Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

"Ore zotëri, mos e përkëdhel kalin" – autori pranon se qëlloi turistin në sy të vajzës që po bënte foto në Berat

16 November 2025 at 19:54


Fashikulli hetimor hedh dritë mbi rrethanat e vrasjes së turistit shqiptar me banim në Angli, Keli Hoxha, ngjarje e ndodhur më 28 tetor në Berat.

Sipas dosjes, autori i dyshuar është 63-vjeçari Kristo Memë, pronar i kalit që po prekej nga turisti dhe familja e tij.

Në dëshminë e tij, Memë tregon se e kishte paralajmëruar Hoxhën që të mos e prekte kalin, duke pretenduar se ishte bezdisur nga shumë vizitorë atë ditë. Ai përshkruan se situata u tensionua pas disa fjalëve të shkëmbyera, duke thënë se veproi në “gjaknxehtësi”.

“Nuk dua të justifikohem për atë që bëra. Por më vret fjala. Kur më fyejnë, unë nevrikosem shumë,” thuhet në dëshminë e tij të administruar në dosje. Memë, i cili më herët ishte dënuar për një rast tjetër vrasjeje me 22 vite burg, por nuk i kishte vuajtur për shkak të parashkrimit, rrëfen se reagoi pas fjalëve që pretendon se dëgjoi nga turisti.

Në dosje jepen edhe dëshmitë e familjarëve të viktimës. Bashkëshortja e Hoxhës, Vjollcë Haxhia, rrëfen se gjithçka nisi kur vajza e tyre pa një kalë të bardhë të lidhur dhe iu afrua. Sipas saj, aty nuk ishte askush pranë dhe vajza shprehu keqardhje që kafsha ishte e lidhur.

“Vajza dhe Keli po e preknin kalin dhe në atë moment doli i zoti: ai tha ‘mos e prekni, nëse do ta prekësh duhet ta paguash’. Keli i tha ‘s’ka gjë, ne vetëm e prekëm’. Personi u acarua dhe filloi të shante,” ka deklaruar ajo. Ajo shton se më vonë, ndërsa po largoheshin, situata u përshkallëzua dhe Hoxha u godit. Më pas, ai i kishte kërkuar të thërriste ambulancën.

Hetimet për rastin vazhdojnë, ndërsa policia dhe prokuroria po shqyrtojnë të gjitha provat dhe dëshmitë e mbledhura për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes, raporton tch.

100 plumba për vrasjen e Gilmando Danit, çfarë dihet deri tani për ekzekutimin e mikut të Emiljano Shullazit

12 November 2025 at 08:24


Përballë aeroportit të Rinasit, në portën hyrëse të Shqipërisë, ku në 10 muaj hynë 10 milionë udhëtarë, që presupozohen të jetë vendi më i sigurt në Shqipëri, rreth orës 14:20 të kësaj të marte ndodhi një atentat tipik mafioz, ku nga një makinë në lëvizje u qëllua me kallashnikov drejt dy personave.

Pas 4 ditësh qëndrimi në Barcelonë, Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani Sheqeri u rikthyen në atdhe dhe me mjetin të cilin e kishin parkuar brenda aeroportit dolën drejt rrethrrotullimit të aeroportit, pa e ditur se do të binin në kurthin e ngritur nga së paku 4 persona të cilët i donin patjetër të vdekur.

Një mjet Toyota iu vu pas makinës së tyre duke qëlluar me breshëri dhe pa iu dhënë mundësi reagimi. Mbi 100 plumbat e derdhur drejt Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit detyruan makinën të stopohej dhe krijuan panik dhe dëme materiale edhe në bizneset e zonës të mbushura me qytetarë. Autorët u larguan nga vendngjarja vetëm kur u bindën se misioni ishte kryer.

Nga të shtënat, Gilmando Dani, i cili ishte në vendin e pasagjerit, ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa Muçi Shaljani mbeti i plagosur rëndë dhe po lufton me jetën në spital.

Pas krimit, atentatorët u larguan drejt fshatit Halil, ku braktisën makinën e përdorur në ngjarje dhe brenda saj municionin dhe 4 kallashnikovë.

Policia dyshon se ata kanë pasur informacion të plotë mbi lëvizjet e Gilmando Danit, se kur ai kthehej nga Barcelona dhe me çfarë makine lëvizte.

Pjesë e grupit të strukturuar kriminal të Emiliano Shullazit, Gilmando Dani ka një CV të pasur kriminale, mbi të cilën policia do të ndalet për të identifikuar shkaqet dhe autorët e kësaj ngjarjeje. I arrestuar disa herë për armëmbajtje, kanosje dhe gjobëvënie, Dani kishte veç një vit që kishte dalë nga burgu. Kjo është hera e tretë ndaj të cilit organizohen sulme me armë. Më herët, Dani i ka shpëtuar atentateve të ngjashme në 2011 dhe 2015.

Ndërsa miku i tij, Muçi Shaljani, rezulton pa probleme me ligjin. Ai rezulton prej 3 muajsh i punësuar pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që presupozohen të pastrojë radhët e policisë, por që udhëtonte dhe shoqërohej me një person me dritëhije kriminale. /Tch/

Rrëfimi i nënës së 13-vjeçares shqiptare që u vra në Itali: Ia ndalova të takohej me të...

