Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 19 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Ekspozimi në më shumë dritë natyrale përmirëson kontrollin e glicemisë

19 January 2026 at 22:55

LONDËR, 19 janar /ATSH/ – Kalojmë gati 90% të kohës sonë brenda por drita natyrale është “ora kryesore” që sinkronizon ritmet tona biologjike, shkruan salute.eu.

Kur ky sinjal dobësohet, rreziku është një lloj mospozicionimi: truri dhe organet periferike, përfshirë muskujt, përpiqen të qëndrojnë aktive.

Ky është fokusi i një studimi të botuar në Cell Metabolism: 13 persona me diabet të tipit 2, të gjithë mbi 65 vjeç, u vëzhguan në një protokoll shumë të kontrolluar, me dy kushte të krahasuara në rend të rastësishëm dhe të paktën katër javë larg.

Në një seancë, ata punuan nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 5:00 të pasdites në një dhomë me dritare të mëdha dhe dritë natyrale; në tjetrën, ata ndoqën të njëjtën rutinë por me dritë artificiale të vazhdueshme, ndërsa vaktet, aktiviteti fizik, gjumi dhe madje edhe koha para ekranit u mbajtën sa më identike të ishte e mundur.

Rezultatet, pavarësisht një madhësie të vogël të mostrës dhe vetëm katër ditë e gjysmë, ishin konsistente: me dritë natyrale, pjesëmarrësit kaluan më shumë kohë “brenda diapazonit të dëshirueshëm të sheqerit në gjak”, afërsisht 59% të kohës krahasuar me 51% me dritë artificiale, me më pak ndryshueshmëri.

Në të njëjtën kohë, metabolizmi u zhvendos drejt oksidimit më të madh të yndyrës, një shenjë e fleksibilitetit të përmirësuar metabolik, dhe nivelet e melatoninës ishin pak më të larta në mbrëmje, sikur e gjithë dita të ishte planifikuar më me kujdes.  /os/

 

The post FOKUS – Ekspozimi në më shumë dritë natyrale përmirëson kontrollin e glicemisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

QSUT: Jeta e pacientëve nuk u cenua në asnjë moment nga ikja e energjisë, aparaturat jetike në funksion

19 January 2026 at 22:55

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” informoi se sot në mbrëmje, për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.

Sipas QSUT-së falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve.

“Menjëherë, ekipet mjekësore, teknike dhe drejtuese janë vënë në gatishmëri të plotë, duke vepruar sipas protokolleve të sigurisë dhe duke ofruar çdo suport të nevojshëm, për garantimin e shërbimit shëndetësor si dhe duke marrë masat e nevojshme”, njoftoi QSUT.

QSUT siguroi qytetarët se situata është menaxhuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe se institucioni mbetet në gatishmëri të plotë, për të përballuar çdo situatë, në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së pacientëve.

QSUT njoftoi se ka ngritur menjëherë grupin e punës për verifikimin e situatës.

Mbrëmjen e sotme, për shkak të një problemi në linjën 110kV të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), mbetën pa energji elektrike disa zona në Tiranë.

/m.q/j.p/

The post QSUT: Jeta e pacientëve nuk u cenua në asnjë moment nga ikja e energjisë, aparaturat jetike në funksion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Akses më i gjerë i fermerëve në Skemën Kombëtare 2026

19 January 2026 at 22:31

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Skema Kombëtare 2026 do të hartohet për të garantuar që çdo fermer me NIPT, si dhe fermerët e organizuar në grupe, të kenë akses sa më të gjerë dhe më të drejtë në mbështetjen direkte.

Kështu bëri të ditur ministri për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Andis Salla, i cili zhvilloi një dëgjesë me fermerët e bashkisë Pogradec, si pjesë e procesit të bashkëhartimit të Skemës Kombëtare 2026, për ta ndërtuar atë mbi nevojat reale të terrenit.

Salla theksoi se fokusi është “rritja e standardeve të prodhimit Made in Albania, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian në mënyrë që konsumatorët shqiptarë të kenë cilësi evropiane në tryezë e po ashtu fermerët të mbështeten ashtu si në BE, dhe produktet vendase të zgjerojnë hartën e eksporteve, duke e bërë bujqësinë shqiptare më konkurruese në tregjet rajonale dhe evropiane.

Skema 2026 do të ketë një buxhet fillestar prej 5.2 miliardë lekësh, ose 16% më të lartë krahasuar me një vit më parë.

Turi i dëgjesave me fermerët do të vijojë edhe në qarqe të tjera të vendit, duke synuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të komuniteteve bujqësore në hartimin e Skemës Kombëtare 2026.

