijëra protestojnë në Minneapolis kundër administratës Trump dhe ICE-it

31 January 2026 at 00:05

MINNEAPOLIS, 31 janar / ANSA /ATSH/ Mijëra persona kanë zbritur në rrugët e qendrës së Minneapolis për të protestuar kundër administratës së presidentit Donald Trump dhe masave shtrënguese ndaj emigrantëve, të zbatuara nga agjencia federale ICE (Immigration and Customs Enforcement).

Protesta në Minneapolis ishte pjesë e një dite mobilizimi mbarëkombëtar, e cilësuar nga organizatorët si një “national shutdown”, me manifestime të zhvilluara edhe në qytete të tjera të mëdha amerikane, përfshirë New York-un. Pavarësisht temperaturave të ulëta, pjesëmarrja ishte e gjerë, me protestues që marshonin ngadalë duke brohoritur sloganin: “Të kujt janë rrugët? Rrugët janë tonat”.

Qindra persona të tjerë ndoqën protestën nga Skyway, rrjeti i korridoreve të mbuluara mbi rrugë që lidhin ndërtesat në qendër të qytetit, duke mbajtur pankarta kundër veprimeve të ICE-it.

Në mbështetje të protestës ka kontribuar edhe muzikanti i njohur amerikan Bruce Springsteen, i cili u shfaq si i ftuar surprizë në një koncert bamirësie të organizuar nga Tom Morello i grupit Rage Against The Machine, në ambientet e lokalit historik First Avenue, në qendër të Minneapolis. Springsteen doli në skenë me një kitarë ku ishte shkruar slogani “Arrest The President”, duke shprehur qëndrimin e tij kritik ndaj administratës Trump dhe asaj që ai e cilësoi si brutalitet të ICE-it.

Gjatë ditës u shënua edhe një zhvillim i bujshëm, me arrestimin e gazetarit Don Lemon, ish-prezantues i rrjetit CNN, i cili po ndiqte një protestë të zhvilluar në një kishë të qytetit. Arrestimi ka ngjallur reagime dhe shqetësime lidhur me lirinë e medias dhe të drejtën e raportimit.

Protestat janë nxitur nga indinjata publike pas vdekjes së dy shtetasve amerikanë, ngjarje që protestuesit ia atribuojnë veprimeve të forcave federale gjatë operacioneve kundër emigrantëve.

The post SHBA: Mijëra protestojnë në Minneapolis kundër administratës Trump dhe ICE-it appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Merz skeptik ndaj planeve për rimodelimin e lidershipit të BE-së

30 January 2026 at 23:01

ZAGREB, 30 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz shprehu skepticizëm mbi realizueshmërinë e propozimeve të gjerë për reformimin e Bashkimit Evropian, të paraqitura nga lideri i Partisë Popullore Evropiane (EPP), Manfred Weber.

Weber ka sugjeruar që dy pozicionet kryesore të BE-së të bashkohen për të rritur efektivitetin e bllokut në çështjet ndërkombëtare.

“Të arrish ndryshime traktatesh në këtë Bashkim Evropian me 27 vende është një detyrë mjaft e vështirë”, tha Merz në fillim të samitit të EPP-së në Zagreb.

Ai shtoi se duhet të përqendrohen kryesisht tek aftësia mbrojtëse dhe konkurrueshmëria ekonomike.

Liderët e EPP-së po diskutojnë në Zagreb për rolin e Evropës në një rend botëror ku fuqitë kryesore luajnë rol dominant.

Weber, i intervistuar nga revista gjermane “Der Spiegel”, propozoi që pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2029, posti i presidentit të Komisionit Evropian të bashkohet me atë të presidentit të Këshillit Evropian.

”BE-ja nuk luajti rol udhëheqës në krizën e fundit për Ukrainën dhe Groenlandën”, theksoi ai.

Weber mbështeti gjithashtu krijimin e një ushtrie evropiane dhe vendosjen e forcave të përbashkëta paqeruajtëse në Ukrainë si bazë për këtë.

Merz nënvizoi se BE-ja ka hequr praktikisht dorë nga parimi i unanimitetit në tregun e brendshëm, ku përdoret gati kudo votimi me shumicë të kualifikuar, dhe se kjo qasje duhet të zgjerohen gradualisht edhe në politikën e jashtme dhe sigurinë.

Sot, BE-ja përfaqësohet në samitet ndërkombëtare nga dy figura: presidenti i Këshillit dhe presidenti i Komisionit, gjë që ndonjëherë e bën të paqartë se kujt duhet t’i drejtohen të huajt për çështje të caktuara.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, përgjigjet kryesisht për propozimet ligjore dhe respektimin e traktateve, ndërsa presidenti i Këshillit, António Costa, kryeson dhe përgatit samitet e BE-së./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Merz skeptik ndaj planeve për rimodelimin e lidershipit të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 30 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – SHBA vendos sanksione të reja ndaj politikanëve iranianë

30 January 2026 at 22:33

UASHINGTON, 30 janar /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj përfaqësuesve të lartë të udhëheqjes iraniane pas shtypjes brutale ndaj demonstruesve në Iran.

