Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Telegrafi

Peci merr vendim për lirimin e hapësirës publike te Stacioni i Autobusëve në Mitrovicë

16 January 2026 at 10:55


Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka marrë sot vendim për rrënimin dhe lirimin e hapësirës publike në zonën e Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë.

Nga Komuna e Mitrovicës bëhet e ditur se ky vendim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të kryetarit Peci për mbrojtjen e interesit publik dhe zbatimin e ligjit.

Me këtë rast, ai ka theksuar se institucionet komunale do të vazhdojnë me veprime konkrete për rikthimin e hapësirave publike në shërbim të qytetarëve.

“Aksione të tilla do të vazhdojnë deri në lirimin e plotë të të gjitha hapësirave publike të uzurpuara”, është shprehur kryetari Peci.

Po ashtu, kryetari i Komunës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shfrytëzojnë në mënyrë të kundërligjshme hapësirat publike, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Çdo shfrytëzim i paligjshëm i hapësirave publike do të trajtohet sipas ligjit”, ka theksuar ai.

Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me masa dhe aksione të ngjashme edhe në zona të tjera të qytetit, me qëllim të ruajtjes së rendit urban dhe interesit të përgjithshëm të qytetarëve. /Telegrafi/


Yjet e Game of Thrones, Jason Momoa dhe Emilia Clarke ribashkohen 15 vjet pas paraqitjes në serialin që theu rekorde

16 January 2026 at 10:44


Yjet e serialit Game of Thrones, Jason Momoa dhe Emilia Clarke, u dukën sikur koha nuk kishte kaluar fare kur u ribashkuan papritur të enjten.

Momoa, 46 vjeç, dominonte në gjatësi përkrah koleges së saj, teksa pozonin për një foto të ëmbël që Clarke e postoi në Instagram.

Clarke — e cila së fundmi pranoi se kishte përjetuar një “kolaps mendor” kur Game of Thrones përfundoi — zbuloi se Momoa kishte kaluar për vizitë ndërsa ajo po xhironte një paraqitje në emisionin The Kelly Clarkson Show në New York.

“New York-u më ka dhënë kaq shumë arsye për të qenë mirënjohëse gjatë këtij udhëtimi dhe pikërisht kur mendova se nuk mund të bëhej më mirë… shikoni kush hyri në dhomën time të zhveshjes”, shkroi Clarke në përshkrimin e fotos.

Ribashkimi i tyre vjen 15 vjet pasi të dy luajtën së bashku në sezonin e parë të serialit epik fantastik të HBO-së, Game of Thrones, i cili u transmetua për herë të parë në vitin 2011.

Emilia e kombinoi pamjen e saj me një bluzë të zezë me mëngë të gjata dhe një fund të zi me shkëlqim, të lidhur në bel.

Ajo i kishte stiluar flokët e saj drejt dhe të ndarë në mes, duke theksuar buzëqeshjen e saj të ngrohtë dhe tërheqëse.

Ndërkohë, Momoa u shfaq me një veshje të veçantë, që përfshinte një jelek ngjyrë ulliri mbi një bluzë të zezë të grisur pa mëngë.

Ai i kombinoi me pantallona kafe të një kapelë të zezë cilindrike, si dhe syze dielli me kornizë të zezë.

Arne Slot mirëpret rikthimin e Salahut pas detyrës në Kupën e Kombeve të Afrikës

16 January 2026 at 10:42


Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot ka konfirmuar se Mohamed Salah do t’i ribashkohet skuadrës javën e ardhshme pas ndeshjes vendimtare të Egjiptit në Kupën e Kombeve të Afrikës të shtunën.

Slot shprehu kënaqësinë për rikthimin e sulmuesit egjiptian, duke theksuar rëndësinë e tij të madhe për klubin.

“Mo ka qenë shumë i rëndësishëm për këtë klub dhe mua, kështu që jam i lumtur që është rikthyer dhe edhe nëse do të kisha 15 sulmues, do të isha i lumtur ta shihja Mo-në përsëri", ka thënë fillimisht Slot.

Holandezi zbuloi diskutimet e vazhdueshme me Salahun rreth agjendës së tij, duke përfshirë përfshirjen e mundshme në ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kampionëve, ndërsa mbajti detajet private konfidenciale.

"Çfarë ndodh me mua dhe Mo-në mbetet për ne të dy. Nuk i ndaj detajet e bisedave private që kam”, përfundoi trajneri i Reds.

