Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 February 2026Telegrafi

Janevska prezanton Ligjin e ri për arsim të lartë: Kritere më të rrepta me reformat në arsimin e lartë, studentët e dalluar do të kenë përparësi punësimi

6 February 2026 at 13:38


Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, sot e pa prezantuar propozim-ligjin e ri për arsimin e lartë, i cili siç tha Janevska, do të ofrojë arsim akademik me cilësi më të lartë dhe të inkurajojë aktivitetin shkencor dhe kërkimor në vend.

Ajo tha se studentët që studiojnë në 100 universitetet më të mira në botë me bursë shtetërore ose studiojnë në Maqedoni si dhe ata që janë shpallur studentët më të mirë, do të kenë përparësi kur të punësohen në universitetet shtetërore, si staf mësimor dhe shkencor.

Ajo po ashtu bëri të ditur se është vendosur një mënyrë e re e financimit të institucioneve të arsimit të lartë.

“Po forcojmë kriteret për avancim në titujt e fakultetit. Kushdo që aplikon për zgjedhje në titullin – profesor asistent, profesor i asociuar ose profesor i rregullt, që tani e tutje, varësisht nga titulli, do të jetë i detyruar të prodhojë dhe publikojë 6 deri në 7 punime shkencore deri në kohën e zgjedhjes, nga të cilat 3 deri në 4 duhet të publikohen në një revistë me faktor ndikimi nga bazat e të dhënave Web of Science ose Scopus”, theksoi Vesna Janevska, minstre e Arsimit dhe Shkencës.

"Profesorët e rregullt të zgjedhur pasi të jenë zgjedhur, në të ardhmen pas miratimit të ligjit, do të kenë të drejtë rizgjedhjeje pas 7 vitesh. Ata që tashmë janë zgjedhur si profesorë të rregullt nuk do të mbulohen nga ky ligj, dhe komuniteti akademik do të unifikohet në të gjithë territorin. Mandati i rektorëve do të jetë 4 vjet, në vend të 3 viteve që është aktualisht, dhe modeli për zgjedhjen e një rektori do të ndryshohet gjithashtu".

“Pagat nuk janë më temë diskutimi. Ato u rritën me 14% vitin e kaluar, dhe buxheti për mbështetjen e aktiviteteve shkencore dhe kërkimore është rritur gjithashtu nga 380 milionë denarë në vitin 2024 në 773 milionë denarë këtë vit. Më shumë se dyfishi”, u shpreh theksoi Vesna Janevska, minstre e Arsimit dhe Shkencës./Telegrafi/

A mund të ëndërrojë Barcelona të nënshkruajë me Haaland?

6 February 2026 at 13:32


Ëndrra e Barcelonës për të sjellë Erling Haaland në ‘Camp Nou’ nuk është shuar ende.

Edhe pse kalimi i kohës dhe situata ekonomike duket se e largojnë këtë mundësi, klubi katalanas ruan shpresën për të realizuar një nga goditjet më të mëdha të afatit kalimtar.

Barcelona ka ndjekur me vëmendje karrierën e Haaland që herët, madje para se sulmuesi norvegjez të bëhej një nga emrat më të spikatur në futbollin elitar.

Megjithatë, ai ka zgjedhur rrugë të tjera dhe sot konsiderohet një nga sulmuesit më domethënës në botë.

Tani, në moshën 25-vjeçare, Haaland mund të përballet me një vendim kyç në karrierën e tij.

Pavarësisht suksesit të tij te Manchester City, e ardhmja e tij vazhdon të ngjallë spekulime.

Barcelona beson se rrethana të caktuara mund ta vendosin Haaland në një rrugë drejt ‘Camp Nou’, dhe vera e ardhshme mund të shënojë një pikë kthese.

Realiteti financiar i Barcelonës është i njohur: çdo transferim i madh kërkon planifikim të kujdesshëm, shitje të mëdha dhe manovra të zgjuara ekonomike.

Çmimi i Haaland, paga e tij dhe kushtet që kërkon City e bëjnë këtë operacion jashtëzakonisht kompleks., edhe pse duket një sfidë thuajse e pamundur, klubi nuk përjashton mundësinë e tij nëse lind një shans.

Man City nuk do ta lëshojë lojtarin e tij kryesor lehtësisht, dhe nëse ndodh një ofertë, ajo do të jetë astronomike.

Për më tepër, konkurrenca është e fortë, me klube me fuqi financiare shumë më të madhe gati për të bërë ofertë.

Barcelona e di që nuk mund të luftojë vetëm me para, prandaj strategjia fokusohet te bindja e lojtarit.

Klubi synon ta bindë Haaland se Camp Nou është vendi ideal për të ndërtuar një legjendë të re.

Për këtë, Barça duhet të ofrojë një projekt sportiv bindës, ambicioz dhe afatgjatë: një ekip konkurrues, një rol kryesor për Haaland dhe mundësinë për t’u bërë fytyra e ofensivës së një institucioni historik.

Pas suksesit në Angli, sfida për të triumfuar në një ligë tjetër mund të shërbejë si motiv shtesë.

Në këtë moment, transferimi i Haaland është më shumë një ëndërr sesa një operacion realist.

Por në futbollin modern, lëvizjet e mëdha fillojnë me bindjen e lojtarit.

Barcelona e ka të qartë: për të pasur një shans për Haaland, fillimisht duhet të fitojë besimin e tij. /Telegrafi/

Ministri i Drejtësisë: Qeveria miraton amnistinë penale, 447 të dënuar lirohen menjëherë në Shqipëri

6 February 2026 at 13:26



Qeveria e Shqipërisë miratoi këtë të enjte projektligjin e Amnistisë Penale. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Sipas ministrit, nga kjo amnisti përfitojnë 447 persona që lirohen menjëherë nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ndërsa 853 të dënuar të tjerë përfitojnë ulje dënimi.

