Normal view

Meta "fshehu të vërtetën" lidhur me sigurinë e fëmijëve - Nis gjyqi për rrjetet sociale

18 August 2026 at 23:56


Gjiganti i rrjeteve sociale, Meta, po përballet me një gjyq lidhur me pretendimet se i ka projektuar qëllimisht platformat e saj për t'i bërë ato varëse për të rinjtë.

Katër shtete amerikane që po marrin pjesë në seancën gjyqësore të së martës kërkojnë miliarda dollarë nga Meta.

Ato veprojnë në emër të një grupi prej 29 shtetesh që ngritën padi në vitin 2023, duke argumentuar se kompania ka shkelur ligjet për privatësinë e fëmijëve.

Një avokat që përfaqëson Kaliforninë i ka thënë gjykatës se modeli i biznesit të Metës synon "të tërheqë përdoruesit, t'i mbajë ata sa më gjatë të jetë e mundur, të mbledhë të dhënat e tyre, (dhe) t'ia fshehë të vërtetën publikut".

Meta, e cila zotëron Facebook-un dhe Instagram-in, deklaron se "nuk pajtohet aspak" me këto pretendime dhe se provat do të tregojnë "angazhimin e saj afatgjatë për të mbështetur të rinjtë".

Gjyqi që po zhvillohet në një gjykatë federale në Kaliforni, pritet të zgjasë nga gjashtë deri në tetë javë dhe do të përfshijë dëshminë e kreut të Metës, Mark Zuckerberg.

Bruno Guimaraes shpjegon arsyen se pse iu bashkua Arsenalit

18 August 2026 at 23:45


Bruno Guimaraes ka shpjeguar arsyet që e shtynë të largohej nga Newcastle United dhe t’i bashkohej Arsenalit, duke thënë se synimi i tij kryesor ishte të kishte më shumë mundësi për të fituar trofe.

Mesfushori brazilian ishte një prej transferimeve të para të bujshme të Newcastle pas blerjes së klubit nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite. Kur Guimaraes u transferua nga Lyoni në janar të vitit 2022, Newcastle ndodhej në zonën e rënies nga Liga Premier.

Me brazilianin si një prej figurave kryesore të skuadrës, Newcastle e përfundoi atë sezon në vendin e 11-të. Në vitet pasuese, klubi u kualifikua dy herë në Ligën e Kampionëve dhe fitoi trofeun Carabao Cup gjatë periudhës katërvjeçare e gjysmë të Guimaraesit në Tyneside.

Megjithatë, periudha te Newcastle ishte edhe emocionalisht e lodhshme për 28-vjeçarin. Guimaraes u përlot kur u konfirmua transferimi i tij te Arsenali, në një marrëveshje me vlerë rreth 101 milionë dollarë.

Arsyetimi i tij, sipas vetë brazilianit, ishte i thjeshtë, edhe pse vendimi ishte i dhimbshëm: Arsenali i ofronte një ambient më të konsoliduar dhe një mundësi më të madhe për të luftuar për trofe.

“Kam kaluar pothuajse pesë vite te Newcastle. Besoj se kam ndihmuar në rindërtimin e klubit. Mbërrita në atë që e konsideroj një prej momenteve më të vështira në historinë e klubit dhe, së bashku me familjen time, vendosa të provoja diçka të re”, ka deklaruar Guimaraes për ESPN Brasil.

Sezoni i kaluar ishte veçanërisht zhgënjyes për brazilianin dhe Newcastle, pasi skuadra e përfundoi kampionatin në vendin e 12-të. Mungesa e Guimaraesit për një pjesë të konsiderueshme të sezonit tregoi edhe një herë rëndësinë e tij për sistemin e Eddie Howe.

Kur Guimaraes ishte në fushë, Newcastle kishte mesatarisht 1.8 pikë për ndeshje në Ligën Premier, ndërsa në mungesë të tij kjo shifër binte në vetëm 0.8 pikë për ndeshje.

Tani, braziliani ka nisur një kapitull të ri te Arsenali dhe menjëherë ka dhënë sinjale pozitive. Ai pati një debutim mbresëlënës në ndeshjen zyrtare ndaj Manchester Cityt në Community Shield, duke e nisur aventurën e tij në Londër me fitimin e një trofeu.

“Jam shumë i lumtur për mundësinë që kam këtu te Arsenali dhe tani është koha të vazhdoj të punoj. Jam shumë i lumtur që e nisa në mënyrën e duhur ndeshjen time të parë zyrtare. Fitimi i trofeut ishte shumë i rëndësishëm”.

“Është një skuadër shumë e fortë me lojtarë të mëdhenj. Mendoj se ky është plani – të luftojmë për gjithçka dhe të japim maksimumin”./Telegrafi

“Duam të jemi më të mirët në botë” - Arteta tregon ambiciet e Arsenalit

18 August 2026 at 23:30


Mikel Arteta ka zbuluar ambiciet e mëdha të Arsenalit, duke theksuar se klubi londinez synon të bëhet klubi më i mirë në botë.

Trajneri spanjoll foli për objektivat e klubit teksa “Topçinjtë” përgatiten të mbrojnë titullin e Ligës Premier, pasi e kanë fituar atë për herë të parë pas 22 vjetësh.

“Sigurisht, kjo është ambicia e klubit dhe pronarëve, të bëhemi klubi më i mirë në botë”, deklaroi Arteta.

Sipas tij, për të arritur këtë nivel, Arsenali duhet të ndërtojë një projekt që përfshin të gjitha aspektet e klubit, nga infrastruktura dhe stadiumi, te tifozët dhe cilësia e skuadrës.

“Për ta bërë këtë, të duhen objektet më të mira, stadiumi më i mirë, tifozët më të mirë, si dhe skuadra dhe lojtarët më të mirë në botë. Janë pikërisht ata që të fitojnë ndeshjet e futbollit dhe që mund të bëjnë diferencën në momentet vendimtare”, shtoi ai.

Arteta theksoi se kjo është pikërisht ajo që Arsenali po përpiqet të ndërtojë, duke u mbështetur te lojtarët aktualë dhe duke synuar të afrojë futbollistë të rinj që mund të bëjnë diferencën.

Arsenali tashmë konsiderohet një prej klubeve më të mëdha në Angli, por trofeu i Ligës së Kampionëve vazhdon të mungojë në historinë e klubit.

“Topçinjtë” ishin shumë pranë këtij objektivi këtë sezon, por u eliminuan nga Paris Saint-Germain pas ekzekutimit të penalltive. /Telegrafi/

Labi me akuza të rënda publike për Klodin: Si munde ta tradhtosh Elijonën me një mashkull

18 August 2026 at 23:29


Labinot Rexha ka bërë disa deklarata të forta në rrjetet sociale, duke ngritur akuza ndaj Klodian Mihajt dhe duke pretenduar se ai ka tradhtuar të dashurën e tij, Eljonën.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Rexha pretendoi se tradhtia ka ndodhur me një mashkull, ndërsa iu drejtua drejtpërdrejt Mihajt me një mesazh të ashpër.

“Si nuk të vjen turp Klodian Mihaj me tradhtu një vajzë 19-vjeçe me një mashkull?”, shkroi ndër të tjera Rexha në mbishkrimin e videos.

Ai më tej paralajmëroi se do të publikojë edhe të tjera detaje, duke përmendur edhe Londrim Mekajn, fituesin e edicionit të katërt të “Big Brother VIP Kosova”.

“Pritni bombën e radhës dhe për Londrimin, para se me hy në Big, me kon ka banu, me cilin mashkull!”, vijoi ai.

Në videon e publikuar, Rexha pretendon gjithashtu se disponon dëshmi që, sipas tij, lidhen me një marrëdhënie homoseksuale të Londrim Mekajt.

Këto mbeten pretendime të bëra nga Labinot Rexha dhe nuk janë të konfirmuara nga personat e përmendur. Deri në publikimin e këtij artikulli, Klodian Mihaj dhe Londrim Mekaj nuk kanë reaguar publikisht ndaj këtyre deklaratave.

Rexha, ndërkaq, ka lënë të kuptohet se do të publikojë detaje të tjera në vazhdim, duke e cilësuar atë që paralajmëroi si “bombën e radhës”. /Telegrafi/

Pa president, pa zgjidhje në Kushtetutë: Çfarë e pret Kosovën pas 4 tetorit?

