Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar qytetarët e tyre që ndodhen në Iran të largohen menjëherë nga vendi, për shkak të përshkallëzimit të protestave dhe pasigurisë së shtuar.
Në një njoftim të publikuar nga Virtual Embassy Tehran, e drejtuar nga Departamenti i Shtetit, thuhet: “Leave Iran now” (“Largohuni nga Irani tani”), duke i këshilluar amerikanët të planifikojnë largimin pa pritur ndihmë nga qeveria amerikane.
Alarmi i sigurisë paralajmëron për protesta të përshkallëzuara, dhunë të mundshme, arrestime, ndërprerje të internetit dhe masa të shtuara sigurie.
Autoritetet amerikane theksojnë se çdo lidhje e dukshme me SHBA mund të çojë në ndalime, pasi Irani nuk e njeh shtetësinë e dyfishtë dhe trajton qytetarët me shtetësi të dyfishtë SHBA-Iran vetëm si iranianë.
Qytetarët amerikanë janë këshilluar të largohen përmes rrugëve tokësore, përfshirë kufijtë me Armeninë ose Turqinë, nëse kjo është e sigurt. Ata që nuk mund të largohen janë udhëzuar të qëndrojnë në vende të sigurta, të shmangin demonstratat, të mbajnë profil të ulët dhe të sigurojnë rezerva ushqimore, ujë dhe medikamente.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë bëri të ditur se është e gatshme të forcojë partneritetin me Qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe të rifillojë Dialogun Strategjik mes dy vendeve.
Megjithatë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ambasada theksoi se realizimi i këtij synimi do të kërkojë veprime nga Qeveria e Kosovës, të cilat “çojnë përpara agjendën e përbashkët për paqe dhe stabilitet rajonal”, si dhe “prosperitetin e ndërsjellë ekonomik”.
Këto qëndrime u shprehën në përgjigje të pyetjes se si Shtetet e Bashkuara planifikojnë bashkëpunimin me Qeverinë e ardhshme të Kosovës, që pritet të formohet pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, fitoi mbi 51 për qind të votave.
Partia deklaroi se synon formimin e shpejtë të institucioneve të reja.
Numërimi i votave përfundoi më 9 janar, por procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht, për shkak të afateve ligjore për ankesa dhe certifikimin e rezultateve.
Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe gjatë periudhës 2021-2025.
Viti i kaluar ka shkuar kryesisht me Qeveri në detyrë, pasi Kurti – ndonëse i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 – nuk ka arritur të formojë Qeverinë e re, çfarë ka çuar në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme.
Gjatë mandatit të mëparshëm, Qeveria e tij është përballur shpesh me kritika nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht për shkak të veprimeve që janë cilësuar si të pakoordinuara dhe të njëanshme.
Nga mbyllja e shumicës së institucioneve serbe në Kosovë deri te heqja e dinarit serb nga përdorimi, këto veprime janë parë si të dëmshme për komunitetin serb dhe si faktor që ka rritur tensionet në veri të vendit.
Kritikat kanë shkuar deri në atë pikë sa është folur edhe për lëkundje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, Kurti ka insistuar vazhdimisht se SHBA-ja mbetet partneri kryesor i Kosovës, ndonëse ka pranuar se ekzistojnë dallime në qasje për disa çështje.
Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë marrë një nga masat më të ashpra ndaj Kosovës, duke pezulluar Dialogun Strategjik mes dy vendeve – një mekanizëm i krijuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Uashingtoni e ka lidhur këtë vendim me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës, derisa vendi është përballur me bllokadë institucionale, dhe me rritjen e tensioneve në vend, por Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë kritikat.
Policia e Kosovës ka njoftuar se rruga nacionale Prishtinë–Ferizaj është hapur për qarkullim normal të komunikacionit.
Segmenti i rrugës, nga rrethrrotullimi i Marigonës deri te Prishtina Mall, ishte bllokuar gjatë fundjavës për shkak të reshjeve të shiut.
“Njoftojmë qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion se rruga nacionale Prishtinë–Ferizaj dhe anasjelltas, përfshirë aksin rrugor në afërsi të Prishtina Mall, është hapur për qarkullim normal të komunikacionit rrugor. Pas përfundimit të punimeve dhe largimit të pengesave të përkohshme, lëvizja e automjeteve zhvillohet pa kufizime dhe në kushte të rregullta trafiku,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Institucionet përgjegjëse mbeten të angazhuara për monitorimin e vazhdueshëm të situatës në terren, me qëllim garantimin e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së komunikacionit.