“Fokusi është tek ministri i Brendshëm iranian, Eskandar Momeni, i cili thuhet se është përgjegjës për shtypjen e dhunshme të protestave mbarëkombëtare”, tha Departamenti i Thesarit i SHBA-së në një njoftim për shtyp të lëshuar sot.

Momeni thuhet se mbikëqyr forcat iraniane të sigurisë, të cilat Uashingtoni i fajëson për vrasjen e mijëra demonstruesve.

Sanksionet synuan gjithashtu disa komandantë nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) elitare të Iranit dhe investitorin Babak Morteza Zanjani.

Ai dyshohet se ka përvetësuar miliarda nga biznesi i naftës dhe i ka vënë fondet në dispozicion të qeverisë në Teheran përmes strukturave të fshehta financiare.

Për herë të parë, SHBA vendosi gjithashtu sanksione ndaj dy bursave të kriptomonedhave të lidhura me Zanjanin.

Sipas Departamentit të Thesarit, asetet në SHBA do të bllokohen, marrëdhëniet e biznesit do të ndalohen dhe kufizimet e udhëtimit do të vendosen.

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, riafirmoi se qëndron me popullin iranian dhe do të vazhdojë të rrisë presionin mbi udhëheqjen në Teheran./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – SHBA vendos sanksione të reja ndaj politikanëve iranianë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – Guterres paralajmëron shtetet anëtare për kolaps financiar të OKB-së

30 January 2026 at 22:00

NJU JORK, 30 janar /ATSH–DPA/ – Për shkak të mungesës së pagesave nga ish-donatori më i madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka paralajmëruar për kolaps të menjëhershëm financiar të OKB-së.

Sipas një letre të Guterres, drejtuar 193 shteteve anëtare, thuhet se situata financiare e organizatës po përkeqësohet shpejt, dhe nëse nuk gjendet një zgjidhje, atëherë fondet për buxhetin e rregullt mund të mbarojnë në korrik.

Guterres i kërkoi të gjitha shteteve anëtare që ose të paguajnë në kohë ose të reformojnë rregullat e financimit të OKB-së.

Vetëm SHBA-ja aktualisht i detyrohet Kombeve të Bashkuara disa miliarda dollarë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kritikuar organizatën disa herë më parë./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post NJU JORK – Guterres paralajmëron shtetet anëtare për kolaps financiar të OKB-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Irani kërkon të përfundojë një marrëveshje me SHBA‑në

30 January 2026 at 21:23

UASHINGTON, 30 janar  /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se Iranit i intereson të arrijë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, edhe pse ai nuk zbuloi ndonjë afat të caktuar për arritjen e saj.

Presidenti Trump u tha gazetarëve në Zyrën Ovale se, sipas tij, iranianët duan të bëjnë një marrëveshje.

Ai tha gjithashtu se kishte dhënë një afat për Teheranin, të cilën vetëm iranianët e dinë me siguri.

”Shpresojmë që do të arrijmë një marrëveshje. Nëse ndodh, është mirë. Nëse jo, do të shohim çfarë do të ndodhë”, shtoi Trump.

Presidenti Trump theksoi gjithashtu se SHBA ka dërguar një forcë të madhe ushtarake drejt rajonit përballë Iranit, duke nënkuptuar një shtim të forcave në Gji.

Zyrtarët iranianë, përfshirë ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi, përsëritën se Irani është i gatshëm të rifillojë negociatat mbi programin bërthamor, por me kushte të barabarta dhe pa negociuar kapacitetet e tij të mbrojtjes.

Araghchi tha se forcat iraniane janë të gatshme të përgjigjen fuqishëm ndaj çdo sulmi amerikan, “por gjithashtu është i hapur ndaj një marrëveshjeje” që siguron të drejtën e Iranit për teknologji paqësore bërthamore dhe ndalon armët bërthamore./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Irani kërkon të përfundojë një marrëveshje me SHBA‑në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Instrumente të reja financiare në shërbim të sportit dhe rinisë

30 January 2026 at 21:13

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i dorëzoi sot flamurin kombëtar ekipit olimpik Team Albania që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore 2026, të cilat do të zhvillohen në datat 6-22 shkurt në Milano dhe Cortina d’Ampezzo të Italisë.

I pranishëm në ceremoninë e mbajtur në Pallatin e Brigadave, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se po konsultohet në publik ligji i ri i sponsorizimeve, i cili do t’i japi një energji të munguar sportit.