Mes përfituesve ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj, raporton euronews.al

Lamallari bëri të ditur se, bazuar në të dhënat e përditësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Shërbimi i Provës dhe Prokuroria e Përgjithshme, 5077 persona të dënuar me masa alternative amnistohen nga Shërbimi i Provës. Po ashtu, duke nisur nga viti 2024, pushohet ndjekja penale për rreth 14 mijë procedime për vepra penale të lehta.

Ministri i Drejtësisë theksoi se amnistia ka si qëllim uljen e mbipopullimit në burgje dhe fokusimin e sistemit të drejtësisë në rastet me rrezikshmëri reale shoqërore, duke respektuar standardet evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës.

Lamallari u shpreh se pret që Kuvendi ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa, në mënyrë që efektet e amnistisë të nisin sa më shpejt. Ai theksoi se nga kjo amnisti përjashtohen subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Projektligji i amnistisë pritet të depozitohet në Kuvend, ku do të shqyrtohet fillimisht në komisionet parlamentare dhe më pas në seancë plenare.

Epsteinit i kishte folur edhe për bukuroshet shqiptare - nisin hetimet për korrupsion ndaj ish-kryeministrit norvegjez

6 February 2026 at 13:21


Policia norvegjeze ka nisur një hetim ndaj ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës për shkak të dyshimeve për korrupsion, pas zbulimeve të dosjeve të pedofilit të ndjerë, Jeffrey Epstein.

Policia norvegjeze po heton ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e Komitetit Norvegjez të Nobelit, Thorbjorn Jagland, sipas autoritetit norvegjez për luftimin e krimit ekonomik.

Derisa deri më tani nuk janë ngritur akuza zyrtare, dokumente të lidhura me financierin dhe trafikantin e dënuar seksual Epstein raportohet se përmendin dhurata të marra nga Jagland, si dhe udhëtime dhe hua që supozohet se janë paguar nga pedofili që u vetëvra në qeli në vitin 2019.

Autoritetet norvegjeze tani po punojnë për të verifikuar këto pretendime.

Në një email drejtuar Epsteinit në vitin 2014, Jagland supozohet se ka kërkuar ndihmë financiare për blerjen e një prone në Oslo. Gjithashtu, raportohet se Epstein vizitoi banesën e Jagland në Strasburg të paktën dy herë gjatë kohës që norvegjezi shërbente si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.

Ndryshe, Jagland ka vizituar në vitin 2012 Tiranën, ku ishte takuar me zyrtarët e shtetit.

Por, teksa ishte i angazhuar me politikën e ditës në Tiranë, i kishte rënë në sy edhe një detaj tjetër: vajzat e jashtëzakonshme shqiptare.

Këtë, ia përcolli edhe Epsteinit një ditë më vonë përmes një emaili, duke e njoftuar se ai kishte qenë në vendin tonë. /Telegrafi/

Nëna e Mbappes fiton më shumë se shtatë yje të Real Madridit pavarësisht se djali refuzon t'i japë gjysmën e të ardhurave të tij

6 February 2026 at 13:20


Kylian Mbappe është një nga lojtarët me pagë rekord në futbollin botëror. Ai fiton rreth 31 milionë euro bruto në sezon te Real Madridi, dhe nga kjo përfiton edhe nëna e tij.

Fayza Lamari (51 vjeçe), e njohur si agjente e sulmuesit, merr një pagë neto prej 4.5 milionë eurosh në vit, që është më shumë se sa fitojnë shumë lojtarë të Realit si Raul Asensio, Franco Mastantuono, Gonzalo Garcia, Andriy Lunin, Fran Garcia, Arda Guler ose Brahim Diaz.

Sipas gazetës portugeze A Bola, Lamari ka një kontratë të caktuar me të birin dhe menaxhon jetën e tij private, të biznesit dhe financiare. Ajo luajti gjithashtu një rol kyç në mosmarrëveshjet ligjore me Paris Saint-Germain për pagat e papaguara.

Selon plusieurs informations relayées par la presse sportive, Fayza Lamari, la mère de Kylian Mbappé, joue un rôle central dans la gestion de sa carrière et de son image, avec une rémunération estimée par certains médias à environ 4,5 millions d’euros par an, pic.twitter.com/VrW5fAwEFf
— Chris·Enquête (@chris_enquete) February 6, 2026


Rruga drejt statusit të "nënës milionere" nuk ishte e lehtë. Në një intervistë, Lamari zbuloi se në një moment ajo po kërkonte gjysmën e të ardhurave të djalit të saj derisa Mbappe iu përgjigj ashpër.

“Nuk do të të jap gjysmën! Çfarë ke ti? Unë shënoj gola, si mund të presësh 50 përqind?", i ka thënë Mbappe.

Ata përfundimisht arritën një kompromis. Lamari pranoi 30 për qind, me paralajmërimin se do të ndalonte së punuari për të nëse shuma binte nën këtë shumë. Mbappe përfundimisht e pranoi këtë marrëveshje.

Sipas Transfermarkt, Mbappe ka një vlerë tregu prej 180 milionë eurosh. Në vetëm 27 vjeç, ai ka fituar tashmë më shumë se 20 trofe të mëdhenj, duke përfshirë Kupën e Botës me Francën, Ligën e Kombeve dhe tituj të shumtë vendas me Monacon dhe PSG-në.

Në total, Mbappe vlerësohet të ketë një pasuri prej rreth 250 milionë dollarësh, duke përfshirë kontratat fitimprurëse të reklamave. /Telegrafi/

“Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, protesta kundër shtrenjtimit të rrymës - arrestohet një person

6 February 2026 at 13:12


E plotësuar: Qytetarët sot po protestojnë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ndërkaq gjatë protestës është arrestuar një nga protestuesit.











“Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, protesta kundër shtrenjtimit të rrymës

“Nuk sakrifikojmë na për KEDS”, “Rryma nuk është luks”, “Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, janë mbishkrimet në pankarta që qytetarët mbajnë në duar gjatë protestës për të kundërshtuar mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë para objektit të KEDS-it.

