BRUKSEL, 23 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte po kërkon mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën ndërsa viti 2025 po mbaron duke paralajmëruar se Evropa do të përballet me rreziqe në rritje të sigurisë nëse vendosmëria e saj lëkundet.
”Për të parandaluar presidentin rus Vladimir Putin nga përpjekja për një sulm ndaj një anëtari të NATO-s, Ukraina duhet të mbetet e fortë”, tha Rutte në një intervistë të kohëve të fundit me dpa.
Ai gjithashtu theksoi nevojën që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes, në përputhje me angazhimet e rëna dakord në samitin e aleancës në Hagë në qershor.
“Nëse i bëjmë këto dy gjëra, jemi mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur veten dhe Putini nuk do ta provojë kurrë,” tha Rutte, duke iu referuar një sulmi të mundshëm rus ndaj aleancës.
Ish-kryeministri holandez tha se riarmatimi duhet të ndodhë shpejt.
”Në varësi të vlerësimeve të inteligjencës, situata e sigurisë mund të bëhet e rrezikshme që në vitin 2027”, tha ai.
Rutte përmendi shpenzimet ushtarake të Rusisë si provë të kërcënimit që paraqet Putini, duke thënë se Moska tani po i kushton më shumë se 40% të buxhetit të saj shtetëror mbrojtjes.
Ai shtoi se lufta në Ukrainë kishte treguar gatishmërinë e Putinit për të pranuar humbje të rënda, duke cituar vlerësime se rreth 1,1 milionë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur./ a.jor.
TIRANË, 19 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu bëri të ditur sot se ligji “Për Kujdesin Alternativ në Familje” vendos në qendër interesin e fëmijës, duke garantuar standardet më të larta europiane në këtë drejtim.
Përmes një videomesazhi, Gogu solli në vëmendje disa nga risitë e këtij ligji, i cili u miratua në seancën e djeshme plenare.
Kujdesi alternativ, sipas ministrit, do të thotë se kur një fëmijë mbetet pa kujdes prindëror, ose rrezikon ta humbasë atë, ai duhet të rritet në një familje të sigurt, me kujdes alternativ profesional ose vullnetar.
Në këtë drejtim, Gogu u shpreh se ligji garanton që fëmija të ketë arsim, shëndet, privatësi, e pjesëmarrje.
“Në bazë të tij, krijohet një regjistër elektronik i kujdesit, transparencë institucionale dhe gjurmueshmëri, por edhe monitorim i rregullt”, u shpreh ai.
Gogu theksoi se ky ligj, integrimin europian e bën shumë konkret jo më përmes kapitujve e standardeve në letër, por si një realitet që i mbron fëmijët në jetën e vërtetë.
Sipas ministrit, ligji siguron një plan monitorimi dhe mbështetje. “Pra fëmija nuk duhet të jetë i izoluar në institucione. Ky ligj e vendos interesin më të lartë të fëmijës në qendër dhe krijon dy rrugë kujdesi: kujdesin alternativ profesional dhe kujdesin alternativ vullnetar, qoftë me rregulla të qarta për përzgjedhjen e familjeve, por edhe për trajnimin e familjeve dhe për certifikimin e tyre”, shtoi ai.
Thelbësore, sipas Gogut është që fëmija dëgjohet, mendimi i tij merret dhe kjo bëhet në një mënyrë të përshtatshme për moshën.
“Nëse nevojitet një psikolog duhet të sigurohet prania e tij dhe të dokumentohet ajo bisedë. Me pak fjalë ky ligj garanton që fëmija të ketë një kujdes alternative si në arsim, shëndet, privatësi e pjesëmarrje. Madje edhe ruajtjen e ligjeve familjare të gjakut, kur kjo është në interesin e tij”, shtoi Gogu.
Por sipas tij, ligji nuk do të mjaftonte nëse kujdesi sigurohet vetëm me fjalë ndaj ndaj edhe parashikohet mbështetje financiare, madje për ato profesionale, edhe pagë mujore.
“Ne votojmë për një Shqipëri më europiane te fëmijët sepse një vend matet na mënyra se si trajton fëmijët dhe jo thjesht duke iu dhënë atyre një strehë, por një shtëpi që i bën ata më të mirë”, shtoi Gogu. /j.p/
BERLIN, 18 dhjetor /ATSH-AFP/- Ligjvënësit gjermanë miratuan dje rreth 50 miliardë euro (59 miliardë dollarë) për blerje ushtarake, ndërsa Berlini përshpejton shpenzimet e mbrojtjes përballë një Rusie armiqësore dhe shenjave të dobësimit të angazhimeve të sigurisë nga Uashingtoni.
Lista e gjerë e prokurimeve varionte nga raketat te artileria, torpedot, automjetet e blinduara, sistemet satelitore dhe uniformat e reja, ndërsa Berlini nxiton të rifuqizojë Bundeswehr-in e lënë pas dore prej kohësh.
Zyrtarët thanë se blerjet e reja, të miratuara nga komisioni i buxhetit të parlamentit, nënkuptojnë se një numër “historik” blerjesh në mbrojtje janë miratuar këtë vit, me vlerë gati 83 miliardë euro.
“Ne po përmbushim detyrimet tona ndaj aleancës dhe po pranojmë përgjegjësinë tonë për sigurinë dhe paqen në Evropë”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.
Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Gjermania hoqi dorë nga një traditë e gjatë pacifiste e formuar nga e kaluara e saj e errët e Luftës së Dytë Botërore dhe filloi të rrisë shpenzimet për të riforcuar forcat e armatosura.
Shenjat e dobësimit të angazhimit të Shteteve të Bashkuara ndaj sigurisë së Evropës që nga kthimi i presidentit të SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë e nxitën më tej Gjermaninë dhe pjesën tjetër të kontinentit të përshpejtojë riarmatimimin e saj.
Kancelari Friedrich Merz, i cili mori detyrën në maj, i ka dhënë kësaj iniciative një vrull edhe më të madh, duke përjashtuar shpenzimet e mbrojtjes nga rregullat e rrepta të borxhit për të liruar më shumë fonde. //a.i/
UASHINGTON, 18 dhjetor /ATSH/ – Senati i SHBA-së votoi me shumicë dërrmuese për të avancuar një politikë për përcaktimin e projektligjit prej 901 miliardë dollarësh për Pentagonin, duke e dërguar këtë projektligj masiv në Shtëpinë e Bardhë, që ka thënë se presidenti Donald Trump do ta nënshkruajë atë në ligj, sipas Reuters.