Këtë sezon, Salah ka shënuar vetëm pesë gola dhe ka dhënë katër asistime në 20 paraqitje në të gjitha garat për Liverpoolin. /Telegrafi/

Shkëndija ndan rrugët me Florent Ramadanin dhe Fiton Ademin

16 January 2026 at 10:41


Ramadani dhe Ademi kërkuan më shumë hapësirë në fushë, ndërsa Shkëndija, në frymën e bashkëpunimit, pranoi kërkesën dhe mbylli bashkëpunimin, njofton Telegrafi.

Me insistim të vetë futbollistëve, KF Shkëndija ka vendosur të shprehë mirëkuptim, duke u dhënë leje largimi Florent Ramadanit dhe Fiton Ademit, të cilët nuk do të jenë më pjesë e skuadrës në vazhdim të kampionatit. Kërkesa e tyre kishte të bënte me dëshirën për të gjetur mjedise të reja ku do të kenë më shumë minuta dhe rol aktiv në lojë.

Klubi dhe lojtarët kanë arritur marrëveshje të ndërsjellë për shkëputjen e kontratave, në frymën e respektit dhe bashkëpunimit korrekt. Të dy futbollistët kanë qenë pjesë e rëndësishme e projektit sportiv të Shkëndijës në vitet e fundit, duke u rritur profesionalisht brenda klubit dhe duke dhënë maksimumin sa herë që kanë qenë në dispozicion të stafit teknik. KF Shkëndija ka vlerësuar vazhdimisht përkushtimin, profesionalizmin dhe korrektësinë e tyre, ndërsa ka vendosur të mirëkuptojë ambiciet e tyre për vazhdimin e karrierës. /Telegrafi/

MOS JETO NË KËTË BOTË SI QERAXHI

16 January 2026 at 10:41


Poezi nga: Nazim Hikmet
Përktheu: Maksim Rakipaj

Ah, mor djalë,
unë nuk kam frikë të vdes,
sadoqë, ndonjëherë,
kur punoj natën, seç kam një shtrëngim në zemër,
të ngopesh me jetën, biri im,
e pamundur është.

Mos jeto në këtë botë si qeraxhi,
as si me pushimet e verës,
si në shtëpi të tyt eti
të jetosh.
Besoji grurit,
tokës,
detit
por më parë
njeriut.

Duaji
retë,
librin,
makinën,
po më parë njerinë.

Ndjeje thellë në zemër
dhimbjen e degës që thahet,
të yllit që shuhet,
të kafshës së plagosur,
por më parë
dhimbjen e njeriut.

Gëzim të dhënçin
gjithë të mirat e dheut:
hija dhe drita gëzim të dhënçin,
të katra stinët të dhënçin gëzim,
por mbi të gjitha, me të dyja duart,
njeriu të dhëntë gëzim!

I dërguari i Trumpit tregon çfarë zgjidhje kërkon SHBA-ja për Iranin

16 January 2026 at 10:40


Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqet të zgjidhë tensionet me Iranin përmes dialogut diplomatik, jo me forcë ushtarake, ka deklaruar të martën i dërguari special i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff.

Ai theksoi se administrata amerikane synon të arrijë marrëveshje për çështje kyçe si programi bërthamor i Iranit, raketat dhe materialet bërthamore, duke shmangur përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit, raportojnë mediat.

“Dialogu mbetet opsioni ynë kryesor”, tha ai, duke nënvizuar rrezikun e pasojave serioze nëse situata do të përshkallëzohej ushtarakisht.

Deklarata vjen në një kohë kur SHBA dhe Irani kanë intensifikuar kontaktet indirekte përmes negociatave dhe ndërmjetësimit të vendeve të treta, me qëllim uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Zyrtarët amerikanë përsërisin se rruga diplomatike është prioriteti për të shmangur një përplasje të hapur.

Ndryshe, qytetarët po protestojnë në shtetin iranian për shkaqe ekonomike dhe sociale. /Telegrafi/

— (@)

​Sulmi terrorist në Banjskë, të akuzuarit dalin para gjykatores

16 January 2026 at 10:35


Nën masa të larta të sigurisë u sjellë në gjykatore të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët akuzohen për sulmin terrorist në Banjskë në shtatorin e vitit 2023.

Në sallë ndodhen edhe zyrtarët policorë që u lënduan në këtë sulm e që janë Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Seancën në rastin Banjska po e udhëheq kryetari i trupit gjykues, Ngadhënjim Arrni. Ndërsa, deri tani këtë gjykim e ka udhëhequr gjyqtari, Arben Hoti por me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit Hoti u zëvendësua me Arrnin.

