Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 February 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Katër fitore në katër ndeshje në Superiore, Edi Martini shpallet trajneri i muajit janar

6 February 2026 at 13:41

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Drejtoria Teknike e FShF-së ka përzgjedhur trajnerin e Vllaznisë, Edi Martini, si trajnerin më të mirë të muajit janar në Superiore.

Tekniku kuqeblu ka regjistruar katër fitore të rëndësishme gjatë këtij muaji në kampionat, ndaj kundërshtarëve si Egnatia, Dinamo City, Partizani dhe Teuta, duke u ngjitur gjithashtu në krye të renditjes.

Vllaznia kryeson kampionatin “Abissnet Superiore” me 42 pikë dhe meritën kryesore për këtë e ka stafi teknik, në krye me trajnerin Edi Martini.

Trofeu si trajneri më i mirë i muajit janar iu dorëzua Edi Martinit nga trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, përpara ndeshjes Vllaznia-Vora.

Edi Martini, trajneri i Vllaznisë

/gj.m/r.e/

The post Katër fitore në katër ndeshje në Superiore, Edi Martini shpallet trajneri i muajit janar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kanadaja dhe Franca hapin konsullata në Groenlandë

6 February 2026 at 13:37

NUUK (Groenlandë), 6 shkurt /ATSH/ – Kanadaja dhe Franca planifikojnë të hapin sot konsullata diplomatike në kryeqytetin Nuuk, duke treguar mbështetje për aleatin e NATO-s, Danimarkën, dhe ishullin arktik, pas përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të siguruar kontroll mbi territorin gjysëm të pavarur danez, sipas AP.

Ministrja e Jashtme kanadeze, Anita Anand, po udhëton drejt Nuuk për të inauguruar konsullatën, e cila sipas zyrtarëve mund të ndihmojë gjithashtu në bashkëpunimin mbi çështje si ndryshimet klimatike dhe të drejtat e inuitëve.

Ajo do të shoqërohet nga guvernatorja kanadeze indigjene, Mary Simon.

Franca, për herë të parë, do të vendosë një konsullatë të përgjithshme në Groenlandë, me Jean-Noël Poirier në krye.

Ai do të ketë detyrën të thellojë projektet ekzistuese të bashkëpunimit në fushat kulturore, shkencore dhe ekonomike, duke forcuar gjithashtu lidhjet politike me autoritetet lokale.

Kanadaja kishte premtuar hapjen e një konsullate në 2024, para diskutimeve të Trump për një marrëveshje të mundshme të marrjes së Groenlandës.

Inaugurimi u shty nga moti i keq.

Vendimi francez u mor pas vizitës së presidentit Emmanuel Macron në Groenlandë në qershor.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin kërcënuar me tarifa ndaj Danimarkës dhe shteteve të tjera evropiane që kundërshtonin përpjekjet e tyre, por më pas e tërhoqën këtë kërcënim pas një marrëveshjeje të paqartë për qasje në mineralet e pasura të ishullit.

Negociatat teknike midis SHBA-së, Danimarkës dhe Greenlandit po vazhdojnë për një marrëveshje sigurie në Arktik, ndërsa grupet e punës po krijohen për këtë qëllim./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS – Kanadaja dhe Franca hapin konsullata në Groenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festime me maska veneciane në qytetin e Shkodrës

6 February 2026 at 13:37

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Muaji shkurt përshkohet nga organizime festimesh me maska, tipike të festës së Karnavaleve.

Si çdo vit, data e Karnavaleve ndryshon, në bazë të datës së Pashkës, e cila këtë vit bie më 5 prill (për katolikët). Karnavalet zakonisht festohen 70 ditë përpara Pashkës.

Ato janë një festë, origjina e së cilës daton që me egjiptianët e lashtë, të cilët e nderonin perëndeshën Isis duke mbajtur maska. Megjithatë, karnavalet, siç i njohim sot, vijnë nga tradita e krishterë, ku ishte zakon të organizohej një banket i fundit me përmbajtje kryesisht mishi, përpara se të niste mbajtja e Kreshmëve (mosngrënia e mishit dhe nënprodukteve të tij).