18 August 2026 at 23:19


Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore gjatë së cilës, sipas Kushtetutës, postin e presidentit të Kosovës mund ta mbajë një ushtrues detyre.

Albulena Haxhiu, si kryeparlamentare e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës, filloi ta ushtronte detyrën e presidentes më 4 prill, kur Vjosa Osmanit i mbaroi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit.

Si rezultat i mosarritjes së një konsensusi mes partive politike parlamentare për emrin e presidentit të ardhshëm të Kosovës, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kuvendi i dalë nga votimet e 7 qershorit ka mbetur pa u konstituuar, me gjithë kalimin e afatit kushtetues për një gjë tillë, teksa subjektet politike duken ende larg një marrëveshjeje për presidentin.

Çfarë nëse kreu i ri i shtetit të Kosovës nuk zgjidhet deri më 4 tetor? Kush do të udhëhiqte me Kosovën pas kësaj date?

Interpretimet janë të ndryshme, e një situatë e tillë nuk është paraparë nga akti më i lartë juridik në Kosovë - Kushtetuta.

Njohës të zhvillimeve politike e juridike në Kosovë konsiderojnë se nuk ka bazë kushtetuese që vendi të vazhdojë të udhëhiqet nga një ushtrues i detyrës së presidentit pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore.

Por, në Lëvizjen Vetëvendosje – parti e cila i fitoi zgjedhjet e fundit – vlerësojnë se postin do të mund ta ushtronte kryetari i ri i Kuvendit, deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se periudha gjashtëmujore për ushtrimin e detyrës së presidentit përbën afat absolut, dhe si i tillë nuk mund të përsëritet në asnjë skenar.

Moszgjedhja e presidentit të ri, deri më 4 tetor, sipas Cakollit, përbën skenarin më të rrezikshëm kushtetues me të cilin mund të ballafaqohet Kosova.

“Në një situatë të tillë, vendi do të hynte në një terren kushtetues, i cili, përveçse do të ishte serioz dhe i rrezikshëm, do të duhej medoemos të kishte parashtresë në Gjykatën Kushtetuese”, shprehet ai.

Melos Kolshi, hulumtues ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Radion Evropa e Lirë se pas 4 tetorit, çdo vazhdim i ushtrimit të detyrës së presidentit do të ishte pa bazë kushtetuese, dhe do të cenonte seriozisht rendin kushtetues.

Ai konsideron se mungesa e presidentit me mandat kushtetues nuk është çështje formale - duke theksuar rolin që presidenti e ka në funksionimin dhe në formimin e institucioneve, në përfaqësimin e vendit, në sigurinë dhe mbrojtjen, dhe në procedurat e tjera që Kushtetuta ia rezervon kreut të shtetit.

“Mungesa e një personi që ka bazë kushtetuese për t’i ushtruar këto kompetenca do ta vendoste vendin përballë një krize të re institucionale dhe kushtetuese, për të cilën Kushtetuta nuk ofron një mekanizëm të qartë zgjidhjeje”, thotë ai.

LVV: Ushtrues të ri të detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e tij

Situata shihet ndryshe në LVV.

Deputeti i LVV-së në Kuvendin e Kosovës, Adnan Rrustemi, thotë se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit është e varur nga pozita e kryetarit të Kuvendit.

Sipas tij, pas zgjedhjes, kryetari i ri i Kuvendit nis ushtrimin e detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e presidentit. Afati prej gjashtë muajsh, i përcaktuar nga Kushtetuta, nis të rrjedhë nga fillimi, me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, thotë ai.

“Është në frymën dhe përmbajtjen, por edhe në funksionin e Kushtetutës, që të garantojë vazhdimësi institucionale. Asnjëherë, e për asnjë arsye, vendi nuk mund të mbetet pa president apo pa ushtrues detyre të presidentit. Vakum institucional nuk mund të ketë në asnjë rrethanë”, deklaron Rrustemi për Radion Evropa e Lirë.

Cakolli nga KDI thotë se interpretimi që afati gjashtëmujor automatikisht ripërtërihet me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit nuk qëndron në aspektin kushtetues.

Ai vlerëson se kjo do të ishte edhe e rrezikshme, pasi do të relativizohej rëndësia e zgjedhjes së presidentit.

“Në qoftë se do të mund të zgjidhnim një kryetar Kuvendi, kurdo që është në prag të skadimit të afatit gjashtëmujor, do të kishim vetëm ushtrues detyre të presidentit në vazhdimësi, e që, si e tillë nuk është ideja e as qëllimi pse ekzistojnë dispozitat kushtetuese në fjalë”, thotë Cakolli.

Sipas Kolshit nga IKD, afatet kushtetuese nuk mund të trajtohen si afate orientuese, ndërsa Kuvendi nuk mund ta normalizojë vendimmarrjen jashtë tyre.

“Nëse, megjithatë, arrihet në situatën kur përfundon afati gjashtëmujor, ndërsa presidenti i ri nuk është zgjedhur, atëherë kemi një paqartësi serioze”, thotë ai.

Në kërkim të një marrëveshjeje për presidentin, LVV-ja nuk ka propozuar kandidatin e saj për kryetar të ri të Kuvendit, duke lënë pezull konstituimin e legjislaturës së 11-të, që do t’i hapte rrugë edhe formimit të qeverisë së re.

Mungesa eventuale e një presidenti të zgjedhur pas 4 tetorit, sipas Cakollit, do të pamundësonte shumë procedura që duhet të ndiqen.

Përveç se vendi do të mbetej pa komandant suprem të ushtrisë, e pa organin që balancon pushtetet, Cakolli thotë se “nuk do të kishim instancë as për ta dekretuar mandatarin e ri për pozitën e kryeministrit, e aq më pak që të merren veprime që kanë të bëjë me, ta zëmë, çështjen e shpalljes së zgjedhjeve eventuale e të tjera”.

Ndërkohë, në debat është ngritur edhe çështja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, i cili nis vetëm pas konstituimit të Kuvendit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha për mediat se brenda kësaj periudhe partitë duhet "të gjejnë kandidatin që është i pranueshëm për të gjitha palët".

Cakolli thotë se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit e ka krijuar një problem të dyfishtë me afatet kushtetuese: "Sa më shumë vonohet konstituimi, aq më shumë ky afat [60-ditor] shtyhet përtej 4 tetorit, kur përfundon afati gjashtëmujor i ushtruesit të detyrës së presidentit”.

Sipas tij, vonesa ia shkurton Kuvendit kohën që e ka në dispozicion për ta zgjidhur çështjen e presidentit para përfundimit të periudhës gjashtëmujore gjatë së cilës në vend të presidentit të zgjedhur mund të ketë ushtrues detyre.

“Nëse presidenti nuk zgjidhet dhe konsumohet edhe afati 60-ditor, krijohet një problem edhe më serioz sa i përket ushtrimit të kompetencës për caktimin potencial të zgjedhjeve, nëse ndërkohë ka përfunduar edhe afati kushtetues i ushtruesit të detyrës së presidentit", thotë Cakolli.

"Ky është rreziku që është krijuar nga vonesa. Kemi dy afate kushtetuese që tashmë nuk ecin më paralelisht dhe, në skenarin e dështimit të zgjedhjes së presidentit, mund ta çojnë vendin në një situatë për të cilën Kushtetuta nuk ofron një zgjidhje”, paralajmëron ai.

Kolshi, ndërkaq, thotë se "afati maksimal gjashtëmujor për ushtrimin e detyrës së presidentit është afat i veçantë, dhe nuk lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit".

"Pra, fillimi eventual i afatit 60-ditor nuk e zgjat dhe as nuk e pezullon afatin gjashtëmujor të ushtruesit të detyrës së presidentit”, thekson ai.

Cila do të ishte zgjidhja?

Sipas IKD-së dhe KDI-së zgjidhja për gjithë këtë situatë është që çështja të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Cakolli thotë se së paku dhjetë deputetë të Kuvendit të Kosovës, me kalimin e 4 tetorit, do të duhej të kërkonin nga Kushtetuesja që, së pari, të vendoste masë të përkohshme, dhe, së dyti, të konstatonte se cili është efekti juridik i prodhuar nga dështimi i Kuvendit për të zgjedhur presidentin para skadimit të afatit gjashtëmujor të ushtrimit të detyrës.

