Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjenden dy barinjtë e mbetur në tokat e përmbytura në Hasturkas

13 January 2026 at 17:48

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Dy barinj, të cilët kishin humbur kontaktin në tokat e përmbytura në zonën e Hasturkasit në Fier, janë gjetur pas disa orësh kërkime.

Kështu bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili theksoi se “AKMC, në koordinim me strukturat e Mbrojtjes Civile vendore dhe qendrore, bëri të mundur gjetjen në kushte të mira shëndetësore“.

“Siguri për ta dhe për gjithë banorët, si dhe ushqimi i nevojshëm për gjënë e gjallë,” nënvizoi Vengu.

Lokalizimi i tyre u bë përmes një droni termik.

/m.q/r.e/a.f/

The post Gjenden dy barinjtë e mbetur në tokat e përmbytura në Hasturkas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Semani është kthyer në shtratin e tij, do të kryhet vlerësimi i plotë i dëmeve

13 January 2026 at 17:36

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektoi sot situatën në zonat e përmbytura të qarkut të Fierit, ku deklaroi se gjendja po shkon drejt përmirësimit, pasi lumi Seman është kthyer në shtratin e tij dhe është kryer evakuimi i plotë i banorëve të prekur.

“Jemi në një stad përmirësimi të situatës, pasi lumi Seman është kthyer në shtratin e tij. Sigurisht, kjo zonë është shumë pranë hidrovorit dhe vijon të ketë prezencë uji, por e rëndësishme është që, ndonëse rreth 20 banesa janë prekur, asnjë nga qytetarët nuk është dëmtuar. Evakuimi i plotë i të gjithë banorëve është realizuar”, u shpreh Balluku.

Ajo informoi se më herët kishte pasur vështirësi në kontaktimin e dy barinjve në zonë, por situata është zgjidhur. “Kishim para pak orësh një situatë me dy barinj, të cilët nuk arrinim t’i kontaktonim, megjithatë ata janë gjetur dhe janë të sigurt. Gjithçka është zhvilluar nën mbikëqyrjen e forcave të Emergjencave Civile, por edhe të gjithë grupeve të tjera të angazhuara”, tha Balluku.

Zëvendëskryeministrja vlerësoi rolin e Forcave të Armatosura në përballimin e situatës emergjente. “Forcat e Armatosura kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në këto ditë të vështira dhe sfiduese, pothuajse në të gjithë vendin”, nënvizoi ajo.

Balluku bëri të ditur se në dy deri në tri ditët në vijim nuk parashikohen reshje, çka do të krijojë kushtet për ndërhyrje rikuperuese. “Kjo do të jetë koha për të rikuperuar dëmtimet që kanë ndodhur në argjinatura. Jemi duke diskutuar me inxhinierët e bordit të kullimit për hapat që do të ndërmerren. Gjithsecili është në krye të detyrës dhe po i përgjigjet kërkesave të qytetarëve”, deklaroi ajo.

Duke iu drejtuar banorëve të zonave të përmbytura, Balluku apeloi për bashkëpunim me pushtetin vendor. “Të gjithë banorët që kanë nevojë për mbështetje, veçanërisht për ushqimin e bagëtive, duhet të kontaktojnë menjëherë pushtetin vendor. Janë në dispozicion rezervat e shtetit, si për nevojat personale, ashtu edhe për ushqimin e bagëtive. Ne jemi në terren gjatë gjithë kohës dhe do të vazhdojmë deri në përmirësimin total të kushteve”, tha Balluku.

Sa i përket menaxhimit të prurjeve ujore, Balluku theksoi se shkarkimet nga kaskada e Devollit janë ulur në minimum.

“Duke qenë se ndikimi i kësaj kaskade vjen në lumin Seman, shkarkimet janë ulur në kuotën minimale dhe janë më të ulëta se prurjet aktuale. Kompania ‘Statkraft’ i është përgjigjur thirrjes sonë për të ulur sa më shumë shkarkimet, ashtu siç është bërë edhe me kaskadën e Drinit, e cila është menaxhuar në mënyrën më të mirë duke minimizuar përmbytjet në Fushën e Shkodrës”, u shpreh Balluku.

Në vijim, ajo bëri të ditur se do të kryhet vlerësimi i plotë i dëmeve.