4 November 2025 at 21:41


Vrasja e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila një vit më parë nga miku i saj i cili e shtyu nga ballkoni i banesës ku ajo jetonte me mamanë, ishte një ngjarje që la pas një dhimbje të madhe.

Pas një viti, Gjykata e të Miturve në Bolonja vendosi ta dënonte autorin me 17 vite burg.

Në një intervistë për Top Channel me gazetarin Jon Lumani, mamaja e Aurorës, Morena Corbellini, tregon se si e përjetoi ajo vendimin e gjykatës.

Ajo e përshkroi Aurorën si një vajzë të mbyllur dhe të turpshme, të ëmbël e plotë dritë, e cila kishte dëshirë që të bëhej psikologe dhe të udhëtonte botën.

Sa i përket vendimit të Gjykatës, ajo u shpreh se autori mori dënimin maksimal, por që nuk ishte i mjaftueshëm, pasi vajza e saj nuk jeton më, duke shtuar se ajo nuk kishte asnjë lidhje dashurie me autorin, por vetëm njohje si shokë.

“Të sqarojmë një gjë: Aurora nuk kishte një lidhje dashurie, ajo ishte vetëm 13 vjeç, kështu që bëhej fjalë për diçka pak më shumë se një miqësi. Fakti që gazetarët e paraqitën si “të dashurin” e saj, sepse kështu tingëllonte më sensacionale, nuk përputhet as me fjalët e mia, as me realitetin. Megjithatë, po, isha në dijeni të kësaj simpatie.

Vendimin e gjykatës e kam pritur pozitivisht nga ana ligjore, por si nënë nuk do të mund të jem kurrë plotësisht e kënaqur, sepse asgjë nuk do të ma kthejë Aurorën.

Ai megjithatë është gjallë, mund të qeshë, të bëjë shaka dhe të mendojë për një të ardhme pasi të ketë kryer dënimin, vajza ime është bërë hi nga dora e tij.

E përsëris, nga ana ligjore dhe për llojin e procesit, ky është pothuajse maksimumi që mund të jepej, por për mua nuk është i drejtë, nuk ekziston një dënim i mjaftueshëm për kë ka vrarë vajzën time”, rrëfen ajo.

Corbellini shton se prej kohësh mendonte se ajo ia kishte ndaluar Aurorës të dilte me të riun që i mori jetën, pasi e dinte se ishte një person që nuk duhej shoqëruar. Gjithashtu tregon se do të krijojë një shoqatë për të ndihmuar prindërit dhe të rinjtë, të cilën do ta quajë “Drita e Aurorës”.

“Nëse Aurora do të mund të më dëgjonte sot, do të kuptonte pse e urreja aq shumë atë djalë. Nuk i besoja, nuk doja që ta takonte, madje ia kisha ndaluar. Nuk e di pse, por instinkti më tregonte se ai nuk ishte një person që duhej frekuentuar.

Uroj që të mos ketë më prindër që duhet të kalojnë atë që po kaloj unë. Jeta pa një fëmijë nuk është më jetë, prandaj do të krijoj një shoqatë në kujtim të saj, për të ndihmuar të rinjtë dhe prindërit. Ajo do të quhet “Drita e Aurorës” (La Luce di Aurora)”, tha ajo.

Vrau turistin nga Tirana për një foto me kalin e tij, zbulohet e shkuara e Kristo Memës, i dënuar 25 vite burg në Greqi

28 October 2025 at 23:19


Një ngjarje e rëndë tronditi vendin ku mos pagesa për një foto me kalin, i mori jetën një 42-vjeçari në Tiranë.

Viktima, Keli Hoxha ishte me nënën, bashkëshorten dhe dy fëmijët pranë kalasë së Beratit, ku i bërë foto fëmijëve me kalin dhe nuk pagoi para.

Për këtë shkak, ka nisur debati mes tij dhe pronarit të kalit, Kristo Mema alias Kastriot Hoxha, 63 vjeç, i cili e qëlloi me thikë turistin nga Tirana, në sy të familjarëve të tij.

Autori i ngjarjes, i cili u arrestua në një shpellë pak orë pas vrasjes, rezulton me precedent penal edhe në shtetin fqinj, Greqi.

Ai është 25 vite burg për vrasje, të kryer rreth 25 vite më parë.

Pas vuajtjes së dënimit, ai kishte ndryshuar emrin dhe ishte kthyer në Shqipëri dhe kishte filluar të punonte në zonën turistike të kalasë, duke u ofruar turistëve xhiro me kalë dhe fotografi.

Kuzhinieri vret me thikë kamerierin 34-vjeçar në Tiranë, autori: U zumë për punën

28 October 2025 at 16:36


Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme Tiranën, ku një sherr mes kolegësh në një lokal-piceri në zonën e Komunës së Parisit ka përfunduar me viktimë.

Sipas policisë, 34-vjeçari Indrit Ismaillari, që punonte si kamerier në lokal, është goditur me thikë nga Filip Shehu, 41 vjeç, i cili shërbente si kuzhinier në të njëjtin biznes.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, pas një konflikti që, sipas dëshmisë së parë të autorit të dyshuar, kishte të bënte me punën. Ismaillari është dërguar me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.