“Pastaj i mbetet Gjykatës që, qoftë bazuar në dokumentet përgatitore të Kushtetutës, apo edhe në bazë të opinioneve që mund të marrë nga vendet e tjera, të përcaktojë se çfarë ndodh tutje: a vijon kryetari i Kuvendit, apo ka ndonjë instancë tjetër që do ta marrë atë pozitë”, thotë ai.

Përcaktimi i pasojave kushtetuese dhe i mënyrës së funksionimit të institucioneve në një situatë të tillë, edhe sipas Kolshit, do të duhej të ishte çështja kyç që do të definohej nga Gjykata Kushtetuese.

“Prandaj, zgjidhja duhet të kërkohet, para së gjithash, brenda afateve ekzistuese kushtetuese, përmes zgjedhjes së presidentit të ri. Lejimi që këto afate të kalojnë, pa zgjedhjen e presidentit, do ta fuste Kosovën në një territor kushtetues të paparashikuar, ku vazhdimi i ushtrimit të detyrës, përtej kufirit gjashtëmujor, nuk mund të justifikohet pa një bazë të qartë kushtetuese”.

Sipas Rrustemit të LVV-së, zgjidhja është zgjedhja e presidentit të ri, për të cilin, thotë ai, duhet të ketë dialog e marrëveshje politike.

Lidhur me mandatin e ushtrueses së detyrës së presidentit dhe veprimet që duhet të ndiqen në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri deri më 4 tetor, Radio Evropa e Lirë pyeti edhe në Zyrën e Presidentit, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

Zgjedhja bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, apo me 80 vota nga 120 deputetët sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës.

Procesi i zgjedhjes së presidentit mund të organizohet deri në tri votime. Nëse as në rundin e tretë – kur kërkohen 61 vota nga të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë – asnjëri nga kandidatët nuk i merr votat e nevojshme, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Mourinho këshillohet të marrë shembull nga PSG-ja për të ringjallur Real Madridin

18 August 2026 at 23:15


Ish-mesfushori i Real Madridit, Alvaro Benito, ka dhënë një këshillë të qartë për Jose Mourinhon, duke e nxitur trajnerin portugez të studiojë modelin e Paris Saint-Germainit nëse dëshiron ta rikthejë skuadrën madrilene në nivelet më të larta.

Benito vlerësoi qasjen taktike moderne të PSG-së, duke theksuar se skuadra franceze ka rrëzuar disa prej parimeve tradicionale të futbollit.

“Shikoni PSG-në, ata kanë thyer të gjitha mitet e futbollit. Kanë hedhur poshtë idenë se një skuadër domosdoshmërisht ka nevojë për një mesfushor defensiv”, deklaroi ai.

Sipas Benitos, skuadra parisiene është ndërtuar mbi intensitetin, lëvizjen dhe fleksibilitetin e lojtarëve, duke përmendur emra si Fabian Ruiz, Khvicha Kvaratskhelia, Desire Doue dhe Ousmane Dembele, si dhe mbrojtësit e krahut që vazhdimisht marrin pjesë në fazën ofensive.

“Ata kanë lojtarë të rinj portugezë, Fabianin, Kvaratskhelian, Douen, Dembelen dhe dy mbrojtës krahu që janë jashtëzakonisht të disiplinuar në mbrojtje, por vazhdimisht shtyhen përpara. Ajo skuadër është një makineri si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. E rrëzon çdo ide të paracaktuar se si duhet të luajë një ekip. Të gjithë duhet të kontribuojnë”, u shpreh Benito.

Ish-lojtari i Real Madridit theksoi se madrilenët duhet të kenë një strukturë shumë më të qartë në fushë, në mënyrë që çdo futbollist të dijë saktësisht rolin dhe përgjegjësitë e tij.

“Secili duhet të ketë një dinamikë të qartë dhe të dijë kush është përgjegjës për zgjerimin e lojës, kush duhet të kërkojë pasimet në thellësi dhe si duhet të qarkullojë topi shpejt e me efikasitet. Ekipi duhet të jetë i pozicionuar mirë gjatë ndërtimit të aksioneve. Nuk mund të jetë thjesht ‘hajde ta qarkullojmë topin dhe të shohim kush do të bëjë diçka me talentin e tij’. Me këtë qasje nuk mund të konkurrosh me skuadrat më të mira”, paralajmëroi ai.

Benito kritikoi gjithashtu varësinë e Real Madridit nga individualiteti i lojtarëve dhe kërkoi një sistem të qëndrueshëm, si në fazën e sulmit, ashtu edhe në atë të mbrojtjes.

“Nëse për tre vite radhazi pengohesh në të njëjtin gur, nëse pas javës së 10-të sheh një ekip që nuk punon pa top, me një dozë anarkie, pa një plan të qartë në ndërtimin e aksioneve dhe pa një plan defensiv për organizimin e presingut, atëherë gjithçka ka marrë fund. Nëse vazhdon në të njëjtën rrugë si në dy sezonet e fundit, është shumë e vështirë”, shtoi ai.

Në fund, Benito e cilësoi si detyrën kryesore të Mourinhos bindjen e futbollistëve për rëndësinë e disiplinës taktike dhe intensitetit në futbollin modern.

“Kjo është puna e madhe e Mourinhos, t’i bindë të gjithë se çfarë kërkohet për të qenë konkurrues në ditët e sotme. Real Madridi ka një skuadër që mund të luftojë për çdo trofe këtë sezon, nëse lojtarët përmbushin kërkesat që Mourinho do t’u vendosë”, përfundoi Benito. /Telegrafi/

Vedat Muriqi zhvillon 82 minuta, Fenerbahce luan baras me Lyonin

18 August 2026 at 22:55


Fenerbahce nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim në shtëpi ndaj Lyon, në kuadër të ndeshjes së parë të play-offit për Ligën e Kampionëve.

Gjiganti turk u ndal në një barazim 1:1, në sfidën që rezultoi të jetë mjaft e baraspeshuar.

Vedat Muriqi provoi të shënonte pas vetëm gjashtë minutave lojë por që goditja e tij fatkeqësisht shkoi larg portës.

Ishte Lyoni që arriti të zhbllokojë epërsinë falë Lois Openda, i cili realizoi me kokë pas harkimit të Tolissos (40’).

Megjithatë, Feneri e nisi fuqishëm pjesën e dytë për të barazuar rezultatin përmes Mason Greenwood, i cili dribloi dhe me një goditje të fortë e la portierin mysafir të shtangur (47’).

Feneri kishte mundësi për ta përmbysur epërsinë megjithatë Dorgeles Nene nuk a doli të shënonte nga afërsia (80’).

Kësisoj, gjithçka mbetet e hapur për përballjen kthyese që zhvillohet në Francë javën tjetër./Telegrafi/

Një frazë që shumë njerëz e thonë shpesh mund të krijojë probleme në një marrëdhënie

18 August 2026 at 22:47


"Çfarë do të hamë për drekë?" Pyetja duket e padëmshme, por nëse shpesh merrni një përgjigje indiferente për të, kjo mund të shkaktojë probleme në marrëdhënie. Është një shprehje e njohur: "Nuk më intereson".

Edhe pse mund të duket e relaksuar dhe një shenjë se personi nuk ka kërkesa të veçanta, një përgjigje e tillë shpesh e zhvendos të gjithë barrën e vendimit mbi partnerin, pa asnjë sugjerim apo pjesëmarrje në bisedë.

Kur "Nuk më intereson" bëhet problem

Terapistja e çifteve dhe këshilltarja martesore Ness Cooper shpjegon se ndonjëherë kjo përgjigje mund të jetë më shumë sesa thjesht pavendosmëri. Në disa raste, është një model sjelljeje ku një person shmang marrjen e përgjegjësisë, duke e lënë personin tjetër të marrë vazhdimisht vendime.

Një dinamikë e tillë mund të jetë problematike sepse me kalimin e kohës njëri partner mund të ndihet sikur po e drejton të gjithë marrëdhënien i vetëm.

