Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, ka minimizuar rolin e Danimarkës në investimet në SHBA, duke deklaruar të mërkurën se vendi skandinav “është i parëndësishëm”.
“Investimi i Danimarkës në obligacionet e Thesarit të SHBA-së, si vetë Danimarka, është i parëndësishëm”, tha Bessent për gazetarët në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, kur u pyet për shqetësimet që mund të kenë “investitorët institucionalë në Evropë, të cilët mund të tërhiqen nga Thesari, si nga fondi i pensioneve dhe Danimarka, apo gjetkë”.
Ai shtoi se: “Janë më pak se 100 milionë dollarë. Ata kanë shitur obligacione thesari, e kanë bërë këtë për vite me radhë”, duke theksuar se nuk është aspak i shqetësuar nga ky veprim.
Bessent i referohej AkademikerPension, operatorit danez të pensioneve, i cili këtë javë njoftoi se do të hidhte në shitje 100 milionë dollarë të zotërimeve të tij në Thesarin e SHBA-së për shkak të “financave të dobëta qeveritare”.
Sipas Bessent, 100 milionë dollarët përbëjnë një pjesë të vogël të tregut të Thesarit amerikan prej 30.8 trilionë dollarësh, ndërkohë që Danimarka mban më pak se 10 miliardë dollarë obligacione amerikane.
Në krahasim, Bashkimi Evropian zotëron kolektivisht 8 trilionë dollarë nga thesaret amerikane, duke e bërë atë financuesin më të madh të borxhit të SHBA-së.
Presidenti i SHBA-së thotë se “Europa nuk po shkon në drejtimin e duhur”.
Trump shton se ai “nuk e njeh Europën”, duke thënë: “E dua Europën, dua ta shoh të ecë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur.”
Presidenti Trump mban fjalën në forumin e Davosit:
“Tregjet kanë shënuar rritje, janë shënuar shifra rekorde dhe kursimet e qytetarëve janë rritur dhe investimet janë dyfishuar duke thyer rekorde. Asnjë vend nuk e ka bërë këtë sukses ekonomik më parë. Kur vendi drejtohej nga demokratët ishte vend i vdekur, tani jemi të suksesshëm. Ekonomia amerikane parashikohet të rritet më tej.
Është lajm i mrekullueshëm suksesi i Amerikës. Kur Amerika ka ekonomi të mirë, është lajm i mirë për të gjithë botën. Sot dua të diskutoj sesi e kemi arritur dhe sesi presim situatën ekonomike. Mund të mësoni edhe ju duke ndjekur hapat që kemi ndjekur dhe ne për për përmirësuar situatën ekonomike.
Nuk dua të fyej asnjë vend, e dua shumë Eropën. E dua të ketë sukses, por nuk është në drejtimin e duhur. Mënyra e vetme për të rritur ekonominë është të kontrollojmë ekonominë”.
E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati, sot bëri homazhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes së tij.
Ajo e përshkroi Rugovën si një vizionar të paqes dhe theksoi se ai i mësoi botës rrugët e vërteta drejt paqes.
“E ngarkuara me punë, Anu Prattipati, iu bashkua Presidentes Vjosa Osmani në nderimin e Dr. Ibrahim Rugovës me rastin e 20-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Si një vizionar i paqes, Dr. Rugova i mësoi botës se guximi dhe dinjiteti — jo dhuna — janë rrugët e vërteta drejt lirisë”, deklaroi ajo.
Më 17 shkurt, përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë do të mbahet një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjenden në Hagë.
Protesta organizohet nga platforma “Liria ka emër”, ndërsa në kohën kur në Hagë pritet të jepen fjalët përfundimtare, qytetarët do të dalin në rrugët e kryeqytetit.
Ismail Tasholli nga kjo platformë ka thënë se protesta do të jetë paqësore.