Arrni është edhe kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjykimi në rastin e sulmin terrorist Bansjka ka nisur rishtazi për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, ndërsa edhe sot dy të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë ndërsa, Dushan Maksimoviq tha se nuk është fajtor për veprat të cilat i vihen në barrë me aktakuzën e Prokurorisë. /Kp/

Adeyemi nën vëzhgim të rreptë nga Borussia Dortmund

16 January 2026 at 10:32


Gjatë javëve të fundit, Karim Adeyemi ka qenë në qendër të vëmendjes për arsye që shkojnë përtej paraqitjeve në fushë.

Sjellja e tij e paqëndrueshme jashtë terrenit ka ngritur shqetësime serioze dhe tashmë ekstremi i Borussia Dortmundit nuk mund t’i lejojë vetes gabime të tjera.

Fillimisht, ai u përfshi në një skandal të lidhur me posedim të paligjshëm armësh, më pas reagimi i papërshtatshëm pas zëvendësimit në ndeshjen kundër Borussia Monchengladbach, në mesin e dhjetorit, dëmtoi më tej imazhin e tij.

Në moshën 23-vjeçare, Adeyemi nuk ka dhënë aspak sinjale pozitive në këtë periudhë.

Sipas së përditshmes gjermane Bild, klubi ka vendosur ta mbajë futbollistin nën vëzhgim të rreptë.

Drejtuesit e Borussia Dortmundit nuk janë të gatshëm të tolerojnë devijime të tjera nga ana e sulmuesit të shpejtë, i cili tashmë ndodhet në një fazë delikate të karrierës së tij.

Faktorë shtesë që rëndojnë situatën

Problemet jashtë fushe nuk janë të vetmet që kanë dobësuar pozitën negociuese të Adeyemit, i cili prej kohësh po diskuton rinovimin e kontratës aktuale, e vlefshme deri në vitin 2027.

Edhe paraqitjet e tij sportive kanë qenë larg pritshmërive, ai nuk ka shënuar që nga muaji nëntor dhe forma e paqëndrueshme ka ngritur dyshime edhe tek ata që më parë mbështesnin vazhdimësinë e tij në klub.

Në këtë kontekst, javët e ardhshme priten të jenë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit, i cili po ndiqet gjithashtu nga klube të mëdha si Manchester United, Arsenal dhe Tottenham.

Për të mbajtur të hapura të gjitha opsionet, Karim Adeyemi duhet të rikthejë sa më shpejt stabilitetin, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. /Telegrafi/

Komuna e Malishevës shtyn afatin për paraqitjen e kërkesave për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet

16 January 2026 at 10:28


Komuna e Malishevës ka njoftuar se është shtyrë afati për paraqitjen e kërkesave për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e javës së kaluar.

Sipas njoftimit të Sektorit për Emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, personat juridikë dhe fizikë do të kenë mundësi që kërkesat e tyre t’i paraqesin deri më 21 janar 2026 (e mërkurë).

“Vendimi për shtyrjen e afatit është marrë për shkak të numrit të madh të kërkesave të pranuara, si dhe për faktin se një pjesë e qytetarëve, për arsye objektive, nuk kanë mundur ende t’i paraqesin kërkesat e tyre brenda afatit fillestar”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.

Nga Komuna bëhet e ditur se me qëllim të përfshirjes së të gjithë qytetarëve të dëmtuar nga vërshimet, afati fillestar, i cili ishte paraparë deri më 16 janar, është shtyrë edhe për disa ditë.

Po ashtu, autoritetet komunale sqarojnë se kërkesat për vlerësim të dëmeve duhet obligativisht të shoqërohen me dokumentacionin përcjellës, përfshirë kopjen e letërnjoftimit dhe numrin e llogarisë bankare.

Komuna e Malishevës ka apeluar tek të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet që ende nuk i kanë paraqitur kërkesat e tyre, ta bëjnë këtë brenda afatit të ri të përcaktuar, në mënyrë që të mundësohet trajtimi dhe verifikimi i dëmeve nga komisionet përkatëse. /Telegrafi/


Elezi: Janë rinumëruar 216 vendvotime, në 15 komuna është  përmbyllur procesi

16 January 2026 at 10:23


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

Elezi për Telegrafin ka thënë se që nga fillimi i këtij procesi janë numëruar 216 nga 914 vendvotime.

“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e premte, 16 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 216 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (1/8) dhe Pejë (1/14)”, ka thënë ai.

Sipas tij, deri më tani procesi i rinumërimit është përmbyllur në 15 komuna.

