Tridhjetë ditë paraburgim për tetë persona pas hetimit për dëm prej gati 4,8 milionë euro ndaj buxhetit shtetëror
Masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditëve është caktuar për tetë personave të lidhur me aksionin e djeshëm në Drejtorinë e të Ardhurave Publike – DAP.
“Përfundoi marrja në pyetje e tetë personave të ndaluar në lidhje me aksionin e djeshëm në Drejtorinë e të Ardhurave Publike – DAP, kurse pas deklaratave të tyre, si dhe vlerësimit të fakteve dhe provave, është pranuar propozimi dhe të tetëve iu caktua masa paraburgim prej 30 ditësh për shkak të ekzistencës së bazave për të tre pikat e akuzës, përkatësisht rreziku i ikjes, ndikimi mbi dëshmitarët dhe mundësia e përfundimit ose përsëritjes së veprës. informuan pasdite nga Gjykata Penale.
Nën udhëheqësinë e prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), hetuesit nga Qendra Hetuese pranë Prokurorisë, me asistencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë kryer bastisje në 16 lokacione në shtet. Aksioni, siç informojnë nga Prokuroria, është zhvilluar mbrëmë në orët e vonshme të mbrëmjes, me ç’rast janë gjetur dhe përkohësisht janë marrë dokumentacion fiktiv, mjete në para, armë dhe vula të rreme nga persona juridik, ndërsa personat e dyshuar janë siguruar.
“Aksioni është rezultat i veprimit të Qendrës Hetuese të PTHP NKOK dhe Drejtorisë së Inteligjencës Financiare pas njoftimit të ASK-së, me ç’rast u siguruan prova për dyshimin bazë për vepra penale nga natyra financiare. Në bazë të kësaj, PTHP NKOK, hapi lëndë dhe solli urdhër për zbatimin e procedurës hetuese kundër 20 personave, të cilët e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 297.733.844 denarë ose për 4.8 milionë euro”, informoi dje Prokuroria Publike.
Sipas hetimit, i dyshuari i parë, shtetas serb, pronar dhe menaxher i dy personave juridik, së bashku me dy zyrtarë të DAP-it – Drejtoria Rjaonale Shkup, gjatë vitit 2023 kanë formuar një grup me qëllim të kryerjes së fshehjes tatimore, mashtrim tatimor, larje e parave dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Në periudhën nga viti 2023-2025 në grup u përfshinë edhe pronarë tjerë, menaxherë dhe të pnësuar në personat juridik në Shkup dhe Gjevgjeli.
Me shfaqjen e të dhënave të pasakta në paraqitjet tatimore dhe me ndihmë të nëpunësve tatimorë nga DAP, në periudhën prej vitit 2023 deri në vitin 2024 i akuzuari i parë ka evituar pagesë të tatimit në shumë prej 11.593.403 denarëve. Të dyshuarit e tjerë pronarë dhe drejtorë të personave juridik me paraqitje të rrejshme kanë kërkuar, ndërsa të punësuarit e dyshuar kanë miratuar, kthim të pabazuar të tatimit për persona juridik jorezidentë, me çka është dëmtuar buxheti në shumë prej 31.175.168 denarëve.
Disa nga të dyshuarit në periudhën e njejtë kanë kryer transfer dhe marrje të mjeteve monetare me qëllim të mbulimit të prejardhjes së parave të grumbulluara me vepra penale, në shumë të përgjithshme prej 91.985.197 denarëve. Dëshmitë e mbledhura deri më tani bëjnë me dije se të punësuarit e dyshuar në DAP – Drejtoria rajonale Shkup, prej të cilëve disa në pozita udhëheqëse, me keqpërdorime të shumëfishta të pozitës zyrtare e kanë dëmtuar buxhetin e RMV-së prej së paku 162.980.076 denarëve.
Prokurori publik, duke i vlerësuar rrethanat, konstatoi se janë përmbushur kushtet për caktim të masës së paraburgimit për nëntë persona të dyshuar dhe gjykatësit të procedurës paraprake pranë Gjykatës themelore penale Shkup i propozoi që tetë personave t’u caktohet masa e paraburgimit, ndërsa për dy të tjerë ajo tashmë është caktuar në lëndën lidhur me Agjencinë për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural të RMV-së. Për dhjetë personat e tjerë prokurori publik propozoi masa për siguri të pranisë, mes të cilave edhe ndalesë për ushtrim të aktiviteteve të punës lidhur me veprën penale dhe aktivitete të punës si persona zyrtarë në DAP të RMV-së.