“Në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt, nën udhëheqjen e shpallësit të saj Hashim Thaçi, e paralajmëroj një protestë paqësore për drejtësi në Prishtinë, sepse pikërisht tani, ku pas më shumë se pesë vitesh procesi në Hagë ka hyrë në fazën përmbyllëse, është momenti të ngritet zëri qytetar në mbrojtje të çlirimtarëve dhe vetë parimit të drejtësisë. Prandaj këtu jemi për të njoftuar për këtë protestë dhe për të shpjeguar pse është bërë e domosdoshme”, ka thënë Tasholli.
Ai ka nënvizuar shqetësimet që lidhen me zvarritjen e procesit dhe rrjedhjen e dokumenteve nga Serbia gjatë viteve.
“Procesi në Hagë është krijuar për të sjellë drejtësi, por me kalimin e viteve në opinionin publik është krijuar perceptim i mjegullt, proces i zvarritur, procedura të ndërlikuara, informacione kontradiktore, ndikim i diskursit politik dhe një ndjenjë se drejtësia po humb fokusin e saj juridik. Gjykata u krijua në rrethana të jashtëzakonshme politike, vet origjina e saj ka prodhuar debat publik. A është kjo drejtësi e pastër, apo e ndikuar nga rrethanat politike? Kjo pyetje nuk është propagandë e as retorikë, por është shqetësim real qytetar. Qytetarët kanë parë ndër vitet rrjedhjen e dokumenteve që vijnë nga Serbia, ankesa për të drejtat e mbrojtjes, zvarritje të proceseve, mungesë komunikimi të qartë me opinionin publik dhe një diskurs ku politika shpesh flet më shumë se ligji”, ka shtuar Tasholli.
Ndërsa Eliza Hoxha ka bërë të qartë mesazhin e këtij marshimi dhe proteste paqësore, duke theksuar se kërkohet një gjykim i drejtë dhe drejtësi pa presion e pa ndikim në prova.
“Është e rëndësishme të theksojmë se nuk marshojmë as nuk protestojmë kundër drejtësisë; thjesht ne protestojmë dhe kërkojmë drejtësi reale. Protestojmë sepse nuk duam standarde të dyfishta. Nuk duam procese të pafundme, nuk duam gjykime që duken të porositura, nuk duam drejtësi selektive. Ne kërkojmë verdikt juridik dhe jo politik. Kërkojmë vendime të bazuara në prova dhe jo në agjenda. Mesazhi ynë është i qartë sepse kërkojmë drejtësi pa presion, pa ndikim, pa skenar. Drejtësi për të gjithë. Kërkojmë që procesi në fund të mbyllet me vendim ligjor që respekton parimin e gjykimit të drejtë dhe mos të mbetet peng i politikës. Prandaj, më 17 shkurt, ju ftojmë të gjithëve të na bashkoheni në marshim dhe protestë paqësore dhe dinjitoze me mesazhin tonë të qartë”, ka thënë Hoxha.
Dhëndri dhe vajza e presidentit amerikan, Donald Trump ndodhen këtë të mërkurë në Vlorë.
Euronews Albania ka siguruar pamje ku duket Ivanka Trump në Vlorë.
Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij kanë mbërritur të shoqëruar nga një delegacion në zonën e Ujit të ftohtë. Ata kanë zhvilluar për rreth 1 orë një takim me një studio arkitekturore ku do të diskutohet për mënyrën e realizimit të projektit, investimit në ishullin e Sazanit.
Po ashtu, Euronews Albania ka publikuar pamje gjatë momentit të mbërritjes së saj në Zvërnec.
Vizita e Ivanka Tramp dhe Jared Kushner bashkëshortit të saj zhvillohet në kuadër të zhvillimit të projektit.
Mësohet se dy investitorët kanë pasur takimet me studiot arkitekturore.
Tetëdhjetë e pesë persona janë arrestuar nga forcat europiane të zbatimit të ligjit, pasi dyshohet se ishin pjesë e një rrjeti që prodhonte dhe shpërndante lëndë narkotike sintetike në disa vende të Bashkimit Evropian.