Protestuesit në shenjë revolte kanë gjuajtur tymosës në drejtim të objektit të KEDS-it.


Ndërkaq kjo protestë është organizuar nga një grup aktivistësh nga Kolektivi Feminist dhe Përpjekja kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike.



Më poshtë Telegrafi ju sjellë fotografi të protestës të shkrepura nga fotoreporteri, Ridvan Slivova. /Telegrafi/

Promovohet hapësira e re e Institutit të Mjekësisë Transfuzive në Tetovë, Aliu: Janë investuar rreth 8.3 milionë denarë

6 February 2026 at 13:10


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot vizituan ambientet e reja të Institutit të Mjekësisë Transfuzive në Tetovë.

Sali tha se me promovimin e sotëm është përmbyllur procesi i rikonstruksionit të kapaciteteve të reja hapësinore të Institutit të Mjekësisë Transfuzive në Tetovë.

"Për këtë qëllim, nga Instituti janë investuar rreth 8.3 milionë denarë. Qendra Rajonale e Transfuzionit në Tetovë, si pjesë përbërëse e Institutit, përfshin edhe tre qendra më të vogla: në Gostivar, Kërçovë dhe Strugë. Kjo qendër rajonale përpunon gjakun e mbledhur nga qendrat e tjera, ofron shërbime ambulatore shëndetësore për pacientët, organizon aksione për dhurimin e gjakut dhe furnizon klinikat dhe spitalet e këtij rajoni me gjak dhe produkte të gjakut,"- theksoi ministri Aliu gjatë vizitës.

Ai theksoi se Ministria në vazhdimësi punon edhe për forcimin e kapaciteteve kadrovike, veçanërisht në institucionet ku janë evidentuar persona të angazhuar për një kohë të gjatë me kontrata në vepër.

"Në Institutin e Mjekësisë Transfuzive, i cili ka shërbime rajonale në mbarë vendin, në fund të vitit të kaluar përfundoi konkursi për punësim dhe tashmë janë punësuar gjithsej 48 persona, një pjesë e të cilëve edhe këtu, në Institutin e Mjekësisë Transfuzive në Tetovë. Vazhdon angazhimi ynë për forcimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe njerëzore në institucionet publike shëndetësore, me qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësore më të qasshme dhe më cilësore për të gjithë qytetarët e vendit", shtoi Aliu.

​Shqipëri – Turqi, bashkëpunim në aviacionin ushtarak, teknologji dhe mbështetje teknike

6 February 2026 at 13:09


Delegacioni i Forcës Ajrore Shqiptare, i kryesuar nga Gjeneralmajor Ferdinant Dimo, zhvilloi një vizitë zyrtare në Turqi.

Në njoftim thuhet se gjatë vizitës, delegacioni u prit nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Turke, si dhe nga Komandanti i Forcës Ajrore Turke.

“Takimet u fokusuan në mundësi konkrete bashkëpunimi në fushat e aviacionit ushtarak, teknologjive moderne dhe mbështetjes teknike, si dhe në rritjen e ndërveprueshmërisë dhe zgjerimin e partneritetit strategjik mes dy forcave ajrore”, thuhet në njoftim.

Delegacioni zhvilloi gjithashtu vizita në kompani kryesore të industrisë së mbrojtjes, ku u njoh nga afër me teknologjitë më të avancuara në aviacion, sisteme pa pilot dhe mbështetje logjistike.

Këto aktivitete u tha se hapin mundësi konkrete për projekte të përbashkëta dhe modernizimin e kapaciteteve operacionale të Forcës Ajrore Shqiptare. /Telegrafi/


Aksident në Slivovë të Prishtinës, rrotullohet një veturë

6 February 2026 at 12:58


Një aksident ka ndodhur sot gjatë ditës në Slivovë të Prishtinës, ku një veturë është rrotulluar.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ka vetëm dëme materiale.

Lajmi në përditësim...

Punëtorët e “Trafikut Urban” paralajmërojnë grevë

6 February 2026 at 12:39


Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” në Prishtinë kanë paralajmëruar hyrjen në grevë nga data 13 shkurt 2026, nëse deri atëherë nuk marrin përgjigje institucionale lidhur me kërkesat e tyre.

Sipas njoftimit zyrtar të dorëzuar menaxhmentit të ndërmarrjes, punëtorët bëjnë të ditur se më 26 janar 2026 kanë dorëzuar paralajmërimin paraprak për grevë, por deri më 6 shkurt nuk kanë pranuar asnjë përgjigje nga organet kompetente.

Në dokument thuhet se vendimi për grevë bazohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Grevat, ndërsa theksohet se do të respektohet minimumi i procesit të punës, në mënyrë që të mos cenohen interesat publike dhe siguria e qytetarëve.

Punëtorët e “Trafikut Urban” kanë bërë të ditur se greva do të organizohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe se ky njoftim konsiderohet paralajmërim përfundimtar ligjor. /Telegrafi/

Turqia arreston dy të dyshuar si spiun të Mossadit

6 February 2026 at 12:39


Agjencia Kombëtare e Inteligjencës e Turqisë (MİT) ka ndaluar dy të dyshuar në Stamboll për akuzat e spiunazhit në favor të Mossad-it, shërbimit sekret izraelit.

Operacioni, i koduar “MONITUM”, u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me prokurorët dhe njësitë e policisë kundër-terror, duke përfshirë një plan të detajuar për mbledhjen e provave dhe monitorimin e aktivitetit të të dyshuarve.

Të dyshuarit u identifikuan si Mehmet Budak Derya, inxhinier dhe tregtar, i akuzuar për kontakte të qëndrueshme dhe të gjata me Mossad përmes aktiviteteve të tij tregtare, dhe Veysel Kerimoglu, i konsideruar bashkëpunëtor i tij.

