Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Pahlavi: Regjimi iranian përfundimisht do të bjerë

16 January 2026 at 22:45

UASHINGTON, 16 janar ATSH-AFP/ – Djali i ish-shahut të Iranit deklaroi sot se ishte i bindur se Republika Islamike do të binte përballë protestave masive dhe bëri thirrje për një ndërhyrje që synonte Gardën Revolucionare.

“Republika Islamike do të bjerë, nuk është çështje nëse, por kur”, pohoi Reza Pahlavi në një konferencë për shtyp në Uashington, duke shtuar se do të kthehej në Iran.

“Ky regjim është në momentet e tij të fundit, është gati të shembet”, tha ai.

Vala e protestave në Iran deri më tani është shuar nga një shtypje e dhunshme që ka lënë mijëra të vdekur, sipas ekspertëve dhe OJQ-ve, një javë pas fillimit të demonstratave masive kundër regjimit, ndër më të mëdhatë që nga shpallja e Republikës Islamike në vitin 1979.

“Kjo nuk është më thjesht shtypje, por një pushtim i huaj i veshur me rroba klerikësh”, tha Pahlavi.

“Ali Khamenei (Udhëheqësi Suprem i Iranit) dhe ndihmësit e tij kanë kryer krime masive kundër popullit iranian dhe kundër të gjithë njerëzimit”, shtoi ai.

Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të “mbrojë popullin iranian duke dobësuar kapacitetin shtypës të regjimit, veçanërisht duke synuar udhëheqësit e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike dhe infrastrukturën e tyre të komandës dhe kontrollit”.

Ai gjithashtu bëri thirrje për “ushtrimin dhe ruajtjen e presionit maksimal ekonomik mbi regjimin, ngrirjen e aseteve të tij në të gjithë botën”, si dhe “thyerjen e bllokadës së informacionit të regjimit duke lejuar akses të pakufizuar në internet, duke vendosur Starlink dhe mjete të tjera të sigurta komunikimi në shkallë të gjerë në Iran”.

Reza Pahlavi, trashëgimtar i fronit të shahut të Iranit, ka jetuar në mërgim në Shtetet e Bashkuara që nga revolucioni i vitit 1979 që rrëzoi babanë e tij.

Ai është shfaqur si një figurë mbështetëse në lëvizjen protestuese që tronditi vendin e tij./ a.jor.

The post FOKUS – Pahlavi: Regjimi iranian përfundimisht do të bjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Merz: Evropa të jetë më e pavarur strategjikisht nga SHBA-ja

16 January 2026 at 22:34

BERLIN, 16 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se Evropa duhet të bëhet më strategjikisht e pavarur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke paralajmëruar kundër rrezikut që kontinenti të lihet mënjanë në një rend botëror që po ndryshon.

Duke folur gjatë një takimi për fushatën zgjedhore lokale në landin e Baden-Württembergut, Merz tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po largohen nga një rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla dhe po lëvizin drejt një qasjeje më të bazuar në forcë.

“Ne nuk duhet të fusim kokën në rërë ose të përpiqemi të mbijetojmë në ndonjë qoshe”, tha Merz.

“Kjo lloj llogaritjeje nuk funksionon”, theksoi ai.

“Për t’u respektuar, Gjermania duhet të mësojë të mbrojë interesat e saj”, shtoi Merz./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post GJERMANI – Merz: Evropa të jetë më e pavarur strategjikisht nga SHBA-ja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Fëmijët amerikanë kalojnë një pjesë të madhe të ditës në shkollë në telefon

16 January 2026 at 22:01

SAN FRANCISKO, 17 janar /ATSH/ – Fëmijët dhe adoleshentët po kalojnë shumë më tepër kohë në telefon gjatë ditës së shkollës sesa mendojnë prindërit.

Një studim i ri i publikuar nga revista “JAMA” tregon se adoleshentët amerikanë nga 13 deri në 18 vjeç shpenzojnë mesatarisht rreth 70 minuta të ditës shkollore në telefon, kohë që përkon drejtpërdrejt me orarin e mësimit, sipas CNN.

Sipas autorit kryesor të studimit, Jason Nagata nga Universiteti i Kalifornisë, kjo kohë po merret nga momentet kur nxënësit duhet të jenë të përqendruar në mësim. Dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e përdorimit total të ekraneve, pasi kërkime të tjera tregojnë se adoleshentët kalojnë rreth 8,5 orë në ditë në argëtim digjital.

Ndryshe nga studimet e mëparshme që bazoheshin në vetëraportim, ky studim përdori një aplikacion që regjistroi realisht përdorimin e telefonit. Rezultatet treguan se gjatë shkollës, pjesa më e madhe e kohës shpenzohej në rrjete sociale si TikTok, Instagram dhe Snapchat, si dhe në lojëra dhe video në YouTube.

Edhe pse disa nxënës pretendojnë se telefoni u nevojitet për detyra shkollore, aplikacionet e përdorura rrallë kishin lidhje me mësimin. Studimi sugjeron gjithashtu se, pavarësisht rregullave kufizuese në shkolla, nxënësit po gjejnë mënyra për t’i anashkaluar ato.