Policia ka bërë të ditur se autori i dyshuar është arrestuar menjëherë pas ngjarjes dhe është shoqëruar në komisariat për hetime të mëtejshme.

“Rreth orës 15:30, në zonën e Komunës së Parisit, në ambientet e një lokali, shtetasi F. Sh., rreth 41 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasin I. I., rreth 34 vjeç, të dy punonjës të lokalit. Shtetasi I. I. ka humbur jetën në spital, si pasojë e plagëve. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, autori i dyshuar është kapur dhe shoqëruar në Komisariat,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes tragjike.

Dy të vrarë për një kafe, gjykata e Durrësit jep masat e sigurisë për katër të ndaluarit

25 October 2025 at 17:10


Katër të rinjtë që ndodheshin në lokalin ku ndodhi ngjarja e rëndë në Manëz, ku mbetën të vrarë dy persona pas një konflikti për një kafe, kanë dalë këtë të shtunë para Gjykatës së Durrësit.

Gjykata ka vendosur për të katër të arrestuarit, Erald Cani, 25 vjeç, Ergi Kadiu, 21 vjeç, si dhe shtetasit Taulant dhe Emirian Beqaj, vëllezër, masat e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim daljeje jashtë shtetit.”

Të katërt të rinjtë, banues në Manzë, akuzohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit.”

Kujtojmë se në ngjarjen e rëndë u vranë 33-vjeçari Flori Paluçi dhe 23-vjeçari Aranit Kurti.Në kërkim është shpallur Daniel Pepa, i cili dyshohet si autor i vrasjes së Flori Paluçit, pasi ky i fundit kishte qëlluar më parë mikun e tij, Aranit Kurtin.

Dinamika e ngjarjes

“Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin Flori Paluçi (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari Erald Cani Pas konfliktit verbal, shtetasi Daniel Pepa është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar Ergi Kadiu. dhe nga shtetasi Aranit Kurti. Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi Flori Paluçi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë. Në këtë moment shtetasi Daniel Pepa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Flori Paluçi, të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve Daniel Pepa dhe Aranit Kurti (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin Flori Paluçi). Si pasojë u vranë shtetasit Flori Paluçi dhe Aranit Kurti. Më tej nga hetimet, dyshohet se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja, me shtetasin Daniel Pepa”, sqaroi policia.

Arrestohet i dyshuari për vrasje në Podujevë

23 October 2025 at 20:56


Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person të kërkuar për vrasjen që kishte ndodhur më 6 shtator 2025 në fshatin Llapashticë e Epërme të Podujevës.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është zhvilluar nga Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit, përkatësisht zyrtarët e Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, të cilët kanë lokalizuar dhe ndaluar të dyshuarin.

I arrestuari është identifikuar si A.H., mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili ishte shpallur në kërkim nën dyshimin e bazuar për përfshirje në veprën penale të vrasjes.

Policia ka bërë të ditur se veprimet e mëtejme ndaj të dyshuarit do të ndërmerren në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

“Hakmarrje pas një sherri banal” – identifikohet autori i vrasjes së 23-vjeçarit shqiptar në Itali​

19 October 2025 at 17:28


Një 23-vjeçar shqiptar, Hekuran Cumani, është vrarë me thikë në parkingun e departamentit të Matematikës dhe Informatikës të Universitetit të Perugias në Itali.

Sipas mediave italiane, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 4:30 të mëngjesit në parkingun në Via Luigi Vanvitelli, ku ishte raportuar një sherr mes disa personave.

Kur patrulla e policisë mbërriti në vendin e ngjarjes, 23-vjeçari ishte goditur me thikë në gjoks dhe kishte ndërruar jetë para se të mbërrinte ambulanca.

Prokuroria e Perugias ka nisur hetimet për vrasjen. Burime hetimore bëjnë të ditur se “shqiptari është qëlluar pas një sherri për motive banale, nga një i ri aktualisht i paidentifikuar”.

Ndërkohë, sipas policisë italiane, hetuesit nga Skuadra Fluturuese e Perugias “kanë identifikuar tashmë autorin e dyshuar të ngjarjes dhe po punojnë për të rindërtuar plotësisht dinamikën e vrasjes”.

Nga hetimet paraprake dyshohet se motivi i krimit mund të jetë hakmarrja. Hetuesit po verifikojnë versionin se Hekurani mund të jetë përfshirë në një konflikt më herët gjatë mbrëmjes me autorin në një lokal pranë universitetit.

“Pas sherrit me një grup të rinjsh, ai dyshohet se e ka ofenduar autorin dhe më pas ky i fundit është hakmarrë duke e vrarë me thikë,” thanë burime nga hetuesia.

Hekurani ishte me origjinë italo-shqiptare dhe jetonte në Fabriano, në rajonin e Markes. Ai u godit me thikë në gjoks dhe në fyt, plagë që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.

Deri më tani, disa persona janë marrë në pyetje, ndërsa policia italiane po heton për përfshirjen e më shumë se një personi në këtë ngjarje tragjike.

Shqiptari dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas në Greqi

16 October 2025 at 18:05


Autoritetet gjyqësore greke kanë dënuar me burgim të përjetshëm shtetasin shqiptar Eduar Danaj, i cili vrau me thikë bashkëshorten e tij, Enkelejda Danaj, në maj të vitit 2024 në Athinë.