- YouTube www.youtube.com

Sipas autoriteteve, ata dyshohet se kanë marrë pjesë në mbledhjen dhe transmetimin e informacionit inteligjent, si dhe në ndjekjen e individëve palestinezë.

Për të mbuluar aktivitetin e tyre, ata përdornin aktivitetet e biznesit si mbulesë, duke krijuar një fasadë ligjore për operacionet e tyre të dyshimta.

Arrestimet u kryen pas një periudhe të gjatë vëzhgimi, gjatë së cilës MİT monitoroi lëvizjet dhe komunikimet e tyre.

Ndërhyrja finale u bë në janar 2026, duke përfunduar një hetim intensiv dhe të koordinuar që zgjati disa muaj. Autoritetet turke njoftuan se hetimet do të vazhdojnë për të zbuluar çdo lidhje të mundshme të mëtejshme dhe për të parandaluar kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare. /Telegrafi/

Milani shqyrton transferimin e njërit prej sulmuesve më të mirë të Serie A

6 February 2026 at 12:38


Milain po shqyrton seriozisht përforcimin e repartit sulmues dhe pritet që gjatë verës të nisë bisedimet me Fiorentinën për një marrëveshje të mundshme për transferimin e Moise Kean.

Sipas raportimeve të Calciomercato, drejtuesit e Rossonerëve janë të interesuar për shërbimet e sulmuesit italian, por nuk janë të gatshëm të paguajnë klauzolën e lirimit prej 62 milionë eurosh, të cilën e konsiderojnë të tepruar.

Për këtë arsye, Milani synon të hyjë në negociata me klubin Viola për të ulur çmimin ose për të gjetur një formulë më të favorshme transferimi.

Kean, 25 vjeç, nuk po kalon sezonin më të mirë në aspektin individual. Ai ka realizuar vetëm gjashtë gola këtë edicion, duke mos arritur të përsërisë formën mbresëlënëse të sezonit 2024/25, kur kishte shënuar plot 25 gola.

Kjo rënie e formës ka ndikuar edhe në vlerësimin e tij në treg, çka i hap rrugë një transferimi të mundshëm nëse palët gjejnë gjuhën e përbashkët.

Vlerësimi i tij aktual në faqen e specializuar të transferimeve Transfermarkt është 45 milionë euro. /Telegrafi/

Lidhja Demokratike kërkon të ndalohet prodhimi i kanabisit në Maqedoni

6 February 2026 at 12:38


Partia e Pavle Trajanovit, Lidhja Demokratik (LD), kërkon që Kuvendi me procedurë të shkurtuar të miratojë ndryshime ligjore që do të ndalonin prodhimin e marihuanës (Cannabis sativa) për qëllime të supozuara mjekësore.

Nga LD thonë se që nga viti 2017 Ministria kompetente e Shëndetësisë, në bashkëpunim me institucione të tjera (Ministria e Bujqësisë, Komisioni Ndërdikasterial dhe të tjera) ka lëshuar 61 licenca për kompani që mund të prodhojnë marihuanë për qëllime mjekësore.

"Është më se e qartë se kontrolli dështoi, prandaj ndodhën vjedhje të rreme, përballje midis mafies së drogës, sekuestrime të kanabisit nga policia etj., por biznesi kriminal vazhdoi, sepse mafia e drogës, e cila përfshinte edhe mbajtës të funksioneve më të larta shtetërore nga qeveria e mëparshme, fitoi fuqi të madhe financiare dhe ndikim politik”, thonë nga LD.

Nga partia theksojnë se “e mbështet fuqimisht veprimin e MPB për sekuestrimin e kanabisit dhe këmbëngul që ajo të veprojë pa dallim dhe të shpallë publikisht pronarët (formalë dhe joformalë) të kompanive që prodhojnë kanabis, kush dhe kur i ka lëshuar licencat për prodhimin e kanabisit etj".

Ata gjithashtu kërkojnë që Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me institucione të tjera kompetente, të shpallë se sa sasi kanabisi janë prodhuar, ku janë këto sasi (shitur, në magazinë, janë vjedhur, etj.) dhe sa fitim është bërë.

Sipas Lidhjes Demokratike, sasitë e sekuestruara janë shumë për Ballkanin dhe jo për nevojat mjekësore të Maqedonisë.
"Është e qartë se qëllimi fillestar humanitar është abuzuar dhe për këtë arsye nevojiten ndryshime urgjente ligjore", tha partia.

KRM Pastrimi apelon: Mos i digjni kontejnerët

6 February 2026 at 12:31


Kompania Rajonale e Menaxhimit të Mbeturinave, KRM Pastrimi, ka bërë apel te qytetarët për kujdes në hedhjen e mbeturinave në kontejnerët e qytetit.

“Mos hedhni mjete që mund të shkaktojnë ndezjen e zjarrit dhe djegien e kontejnerëve. Dijeni që kontejnerët i blejmë me paratë publike të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e KRM Pastrimi.

Në njoftim gjithashtu shfaqet një fotografi e një kontejneri duke u djegur në rrugën “Agim Ramadani”, duke rikujtuar se pronën publike duhet ta ruajmë të gjithë së bashku.

KRM Pastrimi fton qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastrisë dhe sigurisë në hapësirat publike. /Telegrafi/


Theu rregullat dhe po qëndron vetëm në një dhomë, Rogerti: Më dhemb trupi, do ta mbyll gojën e do rri si në burg

6 February 2026 at 12:23


Rogert Sterkaj ka komentuar në dhomë të rrëfimit qëndrimin e tij vetëm në dhomën e reflektimit.

Banori shprehet se do mbyllë gojën dhe do rri si në burg, ndonëse nuk ka zgjidhje tjetër.

Ai shton se nëse mendojnë se kjo e bën të reflektojë, atëherë nuk e kanë njohur fare.

Foto: YouTube

Sipas tij, thotë gjëra që janë tabu dhe që shqiptarët i mbajnë në tru, nuk kanë guxim t'i thonë.