"Ka çifte për të cilët kjo mund të funksionojë, ndërsa për të tjerët shkakton tension. Një partner që nuk e di se çfarë dëshiron mund të jetë përpjekur të arrijë intimitet më herët në marrëdhënie, por këto përpjekje janë injoruar", shpjegon Cooper.

Ajo paralajmëron se çiftet ndonjëherë mund të bien në një marrëdhënie "prind-fëmijë", në të cilën njëri person merr shumicën e vendimeve, ndërsa tjetri bëhet pasiv.

“Çdo marrëdhënie mund të bjerë në një dinamikë të tillë herë pas here, por problemi lind kur kjo bëhet rregull. Pastaj partnerët mund të tërhiqen, të frustrohen dhe madje të fillojnë të kenë inat me njëri-tjetrin”, thotë ai.

Nuk është gjithmonë një shenjë e mungesës së interesit

Megjithatë, jo çdo përgjigje "Nuk më intereson" është shenjë e një problemi. Disa njerëz nuk kanë mendime të forta për vendimet e vogla të përditshme ose thjesht duan t'ia lënë zgjedhjen partnerit të tyre.

Arsyet për këtë sjellje mund të ndryshojnë. Për disa njerëz, është një zakon që e kanë zhvilluar gjatë rritjes, veçanërisht nëse nuk janë inkurajuar të shprehin dëshirat dhe mendimet e tyre. Për të tjerët, mund të jetë një shmangie konflikti dhe frikë se zgjedhjet e tyre do të shkaktojnë pakënaqësi.

"Ndoshta ka të bëjë edhe me shmangien e konfliktit. Kultura dhe televizioni shpesh e portretizojnë konfliktin në një marrëdhënie si diçka negative, edhe pse është një pjesë e natyrshme e një marrëdhënieje dhe mund t'i ndihmojë partnerët ta kuptojnë më mirë njëri-tjetrin", shpjegon Cooper.

Problemi lind kur pavendosmëria e vazhdueshme e bën një person të ndihet i parëndësishëm ose sikur nevojat e tij nuk kanë rëndësi.

Si të përgjigjesh nëse nuk të intereson vërtet?

Nëse nuk ju intereson vërtet se ku hani ose çfarë filmi shikoni, ka një mënyrë për ta thënë këtë dhe prapëseprapë t'i jepni partnerit tuaj hapësirë për të folur.

Terapistja e marrëdhënieve, Annabelle Knight, beson se është më e dobishme të ofrosh të paktën disa udhëzime sesa ta mbyllësh plotësisht bisedën.

"Të kesh një mendim, edhe nëse nuk është përgjigjja përfundimtare, zakonisht është një mënyrë më e dobishme dhe e shëndetshme për të marrë një vendim", thotë ai.

Në vend të një "Nuk më intereson" të thjeshtë, mund të thuash diçka si: "Jam i hapur për çdo gjë, por ndoshta do të preferoja diçka të relaksuar" ose "Jam dakord me çdo gjë, zgjedh ti, unë i besoj zgjedhjes tënde".

Një përgjigje e tillë i jep partnerit tuaj diçka mbi të cilën të ndërtojë bisedën, në vend që të duhet ta marrë vetë të gjithë vendimin.

Megjithatë, është krejtësisht normale të dëshirosh që dikush tjetër të marrë vendime, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të vogla dhe të përditshme. Çelësi është ta komunikosh këtë qartë dhe të mos ia lësh një personi përgjegjës për të gjitha zgjedhjet në marrëdhënie.

Barcelona vendos çmim të lartë për talentin e ekipit, largimi i tij komplikohet

18 August 2026 at 22:40


E ardhmja e Hector Fort te Barcelona mbetet e paqartë, ndërsa largimi i mbrojtësit të talentuar nga klubi katalanas po has në vështirësi për shkak të kërkesave financiare.

Sipas raportimeve të Mundo Deportivo, Real Sociedad ka shfaqur interesim konkret për 20-vjeçarin, pasi po kërkon përforcime në repartin defensiv.

Klubi bask e sheh Fortin si një opsion të përshtatshëm për të ardhmen dhe ka kontaktuar Barcelonën për të mësuar kushtet e një transferimi.

Megjithatë, kërkesat e Barcelonës kanë bërë që negociatat të mos avancojnë. Katalanasit kërkojnë 10 deri në 15 milionë euro për ta lënë Fortin të largohet në mënyrë të përhershme, një shumë që konsiderohet e lartë nga Real Sociedad.

Skuadra baske do të preferonte një marrëveshje huazimi, duke u bazuar edhe në përvojën e fundit të Fortit te Elche, ku ai luajti në formë huazimi. Barcelona, megjithatë, nuk do të ishte e gatshme ta lejonte një tjetër huazim pa mbrojtur interesat e saj financiare.

Në rast të një huazimi, klubi katalanas kërkon që marrëveshja të përfshijë një klauzolë të detyrueshme blerjeje, me një vlerë të konsiderueshme, në mënyrë që largimi i Fortit të mund të shndërrohet në një transferim të përhershëm.

Situata komplikohet edhe më shumë nga fakti se klubet e tjera të La Ligës që kanë shfaqur interes për mbrojtësin përballen me probleme të ngjashme financiare.

Për këtë arsye, një transferim brenda Spanjës po bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Nëse Barcelona nuk zbut kërkesat e saj, Hector Fort mund të përfundojë duke vazhduar karrierën jashtë La Ligës, me klubet e huaja që pritet të jenë alternativa më konkrete për mbrojtësin gjatë kësaj vere. /Telegrafi/

Angela Martini zbulon një fakt interesant rreth vetes: Për gjashtë vite intensivisht kam studiuar kulturën hebraike

18 August 2026 at 22:33


Modelja shqiptare Angela Martini ka ndarë me ndjekësit e saj një detaj interesant nga jeta personale, duke zbuluar se prej vitesh është e interesuar për kabalën.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Martini tregoi se e zbuloi këtë disiplinë në vitin 2012 dhe se për gjashtë vjet iu përkushtua studimit të saj në mënyrë intensive.

“E zbulova kabalën në vitin 2012 dhe e studiova intensivisht për gjashtë vjet – ndonjëherë për 24 orë rresht. Dhe është ende pjesë e jetës sime sot”, shkroi ajo.

Kabalaja, një traditë mistike hebraike, lidhet me përpjekjet për të eksploruar natyrën e fshehtë të Zotit, universit dhe ekzistencës njerëzore.

Martini ka treguar kështu se, përtej angazhimeve të saj në modë dhe jetës publike, prej vitesh i është kushtuar edhe një dimensioni më shpirtëror dhe filozofik.

Rrëfimi i saj ka ngjallur interes te ndjekësit, veçanërisht për faktin se ajo ka zgjedhur të ndajë publikisht një pjesë të kësaj eksperience personale, të cilën e ka ruajtur si pjesë të rëndësishme të jetës së saj. /Telegrafi/

Shtatë ilaçe që nuk duhet t’i përzieni me alkoolin, sipas mjekëve

18 August 2026 at 22:30


Nëse ju pëlqen të pini herë pas here një gotë verë ose një koktej, por njëkohësisht merrni medikamente të caktuara, mund të keni pyetur veten nëse duhet t’i kombinoni ato. Kur bëhet fjalë për konsumimin e alkoolit, ka shumë paralajmërime dhe këshilla për mënyrën se si duhet konsumuar me përgjegjësi. Një nga paralajmërimet më të zakonshme është të mos përzieni alkoolin me medikamente.

Por çfarë do të thotë saktësisht kjo? A do të thotë se nuk duhet të merrni një ilaç dhe të pini një pije alkoolike në të njëjtën kohë? Apo do të thotë se nuk duhet të konsumoni alkool nëse merrni rregullisht medikamente? Dhe cilat medikamente mund të ndikohen negativisht nga alkooli?

Ka shumë pyetje rreth këtij paralajmërimi, ndaj mjekët shpjegojnë çfarë duhet të dini për mënyrën se si alkooli mund të ndikojë te medikamentet që merrni, shkruan EatingWell.

