Normal view

Zgjedhje me burime shtetërore?! Drejtorët e PS, më të votuarit, “vranë” garën edhe brenda llojit  

15 May 2025 at 20:00

Nga Sebi Alla- Me tre drejtorë në listën e hapur, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku theu çdo rekord votash në Qarkun Fier, duke marrë tre mandate më shumë nga zgjedhjet e vitit 2021. PS siguroi 12 mandate deputetësh nga 16 gjithsej, teksa mposhti jo vetëm rivalët politik në çdo drejtim, por edhe të ngjashmit brenda partisë.

Drejtorët e deridjeshëm, janë në krye me diferencë të madhe votash preferenciale, duke rrëmbyer me të dyja duart mandatin e deputetit. Situata e ngjashme është në të gjithë qarqet e vendit.

Shumë nga drejtorët vetëm origjina e largët mund t’i lidhte me qarkun ku kandiduan, por ndikimi në votë ishte mjaft i madh për ta, teksa ngrihen  pikëpyetje për formën e fushatës dhe përdorimin e burimeve njerëzore dhe infrastrukturore të drejtorive përkatëse në shërbim të zgjedhjeve, që në fund u përkthyen me dhjetëra mijë vota personale.

Fieri, rreth e qark me drejtorë

Në Qarkun Fier, që përfshin Bashkitë Fier, Lushnjë, Divjakë, Mallakastër, Roskovec dhe Patos, në listat e hapura të PS-së pati tre funksionarë të rëndësishëm. Ceno Klosi, ish-drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, së fundmi zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës, siguroi vendin e parë në listën e hapur me rreth 17 mijë vota.

Pas tij, Klevis Jahaj, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, mori rreth 13 mijë vota.

I pesti në renditje është Elton Korreshi, ish-drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore, Bashkia Lushnjë, aktualisht edhe nënkryetar i kësaj bashkie. Që të tre në shtatorin e vitit të ardhshëm do jenë në Parlament.

Durrës

Edhe Qarku Durrës ka një numër të madh drejtorësh të cilët vendosën t’i futen politikës së “madhe” dhe për ta nuk rezultoi aspak nismë e dështuar. Hekurudhë ende nuk kemi, por drejtor po. Ani Dyrmishi, Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave Shqiptare, kandidoi në listat e hapura të PS-së për Qarkun Durrës.

Në fund kur u numëruan votat preferenciale, Dyrmishi siguroi vendin e dytë me rreth 12 mijë vota preferenciale.

Të vetmin që nuk kaloi është Arkend Balla, me mbi 18 mijë vota, ai u bë deputet kur nuk e priste, pas dorëheqjes së Rrahman Rrajës. Lista me drejtorë vijon më tej ku Etleva Budini, Drejtore e Filialit Durrës të Postës Shqiptare, renditet e pesta me mbi 4 mijë vota dhe në listën më poshtë në vendin e shtatë është Indrit Gjoka, drejtor i Portit Durrës. Po në këtë qark, drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Krujë zuri vendin e gjashtë me mbi 3 mijë vota preferenciale.

Korçë

Në Korçë lista e PS-së përveç figurave politike në listën e mbyllur sugjeronte në listën e hapur kandidatë me “potencial”, jetëshkrimi profesional i të cilëve lidhej kryesisht me drejtimin e drejtorive të ndryshme. Para se të emërohej zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, mbante detyrën e drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme Rregullatore dhe të Përputhshmërisë në Bujqësi, Ushqim dhe Zhvillim Rural. Gjithashtu edhe Besa Spaho, që në jetëshkrimin e saj thekson se ka drejtuar agjencinë e ALUIZNI-t Tirana Jug por edhe Kadastrën lokale, ka siguruar në Korçë 6691 vota preferenciale.

Elbasan

Gati është në kufijtë e çdo thyerje rekordi, një emër thuajse i panjohur në publik, Sara Mila, ka mundur të sigurojë 18 626 vota dhe është në prag të kalimit të mbi 20 mijë votave kur të lexohet edhe vota e diasporës. Mila mbante detyrën e drejtoreshës së Shërbimit Social Shtetëror në Elbasan. Lista e drejtorëve vijon më tej në Elbasan, por pa iu afruar në asnjë moment Sara Milas, e cila ka “mposhtur” në vota edhe drejtorët e rëndësishëm që kandiduan në Qarkun Fier.

Përfundimi

Pjesa më e madhe e kandidatëve për deputetë që garuan në zgjedhjet e 11 majit janë nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Disa prej tyre kanë çështje të hapura në Prokurorinë Speciale SPAK, por ende pa masë dhe komunikim akuze. Tashmë që kanë fituar mandatin e deputetit çdo kërkesë për masë sigurie “arrest shtëpie”, apo “arrest me burg”, do të duhet të merret miratim nga Kuvendi i Shqipërisë dhe mandati i bën disi imun edhe në përballjen me drejtësinë.

The post Zgjedhje me burime shtetërore?! Drejtorët e PS, më të votuarit, “vranë” garën edhe brenda llojit   appeared first on Faktoje.al.

“Ballë për ballë me faktet”- Jona Osmani dhe Aulon Kalaja gara për Durrësin

7 May 2025 at 11:25

“Ballë për ballë me faktet” në Faktoje. al, nga gazetarja Mimoza Picari, vjen këtë radhë me ballafaqimin e dy kandidateve për deputetë nga listat e hapura në qarkun e Durrësit, Jona Osmani e PS në qeverisje dhe Aulon Kalaja nga PD në opozitë. Ajo arkitekte dhe pedagoge në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe ai aktivist i shoqërisë civile, përballen  për çështje me peshë si turizmi, rindërtimi,  siguria dhe projektet në insfrastrukturën portuale. Si pjesë e prurjeve të reja në politikë ata synojnë të përcjellin tek zgjedhësit besimin tek të rinjtë”

The post “Ballë për ballë me faktet”- Jona Osmani dhe Aulon Kalaja gara për Durrësin appeared first on Faktoje.al.

Zgjedhjet në Shqipëri marrin nuanca ndërkombëtare: Trump, Soros dhe një strateg i ri në Tiranë

29 April 2025 at 16:06

Dy media ndërkombëtare, Fox News dhe Politico, kanë hedhur vështrimin mbi arenën politike shqiptare në prag të zgjedhjeve parlamentare, duke e interpretuar përplasjen Rama-Berisha si reflektim të tensioneve gjeopolitike që tejkalojnë kufijtë kombëtarë. Fox News paraqet përballjen si një luftë me tone ideologjike mes ish-Presidentit amerikan Donald Trump dhe filantropit George Soros, ndërsa Politico e sheh situatën si një pasqyrim të fërkimeve strategjike mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, me ndikim të mundshëm në rrugën europiane të Shqipërisë.

Por ekspertët, të intervistuar nga Faktoje, e konsiderojnë këtë krahasim të nxitur më shumë nga taktikat elektorale sesa nga realitetet politike, dhe vlerësojnë se ai nuk përbën kërcënim real për integrimin europian të vendit.

Një Përballje “Trump vs Soros” në versionin shqiptar?

Fox News njihet për një linjë editoriale konservatore, duke mbështetur shpesh politikanë dhe politika të Partisë Republikane. Kjo media ka qenë veçanërisht mbështetëse ndaj Donald Trump gjatë presidencës së tij dhe kritike ndaj Partisë Demokratike dhe mediave liberale.

analizën e Fox News për zgjedhjet në Shqipëri, autorja Beth Bailey sugjeron se gara politike në Shqipëri është kthyer në një përfaqësim indirekt të përplasjes mes Donald Trump dhe George Soros. Ajo thekson praninë e Chris LaCivitas, strategut të fushatës së Trump, në ekipin e Sali Berishës, ndërsa rikujton lidhjet e njohura mes kryeministrit Edi Rama dhe familjes Soros.

LaCivitas e përforcoi këtë narrativë, duke deklaruar për Fox News se Berisha është “një mik i vërtetë i Shteteve të Bashkuara dhe… do të bashkëpunonte me sukses me Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara”, duke e cilësuar Ramën si “kukull të George Soros”.

Marrëdhënia e Ramës me Soros është e dokumentuar dhe publike. Kryeministri e ka theksuar shpesh afërsinë e tij me George Soros dhe veçanërisht me të birin, Alex Soros, me të cilin është fotografuar në mënyrë të përsëritur gjatë viteve të fundit.

Megjithatë, për analistët politikë shqiptarë, ky paralelizëm është artificial. Sipas Adrian Shtunit, ekspert i politikës ndërkombëtare dhe botues, qëllimi i Berishës për t’u pozicionuar në të njëjtën linjë me Trump është i qartë dhe i qëllimshëm: “Ai huazon slogane dhe mesazhe politike pothuajse identike,” thotë Shtuni, duke nënvizuar tri arsye kyçe pas kësaj strategjie.

Së pari, sipas tij, është dëshira për të replikuar në Shqipëri fitoren e Trump në SHBA: “Nëse ka funksionuar për republikanët në SHBA, duhet të funksionojë edhe në Shqipëri për të djathtën.” Në fakt, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA, Trump arriti të mposhtë Kamala Harris me mbi 2 milionë vota diferencë.

Edhe pse në Shqipëri sondazhet nuk pasqyrojnë të njëjtën prirje, të dhënat nga Barometri i Euronews Albania tregojnë se Berisha ka shënuar rritje të   pëlqyeshmërisë së figurës së tij nga janari në prill.

Së dyti, sipas Shtunit, është përpjekja për të paraqitur konfliktin lokal si pjesë të një përplasjeje ideologjike më të gjerë midis së djathtës anti-globaliste dhe së majtës globaliste.

“Qëllimi është për ta projektuar përballjen Rama-Berisha si pjesë e përplasjes ideologjike mes të djathtës së fortë antiglobaliste apo Trumpizmit në një anë, dhe të majtës globaliste në SHBA dhe Evropë që shpesh përfaqësohet nga Soros” – Adrian Shtuni, studiues.

Kjo, sipas tij, çon edhe një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj elektoratit: “partneri jonë ideologjik fitoi në SHBA; ne jemi me fituesin; votoni ata që janë me fituesin”, shpjegon Shtuni.

Së treti, dhe më personalja: “Kjo është një përpjekje e Berishës për të sinjalizuar afërsi ideologjike me Trump dhe për të kërkuar rishikimin e shpalljes non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit,” sipas Shtunit.

“Në fund të fundit imitimi është forma më e lartë e komplimentit dhe mendoj se z.Berisha dhe poli i tij politik po mundohen të pozicionohen strategjikisht sa më sipër, duke shfrytëzuar edhe këshillat, përvojën dhe lidhjet që ofron z.LaCivitas”, argumenton ai.

Edhe Ledion Krisafi, njohës i politikës ndërkombëtare, bie dakord me këtë vlerësim, duke vënë në dukje se Berisha në të kaluarën ka pasur lidhje me rrjetin e Soros dhe se distancimi i tij i tanishëm është strategjik: “Berisha është bërë anti-sorosian i kohëve të fundit vetëm me qëllim për t’i bërë përshtypje Trumpit që t’i heqë non gratën,” thekson Krisafi.