Policia fton të gjithë vozitësit që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe rregullat e trafikut, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.
Tash e sa ditë, banorët e lagjes përballë Ambasadës së SHBA-së në Arberi po përballen me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm.
Sipas sinjalizuesit, ndërprerja po e vështirëson jetën e përditshme të familjeve.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me KRU “Prishtina” për të marrë sqarime mbi arsyen e mungesës dhe kohën e rikthimit të furnizimit, dhe aktualisht është në pritje të përgjigjes.
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi prerazi se territori autonom nuk dëshiron të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara dhe se, nëse do të kishte një zgjedhje, Groenlanda do të zgjidhte Danimarkën.
Deklaratat u bënë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministren daneze, Mette Frederiksen, në një kohë kur tensionet mbi statusin dhe sigurinë e Arktikut janë të shtuara.
“Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë: Groenlanda nuk dëshiron të zotërohet nga SHBA-të, Groenlanda nuk dëshiron të qeveriset nga SHBA-të, Groenlanda nuk dëshiron të jetë pjesë e SHBA-ve”, tha Nielsen.
“Ne zgjedhim Groenlandën që njohim sot, e cila është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës”, shtoi ai.
Nielsen theksoi disa herë se Groenlanda “nuk mund të blihet” dhe se e ardhmja e saj duhet të vendoset ekskluzivisht nga groenlandezët. Ai bëri të ditur se ky do të jetë edhe mesazhi që delegacioni do t’i përcjellë autoriteteve amerikane në takimet e ardhshme.
Nga ana e saj, kryeministrja daneze Mette Frederiksen deklaroi se Danimarka po përballet me “presion të papranueshëm” nga aleati i saj më i afërt, duke paralajmëruar se “pjesa më e vështirë mund të jetë ende përpara”.
Ajo nënvizoi se çështja nuk ka të bëjë vetëm me Groenlandën, por me parime themelore ndërkombëtare, si mosndryshimi i kufijve me forcë dhe pamundësia për të “blerë një popull tjetër”.
Frederiksen theksoi gjithashtu se NATO duhet të mbrojë Groenlandën njësoj si çdo territor tjetër të Aleancës dhe se Danimarka do të bëjë gjithçka për të garantuar sigurinë në Arktik, në bashkëpunim me aleatët.
Ajo pranoi se situata po krijon pasiguri të panevojshme te popullsia e Groenlandës, duke e quajtur këtë “të papranueshme,” pasi, sipas saj, Groenlanda nuk ka kërkuar konflikt me askënd.
Kryeministrja daneze mbrojti gjithashtu vendimin e saj për të mos marrë pjesë personalisht në bisedime, duke sqaruar se niveli i takimeve ishte rënë dakord më herët me SHBA-të, pavarësisht vendimit të zyrtarëve amerikanë për të ndryshuar përbërjen e delegacionit.
Konferenca për shtyp u mbyll me një mesazh të përbashkët nga Frederiksen dhe Nielsen: Groenlanda nuk është në shitje, qëndron përkrah Mbretërisë së Danimarkës dhe çdo diskutim për të ardhmen e saj duhet të respektojë vullnetin e popullit groenlandez.
NP “Termokos” SH.A. ka njoftuar se furnizimi me energji termike po realizohet me kapacitet të kufizuar për shkak të rënies nga funksioni të Bllokut 1 të Termocentralit Kosova B.
Si pasojë, disa objekte banesore në lagjet “Mati 1” dhe “Bregu i Diellit” po përjetojnë ulje të cilësisë së ngrohjes.
Sipas paralajmërimeve të KEK-ut, Blloku 1 pritet të rikthehet në funksion gjatë ditës së nesërme, gjë që do të mundësojë rikthimin e furnizimit me kapacitet maksimal dhe përmirësimin e plotë të ngrohjes për konsumatorët.
“Deri në stabilizimin e plotë të furnizimit, kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë konsumatorëve tanë”, bëhet e ditur nga NP “Termokos”.
Një arratisje e pazakontë ka ndodhur mesditën e së martës në Spitalin e Durrësit, ku i burgosuri Altin Ndoci, 39 vjeç, ka arritur t’u shpëtojë efektivëve të Policisë së Burgjeve gjatë qëndrimit në pavionin infektiv për kontrolle mjekësore, raportojnë mediat në Shqipëri.