/m.q/j.p/

The post Salla: Akses më i gjerë i fermerëve në Skemën Kombëtare 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BUDAPEST – Hungaria: E ardhmja e Groenlandës nuk është çështje e BE-së

19 January 2026 at 22:16

BUDAPEST, 19 janar /ATSH/- E ardhmja e Groenlandës nuk është një çështje e Bashkimit Evropian, tha sot ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto duke sinjalizuar se Hungaria nuk do të mbështeste një deklaratë të përbashkët të BE-së kundër presidentit të SHBA-së, Donald Trump, sipas “Sky News”.

“Ne e konsiderojmë këtë si një çështje dypalëshe që mund të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve midis dy palëve. Nuk mendoj se është një çështje e BE-së”, tha Szijjarto.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërkuar që SHBA-ja të marrë kontrollin e Groenlandës, e cila i përket Danimarkës, duke thënë se ishulli Arktik është i nevojshëm për arsye sigurie.

Hungaria është një nga zërat më euroskeptikë të bllokut dhe qeveria e saj, shpesh ka bllokuar dhe vënë veton ndaj vendimeve të BE-së.

Hungaria, nën drejtimin e kryeministrit, Viktor Orbán është pozicionuar në mënyrë aktive me administratën Trump. //a.i/

 

The post BUDAPEST – Hungaria: E ardhmja e Groenlandës nuk është çështje e BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Kallas: Nuk kërkojmë një përplasje me SHBA-në, por do të mbrohemi!

19 January 2026 at 22:01

BRUKSEL, 19 janar /ATSH-ANSA/ – Danimarka dhe Groenlanda nuk janë vetëm, deklaroi përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas pas takimit me kolegët e saj nga Danimarka dhe Groenlanda.

‘’Është mirë të shoh kolegët e mi Troels Lund Poulsen dhe Vivian Motzfeldt. Siguria e Arktikut është një interes i përbashkët transatlantik, të cilin mund ta diskutojmë me aleatët tanë amerikanë. Por kërcënimet me tarifa nuk janë rruga e duhur’’, shtoi ajo.

‘’Sovraniteti i Danimarkës është i panegociueshëm. Ne nuk kemi interes të kërkojmë konfrontim, por do ta mbrojmë qëndrimin tonë. Evropa ka një gamë mjetesh për të mbrojtur interesat e saj’’, theksoi Kallas.  /os/

The post BRUKSEL – Kallas: Nuk kërkojmë një përplasje me SHBA-në, por do të mbrohemi! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet thirrja për projektet e infrastrukturës së kërkimit shkencor

19 January 2026 at 21:56

TIRANW, 19 janar /ATSh/ Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit ka hapur zyrtarisht thirrjen për projektet e infrastrukturës së kërkimit shkencor për vitin 2026, e cila u drejtohet institucioneve publike të arsimit të lartë në vend.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila theksoi se kjo thirrje synon të mbështesë investime konkrete që forcojnë kapacitetet kërkimore të universiteteve.

“Kjo thirrje synon të mbështesë investime konkrete në laboratorë, pajisje kërkimore, sisteme teknologjike dhe çdo infrastrukturë inovative që i shërben procesit akademik dhe kërkimit shkencor në universitetet tona”, theksoi ministrja.

Sipas saj, institucionet publike të arsimit të lartë ftohen të paraqesin projekte.

“Institucionet publike të Arsimit të Lartë ftohen të dorëzojnë projektet e tyre që lidhen ngushtësisht me nevojat e programeve të studimit, kurikulave dhe prioriteteve kërkimore të tyre, me fokus të veçantë në shkencën e hapur, ku infrastruktura e re duhet të jetë e aksesueshme edhe për përdorues të jashtëm, në përputhje me standardet europiane”, njoftoi Kumbaro.

/m.q/j.p/

The post Hapet thirrja për projektet e infrastrukturës së kërkimit shkencor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Defekt në linjën e OST, disa zona në Tiranë mbeten pa energji elektrike

19 January 2026 at 21:50

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Një avari në linjën 110kV të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) ka lënë pa energji elektrike disa zona në Tiranë.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njoftoi se po punohet për rikthimin e energjisë elektrike

“Rreth orës 20:30 është stakuar linja e transmetimit 110kV Tirana 220 kV – Traktora, ku për disa minuta la pa energji elektrike disa zona të Tiranës”, njoftoi OSHEE.

Aktualisht, sipas OSHEE grupet e OSSH po manovrojnë me linjat e dyta përmes skemave unazë.

“Institucionet e rëndësisë së veçantë kanë marrë energji elektrike, si dhe në disa zona është rikthyer brenda 30 minutash”, njoftoi OSHEE.