Ndryshe, sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut). /Telegrafi/

Juventusi e dëshiron Matetën, por refuzon propozimin për shkëmbim nga Crystal Palace

16 January 2026 at 10:22


Burime të shumta në Itali pohojnë se Juventusi ka filluar bisedimet paraprake për të nënshkruar sulmuesin e Crystal Palace, Jean-Philippe Mateta, por Bianconerët thuhet se kanë refuzuar të përfshijnë Jonathan Davidin në një marrëveshje shkëmbimi.

Juventusi e ka identifikuar lojtarin francez Mateta si zëvendësuesin ideal për Dusan Vlahovic, i cili pritet të largohet nga Torino në fund të kontratës së tij në qershor.

Tuttosport dhe Gazzetta dello Sport raportojnë se Bianconerët tashmë kanë filluar bisedimet me Crystal Palace, pasi Luciano Spalletti do të mirëpriste me kënaqësi një qendërsulmues klasik në afatin kalimtar të janarit.

Sipas Gazzetta dello Sport, Crystal Palace ka propozuar të përfshijë lojtarin kanadez David në një marrëveshje shkëmbimi, por Bianconerët nuk e pranuan propozimin.

Kontrata e Matetës me Crystal Palace skadon në qershor të vitit 2027 dhe sulmuesi francez duket se nuk është i gatshëm ta zgjasë qëndrimin e tij.

Sipas Tuttosport, kjo do të thotë që 28-vjeçari mund të largohet për rreth 25-30 milionë euro, por media të tjera italiane sugjerojnë se çmimi i tij është afër 40 eurove, ndërsa burime britanike e çojnë çmimin në mbi 50 milionë euro. /Telegrafi/

Komuna e Mogillës do të ndaj ndihmë financiare për të porsalindurit - 10.000 denarë për fëmijën e parë, 30.000 për fëmijën e tretë dhe 20.000 për martesë të re

16 January 2026 at 10:22


Kryetari i Komunës së Mogillës, Draganço Sabotkovski, informoi se këtë vit Buxheti i Komunës parashikon ndihmë financiare për të porsalindurit dhe të sapolindurit në vlerë prej 10.000 deri në 30.000 denarë.

Komuna do të ndajë 10.000 denarë për çdo fëmijë të parëlindur, 15.000 denarë për të dytin dhe 30.000 denarë për fëmijën e tretë.
Gjithashtu, për çdo çift të sapomartuar, bashkëshortët do të marrin një kompensim prej 20.000 denarësh.

"Kjo nuk është vetëm ndihmë financiare, ky është një mesazh i qartë dhe i fortë se familja, fëmijët dhe të rinjtë janë prioriteti ynë. Të gjitha masat e futura kanë për qëllim stimulimin dhe ruajtjen e natalitetit, si dhe krijimin e kushteve që të rinjtë të qëndrojnë, të krijojnë familje dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në komunën e Mogillës", tha Sabotkovski./Telegrafi/

Boggi Milano, furnizues zyrtar i veshjeve formale dhe licencues zyrtar i “The FIFA World Cup 2026™” dhe “The FIFA Women’s World Cup 2027™”

By: Albi Mall
16 January 2026 at 10:11


Brendi Boggi Milano ka kënaqësinë të njoftojë një bashkëpunim prestigjioz katërvjeçar si furnizues zyrtar i veshjeve formale dhe licencues Zyrtar i FIFA World Cup 2026™ dhe FIFAWomen’s World Cup 2027™.

Ky bashkëpunim shënon një moment të rëndësishëm në zgjerimin ndërkombëtar të markës së veshjeve për meshkuj, e cila përfaqëson me krenari stilin bashkëkohor italian në mbi 60 vende të botës. Marrëveshja mes FIFA dhe Boggi Milano përfshin furnizimin me veshje formale për të gjithë stafin e FIFA-s, përfshirë anëtarët e bordit drejtues, duke ofruar kostume si për burra ashtu edhe për gra, të kompletuara me aksesorë, të dizajnuara për të kombinuar elegancën,funksionalitetin dhe rehatinë.

Bashkëpunimi parashikon gjithashtu lançimin e një koleksioni kapsulë të licencuar, dedikuar Kupave të Botës, FIFA, i cili do të jetë i disponueshëm në tregjet kryesore ndërkombëtare, nëdyqanet Boggi Milano dhe online. I frymëzuar nga vlerat universale të sportit dhe ekselencës, ky koleksion do t’ia ofrojë publikut mundësinë ta përjetojë shpirtin e “Kupës së Botës”, përmes veshjeve që e ndërthurin dizajnin e rafinuar me cilësi të jashtëzakonshme.