Sipas një njoftimi për shtyp të Europol, gjatë operacionit morën pjesë forca të zbatimit të ligjit nga Belgjika, Republika Çeke, Gjermania, Holanda, Polonia dhe Spanja, duke çuar në shpërbërjen e këtij rrjeti të mirëorganizuar.
Operacioni përfshiu arrestimin e personave të dyshuar, zbulimin e 24 laboratorëve industrialë dhe sekuestrimin e rreth 1 mijë ton lëndësh kimike të përdorura për prodhimin e drogës sintetike, si amfetamina dhe metamfetamina, të cilat më pas shpërndaheshin në rrugë.
Europol e ka cilësuar këtë operacion si më të madhin e këtij lloji dhe një goditje të fuqishme ndaj krimit të organizuar në Evropë.
Dy nga të dyshuarit, shtetas polakë, dyshohet se kanë qenë drejtuesit e këtij rrjeti. Hetimi për rastin nisi në vitin 2024, kur Policia Polake identifikoi një rrjet që importonte sasi të mëdha lëndësh kimike të ligjshme nga Kina dhe India.
Më pas u vu re se këto lëndë ripaketoheshin, iu vendoseshin etiketa të ndryshme nga përmbajtja reale dhe rishpërndaheshin në laboratorë në disa vende të BE-së, ku prodhohej droga.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përkujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e vdekjes së tij.
Hamza ka vlerësuar se Rugova ishte një figurë historike që dha një kontribut të madh në rrugëtimin shtetformues të Kosovës dhe i priu popullit në një periudhë të rëndësishme të historisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka shkruar: “Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nderojmë figurën e tij historike dhe kontributin e tij në rrugëtimin shtetformues të Kosovës. Ish-Presidenti Ibrahim Rugova i priu popullit tonë në një periudhë të rëndësishme të historisë, në kohë sfidash dhe përpjekjesh të vazhdueshme për afirmimin politik dhe ndërkombëtar të Kosovës. Ai përfaqësonte një qasje të veçantë politike dhe intelektuale, e cila la gjurmë të mëdha në diskursin publik dhe në proceset vendimtare të asaj kohe. Nderime jetës dhe veprës së ish-Presidentit Ibrahim Rugova!”
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka bërë të ditur se gazetari Lirim Mehmetaj është kërcënuar me vrasje përmes rrjetit social Facebook.
Sipas njoftimit të AGK-së, një koment kërcënues në Facebook drejtuar Mehmetajt thotë:
“3 okfira me ti shpraz nlul tballit frik e kie”
AGK-ja e ka dënuar ashpër këtë gjuhë kërcënuese dhe i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që të ndërmarrin masa urgjente për identifikimin dhe lokalizimin e personit përgjegjës, duke e mbajtur atë përgjegjës për veprën penale të kanosjes.
“Ky kërcënim kaq serioz vë në rrezik sigurinë fizike të Mehmetajt dhe redaksisë që ai udhëheq, prandaj AGK-ja fton Policinë e Kosovës që të ofrojë masa mbrojtëse”, thuhet në njoftim.
AGK-ja ka theksuar se mbrojtja e sigurisë së gazetarëve është e domosdoshme dhe çdo kërcënim duhet trajtuar me urgjencë për të garantuar lirinë dhe sigurinë e profesionit të medias.
Një aksident fatal ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në magjistralen Deve Bair – Kriva Pallankë, ku ka humbur jetën një shtetas i Kosovës.
Ministria për Punë të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se rasti është raportuar më 21 janar 2026, rreth orës 04:50, në NJPB Kriva Pallankë.
Sipas njoftimit, në rrugën magjistrale nga Vendkalimi Kufitar Deve Bair drejt Kriva Pallankës, në zonën e fshatit Uzem, rrethina e Kriva Pallankës, një mjet transportues i tipit “Scania”, me targa të Kosovës, i drejtuar nga N.H. (56) nga Kosova, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në greminë.
Si pasojë e lëndimeve të rënda, shoferi N.H. ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa mjeku i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore ka konstatuar vdekjen.