Ekspertët këshillojnë që prindërit të mos i fajësojnë fëmijët, pasi telefonat janë të dizajnuar për të krijuar varësi. Në vend të ndëshkimit, rekomandohet dialogu dhe përfshirja e fëmijëve në vendosjen e rregullave, si dhe zgjidhje praktike si lënia e telefonit në shtëpi ose fikja e njoftimeve gjatë shkollës.

Po ashtu, prindërit duhet të japin shembullin e tyre. Studimet tregojnë se sjellja e prindërve ndaj telefonit ndikon drejtpërdrejt te fëmijët. Kufizimi i përdorimit të telefonit dhe promovimi i kohës pa ekrane mund të ndihmojnë në përmirësimin e përqendrimit, rezultateve shkollore dhe marrëdhënieve sociale të të rinjve./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Fëmijët amerikanë kalojnë një pjesë të madhe të ditës në shkollë në telefon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Wadephul: Gjermania synon një vend në Bordin e Paqes të Gazës

16 January 2026 at 21:34

BERLIN, 16 janar /ATSH-DPA/ – Gjermania po shpreson të marrë një vend në të ashtuquajturin Bord i Paqes për Gazën, tha sot ministri i Jashtëm Johann Wadephul  pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump për krijimin e këtij organiymi që do të mbikëqyrë administrimin tranzitor të bregut të Gazës.

”Gjermania është e gatshme të marrë përgjegjësi në këtë institucion të rëndësishëm”, tha Wadephul pas bisedimeve në Berlin me homologen e tij austriake Beate Meinl-Reisinger.

“Ne presim që bisedime konkrete të zhvillohen shumë shpejt dhe ndoshta edhe një ftesë”, shtoi ai.

Wadephul gjithashtu shprehu shpresën që faza e dytë e procesit të paqes në Gazë, e nisur nën ndërmjetësimin amerikan, të fillonte shpejt.

Trump postoi dje në platformën e tij Truth Social se ishte krijuar Bordi i Paqes.

Bordi do të mbikëqyrë punën e ashtuquajturit Komitet Kombëtar për Administrimin e Gazës, një grup prej 14 palestinezësh – thuhet se pa lidhje me Hamasin – i cili u takua për herë të parë të enjten në Kajro.

Ata do të mbikëqyrin jetën e përditshme dhe shërbimet bazë në Rripin e Gazës, i cili është shkatërruar pjesërisht nga më shumë se dy vjet luftë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post BERLIN – Wadephul: Gjermania synon një vend në Bordin e Paqes të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike detyrojnë mbylljen e shkollave

16 January 2026 at 21:21

KIEV, 16 janar /ATSH-AFP/ – Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko njoftoi sot se shkollat e kryeqytetit ukrainas do të mbyllen deri më 1 shkurt, në mes të krizës së shkaktuar nga bombardimet e fundit ruse, të cilat kanë sjellë ndërprerje masive të ngrohjes dhe energjisë elektrike.

”Që nga 19 janari, shkollat e kryeqytetit do të jenë të mbyllura deri më 1 shkurt”, shkroi Klitschko në llogarinë e tij në Telegram.

Administrata bashkiake njoftoi gjithashtu vendosjen, që nga sot, të masave të reja për kursimin e energjisë elektrike, ku ndriçimi publik i rrugëve do të reduktohet në 20% të kapacitetit dhe ndriçimet dekorative do të fiken.

Pas pushimeve të fundvitit, mësimi në shkollat e Kievit kishte rifilluar më 12 janar, si me praninë fizike ashtu edhe përmes mësimeve online, sipas autoriteteve lokale.

Por, bombardimet e fundit ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit kanë shkaktuar dëme të tilla, sa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shpallur gjendje emergjence në sektor.

Më 9 janar, sulmet ruse ndaj sistemit energjetik të Kievit shkaktuan ndërprerje të energjisë dhe ngrohjes ndër më të rëndat që nga fillimi i pushtimit të gjerë në shkurt 2022.

Në mes të të ftohtit të acartë, rreth 6 000 ndërtesa banimi, afërsisht gjysma e qytetit, mbetën pa ngrohje.

Autoritetet lokale vijojnë punën për të riparuar dëmet.

”Situata lidhur me furnizimin me energji, nga e cila varen shërbimet publike, mbetet shumë e vështirë”, deklaroi Klitschko./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post KIEV – Sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike detyrojnë mbylljen e shkollave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rregulla të reja për hyrjen në Kosovë, në fuqi nga 15 marsi

16 January 2026 at 21:14

PRISHTINË, 16 janar /ATSH/ Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ka publikuar një dokument udhëzues për shtetasit e huaj që hyjnë në Republikën e Kosovës, me qëllim informimin e tyre për detyrimet ligjore gjatë hyrjes, qëndrimit dhe punësimit në vend.

Sipas njoftimit, çdo shtetas i huaj, me rastin e hyrjes në Kosovë, detyrohet të zotërojë dokument të vlefshëm udhëtimi, vizë ose leje qëndrimi kur kërkohet, të respektojë qëllimin dhe afatin e qëndrimit, si dhe të lajmërojë adresën e qëndrimit brenda tri ditësh nga hyrja në vend. Po ashtu, kërkohet respektimi i ligjeve të Republikës së Kosovës dhe mospërbërja e kërcënimit për sigurinë dhe shëndetin publik.