Akti fiskal i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare 2026, ose NDAA, është një kompromis midis masave të veçanta të miratuara më parë këtë vit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat.
Ai autorizon një rekord prej 901 miliardë dollarësh në shpenzime ushtarake vjetore, me një rritje prej 4% të pagave për trupat.
Ai gjithashtu autorizon reforma në sistemin për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe përfshin përpjekje për të rritur konkurrueshmërinë me rivalët kryesorë të SHBA-së, Kinën dhe Rusinë.
Senati e mbështeti projektligjin me 77 vota pro dhe 20 kundër, me mbështetje të fortë nga të dyja palët.
Dy nga votat “kundër” ishin nga senatorët republikanë Mike Lee dhe Rand Paul.
“Ky do të jetë viti i 65-të radhazi, viti i 65-të radhazi, që Kongresi është mbledhur në të gjitha korridoret dhe në të dy dhomat për t’i dërguar presidentit një projektligj të hartuar për të mbështetur dhe forcuar mbrojtjen kombëtare”, tha senatori Roger Wicker i Misisipit, kryetari i Komitetit të Senatit Republikan për Shërbimet e Armatosura.
Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projektligjin javën e kaluar, me 312 vota pro dhe 112 kundër, gjithashtu me mbështetje të gjerë dypartiake.
Në një kundërshtim me Trump, republikanët e të cilit mbajnë shumicën si në Dhomë ashtu edhe në Senat, NDAA e këtij viti përfshin disa dispozita për të rritur sigurinë në Evropë, pavarësisht publikimit nga Trump në fillim të këtij muaji të një Strategjie të Sigurisë Kombëtare që shihet si miqësore me Rusinë dhe një rivlerësimi të marrëdhënieve të SHBA-së me Evropën.
NDAA fiskale 2026 ofron 800 milionë dollarë për Ukrainën – 400 milionë dollarë në secilin prej dy viteve të ardhshme – si pjesë e Iniciativës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës, e cila paguan kompanitë amerikane për armë për ushtrinë e Ukrainës.
Gjithashtu autorizon Iniciativën e Sigurisë në Baltik dhe ofron 175 milionë dollarë për të mbështetur mbrojtjen e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë.
Dhe kufizon aftësinë e Departamentit të Mbrojtjes për të ulur numrin e forcave amerikane në Evropë në më pak se 76 000 dhe i ndalon Komandantit të SHBA-së në Evropë të heqë dorë nga posti i Komandantit Suprem të NATO-s./ a.jor.
ROMË, 15 dhjetor /ATSH/- Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni i ka bërë thirrje Evropës të forcojë aftësitë e saj mbrojtëse – në përgjigje të strategjisë së sigurisë në ndryshim – të presidentit të SHBA-së Donald Trump, sipas “euronews”.
Duke folur dje në Castel Sant’Angelo në Romë, Meloni tha se Trump e kishte bërë të qartë se SHBA-ja po planifikonte të shkëputej nga Evropa dhe se evropianët duhej të organizonin mbrojtjen e tyre.
“Me shumë vendosmëri, presidenti Trump tha se SHBA-ja ka ndërmend të shkëputet. Për këtë arsye, evropianët duhet të organizohen për të mbrojtur veten”, tha Meloni.
Deklarata e Meloni vjen mes tensioneve midis BE-së dhe administratës Trump.
Ajo bëri thirrje për krijimin e një strukture mbrojtëse evropiane më të fortë, të aftë për t’u angazhuar me fuqitë globale në kushte të barabarta.
“Ne kemi bërë thirrje, në momente të papritura, për nevojën për të forcuar kapacitetin tonë të mbrojtjes dhe sigurisë – kur askush tjetër nuk e shfaqi nevojën për të krijuar më në fund një normë evropiane të shpenzimeve të mbrojtjes të NATO-s – me forcë dhe respekt të barabartë me atë amerikane”, tha ajo. //a.i/
TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu do të paraqesë sot në Kuvend projektbuxhetin e vitit 2026 për sektorin e mbrojtjes, të cilin e ka cilësuar si “historik, nga përmasat dhe nga projektet që financon”.
Sipas ministrit, buxheti i Mbrojtjes për vitin e ardhshëm arrin në 59 miliardë lekë, duke kapur për herë të parë nivelin 2,12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më të lartin në 35 vitet e fundit.
Vengu ka theksuar se ky buxhet synon të sigurojë paga dhe pensione më të larta, më shumë zhvillim ekonomik, rritje të investimeve publike dhe forcimin e shtetit shqiptar.
Ai ka bërë të ditur se projekti parashikon investime të mëdha në Forcën Ajrore, Forcën Detare, Forcat Speciale dhe Komandën e re të mbrojtjes kibernetike, si edhe rritje të kapaciteteve operacionale dhe luftarake.
Po ashtu, gjatë vitit 2026 parashikohet rekrutimi i 720 rekrutëve të rinj, duke e kthyer Forcën e Armatosur, siç ka theksuar Vengu, në një destinacion tërheqës për të rinjtë që kërkojnë karrierë akademike dhe profesionale në ushtri.
Buxheti përfshin edhe investime të mëdha në emergjencat civile, me nisjen e ndërtimit të dy qendrave të reja rajonale në Krujë dhe Bushat, si edhe me rinovimin e flotës zjarrfikëse kombëtare me mjete të prodhuara në industrinë ushtarake shqiptare “Made in Albania”.
Një tjetër fokus është zhvillimi i industrisë vendase të mbrojtjes, që pritet të zgjerohet me prodhimin e municioneve, mjeteve të blinduara, mjeteve taktike, uniformave, dronëve dhe sistemeve antidron. Sipas ministrit, kjo industri do të shërbejë si një motor i ri për ekonominë kombëtare.
Ministri Vengu deklaron se miratimi i këtij projektbuxheti “nuk është vetëm një vendim politik, por një akt kombëtar që hap një kapitull të ri për Forcat e Armatosura dhe për sigurinë e vendit”.
Vendet e BE-së shpenzuan 343.2 miliardë euro për mbrojtje në vitin 2024, ku Gjermania dhe Franca së bashku përbëjnë 44% të këtij totali.
Shpenzimet për mbrojtje në BE janë rritur ndjeshëm ndërsa kërcënimet globale intensifikohen, me shpenzimet pothuajse që janë dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit, thuhet në një shkrim të Euronews, përcjell Telegrafi.