“Alkooli dhe medikamentet mund të ndërveprojnë në mënyra të ndryshme, në varësi të llojit të ilaçit dhe fiziologjisë së individit”, thotë Thomas Pontinen, M.D. “Shumë medikamente mund të bëhen më pak efektive kur kombinohen me alkool, gjë që mund të jetë shqetësuese për njerëzit që kanë nevojë që ilaçet e tyre të funksionojnë siç duhet. Kjo ndodh sepse alkooli mund të ndikojë në mënyrën se si trupi e përthith medikamentin”.

Ja çfarë duhet të dini për medikamentet që nuk kombinohen mirë me alkoolin dhe çfarë mund të ndodhë me trupin tuaj, si dhe me efektivitetin e ilaçit, kur konsumoni alkool gjatë marrjes së tyre.

Qetësuesit e dhimbjeve

“Kur alkooli kombinohet me medikamente si acetaminofeni (Tylenol) dhe anti-inflamatorët josteroidë (NSAID), si aspirina ose ibuprofeni, mund të shkaktojë dëmtim të mëlçisë dhe gjakderdhje gastrointestinale”, thotë farmacistja Katy Dubinsky, Pharm.D.

Pontinen thekson gjithashtu se alkooli dhe shumë medikamente metabolizohen nga mëlçia. Për këtë arsye, kombinimi i tyre mund t’i shkaktojë stres të madh këtij organi të rëndësishëm dhe të përkeqësojë probleme të tjera, si sëmundjet e mëlçisë.

Antidepresantët

Sipas Laura Purdy, M.D., antidepresantët mund të jenë më pak efektivë kur kombinohen me alkool dhe, në disa raste, kombinimi mund t’i përkeqësojë simptomat. Këtu përfshihen inhibitorët selektivë të rimarrjes së serotoninës (SSRI) dhe inhibitorët e rimarrjes së serotoninës dhe norepinefrinës (SNRI).

Dubinsky shpjegon se kombinimi i të dyjave mund t’ju bëjë gjithashtu më të përgjumur dhe të ndikojë në koordinimin e lëvizjeve. Alkooli mund të rrisë përgjumjen dhe marramendjen dhe, në disa raste, të ulë efektivitetin e trajtimit.

Antibiotikët

“Marrja e disa antibiotikëve së bashku me alkoolin mund të shkaktojë efekte anësore serioze, si dhimbje koke, skuqje të fytyrës dhe të përziera”, thotë Dubinsky. Shembuj të tillë janë metronidazoli dhe tinidazoli.

Në veçanti, alkooli mund të shkaktojë dehidratim të organizmit duke penguar çlirimin e vazopresinës.

Meqenëse marrja e mjaftueshme e lëngjeve është e rëndësishme për të luftuar një infeksion, konsumimi i alkoolit nuk këshillohet, pasi mund t’i përkeqësojë simptomat dhe të zgjasë kohën e rikuperimit.

Antipsikotikët

“Alkooli mund të intensifikojë efektet qetësuese të barnave antipsikotike, duke shkaktuar dëmtim të aftësive mendore dhe fizike”, shpjegon Dubinsky.

Disa nga pasojat e mundshme të kombinimit të tyre janë vështirësia në frymëmarrje, presioni i ulët i gjakut, të fikëtit dhe, në raste të rënda, krizat konvulsive ose koma

Ilaçet kundër ankthit dhe qetësuesit

Kombinimi i alkoolit me barna si benzodiazepinat, përfshirë Xanax dhe Valium, si dhe me ilaçe për gjumë, si Ambien, mund të shkaktojë përgjumje të theksuar, vështirësi në frymëmarrje dhe qetësim të rrezikshëm për jetën, sipas Dubinsky.

“Ilaçet kundër ankthit dhe alkooli mund të shkaktojnë sjellje të pazakonta, humbje të kujtesës dhe probleme me kontrollin e lëvizjeve. Ashtu si me ilaçet për gjumë, mund të shfaqen edhe vështirësi në frymëmarrjen normale”, thotë Purdy.

Ilaçet për diabetin

Ndërveprimi i alkoolit me disa medikamente mund t’i vendosë personat me diabet në rrezik për nivele shumë të ulëta ose shumë të larta të sheqerit në gjak, në varësi të pijes së konsumuar dhe ilaçit të përdorur.

Për më tepër, disa pije alkoolike, si birra dhe koktejet e ëmbla, përmbajnë shumë karbohidrate, të cilat mund të ndikojnë negativisht në nivelin e sheqerit në gjak.

Simptomat e sheqerit të ulët në gjak mund të përfshijnë shikim të dyfishtë ose të turbullt, djersitje, ndjesi shpimi gjilpërash dhe mpirje, lodhje ose vështirësi në gjumë, rrahje të shpejta ose të forta të zemrës, dridhje, vështirësi në të menduar dhe simptoma të tjera.

Ndërsa simptomat e sheqerit të lartë në gjak përfshijnë etje, lodhje ose dobësi, dhimbje koke, urinim të shpeshtë dhe shikim të turbullt.

Dubinsky thotë se kjo mund të ndodhë me ilaçe për diabetin, si insulina ose sulfonilureat.

Holluesit e gjakut

Holluesit e gjakut, të njohur gjithashtu si antikoagulantë ose barna antiplaketare, ndihmojnë në parandalimin e mpiksjes së gjakut. Këto medikamente përdoren nga persona me sëmundje të caktuara të zemrës, defekte të lindura të zemrës ose nga njerëz që po përgatiten për një ndërhyrje kirurgjikale.

“Konsumimi i alkoolit mund të ndërhyjë në mënyrën se si funksionojnë varfarina dhe holluesit e tjerë të gjakut, duke rritur rrezikun e mpiksjes ose të gjakderdhjes”, thotë Dubinsky.

Pasoja të tjera

Edhe pse këto medikamente janë veçanërisht të rëndësishme për t’u pasur parasysh përpara konsumimit të alkoolit, Purdy paralajmëron se mund të ketë edhe probleme të tjera shëndetësore që mund të shkaktojnë efekte anësore të padëshiruara, madje edhe kërcënuese për jetën, kur kombinohen me alkool.

“Në disa situata, pasojat mund të jenë fatale dhe mund të ekzistojë edhe rreziku i mbidozimit”, paralajmëron Purdy. “Nëse keni probleme shëndetësore për të cilat merrni medikamente, ose edhe nëse keni një problem shëndetësor për të cilin nuk jeni në dijeni, mund të shfaqen efekte anësore shtesë dhe simptoma të reja që mund të jenë kërcënuese për jetën.”

Për më tepër, alkooli mund ta bëjë një ilaç më pak efektiv ose edhe joefektiv dhe, në disa raste, mund të ndërveprojë në mënyrë të rrezikshme me përbërës të caktuar të medikamenteve.

Si të qëndroni të sigurt?

Pavarësisht nëse medikamenti është me recetë, pa recetë apo i një lloji tjetër, Pontinen thotë se është e rëndësishme të flisni me mjekun ose farmacistin për efektet anësore përpara se të konsumoni alkool.

“Mund të shfaqen një sërë efektesh anësore dhe simptomash, përfshirë ndryshime të presionit të gjakut, të fikët, ndryshime në sjellje, madje edhe të përziera, të vjella, marramendje dhe dhimbje koke”, thotë Purdy.

“Kur bëhet fjalë për drejtimin e automjetit ose përdorimin e makinerive të rënda, ekzistojnë shqetësime të tjera, pasi mungesa e koordinimit dhe ndryshimet në humor, emocione dhe sjellje mund të përbëjnë gjithashtu problem. Efektet mund të jenë më të forta nga sa jeni mësuar dhe mund të ndiheni më të dëmtuar nga një pije e vetme sesa do ta prisnit.”

“Kombinimi i medikamenteve me alkoolin mund të jetë i rrezikshëm, madje edhe kërcënues për jetën. Prandaj, mos ndërmerrni rreziqe të panevojshme dhe shmangni alkoolin gjatë marrjes së medikamenteve, përveçse nëse jeni të sigurt se është i sigurt për ju”, thotë ai. “Personat që përjetojnë efekte të forta qetësuese duhet të monitorohen për t’u siguruar që të mos rrezikojnë dëmtime ose mbytje.”

Po nëse keni konsumuar alkool ndërkohë që merrni ilaçe?

