"Në periudhën e fundit prej një viti e gjysmë mësimdhënësit po marrin kujdesin e nevojshëm nga shteti. Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë siguruar rritje të pagave prej 12% dhe do të vazhdojnë të rriten me përqindje që do të varet nga shkalla e inflacionit. Marrëveshja që kemi nënshkruar me SASHK-un parashikon që në tre vitet e ardhshme të ketë rritje vjetore ndërmjet 7,5% dhe 10%, ndërsa në vitin e katërt rritja do të jetë ndërmjet 10% dhe 12%".
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, ku u diskutua për stabilitetin ekonomik të mësimdhënësve në të kaluarën dhe sot.
"Ndryshe nga më parë, kur mësimdhënësit ishin të detyruar të bënin grevë sot nuk kanë nevojë për diçka të tillë, pasiqë shteti tregon kujdes të vërtetë ndaj tyre. Jo vetëm që ka rritje reale të pagave, por mësimdhënësit përfitojnë edhe mundësi për zhvillim profesional dhe në karrierë", thеksoi Janevska.
Ajo gjithashtu informoi se gjatë një viti e gjysmë janë investuar 700 mijë euro në zhvillimin e kompetencave të mësimdhënësve. "Është ofruar katalog me trajnime për avancimin e aftësive të ndryshme, me fokus në përdorimin e inteligjencës artificiale, por edhe në metodat e mësimdhënies për lexim me kuptim".
“Kujdesi do të rritet, sepse mësimdhënësit janë lidhja më e rëndësishme në sistemin edukativo-arsimor. Ata i përcjellin njohuritë, dhe pa ta nuk mund të zbatohet asnjë ligj apo strategji", shtoi Janevska.
Rasti i dhunës mes të miturve që ndodhi javën e kaluar në Komunën e Sarajit vazhdon të trajtohet nga institucionet kompetente, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë ende në proces.
Nga shkolla fillore “Dituria” bëjnë të ditur se siguria në këtë shkollë ka nivelin e duhur megjithatë rastet e dhunës mes të miturve tregojnë se bashkëpunimi i vazhdueshëm mes prindërve, mësimdhënësve dhe nxënësve është thelbësor për parandalimin e situatave të tilla.
“Mendoj që çdo incident duhet trajtuar me seriozitet dhe përgjegjësi, pa paragjykime. Shkolla ka siguri të lartë, kemi rregulla të qarta sigurie në bashkëpunim me drejtoreshën. Edhe pse rasti ka ndodhur jashtë oborrit të shkollës dhuna asesi nuk arsyetohet por jemi në monitorim maksimal të ngjarjes. Fatkeqësisht, bashkëpunimi me prindërit është pak i dobët. Trekëndëshi prind-nxënës-arsimtar është shumë i rëndësishëm. Nëse kemi bashkëpunim të vazhdueshëm nuk besoj që arrijmë deri te këto probleme”, tha Meral Ademi, mësimdhënëse.
Edhe nxënësit shprehin shqetësim për rastin dhe theksojnë se konfliktet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe jo përmes dhunës, duke vënë në pah rëndësinë e komunikimit me prindërit, mësimdhënësit dhe shërbimet profesionale të shkollës.
“Ne besojmë në zgjidhjen e problemeve se problemet nuk duhet të zgjidhen me dhunë por me bisedë. Ne jemi shumë të rinj që të bëjmë gjëra të tilla, duhet të koncentrohemi në mësim”, u shpreh një nxënës.
“Ne gjithmonë kemi mësuar që respekt dhe bashkëpunim të kemi mes veti. Sidomos mësuesit na kanë folur për këto tema dhe besoj se të gjithë duhet të kemi bashkëpunim mes vete”, theksoi një nxënës.
“Çfarëdo lloj problemi të kemi duhet të shkojmë tek pedagogu apo psikologu që t’ia themi dhe ta zgjidhim më mirë”, tha një nxënës.
Pak ditë më parë në shkollën fillore Dituria në Saraj 6 nxënës të moshës deri 15 vjeçare rrahën brutalisht 2 nxënës të tjerë. Për 5 prej nxënësve dhunues vazhdon procedura hetimore dhe masat e kujdesit, ndërsa njëri prej tyre meqë është më i ri se 14 vjeç do të vijojë të ndiqet në procedurë të ndarë./Alsat/
Ministria e Transformimit Digjital njofton se kanë mbetur edhe 10 ditë për aplikimin për kuponët studentorë në vlerë të 15,300 denarëve, për blerje të pajisjeve teknologjike. Deri tani janë ndarë gjithsej 42.606 vauçerë, nga të cilët 27.426 janë përdorur.
“Sipas projektit aktual të Qeverisë, i cili realizohet në bashkëpunim mes Ministrisë së Transformimit Digjital, Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, janë paraparë gjithsej 55.000 vauçerë për pajisje elektronike për studentët e studimeve deridiplomike, të regjistruar në vitin akademik 2025/26,” thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Nga atje rikujtojnë se afati për aplikim nga studentët është deri më 20.12.2025, ndërsa përdorimi i vauçerëve do të mund të bëhet deri më 31.12.2025.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar në lidhje me tekstet që gjenden në librin e Gjeografisë për klasën e tetë, në të cilin kishte informacione të pasakta. Nga BDI thonë se ky libër është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025 dhe përmban formulime që shtrembërojnë realitetin historik dhe politik të Kosovës.
"BDI shpreh shqetësim të thellë për qasjen tendencioze dhe pasaktësitë e rënda që gjenden në librin e Gjeografisë për klasën e VII-të, botuar nga shtëpia botuese “Trimaks”, Shkup, dhe miratuar nga Komisioni Kombëtar për tekste shkollore më 5 gusht 2025. Ky libër është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025 dhe përmban formulime që shtrembërojnë realitetin historik dhe politik të Kosovës. Paraqitja e Kosovës si “gjendet në jugperëndim të Serbisë” i jep Serbisë rolin e pikë-referencës dhe anashkalon njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Maqedonia e Veriut. Përdorimi i termit “Metohi” për Rrafshin e Dukagjinit përbën një devijim të rëndë identitar dhe shkencor, duke u bërë mjet i narrativave historike serbe. Po ashtu, formulimi “Mitrovica e Kosovës” reflekton terminologjinë tendencioze serbe si “Kosovska Mitrovica” dhe nuk mund të jetë pjesë e një teksti shkollor të miratuar institucionalisht".
"Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi strukturat qeverisëse, të cilat perfaqësohen në Ministrinë e Arsimit dhe Komisionin për tekste shkollore, sepse miratimi i këtij libri në vitin 2025 tregon vasalitetin, servilitetin dhe tolerimin ndaj shtrembërimeve historike dhe identitare, duke rrezikuar edukimin e nxënësve dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar".
"BDI kërkon urgjentisht të tërhiqet libri nga përdorimi, të rishikohet dhe të korrigjohet përmbajtja sipas standardeve shkencore dhe të politikës shtetërore, të përcaktohet përgjegjësia institucionale dhe politike për këtë libër të botuar në 2025 dhe të garantohet neutraliteti akademik në të gjitha tekstet e ardhshme shkollore", thonë nga BDI.
Në fund thonë se do të ndjekin këtë çështje deri në korrigjimin e plotë dhe sqarimin institucional, në mënyrë që gjeneratat e reja të mos ekspozohen ndaj interpretimeve të gabuara për historinë dhe realitetin politik të Kosovës.
Në tekstin shkollor të Gjeografisë për klasën e VII-të, botuar nga shtëpia botuese “Trimaks”, Shkup dhe miratuar me vendim zyrtar nga Komisioni Kombëtar për Libra Mësimore më 5 gusht 2025, janë identifikuar një sërë pasaktësish dhe formulimesh të cilat, sipas mësimdhënësve dhe prindërve, shkaktojnë shtrembërime historike dhe nxisin interpretime të gabuara për Republikën e Kosovës.
Libri, i përgatitur nga autori Bllagoja Markoski, me recensentë Dragan Kollçakovski, Nikolla V. Dimitrov dhe Nevenka Stoeva, i përkthyer në gjuhën shqipe nga Roland Poloska dhe i lekturuar nga Farketa Dibra Zeqiri është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025. Megjithatë, pavarësisht procesit të recensimit dhe aprovimit, njësia mësimore për Kosovën ka nxitur reagime për shkak të disa përmbajtjeve të konsideruara të papërshtatshme.
Kritikat fillojnë me mënyrën se si teksti e përcakton pozitën gjeografike të Kosovës, duke theksuar se “gjendet në jugperëndim të Serbisë”, një formulim që nuk përdoret për asnjë shtet tjetër në libër. Mësimdhënësit vlerësojnë se një qasje e tillë i jep Serbisë rolin e pikë-referencës për Kosovën, duke anashkaluar faktin se Maqedonia e Veriut e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe se praktika shkencore kërkon përshkrimin e pozitës brenda Gadishullit Ballkanik, njësoj si për vendet e tjera.
Polemikat thellohen edhe më shumë me përdorimin e termit “Metohia” për zonën e Rrafshit të Dukagjinit. Për mësimdhënësit, futja e tij në një libër mësimor në gjuhën shqipe përbën devijim të rëndë nga standardet shkencore dhe rrezikon të ngulë te nxënësit një perspektivë të huaj dhe të njëanshme për territorin e Kosovës.
Reagime ka shkaktuar edhe përdorimi i formulimit “Mitrovica e Kosovës”, që nuk përputhet me emërtimin zyrtar të qytetit. Sipas kritikëve, ky lloj terminologjie reflekton qasje të terminologjisë serbe “Kosovska Mitrovica” dhe nuk duhet të jetë pjesë e një teksti shkollor të aprovuar institucionalisht.
Duke qenë se libri ka kaluar nëpër duart e recensentëve universitarë dhe është miratuar nga organi më i lartë shtetëror për libra mësimorë, shumë prindër dhe profesionistë të arsimit kërkojnë përgjegjësi për këto gabime të lejuara. Ata shtrojnë pyetjen se si një tekst me elemente kaq të ndjeshme politike ka marrë aprovimin përfundimtar, duke rrezikuar që nxënësit të marrin njohuri të shtrembëruara për historinë dhe realitetin politik të Kosovës.
Ekspertët e arsimit kërkojnë rishikim urgjent të njësisë mësimore, korrigjim të terminologjisë dhe harmonizim me standardet shkencore dhe me politikat shtetërore të Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që brezat e rinj të mos ekspozohen ndaj interpretimeve të gabuara të një teme kaq të rëndësishme historike dhe gjeopolitike.
Për të sqaruar këto çështje, Alsat dërgoi pyetje në Ministrinë e Arsimit megjithatë, deri në këto momente nuk morëm asnjë përgjigje.
Ndryshe, termi “Metohi” (në serbisht Metohija) vjen nga fjala greke “metohion”, që do të thotë pronë manastiri ose tokë e shenjtë e në pronësi të kishave dhe manastireve.
Me kalimin e kohës, Serbia e përdori termin “Metohija” si emërtim gjeografik-politik, duke e lidhur atë me pretendimet historike dhe territoriale ndaj Kosovës.
Në kontekst shkollor në Maqedoninë e Veriut, përdorimi i këtij termi cenon neutralitetin akademik dhe krijon shtrembërime të realitetit gjeopolitik, sidomos kur vendi e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Prandaj, përdorimi i “Metohi” në një libër shkollor është i pasaktë, joprofesional dhe i papranueshëm nga këndvështrimi i standardeve edukative dhe të politikës së jashtme të vendit. /Alsat/
Fakulteti Pedagogjik "Shën Klimenti i Ohrit" në Shkup shënon tri dekada punë në arsimin e lartë, megjithëse mund të flasim për një vazhdimësi më të gjatë se shtatë dekada, që nga Maqedonia e pasluftës, nga themelimi i Shkollës së Lartë Pedagogjike në vitin 1947 në Shkup.