“Është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupi i të ndjerit është dërguar për autopsi”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ministria e Shëndetësisë njofton se me projektligjin e ri për mbrojtje nga pirja e duhanit parashikohet rregullimi i pirjes së duhanit në hapësira publike të hapura ku ka prani ose qarkullim të shumë njerëzve. Më konkretisht, bëhet fjalë për hapësirat përreth institucioneve shëndetësore, arsimore dhe sociale, ngjarjeve publike, aktiviteteve sportive dhe kulturore, si dhe vendeve të dedikuara për fëmijë, të rinj dhe familje.
"Ky është një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i kornizës ligjore, duke pasur parasysh se kur njerëzit ndodhen afër njëri-tjetrit, tymi dhe aerosoli thithen drejtpërdrejt, ndërsa ekspozimi është i menjëhershëm. Në hapësirat publike të hapura qytetarët nuk kanë gjithmonë mundësi reale të largohen, veçanërisht fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Ligji ndërhyn vetëm aty ku ekziston ekspozim i pashmangshëm i personave të tjerë, me qëllim që hapësira publike të jetë një hapësirë e shëndetshme për të gjithë", thekson ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Siç thonë nga MSH, theks i veçantë i është kushtuar lokacioneve ku njerëzit nuk mund ta shmangin realisht ekspozimin ndaj tymit të duhanit, si për shembull gjatë pritjes në radhë, në hapësira të hapura ku qëndrohet për një kohë më të gjatë, apo në tubime të ndryshme publike në ambient të hapur.
"Për shembull, personat që presin në radhë për të blerë biletë për një institucion kulturor apo për hyrje në një ndeshje sportive, nuk kanë mundësi reale të shmangin ekspozimin ndaj tymit të duhanit. Qëllimi i projektligjit është mbrojtja e shëndetit të kësaj kategorie të popullsisë".
"Gjithashtu, në kuadër të rregullimit të pirjes së duhanit në hapësira publike të hapura, ndalohet veçanërisht pirja e duhanit në vendet e destinuara për fëmijë, të rinj dhe familje, si për shembull përpara këndeve të lojërave për fëmijë, ku më të vegjlit nuk mund ta shmangin ekspozimin ndaj tymit të duhanit", thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka uruar presidenten Vjosa Osmani pas ftesës që mori nga presidenti, Donald Trump për të marrë pjesë në Bordin e Paqes në SHBA.
Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar: “Është lajm i mirë ftesa e Presidentit Trump drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, veçanërisht në këto kohë tejet kritike për sigurinë globale. Pjesëmarrja e Kosovës dhe e Shqipërisë në Bordin e Paqes, si pjesëtare të një strukture ku marrin pjesë liderët e botës demokratike në përpjekje për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Trump, është një dritare shprese për ne”.
Sipas tij, kjo pjesëmarrje përforcon rolin e Kosovës si një faktor konstruktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global.
“Si dhe krijon mundësi konkrete për riforcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, i cili ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e sigurisë, shtetndërtimit dhe orientimit euroatlantik të Kosovës. Rikthimi i Kosovës si një partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik jo vetëm për garantimin e sigurisë kombëtare, por edhe për avancimin e interesave tona shtetërore, përfshirë integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/
Prokuroria Federale e Gjermanisë ka urdhëruar arrestimin e një shtetaseje gjermano-ukrainase në Berlin. Ajo akuzohet për veprimtari në shërbim të një inteligjence të huaj, njoftoi prokuroria të mërkurën.
Më së voni që nga nëntori i vitit 2023, ajo dyshohet se ka mbajtur kontakte me qëllime zbulimi në ambasadën ruse në Berlin dhe mund të ketë furnizuar me informacione një person kontaktues.
Gjermano-ukrainasja thuhet se ka grumbulluar, ndër të tjera, informacione në lidhje me luftën në Ukrainë për një shërbim sekret rus.
Sipas gazetës “Süddeutsche Zeitung” autoritetet bastisën banesat e gruas dhe të dy të dyshuarve të tjerë.