Për Krisafin, huazimi i ideve të Trump-it nga Berisha është thjesht një kalkulim personal: “Shumica e këtyre ideve nuk kanë asnjë lidhje me realitetin politik dhe social në Shqipëri. Është vetëm për të bërë përshtypje” Megjithatë, ai e konsideron fakt pozitiv për Berishën që një media si Fox News i ka dhënë vëmendje këtij krahasimi.

“Gjithsesi, nuk mendoj se kjo do të ndikojë realisht në zgjedhjet shqiptare. Kjo është një betejë personale e Berishës për të hequr non-gratën dhe nuk ndryshon faktin që shumica e shqiptarëve nuk e shohin atë si kryeministër të ardhshëm.” – Ledion Krisafi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Politico dhe tensionet BE–SHBA: Një Shqipëri në mes

Politico në anën tjetër një burim profesional dhe relativisht i balancuar, shpesh mund të përceptohet si më afër qëndrimeve liberale apo të qendrës së majtë në spektrin politik amerikan Artikulli i Politico ofron një tjetër interpretim të dinamikës elektorale në Shqipëri. Gara mes Ramës dhe Berishës shihet si pasqyrë e mundshme mes tensioneve mes BE-së dhe SHBA-së në kuadër të “luftës tregtare” transatlantike, duke sugjeruar se rreshtimi i Shqipërisë me politikat ekonomike të Brukselit mund të sjellë sfida në marrëdhëniet me Uashingtonin.

Geron Kamberi, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare shpjegon se edhe pse “krisja” e marrëdhënieve mes SHBA dhe BE është aty, ajo nuk sjell ndonjë pasojë për Shqipërinë pasi kjo e fundit nuk ka rol në rikonfigurimin e ri të marrëdhënieve transatlantike.

Nëse këto dallime do të thellohen në të ardhmen e që mund të shkojnë vecanërisht drejt asaj që mund të quhet një ‘Nato europiane’, atëherë Shqipëria si vend kandidat apo vend anëtar i mundshëm i BE do të duhet të bëjë përllogaritjet e saj të interesit strategjik e diplomatik”  – Geron Kamberi, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Sipas Adrian Shtunit situata nuk përbën një kërcënim real: “Unë nuk parashoh që përplasja mbi tarifat mes BE-së dhe SHBA-së do të ketë ndikim negativ në marrëdhëniet SHBA–Shqipëri. Edhe vetë vendet e BE-së nuk kanë një qëndrim të unifikuar mbi këtë çështje, prandaj nuk mendoj se do të kërkonin me ngulm një pozicion të caktuar nga Shqipëria

Sipas tij, palët do të arrijnë një marrëveshje pragmatiste që do të rikthejë ekuilibrin tregtar. Këtë pikëpamje e ndan edhe Krisafi: “Lufta tregtare nuk do zgjasë shumë. Efektet e saj tashmë janë të dukshme në bursa dhe tregti. SHBA nuk po përfiton realisht, ndaj mendoj se një marrëveshje do të arrihet shpejt, pa e vendosur Shqipërinë në pozitën e zgjedhjes mes dy aleatëve

Një tjetër garant, sipas Geron Kamberit, është edhe “objektivi strategjik i Shqipërisë për anëtarësim në BE, që ka qenë i palëkundur në të gjitha partitë politike në vend ndërkohë që dy partitë kryesore (PS dhe PD) shpesh i kanë shndërruar fushatat elektorale në “pista të Formula Uno” se kush kishte “makinën më të shpejtë të premtimeve” për ta anëtarësuar Shqipërinë me BE.

The post Zgjedhjet në Shqipëri marrin nuanca ndërkombëtare: Trump, Soros dhe një strateg i ri në Tiranë appeared first on Faktoje.al.

Borxhi publik 54,7% e PBB-së, niveli më i ulët që nga 2008

24 March 2025 at 11:00

Ulja e borxhit publik nën 60% të prodhimit kombëtar ishte një nga angazhimet kryesore të programit qeverisës të socialistëve katër vite më parë. Në fund të 2024 niveli i borxhit publik rezultoi 54,7 % në raport me prodhimin e brendshëm. Por ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se pas përmbushjes së këtij angazhimi qendron zhvlerësimi i euros në raport me lekun.  

Esmeralda Topi

Katër vite më parë, teksa kërkonte mandatin e tretë për të drejtuar vendin, kryeministri Edi Rama ricikloi premtimin për uljen e borxhit publik. Një nga shënjestrat e programit qeverisës 2021-2025 ishte konsolidimi i përshpejtuar fiskal që synonte uljen e borxhit nën 60 % të prodhimit kombëtar.

Programi ekonomik 2021-2025/Partia Socialiste

Fakt

Pasi shënoi nivele rekord në periudhën e pandemisë, borxhi publik është futur në një trajektore rënëse. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se niveli i borxhit publik në 2024 rezultoi 54,7% e prodhimit të brendshëm bruto nga 74,5% që ka qënë në 2021. E përkthyer në vlerë borxhi i vendit përllogaritet në 13,6 miliardë euro.

Këtë vit, qeveria ka parashikuar në buxhet që të mbajë të njëjtin nivel të borxhit, teksa planifikon që në 2026-2027 niveli i borxhit të arrijë në 54% dhe 53,2% në raport me prodhimin kombëtar.

Euro ndihmoi uljen e borxhit

Rënia e ndjeshme e borxhit publik ka ardhur kryesisht prej zhvlerësimit të valutave, pasi borxhi i jashtëm që merret në monedhë të huaj është në rënie me 3% krahasuar me vitin 2023, ndërsa borxhi i brendshëm që merret në Lekë, është rritur lehtë.

Vitet e fundit, euro ka pësuar një zhvlerësim të fortë dhe qeveria ka përfituar pasi ka paguar më pak për borxhin e jashtëm.

Refruar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, nga 118.9 lekë që këmbehej 1 euro në vitin 2021, sot jemi nën 100 lekë.

Kursi i këmbimit euro/lek
Burimi: Banka e Shqipërisë

Edhe ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se kursi i këmbimit është një nga faktorët kryesor që ka ndikuar në trajektoren rënëse të borxhit.

 “Borxhi publik ka njohur një rënie të konsiderueshme gjatë viteve të fundit për shkak të disa faktorëve. Ndër të cilat janë vlerësimi gati me 13% i monedhës vendase që ka një impakt të rëndësishëm në këtë pjesë.”, argumenti Gent Beqiri.

Një tjetër argument sipas tij është rritja ekonomike.

“Vitet e fundit që ka qënë 3-4% e PBB-së e cila kontribon në uljen e borxhit. Gjithashtu ka dhe një lloj mirëmenaxhimi fiskal si dhe riskedulimi i borxhit.”, arsyeton ai.

Zhvlerësimi i euros ka ndikuar ndjeshëm në uljen e stokut të borxhit, duke përmbushur objektivin e qeverisë, pa shumë mundim prej saj.

Po ashtu, ky nivel ndonëse zyrtar nuk pasqyron realitetin e detyrimeve që qeveria i ka qytetarëve, biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në stokun e borxhit publik nuk janë të përfshira kontratat e Partneritetit Publik Privat; vendimet e Gjykatave ndërkombëtare; borxhet e qeverisë qendrore dhe bashkive apo borxhet e shoqërive publike.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer dhe të dhënat e mbledhura, angazhimin e qeverisë se borxhi publik do të ulej nën 60% të prodhimit kombëtar, e kategorizojmë të mbajtur.

The post Borxhi publik 54,7% e PBB-së, niveli më i ulët që nga 2008 appeared first on Faktoje.al.

EFCSN e zhgënjyer nga fundi i Programit të Verifikimit të Fakteve nga Palët e Treta të Meta në SHBA; Dënon deklaratat që lidhin verifikimin e fakteve me censurën

8 January 2025 at 13:29
  • EFCSN dënon fuqishëm deklaratat e CEO të Meta që lidhin kontrollin e fakteve me censurën
  • Platformat që tërhiqen nga lufta kundër keqinformimit dhe dezinformimit lejojnë ndërhyrjen në zgjedhje
  • EFCSN inkurajon Bashkimin Evropian që të qëndrojë i fortë përballë një presioni të tillë politik dhe të mos druhet në përpjekjet e tij për të ndaluar përhapjen e keqinformimit dhe dezinformimit në platformat e mëdha online (VLOP)

7 janar 2025 – Rrjeti Evropian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve (EFCSN) është i zhgënjyer nga vendimi i Meta për t’i dhënë fund Programit të Verifikimit të Fakteve nga Palët e Treta “duke nisur në Shtetet e Bashkuara” dhe dënon fuqishëm deklaratat e CEO së saj që lidhin verifikimin e fakteve me censurën. “Kjo duket më shumë si një lëvizje e motivuar politikisht e bërë në kontekstin e administratës së ardhshme të Donald Trump në Shtetet e Bashkuara sesa një vendim i bazuar në prova”, thotë Clara Jiménez Cruz, kryetare e EFCSN. EFCSN inkurajon Bashkimin Evropian që të qëndrojë i fortë përballë një presioni të tillë politik dhe të mos druhet në përpjekjet e tij për të ndaluar përhapjen e keqinformimit dhe dezinformimit në platformat e mëdha online.

Verifikimi i fakteve nuk është censurë, përkundrazi, verifikimi i fakteve kontribuon në debate publike, ai siguron kontekst dhe fakte që çdo qytetar të vendosë vetë. Verifikimi i fakteve është provuar shumë herë të jetë efektiv në kundërshtimin e dezinformatave. Barazimi i verifikimit të fakteve me censurën është një pretendim i rremë dhe keqdashës. Verifikuesit e fakteve nuk ‘censurojnë’ askënd. Anëtarët tanë hetojnë dhe botojnë provat e pretendimeve potencialisht të rreme. Gjithmonë ka qenë vendimi i Meta se çfarë të bëjë me përmbajtjet që etiketohen nga verifikuesit e fakteve, jo i yni.

EFCSN kundërshton karakterizimin e verifiikuesve të fakteve dhe gazetarëve nga CEO i Meta, Mark Zuckerberg, në njoftimin e tij. Në justifikimin për mbylljen e programit, Zuckerberg thotë: “Verifikuesit e fakteve thjesht kanë qenë shumë të njëanshëm politikisht dhe kanë shkatërruar më shumë besim sesa kanë krijuar”. Kjo është qartësisht e rreme. Verifikuesit e fakteve u mbahen standardeve më të larta gazetareske të raportimit të paanshëm, transparencës, integritetit dhe llogaridhënies, me organizata si EFCSN që i mbështesin këto standarde nëpërmjet një auditimi të kryer në mënyrë të pavarur. Lidhja e verifikimit të fakteve me censurën është veçanërisht e dëmshme pasi pretendime të tilla të rreme janë tashmë një nga forcat shtytëse pas ngacmimeve dhe sulmeve ndaj verifikuesve të fakteve. Përforcimi i këtyre pretendimeve mund vetëm të përkeqësojë një çështje tashmë serioze që prek verifikuesit e fakteve në mbarë botën.