“Më dhemb trupi, po nuk ka problem. Do mbyll gojën dhe do rri si në burg. Hajt me e bërë burgun me 2-3 veta të paktën, por jo vetëm. Vetëm këtu shkallon, luan mendsh. Je me veten o Vëllai i Madh, o Big Brother".

"Je total me veten. Në qoftë se mendoni se kjo dhomë mua më bën të reflektoj, ju atëherë nuk më keni njohur mua në total fare, kaq. Reflektoj për mirë as nuk bëhet llaf, se normale duhet të ndalohesh pak, po në fund të fundit unë them gjëra që janë tabu, që shqiptarët nuk i thonë por vetëm i filtrojnë dhe i mbajnë në tru".

"Unë e di që kam me vdekur pa e kuptuar çka është jeta, në qoftë se ju keni me bërë për ta kuptuar, është arritje e madhe”, u shpreh ndër tjerash ai. /Telegrafi/

Tiganët do të jenë pa njolla dhe do të duken ‘krejtësisht të rinj’ me këtë metodë natyrale të thjeshtë që zgjat vetëm disa minuta

6 February 2026 at 12:22


Nuk ka gjë më të bezdisshme sesa të gatuash dhe të kuptosh që gjithë mundi yt po dëmton enët e kuzhinës.

Nëse ke vënë re se tiganët e tu, sidomos ata prej çeliku inox, kanë marrë njolla kafe jo të bukura, nuk ka nevojë të shqetësohesh për t’i hedhur.

Krijuesja e TikTok-ut, Elle Kress, një nënë e dy fëmijëve nga Australia, ndau së fundmi metodën e saj të preferuar për të hequr këto njolla nga enët. Gjithçka që të duhet është një frut që me shumë mundësi e ke në frigorifer. Në përshkrimin e videos, Elle thotë:

“Mos i hidhni tiganët prej çeliku inox nëse kanë njolla kafe, pa provuar këtë metodë!”

Si të pastroni tiganët prej çeliku inox

Nëse ke njolla kafe në tiganët e çelikut inox, edhe pse i ke fërkuar shumë, ato zakonisht krijohen nga:

Yndyra e djegur;

Depozitat minerale nga uji i forte;

Mbinxehja, që krijon ndryshime ngjyre.

Këto njolla zakonisht nuk janë të dëmshme, por mund të duken të bezdisshme.

Elle ndau një mënyrë shumë të thjeshtë për t’i hequr, e cila funksionon edhe për tiganë “shumë të ndotur” me njolla kafe. Ajo thotë se ky truk “do t’ju ndryshojë jetën”.

Hapat:

Vendos tiganin prej çeliku inox mbi sobë;

Prit një limon përgjysmë dhe shtrydhe lëngun mbi tigan;

Ndeze sobën në temperaturë të lartë (pak më poshtë maksimumit);

Shto ujë të vluar nga çajniku dhe lëre të vlojë;

Pasi uji të vlojë, përdor një lugë druri dhe fërko lehtë njollat kafe. Ato duhet të fillojnë të zhduken;

Kur njollat të fillojnë të shkrihen, hiqe tiganin nga zjarri;

Hidhe ujin me limon, shpëlaje tiganin dhe fërkoje me një sfungjer.

Rezultati: njollat kafe duhet të zhduken. Elle thotë:

“Sinqerisht, duket sikur është krejtësisht i ri”.

Pse funksionon limoni?

Limoni ndihmon për të hequr njollat kafe për shkak të acidit citrik, që vepron si pastrues natyral. Ai:

Shpërndan depozitat minerale;

Heq mbetjet e ushqimit të djegur dhe njollat nga nxehtësia;

Rikthen shkëlqimin natyral të metalit.

Gjithashtu, limoni ka efekt të lehtë zbardhues, duke ndihmuar në largimin e njollave më të vështira dhe të pakëndshme.

Ylli i Chelseat bllokohet në CS2 për komentet shokuese

6 February 2026 at 12:20


Mykhailo Mudryk, ylli ukrainas i Chelseat, është bërë i njohur jo vetëm për performancat e tij në fushë, por edhe për sjelljen e tij në botën virtuale.

Futbollisti 25-vjeçar është përjashtuar nga platforma konkurruese e lojërave FACEIT për një periudhë 28-ditore, pas komenteve të tij të cilat u konsideruan ofenduese dhe të papërshtatshme gjatë një ndeshjeje në Counter-Strike 2 (CS2).

Sipas raportimeve, pezullimi lidhet me mesazhet që Mudryk bëri ndaj lojtarëve polakë, ku përfshihen referenca historike të ndjeshme, duke përfshirë ngjarje të Luftës së Dytë Botërore në Volhynia, ku forcat ukrainase ishin të përfshira në vrasjen e mijëra civilëve polakë.

Komentet e tij, të bërë nën pseudonimin “Mudr1k”, u shfaqën në përgjigje të kritikave nga lojtarë të tjerë dhe u cilësuan si toksike dhe provokuese nga komuniteti.

FACEIT është një platformë e njohur ku lojtarë profesionistë dhe amatorë marrin pjesë në gara konkuruese, dhe ka politika të rrepta mbi sjelljen e lojtarëve.

Ndalimi nga CS2 i Mudryk do të zgjasë 28 ditë, duke e penguar atë të marrë pjesë në ndeshjet konkurruese gjatë kësaj periudhe.

Megjithatë, karriera e tij me Chelsea dhe përfaqësuesen e Ukrainës vazhdon të jetë aktive.

Rasti i Mudryk thekson rëndësinë e sjelljes së lojtarëve, jo vetëm në fushën e futbollit, por edhe në botën virtuale, duke treguar se reputacioni i një sportisti mund të ndikojë nga çdo veprim, qoftë në realitet apo në lojëra online.