Ministria ka bërë të ditur se qëndrimi afatshkurtër lejohet deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh, pa të drejtë punësimi pa leje pune. Çdo qëndrim mbi këtë afat kërkon aplikim për lejeqëndrim. Për qëllime punësimi, shtetasit e huaj duhet të pajisen me leje qëndrimi të përkohshme dhe leje pune, ndërsa puna pa leje është e ndaluar.

Gjithashtu, për qëndrime për studime, ribashkim familjar, arsye humanitare apo kërkime shkencore, kërkohet pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe plotësimi i kritereve ligjore përkatëse. Aplikimet mund të bëhen në misionet diplomatike ose në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion, në rastet kur nuk kërkohet vizë hyrëse.

Ministria paralajmëron se mosrespektimi i këtyre rregullave mund të rezultojë me masa ligjore, përfshirë anulimin e lejeqëndrimit, gjoba, urdhër largimi apo ndalim të hyrjes në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit, zbatimi i plotë i këtyre rregullave fillon më 15 mars 2026, ndërsa çdo hyrje pas kësaj date që nuk është në përputhje me udhëzuesin do të rezultojë me ndalim hyrjeje në Kosovë.

/KosovaPress//r.e/

The post Rregulla të reja për hyrjen në Kosovë, në fuqi nga 15 marsi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjatet me dy muaj paraburgimi për Veselin, Selimin e Krasniqin

16 January 2026 at 21:11

PRISHTINË, 16 janar /ATSh/ Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të qëndrojnë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë, të paktën.

Vendimin për zgjatjen e kësaj mase ndaj tre ish-eporëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjykohen bashkë me Hashim Thaçin, e mori Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në çështjen Thaçi.

Përmes një njoftimi kjo gjykatë bën me dije se në rastin në fjalë trupi gjykues ”konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit mund ta pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë krime të tjera”.

Gjithashtu, bëhet me dije se vendimi i fundit i rishikimit të paraburgimit të Thaçit u lëshua në dhjetor 2025, dhe rishikimi i ardhshëm pritet në shkurt..

Ky vendim erdhi një ditë pasi, Specialja njoftoi se nga 9 deri më 18 shkurt do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-katërshes së UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim për më shumë se pesë vjet.

/KosovaPress//r.e/

The post Zgjatet me dy muaj paraburgimi për Veselin, Selimin e Krasniqin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova bllokon ushqimin për fëmijë me origjinë nga Holanda

16 January 2026 at 21:07

PRISHTINË, 16 janar /ATSH/ Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) Kosovë ka njoftuar se ka bllokuar një produkt ushqimor për fëmijë pas konstatimit të substancës Cereulide në formulën e tij.

Lajmi ka ardhur pas njoftimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të Shqipërisë, përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), referencë 2025.9963.

Sipas AUV-së, subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar 462 copë të këtij produkti në Kosovë për kompaninë “Rossmann Kosova”. Në bashkëpunim me kompaninë, produkti është bllokuar dhe së shpejti do të nisë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Agjencia thekson se pavarësisht mungesës së inspektorëve, mbetet e përkushtuar në monitorimin e tregut dhe të zinxhirit ushqimor, për të garantuar që konsumatorët në Kosovë të kenë ushqim të sigurt dhe të shëndetshëm.

/KosovaPress//r.e/

The post Kosova bllokon ushqimin për fëmijë me origjinë nga Holanda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis nga zbatimi ligji për automjetet, serbët hyjnë pa probleme në Jarinjë

16 January 2026 at 21:04

PRISHTINË, 16 janar /ATSH/ Edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit për automjete, qytetarët kanë hyrë pa “telashe” në Pikën e Kalimii Kufitaë Jarinjë.

Ishin kryesisht serbë ata që hynin në Kosovë, edhe pse prapa kamerave nuk thanë se janë njoftuar me rregullat e reja të ligjit për automjete, i cili ka nisur së zbatuari sot në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Qeveria ka njoftuar se kjo është faza e parë e zbatimit, ku vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese lidhur me procedurat dhe rregullat specifike që parashihen me këto ligje.

Kjo periudhë e zbatimit njohës do të zgjasë deri më 15 mars. Pas kësaj date, do të nisë zbatimi i plotë i të gjitha procedurave dhe rregullave të përcaktuara me ligj.

Ky ligj parashikon që automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në vend më shumë se tre muaj ose mbi bazën e autorizimit.

Këto masa do të prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë dhe që deri më tani kanë drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi mbi bazën e autorizimit, ose nuk kanë pasur dokumente të Kosovës.

Zbatimi pa përjashtime i këtij ligji ishte parashikuar të fillonte më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e shtyu këtë afat deri në mesnatën e 15 janarit 2026, për të mundësuar zhvillimin e një fushate informuese.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të policisë për veri, Veton Elshani ka thënë se ligji do të zbatohet vetëm për ata që vijnë në Kosovë për turizëm, punë ose studime.

Nga Policia e Kosovës thanë se drejtimi i automjeteve me targa të huaja mbi bazën e autorizimit është në kundërshtim me Ligjin për komunikacionin.

Megjithatë, deri më tani, kjo praktikë është toleruar për t’u dhënë qytetarëve kohë t’i ndërrojnë targat.