Sipas të dhënave fillestare, Ndoci ka goditur me grusht një nga efektivët dhe është përplasur me të tjerët, duke shfrytëzuar afërsinë e repartit me parkimin e spitalit. Ai ka zbritur nga kati i tretë dhe është larguar me vrap drejt një makine Audi të bardhë që e priste jashtë. Një prej efektivëve ka qëlluar me armë në ajër për ta ndalur, por pa sukses.
Policia dhe Drejtoria e Burgjeve kanë konfirmuar arratisjen, duke bërë të ditur se kërkimet për kapjen e tij vijojnë.
Ndoci ndodhej në paraburgimin e Durrësit dhe është emër i njohur për organet e drejtësisë, pasi hetohet nga SPAK-u për përfshirje në katër vrasje dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Ky rast është duke u trajtuar si një ngjarje me rrezikshmëri të lartë, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se do të ndërmarrin të gjitha masat për kapjen e tij sa më shpejt.
Mesfushori shqiptar nga Kosova, Besfort Zeneli, ka bërë hapin më të madh në karrierën e tij duke nënshkruar kontratë afatgjatë me kampionin e Belgjikës, Union Saint-Gilloise.
Zeneli, 23 vjeç, i bashkohet Unionit me efekt të menjëhershëm nga klubi suedez Elfsborg dhe ka firmosur kontratë që zgjasin deri në qershor të vitit 2030.
I rritur dhe formuar në akademinë e Elfsborgut, Zeneli u dallua që në moshë të re si një lider natyral. Në vitin 2021, ai pati një sezon të jashtëzakonshëm me ekipin U19, ku si kapiten shënoi 19 gola në vetëm 16 ndeshje.
Debutimin në Allsvenskan e bëri në shtator të vitit 2022, ndërsa në vitin 2024 u shndërrua në një nga shtyllat kryesore të ekipit të parë të Elfsborgut.
Sezonin e fundit, Zeneli mbante rregullisht shiritin e kapitenit te Elfsborg, klub me të cilin regjistroi gjithsej 93 paraqitje, duke realizuar 5 gola dhe dhënë 15 asistime. Elfsborg e mbylli sezonin në vendin e tetë në kampionatin suedez.
Besfort Zeneli është vëllai i Arbër Zenelit, ish-yllit të Kombëtares së Kosovës, i cili ka shkëlqyer dikur me fanellën e “Dardanëve”. Ndryshe nga Arbëri, Besforti ka zgjedhur të përfaqësojë Suedinë në nivelin A, pas paraqitjeve me Kosovën U21. Ai ka regjistruar deri më tani 5 paraqitje me kombëtaren suedeze, debutimin e së cilës e bëri më 22 mars 2025 ndaj Luksemburgut.
“Pas bisedës së parë me drejtuesit e Unionit, i thashë menjëherë agjentit tim se doja të vija këtu. Është një klub familjar, por në nivelin më të lartë”, ka deklaruar Zeneli për faqen zyrtare të klubit belg.
Te Union Saint-Gilloise, mesfushori kosovar do të mbajë fanellën me numrin 23.
Spitali i Pejës ka dhënë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të edukatores, e cila u godit me një mjet të fortë nga një nxënës në një kopsht në Pejë.
Sipas njoftimit të Spitalit të Pejës, pas ekzaminimit mjekësor dhe ofrimit të shërbimeve të nevojshme shëndetësore, gjendja e pacientes është vlerësuar si stabile.
“Pas ekzaminimit mjekësor dhe ofrimit të shërbimeve të nevojshme shëndetësore, gjendja e pacientes është vlerësuar stabile dhe e njëjta është liruar për trajtim të mëtutjeshëm sipas rekomandimeve mjekësore”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Pejës.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Pejës, e cila ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur sot.
“Sot në orën 10:40, Policia është njoftuar se në një kopsht, një nxënës me një shufër metalike e ka goditur edukatoren me mjet të fortë, duke i shkaktuar lëndime”.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka deklaruar se edukatorja është dërguar për trajtim mjekësor dhe se organet kompetente kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“E njëjta është dërguar në emergjencën në Pejë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia dhe Prokurori”, ka thënë Gashi.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka inkurajuar iranianët që të vazhdojnë protestat, duke i siguruar se ndihma nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rrugës.