Shumë komentues mendojnë se një pezullim 28-ditor mund të mos jetë ndëshkimi i mjaftueshëm për një figurë publike me profilin e tij. /Telegrafi/

Marshi “Drejtësi, jo politikë” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, SBASHK fton anëtarësinë të marrin pjesë

6 February 2026 at 12:15


Më 17 shkurt do të mbahet marshi “Drejtësi, jo politikë” organizuar nga platforma “Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E sot, Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës, Kulturës (SBASHK) u ka bërë thirrje anëtarësisë së tyre që të marrin pjesë në këtë marsh, për të dhënë sipas tyre, një mesazh të fuqishëm uniteti dhe kërkese për drejtësi të paanshme.

Lexoni të plotë njoftimin:

Për mobilizim qytetar dhe sindikal

Të nderuar anëtarë të SBASHK-ut, arsimtarë, mësues, profesorë dhe punëtorë të arsimit në të gjitha nivelet, Kryesia e SBASHK-ut, pas konsultimeve me strukturat sindikale në të gjithë vendin, ju fton për mobilizim qytetar dhe sindikal në përkrahje të Marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë!”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë.

Ky marsh është jo politik dhe përfaqëson një thirrje të ndershme për drejtësi të paanshme, si dhe për respektimin e sakrificës së çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej më shumë se pesë vitesh po mbahen padrejtësisht në paraburgim. Për SBASHK-un, kjo çështje ka peshë të veçantë sindikale dhe historike.

Shumë nga çlirimtarët ishin edhe arsimtarë e punëtorë arsimi, të larguar dhunshëm nga vendet e punës gjatë regjimit të Millosheviqit. Në vitet e okupimit, ishin mësimdhënësit ata që mbajtën gjallë arsimin shqip, dinjitetin kombëtar dhe shpresën për liri. Falë sakrificës së tyre, falë luftës së drejtë të UÇK-së dhe përkrahjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë, sot jetojmë në një shtet të lirë dhe sovran.

Sot, kur ata që sakrifikuan për lirinë po përballen me padrejtësi të zgjatura, heshtja nuk është opsion. Dalja në këtë marsh nuk është akt politik, por akt moral dhe qytetar.

Është shprehje e ndërgjegjes sonë kolektive dhe vazhdimësi e misionit sindikal për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe të së vërtetës. SBASHK-u qëndron qartë në anën e drejtësisë, të dinjitetit dhe të solidaritetit shoqëror. I ftojmë të gjithë anëtarët e SBASHK-ut që, në mënyrë vullnetare, pa asnjë detyrim dhe larg çdo angazhimi politik, t’i bashkohen Marshit “Drejtësi, jo politikë!”, për të dhënë një mesazh të fuqishëm uniteti dhe kërkese për drejtësi të paanshme.

Pjesëmarrja juaj është: zë për drejtësinë, respekt për sakrificën, dhe përgjegjësi ndaj historisë sonë. /Telegrafi/

Filloi me një pagë prej 300 eurosh dhe këtë fundjavë do të barazojë rekordin më të madh në Ligën Premier

6 February 2026 at 12:10


Njëzet e katër vjet pas debutimit të tij, 40-vjeçari James Milner do të barazojë rekordin për më shumë paraqitje në Ligës Premier kur të luajë për Brighton kundër Crystal Palace të dielën.

Një karrierë e shkëlqyer që përfshin më shumë se dy dekada ka përfshirë gjashtë klube të nivelit të lartë, 652 paraqitje në Ligën Premier, 61 ndeshje me Anglinë, tre tituj kampioni, dy Kupa FA dhe një triumf në Ligën e Kampionëve.

Milner do të barazohet me Gareth Barryn, i cili bëri 653 paraqitje, në krye të listës së paraqitjeve të të gjitha kohërave në Ligën Premier, 8,491 ditë pasi debutoi për klubin e tij të lindjes, Leeds United, menjëherë pas përfundimit të shkollës në vitin 2002.

Death, taxes, and James Milner in the Premier League 👏 pic.twitter.com/twDgugBRiQ
— Men in Blazers (@MenInBlazers) January 31, 2026

Ai e filloi karrierën e tij në moshën 16-vjeçare, duke luajtur për Leeds me një pagë prej 320 eurosh në muaj. Ai shpejt u bë golashënuesi më i ri në historinë e Ligës Premier.

Në moshën 16 vjeç e 356 ditë, ai shënoi kundër Sunderlandit jashtë fushe. Ai u huazua te Swindon Town dhe më pas u shit te Neëcastle për gjashtë milionë euro. Atje, ai u drejtua nga i madhi Alan Shearer.

"Milner ka një mentalitet të shkëlqyer, ai dëshiron të përmirësohet. Ai është i durueshëm, por ndonjëherë mund të zemërohet. E kam parë të frustruar disa herë gjatë karrierës së tij", ka thënë Shearer për ish-shokun e tij të skuadrës.

Përmes Aston Villas, ai arriti te Manchester City, të cilit i kushtoi pesë vjet të karrierës së tij. Ai njihet për shkathtësinë e tij, aftësinë për të luajtur në pozicione të ndryshme.

Milner dhe Barry te Man City

Në City, ai dinte të luante në të gjitha pozicionet në mesfushë, madje edhe në sulm. Megjithatë, në Liverpool, ai kishte një rol më të izoluar.

Gjatë pandemisë së coronavirusit, Milner u etiketua si "i mërzitshëm", gjë që ai e përqafoi, duke postuar video të vetes duke kositur bar me gërshërë ose duke hekurosur rrobat.

Pasi iu bashkua Liverpoolit në vitin 2015, ai pranoi se pati disa grindje me Jurgen Klopp. "Patëm një debat një herë, Klopp përplasi grushtet në tavolinë dhe më bërtiti të heshtja", tha Milner.