Sipas mediave greke, Danaj, 52 vjeç, u shpall fajtor për vrasje me paramendim, të kryer nën ndikimin e xhelozisë dhe motiveve kontrolluese ndaj bashkëshortes.

Pas krimit, ai ishte larguar nga vendngjarja dhe ishte fshehur përkohësisht në një hotel, ku më pas u arrestua nga policia greke.

Nga dosja e hetimit rezulton se ngjarja ndodhi në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 06:00, kur viktima po përgatitej të shkonte në punë. Në atë moment, bashkëshorti e kishte sulmuar me thikë, duke e goditur më shumë se 14 herë, çka i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.

Procesi gjyqësor ndaj Danajt nisi sot në Gjykatën e Përzier të Athinës, ku dëshmoi edhe vajza 22-vjeçare e çiftit, e cila pas ngjarjes ka marrë përsipër kujdesin për vëllain e saj më të vogël.

E reja, e cila refuzoi ta shikonte babanë gjatë seancës, dëshmoi se ai “nuk është penduar kurrë për krimin që ka bërë”.

“Folëm një herë. Ai më kërkoi falje, por pastaj filloi ta mallkonte nënën”, – tha ajo para trupit gjykues.

Me vendimin e sotëm, gjykata greke mbylli një nga rastet më të rënda të dhunës në familje me pasoja fatale që ka tronditur opinionin publik në Greqi dhe në komunitetin shqiptar atje.

Gjykata në Ferizaj dënon me 12 vite burg një person për tentim vrasje të rëndë

9 October 2025 at 11:44


Gjykata Themelore në Ferizaj - Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.I., për shkak të veprën penale 'vrasja e rëndë në tentativë'.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Gjykata Themelore në Ferizaj, departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva - Daci – kryetare e trupit gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar dhe pranimit të fajësisë, të pandehurin F.I., e shpalli fajtor për veprën penale në vazhdim vrasja e rëndë në tentativë.

Siç thuhet në njoftim të njëjtit i është shqiptuar dënim burgimi në kohëzgjatje prej 12 vite, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. /Telegrafi/

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës, Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij rrezikojnë burgim të përjetshëm

8 October 2025 at 23:03


Elvis e Gjon Shkambi rrezikojnë të dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja pasi Prokuroria e Tiranës i ka proceduar ata për veprën penale ‘Vrasje funksionarëve publikë’, mbi ta rëndon edhe akuza e ‘Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’ e mbetur në tentative ndaj Ragip e Ervis Kurtajt si dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas Prokurorisë së Tiranës gjyqtari Astrit Kalaja është qëlluar për vdekje nga Elvis Shkambi sapo ka lexuar vendimin për çështjen që po gjykonte mes familjes Kurtaj dhe një përmbaruesi.

Pasi ka shtrirë në tokë gjyqtarin me armën që mbante në brez Elvis Shkambi ka qëlluar edhe në drejtim të Ragip e Ervis Kurtajt të cilët po dilnin me urgjencë nga salla duke i lënë të plagosur.

Menjëherë më pas, autori i dyshuar i ka lënë në dorë pistoletën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe pasi ka dalë në oborr, është kapur në flagrancë nga shërbimet e komisariatit Nr.1, Tiranë.

Akuzën e vrasjes Prokuroria e Tiranës ja ka ngritur edhe Gjon Shkambit. Sipas saj megjithëse në dukje gjon shkëmbi nuk ka kryer ndonjë veprim konkret, ai dyshohet fajtor pasi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij madje ka qëndruar i qetë kur ai vrau gjyqtarin dhe plagosi palën kundërshtare në proces, çka krijon dyshimin e arsyeshëm, që ai ka pasur dijeni për planin dhe veprimet e nipit të tij.

Sipas prokurorisë Gjon Shkambi ka rolin e shtytësit për tentativën e vrasjes së Ragip e Ervis Kurtajt nga i nipi, kjo bazuar në në sërë veprimesh të kryera nga Gjon Shkambi në seancat e mëpërparshme para dhënies së vendimit, por edhe në daljet televizive ose në kontaktet që ka pasur me banorët që pretendonte se i kanë zaptuar pronën.

Telashe me ligjin ka edhe punonjësi i sigurisë në gjykatë Banush Koxhaj i cili me neglizhencën e tij nuk mori në konsideratë dritën e dedektorit kur në të kaloi Elvis Shkambi dhe nuk bëri kontroll fizik të tij.

Nga administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike të ruajtura në sereverin NVR e Gjykatës, rezulton se autori u paraqit në gjykatë në orën 13:42, të së hënës në ambientet e sallës së pritjes për publikun.

Kur Gjon e Elvis Skambi kanë kaluar detektorin ai ka dhënë sinjal por Banush Koxhaj ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të Elvis Shkambit dhe xhaxhait të tij dhe regjistrimin e tyre në librin e protokollit, në të cilin duhen të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e gjykatës.

Për këtë shkelje ai akuzohet nga prokuroria për shpërdorim detyre. Të tre të arrestuarit do të dalin mëngjesin e së enjte para gjykatës ku do të njihen me masat e sigurisë.