Kjo festë plot ngjyra ku lejohet çdo shaka, është e përhapur dhe e dashur në të gjithë botën si nga të rriturit ashtu edhe nga fëmijët: Karnavalet në Rio ose Venecia, janë shembulli se si çdo vit miliona turistë nga çdo kontinent mblidhen për festime me maska.

Në Shkodër, tradita e karnavaleve vjen e dokumentuar prej 1860-ës, duke u kthyer në një nga elementët më të qëndrueshme të jetës kulturore dhe urbane të qytetit. Të njohura për maskat, veshjet dhe shfaqjet artistike, ato kanë ruajtur ndër breza mjeshtërinë e punimit artizanal dhe shpirtin krijues të komunitetit. Maskat veneciane janë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe përbëjnë një element simbolik të kësaj tradite, duke përfaqësuar një vlerë të veçantë kulturore dhe identitare, të ruajtur dhe të transmetuar brez pas brezi.

Ky aktivitet sjell në vëmendje këto elemente duke lidhur traditën historike të karnavaleve me praktikat e mjeshtërisë artizanale dhe trashëgiminë kulturore jomateriale të transmetuar ndër breza.

Me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si dhe të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, në qytetin e Shkodrës do të zhvillohet në datat 10 dhe 11 shkurt punëtori mbi maskat veneciane, punëtori për qëndistari e stilim si dhe sfilatë e veshjeve të karnavaleve.

/r.e/a.f/

The post Festime me maska veneciane në qytetin e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon protesta e banorëve kundër ndërtimit të resortit turistik në Baks-Rrjoll

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës bllokuan sot punimet për ndërtimin e një resorti turistik në Baks-Rrjoll.

Prej pesë ditësh banorët po protestojnë për ndërtimin e resortit, duke pretenduar se tokat ku po realizohet investimi janë pronë e tyre dhe se po cenohen pa një proces të rregullt ligjor.

Ndërkohë që një proces gjyqësor për pronësinë e truallit është ende në shqyrtim në Gjykatën e Apelit në Tiranë.

Banorët shprehen se e kanë me letra tokën dhe nuk do ta lejojnë të ndërtohet resorti në këtë zonë.

Ditën e djeshme banorët protestuan para Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku bënë thirrje për drejtësi, duke theksuar se SPAK është i vetmi institucion në të cilin kanë besim se do ta zgjidhë këtë çështje. Ndërsa në ditët e mëparshme banorët kanë bllokuar edhe aksin rrugor Velipojë–Shëngjin.

Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me një sipërfaqe rreth 146 hektarë në zonën e Rrjollit (Shkodër), i cili konsiderohet si një nga investimet më të mëdha turistike në vend.

/k.s/a.f/r.e/

The post Vijon protesta e banorëve kundër ndërtimit të resortit turistik në Baks-Rrjoll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet amnistia penale, lirohen 447 të burgosur, ulje dënimi për 853 të dënuar

6 February 2026 at 13:28

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari informoi se qeveria miratoi sot amnistinë penale.

Përmes një deklarate për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Lamallari tha se “447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu dhe 853 të tjerë ulje dënimi. Mes tyre ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj. Numri real i përfituesve nga pushimi i ndjekjes penale është shumë më i lartë”.

“Në mbledhjen e sotme të qeverisë miratuam amnistinë penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Nga të dhënat më të fundit të rakorduara me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës si dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative”, tha Lamallari, ndërsa theksoi se duke filluar nga viti 2024 pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta.

“Përveçse një akt i qartë human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe riintegrim, ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane”, u shpreh ministri Lamallari.

Ministri i Drejtësisë tha më tej se pret që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa, në mënyrë që amnistia të fillojë efektet e saj.

“Objektivi ynë ambicioz është të kemi një sistem që di të ndëshkojë fort kur duhet, por edhe të japë një shans për t’u rikthyer në shoqëri. Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe një mundësi e dytë e drejtuar nga humanizmi dhe rehabilitimi. Falënderoj të gjitha institucionet që kontribuuan në këtë proces dhe pres që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin sa më parë, në mënyrë që efektet pozitive të amnistisë të ndihen nga mijëra familje shqiptare”, deklaroi Ministri i Drejtësisë.

Nga kjo amnisi nuk përfitojnë subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Projektligji i amnistisë do të depozitohet në Kuvend, ku do të nisë shqyrtimi në komisionet parlamentare dhe më pas kalon për miratim në seancë plenare.