Sipas informacioneve të agjencisë gjermane të lajmeve DPA, operacioni policor ka pasur si objektiv edhe dy ish-pjesëtarë të Bundeswehrit (ushtrisë gjermane).
Ata dyshohen se e kanë furnizuar spiunen e dyshuar me informata dhe për këtë qëllim pretendohet se kanë shfrytëzuar kontaktet e tyre brenda ushtrisë. /Telegrafi/
Procesi zgjedhor i 28 dhjetorit 2025 është shoqëruar me zhvillime të shumta dhe vendime të rëndësishme institucionale, të cilat kanë nxjerrë në pah parregullsi serioze në administrimin dhe numërimin e votave në disa komuna të Kosovës.
Menjëherë pas ditës së zgjedhjeve dhe publikimit të rezultateve preliminare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar ankesa dhe raporte të shumta lidhur me parregullsi gjatë numërimit të votave, veçanërisht në nivelin e votave të kandidatëve brenda subjekteve politike
Por, çfarë ndodhi?
Fillimisht, KQZ ka marrë vendim që në 10 komuna të zhvillohet rinumërim i plotë i votave, me qëllim të verifikimit të saktësisë së rezultateve dhe adresimit të dyshimeve të ngritura.
Ky vendim u mor pas identifikimit të mospërputhjeve ndërmjet rezultateve të raportuara dhe materialeve zgjedhore.
Megjithatë, gjatë këtij procesi janë evidentuar raste të dyshimit vjedhjes së votave dhe manipulime brenda subjekteve politike, ku votat dyshohet se janë transferuar nga një kandidat te tjetri.
Si rezultat, KQZ mori një vendim të ri dhe më gjithëpërfshirës, duke urdhëruar që të gjitha 28 komunat e vendit të shkojnë në rinumërim të plotë të votave, në mënyrë që të garantohet transparenca dhe besueshmëria e rezultateve përfundimtare.
Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që anëtarët e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në komunën e Prizrenit të shkarkohen nga detyra, për shkak të përgjegjësisë së dyshuar në parregullsitë e konstatuara.
KQZ ka paralajmëruar se do të bashkëpunojë ngushtë me organet e drejtësisë për hetimin e plotë të rasteve dhe ndëshkimin e përgjegjësve.
Çfarë thonë njohësit e fushës?
Në lidhje me këtë situatë, analisti politik Mazllum Baraliu vlerëson se ky proces ka nxjerrë në pah defekte serioze në sistemin zgjedhor.
“Procesi paraprak kishte defekte në sistemin e llogaritjes dhe publikimit të rezultateve preliminare, gjë që shkaktoi befasi, pritje dhe pakënaqësi si në opinion, ashtu edhe në partitë politike. Procesi i rinumërimit po nxjerr në pah defekte serioze që janë lejuar të ndodhin, si rasti i Prizrenit, por edhe në komuna të tjera”, ka deklaruar Baraliu.
Sipas tij, vendimi për rinumërim total po e zvarrit shpalljen dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare, duke ndikuar drejtpërdrejt në respektimin e afateve kushtetuese.
“Jemi në ngushticë kohore për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, zgjedhjen e presidentit dhe miratimin e buxhetit. Prandaj, KQZ duhet të angazhojë kapacitete shtesë, me punë në tri ndërrime, 24 orë, në mënyrë që procesi të mos stërzgjatet”, ka theksuar ai shkruan Telegrafi.
Ndërkohë, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një deklaratë për Telegrafin e ka cilësuar këtë proces zgjedhor si një proces me “dy fytyra”.
“Së pari, kemi një imazh jashtëzakonisht pozitiv të organizimit dhe administrimit të votimit në ditën e zgjedhjeve, transparencës së KQZ-së dhe shpejtësisë në publikimin e rezultateve preliminare. Në anën tjetër, kemi një nga cenimet më të rënda të procesit zgjedhor pas vitit 2010, me skema manipulimi, në disa raste edhe industriale të votave të kandidatëve”, ka deklaruar Cakolli.