“Patriotë iranianë, vazhdoni të protestoni, merrni përsipër institucionet tuaja. Ruani emrat e vrasëseve dhe abuzuesve. Ata do të paguajnë një çmim të lartë”, ka shkruar Trumpi.
Ai ka bërë të ditur se ka anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë deri në momentin kur, sipas tij, “të ndalojë vrasja e pakuptimtë e protestuesve”.
“Ndihma është rrugës”, ka shkruar Trumpi.
Ndërkohë, presidenti amerikan pritet të takohet të martën me ekipin e tij të lartë të sigurisë kombëtare për të diskutuar zhvillimet e fundit lidhur me Iranin.
Kryeministri i Grenlandës, Jens Frederik Nilsen, deklaroi të martën se Grenlanda dëshiron të ruajë lidhjet e saj të ngushta me Danimarkën, duke refuzuar çdo mundësi që territori të kalojë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara.
Ai theksoi se vendi i tij nuk synon të bëhet pronë amerikane dhe nuk do të hyjë nën administrimin e SHBA‑s, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit të qëndrueshëm me Danimarkën, që mbetet aleati dhe mbështetësi më i afërt i Grenlandës.
Deklarata e Nilsen u bë gjatë një konference për shtyp të përbashkët me kryeministren daneze, Mette Frederiksen, në Kopenhagë.
Greenland’s Prime Minister Jens-Frederik Nielsen:
If we have to choose between the United States and Denmark here and now, we choose Denmark. We choose NATO. We choose the Kingdom of Denmark. We choose the EU. pic.twitter.com/s7KK9Goezh — Clash Report (@clashreport) January 13, 2026
Në këtë takim, ai hodhi poshtë çdo sugjerim se Grenlanda mund të vendosej nën kontrollin e Uashingtonit dhe theksoi se vendimet për të ardhmen e territorit janë prerogativë e vetë Grenlandës dhe Danimarkës, duke ruajtur kështu sovranitetin dhe vendimmarrjen e brendshme.
Kryeministri gjithashtu nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit politik dhe ekonomik në rajon, duke përmendur faktin se Grenlanda ka një rol strategjik në Arktik dhe lidhjet me Danimarkën garantojnë siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ai theksoi se ndërsa SHBA dhe vendet e tjera mund të jenë partnerë tregtarë ose strategjikë, vendi i tij do të vazhdojë të mbështetet kryesisht tek marrëdhënia me Danimarkën, si një faktor kyç për stabilitetin dhe perspektivën afatgjatë të Grenlandës.
Ndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump disa herë ka deklaruar se dëshiron që Grenlanda të bëhet pjesë e SHBA-së. /Telegrafi/
Pas një episodi të gjatë dhe të tensionuar, FC Barcelona më në fund konfirmoi nënshkrimin e huazimit të Joao Cancelos nga Al-Hilal.
Lajmi u bë i ditur fillimisht nga rrjetet sociale dhe faqja zyrtare e klubit katalanas, por disa minuta më vonë postimet u fshinë për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm nga ana e klubit saudit.
Mbrojtësi portugez, 31-vjeçar, ka mbërritur në Barcelonë me një fluturim privat për t’u nënshtruar testit mjekësor dhe për të finalizuar kontratën.
Prezantimi i tij zyrtar ishte planifikuar për në orën 13:30, por përfundimisht u shty deri në orën 16:45 për shkak të nevojës për të shkëmbyer dokumentet për transferimin ndërkombëtar.
Cancelo do të mbajë fanellën me numrin ‘2’, të njëjtin që kishte gjatë huazimit të tij në sezonin 2023-24.
Në zyrat e Barçës, Cancelo nënshkroi kontratën e tij në prani të presidentit Joan Laporta, zëvendëspresidentit Rafa Yuste, drejtorit të futbollit Deco, anëtarit të bordit Joan Soler dhe familjes së tij.
Fituesja e Festivalit të Këngës në Eurovision 2014, Conchita Wurst, njoftoi sot nëpërmjet profilit të saj në Instagram se po tërhiqet nga Festivali i Këngës në Eurovision, megjithëse fansat prisnin që ajo të luante një rol të rëndësishëm në konkursin e këtij viti, i cili mbahet në Vjenë.