Nëse konsumoni alkool ndërkohë që jeni duke marrë medikamente, Pontinen thotë se është e rëndësishme të qëndroni pranë një personi të besuar, veçanërisht nëse ekziston rreziku që të humbni ndjenjat.

“Nëse pas kombinimit të medikamenteve me alkoolin filloni të përjetoni simptoma të rënda, si dhimbje koke, dhimbje gastrointestinale, të përziera, marramendje ose përgjumje, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe qëndroni me një person të afërt, i cili është i gatshëm t’ju ndihmojë derisa të mbërrijë ndihma mjekësore.”

Në fund të fundit, trupi mund të reagojë krejt ndryshe kur konsumohen njëkohësisht alkooli dhe medikamentet, krahasuar me rastin kur merrni vetëm medikamentet.

Shënim: Jo çdo ilaç ndërvepron me alkoolin në të njëjtën mënyrë dhe rreziku varet nga medikamenti, doza, sasia e alkoolit dhe gjendja shëndetësore. Edhe nëse alkooli dhe ilaçi nuk merren në të njëjtën kohë, ndërveprimi mund të jetë i mundur.

Blleki vjen me “Senzacion”

18 August 2026 at 22:14


"Senzacion" quhet kënga më e re ardhut dhe me një videoklip zyrtar nga reperi i njohur shqiptar BLLEKI.

Vetëm pak kohë pas publikimit, kënga ka filluar të tërheqë vëmendjen e publikut.

Sipas të dhënave të shfaqura në YouTube, “SENZACION” ka kaluar 124 mijë shikime, duke grumbulluar gjithashtu mbi 1 mijë pëlqime.

Projekti sjell BLLEKI-n me stilin dhe energjinë e tij karakteristike, ndërsa videoklipi mjaft tërheqës skena të nxehta i jep këngës një atmosferë verore dhe dinamike.

- YouTube youtu.be

“SENZACION” është publikuar më 16 gusht 2026 dhe pritet të vazhdojë të rrisë shikueshmërinë në ditët në vazhdim për tu kthyer në një hit.

Vetë kënga është prodhuar nga Blleki si producent me beatin dhe tesktin, realizuar nē studion e Flow Music dhe me mix-master po nga kjo studio dhe video punuar nga Avenor Films. Ky projekt muzikor vjen pas suoer suksesit që ai pati me këngën "Paranormal". /Telegrafi/

Roberto Carlos raportohet se u konvertua në Islam

18 August 2026 at 22:10


Roberto Carlos raportohet se është konvertuar në Islam rreth katër javë më parë në Brazil, sipas deklaratave të një deputeti turk, i cili ka cituar një prej figurave të njohura të komunitetit mysliman në këtë shtet.

Lajmin e ka bërë publik Ali Sahin, deputet i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në Turqi, pas një takimi me përfaqësues të komunitetit mysliman në Sao Paulo.

Sipas Sahin, ai ka mësuar për konvertimin e pretenduar të Roberto Carlosit nga Sheikh Jihad Hammadeh, një figurë e njohur e komunitetit mysliman në Brazil dhe nënkryetar e këshilltar fetar i Shoqatës Kombëtare të Juristëve Islamikë (ANAJI).

Hammadeh i ka thënë deputetit turk se kishte qenë në kontakt me Roberto Carlosin prej një kohe dhe se ish-futbollisti e kishte vizituar rreth katër javë më parë. Sipas tij, gjatë kësaj vizite Carlos kishte shqiptuar shehadetin, deklaratën islame të besimit, dhe ishte konvertuar në Islam.

Sahin e ka bërë të ditur këtë pretendim përmes një postimi në rrjetet sociale, pas takimit me Hammadeh dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit mysliman brazilian në Sao Paulo.

Brezilya’da İslam Toplumları Temsilcileri İle Bir Araya Geldik

Efsane Futbolcu Roberto CARLOS Müslüman Oldu…

Brezilya’nın São Paulo şehrinde yaşayan ve İslam coğrafyasının en etkili 500 isminden biri olarak gösterilen Sheikh Jihad Hammadeh ile Brezilya İslami Hayırsever… pic.twitter.com/usYFJXdpgZ
— Ali ŞAHİN (@AliSahin501) August 17, 2026

Deputeti turk e ka përgëzuar Roberto Carlosin për konvertimin e pretenduar, duke i uruar atij dhe familjes së tij paqe, shëndet dhe prosperitet.

Në takim morën pjesë edhe disa përfaqësues të organizatave myslimane në Brazil, përfshirë presidentin e Islamic Charitable Youth League, Charif Neto, presidentin e Pari Mosque Foundation, Omar Aref, si dhe përfaqësues të ANAJI-t dhe organizatave të tjera fetare e humanitare.

Roberto Carlos, 53-vjeçar, konsiderohet një prej mbrojtësve të majtë më të mëdhenj në historinë e futbollit. Braziliani e kaloi pjesën më të madhe të karrierës te Real Madridi, me të cilin fitoi trofe të shumtë, përpara se në vitin 2007 të transferohej te Fenerbahce.

Së fundmi, ish-futbollisti brazilian është martuar gjithashtu me Suhayla At Tohiri, një agjente futbolli me origjinë marokene që jeton dhe punon në Spanjë.

Megjithatë, Roberto Carlos vetë nuk e ka konfirmuar publikisht deri më tani konvertimin e pretenduar në Islam. Taamaattumik, lajmi mbetet i bazuar në deklaratat e përfaqësuesve të komunitetit mysliman dhe deputetit turk./Telegrafi/

Nata Çame gjallëron Lungomaren e Vlorës, me këngë dhe valle tradicionale para turistëve

18 August 2026 at 22:02


Këngët, vallet dhe traditat e kulturës çame kanë gjallëruar mbrëmjen e djeshme Lungomaren e Vlorës, ku u zhvillua aktiviteti kulturor “Nata Çame”.

Ansamble dhe këngëtarë çamë performuan në skenë para qytetarëve dhe pushuesve, duke krijuar një atmosferë festive në një prej zonave më të frekuentuara të qytetit gjatë sezonit veror.

Përmes muzikës dhe valleve tradicionale, aktiviteti solli në vëmendje elemente të historisë, kulturës dhe trashëgimisë së Çamërisë.

“Nata Çame” u zhvillua në kuadër të aktiviteteve verore në Vlorë dhe tërhoqi një numër të madh pushuesish, të cilët u ndalën në Lungomare për të ndjekur performancat artistike.

Mbrëmja ndërthuri traditën dhe folklorin me atmosferën turistike të qytetit, duke e kthyer Lungomaren në një hapësirë feste dhe promovimi të kulturës shqiptare.

Gjiganti i Ligës Premier rikthen në skenë interesimin për Victor Osimhen

18 August 2026 at 21:54


Në javët e fundit të afatit kalimtar veror, emri i Victor Osimhen po rikthehet fuqishëm në qendër të vëmendjes. Manchester United ka riaktivizuar interesimin për sulmuesin nigerian, i cili aktualisht është pjesë e Galatasarayt.

Djajtë e Kuq kanë bërë përforcime të rëndësishme në mesfushë, por një nga objektivat kryesorë që mbetet në “Old Trafford” është afrimi i një sulmuesi të ri.

Për këtë arsye, drejtuesit e klubit anglez po e monitorojnë nga afër situatën e Osimhenit, i cili mund të jetë një nga goditjet e mëdha të tyre në fund të afatit kalimtar.

Sipas raportimeve, Manchester United po e intensifikon interesimin për 27-vjeçarin, i cili ka lënë gjurmë në futbollin turk.

Osimhen realizoi 22 gola në 32 paraqitje për Galatasarayn sezonin e kaluar.

Pavarësisht se është përshtatur mirë në Stamboll gjatë dy viteve të fundit, sulmuesi nigerian do ta mirëpriste një rikthim në Ligën Premier.

Ai vazhdon të jetë gjithashtu në radarët e Arsenalit, që po shqyrton alternativat për repartin ofensiv.

Manchester United, ndërkohë, e sheh Osimhenin si një profil që përputhet me nevojat e skuadrës dhe një sulmues që mund t'i japë më shumë forcë dhe efikasitet fazës ofensive. /Telegrafi/

Rrobat e bardha do të shkëlqejnë sërish, mjaftojnë vetëm tre përbërës

18 August 2026 at 21:52


Rrobat e bardha mund të jenë një zgjedhje perfekte për veshjet e verës, por mbajtja e tyre në gjendje të mirë mund të jetë e vështirë.