Ai ka theksuar se qytetarët kanë treguar pjekuri të lartë demokratike, ndërsa integriteti i zgjedhjeve është cenuar nga komisionerë të caktuar.
“Kjo situatë dëshmon nevojën e pashmangshme për rishikimin e sistemit të numërimit të votave. Kalimi i numërimit në qendrat komunale ka rritur potencialin për manipulime, pasi mjafton ndërhyrja e një zyrtari për të deformuar tërësisht rezultatin”, ka thënë ai.
Sipas Cakollit, zgjidhja afatgjate duhet të jetë kalimi në numërim digjital, i cili do ta zvogëlonte ndërhyrjen dhe do ta përshpejtonte ndjeshëm procesin.
“Personat që kanë kryer shkelje, manipulime apo keqpërdorime duhet të hetohen dhe të dënohen sa më parë, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten dhe dënimet të kenë efekt parandalues”, ka përfunduar Cakolli.
Ndryshe, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 21 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 834 nga 2,557 vendvotime.
Sipas këtyre të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 7 komuna.
Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi. /Telegrafi/
Trent Alexander-Arnold po kalon një nga momentet më të ndërlikuara të karrierës së tij.
Alexander-Arnold i ardhur te Real Madridi me pritshmëri shumë të larta dhe si një transferim strategjik, nuk ka arritur të gjejë rolin dhe rëndësinë e premtuar në projektin sportiv të klubit.
Situata aktuale ka krijuar pakënaqësi të dukshme te lojtari, i cili ndjen se pritshmëritë e tij nuk janë përmbushur.
Pavarësisht cilësive dhe reputacionit të ndërtuar ndër vite, Alexander-Arnold nuk ka arritur të konsolidohet si titullar i padiskutueshëm.
Problemet fizike dhe konkurrenca e brendshme kanë ndikuar në minutazhin e tij, ndërsa ndikimi në lojë ka qenë më i kufizuar nga sa pritej.
Në rrethin e lojtarit flitet për zhgënjim dhe mungesë harmonie me projektin aktual të Real Madridit.
Në këtë kontekst, afati kalimtar i verës po merr formë dhe Bundesliga po shfaqet si një opsion serioz.
Bayern Munich po ndjek nga afër situatën dhe e vlerëson shumë profilin e anglezit, duke e parë atë si një përforcim ideal për krahun e djathtë të mbrojtjes.
Klubi bavarez beson se stili i lojës në Gjermani mund të nxjerrë në pah aftësitë e tij teknike dhe ndikimin ofensiv.
Edhe Real Madridi është i vetëdijshëm për situatën dhe nuk përjashton mundësinë e një largimi, nëse pakënaqësia vazhdon dhe mbërrin një ofertë bindëse.
Mbajtja e një lojtari të pakënaqur nuk shihet si zgjidhje afatgjatë, ndërsa një transferim mund të ndihmojë në rregullimin e balancave në skuadër dhe shmangien e tensioneve të panevojshme.
Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për të ardhmen e Alexander-Arnold.
Lojtari po shqyrton me kujdes hapin e radhës, duke kërkuar një ambient ku të ndihet i vlerësuar dhe protagonist.
Nëse transferimi te Bayern Munich realizohet, do të ishte një nga lëvizjet më befasuese të afatit kalimtar veror dhe një pikë kthese në karrierën e tij. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Prizren, Dega në Dragash, ka bërë të ditur se ndaj Ferzidin Bozës nga fshati Restelicë i Komunës së Dragashit janë trajtuar gjithsej tri raste penale në vitet e fundit, për të cilat janë marrë aktgjykime dënuese, përfshirë edhe shqiptimin e masave të detyrueshme të trajtimit psikiatrik në liri.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, rasti i parë mban numrin P.nr. 2/22 dhe është gjykuar më 15 korrik 2022. Në këtë rast, Boza është shpallur fajtor për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, për çka i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.
