Normal view

Vlora me pjesëmarrjen më të ulët, kreu i PS mesazh qytetarëve: Vota, e drejtë legjitime

9 November 2025 at 16:49

Pak para mbylljes së orarit zyrtar të votimit, kreu i PS në Vlorë, qyteti me pjesëmarrjen më të ulët në këto zgjedhje, apelon qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit.

“Qytetarë të Vlorës, kanë mbetur edhe shumë pak caste nga mbyllja e procesit zgjedhor, do iu lutesha t’i drejtoheshit kutive të votimit, për të shprehur vullnetin me votë.

Vota është e drejtë legjitime dhe ju takon juve për të ardhmen e qytetit të Vlorës” thotë ai.

Sondazhi trondit demokratët në Vlorë/ Analistët: PD është gati e shpartalluar, vijon në rënie të lirë

3 November 2025 at 22:50

TIRANË– Në Bashkinë e Vlorës, nëse zgjedhjet do mbaheshin sot, kandidatja e PS, Brunilda Mersini do shpallej fituese me rezultat të thellë me 69.8 % të votave, kundrejt Partisë Demokratike, e cila nuk do merrte më shumë se 30.2% të votave./

Këto janë të dhënat e dala pas anketimit të 571 banorëve të Vlorës, në sondazhin “Zëri i Shqiptarëve” në ABC News. Analisti Roland Bejko u shpreh se Partia Demokratike në Vlorë është pothuajse e shpartalluar dhe perceptimi qytetar e dëshmon këtë.

“PD në Vlorë është gati e shpartalluar. PD atje është në ditë të hallit. PD në jug gati është shpartalluar. Si strukturë nuk është më ajo që ka qenë. Kur Berisha ka shkuar në Vlorë në 2000 ka pasur më shumë atmosferë se sot”, tha ai.

Analisti Roland Lami u shpreh se PD është në rënie të lirë dhe për fat të keq kjo rënie sa vjen e po bëhet më e shpejtë.

“PD është në rënie të lirë dhe nuk ka perëndi që e ndalon rrjedhën. Për mënyrën se si  është organizuar dhe për mënyrën se si i është qasur tregut politik, PD është në gërryerje”, tha ai./abcnews.al

“Zëri i Shqiptarëve”/ Nëse zgjedhjet në Vlorë do të mbaheshin sot, Bashkia do të drejtohej nga …

3 November 2025 at 22:34

TIRANË- Nëse zgjedhjet e pjesshme vendore do të mbaheshin sot, Bashkia e Vlorës do të kishte në krye të saj kandidaten e PS, Brunilda Mersini.

Linku i sondazhit në ‘Zëri i shqiptarëve’, iu dërgua në mënyrë rastësore, 571 banorë në Vlorë, nga të cilët vlonjatët e vendosur për të votuar që sot, do të votonin 69.8 % kandidaten socialiste dhe 30.2% kandidatët opozitarë.

Marzhi i gabimit statistikor në këtë sondazh përllogaritet në +/- 3.9%.

Rezultati i pyetësorit:

Vrasja e 36-vjeçarit/ Shoqërohen pesë persona në Polici, mes tyre dhe kushëriri i viktimës

1 November 2025 at 22:08

SELENICË- Mbrëmjen e së shtunës,  rreth orës 20:25 minuta në fshatin Gjorm, të bashkisë së Selenicës, është gjetur i pajetë një 36-vjeçar me emrin Dalan Alliaj.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë policia dhe ambulanca, ku kjo e fundit ka transportuar trupin e 36-vjecarit, por pa shenja jete.

Forcat e rendit, FNSH  bashku me ekspertët e kriminalistikës, kanë bërë këqyrjen e vendngjarjes dhe kanë shoqëruar në polici pesë persona, përfshirë djalin e xhaxhait, i cili ka qenë me 36-vjeçarin, kryeplakun e fshatit, dhe tre banorë të tjerë, që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Policia e Vlorës dhe forcat e FNSH janë duke krehur zonën për kapjen e autorit apo autorëve , ndërkohë që nga këqyrja e trupit të 36 vjecarit janë gjetur gjashtë shenja plumbash, të cilat i kanë marrë jetën.