Claudio Zaccardi, President dhe CEO i Boggi Milano, deklaroi:

“Jemi të nderuar të bashkëpunojmë me FIFA-n në një projekt që bashkon në mënyrë të përkryer botën e sportit me elegancën. Veshja e protagonistëve të organizatës dhe prezantimi i një koleksioni kapsulë të dedikuar për këtë ngjarje na lejon ta shprehim vizionin tonë për një stil bashkëkohor, gjithëpërfshirës dhe ndërkombëtar, duke e sjellë atë për herë të parë te një audiencë globale.”

Romy Gai, Drejtor i Biznesit në FIFA, u shpreh:

“Me kënaqësi të madhe njoftojmë këtë bashkëpunim me Boggi Milano, një shtëpi mode e njohur globalisht, reputacioni dhe mjeshtëria e së cilës e bëjnë ideale për furnizimin e veshjeve të stafit në ngjarjet më të mëdha sportive në botë. FIFA dhe Boggi Milano ndajnë një përkushtim të përbashkët ndaj ekselencës, inovacionit dhe shtrirjes globale. Së bashku, presim të ngremë standardin e paraqitjes së ekipeve tona në skenën botërore dhe të krijojmë vlerë domethënëse për tifozët, partnerët dhe palët e interesuara në mbarë botën.”

Projekti filloi zyrtarisht më 5 dhjetor 2025, me rastin e shortit final të Kupës së Botës FIFA2026™ në Washington dhe do të zgjasë deri në përfundimin e Kupës së Botës për Femra, FIFA2027™. Gjatë kësaj periudhe, Boggi Milano do të udhëheqë një rrugëtim global rrëfimi, që bashkon modën, sportin dhe kulturën, përmes fushatave të dedikuara, aktivizimeve në dyqane dhe iniciativave speciale për të festuar momentet më ikonike të turneve.

Me këtë bashkëpunim, Boggi Milano forcon më tej vokacionin e tij ndërkombëtar dhe rolin si ambasador i stilit italian në botë, duke sjellë vizionin e elegancës bashkëkohore, të qëndrueshme dhe autentikisht globale në skenat më të rëndësishme ndërkombëtare.

Rreth Boggi Milano

Boggi Milano është një markë italiane me 290 dyqane në mbi 60 vende. Sot, marka udhëhiqet nga inovacioni, teknologjia, qëndrueshmëria dhe cilësia e lartë, falë përdorimit të materialeve premium me performancë të avancuar teknike. Filozofia e dizajnit të Boggi Milano bazohet në ndërthurjen e dy elementeve kyçe: cilësinë e jashtëzakonshme të materialeve, me një fokus tëfortë te fibrat organike, materialet e ricikluara, tekstilet e certifikuara dhe inovative si dhe kërkimin stilistik, të aplikuar në një mënyrë të re të të jetuarit për burrin bashkëkohor.

Kapen 160 kg kokainë në Bergamo, dy shqiptarë të arrestuar

16 January 2026 at 10:09


Një sasi e konsiderueshme prej mbi 160 kilogramësh kokainë është sekuestruar nga Guardia di Finanza italiane gjatë një operacioni në një zonë industriale të provincës së Bergamos, ndërsa dy shqiptarë kanë përfunduar në pranga.

Droga ishte fshehur në shtatë çanta të mëdha dhe po transportohej me një automjet të tonazhit të rëndë (TIR), gati për t’u hedhur në tregun lokal, me një vlerë të përllogaritur rreth 20 milionë euro, raportojnë mediat italiane, përcjell A2.

Sipas autoriteteve, pas shërbimeve të posaçme të vëzhgimit dhe analizës së riskut në zonat industriale dhe tregtare të provincave Brescia dhe Bergamo, efektivët vunë re lëvizje të dyshimta.

Shoferi i mjetit u pa teksa hipte në rimorkio, duke pritur mbërritjen e një automjeti tjetër që iu afrua menjëherë. Gjatë momentit të dorëzimit të shtatë çantave voluminoze, forcat e rendit ndërhynë dhe gjetën 150 pako me kokainë, me peshë totale mbi 160 kilogramë.

Dy të dyshuarit, të shqiptarë, u arrestuan dhe u dërguan në burgun e Bergamos, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.

Trumpi ka mundësi të përfundojë sundimin me terror të Khameneit në Iran

16 January 2026 at 10:07


Nga: Douglas Murray / New York Post
Përkthimi: Telegrafi.com

Për 46 vjet me radhë, Qeveria Islamike Revolucionare ka torturuar popullin e Iranit. Që nga momenti kur Ajatollah Khomeini u kthye nga ekzili në Paris, ai arriti të hedh njërën nga kulturat më të mëdha të botës në një epokë të re të errësirës.