Me disa vende evropiane që shkojnë drejt zgjedhjeve në vitin 2025, platformat që tërhiqen nga lufta kundër keqinformimit dhe dezinformimit lejojnë, madje potencialisht dhe ftojnë, ndërhyrje në zgjedhje, veçanërisht nga aktorë të huaj. BE në veçanti duhet të qëndrojë e fortë në zbatimin e ligjeve të veta, edhe përballë presionit nga vendet e tjera.

ÇFARË THONË FAKTET (DHE META) PËR NDIKIMIN E PROGRAMIT TË VERIFIKIMIT TË FAKTEVE NGA PALËT E TRETA

Në njoftim, Meta e ka barazuar edhe sistemin e etiketimit të dezinformatave të verifikuara me censurën, duke thënë se “Një program që synonte të informonte shumë shpesh u bë një mjet për të censuruar”. Kjo është në fakt e kundërta e funksionimit të një sistemi etiketimi. Etiketat mbi dezinformatat fuqizojnë përdoruesit që të marrin vendime të informuara vetë se me cilat përmbajtje të ndërveprojnë dhe të shpërndajnë. Në fakt, vetëm vitin e kaluar, në prag të zgjedhjeve parlamentare të BE në 2024, Meta theksoi efektivitetin e sistemit të saj të etiketimit, duke deklaruar: “Mes Korrikut dhe Dhjetorit 2023, për shembull, mbi 68 milionë përmbajtje të shikuara në BE në Facebook dhe Instagram kishin etiketa verifikimi faktesh. Kur një etiketë e verifikimit të fakteve vendoset në një postim, 95% e njerëzve nuk klikojnë për ta parë atë.”

Meta gjithashtu e ka përgëzuar më parë Programin e Verifikimit të Fakteve nga Palët e Treta si të suksesshëm dhe të dobishëm për përdoruesit, duke deklaruar, “Ne e dimë se ky program funksionon dhe njerëzit gjejnë vlerë në etiketat paralajmëruese që ne aplikojmë për përmbajtjen pasi një partner fakt-verifikues e ka vlerësuar atë.” Në deklaratën e fundit për shtyp, CEO i Meta aludon për “shumë gabime dhe shumë censurë”; por raporti më i fundit i transparencës për DSA i vetë Meta tregon se përmbajtjet e verifkuara gabimisht prekën vetëm 3,15% të totalit të ankesave për uljen e shkueshmërisë në Facebook.

Modeli i Shënimeve të Komunitetit i propozuar si një alternativë ndaj Programit të Verifikimit të Fakteve nga Palët e Treta ka gjithashtu dobësi. Shënimet e Komunitetit mund të përdoren më së miri për të kundërshtuar pretendimet e rreme kur ato bazohen në ekspertizën e duhur dhe punën e verifikimit të fakteve. Në kontekstin e zgjedhjeve të vitit 2024 në SHBA, Poynter zbuloi se Shënimet e Komunitetit të X kishin, në rastin më të mirë, një efekt jashtëzakonisht margjinal në luftimin e dezinformimit zgjedhor. Në një hetim tjetër, organizata anëtare e EFCSN, Science Feedback, zbuloi se shumica e përmbajtjes në X (ish Tëitter) që verifikuesit e fakteve zbuluan se ishin të rreme ose mashtruese nuk kishte shenja të dukshme se ishte moderuar.

Rrjeti Evropian i Standardeve të Verifikimit të Fakteve (EFCSN) është një shoqatë e organizatave që verifikojnë faktet që i përkushtohen standardeve të pavarësisë, transparencës dhe gazetarisë cilësore të përshkruara në Kodin Evropian të Standardeve për Organizatat e Pavarura të Verifikimit të Fakteve. Me mbi 50 anëtarë të verifikuar në të gjithë Evropën, EFCSN është zëri i verifikuesve evropianë të fakteve.

Lexoni deklaratën e EFCSN në anglisht këtu.

The post EFCSN e zhgënjyer nga fundi i Programit të Verifikimit të Fakteve nga Palët e Treta të Meta në SHBA; Dënon deklaratat që lidhin verifikimin e fakteve me censurën appeared first on Faktoje.al.

Mosbesimi në institucione na sjell kosto të lartë financiare për votimin nga Diaspora 

4 January 2025 at 14:00

Parlamenti miratoi në fund të korrikut ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me fokus votën e emigrantëve. Përgjegjësinë e organizimit të procesit të votimit pritet ta mbajë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Para se të votojnë, emigrantët do të duhet të rregjistrohen në një platformë të dedikuar online, (PER) ku secili prej atyre duhet të hapë një llogari personale, më pas të ngarkojë aty dokumentin e identifikimit, një dokument që vërteton qëndrimin jashtë dhe adresën e plotë të banimit.  

Fleta e votimit për emigrantët do të niset me postë në momentin kur KQZ-ja të ketë përmbyllur procesin e rregjistrimit të kandidatëve dhe ka prodhuar fletën e votimit.

Aplikacioni për rregjistrimin e emigrantëve (PER) duhet të përfundojë së ngrituri më 11 janar.  Votimi do të realizohet përmes postës.

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi të zhvilluar me emigrantët në Selanik premtoi se qeveria do të paguajë shpenzimet e postës si për dërgimin ashtu edhe për kthimin e fletës së votimit. Një qëndrim i konfirmuar më vonë edhe nga Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i cili në podcast për Faktoje.al tha se nga kontaktet me qeverinë është vlerësuar që të paktën këto zgjedhje shpenzimet t’i paguajë shteti.

Numri i diasporës

Askush nuk ka një përgjigje shteruese se sa emigrantë me të drejtë vote kemi jashtë apo sa priten të votojnë prej tyre në zgjedhjet e 2025. Aktualisht kemi të rregjistruar 10,300 emigrantë. Megjithatë disa përllogaritje të përafërta nga partitë politike po bëhen.

Nga KQZ, po përflitet se zgjedhjet e ardhshme mund të kemi 50 mijë votues potencial.

Të kontaktuar nga Faktoje.al përfaqësues të PS-së (që nuk pranuan të flasin me emër) thanë se nëse numri i të regjistruarve shkon në 200 mijë, atëherë kjo do të vlerësohej si sukses për ta. Nga PD nuk jepet asnjë informacion në këtë drejtim. Aktualisht ajo ka hapur një website ku ata që janë të interesuar nga diaspora mund të rregjistrohen për tu njohur më afër me programin e PD dhe aktivitetet e saj në diasporë   

Kostoja

Kërkesa për votimin me postë private nga Partia Demokratike ka reflektuar një kombinim të mosbesimit ndaj teknologjisë dhe institucioneve, si dhe një përpjekje për të siguruar që votimi i diasporës të jetë sa më transparent dhe i besueshëm. Mungesa e besimit tek teknologjia, përvoja e kufizuar tek përdorimi i saj në zgjedhje, vështirësia nga opozita për të monitoruar në mënyrë transparente votimin elektronik si dhe përvoja ndërkombëtare me votimin me postë si një metodë e cilësuar si e besueshme dhe e lehtë për tu verifikuar ka bërë që me konsensus të plotë mes dy partive kryesore, diaspora të votojë këto zgjedhje me postë. Por sa na kushton i gjithë ky skepticizëm tek institucionet, që do të thotë votim (jo elektronik) përmes një shërbimi postar privat?

Kostoja do të jetë varësisht e përcaktuar nga numri i emigrantëve që do të regjistrohen në zgjedhje. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në podcasting për Faktoje.al përcolli një shifër maksimale të kostos.

“…Ne kemi llogaritur përshembull që për 800 mijë votues, kosto e shërbimit postar në dërgim është rreth 40 milionë euro”, tha Celibashi. Edhe për kthimin llogaritet e njëjta kosto. “Shto edhe 40 milionë euro”, vijoi ai.

Vetëm pjesa e aplikacionit, sipas Celibashit, shkon diku tek 2-2.4 milionë euro. Tek kostot për diasporën nuk përfshihen as shpenzimet, që shkojnë për pjesën tjetër të votimit.  “Flasim vetëm për votimin nga jashtë. Pastaj pjesa tjetër e votimit nga brenda shkon te rreth 18 deri në 20 milionë euro”, tha Celibashi.

Duke qenë se shifrat për rregjistrimin e diasporës janë evazive, PS-ja deri më tani ka të qartë koston që mund të ketë një votë, 40-50 euro.

Faktoje.al ka bërë një vlerësim individual duke marrë si referencë postën shqiptare dhe na rezulton se për një zarf me peshë 150 gr me postë ekspres me kthim, destinacioni Itali, në rrugë ajrore, kostoja shkon 4000 lekë.

screenshot e kostos te nje vote

Eksperti i ekonomisë nga qendra ALTAX Eduart Gjokutaj në një përllogaritje për Faktoje.al i është referuar kostos minimale të një dërgese postare që për çdo fletë votimi mund të variojë nga 1 deri në 5 euro, në varësi të destinacionit dhe peshës: “Nëse kemi maksimalisht 100 mijë votues potencialë, kostoja totale mund të shkojë nga 100,000 deri në 500,000 euro. Per 800 mijë votues potencialë, kostoja totale mund të shkojë nga 800,000 deri në 4 milionë euro”.

Sipas Gjokutaj, kostoja e votimit për Shqipërinë mund të variojë shumë.

Gjokutaj vëren se shtetet që kanë diaspora të mëdha, si Greqia, Italia, dhe SHBA, kanë krijuar sisteme të centralizuara për të përballuar kostot me postë.

“Në këtë kuadër, Shqipëria mund të krahasohet me këto shtete dhe besoj se do të përdoren përvojat e tyre për të optimizuar koston dhe logjistikën”, thotë ai.

Gjokutaj nënvizon se, në Buxhetin 2025 është parashikuar shuma 9.4 miliardë lekë në total për zgjedhjet, që përfshin nevojat si në aspektin e funksionimit të institucionit të KQZ për 2025, ashtu edhe për zgjedhjet e vitit 2025.

Në një dalje të fundit për A2 CNN, Celibashi tha se aktualisht janë 5 milion euro të vendosura për koston e shërbimit postar.

Por, sipas Gjokutaj, për të arritur një vlerësim të saktë të kostos, do të ishte e nevojshme të analizoheshin numri i diasporës, distancat gjeografike, dhe investimet e mundshme për të siguruar një sistem të qëndrueshëm dhe të sigurt

“Votimi me shërbimin postar për diasporën kërkon që fletët e votimit të dërgohen dhe mblidhen me postë, që mund të shkaktojë një kosto të konsiderueshme logjistike. Në varësi të numrit të diasporës dhe distancës gjeografike, mund të ketë nevojë për dërgesa ndërkombëtare, sigurim për fletët e votimit dhe kontroll për t’u siguruar që procesi të jetë i sigurt dhe i besueshëm”, thotë ai.