Sipas OSHEE, aktualisht pa energji elektrike janë një pjesë e rrugës “Ali Demi”, zona pranë Teleferikut, Fresku, zonat pranë “Rruga e Elbasanit”, etj.

/m.q/j.p/

The post Defekt në linjën e OST, disa zona në Tiranë mbeten pa energji elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Protesta kombëtare, moment vendimtar për të ardhmen politike të vendit

19 January 2026 at 21:50

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në “Foltoren” e zhvilluar sot para Kryeministrisë, kërkoi largimin e qeverisë, e cila sipas tij “ka shpërfytyruar dhe po shpërfytyron çdo ditë e më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe te protesta që do të zhvillojë opozita më 24 janar, nga ku u bëri thirrje qytetarëve që të mobilizohen.

Sipas Berishës, protesta e 24 janarit do të jetë një moment vendimtar për të ardhmen politike të vendit.

“Kjo protestë e kësaj jave ka një rëndësi të veçantë sepse kjo javë është përcaktuese për 24 janarin, protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana ndonjëherë, zemërimin më të fuqishëm të shqiptarëve, guximin e tyre më të madh”, u shpreh Berisha para pjesëmarrësve duke iu referuar protestës kombëtare të thirrur nga kjo parti.

“Shqiptarët po presin me padurim revoltën, kryengritjen paqësore, përballjen dhëmb për dhëmb me këtë regjim, fitoren e opozitës. Ndaj secili këtë javë, këto ditë, secili nga ne dhe çdo opozitar, të bëjë gjithçka, të mos i mungojë Shqipërisë më 24 janar”, tha Berisha.

Berisha theksoi më tej se në komisionin e jashtëm të kongresit të SHBA, u miratua një dokument themelor, në të cilin pasqyrohen të gjithë shqetësimet për të cilat protestuan qytetarët në dhjetor.

Berisha tha se ky dokument denoncon me forcën më të madhe arrestimet politike të këtij regjimi dhe kërkon ndërhyrjen e Uashingtonit dhe të Brukselit kundër kësaj situate. “Ky dokument frymëzohet nga guximi juaj për të mbrojtur të vërtetat e këtij vendi”, tha kreu i PD-së.

Berisha u shpreh se “Shqipëria nuk do ketë kurrë Kushtetutë dhe ligj pa triumfin e opozitës, pa triumfin e qytetarëve, pa kryengritjen paqësore të shqiptarëve”. /m.q/j.p/

The post Berisha: Protesta kombëtare, moment vendimtar për të ardhmen politike të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Netanyahu: Izraeli do t’i përgjigjet fuqishëm çdo sulmi të Iranit

19 January 2026 at 20:51

TEL AVIV, 19 janar /ATSH-DPA/- Izraeli do t’i përgjigjet fuqishëm çdo sulmi të Iranit, paralajmëroi sot kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu gjatë një fjalimi para parlamentit.

“Nëse Irani bën një gabim dhe na sulmon, ne do të veprojmë me forcën që Irani nuk e ka njohur ende”, tha Netanyahu.

“Po i ndjekim me shumë vëmendje, ngjarjet në Iran. Jemi të gjithë thellësisht të impresionuar nga lufta heroike e qytetarëve të Iranit për liri, prosperitet dhe drejtësi”, shtoi ai.

“Brutaliteti i ushtruar nga udhëheqësit në Teheran ndaj qytetarëve të vendit zbulon thelbin e këtij regjimi mizor”, tha Netanyahu duke iu referuar numrit të madh të protestuesve të vrarë në Iran.

“Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë në Iran, por çfarëdo që të ndodhë – Irani nuk do të kthehet në atë që ishte”, tha ai.

Frika për një përshkallëzim ushtarak në rajon është rritur pas kërcënimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për ndërhyrje ushtarake në Iran.

Trump ka mbështetur ndryshimin e qeverisë dhe presidenti iranian, Masoud Pezeshkian deklaroi se çdo akt agresioni kundër Khamenei do të ishte i barabartë me luftë kundër kombit iranian.

Izraeli dhe Irani zhvilluan një luftë 12-ditore në qershor të vitit të kaluar. //a.i/.

The post TEL AVIV – Netanyahu: Izraeli do t’i përgjigjet fuqishëm çdo sulmi të Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LDK-ja thërret Kuvendin, Abdixhiku pritet të kërkojë votëbesim

19 January 2026 at 20:51

PRISHTINË, 19 janar/ATSH/ Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do ta mbajë Kuvendin e partisë më 31 janar, ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, do ta kërkojë votëbesimin e delegatëve, njoftoi të hënën zyrtari i parisë, Besian Mustafa.