Që nga viti 1979, ky regjim ka masakruar dhe ekzekutuar kundërshtarët e vet të brendshëm politikë. Ka varur publikisht njerëzit e dënuar për “krime kundër moralit”, përfshirë edhe ata të dënuar për “krimin” e të qenit homoseksual. Ka sponsorizuar terrorizmin në të gjithë Lindjen e Mesme, në Evropë dhe në Amerikë.

Ky regjim ka qenë fuqia më e madhe kolonialiste dhe imperialiste në Lindjen e Mesme. Dhe, ka tentuar të vrasë një president amerikan, një sekretar Shteti amerikan dhe një këshilltar për siguri kombëtare të ShBA-së - ndër të tjerë - në tokën amerikane.

Duke i pasur parasysh këto, mund të mendohej se do të kishte marshime kundër ajatollahëve, për disa javë në qytetet perëndimore. Por, nuk ndodhi kështu. Kur njerëzit iranianë u ngritën më parë (si në Revolucionin e Gjelbër të vitit 2009), e bënë këtë të vetëm. Atëherë, presidenti Obama nuk bëri asgjë për të mbështetur lëvizjen pro-demokracisë në Iran. Ai thjesht u zmbraps dhe lejoi që gratë protestuese të qëlloheshin në kokë nga milicia e ndyrë Basixh dhe forcat e tjera qeveritare.

Dekada dobësie

Çfarë është ndryshe këtë herë?

Dy gjëra. Së pari është shkalla e protestave kundër regjimit brenda Iranit. Gjatë ditëve të fundit, qeveria iraniane ka ndërprerë internetin në përpjekje për të ndaluar popullin nga koordinimi. Por, populli trim iranian po del në rrugë me qindra-mijëra. Ata kanë rrëzuar simbolet e regjimit dhe kanë sulmuar ndërtesat e tij. Kjo tashmë është më e madhe se çdo kryengritje e mëparshme.

Gjëja e dytë që është ndryshe këtë herë është se Donald Trumpi është në Shtëpinë e Bardhë.

Në vitin 1979, kur ndodhi Revolucioni Iranian, një lloj tjetër presidenti ndodhej në Zyrën Ovale. Jimmy Carter jo vetëm që lejoi që revolucioni të ndodhte, por në mënyrë poshtëruese dështoi të lirojë 66 amerikanët që u morën peng nga forcat që kishin përmbysur Shahun.

Ishte kohë e një dobësie të tmerrshme në politikën e jashtme amerikane. Ajatollahët e dinin këtë - dhe e shfrytëzuan. Po ashtu, ata e dinin se Obama nuk do të bënte asgjë në vitin 2009, për të mbështetur protestuesit pro-perëndimorë, pro-amerikanë që dolën në rrugët e Iranit.

Mbase ishte e pashmangshme që udhëheqja amerikane të ishte kaq e dobët. Mbi të gjitha, që nga nisja e Revolucionit Iranian më 1979, ngjarja u keqkuptua në një pjesë të madhe të Perëndimit.

Për shembull, intelektuali i njohur i së majtës, Michel Foucault - ende një nga “idiotët” më të cituar në akademinë amerikane - pretendonte se Khomeini do të sillte një revolucion shpirtëror në Iran që do t’i eliminonte ato “mëkate” të tmerrshme perëndimore - si kapitalizmi dhe materializmi.

New York Times botoi një artikull që thoshte se përshkrimi i Ajatollah Khomeinit “si fanatik dhe bartës i paragjykimeve të ashpra, sigurisht dhe fatmirësisht duket i pavërtetë”. Ndërsa revista Foreign Affairs shkroi se “Republika Islamike e Khomeinit pritet të ketë një doktrinë të drejtësisë sociale në qendër të saj; sipas të gjithë treguesve, ai do të jetë fleksibil në interpretimin e Kuranit”.

Të gjitha këto opinione dhe shumë të tjera ranë poshtë. Khomeini dhe pasardhësi i tij, Ajatollah Khamenei, ishin dhe janë fanatikë. Ata masakruan në burgjet iraniane me qindra kundërshtarë të tyre të majtë dhe sindikalistë. Ata detyruan një shoqëri liberale të bëhej një vend ku të gjitha gratë do të duhej të mbulonin kokën. “Policia e moralit” e tyre patrullonte vendin duke kërkuar gratë të mund t’i arrestonin dhe rrihnin. Ata rrëmbyen, përdhunuan, torturuan dhe vranë studentët që i kundërshtonin. Dhe, Perëndimi, gjatë gjithë kohës, nuk bëri asgjë.