Falënderime për të gjithë ata që ndër vite i kanë përgatitur mësimdhënësit e ardhshëm dhe për ata që më pas kanë ushtruar profesionin e mësuesit në Maqedoni dhe kanë vënë themelet e shtetit, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në Akademinë Solemne me rastin e jubileut.
"Arsimi cilësor bazohet në mësimdhënës të mirë. Mund të keni programet më të mira mësimore dhe klasa të pajisura me mjete bashkëkohore, por nëse nuk ka mësues të mirë që t’i gjallërojë ato, nuk ka arsim cilësor. Prandaj, Fakulteti Pedagogjik ka rol të pazëvendësueshëm si institucion arsimor”, theksoi Janevska.
Në kuadër të fakultetit funksionojnë tre institute: për arsimin parashkollor, për grupin klasor dhe për bibliotekari, ndërsa realizohen studime të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë.
Ministrja Janevska theksoi se për realitetin e ri, të formësuar nga transformimi digjital dhe inovacionet teknologjike, janë të nevojshëm mësimdhënës që në moshën e hershme të fëmijërisë të vendosin themele të forta për të mësuarit, njohuritë, të menduarit, si dhe për aftësi të tjera sociale, të cilat më pas, gjatë procesit edukativo-arsimor, do të zhvillohen dhe avancohen. “Reformoni programet ekzistuese. Bordi i akreditimit do t'iu mbështesë dhe bordi i vlerësimit do t'ju ndihmojë të identifikoni sfidat. Të gjithë segmentet e sistemit arsimor duhet t’i përmirësojmë shpejt, nëse duam të rrisim cilësinë. Duhet të përforcojmë kapacitetet e edukatorëve dhe të mësimdhënësve të grupit klasorë, ndërsa Fakulteti Pedagogjik duhet të përfshihet në procesin e trajnimit dhe zhvillimit të tyre profesional”, theksoi ministrja.
Gjatë panel diskutimit organizuar me rastin e jubileut, ministrja Janevska u shpreh se arsimi ynë në tërësi ka hapësirë për përmirësim, dhe për këtë qëllim në rrjedhë janë reformat që përfshijnë edhe ndryshimin e programeve mësimore dhe trajnime për mësimdhënësit.
"Fëmijët tanë nuk janë më pak të aftë se bashkëmoshatarët e tyre evropianë për të qenë në fund të tabelave të testeve ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse ne do ta zgjasim kohën ata e kalojnë në shkollë, dhe kjo do të shfrytëzohet për të zhvilluar njohuri dhe aftësi të krahasueshme me ato që kanë nxënësit në Evropë. Për t’i përgatitur mësimdhënësit që të kalojnë nga ligjërues të thjeshtë të fakteve në udhëzues dhe partnerë në procesin e të mësuarit, ata do të ndjekin trajnime të nevojshme, përfshirë edhe për lexim me kuptim”, theksoi Janevska.
"Për t'i përgatitur mësimdhënësit që të kalojnë nga ligjërues faktesh në udhërrëfyes dhe partnerë në të mësuar, do të ndjekin trajnimin e nevojshëm, duke përfshirë edhe leximin me kuptim", theksoi Janevska.
Po përgatiten koncepte të reja për arsimin e mesëm gjimnaz dhe atë artistik, pas të cilave do të pasojnë programe mësimore të reja, tekste mësimore të reja, programe të reja provimesh për maturën shtetërore, dhe kur të mblidhen përvojat, do të miratohet Ligj i ri për Arsimin e Mesëm.
Në arsimin e lartë, i cili ka efikasitet të ulët të matur mbi bazën e kalueshmërisë dhe përfundimit në kohë të studimeve, do të forcohen mekanizmat për sigurimin e cilësisë sipas standardeve evropiane, përmes avancimit të agjencive të vlerësimit dhe të akreditimit, ndërsa universitetet duhet të përqendrohen në përmirësimin e relevancës së programeve studimore.
Rritja e një fëmije në Maqedoni u kushton prindërve nga 150 deri në 200 mijë denarë në vit, që i bie rreth 12–16 mijë denarë në muaj. Këto janë shpenzime për një jetë elementare thonë nga “Qendra për Barazi dhe Drejtësi” të cilët kanë anketuar 650 prindër që kanë fëmijë të moshave të ndryshme.
“Ajo që u nxor si përfundim te ne i konfirmon edhe hulumtimet e shteteve të tjera, e kjo sipas hulumtimit tonë – shpenzimet për fëmijët më të vegjël dhe të grupmoshave më të mëdha janë më serioze, pra familjeve që kanë foshnja dhe tinejxherë u duhen më së shumti resurse financiare, për të pasur një jetë cilësore dhe qasje për në arsim dhe shërbime tjera të fëmijëve”, tha Katerina Shapkova-Kocevska, profesoreshë, hulumtuese.
Ndonëse thuhet se arsimi i fëmijëve është falas, prindërit kanë harxhime të mëdha shtesë thonë nga qendra që e ka realizuar hulumtimin. “Gjithashtu analiza ka treguar se për ato shërbime për të cilat shteti thotë se janë falas – si për shembull – shkollimi, ka shumë shpenzime të fshehura siç janë edhe pagesa e uniformave, pagesë për libra, për materiale higjienike për kopshte, kështu që prindërit ballafaqohen me shumë harxhime shtesë edhe pse shteti u thotë se janë falas”, u shpreh Neda Çallovska-Dimovska, “Qendra për barazi dhe drejtësi”.