Veton Elshani theksoi se, nga 15 janari në mesnatë, policia do ta zbatojë ligjin në terren. Ai shtoi se drejtimi i automjeteve mbi bazën e autorizimit do të lejohet vetëm në raste emergjente, por me paralajmërim.

“Për shembull, nëse dikush shkon në spital, nuk do ta ndalojmë dhe nuk do ta konfiskojmë menjëherë automjetin. Por, nëse i njëjti person ndalohet përsëri në ditët në vazhdim, mund t’i vendoset gjobë deri në 200 euro”, shpjegoi ai.

Kosova ndaloi në fund të vitit 2022 qarkullimin e automjeteve me targa me akronimet e qyteteve të Serbisë.

Kjo masë shkaktoi daljen e disa serbëve nga institucionet e Kosovës dhe rriti tensionet në terren.

Disa nga pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, i regjistruan më pas automjetet e tyre me targa të Serbisë dhe i përdornin ato mbi bazën e autorizimit.

Në këtë autorizim përfshihen të dhënat e kartës së identitetit të drejtuesit të automjetit, e cila lëshohet nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë, por që Prishtina zyrtare nuk e njeh.

/KosovaPress//r.e/

The post Nis nga zbatimi ligji për automjetet, serbët hyjnë pa probleme në Jarinjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pas heqjes së masave, Kosova kërkon avancim në integrimin evropian

16 January 2026 at 20:57

PRISHTINË, 16 janar /ATSH/ Paralajmërimi i Bashkimit Evropian për largimin e tërësishëm të masave ndëshkuese ndaj Kosovës është mirëpritur nga qeveria në detyrë.

Sipas tyre, lirimi i fondeve për Kosovën dhe mbështetja financiare që nga ky fillimvit është një vendim i duhur i BE-së, sado që, siç thonë ata, është i vonuar. Po ashtu, në ekzekutiv presin që këtë vit të ketë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian dhe avancimin në procese, siç është marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Bashkimi Evropian të enjten për KosovaPress, konfirmoi se ka nisur heqjen e masave ndaj Kosovës, duke hapur rrugën për lirimin e mbi 400 milionë eurove këtë fillimviti, në mbështetje financiare për vendin.

Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress, se lirimi i mjeteve financiare për Kosovën nga ky fillimviti, është pozitiv për vendin.

Madje, thekson nevojën që BE-ja të ndërmarrë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se krahas 216 milionë eurove që janë liruar në dhjetor të vitit 2025, synojnë që shumë shpejt të lirojnë edhe 205 milionë euro në fillim të këtij viti.

Ajo tha se ky vendim është marrë pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të fundit lokale. Derisa tregoi në detaje edhe se në cilat projekte do të përfitojë Kosova.

Në anën tjetër, hulumtuesja në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbëreshë Loxha, thotë për KosovaPress, se largimi i masave karshi përfitimit të mjeteve financiare është i rëndësishëm edhe në imazhin e Kosovës në aspektin ndërkombëtar.

Sipas saj, posa të formohen institucionet e reja në vend, duhet të punohet shumë në sanimin e çdo dëmi eventual që masat i kanë bërë Kosovës.

Gjatë së enjtes, edhe Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar se pret heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës në javët e ardhshme.

Jan Gert Koopman, drejtor i Drejtorisë për Zgjerim në KE, theksoi se bëhet fjalë për lirimin e më shumë se 400 milionë eurove, përfshirë edhe masat që KE-ja i kishte hequr fillimisht në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai shpjegoi se institucionet po punojnë paralelisht në programimin e mjeteve dhe në kontraktimin e projekteve që do të financohen.

/KosovaPress//r.e/

The post Pas heqjes së masave, Kosova kërkon avancim në integrimin evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Fushatë të re anëtarësimesh dhe përgatitje për zgjedhjet e 2027

16 January 2026 at 20:47

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama njoftoi sot gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, nisjen e fushatës së re të anëtarësimeve në Partinë Socialiste, si pjesë e përgatitjes për zgjedhjet e vitit 2027.

“Në Asamblenë e ardhshme do të lançojmë edhe fushatën e re të anëtarësimeve në Partinë Socialiste, që do të jetë një, se ne e kemi bërë gjithmonë, fushata e pranverës. Sepse kur të tjerët, gjithmonë historikisht ndodh kjo, kur tjerët merren me humbjen e shkuar, ne merremi me fitoren e radhës”, tha Rama

“Kemi zgjedhjet në 2027 dhe nëse gjërat do vazhdojnë kështu dhe nëse ata do të vazhdojnë të besojnë që ne do biem nga shiu, nga bora apo nga proceset e drejtësisë, rruga e të cilave është hapur prej nesh dhe garantohet prej nesh, ata le të jetojnë me këtë shpresë se në 2027 do të habiten kur të mbeten dhe pa ato 5 – 6 bashki që i kanë sot”, përfundoi Kryeministri.

/gj.m/a.f/

The post Rama: Fushatë të re anëtarësimesh dhe përgatitje për zgjedhjet e 2027 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Ligjvënës amerikanë vizitojnë Danimarkën për të ulur tensionet mbi Groenlandën

16 January 2026 at 20:41

KOPENHAGË, 16 janar /ATSH/ – Një delegacion dypartiak i Kongresit të SHBA-së vizitoi sot Danimarkën për të shprehur mbështetje ndaj Kopenhagenës  dhe Groenlandës, në një moment kur presidenti Donald Trump po rrit presionin për aneksimin e ishullit arktik.