Dhe Agjencia Evropiane e Mbrojtjes (EDA) parashikon se ato do të arrijnë në 392 miliardë euro në vitin 2025.
Kujtojmë se në vitin 2020, shpenzimet arritën në 198 miliardë euro, duke e bërë ndryshimin një rritje prej 98% në terma nominalë.
Kur përshtatet për inflacionin, rritja është 63%, ende një rritje e konsiderueshme midis viteve 2020 dhe 2025.
Shumë ekspertë të sigurisë e lidhin këtë rritje të ndjeshme drejtpërdrejt me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, së bashku me mbështetjen e lëkundur të SHBA-së për sigurinë evropiane.
Me një plan paqeje Rusi-Ukrainë që është tani në përpunim e sipër, ekspertët kanë frikë se një marrëveshje që favorizon Moskën mund të kërcënojë stabilitetin afatgjatë nëse lihen jashtë garanci të caktuara sigurie.
E për fqinjët e Ukrainës, kërcënimi i një pushtimi të ardhshëm rus është një rrezik gjithnjë e më real.
Pra, ndërsa paqja globale është “në fije të perit”, cilat shtete evropiane po kontribuojnë më shumë në mbrojtjen e tyre?
Gjermania kryeson shpenzimet e mbrojtjes
Sipas të dhënave të EDA-së, vendet e BE-së shpenzuan 343.2 miliardë euro për mbrojtje në vitin 2024.
Gjermania kryeson listën me një diferencë të madhe me 90.6 miliardë euro, që përbën 26.4% të shpenzimeve totale të mbrojtjes së BE-së. Franca vjen pas me 59.6 miliardë euro, ose 17.4% të totalit të BE-së.
Së bashku, të dy vendet përbëjnë 43.8% të të gjitha shpenzimeve të mbrojtjes së BE-së, që arrijnë në 150 miliardë euro.
Meqenëse shifrat e Eurostat janë më të ulëta se ato të EDA-së për shkak të ndryshimeve në klasifikim, shifrat e përdorura këtu pasqyrojnë të dhënat e EDA-së, të cilat janë gjithashtu më të azhurnuara.
Veç tyre, Italia renditet e treta me 32.7 miliardë euro, e ndjekur nga afër nga Polonia me 31.9 miliardë euro.
Spanja vjen e pesta, por shpenzimet e saj të mbrojtjes mbeten relativisht të ulëta midis ekonomive të mëdha evropiane me 22.7 miliardë euro.
Më herët këtë vit, presidenti i SHBA-së, Donald Trump kërcënoi në mënyrë të dukshme se do ta përjashtonte Spanjën nga NATO për shkak të rezistencës ndaj një angazhimi për të rritur shpenzimet ushtarake në 5% të PBB.
Së bashku, pesë vendet e para në renditje shpenzuan 237.5 miliardë euro për mbrojtje, që përbën 69.2% të totalit të BE-së.
Katërmbëdhjetë vende ndajnë 8% të totalit të BE-së
Një total prej 14 vendesh të BE-së shpenzuan më pak se 5 miliardë euro secila, dhe tetë prej tyre shpenzuan nën 2 miliardë euro. Së bashku, ky grup prej 14 vendesh shpenzoi 28.2 miliardë euro, që është vetëm 8.2% e totalit të BE-së.
Ky grup përfshin Austrinë (4.9 miliardë euro), Hungarinë (4.5 miliardë euro) dhe Portugalinë (4.2 miliardë euro). Malta, shteti më i vogël anëtar i BE-së, regjistroi shpenzimet më të ulëta me vetëm 99 milionë euro.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia janë anëtarë të mëdhenj evropianë të NATO-s, edhe pse nuk janë pjesë e BE-së.
Sipas NATO-s, në vitin 2024, Mbretëria e Bashkuar shpenzoi 65.8 miliardë paund (74.97 miliardë euro) për mbrojtje, ndërsa Turqia shpenzoi rreth 24.4 miliardë euro. /Telegrafi/
TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka përfituar pajisje të reja të avancuara për mbrojtjen e rrjetit, të cilat iu dorëzuan nga zëvendësshefja e misionit të SHBA në detyrë, Kathryn Hammond, si pjesë e mbështetjes së fortë të qeverisë amerikane për forcimin e kapaciteteve kibernetike të Shqipërisë.
Dorëzimi i pajisjeve teknologjike u realizua muajin e kaluar dhe përbën një hap të rëndësishëm në rritjen e sigurisë kibernetike kombëtare, në një kohë kur kërcënimet digjitale janë bërë gjithnjë e më të shpeshta dhe më të sofistikuara.
Ambasada e SHBA në një postim në rrjetet sociale theksoi se siguria kibernetike është një përbërës thelbësor i sigurisë kombëtare dhe i forcimit të mbrojtjes sonë të përbashkët ndaj kërcënimeve kibernetike keqdashëse.
“Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura që kanë mbështetur Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes së saj kibernetike, duke çuar përpara sigurinë rajonale dhe atë të NATO-s”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane në Tiranë. /j.p/
BERLIN, 27 nëntor /ATSH-DPA/- Kreu i Shtabit Ushtarak të Bashkimit Evropian, Michiel van der Laan bëri thirrje sot për bashkëpunim më të ngushtë brenda sektorit të mbrojtjes të bllokut – gjatë një takimi të oficerëve të lartë të BE-së në qytetin gjerman, Ulm.
“Sisteme të ndryshme armësh me logjistikë dhe municione të ndryshme nuk janë të dobishme”, tha gjeneral-lejtnant, Michiel van der Laan – duke i bërë thirrje sektorit të mbrojtjes të BE-së – të bashkëpunonte më shumë brenda vendit – në mënyrë që të kishte kompani që konkurronin me njëra-tjetrën.
Van der Laan shërben nën drejtimin e Kaja Kallas, përfaqësueses së lartë të BE-së për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë.
Shtabi Ushtarak i BE-së është i ndarë nga NATO dhe dukshëm më i vogël.
Oficerët komandues janë përgjegjës për dislokimet jashtë BE-së, si në Bosnjë-Hercegovinë. Ata takohen një herë në vit.
Çështjet e diskutuara në takimin e këtij viti, në të cilin morën pjesë rreth 40 pjesëmarrës, ishin misionet aktuale dhe të planifikuara.