“Do t’i hapim një dritare krejt tjetër dhe një mundësi krejt të re për të çliruar ato energji që deri më tani kanë qenë të munguara në shërbim të sportit. Do të kemi një instrument tjetër që do të sjell një fond i cili do të jetë një fond special, që do të jetë në shërbim të artit, kulturës, sportit. Ne të gjitha këto ia dedikojmë edhe rinisë në mënyrë direkte, sepse ku ka më shumë rini sesa në këto sfera”, tha Gonxhja.

“Gjithashtu sapo kaluam në qeveri, aktet nënligjore të lojërave të fatit, që do të bëjë të kemi shumë shpejt zbatueshmërinë e një ligji, i cili do të sjellë një divident të sigurt, të menjëhershëm, goxha të lartë për sportin. Kështu që jemi në prag të ditëve shumë të mira”, vijoi ai.

Ministri Gonxhja falënderoi presidentin e Federatës së Skive, duke e etiketuar një biznesmen të shkëlqyer. Gonxhja shprehu mirënjohjen edhe për figura të tjera sportive që lartësojnë emrin e Shqipërisë në këtë disiplinë sportive si Lara Colturi, Denni Xhepa, Semire Dauti dhe Elisa Brunga.

/e.i/r.e/a.f/

The post Gonxhja: Instrumente të reja financiare në shërbim të sportit dhe rinisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sulaj: Asnjë tolerancë për ndotjen e territorit

30 January 2026 at 21:05

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Policia Bashkiake e Tiranës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ka konstatuar një rast të depozitimit të paligjshëm të mbetjeve inerte në hapësirë publike.

Në njoftimin e bashkisë, thuhet se gjatë verifikimeve në terren, u identifikuan personat përgjegjës për këtë shkelje, të cilët u ndëshkuan administrativisht, ndërsa materialet procedurale u referuan pranë organeve kompetente për veprime të mëtejshme ligjore.

Në lidhje me këtë aksion, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, i cili ishte në krye të monitorimit të situatës, u shpreh se Policia Bashkiake vijon të kryejë me përkushtim detyrën për kontrollin e territorit.

“Policia Bashkiake Tiranë vazhdon të jetë në lartësinë e detyrës që i është besuar për kontrollin e territorit. Ky rast duhet të shërbejë si një thirrje për çdo ndërtues apo kompani që të respektojë ligjin dhe të mos e shkelë atë. Bashkia e Tiranës monitoron në mënyrë të vazhdueshme territorin dhe ka nën vëzhgim çdo kantier ndërtimi”, deklaroi Sulaj.

Bashkia e Tiranës njofton se do të vijojë kontrollet intensive në terren dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të ndotjes së mjedisit apo shkeljes së ligjit në hapësirat publike.

/e.i/a.f/

The post Sulaj: Asnjë tolerancë për ndotjen e territorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj i dorëzon flamurin ekipit përfaqësues në Lojërat Olimpike Dimërore 2026

30 January 2026 at 20:54

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i dorëzoi sot flamurin kombëtar ekipit olimpik “Team Albania” që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore 2026, të cilat do të zhvillohen në datat 6-22 shkurt 2026 në Milano dhe Cortina d’Ampezzo të Italisë.

“Flamuri kuqezi që po merrni sot është i “rëndë”. Ai mban në vetvete pritshmërinë e një vendi të tërë. Flamuri kuqezi nuk ju kërkon domosdoshmërisht medalje, ju kërkon dinjitet. Ai mishëron vlerat e paqes, respektit, krenarisë. Ai i tejkalon kufijtë përmes sportit.  Flamuri kuqezi ju kërkon të tregoni se Shqipëria është aty me ju, është e fortë, e denjë dhe e barabartë mes të barabartëve dhe mes më të mirëve të botës. Nisuni me besim! Garoni fort dhe me nder. Flamuri është në duart tuaja”, deklaroi Presidenti i Republikës, ndërsa i dorëzoi ekipit tonë flamurin kombëtar.

Veç urimit për sukses në Alpet e Italisë, Begaj i shprehu ekipit tonë të skiatorëve mirënjohje dhe përgëzime për atë që kanë arritur në sport, duke e renditur Shqipërinë krah vendeve që kanë traditë shekullore në sportet dimërore dhe njëherazi u uroi sukses në gara.

“Një fakt i tillë na bën të gjithëve krenarë”, deklaroi Kreu i Shtetit.

“Në Lojërat Olimpike të Milanos dhe Cortinës ju do të përfaqësoni Shqipërinë, vendin tuaj, do të mbani ambicien e Shqipërisë që po garon me më të mirët, aty ku deri dje ishim thjesht vizitorë të largët. Fakti që sot renditemi me dinjitet krah vendeve që kanë traditë shekullore në sportet dimërore, duhet të na bëjë të gjithëve krenarë. Kjo tregon se madhësia e një kombi për t’u përfaqësuar në sport e kudo nuk matet vetëm me kilometrat katrorë të pistave të skive që ne mund të kemi, apo terreneve sportive që ne mund të kemi, por matet me madhësinë e zemrës së atyre sportistëve që na përfaqësojnë”, theksoi Presidenti.