Por sa mund të ishte kostoja nëse votimi do të ishte elektronik? Nga KQZ na u komunikua se kostoja përmes votimit elektronik mund të shkonte diku tek 4 milion euro.

Gjokutaj, në anën tjetër, shpjegon se, “votimi elektronik mund të ketë një kosto më të lartë fillestare për krijimin e infrastrukturës, por mund të ofrojë mundësi për ulje të kostos afatgjatë”

The post Mosbesimi në institucione na sjell kosto të lartë financiare për votimin nga Diaspora  appeared first on Faktoje.al.

Depozitat në tarracat e pallateve, një problem ende pa zgjidhje në Tiranë

2 December 2024 at 15:37

Depozitat e ujit të vendosura në tarracat e pallateve vazhdojnë të përbëjnë një problem në Tiranë, pavarësisht Vendimit të Këshillit Bashkiak të miratuar 5 vite më parë për heqjen e tyre. Banorët e kryeqytetit argumentojnë se këto depozita janë të domosdoshme për shkak të furnizimit të kufizuar me ujë. Ndërkohë, institucionet përgjegjëse pranojnë se ende nuk është gjetur një zgjidhje për këtë situatë.

Në dhjetor të vitit 2019, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin për heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve. Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj tha ndër të tjera: “Së pari, marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat, jo për t’i lënë pa alternativë, por që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët për të gjithë banorët”.

Por, si është situata në terren 5 vite pas këtij vendimi? Një verifikim i Faktoje.al në terren tregon se depozitat në tarracat e pallateve të vjetra vijojnë të jenë ende një problem në kryeqytet.

Mungesa e furnizimit të qëndrueshëm me ujë dhe sfidat infrastrukturore bëjnë qe procesi te jete më kompleks, pasi shumë banorë ende mbështeten tek depozitat për të siguruar furnizimin e rregullt me ujë

Banorë në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet thonë se janë të detyruar që t’i mbajnë depozitat, pasi nuk ka furnizim të vazhdueshëm me ujë.

“Nuk e dimë kur vjen dhe kur ikën uji, sepse kemi depozitat që të mos na mungojë. Në dimër situata është më mirë, por në verë detyrohemi të blejmë edhe bote me ujë, sepse ka mungesa të mëdha”, thotë Mira, banore në këtë zonë.

Zona e “Ali Demit”, Tiranë

Edhe në zonën e Rrugës se Elbasanit, në rrugën “Jan Kukuzeli” ka ende pallate të vjetra që kanë mbi tarraca depozitat.

“Nëse nuk kemi ujë 24 orë, si t’i heqim depozitat?! Duhen ndryshuar shumë gjëra që të heqim depozitat, të gjejmë një hapësirë ku mund t’i vëmë, nuk është kaq e lehtë”, thotë një e moshuar, banore në “Rrugën e Elbasanit”.

Rruga e Elbasanit, Tiranë

Gjithashtu, në zonën pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në pallatet e vjetra të zë syri depozitat mbi tarracë.

Zona pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”

Pse nuk është zbatuar VKB?

Në lidhje më këtë shqetësim, Faktoje.al iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Tiranës. Ne morëm një përgjigje për çështjen në fjalë nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, i cili pranon se situata nuk ka marrë zgjidhje.

“Kryerja dhe zbatimi i këtij vendimi bashkiak nënkupton përfshirjen e disa strukturave apo edhe aktorëve institucional me qëllim bashkëveprimin dhe bashkërendimin në raport me situatën faktike.

Gjithashtu, VKB-ja nr.150 përveç strukturave institucionale të përcaktuara në të, përfshin edhe rolin e asamblesë së bashkëpronarëve apo edhe administratorëve të pallateve me qëllim finalizimin dhe zbatimin e kushteve operacionale paraprake”, argumenton IMT.

Më tej, Inspektoriati shton: “Për sa i përket rolit të IMT Bashkia Tiranë, ju theksojmë se pa u plotësuar kushtet e mësipërme të sipërcituara, apo edhe në mungesë të informacioneve të cilat duhet të ishin përcjellë dhe administruar praë IMT Bashkia Tiranë, nga ana e IMT-së nuk mund të ndërmerret asnjë veprim mbështetës lidhur me zbatimin e këtij vendimi”.

Ujësjellës Kanalizime Tiranë tha për Faktoje.al se qyteti furnizohet me ujë mestarisht 17 orë në ditë, duke theksuar se më problematike janë zonat periferike të kryeqytetit.

“Koha mesatare e furnizimit me ujë në qytetin e Tiranës është 17 orë. Zonat që nuk kanë ende furnizim 24 orë me ujë janë zonat periferike të Tiranës. Zonat, të cilat janë me kuota më të larta dhe zonat që kanë dendësi të lartë të objekteve (shtëpi banimi). Këto zona hasin probleme me furnizimin me ujë gjatë periudhës gusht-shtator, për shkak të rënies së prurjes së burimeve. Vetëm gjatë sezonit të verës kanë kufizime në oraret e furnizimit me ujë, sipas një regjimi të përcaktuar për të mundësuar furnizimin optimal në të gjithë njësitë administrative”, sqaron UKT.

Depozitat mbi pallate dhe rreziqet

Inxhinieri Erion Softa thekson se në Tiranë asgjë nuk ka ndryshuar, pavarësisht Vendimit të Këshillit Bashkiak të 2019-s.  Ai tregon rreziqet që vijnë si pasojë e mbajtjes së depozitave mbi tarraca.

“Gjendja duket nëpër Tiranë, tarracat janë të mbushura me depozita. Gjendja nuk ka ndryshuar, është e njëjta gjë. Rreziku është shumë i madh në rast të lëkundjeve sizmike bien nga strukturat në të cilat janë vendosur dhe bëjnë dëme të pallogaritshme. Për të mos krijuar dëmtime në tarracët janë vendosur në kafazin e shkallëve dhe përveç kësaj soletat nuk janë llogaritur të bëjnë ngarkesa të përqendruara në ato zona”, argumenton Softa.

Mirëpo, sipas inxhinierit këto depozita janë edhe një burim rreziku për shëndetin.

“Depozitat kanë edhe një dëm të madh shëndetësor, pasi për shkak të ujit të kontaminuar krijojnë alga, baktere të dëmshme, sepse qytetarët nuk i pastrojnë depozitat dhe një pjesë e madhe e tyre janë të mbushuara edhe me materiale inerte, sepse uji vjen i kontaminuar me kripëra, materiale të ndryshme dhe ato aty depozitohen”, theksoi ai.

Sipas inxhinierit, çështja e ujit në Tiranë është një “çështje që me kalimin e viteve rëndohet për shkak të objekteve të reja, të cilat në rastin më të mirë llogariten vetëm si kondicone urbane, por nuk llogariten në rritjen e densitetit të popullsisë, infrastrukturën rrugor, furnizimin me ujë, shkarkimet e ujërave të zeza dhe evakuimin në rastet e fatkeqësive natyrore”.

The post Depozitat në tarracat e pallateve, një problem ende pa zgjidhje në Tiranë appeared first on Faktoje.al.

Punimet për ndërtimin e rrugës që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit nuk kanë nisur ende

30 November 2024 at 16:00

Rikonstruksioni i rrugës që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit ishte një nga premtimet elektorale të Kryebashkiakut aktual të Fierit, Armando Subashi.

Punimet për rikonstruksionin e rrugës që lidh Manastirin dhe Kishën ende nuk kanë nisur.

Bashkia Fier u shpreh se ndërtimi i rrugës që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit kushtëzohet nga “Rehabilitimi i qendrës së Libofshës” ndërkohë që FShZh thotë se ky projekt nuk ka lidhje me ndërtimin e rrugës së premtuar.

Vjolanda Peca

“Brenda këtij viti të nisim ndërtimin e rrugës nga Manastiri i Ardenicës deri në Kishën e Shën Gjergjit në Libofshë.” 

Ky ishte premtimi që Armando Subashi u bëri banorëve të njësisë Levan, Fier më 5 maj 2023.

*pamje nga takimi I Armando Subashit me banorë e njësisë Levan

Faktoje. al bëri një verifikim në terren për të pare nëse kishte nisur ndërtimi i kësaj rruge.

Afro 200 metra përballë hyrjes së Manastirit të Ardenices ndeshemi me një shteg që të con drejt Kishës së Shën Gjergjit. Ky shteg shërben si rruga lidhëse mes dy objekteve kulturore.

*rruga që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shëngjergjit

Nga vëzhgimi në terren na rezulton se rruga lidhëse me Manastirit të Ardenicës dhe Kishës së Shën Gjergjit në Libofshë është shumë e ngushtë aq sa e bën të pamundur qarkullimin e dy makinave në drejtim të kundërt. Madje edhe kalimi i vetëm i një makine është shumë i vështirë për shkak të terrenit dhe rrugës së ngushtë. Shtegu vetëm 2.6 km i gjatë mund të kalohet vetëm nga makina të larta të prodhuara enkas për shtigje të vështira. Në pamundësi të një makine të tillë, Faktoje mori rrugën e gjatë, atë kombëtare deri në Mbrostar (25 km) dhe vetëm pas 30 minutash mbërritëm tek Kisha e Shën Gjergjit.

Manastiri i Ardenicës

Rruga nuk mund të kalohet përvecse me motorr, e përgjatë dimrit nuk kalohet as me motorr sepse bëhet baltë dhe rrëshket,” shprehet një qytetar që banon në Mbrostar, i cili e bën cdo ditë këtë rrugë për shkak të punës.

Kisha e Shën Gjergjit

Njëjtë si në fillimin e shtegut nga Manastiri i Ardenicës, edhe nga ana e Kishës së Shën Gjergjit rruga ishte e mbushur me dhe, duke e bërë të vështirë kalimin, qoftë edhe në këmbë.

Rruga që lidh Kishën e Shëngjergjit me Manastirin e Ardenicës, 28 tetor 2024

Ferdinand Loshi banor në Libofshë, thotë se premtime ka shumë por punë aspak.

Nga Manastiri i Ardenicës del këtu te Kisha e Shën Gjergjit për dalje në bregdet. Ka pretime shumë por nuk bëjnë asgjë, populli nga fukarallëku i beson, ha sapunin për djathë”, shprehet ai.

Ndërtimi i rrugës lidhëse mes Manastirit të Ardenicës dhe Kishës së Shën Gjergjit do të ishte një ndihmë e madhe jo vetëm për banorët e kësaj zone, por do të shtonte edhe numrin e vizitorëve, vendas dhe të huaj për shkak të vlerave historike dhe fetare që dy objektet mbartin.

Një rrugë e ndërtuar dhe e mirëmbajtur në të njëjtën kohë  do të ndihmonte në rritjen e fluksit turistik duke e thjeshtuar ndjeshëm eksplorimin e këtyre dy objekteve me rëndësi.

Bashkia Fier dhe FSHZH i’a kalojnë topin njëra-tjetrës

Sipas pergjigjes të Bashkisë Fier, hartimi i projekt-planit për ndërtimin  e rrugës kushtëzohet nga miratimi dhe realizimi i projektit të “Rehabilitimit të qendrës së Libofshës”.