“Do të na duhet të bëjmë të gjitha riparimet e nevojshme dhe vlerësimin e dëmeve. Më pas, në bashkëpunim me bashkitë dhe grupet e ngritura nga Emergjencat Civile, do të realizohet një shpërndarje e drejtë e kompensimit, sipas një skeme që po ndërtohet nga Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si për banesat e prekura, ashtu edhe për dëmet në serra dhe toka bujqësore”, deklaroi ajo.

E pyetur për dëmtimet në argjinaturën e lumit Seman, Balluku sqaroi se bëhet fjalë për dëmtime dhe jo çarje të plota.

“Kemi dëmtime të argjinaturës së Semanit. Do të ketë riparime të menjëhershme, sapo të bjerë niveli i ujit, dhe më pas ndërhyrje më të thella për të përforcuar të gjitha segmentet e prekura. Pikat problematike janë identifikuar dhe do të riparohen menjëherë”, përfundoi Balluku.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Balluku: Semani është kthyer në shtratin e tij, do të kryhet vlerësimi i plotë i dëmeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Shiu dhe ngricat paralizojnë transportin në Evropën Qendrore dhe Lindore

13 January 2026 at 17:27

PRAGË, 13 janar /ATSH/ – Shiu dhe ngricat shkaktuan sot ndërprerje të mëdha në udhëtime në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore, duke detyruar aeroportet në Çeki, Austri, Sllovaki dhe Hungari të shtyjnë fluturimet, sipas AP.

Fluturimet drejt dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vjenës, një nga më të ngarkuarit në Evropën Qendrore, u pezulluan përkohësisht.

Aeroporti ”Václav Havel” i Pragës u detyrua të kufizojë mbërritjet, ndërsa aeroporti ndërkombëtar i Sllovakisë u mbyll për disa orë.

”Shiu i ngrirë dhe kushtet ekstreme të akullit ndaluan të gjitha nisjet dhe mbërritjet në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Ferenc Liszt’ të Budapestit”, shkroi në rrjetet sociale ministri hungarez i Transportit, Janos Lazar.

Zëdhënësi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vjenës, Peter Kleemann tha se fluturimet hyrëse u devijuan drejt aeroporteve të tjera, si Mynihu, Frankfurti, Këlni dhe Venecia, ndërsa nisjet u vonuan.

Operacionet pritej të rifillonin gjatë orëve të vona të paradites.

Vala e të ftohtit ka shkaktuar gjithashtu probleme në transportin publik.

Pas reshjeve të mëdha të dëborës javën e kaluar, shërbimet e tramvajit në Budapest u ndërprenë për shkak të akullit të grumbulluar, njoftoi autoriteti i transportit publik të kryeqytetit.

Operatori kombëtar hekurudhor i Austrisë, ÖBB, tha se priteshin vonesa në veri dhe lindje të vendit, përfshirë Vjenën, dhe u bëri thirrje udhëtarëve të shtyjnë udhëtimet jo urgjente.

Autoritetet çeke njoftuan se disa trena dhe autobusë u anuluan, ndërsa pasagjerët në stacionin kryesor të kryeqytetit u përballën me vonesa që zgjatën me orë. Ata shtuan se autostrada D8 drejt Gjermanisë u mbyll për shkak të një aksidenti në anën gjermane të kufirit. Në disa zona në lindje të Gjermanisë u raportuan rrugë të mbuluara nga akulli.

Temperaturat në Rumani, e cila ka përjetuar reshje të dendura dëbore gjatë javës së fund në disa zona parashikoheshin të zbrisnin deri në minus 13 gradë Celsius, duke detyruar disa shkolla të kalojnë në mësim online.

Shërbimi Meteorologjik i Hungarisë tha në një deklaratë se në lindje të vendit priteshin reshje të konsiderueshme bore, ndërsa në zonat më perëndimore pritej shi dhe shi i ngrirë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post KOMENT – Shiu dhe ngricat paralizojnë transportin në Evropën Qendrore dhe Lindore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balliu: Qeveria e ktheu uniformën blu në mburojë të bandave

13 January 2026 at 17:25

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Policia e Shtetit shënon sot 113-vjetorin e themelimit. Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në një deklaratë për mediet nga selia blu, theksoi se qeveria e ka kthyer uniformën blu në mburojë të bandave.

Sipas tij, ky 113-vjetor e ka gjetur Policinë e Shtetit në ditët më të zeza të historisë së saj.