“Investimi tek talenti i jashtëzakonshëm i Lara Colturit dhe mbështetja për sportistët tanë, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti, tregojnë qartë se sporti shqiptar ka dalë nga faza e pjesëmarrjes simbolike”, u shpreh Begaj, i cili falënderoi të gjithë kontribuuesit që bënë të mundur arritjen e deritanishme dhe bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët.

Duke iu drejtuar katërshes së ekipit shqiptar që do të përfaqësojë flamurin kuqezi në Lojërat Olimpike Dimërore 2026 në Itali, Kreu i Shtetit theksoi se kjo pjesëmarrje, pavarësisht rezultatit, ju bën fitues të krenarisë së të gjithë shqiptarëve, veçanërisht të brezit të ri që mëson përmes shembullit tuaj se suksesi vjen me disiplinë, me punë, përkushtim dhe pasion.

“Kur të jeni në startin e garës, mbani mend se pas jush janë familjet tuaja, të cilat unë dua t’i falënderoj pafund për sakrificën e tyre, janë federatat dhe Komiteti Olimpik, por pas jush është edhe një popull i tërë që po mësohet të shohë flamurin e tij kuqezi të garojë si i barabartë mes të barabartëve”, deklaroi Presidenti i Republikës.

1 nga 3

/r.e/a.f/

The post Begaj i dorëzon flamurin ekipit përfaqësues në Lojërat Olimpike Dimërore 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lettieri: Gjyqtari të bëjë vlerësim autonom për paraburgimin, të arsyetojë pse nuk zbatohen masat alternative

30 January 2026 at 20:53

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot se “dyshimi i arsyeshëm” është një formulë që ka marrë më qafë shumë njerëz, duke mbajtur individë në burg pa gjyq.

Duke sjellë në vëmendje mesazhin e Nicola Lettierit, zëvendësprokuror i përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë, dhënë gjatë aktivitetit të djeshëm në Tiranë, Rama tha se kjo formulë ka marrë më qafë shumë njerëz që në fund kanë dalë të pafajshëm, po edhe të dërrmuar psikologjikisht, apo që mban sot nëpër burgje pa gjyq njerëz që nesër mund të dalin të pafajshëm.

Sipas Kreut të Ekzekutivit, çështja e paraburgimit është një ndër disa pikat mbi të cilat duhet reflektuar seriozisht, për ta bërë Shqipërinë një vend ku prezumimi i pafajësisë të mos dhunohet nga prezumimi i fajësisë.

Ndër të tjera, Lettieri u shpreh se ajo çfarë sugjerohet është që të përdoret në një dispozitë specifike, 228 e Kodit Penal, një formulim specifik i “bazës së arsyeshme” për prova apo indicie serioze në vend të formulimit aktual që është “dyshim i arsyeshëm”.

“Nuk ka një prag, një kufi të shprehur të veprës penale për t’u ndaluar. Prokurori mund ta kërkojë këtë gjë, gjyqtari mund ta miratojë masën e sigurimit për çdo vepër penale. Kjo nuk është koherente me të njëjtin Kod në Shqipëri sepse Neni 241, parashikon se masat e ndërmjetme apo ndaluese që janë më pak ndëshkuese se masa e paraburgimit, mund të zbatohen vetëm në procese që përfshijnë vepra penale të ndëshkueshme me ligj me një dënim me më shumë se 1 vit burg”, pohoi ai.

Zëvendësprokurori i përgjithshëm i Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Italisë tha se njëherësh duhen mbajtur në fokus edhe kriteret e arsyetimit ligjor.

“Ajo çfarë kemi dashur të shmanget është që gjyqtari mund të miratojë një masë duke iu referuar vetëm kërkesës që vjen nga prokurori, pa bërë asnjë përpjekje për të parë dosjen dhe për të krijuar opinionin e tij, të shmangë formulat stereotipe. Ndaj ne sugjerojmë dy ndryshime, ndryshime në nenin 245. I pari është kur kërkohet paraburgim, gjykata duhet të kërkojë arsye specifike pse e konsideron këtë ndalim të përshtatshëm ose jo, duke e përcaktuar atë në nenin 237”, tha Lettieri, ndërsa theksoi se gjykata nuk mund të kufizohet në miratimin e kësaj mase dhe duhet të thotë shprehimisht pse masat alternative nuk mund të zbatohen.

Sipas tij, gjyqtari nuk mund t’i referohet vetëm kërkesës që vjen nga prokurori, por duhet të provojë se kryen një vlerësim/shqyrtim autonom dhe në qoftë se kjo nuk bëhet, atëherë gjykata e një shkalle më të lartë mund ta anulojë këtë masë.