Opsionet e Trumpit

Natyrisht, pyetja prej shumë vitesh ishte “çfarë mund të bëjmë”?

Njëra përgjigje - e dhënë nga liderë të dobët në ShBA dhe Evropë - ishte të përpiqeshim ta pranonin Revolucionin Iranian. Por, regjimi në Iran nuk donte të ishte pjesë e të njëjtës botë si ne. Ata donin të vazhdonin të thërrisnin “Vdekje Amerikës. Ata donin të vazhdonin të premtonin shkatërrimin e Amerikës dhe të pjesën më të madhe të Perëndimit. Donin ta mbanin revolucionin e tyre islamik fundamentalist dhe ta zgjeronin atë në gjithë rajonin dhe më pas në botë.

Tani që populli trim i Iranit është në rrugë, është koha e duhur për t’u treguar atyre se këtë herë nuk janë të vetëm.

Nuk është vetëm në interesin më të mirë të rajonit, por në interesin më të mirë të botës që qeveria më e madhe terroriste në botë të bjerë.

Por, si mund të arrihet kjo?

Presidenti Trump tashmë ka dhënë një paralajmërim të qartë ndaj Ajatollahut. Pamjet që janë kontrabanduar jashtë Iranit ofrojnë dëshmi të mijëra qytetarëve iranianë të cilët regjimi tashmë i ka masakruar. Kërcënimi i regjimit për të nisur ekzekutimet publike të protestuesve solli një reagim të ashpër nga presidenti Trump, i cili paralajmëroi se nëse kjo do të ndodhte, Amerika do të ndërhynte.

Megjithatë, siç kanë treguar disa informacione nga qarqet kundër Trumpit, ekziston një frikë e thellë në Uashington dhe në kryeqytete të tjera që ka origjinën që nga Afganistani dhe Iraku.

Rregulli në atë kohë ishte ai i vjetri i [shitores] “Pottery Barn”: “Nëse e thyen, e jotja është”.

Por, siç mund të shihet nga veprimi i guximshëm i Trumpit në Venezuelë, ai vepron ndryshe.

Politika e tij është se ndonjëherë gjërat janë veçse të thyera dhe ti duhet të bësh ndërhyrje minimale për t’i rregulluar ato. Ose, t’ua lejosh vetë njerëzve të vendit t’i rregullojnë ato.

ShBA-ja mund të ndihmojë aktivistët dhe aleatët brenda Iranit për të goditur qendrat kryesore të regjimit të terrorit. Ne mund të godasim selitë e Gardës Revolucionare Iraniane dhe të milicisë Basixh që po bëjnë luftë kundër popullit iranian.

Amerika gjithashtu mund të ndihmojë njerëzit brenda Iranit që të kenë cak ata që janë përgjegjës për terrorin.

Duke vepruar kështu, mund të tregojmë se njerëzit që duan lirinë në Iran kanë një mik në Shtetet e Bashkuara. Dhe se ata që vrasin popullin e vet dhe përhapin terror në të gjithë botën, nuk do të mbeten të pandëshkuar.

Presidenti Trump ka një mundësi historike. Ai mund të ndihmojë në përfundimin e makthit gjysmë-shekullor të Iranit dhe të kompensojë 46 vjetët me dështime në politikën e jashtme. Duke e bërë këtë, do të dëshmojë se - ndryshe nga paraardhësit e tij - ai është presidenti që qëndroi në krah të lirisë përballë terrorit. /Telegrafi/

Një lojtar i Real Madridit mund të largohet për shkak të mungesës së minutave

16 January 2026 at 10:07


Sipas Mundo Deportivo, Real Madridi nuk ka në plan të kryejë afrime gjatë afatit kalimtar të janarit, por mbetet i hapur për largime, me Dani Ceballos që po shfaqet si një nga emrat më të mundshëm për t’u shitur.

Mesfushori spanjoll po përballet me një situatë të vështirë në “Santiago Bernabeu”, pasi ka pasur shumë pak hapësira këtë sezon dhe, sipas raportimeve, nuk bën pjesë në planet e trajnerit të ri, Alvaro Abeloa.

Kjo ka rritur ndjeshëm gjasat e një ndarjeje të parakohshme mes palëve.

Ceballos, 29 vjeç, mund të jetë duke e penduar vendimin për të refuzuar një transferim te Marseille në minutën e fundit gjatë verës së vitit 2025.