Një nga selitë e organizatës është në Ulm, ndërsa të tjerat ndodhen në Paris, Romë, Rota në Spanjë, Larisa në Greqi dhe Kraków në Poloni.
Shtabet e ndryshme koordinojnë dislokimet në rast krize. //a.i/
STRASBURG, 25 nëntor /ATSH-AFP/ – Gjermania nuk do të përballet me ndëshkim nga Bashkimi Evropian për thyerjen e rregullave buxhetore të bllokut, falë një përjashtimi të veçantë për shpenzimet e mbrojtjes, njoftoi sot Komisioni Evropian.
Deficiti publik i Gjermanisë pritet të jetë mbi tre për qind në vitin 2025, por nuk do të ndëshkohet pasi është “plotësisht i shpjeguar nga rritja e shpenzimeve për mbrojtjen”, tha ekzekutivi i BE-së.
Sipas rregullave buxhetore të unionit, borxhi i një shteti nuk duhet të kalojë 60 për qind të prodhimit kombëtar, ndërsa deficiti publik nuk duhet të jetë më i lartë se tre për qind.
Por nç fillim të vitit, Brukseli u lejoi vendeve anëtare të shpenzojnë deri në 1,5 për qind të prodhimit kombëtar për mbrojtjen, për një periudhë katërvjeçare, pa iu frikësuar sanksioneve.
Gjermania ishte mes 16 shteteve, përfshirë Danimarkën dhe Poloninë, që kërkuan përjashtime.
Berlini zakonisht është një zë i fortë për disiplinë buxhetore në BE, por me Evropën përballë kërcënimeve të shtuara nga Rusia dhe frikës se blloku po mbetet prapa Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, edhe vetë Gjermania ka ndryshuar kurs.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka zbutur këtë vit rregullat e rrepta të borxhit dhe ka lëshuar një valë shpenzimesh për infrastrukturën dhe mbrojtjen, me synimin për të ringjallur ekonominë më të madhe të eurozonës pas dy vitesh recesioni.
Komisioni tani thotë se pret që deficiti i Gjermanisë – diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve qeveritare – të arrijë në 3.1 për qind këtë vit.
Ndërsa Berlini i shpëton ndëshkimit, Brukseli tha gjithashtu se do të propozojë hapjen e një procedure për deficit të tepruar ndaj Finlandës, pasi deficiti i saj është gjithashtu më i lartë se sa lejojnë rregullat, dhe vetëm “pjesërisht i shpjeguar nga rritja e shpenzimeve të mbrojtjes”.
BE-ja ka hapur tashmë procedura të ngjashme kundër Austrisë, Belgjikës, Francës, Hungarisë, Italisë, Maltës, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë.
Një procedurë e tillë detyron një vend të negociojë me Brukselin një plan për të rikthyer borxhin ose deficitin brenda kufijve të lejuar. /Ad.Ab./
BRUKSEL, 25 nëntor /ATSH/ – Bashkimi Evropian hodhi një hap të ri të rëndësishëm drejt integrimit të industrisë së mbrojtjes me Ukrainën, ndërsa eurodeputetët miratuan me shumicë dërrmuese një program prej 1,5 miliardë eurosh për të forcuar kapacitetet ushtarake të bllokut dhe për të mbështetur Kievin, sipas AP..
Nga shuma totale, 300 milionë euro do të shkojnë drejtpërdrejt për Instrumentin e Mbështetjes për Ukrainën, në një kohë kur lufta vazhdon dhe paqartësitë mbi planin amerikan të paqes mbeten të mëdha.
Programi u miratua me 457 vota pro, ndërsa eurodeputetët theksuan se synimi kryesor është rritja e rezistencës së Evropës përballë kërcënimeve të jashtme, sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës.
Raphael Glucksmann, eurodeputet francez, deklaroi se kjo iniciativë “do të ndihmojë në ndërtimin e një Evrope më sovrane dhe të aftë të mbrojë demokracitë e saj në mënyrë të pavarur”, përmes partneritetit me Ukrainën në ngritjen e një kompleksi të avancuar industrial ushtarak.
Komisioneri i Mbrojtjes, Andrius Kubilius, theksoi para votimit se Ukraina “ka nevojë për BE-në, por edhe BE-ja ka nevojë për inovacionet ushtarake të Ukrainës”.
“Përfshirja e kompanive ukrainase në programet evropiane të investimeve në mbrojtje do të mundësojë prokurimin e pajisjeve ushtarake në, me dhe për Ukrainën, duke integruar teknologjitë ukrainase në industrinë evropiane”, shtoi ai.
Shpenzimet e mbrojtjes në BE pritet të arrijnë këtë vit në rreth 392 miliardë euro, gati dy herë më shumë se katër vite më parë.
Sipas Komisionit Evropian, rreth 3,4 trilionë euro do të investohen në mbrojtje gjatë dekadës së ardhshme, ndërsa është propozuar që buxheti afatgjatë për mbrojtjen dhe hapësirën të rritet në 131 miliardë euro.
Ky ndryshim pasqyron transformimin e BE-së nga një union ekonomik i lindur pas dy luftërave botërore, në një aktor të vendosur gjeopolitikisht në një kontinent të kërcënuar.
Blloku po u kërkon vendeve anëtare të blejnë shumicën e pajisjeve ushtarake brenda BE-së, në bashkëpunim me prodhuesit evropianë, për të shmangur varësinë nga jashtë. Blerjet nga vende jo-BE do të lejohen vetëm kur çmimi, performanca ose vonesat e furnizimit e bëjnë atë më të arsyeshme.
Për më tepër, kompanitë evropiane do të kenë akses në lehtësira tatimore dhe stimuj financiarë për projekte të përbashkëta si “Eastern Flank Watch”, “Drone Defense Initiative” apo “Space Shield”.
Përfshirja e industrisë ukrainase në këto projekte pritet të sjellë inovacione të rëndësishme në sistemet evropiane të mbrojtjes, duke rritur autonominë teknologjike të BE-së.
Së fundmi, Komisioni lansoi edhe një paketë të re që synon lëvizjen më të shpejtë të trupave dhe pajisjeve ushtarake nëpër Evropë, si dhe një “roadmap” për transformimin e industrisë së mbrojtjes, për të unifikuar rregullat dhe për të nxitur prodhimin vendas të armëve, municioneve, satelitëve dhe mjeteve ushtarake. /Ad.Ab./
TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Skuadrat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në terren për të mënjanuar problematikat e shkaktuara nga moti i keq.