Gjykimi ndaj Endrit Nikës për vrasjen e argjentinases në Fushë Kosovë, shfaqen pamje nga nata kritike

7 October 2025 at 21:30


Në gjykimin ndaj Endrit Nikës, i akuzuar se ka hedhur nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë të dashurën e tij argjentinase, e cila më pas ka vdekur, janë shfaqur disa video-incizime.

Endrit Nika nga Prokuroria akuzohet se pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij M.K.U., me dashje që ta privojë nga jeta, e kishte nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur tanimë të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, përkundër trajtimit mjekësor, ajo kishte ndërruar jetë në QKUK.

Gjykimi për këtë rast ka ardhë deri në fazën ku Prokuroria i ka prezantuar provat që i ka për akuzën që e ngarkon Nikën.

Më 07.10.2025 Prokuroria i ka lëshuar në seancë për shikim pamje të kamerave nga nata kritike, teksa i ka elaboruar veprimet e të akuzuarit dhe të viktimës e cila më pas kishte vdekur.

Sipas Prokurorisë, Nika e ka hedhur argjentinasen nga kati i gjashtë i hotelit.

Prokuroria ka shfaqur pamje të kamerave të sigurisë, në të cilat i akuzuari dhe ish e dashura e tij shihej se kishin një konfrontim verbal në një parking.

Prokurori Armend Hamiti ka përshkruar veprimet e Nikës (që shihen në pamje) në drejtim të tashmë të ndjerës si sulme.

Pas kësaj video, prokurori Hamiti kërkoi që të lëshohen pamje të tjera, të cilat janë prova të aktakuzës, ku shihen Nika dhe viktima teksa hynin në objektin e hotelit pas konfrontimit që kishin pasur.

Tutje Hamiti ka shfaqur edhe pjesën e pamjeve nga kamerat e sigurisë në korridorin e hotelit teksa shihet i akuzuari dhe argjentinasja duke u futur në dhomë.

E krejt në fund është shfaqur edhe pamja nga kamerat e sigurisë ku shihet viktima teksa bie nga kati i gjashtë i hotelit dhe më pas ku shihet i akuzuari teksa del poshtë në hyrje të hotelit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Endrit Nika, avokati Drilon Imeri, lidhur me provat e prezantuara nga ana e Prokurorisë, përkatësisht video-incizimet, tha se këto prova nuk vërtetojnë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Sa u përket video-incizimeve, me të njëjtat nuk u vërtetua asnjë element apo veprim konkret se i akuzuari Endrit Nika ka ndërmarrë ndonjë veprim qoftë dhune, formë të shtytjes apo goditjes në drejtim të dëmtuares Maria Clara”- tha avokati.

Paraprakisht në seancë është dëgjuar edhe eksperti i mjekësisë ligjore Arsim Gërxhaliu, i cili dha detaje për autopsinë.

Gërxhaliu tha se qëndron pranë raportit të autopsisë dhe dha detaje sa i përket metodologjisë së kryerjes së autopsisë.

“Unë qëndroj pranë raportit edhe sa i përket standardeve operative profesionale në IML. Rasti në fjalë është marrë nga spitali ku edhe ka vdekur në spital. Pas ecurisë së thirrjes të ekipit tonë, andaj në këtë rast hetuesit mjekësorë të vdekjes nuk dalin në spital sepse veçse është lëvizur nga vendi i ngjarjes”- tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu tha se sipas metodologjisë së ngjarjes ata nuk kanë të dhëna nga vendi i ngjarjes, sepse nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur rasti.

Eksperti mjekoligjor tregoi edhe lëndimet që e ndjera i kishte pësuar nga rënia nga kati i gjashtë.

“Dëmtimet e përshkruara duke filluar nga këmba e majtë, kofsha e majtë, ana e majtë e pelvikut pjesa lumbale, krahu dhe parakrahu janë lëndime të shumta të madhësive të ndryshme duke filluar 2×2 milimetra e deri 23×14 milimetra” -tha eksperti.

“Të njëjtat pra janë të formatit të përafërt me të gjitha pjesët e përshkruara si më lart dhe konsistojnë në dëmtimin e indit lëkuror në copëzat apo grimcat e qelqit, kurse në brendësi janë vrojtuar edhe fraktura të shumta të kockave të pelvikut shumëpjesëshe si pasojë e rënies nga lartësia” – tha më tej Gërxhaliu.

Gërxhaliu tha se në trupin e të ndjerës ka pasur edhe hematoma të tjera të cilat nuk kanë pasur të bëjnë më rënien nga lartësia, por që janë shkaktuar nga goditja më mjet të fortë mprehës.

Ndërsa shkaktari i vdekjes së viktimës Gërxhaliu tha se është gjakderdhja e brendshme.

“Si pasojë e këtyre lëndimeve të brendshme të përshkruara si më lart kemi pasur gjakderdhje të abdommemit dhe të kafazit mbi fraktura si dhe tërheqjes së organeve në momentin e rënies, gjakderdhja e brendshme, gjakderdhja në abdomen, kafaz dhe minimalet në pjesën e pasme te kafkës është shkaktari i vdekjes”- deklaroi Gërxhaliu.

Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua për në fund të muajit tetor, kur pritet që shqyrtimi gjyqësor të vazhdojë me mbrojtjen e të akuzuarit.

Aktakuza në këtë rast po përfaqësohet nga prokurori Armend Hamiti.