/e.i/r.e/a.f/

The post Miratohet amnistia penale, lirohen 447 të burgosur, ulje dënimi për 853 të dënuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rreziku i përmbytjeve, Berisha: Asnjë masë nga Qeveria, banorët të përgatiten vetë

6 February 2026 at 13:26

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se qeveria nuk ka marrë asnjë masë pas përmbytjes së parë dhe gjendja është akoma më e rëndë.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha i drejtoi një mesazh për të gjitha familjet shqiptare në zonat me rrezik për përmbytje.

Sipas tij, ata janë krejtësisht të braktisur nga qeveria, ndaj duhet të marrin çdo masë vetë dhe të bëjnë çdo përgatitje në mënyrë që të zvogëlojnë në maksimum mundësitë e dëmeve të një përmbytjeje të mundshme.

“Të dhënat janë për mot të keq dhe ky mot rrezikon më shumë se i pari për një seri arsyesh, sepse nuk është marrë asnjë masë, nuk është bërë asnjë rregullim pas përmbytjes së parë dhe gjendja është akoma më e rëndë”, tha Berisha.

Berisha siguroi se deputetët e PD-së dhe këshilltarët e saj do gjenden në terren për solidaritet.

/m.m/a.f/r.e/

The post Rreziku i përmbytjeve, Berisha: Asnjë masë nga Qeveria, banorët të përgatiten vetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Rama po rrezikon procesin e integrimit në BE duke mbrojtur Ballukun

6 February 2026 at 13:26

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se me mbrojtjen që po i bëhet zëvendëskryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë po kërcënohet integrimi i vendit në Bashkimin Europian.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh se “Edi Rama, në kundërshtim flagrant me të gjitha zotimet që rrjedhin nga procesi i integrimit, po fakton se ai për interesa të pushtetit të tij është i aftë të marrë çdo vendim pavarësisht se bllokon plotësisht procesin e integrimit në BE”.

“Lajmet që vijnë nga kancelaritë evropiane, por edhe nga Brukseli, dëshmojnë se Edi Rama është në rreth të kuq. Burime shumë serioze informojnë se për diskutimet e gjera që po zhvillohen në kancelaritë evropiane dhe në BE, në të cilat nuk përjashtohet edhe opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit në BE për shkak të këtyre qëndrimeve antikushtetuese, antidemokratike, antiligjore që mban Edi Rama në rastin e dosjes Balluku dhe AKSHI”, tha Berisha.

Sipas Berishës, rruga e vetme është kryengritja paqësore më 10 shkurt.

“10 shkurti është dita e çdo qytetari, është dita e dinjitetit, e guximit, e kurajës, e vendosmërisë për të marrë fatin në duar”, shtoi Berisha.

“Kemi marrë dijeni për zhvillimet në kancelaritë evropiane dhe në BE, por ne jemi të sigurt se pavarësisht nga vendimet, nuk vjen njeri për ta larguar, do ta largojmë ne Edi Ramën.
Ky është gjithnjë qëndrimi ynë”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, zhbërja e procesit të integrimit e nxjerr Shqipërinë në një orbitë krejtësisht tjetër.

/m.m/r.e/a.f/

The post Berisha: Rama po rrezikon procesin e integrimit në BE duke mbrojtur Ballukun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shorti i UEFA Nations League, Shqipëria mëson kundërshtarët më 12 shkurt në Bruksel

6 February 2026 at 13:24

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Kombëtarja shqiptare do të mësojë kundërshtarët e saj në edicionin e ardhshëm të UEFA Nations League më 12 shkurt, kur në Bruksel do të hidhet shorti i kompeticionit.

Shqipëria bën pjesë në Ligën C dhe është pozicionuar në Vazon 1, së bashku me Islandën, Malin e Zi dhe Kazakistanin.

