Kryeministria, kampione e refuzimit të informacionit në vitin 2025
Nga konferenca e 7-të kombëtare për të drejtën e informimit, kryeministri Edi Rama përsëriti leksionet mbi transparencën.
“Ngurrimi për të ndarë me këdo qoftë që i kërkon informacionet që janë fakte administrative, është absurd dhe vetëm pengon apo dëmton më shumë…”, deklaroi ai. Por kjo deklaratë bie ndesh me realitetin e përditshëm të gazetarëve dhe qytetarëve që kërkojnë të drejtën e tyre ligjore për informim.
Faktoje.al, gjatë vitit 2025, ka dërguar mbi 200 kërkesa për informacion.
Nga 183 kërkesa drejtuar institucioneve shqiptare, shumica e përgjigjeve ishin të pjesshme, të përgjithshme ose shmangnin pyetjen konkrete. Në 42 raste, gazetarët u detyruan t’i drejtohen Komisionerit për të Drejtën e Informimit, duke dëshmuar nivelin e lartë të refuzimit institucional.
Edhe partitë politike nuk e zbatojnë në mënyrë të njëtrajtshme ligjin. Nga 5 kërkesa për informim, Partia Socialiste nuk ktheu përgjigje për asnjërën nga dy kërkesat, ndërsa Partia Demokratike dha dy përgjigje të plota dhe një të pjesshme.
Ndryshe nga praktika shqiptare, institucionet ndërkombëtare si KE, NATO, OLAF dhe DASH i kthyen të gjitha përgjigjet për 25 kërkesat e dërguara.
Kryeministria, institucioni më refuzues
Institucioni që mban rekordin e shkeljeve të ligjit për informacion në vitin 2025 është Kryeministria.
- Marrëveshja SHBA–Shqipëri për luftën kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj
Ky është një nga rastet më flagrante të mungesës së transparencës. Faktoje kërkoi dokumentacionin mbi marrëveshjen e nënshkruar mes Shqipërisë dhe SHBA-së, e cila lidhet me ngritjen e mekanizmave kundër manipulimit të informacionit nga shtete të huaja. Kryeministria nuk dha asnjë përgjigje edhe pse rasti u ankimua tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit.
- Marrëveshja me Grupin Titan në Forumin BE–Ballkani Perëndimor
Faktoje kërkoi informacion mbi marrëveshjen e nënshkruar gjatë Forumit të parë të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, e cila ishte bërë publike përmes rrjeteve sociale të kryeministrit. Institucioni kërkoi “saktësim të aktit miratues” (ligj, VKM, urdhër etj.), ndërkohë që bëhej fjalë për një marrëveshje të shpallur publikisht. Ne i dërguam linkun zyrtar të aktivitetit, por Kryeministria përsëri refuzoi të japë dokumentin, duke thënë se “nga linku nuk arrijmë të identifikojmë informacionin e kërkuar”. Kërkesa u zvarrit me kërkesa të përsëritura për sqarime, pa dhënë kurrë dokumentin e kërkuar edhe pas ankimimit tek Komisioneri për të Drejtën për Informim.
- Lista e këshilltarëve të jashtëm dhe konsulentëve të kontraktuar
Faktoje kërkoi listën e personave të angazhuar si këshilltarë të jashtëm, përfshirë ekspertë të huaj, si dhe informacion mbi pagesat e tyre, bazuar në VKM nr. 325, datë 31.05.2023. Ky akt parashikon pagesa deri në 1 milion lekë/muaj për këshilltarët e kontraktuar. Kryeministria nuk dha asnjë informacion, pavarësisht se kërkesa citonte qartë aktin ligjor dhe objektin e saj. Pas ankimimit nuk ka asnjë masë të raportuar nga Komisioneri.
‘Jashtë objektit të ligjit’
Ndërsa tre rastet e para tregojnë mungesë totale përgjigjeje, në tre raste të tjera kërkesat e Faktoje.al ndaj Kryeministrisë u mbyllën me argumentin se janë jashtë objektit të ligjit ose u deleguan në institucione të tjera.
- Deklarata për çlirimin e hapësirave publike në Tiranë
Më 19 korrik, kryeministri Rama shkroi se “sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara”. Faktoje kërkoi të dhëna konkrete mbi këtë deklaratë. Kryeministria nuk dha përgjigje, ndërsa Komisioneri e përcolli rastin tek Bashkia Tiranë, duke shmangur përgjegjësinë e institucionit që e bëri deklaratën.
- Pyetjet mbi bazën ligjore të deklaratave të Kryeministrit
Në një tjetër rast, kërkesa për të sqaruar mbi çlirimin e hapësirave publike u konsiderua nga Komisioneri si “jashtë objektit të ligjit për të drejtën e informimit”, duke e mbyllur shqyrtimin pa dhënë informacion. Argumenti ishte se pyetjet për interpretim nuk përbëjnë dokumentacion publik.
- Udhëtimi i Kryeministrit në SHBA
Faktoje kërkoi informacion mbi planifikimin e vizitës së Ramës në SHBA, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Pyetjet u refuzuan si “jashtë objektit të ligjit për informim”. Komisioneri e mbylli shqyrtimin, duke lënë pa përgjigje nëse vizita ishte planifikuar dhe nëse po pse nuk u realizua.
Ligji dhe “Maliqi”
Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” garanton akses publik, por praktika e institucioneve shqiptare tregon vonesa sistematike, mungesë transparence dhe mosdhënie të përsëritur të informacionit.
Qendra Res-Publica që ka mbi 10 vite që monitoron zbatimin e të drejtës së informimit në Shqipëri, në raportin e fundit vlerëson se gati 1/3 e rasteve institucionet nuk japin asnjë përgjigje, duke e cilësuar refuzimin si problem serioz dhe të rrënjosur.
“Kjo sjellje jo vetëm që bie ndesh me frymën e ligjit, por i shndërron kërkesat për informacion në një proces të pasigurt, ku qytetari nuk ka garanci se do të marrë një reagim, pavarësisht detyrimit ligjor” nënvizon raporti.
E ardhmja, parashikon studiuesi Afrim Krasniqi, do të bëhet edhe më e vështirë.
“Për shkak të skandaleve të vazhdueshme, për shkak të konfliktit të madh që ka midis vizionit të qeverisë për informimin dhe nevojave që ka media dhe shoqëria civile për më shumë informacion dhe transparencë”, përfundon ai.
Përfundim
Praktika e institucioneve, sidomos e Kryeministrisë, tregon se e drejta e informimit vazhdon të cungohet në Shqipëri. Ndaj deklaratën e kryeministrit Edi Rama, se“ngurrimi për të ndarë me këdo qoftë që i kërkon informacionet që janë fakte administrative, është absurd dhe vetëm pengon apo dëmton më shumë…”, e kategorizojmë të vërtetë.
The post Kryeministria, kampione e refuzimit të informacionit në vitin 2025 appeared first on Faktoje.al.