Conchita Wurst është personazhi skenik i këngëtarit dhe artistit austriak Thomas Tom Neuwirth dhe ajo fitoi Festivalin e Këngës në Eurovision për Austrinë në vitin 2014. Ajo njoftoi në profilin e saj në Instagram se do të tërhiqet nga konkursi që i solli famë.
"Konkursi i Këngës në Eurovision i dha formë jetës sime. Ishte skena ime, shtëpia ime, trampolina dhe kapitulli im për të cilin jam thellësisht mirënjohëse", tha ajo.
Përveç kësaj, ajo shtoi: "Si artiste, ndryshimi është konstantja ime më e madhe. Që tani e tutje, po tërhiqem nga Festivali i Këngës në Eurovision. Po përqendrohem më shumë në projekte të tjera profesionale dhe do të lejoj që gjërat e reja të zhvillohen. Lidhja ime me Festivalin e Këngës në Eurovision mbetet pjesë e historisë sime, jo një vend për hapat e mi të ardhshëm. Vendimi im është personal dhe nuk do të komentoj më tej për të".
Michael Krön, producent ekzekutiv i Festivalit të Këngës në Eurovision në ORF, tha me rastin e daljes së saj në pension: "Kontributi i saj është një pjesë e rëndësishme e historisë së konkursit austriak të këngëve. I urojmë Tom Neuwirth gjithë të mirat në projektet e tij të ardhshme".
Wurst nuk dha detaje mbi arsyet e tërheqjes së saj, dhe tërheqja e saj nga Festivali i Këngës në Eurovision vjen në një kohë të trazuar për konkursin - me Irlandën, Spanjën, Holandën, Slloveninë dhe Islandën që njoftuan tërheqjen e tyre nga konkursi muajin e kaluar.
Ju kujtojmë se ata vendosën ta bojkotojnë konkursin për shkak të qëndrimit të Izraelit në të. Të pranishmit në Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) në Gjenevë, e cila u mbajt në dhjetor, duhej të votonin për pjesëmarrjen e Izraelit, por kjo nuk ndodhi.
Në vend të kësaj, ata votuan nëse Asambleja e Përgjithshme duhet ta mbajë Festivalin e Këngës në Eurovision sipas skenarit të planifikuar aktualisht. U votua një skenar sipas të cilit edhe Izraeli do të jetë pjesë e konkursit, i cili u pasua nga një bojkot i vendeve të përmendura. /Telegrafi/
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka ngritur alarmin për rritjen e vazhdueshme të inflacionit në vend.
Duke komentuar të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin dhjetor 2025, Rafuna tha në TV Dukagjini se rritja mesatare vjetore (për 2025-tën) e inflacionit prej 3,9 për qind është shqetësuese dhe shumë më e lartë krahasuar me vendet e Evropës.
“Shpresojmë që qeveria e re që do të themelohet ta ketë një paketë që do ta ndihmojë qytetarët që ta vërejnë sa më pak të inflacionit., kemi rritje të inflacionit 3.9, besoj shumë që në rishikim nga ana e ASK-së do të kalojë edhe 4 për qind. Që kemi inflacion më të larët jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë.
Në Evropë tani norma e inflacionit sillet rreth 1.2 deri në 1.3, ndërsa tek ne ka arritur 3.9 dhe do të kaloj edhe 4 përqindëshin. Kjo ka qenë e pritur, nëse iu kujtohet shumë herë e kemi shprehur shqetësimin për marrjen e vendimit për nxjerrjen e bizneseve në tregun e hapur (të energjisë).
Çmimi i energjisë elektrike siç po shihet edhe nga të dhënat e ASK-së është një prej rritjeve më të larta. Kjo ka ndikuar që të kemi një inflacion të tillë. Dhe kjo nënkupton që kemi një varfërim të qytetarëve, ulje të standardit jetësor. Për këtë arsye është urgjente që të ndërmerret një paketë që të zbutet inflacioni dhe të mos ta lejojmë që të shkoj edhe më lartë”, ka thënë Rafuna.
Galatasaray ka dërguar një ofertë zyrtare për Arbër Hoxhën, por Dinamo Zagrebi nuk është i gatshëm ta shqyrtojë largimin e sulmuesit shqiptar në këtë fazë të sezonit.
Sipas raportimeve te mediave turke dhe kroate, gjiganti kroat e konsideron Hoxhën një pjesë shumë të rëndësishme të skuadrës dhe planifikon ta mbajë atë edhe për pjesën pranverore të kampionatit.