Megjithatë, dënimi është pezulluar për një periudhë verifikuese prej dy vitesh, me kusht që i dënuari të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale. Përveç kësaj, gjykata ka shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik ambullantor në liri, në kohëzgjatje prej dy vitesh. Zbatimi i kësaj mase i është besuar Qendrës për Shëndet Mendor në Prizren, e cila është obliguar ta pranojë të dënuarin për trajtim dhe të njoftojë gjykatën për gjendjen e tij shëndetësore së paku një herë në gjashtë muaj. Për këtë masë janë njoftuar edhe Shërbimi Sprovues në Prizren dhe Qendra për Punë Sociale në Dragash.
Rasti i dytë, me numër P.nr. 56/21, është përfunduar me aktgjykim dënuese më 22 gusht 2022. Në këtë lëndë, Ferzidin Boza është shpallur fajtor për veprën penale “Dhuna në familje” dhe është dënuar me gjashtë muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda një periudhe verifikuese prej një viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale. Edhe në këtë rast, gjykata ka shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, e cila do të zbatohet nga personeli mjekësor i Qendrës së Shëndetit Mendor në Prizren deri në përmirësimin e gjendjes mendore të tij, por jo më gjatë se tre vjet. Qendra është obliguar që çdo gjashtë muaj ta informojë gjykatën për ecurinë e trajtimit.
Rasti i tretë, me numër P.nr. 65/24, është gjykuar më 17 tetor 2024. Në këtë rast, Boza është shpallur fajtor sërish për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe është dënuar me gjashtë muaj burgim. Në dënim është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 30 qershor 2024 deri më 25 shtator 2024. Me propozimin dhe pëlqimin e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, gjykata ka vendosur që dënimi me burgim të zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë euro. Pas llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim, nga kjo shumë janë zbritur 260 euro, ndërsa pjesa e mbetur duhet të paguhet në afatin ligjor pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se gjatë ditës do të informojë opinionin publik për rrjedhën e mëtejmë të rastit, nëse pranohet ndonjë kërkesë për caktim të masës së sigurisë, si dhe për kohën e mbajtjes së seancës dëgjimore. /Telegrafi/
Menjëherë pasi u gjetën 350 mijë euro të fshehura në shtëpinë e prindërve të gjyqtarit Gjoko Ristov, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar informoi se ky hetim i gjerë për shkak të dyshimeve për korrupsion të nivelit të lartë mbështetet nga informacionet dhe raportet nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare.
Në deklaratën e ASK-së thuhet se në periudhën e kaluar, nëpërmjet kapaciteteve të forcuara operative dhe analitike, bashkëpunimit të përmirësuar ndërinstitucional dhe një qasje proaktive të inteligjencës, Agjencia ka zbuluar disa raste me implikime serioze në siguri dhe institucionale.
"Në këtë drejtim, bazuar në informacionin nga Agjencia, institucionet kompetente po veprojnë në një rast që lidhet me krime të rënda financiare dhe tatimore me dëme të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Paralelisht, po trajtohet një rast që lidhet me dyshimet për korrupsion të nivelit të lartë në sistemin e drejtësisë, në të cilin u gjet dhe u sekuestrua një sasi e konsiderueshme parash. Këto dy raste tregojnë qartë se krimet e rënda financiare dhe korrupsioni i nivelit të lartë nuk janë vetëm çështje krimesh individuale ose dëmesh buxhetore, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për integritetin institucional, sundimin e ligjit dhe sigurinë e shtetit", thuhet në deklaratën e ASK-së.
Javën e kaluar, Prokuroria ndërmori gjithashtu një veprim të veçantë, të ndryshëm, pas një raporti nga ASK, pas të cilit u nis një hetim kundër 20 personave të dyshuar se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me 4.8 milionë euro./Telegrafi/
Makina e re më e shitur në Evropë për vitin 2025 është konfirmuar - dhe është një nga të preferuarat e njohura në krye.
Dacia Sandero ka zënë vendin e parë për të dytin vit radhazi, duke kryesuar listat e shitjeve të makinave të pasagjerëve në Evropë në të gjitha kanalet e shitjes, transmeton Telegrafi.