Sipas ndarjes së vazove, Kombëtarja shqiptare mund të përballet me ekipe nga:

Vazo 2: Finlanda, Sllovakia, Bullgaria, Armenia

Vazo 3: Bjellorusia, Ishujt Faroe, Qipro, Estonia

Vazo 4: Letonia/Gjibraltari, Luksemburgu/Malta, Moldavia, San Marino

Shorti i 12 shkurtit do të përcaktojë përbërjen e grupeve dhe rrugëtimin e Shqipërisë në këtë edicion të Nations League, një kompeticion i rëndësishëm për ecurinë ndërkombëtare të ekipit kuqezi.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Shorti i UEFA Nations League, Shqipëria mëson kundërshtarët më 12 shkurt në Bruksel appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projeksion artistik me mbetjet plastike në liqenin e Shkodrës

6 February 2026 at 13:18

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Në Shkodër u zhvillua takimi i dytë mbi pasuritë e florës dhe faunës së zonës, pas atij mbi trashëgiminë kulturore përreth liqenit të Shkodrës.

Projekti “Projeksion mbi liqen”, një bashkëpunim mes DRTK Shkodër, COD, Bashkisë Shkodër, shkollave të mesme të qytetit dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi”, bazohet në tre komponentë kryesorë:

– Mbrojtja e mjedisit përmes pastrimit të territorit dhe brigjeve të Liqenit të Shkodrës nga mbetjet plastike, veçanërisht shishet;

– Kreativiteti nëpërmjet krijimit të një figuracioni/instalacioni simbolik nga grupe studentësh, i cili përfaqëson trashëgiminë kulturore, florën dhe faunën e Liqenit të Shkodrës;

– Ndërgjegjësimi dhe përfshirja e të rinjve në realizimin e kësaj vepre artistike nga nxënës dhe studentë, në formën e një mozaiku, duke përdorur si elementë përbërës shishe plastike të pikturuara, të mbledhura gjatë pastrimit të brigjeve të liqenit.

Ky projekt synon të ndërthurë mbrojtjen e mjedisit me artin dhe edukimin qytetar, duke vënë në qendër liqenin e Shkodrës, një pasuri e jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore, e cila pritet së shpejti të përfshihet nën mbrojtjen e UNESCO-s si Rezervë Ndërkufitare e Biosferës.

1 nga 3

/r.e/a.f/

The post Projeksion artistik me mbetjet plastike në liqenin e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK: Veprojmë në mënyrë të pavarur dhe hetojmë çështje bazuar në prova

6 February 2026 at 13:10

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpërndarë sot një mesazh në rrjetet sociale duke vënë theksin tek pavarësia institucionale dhe tek ligji.

SPAK bën të ditur se vepron në mënyrë të pavarur, dhe se heton çështje bazuar në prova.

“SPAK vepron në mënyrë të pavarur dhe heton çështje bazuar në prova”, shkruhet në postimin e Prokurorisë së Posaçme.

/gj.m/a.f/r.e/

The post SPAK: Veprojmë në mënyrë të pavarur dhe hetojmë çështje bazuar në prova appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Trump meriton Çmimin Nobel për Paqe

6 February 2026 at 11:45

PRISHTINË, 6 shkurt /ATSh/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti Donald Trump e meriton Çmimin Nobel për Paqe.

Kur u pyet nga Newsweek të mërkurën nëse do ta nominonte Trump për këtë çmim prestigjioz, Osmani u përgjigj: “Sigurisht, nëse unë jam presidente (kurdo që këto gjëra do të ndodhin)”.

Vetëm disa persona të caktuar mund të paraqesin nominime për Çmimin Nobel për Paqe, dhe afati për nominime mbyllet në fund të janarit. Fituesi i ardhshëm do të shpallet në tetor.

Trump prej kohësh ka synuar publikisht Çmimin Nobel për Paqe, duke u quajtur “paqebërës-i-parë”. Republikani ka pretenduar se ka arritur marrëveshje që i kanë dhënë fund konflikteve në mbarë botën, megjithëse vëzhguesit e vënë në dyshim se sa luftra ka ndaluar me të vërtetë.

Pyetje rreth ligjshmërisë së sulmeve amerikane ndaj anijeve të dyshuara për drogë pranë Venezuelës, që paraprinë një operacion të Forcave Speciale amerikane për të kapur Presidentin venezuelian Nicolas Maduro dhe bashkëshorten e tij muajin e kaluar, ende hetojnë figurën e Trump.