Vizita synoi të dëgjojë shqetësimet lokale dhe t’i përcjellë ato në Uashington, me qëllim uljen e tensioneve, sipas BBC.

Delegacioni prej 11 anëtarësh u takua me kryeministren daneze Mette Frederiksen dhe kryeministrin e Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen. Senatori Chris Coons tha se qëllimi ishte “të ulet temperatura” përmes dialogut dhe të kuptohet pozicioni i vendeve të përfshira.

Presidenti Trump ka deklaruar se Groenlanda është jetike për sigurinë e SHBA-së dhe se ajo mund të merret “lehtë” ose “vështirë”, duke përmendur ide për blerje ose përdorim force. Danimarka dhe Groenlanda e kanë refuzuar kategorikisht çdo ide të tillë, duke theksuar sovranitetin e tyre.

Megjithëse Groenlanda ka popullsi të vogël, ajo është e pasur me burime natyrore dhe ka rëndësi strategjike për mbrojtjen, veçanërisht për sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe kontrollin e lëvizjeve në Arktik. SHB-ja  tashmë operon bazën ushtarake “Pituffik” dhe ka të drejtë të rrisë praninë ushtarake sipas marrëveshjeve ekzistuese.

Trump, megjithatë, ka këmbëngulur se SHBA-ja duhet ta zotërojë Groenlandën për ta mbrojtur nga kërcënime të mundshme ruse apo kineze. Danimarka ka paralajmëruar se një veprim i tillë do të minonte NATO-n, pasi aleanca nuk ka parashikuar kurrë përdorimin e forcës nga një anëtar kundër një tjetri.

Vendet evropiane janë rreshtuar në mbështetje të Danimarkës, duke theksuar se siguria e Arktikut është përgjegjësi e përbashkët e NATO-s. Disa prej tyre kanë dërguar trupa në Groenlandë për një mision të kufizuar zbulimi, ndërsa Franca ka njoftuar dërgimin e mjeteve tokësore, ajrore dhe detare.

Në SHBA, disa ligjvënës po përpiqen të bllokojnë aneksimin përmes projektligjeve, duke përmendur rolin e Kongresit në miratimin e fondeve ushtarake./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Ligjvënës amerikanë vizitojnë Danimarkën për të ulur tensionet mbi Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Angazhim maksimal të strukturave për protestën e 24 janarit

16 January 2026 at 20:40

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi sot angazhim maksimal të strukturave të PD për protestën e 24 janarit.

Gjatë mbledhjes me kryetarët e degëve, Berisha e përkufizoi vitin 2026 si vitin më vendimtar për opozitën dhe për Shqipërinë, duke theksuar se përballja me qeverinë aktuale nuk është më një betejë e zakonshme politike, por një mision historik për rrëzimin e asaj që ai e cilëson si një narko-diktaturë.

Berisha tha se duhet angazhim i çdo strukture për protestën e datës 24 janar. “Ne nisim këtë vit pasi në një betejë të pabarabartë, në një betejë të vështirë, ne ja kemi dalur të paraqesim me sukses para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar të vërtetat dramatike të narkoshtetit, të diktaturës autoritare apo autokracisë elektorale të Edi Ramës.”

Berisha tha se, “nuk vjen kush nga jashtë për ta hequr. Atë duhet ta heqim ne. Ne shqiptarët na kanë votuar për të përmbushur misionin tonë, largimin e tij nga pushteti”.

“Ndaj dhe duhet një dialog intensiv me anëtarët tanë, pasi kjo protestë ka rëndësi të madhe. Shqiptarët e presin nga ne me kohë këtë protestë, sikundër presin zërin tonë të revoltuar, kryengritjen tonë paqësore të përditshme deri në rrëzimin e tij”, tha Berisha.

Ai tha se beteja do bazohet tek guximtarët. “Po të shohësh në aparencë, ne jemi një parti e madhe. Jemi me një elektorat të madh. Por, natyrisht beteja krijon dhe problemet e veta. Ndaj dhe ne do e bazojmë këtë betejë në guximtarë, se vetëm ata do mund të shpëtojnë Shqipërinë. Nuk mundet asnjë nga ne të mendojë asgjë tjetër përveç përmbushjes së misionit tonë, largimit një minutë më parë nga pushteti të kësaj organizate kriminale”, tha Berisha.

/a.f/r.e/

The post Berisha: Angazhim maksimal të strukturave për protestën e 24 janarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VanHorn: Do ndjekim prioritetet e Trump në Shqipëri, forcim të SPAK dhe BKH-së

16 January 2026 at 20:38

TIRANË, 16 janar /ATSh/ E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, mori sot pjesë në përfundimin e trajnimit nga FBI të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) për Mbikëqyrjen e Analizës së Celularëve.

Gjatë fjalës së saj, Vanhorn theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve janë përparësi kryesore për SHBA-në.

E ngarkuara me punë e ShBA në Tiranë, foli në takimin ku ishin të pranishëm rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilirian Mandro, Kryeprokurori i Posaçëm Klodjan Braho, drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta si dhe ekspertë të FBI-së Brendan Collins dhe Kala, Joe Danneff nga ekipi i FBI-së për Mbikëqyrjen e Analizës së Celularëve.