/e.i/a.f/r.e/

The post Lettieri: Gjyqtari të bëjë vlerësim autonom për paraburgimin, të arsyetojë pse nuk zbatohen masat alternative appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Vdes aktorja e njohur kanadezo-amerikane Catherine O’Hara

30 January 2026 at 20:49

LOS ANXHELES, 30 janar /ATSH/ – Aktorja kanadezo-amerikane, Catherine O’Hara, e famshme për rolet e saj në filmat klasikë “Home Alone” dhe serialin komik të suksesshëm “Schitt’s Creek”, ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare, sipas tmz.com.

Lajmi u konfirmua sot nga menaxheri i saj.

Sipas raporteve, O’Hara ka vdekur në shtëpinë e saj në Los Anxheles pas një sëmundjeje të shkurtër.

Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë zyrtarisht publik.

Ajo u bë e famshme në filmat e viteve ’80 e ’90, përfshirë edhe komedinë e njohur “Beetlejuice”.

U bë shumë e dashur për interpretimin e saj si Moira Rose në serialin komik “Schitt’s Creek”, ku u shqua me humorin dhe stilin unik të personazhit.

O’Hara u vlerësua me çmime të rëndësishme, duke përfshirë edhe ”Emmy Awards”.

Catherine O’Hara do të mbahet mend si një nga figurat më të mëdha të komedisë dhe kinemasë moderne, e dashur nga miliona njerëz në mbarë botën.

Ajo u lind më 4 mars 1954 në Toronto, Kanada.

Ajo u rrit në një familje me prejardhje irlandeze dhe që në adoleshencë pati një prirje natyrore për humorin dhe performancën.

Karriera e saj nisi në fund të viteve 1970, kur iu bashkua trupës së improvizimit ”The Second City” në Toronto dhe më vonë në Chicago, një vend ku shumë artistë komikë të njohur nisën emrat e tyre.

Ajo shquhej për aftësinë e jashtëzakonshme për të krijuar personazhe të çuditshme, zëra të pazakontë dhe për të improvizuar me humor të fortë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post KINEMA – Vdes aktorja e njohur kanadezo-amerikane Catherine O’Hara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përparim Rama mbështet Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

30 January 2026 at 20:27

PRISHTINË, 30 janar /ATSh/ Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë pritur në takim nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili u ka dhënë mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

Hoxha dhe Tasholli e kanë njoftuar kryetarin Rama me aktivitetet në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për këtë Marsh.

Sipas një njoftimi, përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha e vlerësoi mbështetjen institucionale që po merr marshi nëpër Kosovë.

“Mbështetja nga kryeqyteti është dëshmi se kjo kauzë i përket ndërgjegjes qytetare. Marshi “Drejtësi, jo politikë” është thirrje paqësore për drejtësi të paanshme dhe për respektimin e së vërtetës sonë historike”, tha Hoxha.

Edhe përfaqësuesi tjetër i platformës, Ismail Tasholli theksoi rëndësinë e mobilizimit gjithëpërfshirës.

“Ky Marsh nuk është kundër drejtësisë, por kundër politizimit të saj. Më 17 shkurt marshojmë si qytetarë, për dinjitetin e luftës çlirimtare dhe për drejtësi joselektive”, tha Tasholli.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se lufta e e UÇK-së ishte luftë e drejtë e lindur nga populli.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Prishtinës t’i bashkohen masovisht Marshit për drejtësi, në shenjë solidarizimi me çlirimtarët që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, shtoi Rama.

Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës, me synimin e një mobilizimi sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

/KosovaPress//r.e/

The post Përparim Rama mbështet Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria avancon me paketat ligjore për Kapitullin e Mjedisit

30 January 2026 at 20:21

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Ministria e Mjedisit po avancon me përmbushjen e reformave dhe harmonizimin e legjislacionit në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, së bashku me një ekip të ministrisë, u takuan këtë javë me Grupin Ndërinstitucional të Integrimit Europian për Kapitullin 27, me fokus në përshpejtimin e reformave në mjedis dhe përfaqësimin e legjislacionit shqiptar me acquis-in e BE-së.

Gjatë takimit u diskutua rishikimi i Planit të Veprimit, vendosja e një ritmi mujor për dorëzimin e paketave të plota ligjore, si dhe ndërtimi i një sistemi të fortë monitorimi të brendshëm, me qëllim garantimin e koordinimit të institucioneve dhe respektimin e afateve të përcaktuara.

Jaupaj nënvizoi se vitet 2026 dhe 2027 do të jenë një “kantier ligjor” për Kapitullin 27, duke kërkuar angazhim maksimal nga të gjitha institucionet.