Në fjalën e tij, Balliu tha se shumë efektivë policie të cilët kanë janë betuar që të zbatojnë ligjin në shërbim të qytetarit, janë përndjekur e kërcënuar nga kryeministri Edi Rama.

“Synimi ka qenë i qartë. Të përzënë çdo polic dinjitoz, që ngre zërin kundër padrejtësive dhe shkeljes së ligjit”, tha ai.

Gjithashtu Balliu theksoi se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilirjan Proda është emëruar nga krimi i organizuar.

“Sot ka shefa policie dhe drejtorë që dalin në përgjime si prodhues dhe trafikantë droge, që manipulojnë provat në favor të kriminelëve, që u japin informacion vrasësve me pagesë, që u nxjerrin në pritë kriminelëve policët e ndershëm, duke çuar informacion te shokët e tyre banditë”, tha ai.

Balliu iu bëri thirrje të gjithë policëve që “të refuzojnë urdhrat e paligjshëm të drejtuesve narkotrafikantë, dhe t’i bashkohen përpjekjeve kombëtare, të opozitës dhe çdo qytetari të ndershëm, për të hequr qafe këtë bandë vjedhësish, që po mban peng të ardhmen e shqiptarëve që kanë vendosur të jetojnë në atdhe”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Balliu: Qeveria e ktheu uniformën blu në mburojë të bandave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Censi i shpendëve ujorë 2026, 102 specialistë të angazhuar në 34 vendnumërime

13 January 2026 at 17:10

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Në kuadër të Censit Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë Dimërorë 2026, në Shqipëri janë angazhuar 102 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), si dhe 17 ekspertë të fushës, të cilët do të marrin pjesë në monitorimin e shpendëve ujorë në 34 vendnumërime në të gjithë territorin e vendit.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj theksoi se Censi Ndërkombëtar i Shpendëve të Ujit përbën një nga proceset më të rëndësishme shkencore për monitorimin dhe ruajtjen e biodiversitetit.

“Prej vitit 1967, ky census mbledh çdo vit të dhëna të çmuara për biodiversitetin, falë mijëra vëzhguesve në mbarë botën”, u shpreh ministri Jaupaj.

Ai nënvizoi se përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Shqipëria i bashkohet edhe këtë vit këtij monitorimi ndërkombëtar, i cili do të zhvillohet më 17-18 janar, me qëllim mbledhjen dhe raportimin e të dhënave të sakta mbi popullatat e shpendëve ujorë dhe gjendjen e ekosistemeve ujore.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, të dhënat e mbledhura gjatë censusit shërbejnë si bazë shkencore për hartimin e politikave të mbrojtjes së natyrës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave ujore dhe ligatinore në vend.

Censi Dimëror i Shpendëve Ujorë realizohet çdo vit në bashkëpunim me institucione shtetërore, ekspertë të biodiversitetit dhe vëzhgues të specializuar, duke kontribuar në ruajtjen afatgjatë të shpendëve të ujit dhe habitateve të tyre natyrore.

/r.e/a.f/

The post Censi i shpendëve ujorë 2026, 102 specialistë të angazhuar në 34 vendnumërime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJKKO dënon për korrupsion zgjedhor dy të pandehur

13 January 2026 at 17:09

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) shpalli sot fajtorë Pandeli Bozhën dhe Vladimir Lushkajn, të akuzuar për korrupsion në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të hetuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, GJKKO me trupë gjykuese i përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Bib Ndreca, shpalli fajtor të pandehurin Pandeli Bozha për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Bozha, i cili është babai i kandidates për deputete e Partisë Socialdemokratike në Fier, u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, dënim i cili u ul me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke u konvertuar në 1 vit burgim. Në përfundim, dënimi iu konvertua në një periudhë 24-mujore, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.

Fajtor u shpall edhe Vladimir Lushkaj për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, por sipas GJKKO ky dënim shuhej, pa përcaktuar masën e tij.

Sa i përket provave materiale, gjykata urdhëroi që një kartëmonedhë prej 2 mijë lekësh, t’i kalojë në favor shtetit, ndërsa një fletë e ngjashme me fletët e votimit, ku ishte e ngjyrosur emri i një kandidateje për deputete, të administrohet si pjesë e fashikullit gjyqësor.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

/m.q/r.e/a.f/

The post GJKKO dënon për korrupsion zgjedhor dy të pandehur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ShBA-ja pret veprime nga qeveria e re e Kosovës për forcimin e bashkëpunimit

13 January 2026 at 17:07

PRISHTINË, 13 janar /ATSh/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë bëri të ditur se është e gatshme të forcojë partneritetin me qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe të rifillojë dialogun strategjik mes dy vendeve.