“Kushdo që ndjek Ambasadën e Shteteve të Bashkuara këtu në Shqipëri e di se lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve janë përparësi kryesore për ne. Dhe kur Presidenti Trump bëri thirrje për eliminimin e plotë të krimit të organizuar ndërkombëtar, ai nënvizoi se këta kriminelë përdorin sjellje “të ndërlikuara të përshtatjes”, duke krijuar kërcënime të pazakonta dhe në zhvillim për sigurinë tonë kombëtare”, tha VanHorn.

VanHorn theksoi se ShBA ndjek më këmbëngulje prioritetet e presidentit Trump në Shqipëri për forcimin e institucioneve që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë.

“Dhe siç tha Sekretari Rubio, organizatat ndërkombëtare kriminale dhe terroriste, veçanërisht ato të angazhuara në trafikimin e narkotikëve, janë kërcënimi më i madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara në Hemisferën Perëndimore, ku këto grupe po destabilizojnë shtet-kombet dhe po i çojnë në emigrim masiv. Ne do të ndjekim me këmbëngulje prioritetet e Presidentit Trump në Shqipëri, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë. Rrjetet kriminale, përfshirë grupet shqiptare që bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës Latine të përmendura nga Sekretari Rubio, përbëjnë kërcënime të konsiderueshme për sigurinë dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë përmes aktiviteteve si trafiku i drogës dhe pastrimi i parave. Sikurse e keni parë përmes këtij kursi, këto krime po mundësohen nga teknologjitë moderne”, theksoi VanHorn.

Përmes këtij trajnimi, shtoi e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë, “tani keni mjete të reja hetimore dhe aftësi analitike për të shfrytëzuar të dhënat celulare në hetimet penale. Kjo përmirëson hetimet tuaja, duke siguruar gjithashtu respektimin e standardeve më të larta ligjore dhe etike”.

“Dhe ju tani keni pajisje dhe aftësi të reja për hetime të përmirësuara që do të çojnë në më shumë ndjekje penale dhe dënime më të forta të pjesëtarëve të krimit të organizuar”, përfundoi VanHorn. /m.q/j.p/

The post VanHorn: Do ndjekim prioritetet e Trump në Shqipëri, forcim të SPAK dhe BKH-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ligji “Për shërbimin diplomatik”, mundësi për përfshirjen e diasporës

16 January 2026 at 20:37

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama theksoi sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së rëndësinë e ligjit të shërbimit diplomatik si një hap për reformimin e Ministrisë së Jashtme dhe për të përmirësuar funksionimin e shërbimit diplomatik shqiptar.

Rama vuri në dukje se Ministria e Jashtme nuk ka patur reforma thelbësore dhe ligjet e mëparshme ishin vetëm një “makijazh” pa impakt real.

“Ne nuk kemi sot një shërbim diplomatik në lartësinë e sfidave që ka bota dhe Shqipëria. Ligji duhet të hapë rrugën për reformë, të sjellë ajër të pastër dhe të përfshijë njerëz të rinj”, tha Kryeministri.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e diasporës, duke nënvizuar se shqiptarët jashtë vendit duhet të përfshihen më shumë në aktivitetet diplomatike dhe përfaqësitë shqiptare nuk kanë struktura adekuate për ta lehtësuar këtë përfshirje.

Rama njoftoi se, Samiti i Diasporës do të zhvillohet në pranverë, ndërsa paralelisht do të ketë një kontakt të vazhdueshëm me komunitetin jashtë vendit.

Në lidhje me mbikëqyrjen parlamentare, Rama theksoi se Parlamenti nuk ka përmbushur misionin e vet për mbikëqyrjen e qeverisë dhe institucioneve të tjera, duke marrë kritika të vazhdueshme nga Bashkimi Europian.

Ai nënvizoi nevojën për koordinim dhe respektim të funksioneve të komisioneve parlamentare, duke e konsideruar këtë një hap të domosdoshëm për të përmirësuar performancën e institucionit.

Rama përfundoi duke theksuar se ligji i shërbimit diplomatik dhe puna e koordinuar e parlamentit janë elemente kyçe për një diplomaci më efikase dhe të përfshirë në sfidat e sotme globale.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Rama: Ligji “Për shërbimin diplomatik”, mundësi për përfshirjen e diasporës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Më shumë se një në pesë vizitorë ishte italian në nëntor

16 January 2026 at 20:35

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Shqipëria tërhoqi në nëntor të vitit që lamë pas një numër të madh vizitorësh nga jashtë, me pjesën më të madhe që vinte nga Italia, Kosova dhe Gjermania.

Më shumë se një në pesë vizitorë ishte italian. Turistët nga Kosova përbënin thuajse një të katërtën e totalit dhe gjermanët rreth 9%. Vizitorët nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kishin gjithashtu rritje.

Kjo rritje e dukshme pasqyrohet edhe në aktivitetin e strukturave akomoduese, ku numri i vizitorëve gjithsej u rrit me 30% krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar.

Vizitorët jorezidentë shënuan një rritje prej 31%, ndërsa vizitorët vendas u rritën me 28%.
Netqëndrimet gjithashtu u rritën me 29,8%, duke reflektuar interes në turizmin shqiptar.