Kjo çështje është duke u trajtuar në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Gazmend Bahtiri (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët, Gëzim Ademi dhe Alltëne Murseli.

DOSJA E PROKURORISË

Sipas aktakuzës së datës 11.02.2025, i pandehuri Endrit Nika po akuzohet se më 01.08.2023 në Fushë-Kosovë, në hotel “Sonoma”, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij, tani të ndjerën M.K.U., paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë te parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hynë në hotelin – dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Endrit Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet e dëmtuara dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës i pandehuri Nika e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast tani e ndjera M.K.U. ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta ka ndërruar jetë në QKUK.

Andaj për shkak veprimeve të lartpërmendura Endrit Nika nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

“Kush ma dënon nipin do të ketë fatin e gjyqtarit”, flet xhaxhai i autorit

7 October 2025 at 11:52


Gjovalin Shkambi, xhaxhai i autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja ka folur ekskluzivisht për Euronews Albania, ku ka deklaruar:

“Kushdo qoftë ai gjyqtar që do ta dënojë nipin tim Elvisin, do përballet me të njëjtën gjë. Ai gjyqtar që do ta dënojë, do përballet me plumba! S’ka gjyqtar që guxon me e dënu Elvisin, sepse do pësojë si Astrit Kalaja. Ai gjyqtar që dënon ato me Kolin e Klisman e me mua ka të njëjtin shpërblim, provat i dhamë, s na e përdhunon kush pronën. Nuk i druhem hakmarrjes hiç. Kush dënon atë djalë do përballet në gjykatë me plumba. Nuk ka gjyqtarë që e dënon se do ti hajë plumbat si Astrit Kalaja”, thotë Gjovalini.

Më tej, Gjovalini xhaxhai i Elvisit shprehet: “Kemi 13 vjet që i shkruajmë kryeministrit dhe gjithë qeverisë: na jepni pronën, se e kemi ble. Ja kemi ble shtetit, me letra e me ligj. E kemi ble pronën me ligj, me rregulla. Kushdo që dënon atë djalë, të njëjtën gjë ka me pësu – qoftë edhe Donald Trump e Papa – nuk ka lojë me ne. Ashtu do përfundojnë. Ne i kemi fitu të gjitha gjyqet, e kemi certifikatën. Ka 13 vjet që i shkruaj kryeministrit: Më liro pronën, ta hetojë shteti! Nuk ka lojë më me ne. Nuk kam qenë në dijeni të veprimeve të nipit”. /Euronews.al/

U vra pasi dha vendimin kundër familjes Shkambi, kjo është prona që “i mori” jetën gjyqtarit Astrit Kalaja

7 October 2025 at 00:02


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë pasdite në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit.

Autori i vrasjes së gjyqtarit të Apelit të Tiranës, është Elvis Shkambi, i cili u fut në ambientet e sallës së gjyqit me armën me vete, e cila nuk u pikas as nga detektori metalik, dhe as nga kontrolli fizik.

30-vjeçari më pas është kthyer nga kundërshtarët e tij në proces Ervis dhe Rakip Kurtaj duke hapur zjarr edhe në drejtim të tyre. Të dy mbetën të plagosur dhe u përcollën me urgjencë drejt spitalit ku ndodhen në gjendje të stabilizuar.

Para bluve 30-vjeçari ka qëndruar i qetë dhe i pa penduar duke pranuar autorësinë e krimit të rëndë me pretendimin se reagoi ndaj padrejtësisë së kryer. Sipas tij familja e kishte trashëguar atë pronë e cila në komunizëm u shtetëzua dhe bashkia ua ka kaluar dhjetëra familjeve. Prona për të cilën bëhet fjalë, është godina që shihni në video, ku stresohen 31 familje në nevojë, me vendim të bashkisë, si pronë shtetërore.

- YouTube www.youtube.com

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon Sali Berisha

6 October 2025 at 16:49


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas ekzekutimit të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, ngjarje që ka tronditur opinionin publik.

Në një postim në Facebook, Berisha shprehu ngushëllimet e tij për familjarët dhe dënoi me forcë aktin kriminal që ndodhi brenda ambienteve të gjykatës.

“Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në brendësi të institucionit, dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend. Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë”, ka shkruar Berisha.

Ngjarja ndodhi brenda godinës së Gjykatës së Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri.

Sipas raportimeve të A2 CNN, autori i dyshuar është arrestuar dhe është identifikuar si Gjon Shkëmbi.

Përveç gjyqtarit të ndjerë, janë plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e birë, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës.

E thirri për luftë qenësh, pastaj e vrau me thikë – aktakuzë ndaj të pandehurit për vrasjen në Prizren

29 September 2025 at 11:10


Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.B., i cili ndodhet në paraburgim që nga data 11 gusht 2025, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë thuhet se me datë 10.08.2025, rreth orës 20:30min, në lagjen 'Tusus', në rrugën 'Lapidari' në Prizren, i pandehuri E.B., me dashje dhe në mënyrë dinake duke shfrytëzuar besimin e viktimës H.Sh., të njëjtin e privon nga jeta.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur pas një përleshjeje të organizuar mes qenve, ku viktima H.Sh., pas përfundimit të ngjarjes, ishte duke u larguar nga vendi. Në atë moment, i pandehuri e ka ndjekur dhe më pas e ka sulmuar papritur me thikë, duke e goditur tri herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se "lëndimet kanë shkaktuar gjakderdhje të brendshme të rëndë në regjionin e majtë të kraharorit, e cila ka rezultuar me vdekjen e viktimës."