Brenda klubit vlerësohet kontributi i tij në fazën vjeshtore dhe pritshmëritë janë që ai të vazhdojë të ketë rol kyç edhe në muajt në vijim.
Edhe pse Galatasaray ka shfaqur interes konkret, një transferim aktualisht nuk është në tryezë. Raportohet se një ofertë më bindëse nga Fenerbahçe – në një marrëveshje të mundshme që lidhet edhe me portierin Dominik Livaković (Fenerbahce) – do të ishte më e pranueshme për Dinamon, por situata mund të ndryshojë vetëm nëse paraqitet një propozim financiar i konsiderueshëm para mbylljes së afatit kalimtar.
Arbër Hoxha po kalon një sezon pozitiv me Dinamon, ku në 17 paraqitje në ligën vendase ka realizuar 6 gola dhe ka dhënë 3 asistime. Me Kombëtaren e Shqipërisë, ai numëron 21 paraqitje dhe 1 gol.
🚨 #TRANSFER Galatasaray, rotasyonu güçlendirmek adına Dinamo Zagreb’in Arnavut milli yıldızı Arbër Hoxha için resmi teklif yaptı.
Kontrata e 27-vjeçarit me Dinamo Zagrebin është e vlefshme deri në qershor 2029, ndërsa vlera e tij aktuale në treg, sipas Transfermarkt, vlerësohet rreth 2.5 milionë euro. Përveç Galatasarayt, interes për shërbimet e tij ka shfaqur edhe Hull City.
Dinamo Zagrebi e kishte transferuar Hoxhën në janar të vitit 2024 për një shumë të raportuar rreth 1 milion euro./Telegrafi/
Numri i personave të infektuar me grip është në rritje, klinikat ambulatore janë plot, por edhe kapacitetet e spitaleve janë plot. Temperatura e lartë, kolla, dobësia janë simptomat më të zakonshme. Komplikimet nga virusi po bëhen gjithashtu më të zakonshme, veçanërisht tek fëmijët.
Një foshnjë njëmuajshe është pacientja më e re e shtruar në spital në Klinikën e Sëmundjeve Pulmonare "Kozle". Dhjetëra fëmijë me pamje klinike më të rëndë janë në mbështetje me oksigjen.
Për shkak të komplikimeve, rreth 80 janë ende nën mbikëqyrjen e spitalit. Brenda një dite, mjekët kanë mbi 200 ekzaminime, të gjitha me një temperaturë të lartë që zgjat deri në shtatë ditë.
"Ato festa para Vitit të Ri, kolektivi bënë gjënë e tyre. Kjo është arsyeja pse po përhapet më shpejt këtë vit dhe po merr numër më të madh. Po rishikohet se në çdo moshë, ata që janë të shtruar në spital janë më shpesh deri në dy vjeç, në popullatën më të vogël të fëmijëve, gripi mund të shkaktojë ndërlikime që kërkojnë trajtim spitalor. Aktualisht, kapacitetet janë të plota, rreth 80 fëmijë janë në spital dhe po krijohet një vend për fëmijët më të sëmurë rëndë që do të kenë nevojë për trajtim spitalor", thonë në Klinikën për Sëmundje Pulmonare "Kozle".
Autoritetet presin një numër në rritje të pacientëve me grip me fillimin e gjysmës së dytë të vitit - pasi fëmijët të kthehen në shkollë. Në javën e parë të vitit, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 1,725 raste të gripit.
Aktori i njohur Callum Turner, u shfaq këtë fundjavë në një shëtitje të thjeshtë me qenin në Londër, krah të fejuarës së tij Dua Lipa, vetëm pak ditë pasi u pretendua se roli i agjentit 007 në filmin e ri të james Bond tashmë është i tij dhe se këngëtarja pritet të shkruajë këngën tematike të filmit të ri.
Burime për DailyMail kanë bërë të ditur se Callum, i cili konsiderohet favorit absolut për ta pasuar Daniel Craigun, u ka thënë miqve të tij se roli tashmë i është konfirmuar.
Një burim i afërt me yllin e “Fantastic Beasts” ka deklaruar: “Ai po e tregon kudo. Callum është Bondi i ri, është konfirmuar. Të gjithë në rrethin e tij po flasin për këtë. Është sekreti më i keq i ruajtur në qytet”.