Prindërit pjesë e hulumtimit kanë thënë se mbështetja që e jep shteti për ta nuk është e mjaftueshme për rritjen e fëmijëve dhe kur ka dy ose më shumë fëmijë, rritet norma e varfërisë për familjen. Pas kësaj nga organizata “Qendra për barazi dhe drejtësi” kërkojnë që shteti të angazhohet seriozisht në politikat demografike dhe të revidojë programet për mbështetje të familjeve. (Tv21)
"Qeveria është e vendosur fuqimisht ta zbatojnë Strategjinë për Specializimin intelegjent të Maqedonisë, e cila do të mundësojë të ndërtojmë shoqëri të bazuar në dije dhe inovacion, ndërsa Qendra e Përbashkët Kërkimore e Komisionit Evropian mbetet partneri ynë më i rëndësishëm në përmbushjen e këtij qëllimi. Jemi mirënjohës për mbështetjen e deritanishme dhe i pranojmë të gjitha sugjerimet për përmirësimin e politikave të ardhshme të lidhura me zhvillimin e shkencës dhe inovacionit".
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në konferencën për procesin e specializimit intelegjent të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet sot në Bruksel, organizuar nga Qendra e Përbashkët Kërkimore e Komisionit Evropian, ku ajo i prezantoi rezultatet e deritanishme nga zbatimi i Planit të Veprimit 2024–2025 të Strategjisë për Specializimin Intelegjent të shtetit.
Plani i Veprimit për periudhën 2024–2025 përfshin 35 masa dhe 63 aktivitete me buxhet prej 6,1 milionë euro. Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e përfshirë në 31 aktivitete , ndërsa sipas analizës, deri tani janë realizuar mbi 80% e detyrimeve të parashikuara,” theksoi Janevska, duke shtuar se plani i ri i veprimit për periudhën 2026–2027 është në përgatitje dhe se në të do të integrohen rekomandimet e Qendrës së Përbashkët Kërkimore të KE-së për forcimin e qëndrueshmërisë financiare, angazhimin e sektorit privat dhe përmirësimin e mekanizmave për monitorimin dhe vlerësimin e Strategjisë për Specializimin Intelegjent.
Ministrja theksoi se këtë vit Qeveria pothuajse e ka dyfishuar buxhetin për shkencë dhe kërkime krahasuar me vitin 2024, ka financuar zbatimin e projekteve të institucioneve publike shkencore dhe të arsimit të lartë, të ASHAM-it dhe komunitetit të biznesit, të cilat janë të lidhura ngushtë me objektivat e Strategjisë për Specializimin Intelegjent, si edhe se është miratuar Ligji i ri për Veprimtarinë Inovative, Zhvillimin Shkencor-Teknologjik dhe ndërmarrësinë, mbi bazën e të cilit është themeluar edhe Agjencia e re Kombëtare për Inovacione dhe Ndërmarrësi – INOVA. Në proces përgatitjeje janë edhe Ligjet e reja për Arsimin e Lartë dhe për Veprimtarinë Kërkimore- Shkencore.
“Do të dëshiroja të ndaj nismën tonë kombëtare të fundit për themelimin e Parkut Shkencor- Teknologjik, që paraqet prioritet kyç strategjik për Qeverinë. Jemi plotësisht të përkushtuar për realizimin e tij të suksesshëm dhe aktualisht po e përgatisim dokumentacionin e nevojshëm në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha palët e interesuara. Është planifikuar që zbatimi i projektit të fillojë në vitin 2026, duke shënuar pikë kthese të rëndësishme në avancimin e zhvillimit teknologjik dhe inovacioneve në vendin tonë", potencoi Janevska.
Ministrja theksoi se shteti ka bashkëpunim të shkëlqyer me Qendrën e Përbashkët Kërkimore të KE-së, me të cilën vitin e kaluar MASH nënshkroi memorandum bashkëpunimi, dhe laboratorët e Qendrës u bënë të qasshëm për shkencëtarët dhe hulumtuesit maqedonas. Ajo tha se vitin e ardhshëm do të shpallet edhe thirrje për mbështetje financiare të shkencëtarëve, me qëllim të stimulimit të shfrytëzimit më të madh të laboratorëve.
Në konferencë, krahas ministres Janevska, morën pjesë edhe komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, drejtori i përgjithshëm i JRC-së, Bernard Magenhan, si dhe ministra dhe përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
"Nuk ka politika kombëtare të suksesshme pa përfshirjen e sektorit civil në krijimin e tyre. Për qeverinë aktuale, kjo nuk ka dyshim dhe për këtë arsye është parim thelbësor i punës", tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në panel diskutimin të dedikuar arsimit, në kuadër të Forumit Kombëtar për Bashkëpunim midis sektorit qeveritar dhe joqeveritar, i cili organizohet për herë të dytë radhazi nga Qeveria dhe Civika Mobilitas.
"Kontributi i organizatave qytetare është jashtëzakonisht i rëndësishëm në avancimin e deritanishëm të legjislacionit, në definimin e masave sistematike, projekteve dhe aktiviteteve, në rritjen e vetëdijes për tema dhe çështje të caktuara si multikulturalizmi, toleranca, respektimi i diversiteteve etj. Do ta zhvillojmë këtë marrëdhënie, sepse sektori civil është ai që i vë re fillimisht sfidat dhe anomali, prandaj gjithmonë ka propozimet më të shumta dhe më të qëndrueshme që mund të integrohen në politikat e Ministrisë", theksoi Janevska.
Gjatë takimit me përfaqësuesit e organizatave të shoqërive civile, Janevska iu përgjigj disa pyetjeve lidhur me situatën aktuale në arsim. E pyetur se kur do të përgatitet Ligji i ri për Arsimin e Lartë, ajo tha se pret që kjo të ndodhë deri në fund të vitit.
"Qeveria e kaluar miratoi zgjidhje ligjore shumë më të keqe se ajo që ekzistonte deri atëherë. Shkurtuan shumë të drejta të studentëve, e bënë më të lehtë lëvizjen e kuadrit mësimdhënës dhe shkencor, por me këtë ulën cilësinë e arsimit të lartë. Ne tani po përdorim qasje të vërtetë inkluzive – formuam trup koordinues kombëtar për reforma dhe përmes tij po përgatitet Ligj i ri për Arsimin e Lartë, si dhe për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore. Profesorët dhe studentët do të thonë se çfarë është e mirë dhe çfarë nuk është. Më pas do të pasojë diskutim publik përmes ENER-it dhe në Kuvend, për të qenë të sigurt që ka konsensus midis të gjitha palëve", tha ministrja.