Vizitorët jorezidentë qëndruan më shumë në hotele dhe akomodime të tjera, me një rritje prej 29,8%, ndërsa në zonat jobregdetare rritja ishte 21,6%.

Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 22,2%, nga 19,5% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke treguar se sektori po përfiton nga interesimi i shtuar i vizitorëve të huaj dhe vendas.

Rritja e vizitorëve dhe netqëndrimeve tregon se turizmi në Shqipëri po merr hov, duke u bërë një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe promovimin e vendit si destinacion turistik tërheqës.

/r.e/a.f/

The post Më shumë se një në pesë vizitorë ishte italian në nëntor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: PS, betejë qytetare dhe vullnetare kundër plastikës

16 January 2026 at 20:20

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama theksoi sot në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, se Partia Socialiste do të angazhohet në një betejë qytetare dhe vullnetare kundër plastikës.

“Fjala kyçe e fundit është “koordinimi””, u shpreh Rama, duke shtuar se kjo është përgjegjësi e drejtuesve, por çdo individ duhet të kontribuojë duke përfshirë të tjerët ose duke u përfshirë vetë në procese të përbashkëta.

Kryeministri vuri në dukje nevojën për një angazhim të përbashkët të PS dhe grupit parlamentar në një nismë kombëtare kundër ndotjes nga plastika, duke u fokusuar te shishet dhe qeset plastike.

“Është koha që të rindizen të gjithë motorët dhe paralelisht grupi parlamentar, së bashku me partinë, të angazhohemi dhe në nismën e madhe kombëtare kundër ndotjes, çka është një problem shumë i madh dhe çka nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveçse vetëdijesimit të të gjithëve që shishet plastike dhe qeset plastike nuk mund të hidhen rrugëve, sepse ndodh ajo që ndodhi”, tha Rama.

Ai rikujtoi situata të fundit në Shkozet dhe Gjirokastër, ku përkundër përpjekjeve të administratës lokale, mbeturinat plastike vazhduan të krijojnë probleme.

“Ne i kemi të evidentuara, sepse i ndjek Ministria e Bujqësisë, sepse nuk është më koha kur nuk pastrohej asgjë në Shqipëri dhe përmbytej e gjithë Shqipëria nga një shi vere, i kemi ndërtuar që në nëntor, të gjitha ato pika kanë qenë të pastruara, por prurjet janë kaq të mëdha sa ato mbushen menjëherë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, ky problem nuk zgjidhet me gjoba apo inspektime, por me ndërgjegjësimin e të gjithëve dhe shtoi se, Partia Socialiste do të angazhohet në një betejë qytetare dhe vullnetare kundër plastikës.

“Kjo nuk bëhet me polici, kjo nuk bëhet me inspektime, kjo nuk bëhet me gjoba, kjo bëhet me vetëdijesim, kështu që Partia Socialiste do të angazhohet e gjitha në një betejë qytetare dhe vullnetare kundër plastikës, kundër shisheve plastike, kundër qeseve plastike”, tha Rama.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Rama: PS, betejë qytetare dhe vullnetare kundër plastikës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Të ngrihet një grup nismëtar për ndryshimet kushtetuese, Kuvendi me 100 deputetë

16 January 2026 at 20:45

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, se përveç reformave të tjera në proces, duhet menduar edhe ngritja e një grupi nismëtar për ndryshime kushtetuese.

Rama theksoi se që në fillim të këtij mandati është shtruar nevoja për rishikimin e numrit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas tij, parlamenti aktual me 140 deputetë mund të reduktohet në 100, një hap që do të pritej pozitivisht nga publiku dhe do të sillte racionalizim të forcave dhe burimeve.

“Ne kemi një parlament me 140 vetë dhe fare mirë mund të kemi një parlament me 100 vetë. Kjo do të ishte e mirëpritur nga publiku dhe do të ndihmonte në racionalizimin e burimeve”, u shpreh Kryeministri.

Ai sqaroi se ulja e numrit të deputetëve nuk është e vetmja çështje që duhet adresuar, pasi Kushtetuta përmban edhe aspekte të tjera që kërkojnë rishikim nga ekspertë të fushës, të cilët kanë njohuritë dhe përgjegjësinë e nevojshme për të vlerësuar ndryshimet e nevojshme.

“Ka dhe aspekte të tjera që duhen rivizituar nga sigurisht njerëzit që dinë se çfarë shohin, dinë çfarë lexojnë, çfarë thonë dhe shkruajnë kur vjen fjala tek Kushtetuta e Shqipërisë.”

Sipas Ramës, duhet ngritur një grup nismëtar që të hapë zyrtarisht procesin e diskutimit për ndryshimet kushtetuese.

Ai theksoi se një reformë e tillë është shumë më komplekse se reforma zgjedhore apo ajo administrativo-territoriale dhe kërkon më shumë kohë, angazhim dhe burime.

“Duhet ngritur një grup që pastaj të hapi një proces. Natyrisht është shumë më tepër sesa një reformë zgjedhore, apo një reformë administrativo-territoriale, kështu që kërkon shumë më tepër hapësirë, angazhim, burime etj. Por duhet nisur kjo punë”, tha Rama.

“Ambicia jonë duhet të jetë që në fund të mandatit ne të kalojmë edhe një reformë kushtetuese”, theksoi Rama.