Osmani, duke folur nga Samiti i Qeverive Botërore në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, e përshkroi popullin e Kosovës si “popullin më pro-amerikan në botë” dhe “shumë, shumë mirënjohës për çdo administratë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

/KosovaPress/

The post Osmani: Trump meriton Çmimin Nobel për Paqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – Kitara e Kurt Cobain del në ankand

6 February 2026 at 11:40

MILANO, 6 shkurt /ATSH-ANSA/ – Kitara e legjendës së muzikës rock, Kurt Cobain në këngën “Smells Like Teen Spirit” do të dalë në ankand muajin e ardhshëm.

”Fender Mustang” e vitit 1966 është pjesë e një thesari instrumentesh muzikorë që përfshin edhe baterinë me logon që njoftoi ”Beatles” në Shtetet e Bashkuara kur Fab Four luajti në ”Ed Sullivan Show” në vitin 1964.

Koleksioni Jim Irsay, i krijuar nga ish-pronari i ekipit NFL ”Indianapolis Colts”, përfshin kitara nga muzikantë që formësuan shekullin XX, përfshirë Dave Gilmour të ”Pink Floyd”, Jerry Garcia të ”Grateful Dead”, Eric Clapton, John Coltrane dhe Johnny Cash.

Por, në zemër të koleksionit janë tekstet e shkruara me dorë të hitit të Beatles “Hey Jude” dhe kitarat e John Lennon, Paul McCartney dhe George Harrison.

“Mendoj se është e drejtë të thuhet se ky koleksion instrumentesh është koleksioni më i rëndësishëm i ‘Beatles’-ave i mbledhur ndonjëherë për dikë që nuk ishte anëtar i grupit”, tha Amelia Walker, drejtoresha e koleksioneve private dhe ikonike të ”Christie’s” në Londër.

“Në koleksionin e tij ka pesë kitara ‘Beatles’, si dhe kompleti i parë i baterisë ‘Ludwig’ i Ringo Starr dhe pianoja e John Lennon, mbi të cilën ai kompozoi disa këngë të ‘Sergeant Pepper”, shtoi ajo.

Ndoshta artikulli më i shtrenjtë në koleksion është kitara e Cobain, të cilën ekspertët vlerësojnë se mund të shitet deri në 5,0 milionë dollarë.

“Është një kitarë talismanike për brezin tim”, tha Walker.

“Smells Like Teen Spirit’ ishte himni i asaj gjenerate. Ai videoklip është vërtet ikonik. Jemi jashtëzakonisht krenarë dhe të privilegjuar që e kemi këtu”, shtoi ajo./  a.jor.

The post MUZIKË – Kitara e Kurt Cobain del në ankand appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vdekja e të miturit pas ndërhyrjes dentare, 7 persona në gjyq, 3 për vrasje nga pakujdesia

6 February 2026 at 11:27

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtatë persona pas humbjes së jetës së 3-vjeçarit, shtetasit B.S., pas një ndërhyrje dentare në një klinikë në kryeqytet.

Në përfundim të hetimeve, mbi procedimin penal të vitit 2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, dërgoi në gjyq shtetasit R.Xh dhe M.G., për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’ dhe ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim, shtetasen I.Xh. për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm’, shtetasit E.S. dhe E.A. për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’, si dhe shtetasit D.A. dhe V.H. për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’.

Më datë 28.09.2023, i mituri B.S., iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë, tek klinika “Splendent”, e drejtuar nga mjekët R.Xh dhe I.Xh. Pas ndërhyrjes i mituri u kthye në shtëpi dhe brenda pak orësh u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficiencë respiratore akute) në Spitalin e Pediatrisë në Qëndrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku dhe më pas, në datën 1 tetor 2023, ndërroi jetë.

Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë, u arrit në konkluzionin se: Shoku septik i rëndë, që solli më pas insuficiencën progresive shumorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S.

Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.

Këto shkelje kanë konsistuar në moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit.

Ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë sesa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.

Nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike.

Gjithashtu nga hetimi rezultoi e provuar se dy stomatologët I.Xh dhe M.G. kanë mashtruar prindërit e të miturit duke i marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur, por nuk ishin mbushur.

Për këtë fakt, ndaj tyre u ngrit akuza për ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë nga hetimi, u provua që stomatologia I.Xh. pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licensën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut.

Gjatë hetimeve u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore edhe nga ana e ekspertëve të IML-së, shtetasit E.S dhe E. A.