Megjithatë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ambasada theksoi se realizimi i këtij synimi do të kërkojë veprime nga Qeveria e Kosovës, të cilat “çojnë përpara agjendën e përbashkët për paqe dhe stabilitet rajonal”, si dhe “prosperitetin e ndërsjellë ekonomik”.

Këto qëndrime u shprehën në përgjigje të pyetjes se si Shtetet e Bashkuara planifikojnë bashkëpunimin me qeverinë e ardhshme të Kosovës, që pritet të formohet pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, fitoi mbi 51 për qind të votave.

Partia deklaroi se synon formimin e shpejtë të institucioneve të reja.

Numërimi i votave përfundoi më 9 janar, por procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht, për shkak të afateve ligjore për ankesa dhe certifikimin e rezultateve.

Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë udhëhequr qeverinë e Kosovës edhe gjatë periudhës 2021-2025.

Viti i kaluar ka shkuar kryesisht me qeveri në detyrë, pasi Kurti – ndonëse i kishte fituar zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 – nuk arriti të formojë Qeverinë e re, çfarë ka çuar në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme.

Gjatë mandatit të mëparshëm, Qeveria e tij është përballur shpesh me kritika nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht për shkak të veprimeve që janë cilësuar si të pakoordinuara dhe të njëanshme.

Nga mbyllja e shumicës së institucioneve serbe në Kosovë deri te heqja e dinarit serb nga përdorimi, këto veprime janë parë si të dëmshme për komunitetin serb dhe si faktor që ka rritur tensionet në veri të vendit.

Kritikat kanë shkuar deri në atë pikë sa është folur edhe për lëkundje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, Kurti ka insistuar vazhdimisht se SHBA-ja mbetet partneri kryesor i Kosovës, ndonëse ka pranuar se ekzistojnë dallime në qasje për disa çështje.

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë marrë një nga masat më të ashpra ndaj Kosovës, duke pezulluar Dialogun Strategjik mes dy vendeve – një mekanizëm i krijuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Uashingtoni e ka lidhur këtë vendim me veprimet e qeverisë në detyrë të Kosovës, derisa vendi është përballur me bllokadë institucionale, dhe me rritjen e tensioneve në vend, por Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë kritikat.

/REL//r.e/

The post ShBA-ja pret veprime nga qeveria e re e Kosovës për forcimin e bashkëpunimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama merr medaljen “Zayed”: Respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar

13 January 2026 at 17:02

TIRANË, 13 janar/ATSh/ Kryeministrit Edi Rama iu akordua sot medalja “Zayed” nga presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nayan.

Kryeministri theksoi se ky është respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar.

“Thellësisht i prekur prej surprizës së paimagjinueshme dhe nderimit të jashtëzakonshëm nga presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nayan
akordimi i medaljes më të lartë të vendit mik, e cila mban emrin e themeluesit të Emirateve të Bashkuara, Sheikut Zayed, është respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar, që e mora përulësisht plot me krenari për Shqipërinë, e me mirënjohje të thellë për mikun e madh të shqiptarëve, lartësinë e tij Sheikh Mohammed bin Zayed, si edhe për çdo shqiptar që ma ka besuar udhëheqjen dhe përfaqësimin e atdheut tonë të përbashkët”, tha Rama.

Në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu-Dabi (Abu Dhabi) u zhvillua sot ceremonia e ndarjes së çmimeve “Zayed” të cilat nderojnë iniciativat humanitare të atyre që kontribuojnë në vendet në zhvillim.

Çmimet u akorduan për projekte dhe organizata që kanë punuar lidhur me përmirësimin e arsimit dhe shkollimit, sigurimin e ujit të pijshëm, mbështetjen e ushqimit për komunitetet në nevojë si dhe për nisma që adresojnë ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.