*pjesë e shkëputur nga përgjigjia e Bashkisë Fier

Faktoje iu drejtua me anë të një Kërkese për Informacion Fondit Shqiptar të Zhvillimit i cili po zbaton Projektin “Rehabilitimi i Qendrës  Libofshë, Fier”, duke pyetur nëse ky projekt dhe ndërtimi i rrugës lidhëse të Manastirit të Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit janë të lidhura me njëra-tjetrën.

FShZh në përgjigjen e saj u shpreh që “projekti i lartpërmendur nuk ka lidhje me ndërtimin e rrugës nga Manastiri i Ardenicës dhe Kisha e Shën Gjergjit.”

*plani i përgjithshëm I projektit “Rehabilitimi i qendrës së Libofshës”

Përfundime

Premtimin elektoral të kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi për nisjen e punës brenda vitit për ndërtimin e rrugës që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit do t’a vlerësojmë si të pambajtur bazuar nga verifikimet në terren, dhe verifikimi i të dhënave të ofruara si nga Bashkia Fier ashtu edhe nga FSHZH

*Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Punimet për ndërtimin e rrugës që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit nuk kanë nisur ende appeared first on Faktoje.al.

5 vite pas tërmetit, mbi 700 familje të pastreha në Tiranë 

28 November 2024 at 15:43

Qindra familje në Tiranë që u prekën nga tërmeti tragjik i 5 viteve më parë, nuk kanë marrë banesat e reja. Bashkia e Tiranës pranon se 733 familje nuk kanë marrë shtëpitë e premtuara, teksa thekson se për të pastrehët vijon bonusi i qirasë. Këtë 5 vjetor, Faktoje.al vizitoi Kombinatin, një nga lagjet më të prekura nga tërmeti tragjik, banorët e së cilës shpresojnë se zgjedhjet do t’i bëjnë me shtëpi.

Në prag të 5-vjetorit të tërmetit tragjik, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj doli me një tjetër premtim për banorët e Kombinatit, lagjes më të dëmtuar nga lëkundjet sizmike të nëntorit 2019.

Rindërtimi në Kombinat, sipas Veliajt, do të mbyllej brenda vjeshtës. 

“Ne do të sigurohemi që këtë stinë ta mbyllim njëherë e mirë historinë e tërmetit për Kombinatin…”, deklaroi Veliaj më 5 shtator. 

Por dimri i gjeti sërish banorët e Kombinatit pa çati mbi krye. 

Fakt

Faktoje.al bëri një verifikim në zonën e Kombinatit më 25 nëntor për të parë nga afër ecurinë e procesit të rindërtimit. Qindra familjet e prekura nga tërmeti tragjik nuk ishin futur në banesat e reja. Pesë vite pas fatkeqësisë së 2019, banorët e Kombinatit janë në pritje të apartamenteve. 

“Asnjë familje nuk e ka marrë shtëpinë e re. Para pak ditësh po bënim ‘shaka’ me njëri-tjetrin, kush do jetë të 10-shja e parë që do futen, por nuk kemi shpresa që do i marrim këtë vit. Për fushatë do na i japin.”, thotë Mondi, banor i mbetur pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s. 

Këtë nëntor, pallatet ishin ende kantier ndërtimi. Mungonte rrjeti i kanalizimeve dhe rrugët ishin të pashtruara e të mbuluar nga mbetjet. 

Banorët tregojnë se nuk është hedhur as shorti për ndarjen e banesave.

“Kemi parë në televizor janë gati, janë gati, do hidhet shorti. Asnjë nuk na ka njoftuar”, shprehet një tjetër banor i Kombinatit, i cili nuk pranoi të identifikohej. 

Rindërtimi me ritëm breshke

Në prag të 5-vjetorit të tërmetit tragjik, Faktoje.al pyeti Bashkinë e Tiranë mbi ecurinë e procesit të rindërtimit. 

“Janë akomoduar në total 506 subjekte në banesat individuale të ndërtuara nga Bashkia Tiranë si dhe në vijim të procedurës së shpërndarjes së banesave të ndërtuara në kuadër të procesit të rindërtimit janë shpërndarë 323 banesa në zonat e reja për zhvillim.”, thotë Bashkia, teksa shton se janë mbi 700 familje ende pa banesa.

“Ju informojmë se janë ende pa u akomoduar 733 subjekte në objektet e reja të ndërtuara në kuadër të procesit të rindërtimit. Aktualisht, ju informojmë se trajtohen me pagesën e qirasë 1408 përfitues”, njofton zyrtarisht Bashkia e Tiranës. 

Saga e premtimeve për Kombinatin 

Në qershor 2022, Veliaj deklaroi se brenda atij viti do të futeshin në banesat e reja familjet e para, të prekura nga tërmeti në zonën e Kombinatit.

“Tani që kemi hapur totalisht kantierin, në disa pjesë kemi avancuar dhe do të jemi gati për të futur këtë vit familjet e para, siç është ndërtesa pas meje”, deklaroi Veliaj.

Në janar të vitit 2023, Faktoje raportoi mbi procesin e rindërtimit në këtë zonë. Familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019, në zonën e Kombinatit nuk i kishin ende në dorë çelësat e banesave të reja, pavarësisht premtimeve të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Edhe në muajin dhjetor 2023, kryebashkiaku i Tiranës bëri një tjetër premtim për familjet e pastreha të Kombinatit.

“Nga fillimi i vitit tjetër, që në muajt janar dhe shkurt, do të hedhim shortin për familjet e para që do të futen këtu. Seksioni i parë fare është drejt përfundimit”, theksoi Veliaj në 16 dhjetor 2023.

Në qershor të vitit 2024, kryebashkiaku inspektoi sërish punimet në kantierin e rindërtimi në Kombinat. 

“Ne do të punojmë gjatë gjithë verës, qëkur njerëzit të kthehen nga pushimet, ne të fillojmë menjëherë me shortet për Kombinatin”, premtoi ai. 

Edhe më 21 gusht të këtij viti, Veliaj tha se: “300 familje në Kombinat së shpejti do të fillojnë një kapitull të ri në shtëpi të reja, me kushte bashkëkohore dhe hapësira që krijojnë një komunitet të fortë. 

Nga parqet për fëmijët, tek shkollat dhe siguria, po krijojmë jo thjesht shtëpi, por një jetë të re për këto familje!”. 

Deri në këto momente, nga verifikimi rezulton se asgjë nuk ka ndryshuar, qytetarët janë në pritje të banesave të reja. 

Sipas informacioneve nga Bashkia e Tiranës, në zonën e re zhvillimore në Kombinat janë parashikuar të ndërtohen 16 godina të reja. Në Tiranë, zonat më të dëmtuara nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019 ishin Kombinati dhe “5 Maji”.

The post 5 vite pas tërmetit, mbi 700 familje të pastreha në Tiranë  appeared first on Faktoje.al.

Bie “arresti në shtëpi”, Sali Berisha rifiton lirinë e plotë

27 November 2024 at 16:00

Nga mesdita e sotme (27 Nëntor 2024) Sali Berisha ndodhet në gjendje të lirë. Ai ka rifituar lirinë e plotë pasi qëndroi 11 muaj në arrest shtëpie. Berisha kishte refuzuar më herët të zbatonte urdhërin e Gjykatës së Posaçme për t’u paraqitur dy herë në muaj, pranë një oficeri të policisë gjyqësore.

SPAK kërkoi të mërkurën (27 shtator) vijimin e sigurisë ndaj tij, por avokati i Berishës, Genci Gjokutaj, tha se GJKKO revokoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi’ dhe çdo masë tjetër me argumentin se nuk ekzistojnë kushtet apo kriteret për asnjë masë sigurie. “Sot Berisha është i lirë dhe pa asnjë masë sigurimi ndaj tij. Prokuroria kërkoi arrestin në shtëpi, por lirimi ishte kërkesa jonë. Kërkesa është bërë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Gjokutaj. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri publike vendimin për revokimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtepi”, por pa shpjeguar arsyet se pse.  

Ne foto: Vendimi i GJKKO-se ndaj Sali Berishes

Prokuroria e Posaçme është shprehur se do të ankimojë vendimin e GJKKO.

“Pasi Prokuroria e Posaçme të njihet me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të vijojë procedurën e ankimimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Ndërkohë seanca paraprake për gjykimin në themel të çështjes vazhdon në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në reagimin e SPAK.

Berisha pretendoi një vit më parë se masa e vendosur për detyrim paraqitje ishte antikushtetues pasi duhej kërkuar më parë autorizimi i parlamentit. Por Gjykata Kushtetuese, më 21 Nentor, i dha të drejtë Prokurorisë së Posaçme duke vlerësuar se masa detyrim paraqitje në policinë gjyqësore “nuk kufizonte liritë e tij personale” Sa i përket masës së sigurimit “ndalim i daljes jashtë vendit”, Gjykata me shumicë votash vlerësoi se kërkimi i autorizimit të Kuvendit nga Prokuroria për këtë masë nuk ishte i nevojshëm.

Sali Berisha ndërkohë u mor zyrtarisht i pandehur më 11 shtator 2024 për korrupsion pasiv pasi akuzohet se duke shfrytëzuar postin e tij si kryeministër ai ka ndërmarrë veprime në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv “Partizani”, ku përfitues ishte edhe dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi. SPAK ka theksuar më herët se ish kryeministri Berisha kreu veprime aktive për të vendosur në dispozicion të Malltezit struktura të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore. Dëmi ekonomik, sipas SPAK, kap vlerën e 4.3 milionë eurove si pasojë e zhvlerësimit të ndërtesave që ndodheshin në tokën e cila nga sportive ishte kthyer në tokë ndërtimi.

Ne foto: Sali Berisha duke dale nga SPAK

Berisha nga ana tjetër ka hedhur poshtë pretendimet duke i cilësuar akuzat të papaza dhe me prapavijë politike

Më 16 dhjetor GJKKO do të vendosë nëse do të kalojë për gjykim dosjen e privatizimit të ish kompleksit ‘Partizani’.  

Sali Berisha ndërkohë është i lirë të ushtrojë aktivitetin e tij politik jashtë dyerve të shtëpisë. Pas mesdite ai mblodhi median për një konferencë shtypi dhe më pas grupin parlamentar të Partisë Demokratike

Ne foto: Sali Berisha pas rifitimit te lirise

Më herët, Berisha tha para një grupi demokratësh, që ishin mbledhur në oborrin e selisë, se beteja e tij vazhdon. Gjatë fjalës së tij, Berisha falënderoi mbështetësit, por edhe gjyqtaren që revokoi masën, Flojera Davidhi. Ai u shpreh se gjyqtarja nderoi ligjin dhe moralin. Hapi i radhës, sipas tij, do të jetë kërkesa drejtuar Ramës për qeveri teknike.