Gjithashtu shkelje u konstatuan edhe tek mjekët e rojës të Pediatrisë, V.A. dhe D.S., në momentin që i mituri u dërgua në spital. Mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë.

Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve R.Xh., I.Xh dhe M.G.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Vdekja e të miturit pas ndërhyrjes dentare, 7 persona në gjyq, 3 për vrasje nga pakujdesia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Digjitalizimi i shërbimeve doganore, 2355 aplikime online në 2025-ën

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Gjatë periudhës janar–dhjetor 2025 shërbimet doganore të ofruara përmes platformës “e-Albania” kanë shënuar një rritje të qëndrueshme, duke reflektuar përparimin e procesit të digjitalizimit dhe rritjen e përdorimit të shërbimeve online nga bizneset dhe qytetarët.

“Në këtë periudhë janë regjistruar 2 355 aplikime online, çka përfaqëson një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 2100 aplikime”, theksohet në njoftimin për shtyp të Doganës Shqiptare.

Sipas Doganës, ky tregues dëshmon besimin në rritje ndaj shërbimeve elektronike dhe eficiencën e tyre në lehtësimin e procedurave doganore.

“Paralelisht, gjatë vitit 2025 janë përditësuar në sistem 13014 autorizime për regjime të posaçme, duke shënuar një rritje prej 1,16% në raport me vitin 2024, kur numri i autorizimeve ishte 12864. Ky proces ka kontribuar në përmirësimin e administrimit dhe monitorimit të regjimeve doganore, si dhe në rritjen e transparencës procedurale”, thuhet në njoftim.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vijon angazhimin për ofrimin e shërbimeve më të shpejta, më transparente dhe më efikase, përmes zgjerimit dhe përmirësimit të shërbimeve digjitale, në funksion të lehtësimit të ndërveprimit me biznesin dhe qytetarët.

/k.s/r.e/a.f/

The post Digjitalizimi i shërbimeve doganore, 2355 aplikime online në 2025-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEDIA – Jeff Bezos shkarkon një të tretën e stafit të ”Washington Post”

6 February 2026 at 10:59

UASHINGTON, 6 shkurt /ATSH/ – Gazeta e njohur amerikane ”Washington Post” njoftoi  punonjësit se po ecën përpara me një valë të gjerë shkarkimesh, pjesë e asaj që drejtuesit e përshkruajnë si një rivendosje strategjike të gjerë të gazetës, sipas ”The Independent”.

Masat përfshijnë mbylljen e redaksisë së sportit, shkurtime të thella në mbulimin ndërkombëtar, çmontimin e seksionit të recensioneve të librave dhe ristrukturimin e ekipit të lajmeve lokale.

Edhe pse fillimisht nuk u bë e ditur shifra e saktë e të prekurve, më herët ishte raportuar se rreth 100 gazetarë nga redaksia dhe deri në 300 punonjës në total nga kompania mund të humbnin vendet e punës.

Megjithatë, pas emaileve të dërguara pritet që rreth një e treta e stafit, afërsisht 300 nga rreth 800 gazetarë të redaksisë,  të shkarkohen.

Disa punonjës e përshkruan situatën si një gjakderdhje.

”I përket ndër ditëve më të errëta në historinë e një prej organizatave më të mëdha të lajmeve në botë”, deklaroi ish-redaktori ekzekutiv i ”Washington Post”, Marty Baron.

”Ambiciet e ‘Washington Post’ do të zvogëlohen ndjeshëm, stafi i tij i talentuar dhe i guximshëm do të tkurret edhe më tej, dhe publikut do t’i mohohet raportimi në terren, i bazuar në fakte, në komunitetet tona dhe në mbarë botën, raportim që është më i nevojshëm se kurrë”, shtoi ai.

Njoftimi, i bërë nga redaktori ekzekutiv Matt Murray, erdhi pas një apeli kolektiv të redaksisë, i cili i kërkoi publikisht pronarit miliarder të gazetës, Jeff Bezos, të tërhiqej nga planet për zvogëlim.

Fushata ”SaveThe Post” duket se nuk pati efekt.

Gjatë një telefonate me stafin, Murray theksoi se po eliminohet redaksia e sportit, për vite me radhë pjesë thelbësore e gazettes, megjithëse disa anëtarë do të mbeten në një seksion të ri që do të mbulojë kulturën e sportit.