Ai theksoi se vetëm përmes koordinimit të vazhdueshëm dhe monitorimit të fortë do të arrihet përmbushja e standardeve europiane dhe avancimi i Shqipërisë në rrugën e integrimit.

Sipas ministrit, implementimi i këtij ritmi dhe ndërtimi i sistemeve të brendshme të monitorimit janë vendimtarë për të siguruar dorëzimin në kohë të paketave ligjore dhe për të garantuar progres real në harmonizimin e legjislacionit mjedisor me BE-në.

1 nga 4

/e.xh/r.e/a.f/

The post Shqipëria avancon me paketat ligjore për Kapitullin e Mjedisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SERBI – Policia sekuestron pesë tonë marijuanë, sasia më e madhe në historinë e vendit

30 January 2026 at 20:11

BEOGRAD, 30 janar /ATSH/ – Policia serbe ka sekuestruar rreth pesë tonë marijuanë, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në vend, pas një operacioni në një kompani bujqësore, në fshatin Konjuh, pranë qytetit të Krushevcit, bëri të ditur ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, sipas Reuters.

Sipas tij, janë arrestuar dy persona, ndërsa një i dyshuar tjetër mbetet në arrati.

”Kjo është një sasia më e madhe e kapur ndonjëherë”, tha Daçiç në një deklaratë, duke shtuar se policia ka sekuestruar gjithashtu katër armë automatike dhe një hedhës raketash antitank.

Prodhimi i kanabisit mbetet i paligjshëm në Serbi, megjithëse aktivistë të ndryshëm po promovojnë legalizimin e tij për përdorim mjekësor.

Daçiç theksoi se hetimet do të përcaktojnë origjinën e kanabisit të sekuestruar.

Serbia, e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka intensifikuar vitet e fundit përpjekjet kundër trafikimit dhe prodhimit të drogave.

Shumica e drogave që qarkullojnë në vend vijnë nga Lindja e Mesme dhe Amerika Latine.

Në këtë aksion, i cilësuar si më i madhi në historinë e vendit, policia gjeti në fshatin Konjuh afro pesë tonë marijuanë dhe katër armë automatike.

Fotografitë nga vendngjarja tregojnë një numër të madh kutish ku ishte depozituar droga, si dhe armët e sekuestruara./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post SERBI – Policia sekuestron pesë tonë marijuanë, sasia më e madhe në historinë e vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TIA mbyll 2025-ën me 11,6 milionë pasagjerë

30 January 2026 at 20:02

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Transporti ajror në Shqipëri po shënon një rritje të qëndrueshme, si në numrin e fluturimeve, ashtu edhe në pasagjerë, duke reflektuar zhvillimin ekonomik dhe rritjen e kërkesës për lëvizshmëri ndërkombëtare.

Tirana International Airport (TIA) njoftoi se gjatë vitit 2025 u ka shërbyer 11,6 milionë pasagjerëve, duke regjistruar rritje, krahasuar me 10,7 milionë pasagjerë në vitin 2024.

Ky rekord përfaqëson një sukses të rëndësishëm për transportin ajror dhe është një tregues i qartë i rritjes së kapacitetit dhe efikasitetit të infrastrukturës ajrore në vend.

Rrjeti ajror i TIA-së përfshin 68 destinacione, operim me 17 linja ajrore dhe lidhje direkte me 22 shtete, duke ofruar mundësi të gjera për lëvizjen e pasagjerëve, veçanërisht gjatë periudhës së festave të fundvitit.

Rritja e vazhdueshme e trafikut shoqërohet me zgjerim të destinacioneve, përmirësim të shërbimeve dhe investime në infrastrukturë, duke e kthyer TIA-n në një nyjë të rëndësishme lidhjeje për rajonin dhe më gjerë.

Administratori i aeroportit falënderon udhëtarët për besimin dhe mbështetjen e tyre gjatë vitit 2025, duke theksuar se investimet e vazhdueshme synojnë rritjen e cilësisë së shërbimeve, fluksin e fluturimeve dhe mbështetjen e turizmit dhe biznesit në Shqipëri.

/e.xh/r.e/a.f/

The post TIA mbyll 2025-ën me 11,6 milionë pasagjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Java e 22-të e Superiores, Vllaznia e Elbasani luajnë në transfertë, Egnatia pret Tiranën

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Java e 22-të e kampionatit “Abissnet Superiore” do të zhvillohet në fundjavë dhe pritet të ofrojë përballje interesante në luftën për objektivat sezonalë.

Të shtunën luhen tri ndeshje. Takimi i parë është ai mes Vorës dhe Flamurtarit, që do të luhet në orën 13:30 në stadiumin “Vora”. Një sfidë e fortë mes dy skuadrave që synojnë tri pikët për të përmirësuar pozitat në renditje.