/gj.m/r.e/

The post Rama: Të ngrihet një grup nismëtar për ndryshimet kushtetuese, Kuvendi me 100 deputetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shteti shqiptar aksionar 49% në kompaninë për prodhimin e anijeve në Pashaliman

16 January 2026 at 18:35

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot se për herë të parë ndodh që shteti po merr pjesë në sipërmarrje dhe për këtë solli në vëmendje bashkëpunimin me kompaninë italiane të prodhimit të anijeve, “Fincantieri”.

Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të premte në Tiranë grupin parlamentar socialist. Në fjalën e tij në fund të punimeve njoftoi dhe marrëveshjen me “Ficantieri”-n, kompaninë italiane të prodhimit të anijeve. Rama tha se shteti shqiptar është aksionar në nivelin 49% me kompaninë që do të prodhojë anije në bazën e Pashalimanit.

“Shteti po merr pjesë në sipërmarrje, krejt e kundërta e rrugës që çon në abuzim me asetet publike, në abuzim me fondet publike. Kur them abuzim, nuk kam parasysh vetëm atë për qëllime përfitime, por dhe për një qasje largpamëse dhe sot, jo më larg se sot, në ndërkohë që ne flisnim këtu, zhvillohej seanca e fundit e negociatave me një nga ekselencat më të mëdha të botës, “Fincantieri”, kompania e madhe publike italiane që është lider në prodhimin e anijeve të të gjitha përmasave dhe falë KAYO-s, ne kem hyrë në një marrëveshje me “Fincantieri”-n për një kompani të përbashkët, ku 51% do t’i kenë italianët dhe 49% shteti shqiptar”.

Rama tha se “aktiviteti i kompanisë në portin e Pashalimanit do të bëjë që, nga njëra anë, ushtria shqiptare të vazhdojë të ngrejë forcën e vet detare, duke i prodhuar në vend anijet në dispozicion të saj dhe nga ana tjetër, do të realizohet mirëmbajtja e tyre me një kompani ku shtetit shqiptar është aksionar, dhe patjetër që do të krijojë punësim të specializuar me paga të larta”, tha Rama.

“Nga ana tjetër, kjo kompani do të marrë porosi nga vende të tjera, duke ndërtuar anije të kalibrave të ndryshëm nga ato që ndërton “Ficantieri” në kantierin e vet, që do t’i shesë, dhe nga shitja shteti shqiptar, FA do të përfitojnë 49%. Do të bëjë mirëmbajtjen e anijeve të rojave bregdetare të NATO-s në Shqipëri, 49% i merr shteti shqiptar. Kjo linjë do të thotë transferim teknologjie e shumë të tjera më pas. Ky është vetëm një shembull”, u shpreh Rama.

/a.f/r.e/

The post Rama: Shteti shqiptar aksionar 49% në kompaninë për prodhimin e anijeve në Pashaliman appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Tarifa ndaj vendeve që kundërshtojnë planet për Groenlandën

16 January 2026 at 20:31

UASHINGTON, 16 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të vendosin tarifa ndaj vendeve që kundërshtojnë përpjekjet e tij për të marrë kontrollin e Groenlandës, duke përsëritur pretendimin se ishulli është thelbësor për sigurinë kombëtare amerikane.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se “tarifat mund të përdoren si mjet presioni ndaj vendeve që rezistojnë planeve të tij, pa dhënë detaje konkrete se cilat shtete mund të preken apo se kur mund të merren masa të tilla”.

Presidenti amerikan ka përdorur edhe më parë kërcënimin e tarifave kundër vendeve evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, në përpjekje për të avancuar interesat e SHBA-së në mosmarrëveshje të ndryshme tregtare dhe politike.

Deklaratat e përsëritura të Trump për marrjen e kontrollit mbi ishullin e madh arktik kanë shkaktuar shqetësim të konsiderueshëm brenda NATO-s. Aleatët evropianë i kanë hedhur poshtë kategorikisht këto ide, duke theksuar se Groenlanda nuk është në shitje dhe se çdo ndryshim statusi duhet të vendoset nga populli i saj.

Në këtë kontekst, vendet evropiane po kërkojnë të forcojnë sigurinë rreth Groenlandës, e cila gëzon autonomi të gjerë, por është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës. Bisedimet e fundit të krizës mes Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe autoriteteve groenlandeze nuk kanë arritur të afrojnë qëndrimet e palëve.

Trump argumenton se kontrolli amerikan mbi Groenlandën është i domosdoshëm për të frenuar zgjerimin e ndikimit rus dhe kinez në rajonin Arktik, i cili po fiton rëndësi gjithnjë e më të madhe strategjike për shkak të burimeve natyrore dhe rrugëve të reja detare.

Ndërkohë, disa vende evropiane anëtare të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë dërguar ekipe të vogla ushtarake në Grenlandë për të vlerësuar aftësinë e Aleancës për të mbrojtur Arktikun, në kuadër të një misioni zbulues të udhëhequr nga Danimarka.

Administrata amerikane fillimisht e minimizoi këtë lëvizje. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi dje se dislokimi i trupave evropiane nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e presidentit apo në objektivin e tij për të siguruar kontrollin mbi Groenlandën. /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post SHBA – Trump: Tarifa ndaj vendeve që kundërshtojnë planet për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