Ai njoftoi gjithashtu tkurrjen e zyrave të huaja, ndryshime rrënjësore në mbulimin lokal dhe pezullimin e podkastit kryesor ”Post Reports”.

Edhe seksioni i recensave të librave është shpërbërë pothuajse tërësisht.

”Nuk mund të jemi gjithçka për të gjithë”, shkroi Murray në mesazhin e tij.

”Por duhet të jemi të pazëvendësueshëm aty ku konkurrojmë. Kjo do të thotë të pyesim vazhdimisht pse një histori ka rëndësi, kë i shërben dhe si u jep njerëzve një kuptim më të qartë të botës dhe një avantazh për ta naviguar atë”, theksoi ai./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post MEDIA – Jeff Bezos shkarkon një të tretën e stafit të ”Washington Post” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi pritet nga zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, në fokus siguria dhe drejtësia

6 February 2026 at 10:46

TIRANË, 6 shkurt/ATSh/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në vijim të vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara, zhvilloi një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit me Michael Rigas, zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Gjatë takimit u theksua partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe bashkëpunimin e ngushtë, që i shërben të ardhmes dhe prosperitetit të të dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit rikonfirmoi se ShBA mbetet partneri kryesor strategjik i Shqipërisë dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në rrugëtimin euroatlantik dhe reformat e brendshme të vendit, duke nënvizuar rolin e Kuvendit si institucion kyç në avancimin e këtyre reformave.

Në fokus të bisedës ishte bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, forcimi i shtetit të së drejtës, si edhe përpjekjet e përbashkëta për të adresuar fenomenet e krimit të organizuar në rajon. Po ashtu, u diskutua zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike e tregtare dhe rritja e investimeve amerikane në sektorë strategjikë në Shqipëri.

U vlerësua gjithashtu roli i Shqipërisë si aleate e besueshme në NATO dhe angazhimi i saj për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale, përfshirë gatishmërinë për të përmbushur objektivat e reja të Aleancës drejt rritjes së shpenzimeve në mbrojtje, si edhe angazhimi maksimal për mikpritjen e Samitit të NATO-s.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve strategjike të konektivitetit dhe sigurisë në rajon, përfshirë zhvillimin e Porto Romanos dhe rëndësinë e Korridorit 8, si një bosht i ri europian që lidh Adriatikun me Detin e Zi, duke shërbyer jo vetëm si projekt i zhvillimit ekonomik, por edhe si korridor i sigurisë, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik.

Kryetari Peleshi dhe zëvendëssekretari Rigas diskutuan gjithashtu zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë te Kosova dhe roli i shqiptarëve, si faktor i rëndësishëm për stabilitetin, integrimin dhe paqen në rajon, si edhe rolin e ShBA-së si garant i paqes dhe integrimit euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Takimi u vlerësua si një moment domethënës për diplomacinë parlamentare shqiptare dhe një hap i rëndësishëm në thellimin e partneritetit strategjik Shqipëri-ShBA, duke forcuar më tej rolin e Kuvendit si nxitës dhe mbështetës i bashkëpunimit mes dy vendeve.

/a.f/r.e/

The post Peleshi pritet nga zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, në fokus siguria dhe drejtësia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

​Kosova me gjashtë xhudistë në Grand Slam-in e Parisit

6 February 2026 at 10:45

PRISHTINË, 6 shkurt /ATSh/ Gjashtë xhudistë të Kosovës do të marrin pjesë në Eventin e Madh të Parisit, që do të zhvillohet me datën 7 dhe 8 shkurt në Accor Arena të Parisit.

Kosova do të garojë në gjashtë kategori. Akil Gjakova (deri në 73 kg), Laura Fazliu (deri në 63 kg), Distria Krasniqi (deri në 52 kg), Fatjona Kasapi (deri në 52 kg), Flaka Loxha (deri në 57 kg) dhe Erza Muminoviç (deri në 48 kg), në krye me Driton Kukën dhe të artën Majlinda Kelmendin, do të synojnë që të kthehen me medalje në Kosovë.

Ky event do të mbledhë 499 garues, nga 80 shtete e 6 kontinente, garë e cila ndiqet nga mijëra shikues çdo vit.