Nëse Callum, 35 vjeç, merr zyrtarisht pistoletën ikonike Walther PPK të 007-s, producentët e Amazon mund të mbyllin një marrëveshje “dy në një” edhe me Duan, duke i besuar asaj këngën e re për titrat hyrës dhe mbyllës të filmit.
Mes këtyre thashethemeve, çifti u pa duke kaluar kohë së bashku në një shëtitje në një ditë të ftohtë londineze.
Dua u shfaq elegante si gjithmonë me një pallto trench ngjyrë krem dhe syze dielli, ndërsa Callum ishte veshur trashë me një xhaketë të zezë dhe kapele.
Dua, 30 vjeçe, e cila më herët kishte realizuar këngën “Swan Song” për filmin fantastiko-shkencor “Alita: Battle Angel” në vitin 2019, është e etur të bëhet pjesë e universes së Bondit, duke ndjekur hapat e Adele, Billie Eilish dhe Sam Smith.
Sipas burimit: “Dua është jashtëzakonisht e lumtur për Callumin. Ajo ka thënë se do të donte shumë ta regjistronte këngën e Bondit”.
Callum Turner, i rritur në një lagje sociale në Londër, e nisi karrierën si model për “Next”, përpara se të merrte famë me rolin e Theseus Scamander në filmat “Fantastic Beasts: The Crimes of Grindelwald” dhe “The Secrets of Dumbledore”.
Ai mori vlerësime të mëdha për rolin në filmin “The Boys In The Boat” të vitit 2023, të drejtuar nga George Clooney, si dhe për interpretimin e Major John “Bucky” Egan në serialin “Masters Of The Air” të Apple TV, prodhuar nga Steven Spielberg dhe Tom Hanks.
Ai dhe Dua nisën lidhjen në janar të vitit 2024 dhe u fejuan verën e kaluar, megjithatë ende nuk kanë shpallur një datë dasme.
Dyshja shtoi edhe më shumë zërat për Bondin pasi pushuan në Goldeneye në Xhamajkë, ish-pronë e shkrimtarit të James Bondit, Ian Fleming.
Një burim ka thënë: “Nëse është Callumi, ai do të ishte një zgjedhje shumë popullore. Ai ka pamjen dhe elegancën për Bondin dhe ka dëshmuar aftësitë e tij si aktor”.
Filmi i ardhshëm i sagës, i njohur për momentin si “Bond 26”, pritet të jetë një nga projektet më të shumëpritura të Hollivudit, pasi kanë kaluar katër vjet nga “No Time To Die”. Xhirimet mund të nisin këtë vit, ndërsa premiera është parashikuar për vitin 2027.
Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson, që e kanë kontrolluar prej vitesh franshizën përmes Eon Productions, ia shitën të drejtat e Bondit Amazonit për rreth 1 miliard dollarë në shkurt të vitit të kaluar.
Shefi i Amazonit, Jeff Bezos, përshkruhet si një “fans i madh” i agjentit sekret, dhe një burim nga kompania e tij ka thënë: “Jeff është i përfshirë nga afër në çdo aspekt të së ardhmes së Bondit. Ai nuk dëshiron të gabojë. E di sa shumë do të thotë Bond për njerëzit. Kushdo që zgjidhet duhet të jetë perfekt. Skenari duhet të jetë spektakolar, me të gjitha elementet klasike të Bondit, aksion, vajza të bukura dhe energji të re për një brez të ri”.
“Bond 26” po shkruhet nga krijuesi i “Peaky Blinders”, Steven Knight, dhe do të mbikëqyret nga regjisori i “Dune”, Denis Villeneuve.
Më herët, burime nga studio kishin thënë se skenari po shkruhej pa një aktor të caktuar në mendje, por se Bezos dhe Villeneuve kërkonin dikë “të ri dhe britanik” për rolin.
Së fundmi, Turner është ngjitur në krye të listës së basteve, duke lënë pas emra si Aaron Taylor-Johnson, James Norton dhe Idris Elba. Dua Lipa ka refuzuar të komentojë, ndërsa Amazon dhe Callum Turner nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar. /Telegrafi/
Ish-kampioni i pamposhtur i UFC-së dhe tashmë trajner, Khabib Nurmagomedov, ka reaguar publikisht ndaj shkarkimit të Xabi Alonsos nga posti i trajnerit të Real Madridit, duke dalë hapur në mbështetje të teknikut spanjoll.