/m.m/j.p/r.e/

The post Rama merr medaljen “Zayed”: Respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE: Zgjedhjet e fundit në Kosovë treguan që demokracia formëson politika për komunitetin

13 January 2026 at 15:53

PRISHTINË, 13 janar/ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, sot është takuar me ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Sipas njoftimit, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, diskutoi për rolin e qeverisjes vendore të fortë dhe të përgjegjshme në zbatimin e reformave të BE-së me ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Zgjedhjet e fundit në Kosovë tregojnë se si demokracia vendore angazhon njerëzit dhe formëson politikat që pasqyrojnë nevojat e komunitetit përmes vendimmarrjes pranë tyre”, tha Orav.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u zhvilluan më 28 dhjetor.


/Kosovapress/

The post BE: Zgjedhjet e fundit në Kosovë treguan që demokracia formëson politika për komunitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

REPUBLIKA ÇEKE – Qeveria e Babis do të përballet me votëbesim

13 January 2026 at 15:45

PRAGË, 13 janar /ATSH-DPA/- Një muaj pas marrjes së detyrës, qeveria e re e krahut të djathtë, e miliarderit, Andrej Babis në Republikën Çeke ka paraqitur një votëbesim, në përputhje me kushtetutën çeke.

Kushtetuta kërkon që çdo kabinet i ri të paraqesë një votëbesim brenda 30 ditëve nga emërimi i tij nga presidenti.

“Dua ta bëj të qartë se Republika Çeke dhe qytetarët çekë janë të parët për qeverinë tonë”, tha 71-vjeçari, Babis.

Votimi pritet të zhvillohet jo më herët se mbrëmja e së mërkurës.

Babis tha se kërkon të zbatojë deportimin e shpejtë të të huajve kriminelë dhe kundërshton futjen e euros, të cilën Bullgaria e miratoi këtë vit.

Ai gjithashtu kritikoi politikën e BE-së për klimën – duke e quajtur atë të dëmshme për industrinë.

Prioritetet e kabinetit përfshijnë çmime më të ulëta të energjisë dhe kursime në administratën shtetërore.

Ai përjashtoi mundësinë që Republika Çeke të ofrojë ushtarë për një forcë të mundshme paqeruajtëse në Ukrainë.

Koalicioni, i përbërë nga partia populiste e krahut të djathtë ANO e Babis, partia e pronarëve të automjeteve “Motorists” dhe partia e ekstremit të djathtë “Liri dhe Demokraci e Drejtpërdrejtë” (SPD), mban 108 nga 200 vendet në Dhomën e Deputetëve. //a.i/

The post REPUBLIKA ÇEKE – Qeveria e Babis do të përballet me votëbesim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arratisja e Ndocit, pezullohet zinxhiri komandues i Burgjeve të Durrësit

13 January 2026 at 16:58

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se zinxhiri komandues i Burgjeve të Durrësit është pezulluar sot pas ngjarjes, ku u arratis i paraburgosuri Altin Ndoci.

Më herët, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se i paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore.

Në njoftim, cilësohet se të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.

“Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali”, theksohet në njoftim.

Drejtoria e Burgjeve thekson se strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/e.i/j.p/

The post Arratisja e Ndocit, pezullohet zinxhiri komandues i Burgjeve të Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpirti dhe tradita e kryeqytetit në koncertin “Ku ka si Tirona”

13 January 2026 at 15:43

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Në skenën e  Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor vjen së shpejti koncerti i titulluar “Ku ka si Tirona”, nderim ndaj shpirtit dhe traditës së kryeqytetit.

Në këtë premierë, të datës 19 janar, tradita do të vijë e gjallë, e interpretuar nga solistë vokalë, valltarë dhe artistë të ftuar që sjellin energjinë e brezave dhe identitetin e një qyteti që nuk ka reshtur kurrë së frymëzuari.

Të ftuarit specialë të këtij aktiviteti janë këngëtarët e mirënjohur: Irma Libohova, Armaldo Kllogjeri dhe Greta Zani, ndërkohë që publiku do të mund të dëgjojë dhe solistët e Ansamblit Popullor: Aranit Hoxha, Iris Bega, Denisa Gjezo, Leke Pecnikaj, Raimond Kllogjeri e Avni Miraka.

Përveç këngëve, koncerti do të përfshijë edhe vallet e Tiranës, me ritmin e elegancën që i karakterizon.