“Edi Rama, krijo qeverinë teknike, mos e zvarrit kot narkopushtetin tënd! Se vetë Zoti e ka thënë, që të kthehem unë, pastroni shtëpinë. Ne do pastrojmë shtëpinë tonë me ndihmën e Zotit, besimin e pakthyeshëm në vlerat dhe parimet tona! Krijo qeverinë teknike se mosbindja civile është gati në radhë. Këta burra e gra, djem dhe vajza do kenë liderin e tyre me vete.  Këto shqiptarë duan përgjigje nga ty!…Prandaj ke vetëm një rrugë. Qeverinë teknike! Dhe të shkojmë në zgjedhje të lira”, tha ai.

The post Bie “arresti në shtëpi”, Sali Berisha rifiton lirinë e plotë appeared first on Faktoje.al.

Presidenti Biden në rreshtin e dytë të fotos së APEC për shkak të alfabetit

20 November 2024 at 14:58

Pretendimi: Joe Biden u poshtërua duke u vendosur në rreshtin e fundit të fotos së liderëve botërorë në samitin APEC

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————-

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po shpërndahet foto e liderëve botërorë që ishin të pranishëm në samitin APEC në Peru, krahas pretendimit se presidenti amerikan Joe Biden ishte lënë në rreshtin e fundit, në cep të fotos, për ta poshtëruar.

Foto e mësipëme është shkrepur në fund të samitit dhe në të kanë dalë krerët e shteteve pjesëmarrëse në samit.

Liderët në foto nuk janë rreshtuar sipas rëndësisë së tyre, por sipas rendit alfabetik. 

Kështu, rreshti nis me Anthony Albanese, kryeministrin e Australisë, vijon me Hassanal Bolkiah, kryeministrin e Bruneit, Justin Trudeau nga Kanadaja (Canada), Gabriel Boric nga Kili (Chile), Xi Jinping nga Kina (China), dhe përfundon me Paetongtarn Shinaëatra nga Tailanda, Joe Biden nga ShBA (USA), dhe Lương Cường nga Vietnami.

Kjo praktikë është ndjekur zakonisht për fotot e samitit edhe me paraardhësit e Joe Biden, dhe si pasojë e saj, disa presidentë amerikanë janë gjendur në rreshtin e dytë të fotove nga APEC.

Donald Trump në rreshtin e dytë 

Barack Obama në rreshtin e dytë 

George W. Bush në rresht të dytë

The post Presidenti Biden në rreshtin e dytë të fotos së APEC për shkak të alfabetit appeared first on Faktoje.al.

Shteti Bektashi, një histori pa histori

30 October 2024 at 16:19

Nga Ben Andoni

Më 21 shtator, në faqet e gazetës së njohur amerikane “New York Times”, do të shfaqej një artikull me titullin “Shqipëria planifikon një Shtet të ri mysliman brenda kryeytetit të saj”  Artikulli ishte ndërtuar mbi deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama, për krjimin e një Shteti sovran bektashi. Fillimisht, gjithshka u duk, si një nga lëvizjet e zakonshme të zotit Rama për të kapur faqet e mediave të rëndësishme botërore. Por kur një ditë me pas, këtë ide ai e përsëriti në fund të një fjalimi gjatë një takimi të organizuar në Kombet e Bashkuara, në kuadër të hapjes së sesionit të ri të Asamblesë, u bë e qartë se nuk kishte qenë një lëvizje spontane, porse gjithshka ishte e koordinuar, me kohë.

Shkrimi i gazetës amerikane, nuk ishte një intervistë me kryeministrin Edi Rama, ku ai shkarazi mund të kishte përmendur idenë e Shtetit bektashi, por ishte përqëndruar eksluzivisht në këtë çështje. Me gazetarët që kishin ardhur në Tiranë, kishin vizituar  Kryegjyshtatën botërore, e kishin folur për këtë ide dhe me Baba Mondin, i cili nuk kishte shfaqur as habi dhe as padijeni mbi temën. E gjitha tregon qartazi një skemë të parapërgatitur, ku dhe vetë publikimi, në momentin që Rama ndodhej në New York për Asamblenë e OKB-së, dhe një ditë përpara se ai të fliste në “Samitin për të ardhmen”, ku ai praktikisht e zyrtarizoi çështjen, duke e përmendur në një forum të tillë serioz, ku përfaqësohen shtetet e botës.

Duke kujtuar Nënë Terezën, tashmë ndihmëse e retorikës së politikanëve tanë, Rama argumentoi se: “Mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë. Ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”.

Kryeministri nuk dha detaje të tjera, duke ushqyer në këtë mënyrë hipoteza nga më të ndryshmet që nisën të gëlonin në mediat shqiptare, ku çudia përzihej me kundërshtime të forta. Pavarësisht, se ai kishte hedhur në tavolinë një çështje jo të vogël, përmes vetëm një fjalie, ai u shfaq pak ditë më vonë, i pakënaqur me ata që ndër vite nuk kishin arritur asnjëherë të kuptonin idetë dhe projektet e tij të ndryshimit. Në një reagim në platformën X, ndaj kritikëve të shumtë të idesë, ai saktësoi edhe sinorët e Entitetit sovran të Urdhrit Bektashi, që sipas kryeministrit, do të ndërtoheshin brenda perimetrit të pronës së Kryegjyshatës Botërore në Tiranë.

Vetë Kryegjyshata në një deklaratë të saj, foli për një “nismë të jashtëzakonshme”, duke shpjeguar se përmes saj Urdhëri bektashi “do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative”. Kryegjyshata shtoi zyrtarisht edhe deklaratën se: “kjo lëvizje do t’i mundësonte Urdhrit Bektashi ta forconte rolin në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm në botë”.

“Për besimtarët e Urdhrit Bektashi nëpër botë, ky sovranitet siguron njohjen zyrtare të bashkësisë së tyre fetare dhe siguron mbrojtjen e praktikave të tyre shpirtërore. Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare”, u tha në deklaratën e tyre, ku dhe pika e kontaktit për informacione ishte një adresë emaili, tashmë e shtetit bektashi.

Në deklaratat për gazetën amerikane, ishin ofruar ndërkohë më shumë detaje. Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi u tha se do të ishte një qytet-shtet i planifikuar, një lloj mikroshteti dhe enklavë, vendosur tërësisht brenda Tiranës, kryeqytetit shqiptar. Madje, u bënë edhe kalkulimet e para të sipërfaqes, ku nëse do themelohej, ai do ishte më i vogël se qyteti i Vatikanit dhe kështu do të ishte shteti me sipërfaqen më të vogël të tokës në botë, vetëm 0.11 km2 . 

Kryegjyshi bektashi, Baba Mondi është planifikuar të ketë autoritet të pakufizuar në vend dhe të drejtojë një shtet “pa dyshim të moderuar” pa kufizim fetar të stilit të jetesës. Shtetësia është planifikuar të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe njerëzit që do shërbejnë në administrimin e shtetit. Pasaporta do të jetë e gjelbër, një ngjyrë thellësisht simbolike në Islam, kurse shteti s’do ketë ushtri, roje kufitare apo gjykata.

Ata që e kundërshtuan, vunë në dukje, se barriera e parë do të ishte në vetë shprehjen e Kushtetutës së Shqipërisë. Në Nenin 1të Kushtetutës së Shqipërisë, parashikohet se: “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”. Kjo nënkupton se për ndryshimin e mundshëm të këtij neni, qeverisë do t’i duhej një shumicë prej 94 votash ose 2/3 e Parlamentit. Ndërkohë, kryeministri kishte sqaruar për “NYT” vetëm se një ekip ekspertësh ligjorë, përfshirë juristë ndërkombëtarë, po hartojnë legjislacionin, që përcakton statusin sovran të shtetit të ri brenda Shqipërisë. 

Është pak të thuash se lajmi ngjalli reagim, por në ditët e para, shkundi jetën politike të vendit dhe jo vetëm. Ashtu si mund të merret lehtë me mënd, i pari që do reagonte ishte Sali Berisha kryetari i opozitës, tashmë në arrest shtëpie. Kryetari i Partisë Demokratike e quajti ‘thikë pas shpine’ ndaj kombit shqiptar idenë e krijimit të një shteti sovran të urdhrit të bektashinjve. Madje, shkoi edhe më tej, në një nga daljet e tij të përditshme nokturne:’… kryekëput një thikë e tmerrshme pas shpine për besimtarët myslimanë shqiptarë, për të gjithë besimtarët e Zotit. Një thikë e madhe pas shpine ndaj kombit shqiptar.  Një thikë e madhe pas shpine ndaj Kushtetutës dhe rendit të saj. Nga themelimi i shtetit shqiptar gjer sot, ka pasur një parim, një shtyllë kryesore mbi të cilën është ndërtuar: feja dhe shteti janë të ndara dhe të pavarura nga njëri-tjetri.‘  tha Berisha.

Po ashtu, Komuniteti Mysliman Shqiptar, direkt i interesuar për këtë zhvillim ka qenë shumë kritik. Në një deklaratë publike do thoshin se: “nisma e tillë mund të jetë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit” dhe siguroi përfaqësimin e të gjithë besimtarëve myslimanë, të cilitdo tarikat, “ashtu siç kemi bërë deri më sot”.  

 Ndërkohë, që media u përpoq të shkëpusë zëra alternative, nga ana e njerëzve të PS-së ka pasur heshtje dhe përgjigje me ekuivokë, për të mos thënë me ngritje supesh.  Të pakët kanë qenë ata si në rastin e Deputetit Eduart Ndreca, që i pyetur në një studio televizive mbi këtë ide deklaroi hapur se nuk e sheh të arsyeshme krijimin e një shteti të tillë. “Nuk e kam ndjekur në detaje sepse nuk e shoh të arsyeshme të ndodh diçka gjë e tillë. Nuk është hedhur në kontekstin e shtetit bektashi. Mbetem i distancuar nga kjo ide nëse është hedhur e tillë”, tha ai në “Report TV”.

BIRN shkoi edhe më tej duke bërë një ankete online, që tregoi se shumica e shqiptarëve e kundërshtonin propozimin e Ramës, duke e cilësuar atë si anti-kushtetues dhe përçarës, madje edhe të pa konsultuar me publikun në Shqipëri. Vërtetë, propozimi i kryeministrit u përball me kritika në media nga ekspertë të ndryshëm të politikës që e cilësuan atë si ide “narciste” dhe kritikuan Ramën për shpërfillje të opinionit publik, disa prej tyre duke theksuar madje se ai po cënon demokracinë. 

Interesimi më i madh i huaj erdhi nga mediat turke. Ato i kanë bërë jehonë idesë së Ramës për krijimin e shteti bektashi, pasi lidhej me një komunitet, i cili përcjell një origjinë nga Turqia dhe po ashtu lidhet me myslimanizmin. Media turke “Takvim” ka hedhur idenë se e gjitha mund ishte një lojë e izraelitëve. Dhe, fantazia ka shkuar edhe më tej duke shkruar për lidhje të Baba Mondit, kryegjyshit të Bektashinjve me Izraelin dhe Sorosin. Justifikimi i të gjithë argumentit të tyre lidhej me vizitën në Tiranë gjatë javëve të fundit të presidentit izraelit Herzog.