Ato mund të njollosen lehtësisht nga derdhjet, papastërtitë dhe spërkatjet, ose me kalimin e kohës mund të humbasin shkëlqimin dhe të duken të zbehta. Megjithatë, ekziston një zgjidhje e thjeshtë që mund ta përgatisni në shtëpi për t’u rikthyer bardhësinë.

Ekspertja e pastrimit dhe krijuesja e përmbajtjes në TikTok, Chantel Mila, e njohur në platformë si Mama Mila, ka zbuluar tre produkte shtëpiake që mund t’i bëjnë sërish të bardha rrobat që janë zbehur.

Në një video të publikuar së fundmi, Chantel tregoi se ju nevojiten vetëm sodë buke, detergjent për larjen e enëve dhe peroksid hidrogjeni për t’u rikthyer rrobave të bardha shkëlqimin.

Në përshkrimin e videos, Chantel shkroi: “Thuajini lamtumirë rrobave të bardha të zbehura.

“Kjo metodë funksionon shumë mirë për të zbardhur dhe ndriçuar rrobat e bardha me njolla, çarçafët, çorapet dhe peshqirët, duke i bërë të duken sërish si të rinj”.

Si t’ua riktheni bardhësinë rrobave

Fillimisht, mbushni një enë të madhe ose një kovë me ujë të ngrohtë dhe vendosni rrobat e bardha brenda. Më pas, shtoni gjysmë filxhani peroksid hidrogjeni në ujin e ngrohtë. Kjo do të ndihmojë në zbardhjen dhe dezinfektimin e rrobave.

Pas kësaj, shtoni një filxhan sodë buke në përzierje. Soda e bukës ndihmon në ndriçimin e pëlhurave të bardha dhe neutralizimin e aromave të pakëndshme.

Në fund, Chantel shton një lugë gjelle detergjent për larjen e enëve. Ai ndihmon në trajtimin e njollave me bazë yndyre që mund të jenë ngjitur në pëlhurë.

Lërini rrobat të zhyten në këtë përzierje për një deri në dy orë.

Pasi të ketë përfunduar njomja, vendosini rrobat e bardha në lavatriçe dhe lajini në një cikël normal. Chantel tha se rrobat “zbardhen dhe ndriçohen dukshëm”.

Pse funksionon kjo përzierje?

Soda e bukës mund të rrisë efektivitetin e detergjentëve, duke ndihmuar në ndriçimin e rrobave të bardha të zbehura. Ajo mund të përdoret gjithashtu për të larguar aromat e padëshiruara nga rrobat.

Peroksidi i hidrogjenit është një agjent natyral zbardhues, që do të thotë se ndihmon në ndriçimin e rrobave të bardha që janë zbehur ose kanë ndryshuar ngjyrë. Gjithashtu, ai mund të ndihmojë në dezinfektimin e rrobave.

Detergjenti për larjen e enëve ndihmon në trajtimin e njollave me bazë yndyre dhe në largimin e tyre nga fibrat e pëlhurës.

Nëse keni njolla më të vështira, mund të përgatisni gjithashtu një pastë me sodë buke dhe ujë të ngrohtë dhe ta aplikoni direkt mbi zonat e njollosura, si trajtim paraprak.

Si t’i parandaloni rrobat e bardha të zverdhen?

Për të parandaluar ndryshimin e ngjyrës së rrobave të bardha, ekspertët e Currys këshillojnë të kontrolloni sasinë e detergjentit dhe zbutësit të rrobave që përdorni gjatë larjes.

Ata këshillojnë gjithashtu të mos përdorni tharësen elektrike kur trajtoni rroba me njolla.

Currys shkruan: “Nëse keni rroba të bardha me njolla të verdha, mos i vendosni në tharëse. Gjithmonë thajini në ajër. Arsyeja është e thjeshtë: nxehtësia e tharëses do t’i fiksojë njollat edhe më shumë.”

Vrasja e turistit portugez në Ksamil, arrestohen 11 persona dhe shpallen në kërkim dy të tjerë

18 August 2026 at 21:48


Policia ka arrestuar 11 persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë në lidhje me vrasjen e turistit portugez në Ksamil, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 18 gushtit në ambientet e lokalit “Principote”.

Sipas Policisë, viktima, 20-vjeçari portugez L. V., dyshohet se u godit disa herë me thikë gjatë një konflikti mes disa personave. I dyshuari kryesor për vrasjen, 29-vjeçari S. L., alias S. V., u kap në Levan të Fierit, teksa ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që po udhëtonte drejt Tiranës.

Në automjet ndodheshin edhe dy shtetas turq, 31-vjeçarja E. P. dhe 38-vjeçari N. M., të cilët, sipas hetimeve, kishin njohje me të dyshuarin dhe e kishin fshehur në automjet për ta ndihmuar të largohej.

Në lidhje me ngjarjen, Policia ka arrestuar gjithashtu disa persona të tjerë, mes tyre kamarierë dhe punonjës të sigurisë së lokalit. Sipas hetimeve, disa prej tyre dyshohet se janë përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen, ndërsa të tjerë akuzohen se nuk kanë njoftuar autoritetet pas ngjarjes.

Policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona, D. H., 29 vjeç, dhe B. B., 36 vjeç. Sipas hetimeve, D. H. dyshohet se ka goditur me grushte viktimën gjatë konfliktit dhe akuzohet, së bashku me S. L., për “vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Në momentin e ngjarjes, në lokal ndodheshin edhe katër persona me detyra sigurie, për të cilët Policia thotë se nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit dhe më pas nuk kanë njoftuar autoritetet.

Në total, në Komisariatin e Policisë Sarandë u shoqëruan 41 persona gjatë veprimeve hetimore.

Materialet për 13 personat e përfshirë në hetim janë referuar në Prokurorinë e Sarandës. Për të dyshuarin kryesor dhe personin e shpallur në kërkim rëndon akuza për “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, ndërsa për personat e tjerë janë ngritur dyshime për “Përkrahje të autorit të krimit”, “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.

Isufi zbulon detaje nga nata e vrasjes së Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla: E di që i vrau UDB-ja

18 August 2026 at 21:42


Saime Isufi, veprimtare dhe bashkëshortja e heroit të kombit, Kadri Zeka, ka rrëfyer detaje nga nata kur ai u vra së bashku me veprimtarët Jusuf Gërvalla dhe Bardhosh Gërvalla në Gjermani.

Në një intervistë në “Debat Plus”, në kuadër të ciklit të intervistave dhe emisioneve ekskluzive “Dosjet”, Isufi ka treguar se atë natë po e priste Kadriun të kthehej në shtëpi, pasi të nesërmen duhej të shkonte në punë.

Sipas rrëfimit të saj, Kadri Zeka kishte dalë për t’i telefonuar dhe për ta njoftuar se nuk do të kthehej atë natë. Ai kishte planifikuar të dilte bashkë me Bardhosh Gërvallën, ndërsa më pas atyre iu ishte bashkuar edhe Jusuf Gërvalla.

“Kadriu gjithmonë ka punuar edhe në punë, edhe si veprimtar. Dhe prisja që do të kthehej. Ai kishte dalë që të më merrte në telefon se nuk do të kthehej atë natë”, ka rrëfyer Isufi.

Ajo tha se lajmin për vrasjen e kishte marrë përmes një telefonate nga Ibrahim Kelmendi, rreth orës 22:00. Fillimisht, sipas saj, Kelmendi e kishte pyetur nëse Kadriu ishte kthyer në shtëpi.

Pas telefonatës së dytë, Isufi kishte dyshuar se diçka kishte ndodhur.

“Jo, nuk ka ndodhur asgjë, nuk ka ndodhur asgjë, por nëse ke mundësinë të më japësh numrin e telefonit të tij a diçka”, i kishte thënë Kelmendi, sipas saj.