Koncerti “Ku ka si Tirona” shënon jo vetëm një premierë, por edhe nisjen e ciklit “Thesaret e Shpirtit”, një udhëtim artistik që do të pasojë me projekte të tjera të dedikuara pasurisë shpirtërore dhe trashëgimisë kulturore. /j.p/

The post Shpirti dhe tradita e kryeqytetit në koncertin “Ku ka si Tirona” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali dënon sulmet masive në Ukrainë: Në Kiev për të rikonfirmuar mbështetjen tonë të palëkundur

13 January 2026 at 17:01

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, reagoi në rrjetin social X pas sulmit të fundit masiv që Rusia ndërmori kundër Ukrainës, i cili përfshiu përdorimin e dronëve dhe raketave balistike.

“Mbrëmë, bota u bë dëshmitare e një tjetër akti barbarie nga regjimi i Kremlinit kundër Ukrainës. Rreth 300 dronë sulmues, 18 raketa balistike dhe 7 raketa lundruese, u lëshuan duke targetuar qëllimisht civilët dhe infrastrukturën kritike energjetike, në këtë mot ekstremisht të ftohtë dimri”, theksoi Spiropali.

Spiropali u shpreh se, Shqipëria i dënon hapur dhe me forcë këto sulme brutale.

“Shprehim solidaritetin për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë personat që kanë mbetur pa ngrohje, energji elektrike apo siguri”, shkroi më tej Spiropali.

Duke shprehur solidaritetin me homologun ukrainas Andrii Sybiha, ministrja Spiropali njoftoi se këtë javë do të vizitojë Kievin, për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj popullit ukrainas.

“Këtë javë do të jem në Kiev përkrah jush për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë dhe angazhimin tonë për sovranitetin, pavarësinë dhe të drejtën e Ukrainës për të jetuar në paqe”, theksoi Spiropali.

Ministrja nënvizoi se, këto krime kërkojnë një reagim të vendosur dhe të bashkuar ndërkombëtar.

“Nuk duhet të ketë pushim, lodhje apo vetëmjaftueshmëri derisa ky agresion të marrë fund”, përfundoi reagimin e saj ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali dënon sulmet masive në Ukrainë: Në Kiev për të rikonfirmuar mbështetjen tonë të palëkundur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Fermerët francezë protestojnë kundër marrëveshjes BE-Mercosur

13 January 2026 at 15:34

PARIS, 13 janar /ATSH-DPA/- Qindra fermerë francezë drejtuan sot traktorët e tyre drejt parlamentit për të protestuar kundër marrëveshjes tregtare të BE-së me katër vende të Amerikës së Jugut që pritet të nënshkruhet në fundjavë.

Fermerët thanë se marrëveshja BE-Mercosur do të ndikonte në tregjet evropiane me importe të lira bujqësore, duke kërcënuar jetesën e tyre.

Traktorët u drejtuan drejt qendrës së Parisit përpara se të rreshtoheshin para ndërtesës së Asamblesë Kombëtare.

Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian i dhanë dritën jeshile të premten, nënshkrimit të marrëveshjes tregtare të vonuar prej kohësh me Brazilin, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain. Franca votoi kundër paktit.

Marrëveshja është planifikuar të nënshkruhet të shtunën në Paraguai.

Qeveria franceze është përpjekur të lehtësojë tensionet me masa lehtësuese, pasi kjo është hera e dytë brenda një jave që traktorët rreshtohen në Paris.

Ministrja franceze e Bujqësisë, Annie Genevard tha se Kabineti po punonte për mbështetje shtesë për sektorin, pasi njoftoi së fundmi një ndihmë me vlerë 300 milionë euro.

Fermerët gjithashtu kanë shprehur zhgënjimin për atë – që ata e përshkruajnë – si burokraci të tepruar dhe rregullore tepër të rrepta mjedisore. //a.i/

The post PARIS – Fermerët francezë protestojnë kundër marrëveshjes BE-Mercosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hidhet shorti i Kupës së Shqipërisë, spikat derbi Tirana-Dinamo

13 January 2026 at 15:25

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Në “Shtëpinë e Futbollit” në FSHF, u hodh shorti i Kupës së Shqipërisë, ku u përcaktuan çiftet çerekfinaliste.

Nga hedhja e shortit, spikat derbi Tirana-Dinamo, por edhe Elbasani-Partizani. Dy ndeshjet e tjera janë Teuta-Egnatia dhe Bylis-Vllaznia.

Takimet e para çerekfinale janë planifikuar të zhvillohen më 11 shkurt, ndërsa ndeshjet e kthimit më 4 mars, duke premtuar përballje të forta dhe emocione për tifozët e futbollit shqiptar.

