TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Kombëtarja shqiptare do të përballet sonte në mbrëmje, në orën 20:45, me Letoninë, në stadiumin “Air Albania”, në një ndeshje jetike për fatet e saj në Grupin K të kualifikueseve për Kupën e Botës SHBA-Meksikë-Kanada 2026.
22 mijë zemra kuqezi priten sot në stadium, i cili do të jetë i mbushur plot me tifozë kuqezinj, pasi Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se të gjitha biletat e disponueshme për këtë ndeshje janë shitur.
Tifozët kuqezinj të mbërritur nga të gjitha qytetet shqiptare dhe nga diaspora kanë mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara hyrjes në stadium.
Ndërsa miliona të tjerë, kudo ku ka shqiptarë, presin mbrëmjen e sotme fitoren e Kombëtares për të mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim historik në Botërorin 2026.
Pas katër ndeshjesh të zhvilluara, Shqipëria ndodhet në vendin e tretë me 5 pikë, dy më pak se Serbia që është e dyta me 7 pikë, por që ka një ndeshje më pak të luajtur. Anglia kryeson grupin me 12 pikë, ndërsa Letonia është vetëm një pikë pas nesh, me 4 pikë.
Përballja e sotme është vendimtare për skuadrën e drejtuar nga Sylvinho, që ka si objektiv vetëm fitoren në mënyrë që të vazhdojë të shpresojë për një kualifikim në Botërorin e 2026-ës.
Në ndeshjen tjetër të grupit K, Serbia pret Anglinë në një përballje të vështirë në Beograd, dhe çdo hap fals i serbëve i hap rrugën Shqipërisë për t’u ngjitur në vendin e dytë nëse arrin të marrë maksimumin kundër Letonisë.
Shqipëria dhe Letonia janë përballur 6 herë në histori dhe të gjitha takimet kanë përfunduar në barazim. Dueli i fundit, më 10 qershor 2025 në Riga, përfundoi 1-1, duke lënë shumë vend për reflektim për stafin kuqezi. Në total, të dyja skuadrat kanë shënuar dhe pësuar nga 7 gola ndaj njëra-tjetrës, një baraspeshë që Kombëtarja jonë duhet patjetër ta prishë në këtë mbrëmje.
Ndeshja do të gjykohet nga një treshe polake me Damian Sylwestrzak si arbitër kryesor, i ndihmuar nga Pawel Sokolnicki dhe Adam Karasewicz, ndërsa në sistemin VAR do të jenë Piotr Lasyk dhe Pawel Malec.
Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për garantimin e sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes.
Kështu, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Tiranë, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.
Punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta.
Gjithashtu policia u bën apel qytetarëve që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë (përreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje antidronë.
Shqipëri-Letoni, atmosferë festive në Tiranë, Foto: Forian Abazaj
/gj.m/r.e/
The post Shqipëri – Letoni, tifozët kuqezinj atmosferë elektrizuese në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.