Pozicioni i saj si lideri i shitjeve në të gjithë kontinentin ndoshta nuk është surprizë, me Sanderon e Mbretërisë së Bashkuar dhe një nga makinat e reja më të përballueshme në Evropë.
Vitin e kaluar, në total, Sandero regjistroi 289,295 shitje në të gjithë botën, me Evropën që përbënte një pjesë të madhe të kësaj shume.
Në fakt, pothuajse një në çdo 55 makina të reja të shitura në Evropë ishte një Sandero dhe në tregun me pakicë ishte një në 28.
Që nga prezantimi i modelit në vitin 2008, më shumë se 3.58 milionë Sandero janë shitur në nivel global.
Dhe duke synuar të shfrytëzojë këtë moment, Dacia ka premtuar përditësime për Sandero dhe Sandero Stepway në vitin 2026.
Të dyja do të marrin një dizajn të jashtëm të rifreskuar - duke shfaqur një pamje të re eleganta të dritave LED të përmbysura 'T' të Dacia-s.
Shoferët gjithashtu mund të presin një parakolp të ridizajnuar përpara dhe mbrapa që synon t'i japë motorit të vogël një pamje më të fortë.
Brenda, si modeli standard ashtu edhe ai Stepway do të fitojnë sistemin e ri të aksesorëve të Dacia-s, një ekran multimedial të përmirësuar 10 inç me lidhje të përmirësuar dhe mundësinë e një karikuesi pa tel për smartphone. /Telegrafi/
Në zyrat e Komunës së Graçanicës është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të Grant Kontratës për “Projektin për sigurimin e pajisjeve mjekësore për Qendrën Diagnostikuese Graçanicë”, në kuadër të Ndihmës Japoneze për Grante për Projektet e Sigurisë Bazike Njerëzore (GGP).
Grant kontrata është nënshkruar nga i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, dhe kryetari i Komunës së Graçanicës, Novak Ziviq, si partner zbatues i projektit.
Me këtë rast, Tanigaki e ka uruar Ziviqpër zgjedhjen e tij në postin e kryetarit të komunës, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e mandatit. Ai ka theksuar se Japonia mbetet e përkushtuar për të mbështetur projektet që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
“Na bën veçanërisht të kënaqur që përmes këtij projekti të mbështesim Qendrën Diagnostikuese dhe Komunën e Graçanicës në përpjekjet e tyre për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve në këtë komunë dhe në rajonin përreth”, ka deklaruar Tanigaki.
Projekti synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Graçanicës dhe zonave përreth, përmes sigurimit të pajisjeve moderne mjekësore.
Në kuadër të tij, në laboratorin klinik të Qendrës Diagnostikuese do të instalohet një analizues shtesë imunoanalitik, i cili do t’u mundësojë rreth 4 mijë e 100 pacientëve në vit marrjen e diagnozave më të sakta dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve.
Po ashtu, në repartin e fizioterapisë do të dhurohet një pajisje për terapi me valë goditjeje radiale ekstrakorporale, e cila do t’u mundësojë rreth 430 pacientëve në vit trajtim adekuat sipas nevojave të tyre shëndetësore.
Vlera totale e projektit kap shumën prej 59 mijë e 700 euro.
Ndihma Japoneze për Grante për Projektet e Sigurisë Bazike Njerëzore (GGP) është një nga skemat e Ndihmës Zyrtare të Japonisë për Zhvillim, e cila mbështet organizatat joqeveritare dhe institucionet publike lokale në adresimin e nevojave bazike të komuniteteve, veçanërisht në fushat e shëndetit, arsimit, mjedisit dhe mirëqenies sociale.
Në Kosovë, Japonia ka zbatuar skemën GGP edhe para shpalljes së pavarësisë, ndërsa pas pavarësisë, shuma totale e granteve të ndara përmes kësaj skeme arrin në 4 milionë e 410 mijë e 415 euro për 66 projekte në mbarë vendin. /Telegrafi/