Në orën 16:30, në stadiumin “Arena e Demave”, Partizani do të përballet me AF Elbasanin. Një ndeshje e shumëpritur, ku të dyja skuadrat hyjnë në fushë me synimin për fitore. AF Elbasani ndodhet vetëm një pikë larg kreut të renditjes, ndërsa Partizani kërkon të reagojë pas humbjes së fundit ndaj Vllaznisë.

Ndeshja e fundit e ditës së shtunë do të luhet në stadiumin “Air Albania” në orën 19:00, ku Dinamo City pret Bylisin. Pas dy humbjeve radhazi, blutë do të kërkojnë rikthimin te fitorja përpara tifozëve të tyre.

Dy takimet e fundit të javës së 22-të janë programuar të dielën në orën 16:30. Në stadiumin “Niko Dovana”, Teuta do të përballet me Vllazninë, skuadër që po kalon një moment shumë të mirë dhe kryeson kampionatin. Nga ana tjetër, durrsakët ndodhen në një periudhë jo pozitive, pasi në tetë ndeshjet e fundit nuk kanë arritur asnjë fitore.

Në “Egnatia Arena”, kampionët në fuqi të Egnatias do të presin Tiranën. Rrogozhinasit në tre ndeshjet e fundit kanë regjistruar dy barazime dhe një humbje dhe do të synojnë rikthimin te fitorja në shtëpi. Ndërkohë, Tirana vjen nga një formë pozitive, me 7 pikë të grumbulluara në tre ndeshjet e fundit dhe synon një tjetër rezultat pozitiv për t’iu afruar Flamurtarit dhe Bylisit në renditje.

Abissnet Superiore, java  e 22-të
FK Vora – Flamurtari 31.01.2026 13:30
Partizani – AF Elbasani 31.01.2026 16:30
Dinamo City – Bylis 31.01.2026 19:00
Teuta – Vllaznia 01.02.2026 16:30
Egnatia – Tirana 01.02.2026 16:30

The post Java e 22-të e Superiores, Vllaznia e Elbasani luajnë në transfertë, Egnatia pret Tiranën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Integrimi në BE, Pirdeni merr pjesë në Dialogun Politik në Romë

30 January 2026 at 19:58

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni mori pjesë në Dialogun Politik në Romë, mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Në njoftimin për shtyp thuhet se dialogu shërbeu si një platformë për diskutime të thelluara mbi sfidat e procesit të negociatave, me fokus të veçantë në fushat e shtetit të së drejtës.

Ministrja Pirdeni theksoi angazhimin e pandërprerë të Shqipërisë për të ruajtur ritmin e procesit të negociatave dhe për t’i qëndruar besnikë zotimit për mbylljen e negociatave në nivel teknik brenda vitit 2027.

/e.i/r.e/a.f/

The post Integrimi në BE, Pirdeni merr pjesë në Dialogun Politik në Romë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Asllani drejt firmës me Beshiktash

30 January 2026 at 19:57

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Mesfushori i Kombëtares Shqiptare, Kristjan Asllani është pranë transferimit te Beshiktash në Superligën turke të futbollit.

Futbollisti 23-vjeçar, pas transferimit në formë huazimi në fillim të sezonit nga Interi te Torino në Serinë A, tashmë ndryshon sërish skuadër, duke u bërë gati të hedhë firmën për ekipin turk të Beshiktashit.

Asllani ka mbërritur sot në Stamboll, ku pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore dhe më pas të firmosë kontratën 6-mujore me klubin turk, i cili ka publikuar edhe pamjet e para të mesfushorit shqiptar me fanellën e Beshiktashit.

“Kristjan Asllani, futbollisti profesionist me të cilin kemi nisur negociatat për transferimin, ka mbërritur në Stamboll për të vijuar bisedimet dhe për të kaluar kontrollin mjekësor”, njofton klubi turk.

23-vjeçari me origjinë nga Elbasani nuk arriti të shkëlqejë në fazën e parë të sezonit te Torino, por tashmë do të ketë në dispozicion gjithë fazën e dytë për të bindur trajnerin Sergen Yalçın dhe drejtuesit e klubit turk për një transferim përfundimtar.

Beshiktashi do të paguajë pagën e plotë të futbollistit shqiptar për periudhën që do ta ketë në dispozicion, ndërsa gjatë verës së ardhshme mund ta blejë nga Interi, pasi palët kanë përfshirë në kontratë edhe një opsion për blerjejen përfundimtare të të drejtave sportive të mesfushorit, por jo me detyrim.

/a.f/r.e/

The post Asllani drejt firmës me Beshiktash appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku tërhiqen nga Asociacioni e Komunave të Kosovës

30 January 2026 at 18:54

PRISHTINË, 30 janar /ATSh/ Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka miratuar sot vendimin për tërheqjen nga Asociacioni e Komunave të Kosovës, me 12 vota pro dhe dy vota kundër. Aty është anuluar edhe vendimi i Kuvendit Komunal të mëparshëm që kishte shumicë shqiptare, me të cilin ishin emëruar 87 rrugë.

