TIRANË, 27 dhjetor /ATSH–Ermira Isufaj/
Dritat e fundvitit kanë ndezur Shkodrën dhe bashkë me to edhe ritmin e qytetit. Në sheshin para bashkisë, ku muzika dëgjohet deri në rrugicat përreth, turistë dhe qytetarë ndalen, fotografojnë dhe bëhen pjesë e festës që këtë fundvit e ka kthyer Shkodrën në një nga destinacionet më të kërkuara në vend.
Sheshi është epiqendra e festimeve, ku çdo mbrëmje ngjiten artistë të njohur, duke e shndërruar qytetin në një skenë të hapur. Kalendari festiv do të kulmojë në natën e ndërrimit të viteve me performanca nga Arilena Ara, Noizy, Elvana Gjata, Sidrit Bejleri dhe spektaklin e fishekzjarreve.
Drejtoresha e Kulturës në Bashkinë Shkodër, Sara Smaja, thotë për ATSH-në se ky fundvit ka ardhur ndryshe, jo vetëm për shkodranët, por edhe për turistët e shumtë që kanë zgjedhur qytetin për të festuar. Risia e këtij viti është shtrirja e atmosferës festive në disa pika kryesore të qytetit.
Për fëmijët është krijuar një hapësirë e posaçme pranë lulishtes së bashkisë, ndërsa përgjatë pedonales “Kolë Idromeno” rinia ka ngritur shtëpizat e saj festive. Të menaxhuara nga të rinjtë e “Act4Shkodra”, këto hapësira nuk janë vetëm festive, por edhe solidarizuese, pasi të ardhurat e mbledhura shkojnë për bamirësi për shtresat në nevojë.
Smaja thekson se ky është viti i tretë që bashkia e ka çuar festën në një tjetër dimension, duke dyfishuar numrin e turistëve. Strukturat akomoduese janë pothuajse të mbushura dhe gjetja e vendeve të lira për ditët e fundvitit është gjithnjë e më e vështirë.
Atmosfera festive shtrihet edhe në institucionet kulturore të qytetit. Teatri “Migjeni” ka sjellë premiera dhe varietetin e humorit dhe këngës “Kartolinën ta dërgova”, ndërsa Orkestra Simfonike ka mbajtur koncert me të ftuar sopranon e njohur ndërkombëtare Marigona Qerkezi. Muzeu Historik dhe Galeria e Arteve ofrojnë ekspozita dhe veprimtari që pasqyrojnë trashëgiminë dhe krijimtarinë bashkëkohore të Shkodrës.
Krahas festës, bashkia ka ndërmarrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë. Policia Bashkiake dhe ajo e Rendit janë të pranishme në sheshe dhe në akset kryesore për menaxhimin e trafikut dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve.
Përtej muzikës dhe dritave, turistët po shfrytëzojnë edhe atraksionet historike dhe natyrore të qarkut Shkodër. Kalaja e Rozafës, liqeni i Shkodrës, Buna, Thethi, Valbona dhe malet përreth mbeten pjesë e itinerarit edhe në dimër.
Në këto ditë festash, Shkodra jo vetëm feston, por edhe mirëpret, duke i dhënë kuptim ftesës së saj tradicionale për vizitorët: “Ardhshi të bardhë”.
Festat në Shkodër; Foto: Florjan Abazaj
/e.i/r.e/
The post Shkodra, qyteti që di të festojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.