Isufi më pas kishte kontaktuar Hasan Malën, të cilin e kishte përshkruar si jashtëzakonisht të tronditur nga lajmi. Sipas saj, përmes telefonit ishte konfirmuar se Kadri Zeka kishte mbetur i vrarë, ndërsa në ato momente nuk dihej ende për fatin e dy vëllezërve Gërvalla.

Ajo tha se, pavarësisht tronditjes, e kishte kuptuar se bëhej fjalë për një sulm që lidhej me veprimtarinë e tyre.

“Shiko, i kuptova të gjitha, i mora vesh, nuk kemi çfarë të bëjmë, në luftë jemi, këto janë të pritura, kaq ka qenë”, rrëfeu Isufi.

“Këtë e ka bërë shërbimi sekret jugosllav”

Duke folur për autorësinë e vrasjes, Isufi tha se për të nuk ka dyshim se pas saj qëndronte shërbimi sekret jugosllav, UDB-ja.

“Këtë e ka bërë shërbimi sekret jugosllav, ajo është e ditur, UDB, askush tjetër”, deklaroi ajo.

Megjithatë, kur u pyet nëse mendon se në ekzekutim mund të ketë marrë pjesë ndonjë shqiptar, Isufi u tregua e rezervuar.

“Nuk mund të them përderisa nuk dihet. Nuk dua ta përlyej askënd, nuk e marr përsipër atë”, tha ajo, duke shtuar se nuk dëshiron të akuzojë askënd pa prova.

Sipas Isufit, ajo që ishte e qartë për të ishte se bashkimi i tre veprimtarëve kishte përbërë një kërcënim të madh për kundërshtarët e tyre.

“Unë e di që ata janë vrarë sepse u bashkuan, dhe kjo për armikun ishte tmerr. Bashkimi i tyre”, u shpreh ajo.

Paralajmërimi për Kadri Zekën

Isufi ka rrëfyer edhe për një paralajmërim që, sipas saj, i ishte bërë vëllait të madh të Kadri Zekës nga Selim Brosha, të cilin ajo e përshkroi si person me kompetenca të mëdha në UDB.

Sipas saj, vëllai i Kadriut ishte paralajmëruar që ta bindte atë të tërhiqej nga veprimtaria, përndryshe do të vritej.

“Thirre të tërhiqet nëse vjen këtu, nuk do t’i bëjmë gjë, përndryshe do ta vrasim nëse vazhdon kështu”, ka treguar Isufi.

Ajo tha se Kadri Zeka nuk i kishte dhënë asaj ndonjë sinjal të drejtpërdrejtë për ndonjë rrezik të afërt, pasi, sipas saj, ai ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm në veprimtarinë e tij.

Isufi tregoi se Kadriu përpiqej të fshihte vendbanimin e tij të vërtetë. Edhe pse jetonte në Sangal të Zvicrës, njerëzve u thoshte se jetonte në Cyrih, ndërsa komunikimet dhe aktivitetet me bashkatdhetarët i zhvillonte nga atje.

“Kemi vepruar me shumë kujdes”

Duke folur për mënyrën e organizimit të veprimtarisë së tyre, Isufi tha se grupi kishte funksionuar në mënyrë konspirative dhe me strukturë të ndarë.

“Kemi vepruar shumë me kujdes të madh. Ne celulën e kemi pasë treshe. Kemi pasë komitetin ekzekutiv, kemi pasë komitetin drejtues, i kemi pasë detyrat e ndara”, tha ajo.

Sipas saj, anëtarësimi bëhej gradualisht, duke nisur nga simpatizantët, më pas kandidatët për anëtarë dhe, në fund, betimi në celula.

Raportet me Ibrahim Kelmendin

Isufi foli edhe për raportet mes Kadri Zekës dhe Ibrahim Kelmendit.

Ajo tha se, gjatë kohës kur kishte vepruar së bashku me ta, marrëdhëniet mes dy veprimtarëve kishin qenë të mira.

“Kanë pasë raporte të mira. ‘Fronti i Kuq Popullor’, siç është quajtur organizata e Ibrahim Kelmendit, është bashkuar me organizatën tonë sepse edhe Ibrahimi ka pasë besim të madh te Kadriu, kur e ka takuar një kuadër të përgatitur”, deklaroi Isufi.

GJYNN sjell emocione të forta në projektin e fundit “Kujtimet"

18 August 2026 at 21:40


Pas një periudhe mjaft aktive me projekte të njëpasnjëshme, Gjyni Novoberdaliu apo siç e njohim me emrin artistik GJYNN rikthehet me “Kujtimet”, një projekt i ri që këtë herë e sjell artistin në një frymë më emocionale dhe personale.

“Kujtimet” sjell në qendër një histori dashurie dhe gjithçka që mbetet pas saj. Kujtime të mira apo të këqija? Këtë GJYNN ia lë secilit ta zbulojë përmes këngës, duke e përjetuar historinë dhe emocionin në mënyrën e vet.

Teksti i këngës është shkruar nga KANN, i cili përmes vargjeve i ka dhënë projektit ndjesinë dhe emocionin që kërkon vetë historia e “Kujtimeve”. Kënga shoqërohet edhe me një anë vizuale të realizuar me kujdes, duke e plotësuar atmosferën e projektit dhe duke e sjellë GJYNN në një tjetër dimension artistik.

- YouTube youtu.be

Me “Kujtimet”, GJYNN vazhdon rrugëtimin e tij muzikor dhe tregon se po kërkon vazhdimisht të sjellë projekte të reja, duke kombinuar tingullin modern me histori dhe emocione që shumë njerëz mund t’i gjejnë te vetja.

“Kujtimet” tashmë është publikuar dhe mund të dëgjohet në të gjitha platformat muzikore. Për projektet dhe publikimet e radhës, ndiqni GJYNN në Instagram @gjynnofficial dhe bëni Subscribe në YouTube @gjynnofficial për më shumë muzikë dhe projekte të reja. /Telegrafi/

Fevziu pas vrasjes së turistit në Ksamil: Të këqijtë e vetes jemi ne, turizmi nuk bëhet me dhunë

18 August 2026 at 21:36


Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar pas vrasjes së një turisti 20-vjeçar nga Portugalia në Ksamil, duke e cilësuar ngjarjen si një goditje të rëndë për imazhin e turizmit shqiptar.

Përmes një reagimi publik, Fevziu tha se ngjarja tregon se problemet më të mëdha për turizmin në Shqipëri krijohen nga vetë qytetarët.

“Kishte ardhur për pushime në Ksamil, kishte ardhur për pushime në Shqipëri, por u ther në një prej shezllonëve të njërit prej plazheve më të bukura në Evropë. Kjo është historia e një turisti që mbërriti në Ksamil dhe humbi jetën i therur nga një roje sigurie”, u shpreh ai.

Fevziu theksoi se kishte paralajmëruar edhe më herët për problemet që po shoqërojnë zhvillimin e turizmit në vend.

“Në fakt, ne jemi të këqijtë e vetes dhe pak ditë më parë unë e thashë ekzaktësisht këtë fjalë për turizmin shqiptar. Po, ‘të këqijtë e vetes’ jemi ne. Jemi ne ata që krijojmë probleme me turistët. Jemi ne ata që krijojmë probleme të tmerrshme për imazhin tonë”, tha ai.

Duke komentuar ngjarjen, gazetari theksoi se nuk dëshironte të ndalej te detajet e operacionit policor apo te versionet e ndryshme që po qarkullojnë në rrjet.

Sipas tij, problemi kryesor lidhet me mënyrën se si trajtohen turistët.

“Turizmi nuk bëhet me dhunë, por me fjalë të mira. Turizmi nuk bëhet me urrejtje, por me dashuri. Turizmi nuk mund të jetë kurrë duke treguar kush është më i fortë, por duke i thënë tjetrit: ‘Mirë se ke ardhur në vendin tim’”, deklaroi Fevziu.

Në fund, ai e cilësoi ngjarjen si një katastrofë për imazhin e vendit, duke theksuar se shqiptarët duhet të tregojnë më shumë respekt dhe mirënjohje ndaj turistëve të huaj.

“Ne, që në vend që të tregojmë dashuri dhe, mbi të gjitha, mirënjohje për turistët e huaj, duam të tregojmë sa të fortë jemi. Kjo është katastrofë”, përfundoi ai.

- YouTube www.youtube.com


❌