Mustafa tha për gazetarë se vendimi për mbajtjen e Kuvendit u mor gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së partisë në Prishtinë.

LDK-ja, partia më e vjetër në Kosovë, është duke përjetuar një ndër periudhat më të vështira në historinë e vet, pasi zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit sollën rezultatin e dytë më të keq për të.

Disa anëtarë të partisë, përfshirë nënkryetaren, Hykmete Bajrami, kërkuan largimin e Abdixhiku, pasi LDK-ja doli e treta duke i fituar vetëm rreth 13 për qind të votave.

Mustafa tha se anëtarët e LDK-së zhvilluan “një diskutim gati 4 orësh, të hapur e demokratik, duke shtjerrë debatin në secilën pikë të mundshme dhe duke analizuar edhe rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit”.

Abdixhiku tha ditë më parë se e ka ofruar dorëheqjen dhe se do të largohej vetëm nëse Kuvendi i partisë voton për shkarkimin e tij.

Prandaj, Mustafa theksoi të hënën se Abdixhiku – i cili e mori drejtimin e partisë më 2021 – do ta kërkojë votëbesimin në Kuvendin e 31 janarit.

“Kjo është formë që e kërkon vetë kryetari i partisë Lumir Abdixhiku. Në këtë Kuvend do të kërkojë votë të votëbesimit. Pra, Kuvendi i cili ka 355 delegatë do të vendosë për këtë kërkesë nëse do të kenë akoma besim në kryetarin Lumir Abdixhiku. Pra, është kërkesë për votëbesim”, tha Mustafa.

I pyetur nëse do të ketë garë për kryetar të ri të partisë, nëse shkarkohet Abdixhiku, Mustafa tha se është herët të flitet për këtë.

“Duhet të ketë një proces tjetër për të ardhur deri të kandidaturat e tjera për të pasur një proces zgjedhor në LDK. Tani jemi të pjesa e votëbesimit. Do ta shohim rezultatin e votëbesimit së pari”, tha Mustafa. /rel/

The post LDK-ja thërret Kuvendin, Abdixhiku pritet të kërkojë votëbesim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qazim Laçi shënon me “Rizespor” në Turqi

19 January 2026 at 20:26

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Mesfushori i kombëtares shqiptare, Qazim Laçi ka shënuar gol me fanellën e Rizesporit në kampionatin turk.

30-vjeçari ka shënuar nga pika e bardhë e penalltisë golin e vetëm të skuadrës së tij në humbjen 3-1 në transfertë përballë Goztepes.

Ky është goli i tretë sezonal që Laçi shënon në kampionatin turk.

Pavarësisht përpjekjeve të Laçit, skuadra e tij nuk arriti të shmangë humbjen në transfertë.

Paraqitjet pozitive të Laçit janë një lajm i mirë edhe për Silvinjon në kuadër të ndeshjeve të marsit të Kombëtares për play-offin e Botërorit 2026.

/gj.m/j.p/

The post Qazim Laçi shënon me “Rizespor” në Turqi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BULLGARI – Presidenti Radev jep dorëheqjen pas nëntë vitesh në detyrë

19 January 2026 at 20:20

SOFJE, 19 janar /ATSH-AFP/- Presidenti i Bullgarisë njoftoi sot se do të jepte dorëheqjen para zgjedhjeve të parakohshme, duke thelluar trazirat politike që kanë përfshirë vendin anëtar të BE-së dhe NATO-s.

Vendi ballkanik, i cili prezantoi euron më 1 janar, u zhyt në trazira të reja politike pasi një seri protestash të gjera kundër korrupsionit rrëzuan nga detyra qeverinë e udhëhequr nga konservatorët, në mesin e dhjetorit.

Rumen Radev, një kritik i zëshëm i qeverisë që mbështeti protestat, njoftoi javën e kaluar se një votim i parakohshëm – zgjedhjet e teta të vendit në pesë vjet – do të mbaheshin pasi partitë nuk arritën të formonin një qeveri të re.

“Sot, po ju drejtohem për herë të fundit si president i Bullgarisë,” tha Radev gjatë një fjalimi televiziv, duke shtuar se do të jepte dorëheqjen nesër nga posti i tij.

Radev, 62 vjeç, tha se ishte i etur të merrte përsipër “betejën për të ardhmen” e Bullgarisë së bashku me – të frymëzuarit dhe të palëkundurit.

Ai tha se modeli i dëmshëm i qeverisjes ishte fajtor për varfërinë, protestat dhe mosbesimin ndaj institucioneve në vend.

Spekulimet kanë qenë të shumta se Radev mund të marrë pjesë në zgjedhje, pasi ai ka thënë se dëshiron të “bashkojë të gjithë” në luftën kundër korrupsionit.