Ky raund parashikon ndeshje me sistem vajtje-ardhje, njëjtë si gjysmëfinalja.

Shorti i Kupës së Shqipërisë:

Teuta-Egnatia

Tirana-Dinamo

Elbasani-Partizani

Bylis-Vllaznia

/gj.m/j.p/

The post Hidhet shorti i Kupës së Shqipërisë, spikat derbi Tirana-Dinamo appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJENEVË – OKB i bën thirrje Iranit të ndalojë dhunën dhe të rivendosë aksesin në internet

13 January 2026 at 15:18

GJENEVË, 13 janar /ATSH-DPA/- Kombet e Bashkuara dënuan sot dhunën e përdorur nga forcat iraniane të sigurisë kundër protestuesve paqësorë dhe u bënë thirrje autoriteteve të rivendosnin shërbimet e internetit dhe telefonisë.

“Vrasja e demonstruesve paqësorë duhet të ndalet dhe etiketimi i protestuesve si ‘terroristë’ për të justifikuar dhunën kundër tyre është i papranueshëm”, tha në një deklaratë komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk.

“Njerëzit kanë të drejtën që kërkesat e tyre të dëgjohen”, shtoi ai.

“Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur raportet për qindra vdekje dhe mijëra arrestime pasi nuk ka akses në Iran”, sipas një zëdhënësi.

Zyra është e shqetësuar për atë që do të ndodhë me të arrestuarit.

“Të paktën 12 protestues u ekzekutuan pas protestave në vitin 2022”, tha zëdhënësi. //a.i/

The post GJENEVË – OKB i bën thirrje Iranit të ndalojë dhunën dhe të rivendosë aksesin në internet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis faza e tretë e Kategorisë Superiore, bilanci i dueleve direkte të javës së 19-të

13 January 2026 at 15:18

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Kampionati i Kategorisë Superiore rikthehet këtë të mërkurë, duke shënuar nisjen e fazës së tretë të sezonit 2025/2026.

Sipas kalendarit të javës së 19-të, ekipet do të përballen për herë të tretë me njëra-tjetrën, duke vijuar garën e fortë në kampionat.

Në dy fazat e para të sezonit, përballjet mes këtyre ekipeve kanë qenë të balancuara,

Bylis – Tirana: nga dy përballjet e para, Bylis ka regjistruar një fitore 2-0 dhe një barazim 0-0.

Vllaznia – Egnatia: Vllaznia ka fituar një ndeshje 2-0 dhe ka barazuar 2-2 në përballjen tjetër.

AF Elbasani – Flamurtari: AF Elbasani i ka fituar të dyja ndeshjet me rezultat 1-0.

Partizani – FK Vora: Partizani ka fituar një ndeshje 1-0 dhe ka barazuar 0-0.

Teuta – Dinamo City: Teuta ka fituar një ndeshje 1-0 dhe ka barazuar 0-0.

Nisja e fazës së tretë, që përkon me javën e 19-të të kampionatit, pritet me interes të madh nga tifozët, pasi skuadrat vijnë pas disa përforcimeve të rëndësishme gjatë merkatos dimërore dhe çdo ekip do të luftojë për tre pikët dhe për realizimin e objektivave të sezonit.

/gj.m/j.p/

The post Nis faza e tretë e Kategorisë Superiore, bilanci i dueleve direkte të javës së 19-të appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Mijëra të vdekur në protestat antiqeveritare në Iran, ndërsa ndërprerja e energjisë elektrike thellohet

13 January 2026 at 14:00

TEHERAN, 13 janar /ATSH/- Irani është nën një ndërprerje të koordinuar që synon jo vetëm kontrollin e sigurisë, por edhe fshehjen e së vërtetës.

Ndërprerjet e internetit, komunikimet e gjymtuara, mbylljet e mediave dhe frikësimi i gazetarëve dhe dëshmitarëve tregojnë një qëllim: parandalimin e shfaqjes së një krimi të madh dhe historik.

Gjatë ditëve të fundit, pas raporteve tronditëse dhe thellësisht shqetësuese, “Iran International”  është përqendruar në verifikimin e informacionit për të ndërtuar një vlerësim më të qartë të shkallës së shtypjes dhe vrasjeve gjatë protestave të fundit.