Kryeministri Edi Rama ndau mesditën e së shtunës pamje nga puna që po kryhet në Sarandë, në zonën e Çukës, “për restaurimin emergjent të argjinaturës së Bistricës së Madhe, ku niveli i ujit ka filluar të bjerë”.
Në pamjet e publikuara nga kryeministri vihet re ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura që inspektojnë nga afër punimet, të cilat kanë nisur që prej të premtes në ora 08:30′, duke vijuar deri pas perëndimit të diellit, teksa kanë vijuar mëngjesin e sotëm pa ndërprerje për restaurimin e argjinaturës së Bistricës së Madhe.
Rama thekson se “Forcat e Armatosura mbeten të angazhuara në zonë për sigurinë e banorëve, në krah të strukturave lokale dhe vetëqeverisjes vendore”.
Kreu i qeverisë shton se të gjitha strukturat lokale dhe vendore janë në gatishmëri të plotë për t’u përballur me pasojat e motit të keq.
Prej një jave, vendi ynë është përfshirë nga reshje të dendura shiu, ndërsa bora ka prekur zonat malore. Reshjet kanë shkaktuar disa problematika në ultësirën perëndimore, ku strukturat vendore dhe ato lokale vijojnë të jenë maksimalisht të angazhuara për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet.
TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi sot se strukturat e mbrojtjes civile, njësitë vendore dhe Forcat e Armatosura kanë punuar pa ndërprerje gjatë 24 orëve të fundit për menaxhimin e prurjeve të larta si pasojë e reshjeve të shiut, pastrimin e akseve rrugore, mbrojtjen e banesave dhe evakuimin e qytetarëve në zonat e rrezikuara.
Në njoftim për shtyp Ministria e Mbrojtjes tha se në Sukth, Durrës po vijon pastrimi i kanaleve të ujërave me dy eskavatorë, ndërsa në Ishëm po punohet për hapjen e rrugës së bllokuar nga rrëshqitjet.
Në Bubq, Mazhë dhe Mallkuç po punohet për normalizimin e zonave të përmbytura dhe asistimin e banorëve. Në Thumanë ekipet po pastrojnë kanalet kryesore dhe po përforcojnë argjinaturat.
Në qarkun e Lezhës në Shënkoll po punohet intensivisht për mbylljen e çarjes së argjinaturës së Vainit, ku FA kanë dislokuar mjete të rënda dhe varka për parandalimin e përmbytjeve të fushës së Bregut të Matës.
Në Shëngjin është punuar për largimin e ujin nga oborret e shtëpive, pallateve dhe hoteleve me 10 forca të FA, 3 automjete, 3 pompa si dhe 11 forca bashkiake
Ndërsa në Kurbin dhe Mirditë po punohet për pastrimin e rrugëve, riparimin e urave. Ekipet e emergjencave ndodhen në terren në ndihmë të banorëve, shtëpitë e të cilëve rrezikohen nga rrëshqitjet.
Në qarkun e Kukësit subjektet kontraktore po pastrojnë gurët dhe inertet në rrugët nacionale për të mbajtur akset të kalueshme, ndërsa në Ujmisht dhe Zapod po punohet për hapjen e rrugëve të bllokuara nga rrëshqitjet. Në Has po vlerësohen dëmet në urën e dëmtuar.
Në qarkun Shkodër në Shalë është hapur segmenti Theth–Ndërlysaj, ndërsa në pjesën Ndërlysaj–Breg-Lumi ekipet vijojnë punën për zhbllokimin e rrugës së mbuluar nga rrëshqitjet.
Në qarkun Gjirokastër në Libohovë po punohet për zhbllokimin e aksit Suhë–Poliçan pas shembjes së rrugës, ndërsa në Dropull ekipet po punojnë për disiplinimin e ujërave dhe rikthimin e energjisë. Në Memaliaj po ndërhyhet në aksin Allkomemaj–Tepelenë për riparimin e trupit të rrugës. Prania e ujit në disa akse të Gjirokastrës po monitorohet nga strukturat vendore.
Në qarkun Vlorë Forcat e Armatosura dhe strukturat vendore po punojnë për evakuimin e familjeve të prekura nga dalja e lumit Kalasë dhe për zhbllokimin e rrugëve ndërmjet fshatrave. Në Finiq po ndërhyhet për largimin e ujërave dhe mbështetjen e familjeve të evakuuara, ndërsa në Selenicë po pastrohen rrëshqitjet në aksin Brataj–Kuç. Në Sarandë po largohet uji nga banesat e përmbytura dhe po asistohen familjet. Niveli i Vjosës vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Në qarkun Fier në Lushnjë po monitorohet situata nga dalja e lumit Seman në tokat bujqësore. Nuk ka rrezik për banesat. Ndërsa strukturat vendore po garantojnë funksionimin normal të akseve rrugore, energjisë dhe ujësjellësit.
Në qarkun Elbasan në akset Elbasan–Peqin dhe Elbasan–Librazhd po pastrohen inertet dhe po lirohen akset rrugore nga inertet. Ndërsa në Gramsh po ndërhyhet me mjete për të shmangur daljen e lumit Kerpicë nga shtrati.
Në qarkun Berat po vendosen prita mbrojtëse dhe po pastrohen rrugët për shkak të prurjeve të Osumit, i cili ka përmbytur qindra hektarë tokë. Në Poliçan dhe Dimal po ndërhyhet në zonat ku lumi ka dalë nga shtrati dhe po ndihmohen familjet e prekura. Aksi Berat–Poliçan po pastrohet nga gurët dhe inertet.
Në qarkun Korçë në Devoll dhe Miras po punohet për riparimin e urave të dëmtuara, ndërsa në Denas–Lekas po monitorohet aksi rrugor, në të cilin ka prezencë uji. Në Vithkuq e Bulgarec po ndërhyhet pranë banesave të rrezikuara nga prania e ujit. Në Maliq e Kolonjë ekipet po ndërhyjnë për të riparuar pasojat e rrëshqitjeve të dherave.
Po monitorohet rezervuari i Rotit, ku niveli i ujit është rritur.
Në Dibër dhe Klos po punohet për pastrimin e përrenjve që kanë dalë nga shtrati dhe për mbrojtjen e banesave të rrezikuara. Në Mat janë angazhuar mbi 40 forca me mjete të specializuara për hapjen e rrugëve të dëmtuara, evakuimin e familjeve dhe menaxhimin e përmbytjeve në shkolla e banesa. Në disa akse rurale në Dërjan, Rukaj, Macukull e Lis po punohet për rikthimin e qarkullimit.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbeten në monitorim të pandërprerë dhe në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast të përkeqësimit të situatës.