“Nuk ka rëndësi nëse je në palestër apo në fushë, nëse punon me luftëtarë apo futbollistë – si trajner je shefi dhe udhëheqësi. Por nëse në ekipin tënd ekziston një ambient ku kërkesat e tua nuk respektohen, atëherë nuk jeni në të njëjtën rrugë,” ka shkruar Nurmagomedov.
Khabib vlerësoi lart figurën e Alonsos, duke e renditur atë mes trajnerëve më të mirë të epokës moderne.
“Unë besoj se Alonso është ndër tre trajnerët më të mirë sot. Nëse ekipi nuk ka funksionuar me të, atëherë duhet të ndryshohen lojtarët, jo trajneri,” theksoi ai.
Në një reagim edhe më të ashpër në rrjetet sociale, ish-luftëtari i MMA-së kritikoi kulturën e dhomës së zhveshjes në Madrid.
“Jam absolutisht i sigurt se asnjë trajner nuk do të merrej lehtë me një skuadër si kjo e Real Madridit. Duhet të heqësh qafe lojtarët problematikë. Një vit më parë e luteshin, tani e shkarkojnë për shkak të fëmijëve të llastuar. Xabi, TI JE MË I MIRI,” shkroi Khabib.
Nurmagomedov, i cili ka pranuar më herët se është tifoz i Real Madridit që nga viti 1998, e lidh pasionin e tij me finalen e Ligës së Kampionëve të atij viti.
Ndërkohë, sipas raportimeve të “The Athletic”, arsyeja kryesore e largimit të Alonsos lidhet me mosmarrëveshje të brendshme me disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, përfshirë Vinícius Júnior, Federico Valverde dhe Jude Bellingham, të cilët nuk ishin të kënaqur me qasjen taktike dhe stilin e menaxhimit të trajnerit.
Një tjetër version vjen nga radiostacioni spanjoll “La SER”, i cili citon një deklaratë të Alonsos në momentin e largimit.
“Nuk mund t’u japësh lojtarëve kaq shumë pushtet. Është e pamundur që një trajner të ketë autoritet në dhomën e zhveshjes nëse klubi është gjithmonë në anën e lojtarëve”, kishte thënë spanjolli. /Telegrafi/
Presidenti amerikan, Donald Trump u bëri thirrje qytetarëve iranianë që të vazhdojnë protestat dhe të marrin kontrollin e institucioneve të tyre shtetërore.
Ai i quajti protestuesit “patriotë iranianë” dhe i inkurajoi ata të mos dorëzohen përballë represionit.
Trump u kërkoi gjithashtu që të dokumentohen dhe të ruhen emrat e atyre që janë përgjegjës për vrasjet dhe abuzimet ndaj protestuesve, duke theksuar se këto veprime nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi.
Në deklaratën e tij, ai njoftoi se ka anuluar të gjitha takimet dhe kontaktet me zyrtarët iranianë, duke theksuar se kjo do të vazhdojë derisa të ndalet ajo që ai e cilësoi si vrasje e pakuptimtë dhe brutale e protestuesve paqësorë.
Sipas tij, dhuna ndaj civilëve është e papranueshme dhe kërkon një reagim të fortë ndërkombëtar.
Ndryshe, iranianët po protestojnë për shkaqe ekonomike dhe sociale. /Telegrafi/
Qeveria e Maqedonisë së Veriut njofton se në seancën e 141-të të mbajtur sot, është informuar për ecurinë e procedurës për nominimin e kandidatëve për pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në këtë drejtim, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme prezantoi Informacionin mbi aktivitetet e realizuara, në përputhje me njoftimin e dorëzuar nga Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me të cilin informohet për propozimin e Komisionit për përzgjedhjen e tre kandidatëve: Jordan Apostollski, Natasha Boshkova dhe Sasho Georgievski.
"Pas shqyrtimit, Qeveria e miratoi Informacionin, pas së cilit Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, si institucion kompetent i ngarkuar për zbatimin e aktiviteteve administrative dhe teknike në procedurë, do të vazhdojë me sigurimin e mendimit nga Paneli Ndërkombëtar Këshillëdhënës i Ekspertëve pranë Këshillit të Evropës, lidhur me përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga kandidatët e propozuar".
"Pas marrjes së mendimit nga Paneli Ndërkombëtar Këshillëdhënës, Komisioni do t’ia dorëzojë Qeverisë listën me tre kandidatët, pas çka lista përfundimtare do t’i përcillet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës", thonë nga Qeveria.