Gjithashtu informoi se edhe Strategjia për Arsimin 2026-2032 është në fazën përfundimtare të hartimit. Në proces janë të përfshira më shumë institucione dhe organizata vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa versioni më i mirë që do të plotësojë strategjinë e mëparshme, do të fokusohet në sfidat e pazgjidhura, por edhe në ndjekjen e trendeve dhe standardeve globale të reja.
Universiteti "Nënë Tereza" në Shkup ka reaguar në lidhje me njoftimet që qarkullojnë në disa media, lidhur me kampusin e këtij universiteti.
"Dëshirojmë të informojmë opinionin publik lidhur me lajmet e pavërteta që po qarkullojnë për “zhdukjen” e projektit të Kampusit Universitar të UNT-së. Sqarojmë se projekti nuk është anuluar, nuk është ndërprerë dhe se kemi marrë konfirmim zyrtar se fondet do të alokohen në disa faza, në përputhje me dinamikën e realizimit dhe me ndarjet buxhetore vjetore.
Kampusi është një projekt shumë me rëndësi për UNT, madhor dhe shumëvjeçar për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, i cili, si çdo investim kapital i rëndësishëm, realizohet me faza të mirëstrukturuara. Buxheti vjetor mbulon vetëm fazën e punimeve që zhvillohet gjatë atij viti dhe jo shumën e përgjithshme të parashikuar deri në përfundimin e projektit", thuhet në reagim.
Nga atje kërkojnë nga opinioni publik dhe të gjithë arsimdashësit që të mos bien pre e keqinformimeve dhe të mos dëmtojnë reputacionin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, por ta mbështesin dhe ta mbrojnë institucionin tonë sipas mundësive të tyre.
Buxheti i vitit të ardhshëm nuk ndan qartazi mjetet që do të duhet të ishin ndarë për ndërtimin e Kampusit të Universitetit Nënë Tereza.
Është e paqartë nëse do të gjendet mjetet nga buxheti dhe nëse mund të fillojë ndërtimi, ashtu siç ishte premtuar. Në buxhet parashikohet qartë ndërtimi i Fakultetit të shkencave informatike dhe inxhinierisë kompjuterike dhe i Fakultetit për kulturë fizike, por jo edhe investime shtesë në buxhetin e Universitetit Nënë Tereza me të cilat do të fillonte realizimi i asaj që është premtuar.
Qeveria miratoi vendimin për ndërtimin e kampusit Universitar Nënë Tereza më 3 shtator 2024 në vlerë prej 34.5 milion eurove. Në tetor të këtij viti, ish zv.kryeministri Mexhiti tha se Ministria e Transportit kishte miratuar kalimin e tokës në pronësi të Universitetit, me të cilën gjë, sipas tij, praktikisht fillon realizimi i projektit.
Deri tani, UNT-së i janë lëshuar rreth 150 milionë denarë për fazën përgatitore të projektit, por që hynë në buxhetin e vitit 2025-së. Për më tepër, Universitetit Nënë Tereza madje i është shkurtuar buxheti prej 385 milion sa ka në vitin 2025, në 360 milion denarë për vitin 2026.
Buxheti për vitin e ardhshëm prek negativisht edhe Agjencinë për zbatimin e gjuhëve. Ky organ do të ketë të ardhura prej 5 milion denarësh më pak se sa në vitin 2025. Inspektorati për zbatimin e gjuhëve, tashmë si organ në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, edhe pse vazhdimisht ka kërkuar rritje të buxhetit për të shtuar kuadrin, nuk do ta marrë atë as vitin e ardhshëm. Inspektorati madje në vitin e ardhshëm do të ketë 275 mijë denarë më pak.
Buxheti 2026 – Inspektorati për përdorimin e gjuhëve 2025 – 16 886 000 denarë 2026 – 16 611 000 denarë
Inspektorati përballet me numër shumë të ulët të inspektorëve për shkak të mungesës së buxhetit, mungesën e kompjuterëve dhe kushteve teknike, kurse inspektorët përdorin veturat private për punën në terren.
Rritje të dukshme në buxhet ka Universiteti i Tetovës, edhe atë prej 400 milion denarësh./ (Alsat.mk)
Duke filluar nga sot, më 17 nëntor, studentët në vend mund të aplikojnë për kupon me vlerë 15,300 denarë për blerjen e pajisjeve elektronike.
"Thirrja publike u shpall nga Ministria e Transformimit Dixhital, dhe rreth 55,000 studentë të rregullt dhe me korrespodencë kanë të drejtë të aplikojnë", tha zëdhënësja e qeverisë, Venera Azizi.
“Të gjithë studentët duhet të identifikohen në sistemin e shërbimeve elektronike në faqen e internetit uslugi.gov.mk, ku është publikuar edhe lidhja për Thirrjen Publike për Kupon Elektronik”, shpjegoi Azizi.
Ajo shtoi se studentët që hasin probleme me aplikacionin mund të shkarkojnë konfirmim nga universiteti i tyre dhe ta ngarkojnë atë në sistemin e shërbimeve elektronike. Në rast se sistemi i informon se nuk janë të regjistruar në regjistrin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, studentët do të drejtohen në një aplikacion tjetër ku do të duhet të paraqesin një konfirmim të statusit të tyre si student.
Menjëherë pas shpalljes së thirrjes, rreth 1,000 studentë kanë aplikuar tashmë. Pajisjet e blera duhet të tërhiqen jo më vonë se 31 dhjetor.
"Maqedonia do të marrë mbështetje në përpjekjet e saj për të avancuar arsimin e lartë nga Egjipti, vend universitetet e të cilit po ngjiten me shpejtësi në rang listën globale ndërsa do të thellohet bashkëpunimi dypalësh në fushën e shkencës dhe kërkimeve". Kjo u konfirmua gjatë takimit mes ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe ministrit egjiptian për Arsimin e Lartë dhe Kërkime Shkencore, Mohamed Ajman Ashur, që u mbajt dje në Kajro.