Trupi i pajetë i 36-vjeçarit është dërguar në morgun e spitalit të Vlorës, ku kanë mbërritur edhe familjarë të shumtë të viktimës.

Viktima kishte një biznes në fshatin Levan të Fierit. Policia e Vlorës ende nuk ka një pistë dyshimi , por është ende duke marrë në pyetje banorë që mund te kenë lidhje me ngjarjen.

Po ashtu vendi i ngjarjes në fshatin Gjorm është i rrethuar, por mungon ndriçimi kamerat e sigurisë/abcnews.al

Vrasja në Selenicë, në trupin e viktimës gjenden gjashtë plumba

1 November 2025 at 21:39

VLORË- Një i ri nga Fieri u qëllua për vdekje në fshatin Gjorm në Selenicë. Ai kishte shkuar tek të afërmit e tij, por befas është përballur me breshërinë e plumbave, të cilët i morën edhe jetën.

Viktima është identifikuar si Dalan Alliaj.

Sipas informacioneve nga policia e Vlorës, 36-vjeçarit i janë gjetur gjashtë plumba në trup.

Policia dhe grupi hetimor ka ngritur disa pista hetimi për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave dhe kapjen e autorit ose autorëve/abcnews.al

Vrasja e 36-vjeçarit në Selenicë/ Policia jep detajet: U gjet i pajetë nga familjarët e tij

1 November 2025 at 21:10

VLORË- Policia e Vlorës ka reaguar duke dhënë detaje shtesë për vrasjen e 36-vjeçarit në fshatin Gjorm të Selenicës.

Sipas bluve të Vlorës, i riu nga Fieri Dalan Alliaj është gjetur pa shenja jete nga familjarët e tij.

Nga veprimet paraprake, gjatë këqyrjes së trupit, i janë konstatuar plagë të dyshuara të shkaktuara me armë zjarri.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit./abcnews.al

EMRI/ Vrasje në Selenicë, qëllohet për vdekje me armë 36-vjeçari

1 November 2025 at 20:35

VLORË-  Një 36-vjeçar është vrarë me armë zjarri në fshatin Gjorm, në Selenicë, mbrëmjen e kësaj të shtune.

Ai humbi jetën në spitalin e Vlorës, si pasojë e plagëve të marra.

Viktima ka qenë tek djali i xhaxhait të tij në fshatin Gjorm, por nuk dihet ende kush e ka qëlluar.

Sipas policisë, viktima Dalan Alliaj është nga Fieri.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rrethanat./abcnews.al

 

Përplasi për vdekje të miturin/ Vlorë, Gjykata lë në burg 32-vjeçarin

30 October 2025 at 14:13

VLORË- Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 32-vjeçarin Hajri Bajramaj që shkaktoi aksidentin e rëndë me humbjen e jetës së 17-vjeçarit, Leandro Shametaj.

Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë, ndërsa 32-vjeçari akuzohet për veprën penale “Shkelje e rregullave te qarkullimit rrugor” dhe “drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”.

Gjatë seancës i akuzuari ka kërkuar falje për ngjarjen.

Ndërkohë jashtë gjykatës të pranishëm edhe familjarë të 17-vjeçarit që humbi jetën në aksident.

Daja i 17-vjeçarit të ndjerë, Partiot Deraj, tha se ky rast duhet të cilësohet si vrasje me dashje dhe jo thjesht si një aksident rrugor.

“Ne kërkojmë nga drejtësia, që vërtet ai e ka marrë atë çfarë meriton, por ne kërkojmë të ashpërsohet ky ligj pasi ai nuk është një aksident, por për ne është një vrasje me dashje.