TIRANË, 14 nëntor/ATSH/- Shqipëria dhe Italia konkretizuan një sërë marrëveshjesh dypalëshe me fokus të veçantë sigurinë, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe fuqizimin e mbrojtjes civile zunë një vend themelor.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur detaje nga marrëveshjet në fushën e mbrojtjes të nënshkruara në kuadër të Samitit të parë Ndërqeveritar të mbajtur dje në Villa Pamphili në Romë duke rikonfirmuar thellësinë e partneritetit strategjik dhe angazhimin për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal.
Kryeministri Edi Rama dhe ajo italiane, Giorgia Meloni mbikëqyrën nënshkrimin dhe shkëmbimin e disa marrëveshjeve në sektorë të ndryshëm, ku siguria, zhvillimi i industrisë së mbrojtjes dhe fuqizimi i mbrojtjes civile zunë një vend themelor.
I. Thellimi i Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes
Ministrat e Mbrojtjes nënshkruan Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, duke zgjeruar aktivitetet e përbashkëta në trajnim, ndërveprueshmëri, siguri detare dhe gatishmëri operacionale. Gjithashtu, firmosja e marrëveshjes teknike për transferimin e dy motovedetave patrulluese italiane për Rojën Bregdetare Shqiptare forcon ndjeshëm kapacitetet e Shqipërisë për vëzhgimin e hapësirës detare si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit në detet Adriatik dhe Jon.
II. Zgjerimi i Bashkëpunimit Industrial të Mbrojtjes
Konsolidimi i partneritetit strategjik në fushën e industrisë së mbrojtjes është një hap domethënës për krijimin e bazës industriale të mbrojtjes në vend, në përputhje me agjendën më të gjerë të industrializimit dhe aftësive teknologjike e prodhuese të vendit.
Marrëveshjet e bashkëpunimit të nënshkruara sot nga kompania shtetërore KAYO me kompanitë italiane “Leonardo” dhe “Fincantieri” fokusohen në përdorimin e teknologjive të avancuara nga municionet, te sistemet e komandim-kontrollit, zhvillimin e kapaciteteve të mirëmbajtjes së anijeve ekzistuese të Forcës Detare, dhe prodhimit të mjeteve të reja detare për tregun vendas dhe ndërkombëtar.
III. Investime në Fushën e Mbrojtjes Civile
Forcimi i Qëndrueshmërisë dhe kapaciteteve të mbrojtjes civile të Shqipërisë ishte një nga shtyllat kryesore të samitit të sotëm. Nënshkrimi i dy instrumenteve financiare si, kredia 30 milionë euro dedikuar për pajisje, trajnim dhe modernizim operacional, dhe granti 5 milionë eurosh i fokusuar në reagimin e shpejtë dhe reduktimin e rrezikut, e vendosin në një nivel të ri bashkëpunimin midis vendeve tona.
Këto nisma plotësohen nga nënshkrimi i memorandumit dhe deklaratës trepalëshe AKMC-AICS Tirana dhe e Agjencisë Italiane të Mbrojtjes Civile, për garantimin e sinergjive për projektet aktuale dhe të ardhshme të mbrojtjes dhe emergjencave civile.
TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama informoi sot se kompania e përbashkët shqiptaro-italiane mes kompanisë italiane, Fincantieri dhe kompanisë shqiptare KAYO, për të ngritur kantierin e ndërtimit dhe të riparimit të anijeve në Pashaliman parashikohet që në vitin 2031 të krijojë një vlerë prej 400 milion eurosh në një vit.
Në një intervistë televizive pas mbledhjes së parë të përbashkët të qeverive Shqipëri-BE, Rama foli mbi marrëveshjet e arritura në fushën e mbrojtjes.
Ai përmendi marrëveshjen për krijimin e një kompanie të përbashkët mes kompanisë italiane, Fincantieri dhe kompanisë shqiptare KAYO, për të ngritur kantierin e ndërtimit dhe të riparimit të anijeve në Pashaliman.
“Përmenda marrëveshjen për krijimin e një kompanie të përbashkët mes njërës prej ekselencave më të njohura të Europës në industrinë navale siç është Fincantieri dhe kompanisë sonë të re KAYO.shpk për të ngritur kantierin e ndërtimit dhe të riparimit të anijeve në Pashaliman”, tha Rama.
Rama u shpreh se, në vitin 2031 parashikohet që kjo kompani e përbashkët të krijojë një vlerë prej 400 milionë eurosh në një vit.
“Pashë pak të gjithë studimin për këtë projekt dhe në vitin 2031 parashikohet që kjo kompani e përbashkët të krijojë një vlerë prej 400 milion eurosh në një vit”, tha Rama.
Rama foli edhe sa i takon marrëveshjes bilaterale ushtarake me Italinë, ku tha se Shqipëria deri tani nuk ka probleme në ujërat e saj sa i takon emigracionit të paligjshëm, ndërkohë që mbetet e angazhuar në luftën kundër trafiqeve.
I pyetur lidhur me marrëveshjen bilaterale ushtarake me Italinë, operacionet për të ndalur fluksin emigrator në ujërat italianë dhe europiane, Rama tha se, “nuk kemi ne një problematikë të tillë në ujërat tona territoriale me thënë të drejtën dhe kemi kohe që nuk e kemi për fat të mirë”.
“Ne kemi më shumë nevojë të vazhdojmë luftën kundër trafiqeve që ka njohur përparime të mëdha, por që është një luftë që faktikisht asnjëherë nuk mbaron, por gjithmonë duhet zhvilluar sepse në çdo moment që ti e konsideron të mbaruar ajo rifillon prapë”, theksoi kryeministri.
Nga ana tjetër, shtoi Rama, “ne nuk kemi paguar faktikisht asnjë kosto madje nëse do ta shikonim në mënyrë ngushtësisht politike, marrëveshja që kemi bërë na ka ndihmuar shumë në Europë ku shumica e qeverive janë qeveri të djathta dhe i shkojnë në të njëjtin hulli politikës së emigracionit të paligjshëm”.