Por, në fakt, në axhendën e zyrtarit izraelit nuk kishte takime të dedikuara me Baba Mondin dhe përfaqësues të KMSH-së, përveç shtrëngimit të duarve në evenimentet zyrtare, organizuar për nder të tij. 

Gazetari i medias turke “Sabah”, Melih Altınok, ka shkruar direkt për këtë çështje, duke iu referuar një specialisti të çështjeve fetare në vendin e tij. Ai ka parashtruar më qartë idenë se “Shteti Bektashi” që pritet të marrë jetë në Tiranë është një projekt i lidhur midis Izraelit dhe George Soros!! “Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se do të krijojnë një formacion me emrin ‘Shteti Sovran i Bektashinjve’ në kryeqytetin Tiranë, që është pika kryesore e axhendës. Sipas një artikulli në “New York Times”, Kryeministri Rama dëshiron t’u ofrojë bektashinjve një enklavë si ajo e Vatikanit për të promovuar tolerancën fetare. Të gjithë filluan të diskutojnë me habi këtë zhvillim, me Euroneës që e quajti “aty ku alkooli do të jetë i lirë”, duke pyetur njëherësh se ‘Nga erdhi ky shtet bektashi?’”. Në këtë rajon, me një histori 600-vjeçare, nuk duhet të nënvlerësohet ‘operacioni i rrethimit’ të Turqisë”, thekson artikulli.

Në media qarkulloi dhe një shkresë me logon zyrtare të Kryegjyshatës sipas së cilës pika e kontaktit zyrtar, për çështjet që lidhen me Shtetin bektashi, do të jetë një ambasador i Posaçëm, Nik Grezda. Faktoje. al është përpjekur të respektojë linjat zyrtare të komunikimit, për të kërkuar informacion, por, deri në afatin në momentin e shkrimit të këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje, as edhe në email-at dërguar përfaqësuesve të tjerë.

Kompleksi i Tiranës, që përmbledh hapësirën e administruar të Bektashinjve, i cili fillimisht mbulonte rreth 90 hektarë, është rrudhur deri me dy të tretat që kur Shqipëria e nxori jashtë ligjit çdo fe në vitin 1967. Në këtë hapësirë kanë qenë disa magazina, kurse pas rënies së komunizmit në 1991, bektashinjtë humbën akoma më shumë tokë kur zhvilluesit privatë ndërtuan shtëpi pa leje pranë kompleksit.

Urdhri Bektashi është një rend mistik islamik sufi me origjinë nga Perandoria Osmane e shekullit XIII. Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe formimit të Turqisë, presidenti Mustafa Kemal Atatürk mbylli lozhat e Urdhrit Bektashi më 1925. Për rrjedhojë, kryesia bektashiane e zhvendosi selinë e tyre nga Turqia në Tiranë. 

Në planin historik, bektashizmi pësoi humbje të mëdha pas djegieve dhe plaçkitjeve të shumë teqeve shqiptare nga andartët grekë, por edhe me Luftën Ballkanike dhe sidomos me Luftën e Parë Botërore. Bektashinjtë janë përballur me persekutim edhe nga shiitët dhe sunitët konservatorë të cilët i konsiderojnë bektashinjtë si heretikë. Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe formimit të Turqisë, presidenti Mustafa Kemal Atatürk mbylli lozhat e Urdhrit Bektashi më 1925. Për rrjedhojë, kryesia bektashiane e zhvendosi selinë e tyre nga Turqia në Tiranë. 

Lidhja zyrtare me Shqipërinë merr jetë në Prishtë të Skraparit në janar 1922, kur bektashinjtë duke mbajtur Kongresin e tyre të parë, e shpallën veten të pavarur nga bektashinjtë e Turqisë dhe, pas ndalimit të të gjitha tarikateve të dervishëve në Turqi në vjeshtën e vitit 1925, bektashinjtë turq e shpërngulën selinë e tyre botërore në Tiranë. 

Sa i përket zakoneve, ndryshe nga myslimanët sunitë në vend të pesë kohëve të namazit, ata falen dy herë në ditë, në kohën e lindjes dhe perëndimit të diellit. Ashtu, si ndryshe nga ata: Burrat dhe gratë falen së bashku në teqe, shtëpi lutjesh të drejtuara nga prijësit shpirtërorë të quajtur dervishë. Veçse janë aq të hapur saqë zhvillojnë edhe lutje në shtëpi private. Gratë në përgjithësi nuk mbajnë shami. Muzika dhe vallëzimi luajnë një rol të rëndësishëm. Çdo vit bektashinjtë takohen për pelegrinazh në malin e Tomorrit në Shqipërinë e Jugut, ku festojnë së bashku në një përzierje festash popullore dhe tubime familjare. Është një grup i veçantë, por pakica të vogla bektashiane ekzistojnë edhe në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, Bullgari, Kosovë dhe Greqi.

historinë e tyre thuhet se pas pasuesve të Haxhi Bektash Veliut, Ballëm Sulltani ka qenë një nga reformatorët më të mëdhenj të bektashizmit në botë. Ai bëri organizimin e gjyshatave e gjithë strukturat e tjera. Sipas tij, Bektashizmi ishte i organizuar në gjashtë qendra kryesore. Ndërkohë që ky organizim është në Anadoll (Turqi), Kaukaz (Rusi), Irak, Egjipt, Bullgari, Greqi (harta e hershme para 1800), Rumania, Maqedonia, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Hungari, Jemen, ShBA (Miçigan). Referimet janë marrë nga studimi i F.W.Hasluck : “Shpërndarja gjeografike e bektashinjve. 1915 – 1916”.

Nga një vrojtim statistikor, realizuar për Barometrin e Sigurisë të CSDG-së (që u bazua në vrojtimin statistikor që drejtoi statisticieni Eduard Zaloshnja në gjithë territorin e Shqipërisë në periudhën 6-15 prill), rezultoi se (me ekstrapolim të përafërt statistikor) rreth 206 mijë banorë të rritur vetëdeklarohen si bektashinj.. Nga këta, më shumë se gjysma (rreth 105 mijë) banojnë në Rajonin Jugor, rreth 75 mijë banojnë në Rajonin Qendror, dhe rreth 26 mijë në Rajonin Verior.

Nga Censi-23 rezultoi se në Shqipëri banojnë rreth 116 mijë shtetas të vetëdeklaruar si bektashinj, por numri i madh i besimtarëve të pacilësuar (raportuar rreth 332 mijë), i atyre që preferuan të mos përgjigjen (raportuar rreth 244 mijë), dhe i atyre që nuk ishin të disponueshëm (raportuar rreth 134 mijë) – në total rreth 710 mijë – e le të paplotë tablonë e besimeve fetare që na jep Censi-23 për Shqipërinë.

Ndërkohë popullsia banuese në Shqipëri në vitin 2011 rezultoi 2.8 milionë banorë, nga të cilët: 58.624 vetë ose 2.1 për qind rezultuan bektashinj.

Në Shqipëri, bektashinjtë, patën një periudhë të qetë me një bashkësi të pavarur e të njohur nga të tjerët, e cila ekzistoi deri më 1967, kohën kur regjimi ndërpreu jetën normale të gjithë komuniteteve fetare. Ky moment i ditëve të fundit, që lidhet me krijimin e Shtetit Bektashi në vitin 2024, përbën interesimin më të madh publik dhe trandjen më të madhe të këtij komuniteti në kohët e reja.

The post Shteti Bektashi, një histori pa histori appeared first on Faktoje.al.

Pse arrestimi i ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja, sjell nevojën e rishikimit të mekanizmave të filtrimit të kandidatëve për zgjedhjet 2025   

21 October 2024 at 18:42

Jurgis Çyrbja, i renditur i katërti në listën e deputetëve të PS-së për qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 2021 nuk kishte të shënuar asnjë rekord kriminal në dokumentin për dekriminalizimin. Ai ka mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në periudhën 2006-2010 dhe, në CV-në tij, para se të zgjidhej deputet, (për herë të parë në 2017-ën) ai e etiketonte veten pedagog e deri edhe bashkë-autor i librit Mjekësia Ligjore dhe Kriminalistika

screenshot e cv se ish-deputetit Jurgis Cyrbja

Megjithatë, të dielën e 20 tetorit, ai arrestohet me urdhër të SPAK i akuzuar për konsumimin e elementeve të disa veprave penale, që përfshijnë nga zbulim të të dhënave sektrete tek persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, dekonspirim të operacioneve të Policisë së Durrësit për t’I shpëtuar kapjes apo arrestimit të mundshëm të këtyre personave, e deri ndërhyrje (po për favorizimin e tyre) në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit.

screenshot e njoftimit te SPAK per arrestimin e Jurgis Cyrbes

Në këmbim të këtyre favoreve, një prej personave, (që ai bashkëpunonte) me inicialet A.H, (i shpallur në kërkim ndërkombëtar për katër vepra penale) i ofronte vota Çyrbes në funksion të zgjedhjes së tij si deputet në zgjedhjet parlamentare 2021

Gjatë gjithë periudhës për të cilën akuzohet nga SPAK, Jurgis Çyrbja, ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ai dha dorëheqjen nga mandati i deputetit me 10 tetor, një ditë para se SPAK ta merrte zyrtarisht të pandehur për “shpërdorim detyre” për një tjetër hetim që lidhej me një padi të depozituar (në vitin 2021) nga PD për disa veprime të ndërmarra nga Çyrbja kur ai drejtonte Hipotekën e Durrësit.

Por si u zbulua Jurgis Çyrbja? SPAK sqaron ndër radhë se hetimet janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet evropiane të drejtësisë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Si pjesë e provave të reja, sipas SPAK, janë administruar edhe aktet e dërguara nga autoritetet franceze të drejtësisë, nga ku rezulton se personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal kanë komunikuar ndërmjet tyre edhe me anë të aplikacionit të enkriptuar “Sky Ecc”. Pak ditë më parë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg, nxorri një vendim për një rast që kishte lidhje me përgjimet e përftuara nga zbërthimi i aplikacionit “EncroChat-Sky ECC” nga autoritetet franko-belge, aplikacion i përdorur nga bota e krimit dhe jo vetëm, përfshirë dhe shtetas shqiptarë.

screen shot e vendimit te zbardhur nga Strasburgu per zberthimin e aplikacionit Encro-Chat-Sky ECC

Fenomeni

Jurgis Çyrbja nuk është deputeti i vetëm i qarkut Durrës që sot gjendet pas hekurave. Ai është deputeti i dytë i arrestuar pas Lefter Kokës dhe i treti i dorëhequr pas Rrahman Rrajës

Jurgis Çyrbja nuk kishte rekorde të mëparshme kriminale dhe cv-ja e tij nuk linte asgjë për të dyshuar edhe pse PD-ja prej kohësh e ka akuzuar si person të lidhur me bandat kriminale.

Pyetja që shtrohet është se çfarë realisht po ndodh? A kanë funksionuar mekanizmat e filtrimit nga autoritetet vendimmarrëse nga partia ne pushtet e deri tek KQZ?