Ai u bë kampion i Anglisë dhe Evropës me Liverpoolin dhe ka shumë të ngjarë ta përfundojë karrierën e tij te Brighton, ku ndodhet që nga viti 2023. Milner nuk ka qenë një faktor për klubin këtë sezon dhe ka luajtur shumë pak kohët e fundit. Sipas komenteve në rrjetet sociale, tifozët besojnë se Milner po inkuadrohet në lojë vetëm për të thyer rekordin e Barryt. /Telegrafi/

Anatomia psikologjike e elitës së padukshme

6 February 2026 at 12:02


Nga: Leonard Veizi

Disa vdekje mbyllin një biografi, si kapak i rëndë që vihet mbi një jetë të përfunduar. Disa të tjera, përkundrazi, hapin një epokë dyshimi, duke lënë pas pyetje që vazhdojnë të gumëzhijnë në kohë. Vdekja e Stenli Kubrikut [Stanley Kubrick] - regjisorit të famshëm të Holivudit - i përket qartazi kategorisë së dytë. Jo sepse faktet zyrtare janë të paqarta; përkundrazi, ato janë të thjeshta, administrative, pothuajse të thata. Dyshimi lind diku tjetër. Ai lind nga vetë natyra e veprës së Kubrikut.

Filmat e tij nuk ishin rrëfime për t’u konsumuar, por struktura mendore për t’u përjetuar me shqetësim. Kubriku nuk tregonte histori melodramash dhe as nuk kërkonte empati të lehtë; ai ndërtonte sisteme frike, pushteti dhe heshtjeje, ku individi gjendej gjithmonë përballë forcave më të mëdha se vetvetja. Bota e tij kinematografike ishte një laborator i ftohtë, ku shoqëria, morali dhe autoriteti analizoheshin pa iluzione. Pikërisht për këtë arsye, vdekja e Kubrikut nuk mund të lexohet si një fakt i shkëputur nga vepra. Ajo mbart peshën simbolike të një fundi që duket se vjen në çastin kur autori kishte shtyrë më larg se kurrë kufijtë e asaj që mund të shihej dhe të kuptohej. Çdo përpjekje për ta interpretuar këtë vdekje jashtë universit së tij artistike mbetet e mangët, sepse Kubriku vetë na mësoi se, për të kuptuar fundin, duhet së pari të lexosh sistemin që e prodhoi atë ...

... Ky shkrim nuk synon të prodhojë akuza, por të ndërtojë një analizë psikologjike dhe kulturore, ku vepra e Kubrikut lexohet si hartë mendore e elitave të padukshme, një hartë që, dekada më vonë, gjen një pasqyrim tronditës në atë që njihet sot si Dosja Epstin.

Lexo po ashtu:
- Misteri i kryeveprës së Kubrickut për Luftën e Ftohtë
- “2001: Odiseja hapësinore”, një mister për njerëzimin!
- Filmi “A Clockwork Orange”: Si u realizua monumenti i kinemasë moderne?
- “Barry Lyndon”: Rrëfimi për objektivin famoz - F/0.7
- Zbulohen idetë e panjohura të Kubrickut, për filmat që nuk u bënë kurrë
- Veprat që parashikuan të ardhmen

Eyes Wide Shut dhe psikologjia e ritualit të pushtetit

Filmi i fundit i Kubrikut nuk është një film erotik. Në fakt gjithçka e Eyes Wide Shut, që në shqip njihet si Mbylli sytë fort është e mbështetur mbi romanin Traumnovelle të shkrimtarit austriak Artur Shnicler [Arthur Schnitzler], dhe që njihet si Historia e ëndrrës apo dhe si Ëndrra e dyfishtë. Për këtë libër - që i përket periudhës së lëvizjes Dekadente në Vjenë në fillim të shekullit XX - kritika thotë se është një eksplorim sureal i përmasave intime të martesës.

Por, Kubriku e ktheu filmin si një studim klinik mbi seksin si instrument pushteti. Seksualiteti në Eyes Wide Shut nuk është spontan, as intim; ai është ritual, hierarki, kontroll. Nga këndvështrimi psikologjik, rituali shërben për të zhveshur individin nga identiteti personal dhe për ta futur në një strukturë kolektive ku përgjegjësia shpërndahet. Maskat nuk fshehin fytyrën; ato e çlirojnë ndërgjegjen nga faji. Në këtë kuptim, Kubriku portretizon një elitë që nuk vepron në errësirë nga turpi, por nga efikasiteti.

Kjo strukturë psikologjike është ajo që, vite më vonë, do të shfaqej në mënyrë brutale në dëshmitë rreth Xhefri Epstinit [Jeffrey Epstein]: seks i organizuar, hierarki e rreptë, heshtje e garantuar dhe mbrojtje sistemike.

Maskat si mekanizëm mbijetese

Në psikologjinë sociale, maska është mjet adaptimi. Në Eyes Wide Shut ajo bëhet mjet mbijetese juridike dhe morale. Askush nuk ka emër, sepse emri sjell përgjegjësi. Askush nuk ka fytyrë, sepse fytyra prodhon empati.

Në Dosjen Epstin, maskat janë reale, por të padukshme: emra që nuk publikohen, dëshmi që relativizohen, figura publike që mbrohen nga heshtja institucionale. Mekanizmi është i njëjtë: anonimiteti nuk është mungesë identiteti, por luks pushteti. Kubriku e kuptonte këtë mekanizëm thellë. Psikologjikisht, ai sugjeron se elitat nuk janë amorale sepse janë të këqija, por sepse funksionojnë në një sistem ku morali është pengesë operative.

Kujtesa si kërcënim

Një nga temat qendrore të Kubrikut është kujtesa: ajo që duhet mbajtur mend dhe ajo që duhet harruar. Në Eyes Wide Shut, mesazhi është i qartë: të mbijetosh do të thotë të harrosh atë që ke parë. Nga pikëpamja psikologjike, harresa e imponuar është formë dhune. Ajo nuk fshin ngjarjen, por e zhvendos traumën në nënvetëdije. Dosja Epstin, me viktimat e saj që për vite me radhë u detyruan të heshtin, funksionon mbi të njëjtin parim: kujtesa është armiku kryesor i sistemit. Kubriku, si autor, duket se paralajmëron se pushteti modern nuk ka nevojë të mohojë të vërtetën; mjafton ta bëjë atë psikologjikisht të padurueshme.