/KosovaPress//r.e/

The post ​Kosova me gjashtë xhudistë në Grand Slam-in e Parisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkolla e re në Vadardhë të Sukthit me kushte dinjitoze për nxënësit e mësuesit

6 February 2026 at 10:42

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Punimet për ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare në Vadardhë të Sukthit po ecin me ritme të shpejta.

Deri tani në Sukth kanë përfunduar pesë godina arsimore të reja dhe shkolla në Vadardhë është objekti i gjashtë arsimor që ndërtohet.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky kantier ku po punohet me ritme të larta për të garantuar kushte bashkëkohore për nxënësit dhe stafin mësimor.

Rama theksoi se në përfundim të punimeve kjo shkollë do të ketë ambiente bashkëkohore të pajisura me laboratorë, auditorë, bibliotekë, palestër dhe fushë sportive duke u krijuar nxënësve dhe mësuesve kushte dinjitoze e moderne mësimi.

Ky objekt arsimor po ndërtohet me fondet e bashkisë së Durrësit dhe konsiderohet mjaft i rëndësishëm për komunitetin e nxënësve, prindërve dhe mësuesve pasi përfshin shkollën dhe kopshtin.

Shkolla e re do të ofrojë kushte dhe standarde bashkëkohore për 485 nxënës dhe 87 fëmijët e kopshtit.

1 nga 2

/m.m/a.f/r.e/

The post Shkolla e re në Vadardhë të Sukthit me kushte dinjitoze për nxënësit e mësuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PEKIN – Kina mbështet Iranin dhe kundërshton çdo kërcënim ndaj tij

6 February 2026 at 09:57

PEKIN, 6 shkurt /ATSH-AFP/ – Kina ka deklaruar se mbështet Iranin në mbrojtjen e interesave të tij dhe përballë çdo forme kërcënimi, sipas një komunikate të publikuar sot nga diplomacia kineze, pak përpara bisedimeve të rëndësishme mes Teheranit dhe Uashingtonit.

”Pekini mbështet Iranin në mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe dinjitetit kombëtar si edhe të të drejtave dhe interesave të tij legjitime”, deklaroi zëvendësministri kinez i Punëve të Jashtme, Miao Deyu, gjatë një takimi në kryeqytetin kinez me homologun e tij iranian, Kazem Gharibabadi.

”Kina kundërshton çdo kërcënim të njëanshëm ose përdorim të forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare”, theksoi Miao gjatë bisedës me përfaqësuesin iranian, i cili e informoi atë mbi situatën e brendshme në Iran dhe mbi zhvillimet që lidhen me programin bërthamor të Teheranit, thuhet në komunikatën kineze të bërë publike sot./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post PEKIN – Kina mbështet Iranin dhe kundërshton çdo kërcënim ndaj tij appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Superliga, katër ndeshje të premten, derbi Tirana–Dinamo të shtunën

6 February 2026 at 09:49

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Java e 23-të e Superiors do të zhvillohet të premten dhe të shtunën, me pesë ndeshje që premtojnë spektakël dhe emocione të forta.

Të premten, Bylisi do të presë Partizanin në “Adush Muçaj”, ndërsa Vllaznia do të përballet me Vorën, të dyja sfidat në orën 13:30.

Në orën 16:30, AF Elbasani do të luajë ndaj Teutës në “Elbasan Arena”, ndërsa mbrëmjen e së premtes, Flamurtari do të presë Egnatian në Vlorë.

Java do të mbyllet të shtunën në orën 13:30 me përballjen Tirana – Dinamo City në “Selman Stërmasi”.

Java 23

Bylis – Partizani, 06.02.2026 13:30 Stadiumi “Adush Muçaj”

Vllaznia – FK Vora, 06.02.2026 13:30 Stadiumi “Vora”

AF Elbasani – Teuta, 06.02.2026 16:30 Stadiumi “Elbasan Arena”

Flamurtari – Egnatia, 06.02.2026 19:00 Stadiumi “Flamurtari”

Tirana – Dinamo City, 07.02.2026 13:30 Stadiumi “Selman Stermasi”

/gj.m/a.f/

The post Superliga, katër ndeshje të premten, derbi Tirana–Dinamo të shtunën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