"Trupi punues i përbërë nga përfaqësues që do të emërojnë ministritë përkatëse të të dyja shteteve do të përcaktojë aktivitete konkrete që do të thellojnë bashkëpunimin dhe do të shqyrtohen mundësitë për krijimin e programeve të përbashkëta studimore me diploma të dyfishta. Në fokus do të jenë arsimi i lartë në fushën e mjekësisë dhe shkencave teknike, me theks të veçantë në inxhinierinë kompjuterike dhe bujqësinë".
"Ministrja Janevska prezantoi ndryshimet që kanë filluar në fushën e arsimit të lartë në Maqedoni, duke theksuar se aktualisht është duke u përgatitur edhe zgjidhje e re ligjore ndërsa efektet e planit të reformës priten në afat mesatar prej 5 vjetësh. Gjithashtu u fokusua në rritjen e konsiderueshme të buxhetit për shkencën dhe financimin e numrit të rritur të projekteve shkencore dhe kërkimore me interes për shtetin dhe opinionin, miratimin dhe zbatimin e Strategjisë për specializim intelegjent të shtetit, ndërsa gjithashtu theksoi se Ministria ka iniciuar procedurë për themelimin e parkut të parë shtetëror shkencoro-teknologjik, i cili do të jetë nën juridiksionin e shtetit", thonë nga MASH.
Ministri Ashur prezantoi pikat e forta të sistemit të arsimit të lartë egjiptian dhe politikat që ndihmojnë në përshpejtimin e avancimit të universiteteve shtetërore në rangimet ndërkombëtare.
Ai shprehu gatishmërinë që gjatë këtij muaji të formohet trupi punues përmes të dy shteteve, ndërsa herën tjetër do të mbahet takim i drejtpërdrejtë i rektorëve të gjashtë universiteteve shtetërore të Maqedonisë dhe rektorëve të atyre më të shquara egjiptiane, siç është Universiteti i Kajros.
Ai ndau përvojën kombëtare me krijimin e parqeve shkencore dhe teknologjike dhe qendrave të ekselencës, që do të jetë shumë e dobishme për Maqedoninë për të realizuar të njëjtin qëllim.
Në takim u shqyrtua progresi dhe hapat e ardhshëm për përfundimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjeve Kolektive me pesë universitetet shtetërore. Palët theksuan rëndësinë e përfundimit të këtij procesi brenda afateve të parapara, duke e konsideruar atë si një hap të domosdoshëm për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe përmirësimin e statusit të punonjësve akademikë.
Kryetari Gashi nënvizoi se Kuvendi është plotësisht i angazhuar dhe vepron me prioritet për përmbylljen e këtij procesi: “Nënshkrimi i Marrëveshjes Kolektive është një qëllim i lartë edhe për mua personalisht, por mbi të gjitha është thelbësor për profesorët dhe për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë.”
Në anën tjeter, profesorët përfaqësues të sindikatave, e vlerësuan Kryetarin e Kuvendit Gashi për angazhimin e vazhdueshëm, qasjen konstruktive dhe qëndrimin konsekuent në mbështetje të univeristeteve, duke nënvizuar veprimin ekspeditiv të Kuvendit në adresimin e kërkesave të tyre si një shembull të mbështetjes institucionale.
“Ju jeni kryetari I parë I Kuvendit që I dolët në krah të gjitha universiteteve për nënshkrimin e Marrëveshjeve Kolektive, kjo na jep besim se procesi do të përfundojë me sukses,” potencoi një nga përfaqësuesit.
Palët u pajtuan që të intensifikojnë punën dhe të përgjigjen obligimeve të tyre në kohë për të ardhur tek realizimi i angazhimit të përbashkët për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në vend.
Më shumë se 1,000 studentë kanë ngelur pa subvencione për ushqim për nëntor për shkak të mbikëqyrjeve administrative dhe koordinimit të pamjaftueshëm midis fakulteteve dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), thonë informacionet nga platforma e mbrojtjes së studentëve "Studentaria" dhe nga vetë Ministria.
Sipas tyre, disa fakultete nuk i kanë dorëzuar listat e studentëve të regjistruar në kohë te ministria, prandaj shumë prej tyre u është hequr përkohësisht e drejta për subvencione për ushqim.
"Çdo muaj kur studentët aplikojnë për ushqim, Ministria përditëson të dhënat. Nëse një student çregjistrohet ose humbet statusin, e drejta e tij hiqet", shpjegoi për mediat Goshe Nikolov nga "Studentaria".
Ai shton se problemi me listat e vonuara ose të padërguara përsëritet çdo vit akademik.
"Disa fakultete, nuk i kanë dërguar listat e studentëve në kohë në fillim të vitit akademik. Si rezultat, Ministria ia hoqi të drejtën për ushqim studentëve të regjistruar atje. E njëjta gjë ndodh pothuajse çdo vit sepse nuk ka koordinim të mjaftueshëm midis fakulteteve dhe Ministrisë", shtoi Nikolov.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës konfirmoi se pagesa e subvencioneve të vakteve të studentëve bëhet në përputhje me listat e paraqitura nga institucionet e arsimit të lartë dhe se nuk mund të bëhet pa të dhëna të konfirmuara dhe të përditësuara./Telegrafi/
"Shkenca në Maqedoni po bëhet gjithnjë e më e dukshme jo vetëm si temë diskutimi, por edhe si fushë veprimi. Këtë e vërteton edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian mbi përparimin e vendit në fushën e shkencës, dhe përbën rezultat të politikave kombëtare efektive dhe të buxhetit dukshëm të rritur për mbështetjen e veprimtarisë kërkimore-shkencore. Nga 380 milionë denarë në vitin 2024, buxheti u rrit në 680 milionë denarë në vitin 2025, ndërsa për vitin e ardhshëm 2026 është paraparë buxhet rekord prej 1,37 miliardë denarësh për shkencën", thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Gjithashtu thonë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës këtë vit kalendarik, përmes tre thirrjeve për shpërndarjen e mjeteve, ka stimuluar realizimin e projekteve shkencore dhe kërkimore në universitetet publike, fakultetet dhe institucionet shkencore, në ASHAM dhe komunitetin e biznesit, të cilat janë në përputhje me qëllimet e Strategjisë për Specializim Inteligjent të Maqedonisë. Projektet po realizohen me sukses.