A lipset e nevojshme përmirësimi apo ndryshimi i mekanizmave aktual me qëllim evitimin e situatave të ngjashme në zgjedhjet e 2025?

Mbi këto pyetje e ngre logjikën politike Afrim Krasniqi kur thotë për Faktoje.al se, rasti i fundit i Durrësit nxjerr në pah ndikimet e mëdha informale që kanë grupet kriminale të ndryshme në zgjedhjen, promovimin dhe përdorimin e zyrtarëve të lartë për qëllimet e tyre kriminale.

“Rasti i fundit i Durrësit nxjerr në pah ndikimet e mëdha informale që kanë grupet kriminale të ndryshme në zgjedhjen, promovimin dhe përdorimin e zyrtarëve të lartë për qëllimet e tyre kriminale”, Afrim Krasniqi

“Përfshirja e Kuvendit, përfshirja e partisë më të madhe në vend, përfshirja e strukturës partiake të qytetit të Durrësit ku kryeministri është drejtuesi i listës dhe kandidati për deputet në atë qark përbën një tregues alarmi për nivelin e lartë të inkriminimit që ka politika në Shqipëri dhe partitë politike që në këtë rast nuk shërbejnë si forcë progresive e aftë të tregojë vullnet politik për katarsis dhe vetting politik”, thotë ai

“Nga ana tjetër le të kujtojmë se në qarkun e Durrësit, nga tetë mandate që ka siguruar mazhoranca dy janë duke vuajtur dënimin ndërkohë që një tjetër ka dhënë dorëheqjen për shkak se një anëtar i familjes është përfshirë në një akt të madh të njohur kriminal, po ashtu një kandidat tjetër i cili nuk arriti të ishte deputet, por ishte në listë i është ndërprerë mundësia për tu zgjedhur për shkak të vendimit të KQZ për dekriminalizimin. Pyetja është se si është e mundur që në një qytet me kaq rëndësi, me kaq shumë kandidatë dhe me kaq shumë traditë politike partia kryesore qeverisëse ka zgjedhur katër midis kandidatëve të saj individë me rekorde kriminale ose të sponsorizuar nga krimi?!”, vëren Drejtori i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi.

Hetimi i SPAK ndaj Çyrbes evidenton gjithashtu një anë tjetër të errët që nuk duhet parë si rast i shkëputur

Referuar dokumentit të përcjellë nga SPAK, ndaj Jurgis Çyrbes ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se, funksionarë publik (të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit), në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në 7(shtatë) raste, kanë zbuluar akte të cilat ligji i përcakton si sekret shtetëror. SPAK njofton se me përmbajtjen e tyre është vënë në dijeni Jurges Çyrbja, i cili ua komunikonte personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC”.

Faktoje.al kontaktoi disa juristë lidhur me këtë fenomen se deri ku shkon përgjegjësia e një funksionari publik në raport me deputetin për shkëmbimin e informacioneve, ku shtrihet konkretisht ligji mbi sekretin dhe trajtimin e materieleve shkresore e deri tek aksesi që kanë deputetët mbi informacione të klasifikuara si sekret shtetëror.

Faktoje.al nuk mundi të marrë një qendrim konkret nga juristët e kontaktuar në pritje të një përgjigje më shteruese nga SPAK për çështjen.

The post Pse arrestimi i ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja, sjell nevojën e rishikimit të mekanizmave të filtrimit të kandidatëve për zgjedhjet 2025    appeared first on Faktoje.al.

Akuzat ndaj kryebashkiakut Klitchko, pjesë e propagandës ruse 

18 October 2024 at 11:58

Pretendimi: Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klitchko, zotëron shtëpitë publike në Ukrainë

Verdikti: E paprovuar

Akuzat e një gazetareje ukrainase ndaj kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitaliy Klitchko ,po qarkullojnë edhe mes përdoruesve shqiptarë të Facebook. Në këto postime thuhej që gazetarja e lëvizjes FEMEN, Diana Panchenko, ka faktuar se ish-boksieri i njohur dhe tashmë administratori i Kievit, drejton trafikun e prostitucioni në Ukrainë.

Panchenko shkroi në një postim në rrjetet sociale: “Vitaliy Klitchko kontrollon rrjetin më të madh të klubeve të striptizimit. 100 shtëpi publike vetëm në Kiev! Ai shet qindra vajza në BE dhe SHBA.” Akuzat flasin se Klichko ka zgjedhur të jetojë me familjen e tij pranë dy shtëpive publike në Ukrainë. Ajo gjithashtu e akuzon atë për shitjen e drogës dhe për hetime mbi korrupsionin dhe tradhtinë ndaj shtetit.

Të gjitha akuzat ngjajnë të rënda në gojën e një gazetareje, por ajo që nuk sqarohet në këto postime është besueshmëria e burimit të tyre.  

Pas një eksperience mediatike, Panchenko është akuzuar se është rekrutuar nga Kremlini dhe se përhap dezinformata në emër të rusëve. Pas shpërnguljes në Emiratet e Bashkuara Arabe, ajo ka postuar video që shpesh herë janë të mbushura me propagandë, duke akuzuar autoritetet ukrainase për nazizëm dhe duke shpallur se Ukraina do të “kolapsojë”.

Deri më sot, nuk është bërë publike nga burime të tjera të besueshme kombëtare apo ndërkombëtare ndonjë lidhje e kryebashkiakut Klitchko me trafiqe të paligjshme.

Vitaliy Klitchko, si një figurë publike dhe lider politik, ka pasur një ndikim të rëndësishëm në Ukrainë, veçanërisht pas fillimit të luftës me Rusinë. Akuza për trafikim dhe krime të tjera serioze janë pjesë e vazhdueshme e retorikës ruse që sulmon figurat publike ukrainase.

The post Akuzat ndaj kryebashkiakut Klitchko, pjesë e propagandës ruse  appeared first on Faktoje.al.

Alarmi për bombë në ambasadën ukrainase keqinterpretohet në media

17 October 2024 at 12:48

Pretendimi: Policia rrethoi ambasadën serbe në Tiranë pas alarmit për bombë

Verdikti: E pavërtetë

Një njoftim për vendosjen e një bombe në ambasadën ukrainase në Tiranë më 14 tetor, u trajtua me seriozitetin e duhur nga policia dhe njësitë antieksploziv. E gjithë zona pranë kryesisë së Kuvendit dhe një sërë institucionesh të tjera u rrethua duke ngjallur kureshtje tek kalimtarët e shumtë në këtë orë të ditës.

Lajmet e para që u raportuan në portale identifikuan si objektiv të alarmit ambasadën e Serbisë, e cila ndodhet në të njëjtën rrugë me atë ukrainase.

Ky informacion u përhap menjëherë në disa media të tjera pa u verifikuar, duke krijuar një situatë të tensionuar.

Pas një inspektimi të detajuar, autoritetet policore konfirmuan se alarmi ishte drejtuar ndaj ambasadës ukrainase dhe se bëhej fjalë për një njoftim të rremë.

Edhe pas këtij sqarimi zyrtar, disa prej portaleve vijojnë ende të mos e saktësojnë lajmin për ambasadën serbe, gjë që ka sjellë vijimin e komenteve më përmbajtje urrejtjeje etnike nga përdorues të ndryshëm. Këto komente, të nxitura nga lajme të pasakta dhe një klimë tensioni, kontribuojnë në një atmosferë polarizimi dhe ndarjeje, duke njohur historikun e trazuar të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Më shqetësuese është situata duke menduar që mediat serbe mund të përdorin si burim këto portale dhe të transmetojnë për publikun vendas një kërcënim të paqenë për selinë e tyre diplomatike në Tiranë.

Shënim:

Data 19 tetor 2024 faqja joqalbania ne Instagram ka korrigjuar tekstin e postimit duke ndryshuar informacionin pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar.

The post Alarmi për bombë në ambasadën ukrainase keqinterpretohet në media appeared first on Faktoje.al.

Një mit premtimi se agjërimi shëron kancerin për disa ditë

28 August 2024 at 11:44

Pretendimi: Agjërimi strikt mund të parandalojë dhe shërojë kancerin

Verdikti: I pavërtetë

Do të ishte një mrekulli dhe nuk do të kalonte në heshtje nëse do të ishte materializuar pretendimi që qarkullon në rrjete sociale se në vendet mysliane kanceri shërohet brenda disa ditësh përmes agjërimit strikt.

Ky pretendim mbi agjërimin si një recetë për parandalimin dhe trajtimin e kancerit ka fituar popullaritet vitet e fundit jo vetëm në vendet myslimane.

Agjërimi është një praktikë e njohur në shumë kultura dhe fe, duke përfshirë Islamin. Përkrahësit e tij theksojnë përfitimet që sjell për trupin, përfshirë kontrollin e sëmundjeve metabolike si diabeti dhe kolesteroli i lartë.

Një nga format më të zakonshme të agjërimit që ka fituar vëmendje kohët e fundit është “të ngrënit e kufizuar në kohë,” një formë e agjërimit të ndërprerë. Në këtë metodë, ushqimi kufizohet në një periudhë specifike të ditës, shpesh në një interval prej 8 orësh, ndërsa për pjesën tjetër të kohës agjërohet.

Një studim i publikuar në Sesionet Shkencore të Shoqatës Amerikane të Zemrës mbi “Epidemiologjinë, Parandalimin dhe Shëndetin Kardiometabolik 2024”, hedh dritë mbi efektet afatgjata të kësaj praktike. Studimi, i cili përfshiu mbi 20,000 të rritur në SHBA, analizoi lidhjen mes orarit të ngrënies dhe rrezikut të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri.

Rezultatet treguan se kufizimi i kohës së ngrënies në më pak se 8 orë në ditë e rriti rrezikun për vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare me 91%, veçanërisht tek ata me sëmundje të zemrës apo kancer. Gjithashtu, ata që hanin vaktet për më shumë se 16 orë në ditë kishin një rrezik më të ulët për vdekje nga kanceri.

Sipas një kërkimi të publikuar nga Organizata Botërore të Shëndetësisë në vitin 2020 në shumë vende islamike parashikimet afatgjata tregojnë se deri në vitin 2030 do të ketë një rritje 1.8 herë në incidencën e kancerit. Kjo rritje shqetësuese nënvizon nevojën për hulumtime më të thelluara dhe zbatimin efektiv të politikave të kontrollit të kancerit në këto rajone.

Pretendimi se agjërimi mund të shërojë kancerin nuk mbështetet nga prova të qëndrueshme shkencore. Kanceri është një sëmundje komplekse që kërkon trajtime specifike, të tilla si kimioterapia, radioterapia dhe ndërhyrjet kirurgjikale, në varësi të tipit dhe fazës së sëmundjes.

Ndërsa agjërimi mund të ketë disa përfitime për organizmin në raste të caktuara, nuk ekziston asnjë provë e fortë që sugjeron se ai mund parandalojë apo shërojë kancerin.

The post Një mit premtimi se agjërimi shëron kancerin për disa ditë appeared first on Faktoje.al.

❌