Në momentin që ecën ne bulevard me 200 km/h dhe të jesh i papërgjegjshëm dhe të të dalin të dyja testet e bëra të alkoolit pozitiv, për ne kjo është…ku di unë, nuk ka fjalë dhe nuk e përshkruajmë dot.

Nuk arrijmë dot ta besojmë të gjithë atë që ka ndodhur. Kërkojmë të ashpërsohet ligji dhe të mos ngelet me burg apo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, se kjo nuk është shkelje e qarkullimit rrugor, por për ne është vrasje me dashje.”, tha ai.

/abcnews.al

Vlorë, bie prodhimi i ullirit/ Fermerët: Cilësia e vajit është më e mirë

30 October 2025 at 13:31

Në Novoselë të Vlorës fermerët kanë nisur vjeljen e ullinjve.  Kultivojnë varietete të ndryshme, por prodhim i marrë këtë vit ka qenë më i pakët se vitin e shkuar.

Kushtet e motit sipas specialistëve të bujqësisë janë ato që kanë ndikuar në rënien e prodhimit në disa varietete të ullirit.

Ndonëse prodhimi është më i pakët cilësia  e ullinjve të këtij viti  është më  e lartë.  Kjo vihet re në sasinë e vajit të marrë prej tyre. Në fabrika ka nisur prodhimi.

Prodhimi plotëson nevojat e tregut vendas, por specialistët thonë se  Shqipëria ka mundësinë  të jete një nga shtete kryesore të   eksportit  të vajit të ullirit.

Në vendin tonë prodhohet rreth 25 mijë ton vaj ulliri në vit. Çmimi i tij varet  edhe nga vendet e tjera si psh Spanja qe mbetet vendi i parë për prodhimin e ullirit dhe vajit të tij në botë.

Dhimbje në shkollën e adoleshentit/ Vlorë, lule në klasën e 17 vjeçarit që humbi jetën në aksident

29 October 2025 at 13:30

Në gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë ku studionte  17 vjeçari Leandro Shametaj i cili  u përplas për vdekje  nga  një makinë e mërkura ishte ditë zie.

Një mesazh ngushëllimi në hyrje të shkollës dhe  një buqetë me lule në bankën e 17 vjeçarit.

Shokët dhe mësuesit e kujtojnë si një nga nxënësit më të mirë të shkollës.

Nxënës dhe mësues i janë bashkuar familjarëve  të 17  vjeçarit në lamtumirën e fundit.

Leandro Shametaj  po kthehej nga puna për në shtëpi me motor  kur është përplasur nga makina që  drejtohej nga  32 vjeçari  Haiti Bajramaj.

32 vjeçari u arrestua nga policia e cila tha  se  po  ecte me shpejtësi tej normave të lejuara dhe  pas testeve rezultoi  në gjendje të dehur./abcnews.al

Përplasen dy automjete në Vlorë, humb jetën 17-vjeçari

28 October 2025 at 07:59

VLORË- Dy automjete janë përplasur rreth orës 01:30 të natës në Vlorë dhe për pasojë një 17-vjeçar ka humbur jetën.

Viktima është identifikuar si Leandro Shametaj, 17 vjeç.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, përplasja ka qenë fatale dhe i mituri ka ndërruar jetë menjëherë. Të njëjtat burime tregojnë se për shkak të goditjes së fortë, trupi i viktimës është dëmtuar rëndë.
Aksidenti ka ndodhur përgjatë bulevardit kryesor.

Drejtuesi i automjetit, Haiti Bajramaj, është shoqëruar nga policia ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit tragjik./abcnews.al

Garon për Bashkinë e Vlorës për PS/ Brunilda Mersini heq dorë nga mandati i deputetit

27 October 2025 at 10:52

Në nisje të seancës plenare, kryeparlamentari Niko Peleshi njoftoi dorëheqjen nga mandati të deputetes së PS, Brunilda Mersini.

Brunilda Mersini do të garojë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, për Bashkinë e Vlorës, nën siglën e Partisë Socialiste.