Dorëheqja e tij shënon herën e parë që një kryetar shteti jep dorëheqjen që nga fundi i komunizmit.

Zëvendësja e Radev, Iliana Iotova, 61 vjeç, dhe ish-gazetare dhe ligjvënëse nga Partia Socialiste, pritet të shërbejë si presidente e përkohshme.

Zgjedhjet do të mbahen në fund të marsit ose prill, por ende nuk është caktuar një datë.

Është detyrë e presidentit të emërojë një kryeministër të përkohshëm nga një listë zyrtarësh të lartë shtetërorë dhe të caktojë një datë për votimin.

Mandati i Radev ishte planifikuar të përfundonte në fillim të vitit të ardhshëm, me zgjedhjet presidenciale që pritej të mbaheshin para asaj kohe.

– Ish-pilot luftarak –

Një ish-pilot dhe komandant i forcave ajrore bullgare, Radev, i cili u mbështet nga socialistët e opozitës pro-ruse, u zgjodh president për herë të parë në vitin 2016.

Gjatë protestave masive kundër korrupsionit në vitin 2020, ai shprehu mbështetje të fortë për demonstruesit.

Në vitin 2021, Radev siguroi një mandat të dytë 5-vjeçar, duke fituar pothuajse 67% të votave në raundin e dytë.

Shpesh në kundërshtim me qeverinë, ai ka shprehur kundërshtimin ndaj dërgimit të ndihmës ushtarake në Ukrainën e shkatërruar nga lufta.

Në një intervistë për CNN vitin e kaluar, ai shprehu zhgënjim për mungesën e mbështetjes midis aleatëve të BE-së për “përpjekjet e paqes” të vetëshpallura nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Partia konservatore GERB kryesoi zgjedhjet më të fundit të vitit të kaluar, duke formuar një qeveri koalicioni, por protestat shpërthyen në fund të nëntorit për projektbuxhetin e saj të vitit 2026.

Protestuesit e quajtën atë si një përpjekje për të maskuar korrupsionin e përhapur.

Radev ka vendosur të japë dorëheqjen dhe potencialisht të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Një sondazh i fundit, i kryer nga instituti “Market Links” raportoi për Radev një vlerësim miratimi prej 44%.

Bullgaria është ndër vendet e BE-së me renditjen më të ulët në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës mbikëqyrëse “Transparency International”. //a.i/

 

The post BULLGARI – Presidenti Radev jep dorëheqjen pas nëntë vitesh në detyrë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PORTRET – Valentino, perandori i fundit i modës dhe mjeshtri i ëndrrave

19 January 2026 at 20:13

ROMË, 19 janar /ATSH/ – Emri i tij i vërtetë ishte Valentino Clemente Ludovico Garavani. Për botën, ai ishte thjesht Valentino, perandori i fundit i modes, ose ‘’The Chic’’ për amerikanët shkruan Vanityfair.it.

Valentino ndërroi jetë sot, në qetësinë e shtëpisë së tij romake. Ai ishte 93 vjeç, tërësisht i përkushtuar ndaj modës, luksit dhe një vizioni të rrallë.

Mjafton të shikoni rrobat që ai vetë i dizenjoi për koleksionet e tij, mund të admironi atë thjeshtësi: një fjongo, një dekolte, një detaj dhe do të kuptoni madhësinë e tij.

Ai ishte një mjeshtër i ëndrrave, i përkushtuar ndaj bukurisë, magjepsjes.

Bukuria ka qenë gjithmonë një mit për të cilin Valentino aspironte pa pushim, një pasion pa të cilin nuk mund të jetonte.

Dhe nuk po flasim vetëm për tapetin e kuq ose fustanet e princeshave. Po flasim për një bukuri 360 gradë që përshkonte çdo moment të jetës së tij, që shpërthente nga gjithçka që bënte.

Valentino lindi më 11 maj 1932, në Voghera, në provincën e Milanos.

Babai i tij, Mauro Garavani, u martua me Teresën, hapi një berberhane dhe më pas iu përkushtua shitjes me shumicë të materialeve elektrike, duke i siguruar familjes të ardhura të kënaqshme.

Valentino ndoqi shkollën, por ishte i shpërqendruar duke mbushur faqet e librave me vizatime të panumërta.

Ai gjithmonë e donte vizatimin: e bënte vazhdimisht. Nga ato male skicash dolën idetë e tij të mrekullueshme.

Në vitet 1950, pasi fitoi njohje duke marrë pjesë në një konkurs të rëndësishëm dizajni, ai u transferua në Paris dhe filloi të punonte në shtëpinë e Jean Dessès dhe në atelienë e Guy Laroche.