“Shkenca është shtylla e zhvillimit shoqëror, dhe për këtë arsye në vitin 2026 buxheti për shkencën do të arrijë 1,37 miliardë denarë, me të cilët do të vazhdojë financimi i projekteve kërkimore-shkencore, për zhvillimin e resurseve laboratorike, pjesëmarrjen në konferenca shkencore ndërkombëtare dhe organizimin e atyre vendore, botimin e punimeve shkencore në revista me faktor impakti, ndarja e bursave për shkencëtarë të rinj, bursave për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve në vend, si dhe organizimi i qëndrimeve shkencore dhe studimore jashtë vendit".
"Veçanërisht gëzon rritja e interesit te të rinjtë për të u marrë me shkencë dhe inovacione, e cila reflektohet në shfrytëzimin e masave që MASh i vë në dispozicion, kështu që, së bashku me institucionet e tjera kompetente qeveritare, vazhdojmë t’i mbështesim ata në realizimin e ambicieve personale", thonë nga MASH.
Politikat zhvillimore marrin vazhdimësi, sepse çdo investim në shkencë shpërblehet dhe se për mjete dhe punë në këtë sektor nuk duhet kursyer. Urime 10 Nëntori – Dita Botërore e Shkencës!”, thonë në MASH.
Mbi 2.000 studentë nuk i morën paratë e subvencionuara të ushqimit studentor në kohë në fillim të vitit akademik.
Sipas informacioneve nga platforma e mbrojtjes së studentëve "Studentaria" dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), arsyeja është se disa fakultete nuk i dorëzuan në kohë listat e studentëve të regjistruar në Ministri, kështu që shumë prej tyre u është hequr përkohësisht e drejta për ushqim.
"Çdo muaj kur studentët aplikojnë për ushqim, Ministria i përditëson të dhënat. Nëse një student braktis studimet ose humbet statusin, e drejta e tij hiqet", shpjegon Goshe Nikolov nga Studentaria.
Sipas tij, problemi i listave të padorëzuara ose të vonuara përsëritet çdo vit akademik.
"Disa fakultete, përfshirë FEIT, Universitetin Nënë Tereza dhe Fakultetin e Pedagogjisë, nuk i dërguan listat e studentëve në kohë në fillim të vitit akademik. Si rezultat, Ministria ua hoqi të drejtën për ushqim studentëve të regjistruar atje. E njëjta gjë ndodh pothuajse çdo vit sepse nuk ka koordinim të mjaftueshëm midis fakulteteve dhe Ministrisë", shton Nikolov.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës thotë se pagesa e subvencioneve të vakteve të studentëve bëhet sipas listave të paraqitura nga institucionet e arsimit të lartë dhe se Ministria e Arsimit nuk mund të kryejë pagesa pa të dhëna të konfirmuara dhe të përditësuara. Ata theksojnë se "në shumicën e rasteve, vonesa është për shkak të arsyeve teknike nga ana e fakulteteve" dhe se pagesat për studentët që mbetën pa vakte janë bërë pasi fakultetet kanë paraqitur listat e korrigjuara.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit organizojnë debat publik për listën e re të propozuar të librave letrarë për arsimin fillor dhe ftojnë të gjitha palët e interesuara – mësuesit, shërbimet profesionale dhe faktorët e tjerë në arsim – “të përfshihen aktivisht në përcaktimin e një liste bashkëkohore, gjithëpërfshirëse dhe cilësore të librave, që do t’u përgjigjet nevojave reale të nxënësve dhe procesit mësimor".
MASH në faqen e saj zyrtare ka publikuar listën e propozuar të librave, duke theksuar se nevoja për përditësim të kësaj liste vjen “nga synimi për përputhje të vazhdueshme të përmbajtjeve mësimore me qëllimet bashkëkohore arsimore, karakteristikat zhvillimore të nxënësve dhe kontekstin e tyre social e emocional".
"Lista e propozuar është përgatitur mbi bazën e listës që zbatohej në mësim nga viti shkollor 2019/2020. Disa tituj janë hequr për shkak të lexueshmërisë së ulët, mospërshtatshmërisë me moshën apo përmbajtjen. Për shkak të ndryshimeve në programet mësimore dhe lidhjeve ndërdisiplinore në mësim, disa vepra janë zhvendosur në klasa të tjera ose kanë marrë status të ri – nga të detyrueshme janë bërë zgjedhore dhe anasjelltas. Në propozim janë përfshirë vepra që trajtojnë tema bashkëkohore dhe të rëndësishme, si: identiteti dhe vetëbesimi, miqësitë dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore, jeta shkollore dhe bullizmi, sfidat emocionale dhe psikologjike, shumëllojshmëria kulturore, përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Qëllimi është që nxënësit të lexojnë përmbajtje që janë të afërta me realitetin e tyre, por, shton MASH, “edhe mjaftueshëm të thelluara për analizë dhe interpretim simbolik, që nxisin të menduarin kritik, diskutimin dhe zhvillimin personal.”
Lista e propozuar e librave për lexim është e hapur për sugjerime për të gjitha klasat nga e dyta deri në të nëntën. Parashihet gjithashtu mundësia e përfshirjes së një vepre nga letërsitë kombëtare të të gjitha gjuhëve mësimore, me kusht që çdo vepër të përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare të mësimdhënies në Maqedoninë e Veriut.
Në njoftimin e MASH është publikuar edhe formulari për propozimin e një libri, i cili duhet të dërgohet më së voni deri në fund të këtij muaji (30 nëntor) në adresën elektronike të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit: bro.macedonia@bro.gov.mk.
"Shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të përparojnë më lehtë kur së bashku dhe të zëshëm reflektojnë mbi atë se çfarë i nevojitet arsimit në secilin prej vendeve. Ne jemi popujtë ngjashëm, me zakone, kultura dhe tradita të afërta, e kjo do të thotë edhe sisteme arsimore dhe sfida të ngjashme. Pikërisht për këtë arsye, i kuptojmë më lehtë problemet e përbashkëta dhe mund të gjejmë më shpejt zgjidhje që, me përshtatje të vogla, mund të zbatohen në vendet tona".
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në hapjen e Dialogut Rajonal për Politika për Arsim Cilësor, që po mbahet në Shkup, i organizuar nga Zyra Rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azinë Qendrore, në bashkëpunim me OECD-në dhe Komisionin Evropian.
"Në Maqedoni tashmë prej 16 muajsh po punon Qeveri e re, e cila me shumë entuziazëm ka nisur agjendë të re reformuese në arsim. Më parë kemi parë shumë përpjekje, por pak vazhdimësi. Ministrat ndryshoheshin shumë shpejt, me mandat mesatar prej një viti e gjysmë, secili me prioritetet dhe idetë e veta. Këtë herë, me parimshmërinë dhe vendosmërinë e kësaj Qeverie, jam e bindur se përpjekja e investuar do të japë rezultate në afat të mesëm”, theksoi Janevska.
Dialogu është mundësi për ekspertët nga Rajoni në bazë të kërkimeve ndërkombëtare mbi atë sa kanë mësuar nxënësit dhe si punojnë mësimdhënësit, të shkëmbejnë praktikat e mira dhe të hartojnë zgjidhje praktike për përmirësimin e rezultateve të të mësuarit.
"Sigurisht që nuk jemi të kënaqur me rezultatet e testimeve PISA. Kjo nuk do të thotë se nxënësit tanë nuk kanë njohuri, por se duhet t’i përgatisim më mirë për mënyrën se si testohen kompetencat e tyre", tha Janevska, duke shtuar se me hapat konkretë për ndryshime që do të sjellin rezultate më të mira, përfshihen të gjithë segmentet e sistemit arsimor.
Në arsimin fillor dhe të mesëm po ndryshohen programet mësimore, po përgatiten tekste shkollorebashkëkohore, po investohet në pajisje të avancuara, veçanërisht në fushën e shkencave natyrore. Vëmendje e veçantë i kushtohet arsimit profesional; tashmë janë formuar 7 nga 8 qendra rajonale për arsimin dhe trajnimin profesional, nga të cilat 4 janë plotësisht të pajisura dhe funksionale.
Janevska theksoi se vetëm brenda 16 muajve janë investuar 64 milionë euro rekord në infrastrukturën arsimore. Pagat e mësimdhënësve janë rritur për 12%, dhe përmes zhvillimit profesional dhe karrierës ata mund të përparojnë, gjë që sjell edhe të ardhura personale më të mëdha.
"Gjithërfshirja është një nga prioritetet tona më të rëndësishme. Numri i kuadrit ndihmës në shkolla është rritur ndjeshëm, dhe janë formuar edhe shkolla fillore dhe të mesme shtetërore me qendra burimore. Po punojmë gjithashtu në optimizimin e rrjetit shkollor dhe në futjen e mësimit me një turn, në mënyrë që nxënësit të kalojnë më shumë kohë aty ku më së shumti mësojnë dhe zhvillohen – nëpër klasa,” potencoi ministrja Janevska.
Me qëllim që reforma të ketë vazhdimësi, Janevska e arsyetoi iniciativën për miratimin e Deklaratës Kombëtare për Arsimin, si dokument parlamentar që do të shërbejë si udhërrëfyes dhe garanci se, pavarësisht ndryshimeve politike, zhvillimi i arsimit nuk do të pësojë ngecje apo kompromise.
Në email adresat e gjithsej 47 shkollave në Shkup dhe në Kumanovë kanë arritur kërcënime për bomba të vendosura të cilat do të aktivizoheshin mëngjesin e sotëm. Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se janë kryer kontrolle dhe konfirmuan se paralajmërimet janë të rreme.
“Në SPB Shkup dhe SPB Kumanovë dje rreth orës 18 është denoncuar se në email adresat e 30 shkollave në Shkup dhe 17 në Kumanovë, kanë arritur mesazhe për pajisje eksplozive të vendosura në shkolla. Menjëherë janë ndërmarrë masa dhe aktivitete të nevojshme, janë kryer kontrolle dhe është konfirmuar se bëhet fjalë për denoncime të rreme”, njoftojnë nga MPB-ja.
Një prej shkollave e cila u kontrollua mëngjesin e sotëm, ishte shkolla fillore “Hasan Prishtina” në Çair. Kërcënimi kishte arritur dje në email adresën e vjetër të shkollës, adresë e cila nuk kontrollohet rregullisht. Drejtoresha e kësaj shkolle, Esma Fazlija, njoftoi se policia ka arritur para se fëmijët të fillojnë mësimin dhe nuk ka pasur nevojë për evakuim.
“Është traumë shumë e madhe mirëpo sot ishte pak më ndryshe se herave tjera për shkak se para kohe u morën masat. Në raste të tjera kemi ndërprerë dhe mësimin dhe nxënësit janë lëshuar në shtëpi. Por sot para se të fillojë mësimi gjithçka ishte në rregull u kontrollua shkolla, policia ishte këtu… Patjetër, kjo duhet urgjentisht të ndërpritet sepse bëhet fjalë për një masë të madhe të nxënësve, jo vetëm shkolla jonë por edhe shkollat tjera. Është mjaft shqetësuese kështu që do të ishte mirë të ndërpriten këto”, deklaroi Esma Fazlija – Drejtoreshë e SH.F “Hasan Prishtina”.
Paralajmërimet për bomba të vendosura nëpër shkolla nuk është diçka e re në Maqedoni. Kjo është duke u praktikuar disa vite me radhë që pas periudhës së kovidit.