Gjithashtu, Prokuroria bën të ditur se i pandehuri ka poseduar pa leje valide armën e ftohtë – thikën me gjatësi tehu prej 10 cm dhe dorezë 12 cm, me të cilën dyshohet se ka kryer vrasjen.

“Me këto veprime i njëjti ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ sipas KPRK-së”, thuhet më tej në njoftim.

Ndërkohë, sa i përket ngjarjes paraprake përleshjes mes qenve Prokuroria njofton se rasti është ende në trajtim nga Departamenti i Përgjithshëm:

“Rasti është duke u trajtuar ndaj dy të dyshuarve tjerë, të cilët kanë organizuar luftën me qen”, në bazë të veprës penale “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve” nga neni 346 i KPRK-së.

Në përfundim të njoftimit, Prokuroria bën të ditur se prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, “i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet.” /Telegrafi/

Vrasja e 51-vjeçarit në Durrës, dyshohet se autori dhe viktima kishin lidhje intime me njëri-tjetrin

25 September 2025 at 16:33


Zbardhen detaje nga vrasja e 51-vjeçarit, Valbon alias Marko Beqirim nga 24-vjeçari, Teilor Tivari mbrëmjen e djeshme në Durrës.

Burime nga grupi hetimor thanë për TCH se ndryshe nga pretendimi i autorit se viktima tentoi ta përdhunojë ndaj e qëlloi, vrasja dyshohet se ka qenë e paramenduar dhe palët dyshohet se ishin në një lidhje homoseksuale me njëri-tjetrin. Viktima është masakruar nga i riu që rezulton se e ka goditur mbi 20 herë me thikë.

Viktima u gjet vetëm me të mbathura. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se ai është qëlluar që tek dera nga autori i dyshuar. Më pas ka pasur përleshje mes tyre.

Viktima ka tentuar të mbrohet, ndërkohë që apartamenti është gjetur krejt i mbuluar në gjak, që nga dera kryesore dhe në të gjithë banesën. Viktima u gjet poshtë tavolinës në kuzhinën e apartamentit.

Gjithçka rezulton se ka ndodhur brenda një harku kohor prej 25 minutash dhe në kamerat e sigurisë është parë dhe hyrja e 24-vjeçarit në pallat.

Si ndodhi krimi?

Viktima merrte nga shkolla djalin e tij dhe një fëmijë tjetër për t’i kthyer në shtëpi, por ditën e djeshme fëmijët kanë qëndruar në pritje të gjatë. Beqiri nuk përgjigjej në telefon dhe as është dukur për të marrë djalin, duke ngritur alarmin.

Pas kërkimeve, e kanë gjetur në apartamentin që kishte në ruajtje. Dera mësohet se është lënë e pambyllur mirë nga autori që është larguar nga vendi i ngjarjes rreth 25-30 minuta pasi ka hyrë në pallat.

Me të konstatuar skenën horror dhe trupin e masakruar, familjari i Valbon Beqirit ka njoftuar policinë e cila më pas ka mundur të zbardhë krimin dhe të arrestojë autorin dhe personin që e ndihmoi për t’u larguar.

U vra me armë në mes të natës, autoritetet kanadeze identifikojnë shqiptarin që vdiq në Toronto

16 September 2025 at 22:04


Policia ka identifikuar shtetasin shqiptar që humbi jetën pas një të shtëne me armë zjarri natën vonë, gjatë fundjavës, në një shesh në zonën e North York.

Ngjarja ndodhi pak para mesnatës së së shtunës, në zonën e Victoria Park Avenue dhe Sheppard Avenue East.

Inspektori Jonathan Rose deklaroi për mediat se oficerët, pasi mbërritën në vendngjarje, gjetën një burrë që kishte pësuar plagë nga armët e zjarrit.

“U morën masa për shpëtimin e jetës, megjithatë, për fat të keq, viktima u shpall e vdekur në vendngjarje,” tha Rose.

Autoritetet e kanë identifikuar viktimën si Paulin Harusha, 43 vjeç. Vdekja e tij shënon vrasjen e 31-të për vitin 2025 në qytetin e Torontos.

Sipas policisë, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një SUV me ngjyrë të çelët, përpara se oficerët të mbërrinin.Detaje të mëtejshme në lidhje me të shtënat dhe identitetin e të dyshuarve nuk janë bërë ende publike.

Hetuesit u bëjnë thirrje qytetarëve që kanë informacion të kontaktojnë policinë ose të raportojnë në mënyrë anonime përmes Crime Stoppers.

Mosmarrëveshje të vazhdueshme,  shkaqet e vrasjes në Ferizaj

16 September 2025 at 20:05


Katër plumba që u shkrepën mbrëmjen e së hënës në fshatin Balaj të Ferizajt, nga tashmë i arrestuari B.R, rezultuan fatal për viktimën me inicialet I.R.

Dorasi dhe viktima ishin kushërinj mes vete.