Deri tani, ai ka regjistruar vetëm shtatë ndeshje si titullar në 17 paraqitje totale këtë sezon, një bilanc që vështirë se përputhet me ambiciet e tij dhe të klubit madrilen. /Telegrafi/

Pesë të mitur rrahin dy bashkëmoshatarë në Drenas, i bëjnë për spital

16 January 2026 at 10:07


Pesë të mitur janë arrestuar pasi të njëjtit kanë goditur dy të mitur të tjerë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 12:48, në Drenas.

Tutje bëhet e ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKUK.

“Janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë, të moshës së mitur pasi që të njëjtit kanë goditur dy viktimat meshkuj kosovarë po ashtu të moshës së mitur. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKUK. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Sean Penn fotografohet me të dashurën 34 vjet më të re

16 January 2026 at 10:05


Aktori amerikan Sean Penn 65-vjeçar u fotografua me të dashurën e tij Valeria Nicov, e cila është 34 vjet më e re se ai.

Ata po bënin pazar në Santa Monica dhe rrjetet sociale u mbushën me komente rreth ndryshimit të gjatësisë së tyre.

"Më pëlqen një burrë që nuk është i kompleksuar", "Duhet të jetë shumë i shkurtër", "Çifti i çuditshëm", "Ajo duket si vajza e tij", janë disa prej komenteve në internet nga përdorues të shumtë.

sean penn photographed with his girlfriend valeria nicov recently pic.twitter.com/QGfLTosKkt
— 𝓕avs (@favspopculture) January 15, 2026


Sean Penn përpiqet ta mbajë privatësinë e tij larg syrit të publikut, kështu që nuk e përmend marrëdhënien e tij me Valerian në intervista.

Thashethemet se të dy ishin bashkë filluan të përhapeshin në shtator të vitit 2024, kur u panë në Madrid.

Në nëntor, ata e konfirmuan këtë lajm duke u shfaqur në tapetin e kuq të edicionit të 21-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Marrakesh, ku ai u vlerësua për arritjet në karrierë.

Aktori ka qenë i martuar tri herë. Ai ishte me Madonnën nga viti 1985 deri në vitin 1988. Ai ishte me Robin Wright nga viti 1996 deri në vitin 2010. Ai u martua me aktoren australiane Leila George në vitin 2020 dhe u divorcuan në vitin 2022.

Mediat amerikane gjithashtu raportuan se ishte po ashtu në lidhje me Charlize Theron, Scarlett Johansson dhe aktoren Olga Korotyaeva.

Australia mbyll rreth 5 milionë llogari në rrjetet sociale të fëmijëve

16 January 2026 at 10:01


Shumë rrjete sociale kanë hequr qasjen për rreth 4.7 milionë profile të identifikuara si të fëmijëve në Australi, që nga kur ky vend vendosi një ndalim të përdorimit të rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç.

Kjo masë historike hyri në fuqi në dhjetor për të adresuar shqetësimet rreth mjediseve potencialisht të dëmshme online për të rinjtë.

Ministrja e Komunikimit, Anika Wells, tha se qeveria u përball me shumë kritika dhe sfida nga kompanitë e mëdha teknologjike, por tani prindërit australianë mund të jenë të sigurt se fëmijët e tyre mund të shijojnë fëmijërinë pa ndikimin e rrjeteve sociale.

Sipas ligjit australian, platforma si Facebook, Instagram, TikTok, X, YouTube, Snapchat, Reddit, Threads, Kick dhe Twitch përballen me gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë nëse nuk marrin masa për të hequr përdoruesit nën moshën 16 vjeç. Për të verifikuar moshën e përdoruesve, platformat mund të kërkojnë dokumente identifikimi, të përdorin teknologji të vlerësimit të moshës ose të nxjerrin përfundime nga të dhëna të tjera të disponueshme.

Komisionerja për sigurinë online, Julie Inman Grant, tha se masat synojnë parandalimin e kompanive të rrjeteve sociale që të kenë qasje te fëmijët. Ajo shtoi se dhjetë kompanitë kryesore nën ndalesë kanë respektuar ligjin dhe raportuar në kohë të dhënat e kërkuara.

Përveç mbështetjes nga prindërit dhe organizatat për sigurinë e fëmijëve, aktivistë të privatësisë online dhe disa grupe të rinjsh kanë kritikuar masën, duke argumentuar se ky ndalim mund ta shtyjë përdorimin e rrjeteve në platforma më pak të rregulluara ose mund të kufizojë qasjen në komunitete ku ndihen të mbështetur.

Ligji australian mbi ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç është parë si një hap historik në mbrojtjen e sigurisë online të të rinjve dhe ka nxitur diskutime edhe në vende të tjera për masa të ngjashme. /Telegrafi/

❌
❌