Në seancën e kaluar, të mbajtur më 18 dhjetor, me kërkesë të kryetarit të sapozgjedhur të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, ishte miratuar kërkesa për daljen e komunës nga AKK. Megjithatë, sot u votua sërish për të njëjtën kërkesë, pasi ajo ishte kthyer nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me arsyetimin se “procedura nuk kishte qenë si duhet”.

Zëvendëskryesuesja e Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Aida Doli Ferati, ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet vendimi për tërheqje nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke thënë se ky veprim nuk po bëhet në interes të qytetarëve.

Ajo theksoi se vendimi po shtyhet më shumë për arsye politike, duke e konsideruar të papranueshme që të përdoret retorika e “të mirës së qytetarëve”, ndërkohë që, sipas saj, veprimet nuk janë në atë drejtim.

Anëtari i Kuvendit të Komunës i iniciativës “Veriu për të gjithë”, Marko Jakshiç, tha se mbështet vendimin dhe procedurat e ndjekura, por vuri në dukje se ka situata të komplikuara kur disa komunitete nuk pajtohen me shumicën.

Gjatë seancës së sotme në Kuvendi Komunal të Mitrovicës së Veriut është miratuar edhe propozim-vendimin për shfuqizimin e Vendimit për miratimin e listës për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe hapësirave të tjera publike në këtë komunë, i cili ishte marrë nga përbërja e kaluar e kuvendit, më 25 gusht të vitit të kaluar, kur ishin ndryshuar emrat e 87 rrugëve.

Për shfuqizimin e këtij vendimi votuan 12 asamblistë, ndërsa dy ishin kundër.

Marko Jakshiç nga iniciativa “Veriu për të gjithë”, gjithashtu theksoi se vendimi ishte marrë pa konsultime dhe se disa emra rrugësh ishin të papërshtatshëm, duke kërkuar rikthimin e gjendjes në mënyrë që të mos dëmtohej asnjë qytetar, pavarësisht komunitetit.

Jakshiç gjithashtu kërkoi që procedura të bëhet më me kujdes në mënyrë për të shmangur refuzimin e vendimit nga Ministria.

Asamblisti nga Partia Demokratike e Kosovës, Emir Azemi tha se emërtimi i rrugëve ku jetojnë komunitete të ndryshme është i ndërlikuar dhe se problemi nuk është vetëm i serbëve, por edhe i shqiptarëve.

Po ashtu, edhe Komuna e Zubin Potokut ka miratuar vendimin për tërheqjen nga Asociacioni e Komunave të Kosovës (AKK).

Këtë e konfirmoi për KosovaPress asamblisti nga rradhët e Vetëvendosjes, Vedat Mehmeti, i cili tha se për këtë vendim është votuar dhe vetëm dy asamblistë kanë qenë kundër.

/Kosovapress/

The post Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku tërhiqen nga Asociacioni e Komunave të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mitrovica e Veriut shfuqizon vendimin e kuvendit të kaluar komunal për emërtimin e 87 rrugëve

30 January 2026 at 18:48

PRISHTINË, 30 janar /ATSh/ Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut në seancën e sotme ka miratuar propozimin për shfuqizimin e vendimit për miratimin e listës për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe hapësirave publike në këtë komunë, i cili ishte marrë nga përbërja e kaluar e kuvendit.

Për shfuqizimin e këtij vendimi votuan 12 asamblistë, ndërsa dy ishin kundër.

Vendimi për rrugët ishte marrë më 25 gusht të vitit të kaluar, kur kuvendi përbëhej nga shumica shqiptare, vendim ky me të cilin ishin ndryshuar emrat e 87 rrugëve, gjë që proceduralisht ishte pranuar nga ministria.

Megjithatë, me të marrë pushtetin, Lista Serbe kërkoi që ai vendim të shfuqizohet, gjë që ndodhi sot.

Lidhur me këtë, ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Nexhat Ugljani, ka deklaruar për KosovaPress, se procesi i emërtimit të rrugëve është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe brenda kuadrit të qeverisjes lokale.

Ai thekson se Lista Serbe do të ndjekë rrugën juridike për vendimet e kontestuara dhe se të gjitha vendimet e marra nga Kuvendi kanë qenë në përputhje me ligjin për vetëqeverisjen lokale.

Ish-kryesuesi shtoi se ministria do të vendosë për sa i përket vendimit të sotëm, pasi emërimi i rrugëve për 10 vite ka përfunduar.

/KosovaPress//r.e/

The post Mitrovica e Veriut shfuqizon vendimin e kuvendit të kaluar komunal për emërtimin e 87 rrugëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