“Për momentin motivet nuk i dijmë sepse është një procedurë që ende nuk i dijmë këto motive të vrasjes mirëpo ajo që dihet është që këta persona janë në lidhje familjare mes vete”, ka thënë prokurori Ismet Rrahmani.

Shkaku i mosmarrëveshjes, sipas burimeve të televizionit Dukagjini, lidhej me një pronë.

Në anën tjetër nga Policia e Kosovës bënë të ditur se person i dyshuar është arrestuar derisa është kryer edhe bastisje.

“Në ditën kritike, pas një fjalosjeje, i dyshuari kishte nxjerrë pistoletën nga brezi dhe kishte shtënë katër herë mbi viktimën. Pas kryerjes së veprës penale, i dyshuari ka thirrur policinë për rastin dhe vendndodhjen e tij. Ai është arrestuar më pas dhe është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, në Sektorin Rajonal të Hetimeve.”

Në shtëpinë e të dyshuarit, përveç armës që besohet se është përdorur për vrasjen, janë gjetur edhe dy pushkë, ndërsa ai është dërguar në mbajtje për 48 orë, në pritje të procedurave të tjera.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Babai vrau nënën, flet vajza e shqiptares: Mami kishte lidhje intime, fajin e kishin të dy

13 September 2025 at 21:48


Për herë të parë pas ngjarjes tragjike që tronditi opinionin publik, ka folur Anastasia, vajza 18-vjeçare e çiftit Pandeli dhe Marjola Nakoleci. Në një intervistë për televizionin grek MEGA, e reja ka rrëfyer mes lotësh dhimbjen dhe tronditjen që po përjeton, ndërsa thekson se për të, fajtorë janë të dy prindërit.“Të dy janë fajtorë për mua. Na lanë në rrugë, nuk menduan fare për ne. Nëna ime kishte një lidhje tjetër intime, babai im ishte xheloz dhe kjo është arsyeja pse ndodhi sherri. Ky burrë po fliste me nënën time, mendoj se kishin qenë bashkë për një kohë, nuk e di, nuk mund të gënjej… Ai na u fut në rrugë dhe na shkatërroi të gjithë familjen,” – tha ajo.

Anastasia tregoi se pak ditë para vrasjes së nënës, familja kishte qenë me pushime dhe gjithçka dukej normale. Por grindjet mes prindërve kishin nisur para nisjes, kur i ati kishte zbuluar mesazhe në telefonin e bashkëshortes së tij.

“U kisha thënë atyre: ‘Nuk dua që të ziheni, dua që të jeni bashkë përgjithmonë, të shihni fëmijët tuaj’. Nuk doja që kjo të ndodhte. Nuk e mendova kurrë. Kishim shkuar me pushime, kaluam shumë mirë dhe pas dy ditësh ndodhi papritur. Para pushimeve ata u grindën, filloi me një mesazh. Por nuk është vetëm faji i babit, është edhe faji i nënës sime. Të dy janë fajtorë. Të dy bënë gabime. Dhe nëna ime bëri gabime dhe babi gaboi që vrau një grua që e donte aq shumë dhe kishte katër fëmijë.”

E reja theksoi se në familjen e saj nuk kishte pasur dhunë më parë dhe përshkroi të atin si njeri shumë xheloz, por jo të dhunshëm.

“Babi nuk na ka goditur kurrë, as nëna ime. Nuk e kam parë kurrë babin të godasë nënën në jetën time. Ai nuk ishte i dhunshëm. Ai ishte shumë xheloz, ka kuptim sepse nëna ime foli me dikë që nuk duhet, sepse ishte e lumtur. Duhej të kishin folur, të ndaheshin më mirë. Çfarë të them? Nuk e di.”

Anastasia tregoi gjithashtu momentin kur mori vesh për vrasjen nga vëllai i saj dhe bisedën e fundit me të atin, i cili ndodhej në arrati pas ngjarjes.

“Vëllai im më telefonoi dhe më tha: ‘Eja shpejt, kjo ndodhi’. Shkova dhe pashë gjithçka. Ai më tha: ‘Babi vrau mamin’. Unë ende i kam ato zëra në celularin tim. Gjatë arratisë, babai më tha: ‘Nuk doja, nuk doja ta bëja këtë.’”

E pyetur nëse do ta vizitonte babain në burg, Anastasia nuk dha një përgjigje të prerë, duke theksuar se çdo ditë përjeton dhimbje dhe mungesë për të dy prindërit.

“Nuk e di nëse dua ta shoh. Dua shumë, por do të doja që edhe nëna ime të ishte atje. Më mungon mami. Qaj çdo ditë. Shikoj fotot dhe nuk e besoj ende. Jam keq, por po përpiqem të bëhem më mirë. Është shumë e vështirë të jetosh pa mamanë dhe babanë.”

Ngjarja tragjike që solli vdekjen e Marjola Nakolecit dhe burgosjen e bashkëshortit të saj Pandeli Nakoleci, ka lënë pas katër fëmijë të mitur dhe një plagë të thellë në opinionin publik shqiptar dhe grek. Anastasia, sot 18 vjeç, është përballë një realiteti të dhimbshëm, por guxon të flasë për të vërtetën e saj një e vërtetë ku dashuria, tradhtia, dhimbja dhe pendesa janë ndërlidhur në mënyrën më tragjike të mundshme./Euronews Albania

❌
❌