Paralelizmi i dy vdekjeve, narrativë e dyshimit

Vdekja e Kubrikut, pak ditë pas dorëzimit të filmit të tij më të errët dhe vdekja e Epstinit në burg, në rrethana që vazhdojnë të prodhojnë mosbesim, nuk janë të barazueshme në fakt, por ato janë të krahasueshme në funksion narrativ.

Të dyja krijojnë një boshllëk, një ndjenjë se diçka mbetet e pathënë. Psikologjikisht, ky boshllëk është terreni ideal për lindjen e konspiracionit. Konspiracioni, në këtë kuptim, nuk është marrëzi kolektive, por reagim ndaj mungesës së transparencës.

Kubriku si diagnostikues, jo si komplotist

Lidhja më e ndershme midis Kubrikut dhe Dosjes Epstin nuk është faktike, por diagnostike. Kubriku nuk ekspozon individë; ai analizon struktura. Epstini nuk është arkitekti i sistemit, por simptoma e tij më e dukshme. Në këtë lexim, Kubriku del si një lloj psikanalisti i shoqërisë moderne: ai identifikon mekanizmat e shtypjes, ritualet e pushtetit dhe mënyrat se si elitat racionalizojnë dhunën e tyre morale.

Pushteti, nënvetëdija dhe normalizimi i dhunës

Për ta thelluar leximin e Kubrikut, është e nevojshme të zhvendosemi nga niveli narrativ në atë teorik. Në këtë pikë, vepra e tij mund të lexohet në dialog të drejtpërdrejtë me disa prej mendimtarëve kryesorë të shekullit XX.

Mishel Fuko [Michel Foucault] e koncepton pushtetin jo si pronë të një grupi të vetëm, por si rrjet marrëdhëniesh që prodhon norma, sjellje dhe heshtje. Eyes Wide Shut është një ilustrim vizual i këtij pushteti fukojan: askush nuk jep urdhra drejtpërdrejt, por të gjithë dinë çfarë nuk duhet bërë. Frika nuk imponohet; ajo internalizohet. Nga ana tjetër, Karl [Carl] Gustav Jung do ta quante botën e Kubrikut një manifestim të “hijes kolektive”. Elitat që veprojnë në errësirë nuk janë përjashtim moral i shoqërisë, por projeksion i impulseve të saj të shtypura. Rituali, maska dhe anonimiteti janë forma përmes të cilave hija merr legjitimitet social.

Hana [Hannah] Arendt, me konceptin e “banalitetit të së keqes”, ofron një tjetër çelës leximi. Në universin kubrikian, e keqja nuk kryhet nga monstra, por nga individë të zakonshëm që ndjekin rregullat e një sistemi. Në këtë kuptim, Dosja Epstin nuk trondit sepse zbulon monstruozitet, por sepse ekspozon normalitetin e tij funksional.

Psikanaliza e ritualit, nga Erosi te Thanatosi

Zigmund Frojdi [Sigmund Freud] e shihte seksualitetin si energji jetike - Eros - por, edhe si forcë që, kur kanalizohet në mënyrë patologjike, mund të lidhet me impulset shkatërruese - Thanatos. Në Eyes Wide Shut, Kubriku paraqet pikërisht këtë zhvendosje: seksi nuk prodhon lidhje, por disiplinë dhe frikë. Psikologjikisht, rituali seksual i elitave shërben për të transformuar dëshirën në instrument kontrolli. Viktima nuk është vetëm trupi i tjetrit, por edhe vetë subjekti, i cili humbet aftësinë për empati. Kjo dinamikë është qendrore edhe në dëshmitë e lidhura me Epstinin, ku seksi shndërrohet në monedhë pushteti.

Kujtesa, trauma dhe harresa e detyruar

Në teorinë e traumës, kujtesa e shtypur nuk zhduket, por rikthehet në forma të fragmentuara: ankth, faj, heshtje. Kubriku e përdor këtë mekanizëm si strukturë narrative. Personazhet e tij nuk çlirohen nga e vërteta; ata mësojnë të bashkëjetojnë me të. Shoqëria, në rastin e Dosjes Epstin ndjek të njëjtën logjikë: skandali trajtohet si episod, jo si simptomë. Harresa kolektive bëhet mjet stabilizimi. Kjo është arsyeja pse Kubriku mbetet aktual: ai nuk flet për skandalin, por për pasojat psikike të mbulimit të tij.

Pse Kubriku vazhdon të na shqetësojë?

Stenli Kubrik mbetet një figurë shqetësuese sepse nuk ofroi kurrë qetësim. Ai nuk besonte te pafajësia e pushtetit dhe as te shpëtimi përmes artit. Filmat e tij nuk kërkojnë të na bindin, por të na çekuilibrojnë, të na nxjerrin nga zona e sigurisë morale ku zakonisht strehohemi si spektatorë. Letërsia dhe kinemaja që e marrin seriozisht këtë instinkt nuk përpiqen ta denoncojnë, as ta moralizojnë. Ato vëzhgojnë. Dhe në atë vështrim të ftohtë, thuajse klinik, shfaqet paradoksi thelbësor: njeriu nuk shkatërrohet sepse dëshiron vdekjen, por sepse kërkon një qetësi absolute - një fund të tensionit, një pushim përfundimtar nga pasiguria e të jetuarit. Dosja Epstin nuk e shndërron Kubrikun në profet. Ajo thjesht e bën më të dukshme se bota që ai ndërtoi në ekran nuk ishte fantazi paranojake, por një realitet i përmbledhur, i kondensuar në formë psikologjike. Një botë ku pushteti nuk shfaqet si aksident, por si strukturë dhe ku e keqja nuk shpërthen, por funksionon.

❌
❌