“Madje jo vetëm të djathtët, por dhe kryeministrja e Danimarkës që është një kryeministre e majtë, është një kampione kundër emigracionit të paligjshëm”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se, “duhet që të mos harrojmë asnjëherë që kjo nuk është një zgjedhje e jona në kuptimin se çfarë qasje duhet të ketë Europa ndaj emigracionit të paligjshëm dhe nga ana tjetër nuk është një problem drejtpërdrejtë i yni sepse ne nuk kemi një të tillë”.
Por, shtoi Rama, “zgjuarsia jonë është që të jemi në kohën e duhur në vendin e duhur dhe të marrim dhe kreditet e duhura, të cilat janë kredite që vlejnë në procesin e përngjitëm të rritjes së solit dhe rritjes së reputacionit të Shqipërisë ndërkombëtarisht”.
TIRANË, 12 nëntor /ATSH-Gjergji Mima/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se projektbuxheti 2026 për Mbrojtjen ka pesë prioritete kryesore, ndërsa theksoi se për herë të parë buxheti arrin në nivelin 2,12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në prezantimin e projektbuxhetit për vitin 2026 për Ministrinë e Mbrojtjes, në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Vengu u shpreh se buxheti për Mbrojtjen në vitin 2026 kap shifrën prej 58,9 miliardë lekësh, me një rritje prej 12% nga viti 2025, dhe për herë të parë arrin në 2,12% të PBB-së.
Vengu nënvizoi se ky buxhet përcakton pesë prioritete.
Prioriteti i parë është kapitali njerëzor.
“Në qendër të çdo reforme që kemi ndërmarrë qëndron kapitali njerëzor. Përmes këtij projektbuxheti garantojmë 13 miliardë lekë, jo vetëm për pagat dhe mirëqenien e personelit, por edhe për vijimin e rritjes së pagave drejt mesatares së vendeve të NATO-s. Ambicia jonë është që deri në vitin 2029 të arrihet mesatarja e pagave të vendeve të NATO-s”, tha Vengu.
“Po ashtu, financojmë reformën e statusit të ushtarakut, një kërkesë e hershme e të gjithë ushtarakëve, qoftë në rezervë, në lirim apo aktivë – si dhe forcën rezerviste. Parashikohet shtimi i efektivëve me 450 rekrutë të rinj vetëm për gjashtëmujorin e parë dhe rikthimi në shërbim aktiv i specialistëve të kualifikuar”, theksoi Vengu.
Prioriteti i dytë është gatishmëria operacionale.
“Me një fond prej 16,3 miliardë lekësh, garantojmë që çdo njësi e Forcave të Armatosura të jetë në gatishmëri të plotë. Ky fond përfshin mirëmbajtjen e kapaciteteve në të gjithë spektrin e luftimit, misionet ndërkombëtare, trajnimin, nga helikopterët tek anijet, nga mbrojtja kibernetike, uniformat dhe municionet, deri te sigurimi i jetës së efektivëve dhe gatishmëria për çdo mision”, tha ministri.
Prioriteti i tretë: Modernizimi dhe industria vendase.
“Viti 2026 është viti i modernizimit të ushtrisë sonë dhe ringritjes së industrisë ushtarake vendase. Me 29 miliardë lekë investime kapitale – më shumë se gjysma e buxhetit – po ndërtojmë bazën për prodhimin vendas të municioneve, dronëve, mjeteve të blinduara dhe sistemeve antidron”, deklaroi Vengu.
“Kemi nisur rikthimin në funksion të komplekseve industriale, fillimisht në Tiranë, Rubik dhe Shkozet, dhe do të vijojmë me ish-komplekset e tjera në Poliçan, Gramsh dhe Mjekës”, shtoi ministri.
“Me këtë buxhet do të mund të vijojmë fazën e dytë të kampusit të ri të Forcave të Armatosura në Tiranë, do të rihapim Shkollën e Aviacionit dhe do të ridimensionojmë qendrën stërvitore në Bunavi, si një qendër stërvitjeje dhe disipline ushtarake elitare”, theksoi Vengu.
Prioriteti i katërt është mbrojtja civile dhe siguria e komunitetit.
“Kemi dedikuar 4,3 miliardë lekë për emergjencat civile, afërsisht 8% të buxhetit. Një fond që përfshin 1 miliard lekë fond të kushtëzuar në mbështetje të njësive të vetëqeverisjes vendore, fond që do të donim të shpërndahej në mënyrë më të drejtë, sipas riskut dhe zonave më të prekura nga fatkeqësitë natyrore”, tha Vengu.
“Një miliard lekë janë parashikuar për projektet në infrastrukturën parandaluese të fatkeqësive, një kërkesë e vazhdueshme e bashkive dhe 300 milionë lekë për vijimin e programit kombëtar të rehabilitimit të digave”, tha Vengu.
“Një risi e rëndësishme është ngritja e qendrave rajonale të emergjencave civile. Nga katër që synojmë gjatë katërvjeçarit, dy prej tyre, në Bushat dhe Krane, janë të financuara nga ky projektbuxhet, duke mundësuar forcimin e zinxhirit të reagimit të shpejtë dhe plotësimin e mangësive aktuale të pushtetit vendor në menaxhimin e emergjencave civile”, tha Vengu.
“Një element tjetër i rëndësishëm është financimi i ngritjes së sistemit të numrit kombëtar dhe europian 112, një prioritet kyç dhe një detyrim në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE. Gjithashtu, parashikohet financimi i fazës së parë të një flote të re mjetesh zjarrfikëse dhe me kalueshmëri të lartë”, shtoi ministri.
Prioriteti i pestë është digjitalizimi dhe inovacioni.
“Po investojmë në sistemet e integruara të komandim-kontrollit, në rrjete të sigurta komunikimi, dronë inteligjentë dhe analiza të avancuara për vendimmarrje në kohë reale”, tha ministri.
“Në industrinë vendase po nxisim partneritetet me universitetet publike dhe kompanitë teknologjike për zhvillimin e zgjidhjeve që lidhen me Inteligjencën Artificiale, si dhe për simulime dhe trajnime virtuale.”
Duke folur për impaktin ekonomik që pritet të ketë rilindja e industrisë ushtarake që në vitin e parë, Vengu theksoi se, “përmes kompanisë shtetërore KAYO parashikohen 3,8 milionë euro të ardhura direkte, 8 milionë euro të ardhura indirekte dhe krijimi i 326 vendeve të reja pune”.
Ministri Vengu për pr.buxhetin 2026 në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes. Fo...