Në një vend ku autoritetet qëllimisht kufizojnë aksesin në informacion, një vlerësim i tillë është i vështirë dhe kërkon kohë – veçanërisht pasi nxitimi për të publikuar shifra të paplota të viktimave rrezikon gabime në dokumentimin e ngjarjeve dhe mund të shtrembërojë shkallën e vërtetë të kësaj tragjedie.

Që nga e diela, numri i provave dhe konvergjenca e rrëfimeve arritën në një pikë ku një vlerësim relativisht i saktë u bë i mundur.

Gjatë dy ditëve të fundit, bordi editorial i “Iran International” ka shqyrtuar – përmes një procesi rigoroz, shumëfazor dhe në përputhje me standardet e përcaktuara profesionale – informacionin e marrë nga një burim pranë Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare; dy burime në zyrën presidenciale; rrëfime nga disa burime brenda Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike në qytetet Mashhad, Kermanshah dhe Isfahan; dëshmi nga dëshmitarë okularë dhe familje të të vrarëve; raporte nga terreni; të dhëna të lidhura me qendrat mjekësore; dhe informacione të ofruara nga mjekë dhe infermierë në qytete të ndryshme.

Bazuar në këto rishikime, kemi arritur në përfundimin se:

Në vrasjen më të madhe në historinë bashkëkohore të Iranit – të kryer kryesisht gjatë dy netëve radhazi, të enjten dhe të premten, 8 dhe 9 janar – u vranë të paktën 12 000 njerëz.

Për sa i përket shtrirjes gjeografike, intensitetit të dhunës dhe numrit të vdekjeve në një kohë të shkurtër, kjo vrasje është e pashembullt në historinë e Iranit.

Bazuar në informacionin e marrë, të vrarët u qëlluan kryesisht nga forcat e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike dhe Basij.

Kjo vrasje ishte plotësisht e organizuar, dhe jo rezultat i përleshjeve “sporadike” dhe “të paplanifikuara”.

Informacioni i marrë nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare dhe zyra presidenciale tregon se vrasja u krye me urdhër të drejtpërdrejtë të Ali Khamenei, me dtë lëshuar nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare.

Informacioni i marrë nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare dhe zyra presidenciale tregon se vrasja u krye me urdhër të drejtpërdrejtë të Ali Khamenei, me dijeninë dhe miratimin e qartë të krerëve të të tre degëve të qeverisë, dhe me një urdhër të lëshuar nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare.

Shumë prej të vrarëve ishin të rinj nën moshën 30 vjeç.

https://www.iranintl.com/en/202601130145

 

 

 

 

 

The post FOKUS – Mijëra të vdekur në protestat antiqeveritare në Iran, ndërsa ndërprerja e energjisë elektrike thellohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çako: Dron termik për të lokalizuar 2 barinjtë e mbetur në tokat e përmbytura në Hasturkas në Fier

13 January 2026 at 13:56

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako deklaroi sot në një prononcim për mediet në fshatin Hasturkas të Fierit se së shpejti do të nisë aksioni i kërkim- shpëtimit për dy barinj të cilët kanë mbetur në zonë të hapur ku ka prezencë uji.

“Jemi në veprim për të identifikuar se ku janë dy barinjtë që shërbejnë për ruajtjen e bagëtive në derdhje të lumit. Kanë pasur kontakte me familjarët e tyre, por për shkak të baterisë së telefonit kontaktet janë ndërprerë”, tha Çako.

Çako u shpreh se do të ngrihet një dron termik, për të lokalizuar dy barinjtë.

“Po presim të instalojmë një dron termik që të lokalizojmë vendndodhjen e tyre. Prej disa orësh nuk ka asnjë informacion për barinjtë”, tha Çako.

Ai nënvizoi se, nëse nuk do të ketë asnjë gjurmë prej tyre do të përdoren alternativa të tjera, si helikopter dhe forcat e ushtrisë.

/gj.m/j.p/

The post Çako: Dron termik për të lokalizuar 2 barinjtë e mbetur në tokat e përmbytura në Hasturkas në Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

I paraburgosuri Altin Doci u arratis nga Spitali i Durrësit, ishte për vizita mjekësore

13 January 2026 at 13:53

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se i paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.

Në njoftim, cilësohet se pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali.

Drejtoria e Burgjeve thekson se strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/e.i/j.p/

The post I paraburgosuri Altin Doci u arratis nga Spitali i Durrësit, ishte për vizita mjekësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