“Deputetja Brunilda Mersini ka depozituar në Kuvend dorëheqjen nga mandati i deputetit. Për krijimin e vakancës është njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, njoftoi Peleshi.

Zgjedhjet e pjesshme lokale do të mbahen më 9 nëntor në pesë bashki të vendit: në Vlorë, Berat, Cërrik, Tepelenë dhe Mat.

Lista e kandidatëve, KQZ publikon emrat, “mungon” Tirana

25 October 2025 at 13:35

Trembëdhjetë kandidatë kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dokumentacionin për të garuar në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.

Kandidatët e pavarur tashmë kanë përfunduar me procedurat, duke dorëzuar pranë KQZ dhe firmat që i nevojiten nga qytetarët për të marrë pjesë në zgjedhje.

Në Vlorë, kandidatja e PS është Brunilda Mersini, ndërsa PD do të mbështesë kandidatin e pavarur Dionis Sota. Në Berat, socialistët hyjnë në garë me Ervin Cecën, ndërsa opozita do të mbështesë të pavarurin Pavlo Shkarpa.

Në Cërrik, Partia Socialiste ka zgjedhur Florenc Dokën si kandidat, ndërsa opozita ka vendosur të përkrahe të pavarurin Amarildo Hoxha

Ndërkohë, në Mat, PS ka propozuar Altin Bojnin për kryetar bashkie, ndërsa Suzana Pasha, kryetare e Gruas Socialiste, ka shpallur kandidaturën e saj si e pavarur.

/abcnews.al/

Moti i keq, pezullohet lëvizja e mjeteve lundruese dhe të peshkimit në Vlorë

17 October 2025 at 10:06

Moti i keq ka sjellë reshje shiu, pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Në Vlorë është njoftuar ndalimi i mjeteve të vogla lundruese dhe të peshkimit.

Kjo masë është marrë me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike.

Ndërsa anijet e transportit ndërkombëtar detar do të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

/abcnews.al/

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gjykatat e Shkallës së Parë Vlorë, Fier e Sarandë pezullojnë proceset gjyqësore

By: Rovena
7 October 2025 at 10:53

Proceset gjyqësorë në Gjykatën e Shkalles së Parë Vlorë do të pezullohen jo vetëm këtë të martë, por deri në datë 10 tetor.

Është ky informacioni më i fundit nga Gjykata e Vlorës. Përjashtim vetëm masat e sigurisë.

Edhe Gjykata e Shkallës së Parë në Sarandë ka pezulluar për sot, ditën e martë, të gjitha proceset gjyqësore.  Ndërkohë edhe Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh dhimbjen dhe hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të Gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën tragjikisht gjatë ushtrimit të detyrës, në sallën e gjyqit.
Ky akt i rëndë dhe i papranueshëm përbën një sulm brutal ndaj drejtësisë, ndaj figurës së magjistratit dhe ndaj vetë rendit demokratik në Republikën e Shqipërisë. Vrasja e një gjyqtari në vendin ku jepet drejtësia është një goditje ndaj themeleve të shtetit të së drejtës dhe ndaj çdo qytetari që beson në ligj dhe drejtësi.
Ngjarja e rëndë e ndodhur në ambientet e gjykimit duhet të shërbejë si thirrje e fortë për të ndaluar çdo formë dhune, fyerjeje, poshtërimi apo kërcënimi ndaj magjistratëve dhe gjithë atyre që kontribuojnë në dhënien e drejtësisë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe miqtë e Gjyqtarit Astrit Kalaja, duke vlerësuar me respekt figurën e tij profesionale dhe njerëzore.
Institucioni ynë angazhohet të bashkëpunojë ngushtë me organet kompetente për garantimin e sigurisë më të lartë për magjistratët, stafin administrativ gjyqësor, avokatët, ekspertët dhe të gjithë qytetarët që frekuentojnë gjykatat.
Vendimi është marrë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e djeshme në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit nga Elvis Shkambi.
Gjatë ditës së sotme, përjashtim do të bëjnë vetëm seancat për masat e sigurisë, ndërsa të gjitha proceset e tjera gjyqësore janë pezulluar./abcnews.al

Ngjarja në Vlorë, 36-vjeçari u vetëplagos, gjendet arma e zjarrit, e fshehur në një rrugicë mes luleve

4 October 2025 at 11:40

VLORË- Është gjetur arma e zjarrit, me të cilën dyshohet se u vetëplagos 36-vjeçari në Vlorë.