1 nga 4
Ministri i mbrojtjes Pirro Vengu diskuton pr.buxhetin e vitit 2026 në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes. Foto: Florian Abazaj
PRISHTINË, 10 nëntor/ATSH/ Christopher Hill, ish-i dërguar i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, dëshmoi sot në mbrojtje të Hashim Thaçit si dëshmitari i katërt i thirrur nga mbrojtja në procesin gjyqësor në Hagë.
Hill tha se kontakti i tij i parë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ndodhi në verën e vitit 1998 në Tiranë të Shqipërisë.
“Derisa po punoja me stafin tim dhe të tjerë, duhej të gjenim një zyrtar apo grup zyrtarësh të UÇK-së me të cilët mund të flisnim lidhur me UÇK-në. Duhet të shtoj se kam punuar për një kohë në këtë drejtim pa pasur sukses dhe arritëm në përfundim se nuk kishte një udhëheqje të tillë. Pra, këtu bëhej fjalë për një grup njerëzish në nivel vendor, që ishte përshkrim shumë më i saktë i asaj me të cilën po merreshim ne”, tha Hill, duke iu referuar UÇK-së.
Ai shtoi se në Tiranë takoi “dikë që na e kishin përshkruar si kreun e UÇK-së”.
“Unë dhe kolegët e mi erdhëm në përfundim se ai vepron brenda kësaj lëvizjeje, por nuk mund të flasë në emër të UÇK-së. Ne vazhduam punën për të gjetur njerëz që mund të flisnim si përgjegjës për këtë. Shkuam në verë dhe vjeshtë të ’98-ës në Likoc”, tregoi Hill.
Hill tha se nuk i kujtohej emri i personit të parë nga UÇK-ja me të cilin ishte takuar, por i kërkoi avokatit që e merrte në pyetje për t’i thënë ndonjë emër.
Avokati e pyeti nëse ishte Xhavit Haliti, dhe Hill i tha se “po”.
I pyetur nga mbrojtja nëse ambasadori Gelbard i ishte referuar UÇK -së si organizatë “terroriste”, Hill tha “po”.
Hill shpjegoi se Gelbard ishte bazuar në përvojën e tij në Amerikën Latine kur e cilësoi të tillë UÇK-në.
“Pati shumë kritika për deklaratën e Gelbard se UÇK-ja ishte organizatë terroriste, dhe kishte fjalë se kjo e kishte shpejtuar këtë ngjarje, pra sulmin në familjen Jashari. Gelbard sikurse kishte dhënë dritën jeshile që kjo të ndodhte. Besoj se nuk ka provë për një gjë të tillë, por ajo është diskutuar, nëse i dërguari amerikan e quan UÇK-në terroriste, sikur u jep sinjal serbëve të lëviznin kundër tyre”, tha Hill.
Hill shtoi se Gelbard, më pas, mori qëndrim shumë më të ashpër ndaj serbëve, pasi ndodhi ngjarja në Prekaz, dhe përfshiu bisedë të ashpër me Millosheviqin”.
“Millisheviqi më pas deklaroi se ai nuk donte të takohej më me Gelbard. Gjithë çështja në maj filloi me fjalimin apo komentet e Gelbardit nga përvojat e mëhershme”, tha Hill.
Hill tha se Shtetet e Bashkuara kanë mekanizëm për ta shpallur terroriste një organizatë të huaj dhe se, sipas tij, ato nuk e kanë cilësuar të tillë UÇK-në.
Gjyqi në Hagë ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit po shkon drejt përfundimit. Që të gjithë ish-krerët e UÇK-së i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1998–1999. /rel/
BRUKSEL, 6 nëntor /ATSH/ – Kompanitë ukrainase do të mund të marrin pjesë në projektet e kërkimit dhe zhvillimit të mbrojtjes të financuara nga Bashkimi Europian, pas një marrëveshjeje të përkohshme të arritur mes negociatorëve të vendeve anëtare të BE-së dhe Parlamentit Europian, njoftoi mbrëmë presidenca daneze e Këshillit të BE-së.
Marrëveshja e re lidh Ukrainën me Fondin Europian të Mbrojtjes, që synon të forcojë konkurrueshmërinë, efikasitetin dhe inovacionin e sektorit të mbrojtjes në BE. Ky fond ka një buxhet prej rreth 9,5 miliardë eurosh për periudhën 2021–2027.
Sipas presidencës daneze, palët kanë rënë dakord gjithashtu të zgjerojnë dhe thjeshtojnë përdorimin e fondeve të buxhetit të BE-së për kërkime, zhvillim dhe investime në kapacitete industriale e infrastrukturë të mbrojtjes. Për këtë qëllim, disa programe ekzistuese të BE-së, përfshirë “Horizon Europe”, do të ndryshohen.
Ky vendim vjen në sfondin e shqetësimeve të sigurisë ndaj Rusisë, ndërsa vlerësimet e shërbimeve të zbulimit tregojnë se Moska mund të jetë e aftë të nisë një luftë të re që në vitin 2030.
Ministrja daneze për Çështjet Europiane, Marie Bjerre, tha se marrëveshja dërgon një “mesazh të fortë” se Evropa është e vendosur të investojë në sigurinë e saj dhe të heqë pengesat që e pengojnë këtë.
“Ky është një hap i domosdoshëm drejt një Evrope më të fortë, më elastike dhe më të aftë për t’u mbrojtur deri në vitin 2030”, theksoi ajo. /Ad.Ab./
TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot në parim marrëveshjen me Italinë lidhur me bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe vjen pas miratimit një javë më parë të një marrëveshje strategjike me Italinë që përfshin bashkëpunimin në 10 fusha.
Marrëveshjet e nënshkruara së fundi me Italinë prekin fusha të tilla si kujdesi shëndetësor, energjia, mjedisi, industria e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimi i migracionit, arsimi, inovacioni, diaspora, transformimi ekonomik dhe rritja inteligjente.
Qeveria shqiptare dhe ajo italiane pritet të zhvillojnë në mes të nëntorit mbledhjen e parë të përbashkët në Romë, duke konsoliduar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.
Marrëveshjet që do të nënshkruhen në Romë në kuadër të kësaj mbledhje të përbashkët synojnë të formalizojnë bashkëpunimin strategjik dhe të thellojë marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Italisë.
Ato synojnë krijimin e një kornize të strukturuar për zbatimin e projekteve dhe iniciativave të përbashkëta në fusha të ndryshme.
Shqipëria dhe Italia kanë firmosur në vitin 2010 Deklaratën e Partneritetit Strategjik.