Ai u kthye në Itali dhe në fund të viteve 1950 ishte në Romë, duke studiuar nën drejtimin e Emilio Schuberth, përpara se të punonte në atelienë e Vincenzo Ferdinandit përpara se të hapte shtëpinë e tij të modës.

Në vitin 1957, ai themeloi Valentino-n, së bashku me disa partnerë, përfshirë babanë e tij.

Megjithatë, kostot e larta operative, të kombinuara me shijen e stilistit për luks, i çuan partnerët të tërhiqeshin nga biznesi, duke shkaktuar pothuajse falimentimin e shtëpisë së modës.

Ardhja e partnerit të tij Giancarlo Giammetti, një student i arkitekturës, rezultoi vendimtare. Me Giammetti-n, Garavani filloi një shtëpi të re mode, duke u përqendruar ekskluzivisht në anën krijuese dhe duke ia lënë anën financiare partnerit të tij.

Në vitin 1959 ai hapi atelienë e tij në Romë në Via dei Condotti dhe në vitin 1960 filloi bashkëpunimin me Giancarlo Giammetti, i cili do të mbikëqyrte zhvillimin e markës së tij.

Në vitin 1962, pas triumfit të koleksionit të tij të parë në Pitti Moda në Firence, Valentino u bë shpejt një nga stilistët më të vlerësuar dhe më të njohur në botë.

Dy faqet që botimi francez Vogue i kushtoi atij ishin shenjë e shenjtërimit të tij midis të mëdhenjve të modës.

Në vitin 1967 ai u vlerësua me Çmimin Neiman Marcus në Dallas, ekuivalenti, në botën e modës, i Oscarit për kinemanë.

Në të njëjtin vit ai dizenjoi uniformat për asistentët e fluturimit TWA dhe prezantoi koleksionin e parë Valentino Uomo.

Në vitin 1968 ai filloi të përdorte “V”-në e famshme si nënshkrimin e tij ai krijoi fustanin e nusërisë për dasmën e Jacqueline Bouvier me Onassis.

Ndërkombëtarizimi i markës fillon zyrtarisht, falë një politike inteligjente bashkëpunimesh me kompani të reja prodhimi.

Në dekadën e re, vitet 1970, stilisti italian hap atelie të reja në qytetet më të rëndësishme ndërkombëtare të modës, duke përfshirë Parisin, Tokion, Gjenevën, Nju Jorkun dhe Lozanën.

Në vitin 1969 ai hapi dyqanin e tij të parë të veshjeve të gatshme në Milano.

Ai hapi dyqane në New York City dhe Romë vitin pasardhës. Stilisti vazhdoi të gëzonte një karrierë jashtëzakonisht të suksesshme dhe të shkëlqyer, duke i shërbyer shoqërisë së lartë dhe botës së argëtimit.

Ai dhe Giametti e shitën kompaninë në vitin 1998, megjithëse Valentino mbeti stilisti.

Në vitin 2006 ai mori medaljen e Legjionit të Nderit Francez dhe doli në pension në vitin 2008.

Valentino vdiq sot në shtëpinë e tij në Romë.

Giorgia Meloni, kryeministrja e Italisë, i bëri homazh atij në një postim në rrjetet sociale ku e quajti atë një “mjeshtër të padiskutueshëm të stilit dhe elegancës dhe simbol të përjetshëm të modës së lartë italiane”.   /os/

The post PORTRET – Valentino, perandori i fundit i modës dhe mjeshtri i ëndrrave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Tajani: Italia e gatshme të ndërmjetësojë dhe të luajë një rol në çështjen e Groenlandës

19 January 2026 at 20:03

ROMË, 19 janar /ATSH-ANSA/- Ne përpiqemi gjithmonë të përdorim logjikën e shëndoshë, sepse komunikojmë me të gjithë, dhe gjithmonë themi të vërtetën, tha sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

“Ne punuam mirë për marrëveshjen e tarifave dhe besoj se mund të kemi sukses edhe në këtë rast. E rëndësishme është të kuptohemi”, tha ai.

“Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni është angazhuar në dialogun me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me evropianët”, tha Tajani.

“Dhe besoj se Italia, pikërisht nga natyra dhe aftësia e saj për të ndërmjetësuar dhe komunikuar me të gjithë, mund të luajë një rol pozitiv në arritjen e marrëveshjeve, pasi nuk ka absolutisht nevojë për luftëra tregtare apo konflikte”, theksoi ai.

“Dialogu është i nevojshëm dhe ne duhet të gjejmë zgjidhje që nuk penalizojnë askënd”, tha ministri i Jashtëm, Tajani.

Një mundësi për bisedime mund të ofrojë edhe Forumi Ekonomik Botëror në Davos.

Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të mbërrijë atje të mërkurën.

Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz do të marrë pjesë në samitin në Davos.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte deklaroi pas një bisede telefonike me Trumpin:

“Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. Një takim pritet me Trump në Davos”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte pas një bisede telefonike me presidentin e SHBA-së.

Italia, një nga anëtaret themeluese të NATO-s, nuk dërgoi asnjë trupë në Groenlandë, si pjesë e misionit të zbulimit të udhëhequr nga Danimarka.

Në mision krahas Danimarkës, morën pjesë shtatë vende të tjera evropiane, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda. //a.i/

The post ROMË – Tajani: Italia e gatshme të ndërmjetësojë dhe të luajë një rol në çështjen e Groenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOPENHAGË – Danimarka rrit praninë ushtarake në Groenlandë

19 January 2026 at 19:44

KOPENHAGË, 19 janar /ATSH-AA/ – Danimarka po vendos më shumë ushtarë në Grenlandë, njoftuan sot mediat lokale.

Forcat e Armatosura Daneze konfirmuan vendosjen për transmetuesin danez TV 2.

Një numër më i madh ushtarësh luftarakë danezë pritet të mbërrijnë në Kangerlussuaq të hënën në mbrëmje, në atë që është përshkruar si “një kontribut i konsiderueshëm”.

Mbërritja do t’i shtohet një grumbullimi të vazhdueshëm të personelit ushtarak danez në Grenlandë.

Sipas raportit, rreth 100 ushtarë danezë kanë mbërritur tashmë në Nuuk, kryeqytetin e Grenlandës, me një numër të ngjashëm të vendosur në Kangerlussuaq.

Trupat do të marrin pjesë në stërvitjen “Arctic Endurance”, të cilën autoritetet daneze thonë se është përshpejtuar dhe intensifikuar pas deklaratave të fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Trump tha se dëshiron “blerjen e plotë dhe totale” të territorit danez, duke argumentuar se është thelbësore për sigurinë e SHBA-së dhe atë globale.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Grenlanda mund të merret edhe ushtarakisht.

Të shtunën, presidenti Trump tha se do të vendoste tarifa prej 10 për qind për Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Holandën dhe Finlandën deri më 1 shkurt, me tarifat që do të rriten në 25 për qind deri më 1 qershor, për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj kontrollit amerikan të Grenlandës.

Pas njoftimit, tetë vendet evropiane lëshuan deklaratë të përbashkët të dielën, duke denoncuar kërcënimin amerikan dhe duke riafirmuar angazhimin e tyre për sigurinë e Arktikut.   /os/

The post KOPENHAGË – Danimarka rrit praninë ushtarake në Groenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Costa: BE-ja e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin konstruktiv me SHBA-në

19 January 2026 at 19:31

BRUKSEL, 19 janar /ATSH-ANSA-DPA/- Konsultimet e mia me vendet anëtare te Bashkimit Evropian mbi tensionet e fundit për Groenlandën, tregojnë një vlerësim të përbashkët se vendosja e tarifave doganore do të rrezikonte marrëdhëniet transatlantike, tha sot presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

“Gjithashtu, kjo do të ishte e papajtueshme me marrëveshjen tregtare BE-SHBA”, shtoi ai.

“Nevojitet gatishmëri për të mbrojtur veten nga çdo formë shtrëngimi”, theksoi Costa.

“Megjithatë, ekziston gjithashtu një gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin konstruktiv me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjitha çështjet me interes të përbashkët”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Costa.

Vendet e Bashkimit Evropian po nxitojnë të gjejnë një përgjigje të përbashkët ndaj kërcënimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të vendosur një tarifë shtesë prej 10% për mallrat nga disa aleatë evropianë nga 1 shkurti.

Udhëheqësit e BE-së do të takohen të enjten, në Bruksel pasi Trump tha se tetë vende evropiane do të përballeshin me tarifa më të larta – derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës të siguronin atë që ai e përshkroi si “blerjen e plotë dhe totale” të Groenlandës.

Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Britania e Madhe dërguan së fundmi një numër të vogël ushtarësh në një mision zbulimi në Groenlandë si një shenjë solidariteti me Danimarkën, e cila po kundërshton ambiciet e Trump për marrjen e ishullit Arktik – që e ka kontrolluar për rreth 300 vjet. //a.i/

The post BRUKSEL – Costa: BE-ja e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin konstruktiv me SHBA-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Partizani rikthehet te fitorja, Contreras “vulos” suksesin 2-1 ndaj Teutës

19 January 2026 at 19:28

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Partizani vendosi t’i japë fund serisë së tre humbjeve radhazi në kampionat, duke triumfuar 2-1 ndaj Teutës në javën e 20-të të Kategorisë Superiore, në stadiumin “Arena e Demave”.

Kryeqytetasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 32-të, me golin e shënuar nga Rrok Toma, duke mbyllur pjesën e parë në epërsi.

Në pjesën e dytë, Teuta reagoi dhe gjeti barazimin në minutën e 80-të me golin e Jazxhit, duke rihapur ndeshjen. Por Partizani nuk u dorëzua. Në minutën e 93-të, pas një sulmi të shpejtë nga e majta, Xhuliano Skuka asistoi për Contreras, i cili shënoi golin e fitores për “demat e kuq”.

Fitorja e ngjit Partizanin në vendin e pestë me 26 pikë, të barabarta me Teutën, e cila zbriti në vendin e gjashtë.

/gj.m/j.p/

The post Partizani rikthehet te fitorja, Contreras “vulos” suksesin 2-1 ndaj Teutës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transformimi i AQSHF, Rama: Një arkivë që ndriçon është një komb që kujton

19 January 2026 at 19:27

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama vuri në dukje sot rëndësinë e transformimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit duke e cilësuar investim thelbësor për kujtesën dhe identitetin kulturor të vendit.

“Një arkivë që ndriçon është një komb që kujton”, shkroi Rama në rrjetet sociale, teksa theksoi se ruajtja dhe digjitalizimi i trashëgimisë filmike është një mision kombëtar.

Procesi i transformimit përfshin modernizimin e infrastrukturës dhe godinës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përmban një pasuri të çmuar të kinematografisë shqiptare, me filma artistikë, dokumentarë dhe kronika që pasqyrojnë dekada të jetës shoqërore, kulturore dhe politike të vendit.

/gj.m/j.p/

The post Transformimi i AQSHF, Rama: Një arkivë që ndriçon është një komb që kujton appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Foltorja e PD, Balliu: Misioni i opozitës është qeveria teknike

19 January 2026 at 18:54

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e përjavshme para godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur edhe foltorja nga ku përfaqësues të opozitës i drejtohen qytetarëve.

Gjatë fjalës së tyre, deputetët dhe qytetarët përsëritën kërkesën për largimin e qeverisë. Në fjalën e tij, deputeti Klevis Balliu theksoi se misioni i opozitës është qeveria teknike dhe largimi i Kryeministrit.

“Për çdo shqiptar, nëse duam të shpëtojmë të ardhmen e këtij vendi, zgjidhja është një dhe e vetme: përballje, kudo në çdo rrugë dhe në çdo institucion. Le të bashkohemi me datën 24 për qëndresë qytetare dhe patriotike”, tha ai.

E konceptuar si platformë parlamentaro-qytetare, ky tubim ka në fokus denoncimet e deputetëve të PD-së dhe aleatëve, por edhe qytetarëve ndaj qeverisë.

Foltorja e Partisë Demokratike nisi në formë proteste ndaj asaj që PD e cilëson heshtje të zërit të saj në Kuvend.

/m.q/j.p/

The post Foltorja e PD, Balliu: Misioni i opozitës është qeveria teknike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tirana dhe Vora ndajnë pikët, barazim 1-1 në Superiore

19 January 2026 at 18:45

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Tirana dhe Vora u ndalën në një barazim 1-1 në përballjen e vlefshme për javën e 20-të të Kategorisë Superiore, pas një ndeshjeje të luftuar dhe me emocione deri në minutat e fundit.

Pjesa e parë u karakterizua nga ritëm i lartë dhe raste në të dyja portat, por pa gola.

Në fraksionin e dytë, Tirana hyri më e vendosur dhe gjeti avantazhin në minutën e 51-të me Ndong, i cili finalizoi saktë një aksion të shpejtë të bardhebluve.

Vora reagoi në fundin e ndeshjes dhe arriti të barazojë në minutën e 81-të me Adeloye, që përfitoi nga një top i mbetur në zonë për ta dërguar në rrjetë.

Në minutat e fundit, Tirana ishte shumë pranë golit të fitores, por fati nuk ishte në anën e saj: Myslovic goditi shtyllën, ndërsa Ernest u ndal nga traversa, duke lënë rezultatin të pandryshuar.

Me këtë barazim, Tirana mbetet në vendin e fundit të renditjes me 14 pikë, duke vijuar momentin e vështirë në kampionat. Nga ana tjetër, Vora merr një pikë të rëndësishme dhe pozicionohet në vendin e gjashtë me 23 pikë, duke ruajtur qetësinë në mesin e tabelës.

/gj.m/j.p/

The post Tirana dhe Vora ndajnë pikët, barazim 1-1 në Superiore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