Sipas policisë, arma e zjarrit e cila posedohej pa leje, e markës Ekol Special, u gjet në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në një rrugicë, e fshehur mes luleve. Gjithashtu u sekuestrua së bashku me një gëzhojë të gjetur në vendin e ngjarjes.

Ndërkohë, materialet shtesë do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

“Tiranës i duhet një drejtues”/ Çupi: Domosdoshmëri jo vetëm politike. Bashkia duhet qeverisur

30 September 2025 at 13:24

Qeveria ka çuar në presidence vakancat e kryetarëve në gjashtë bashki të vendit, Tiranë, Vlorë, Cërrik, Berat, Mat dhe Tepelenë.

Pas dekretit nga presidenti Begaj brenda 48 orësh, i hapet rruga zgjedhjeve te parakohshme në këto bashki.

Analisti Frrok Çupi në “News Line” në ABC News, u shpreh se kjo ishte e pritshme, dhe se Tirana ka nevojë për një drejtues.

“Ishte e pritshme. Ligji Kushtetuta, vetëmbrohen në favor të individit, popullit zgjedhësit. Kishim të bënim këtu më një raport të drejtë, një akt që shkon drejtpërdrejt të njerëzit. Kërkohej një zëvendësim, dhe më tepër për kryeqytetin. Domosdoshmëria ishte jo vetëm politike. Politika kishte ndërhyrë për të ndryshuar mënyrën se si qeveriset vendi. Ndryshimet janë sociale, kulturore, ekonomike…Jemi duke ardhur në një aspekt interesant dhe pushtetin e shikojmë të na shërbejë afër. Ndërsa për ankimimi i Veliajt, thashë se demokracia ka instrumente të fuqishme për të mbrojtur vetveten, Kërkesa e Veliajt ishte një akt që ngjalli kuriozitet…Kam përshtypjen se atje ka shumë politikë, por edhe shumë ligj. Tek pjesa politike nuk do doja ta shikoja Veliajn të radhitej atje ku janë radhitur gjithë njerëzit që kanë pësuar humbje dhe i kanë thënë tjetrit “më ndëshkove mua dhe do ta shohësh se çfarë do të gjejë prej meje”. Pasi ai ka një eksperiencë dhe një trashëgimi shumë të mirë për Tiranën, por kjo ndodhi. Erion Veliaj është ndodhur përballë një inkuizicioni…”, tha analisti Frrok Çupi.

/abcnews.al/

Automjeti del nga rruga në Vlorë, dy persona përfundojnë në spital

24 September 2025 at 21:56

Një aksident është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në aksin rrugor Peshkëpi-Kotë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 kur një automjet tip Volkswagen, me targa AB541TT, doli nga rruga dhe përfundoi duke goditur një shtyllë të tensionit.

Sipas të dhënave paraprake, në mjet udhëtonin dy shtetas, të cilët u transportuan me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës. Fatmirësisht, dy të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet policore, të cilat po punojnë për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

EMRI/ U paraqit në spital me plagë në këmbë, 37-vjeçari dyshohet i plagosur me armë zjarri

22 September 2025 at 15:33

Një 37-vjeçar është paraqitur në spitalin e Vlorës për ndihmë mjekësore. Sipas informacionit të policisë, dyshohet se 37-vjeçari banues në Selenicë dyshohet se është plagosur me armë zjarri në pjesë e këmbës.

Aktualisht, 37-vjeçari Skerdi Mehmetaj ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.

/abcnews.al/

❌