TOKIO, 11 dhjetor /ATSH-AFP/ – Japonia njoftoi sot se ka zhvilluar manovra të përbashkëta ushtarake ajrore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm disa ditë pasi avionë luftarakë kinezë dhe rusë realizuan patrullime të përbashkëta në rajon.
Ushtria japoneze tha se ”manovrat vinin në një moment kur siguria në Azi po bëhet gjithnjë e më e brishtë” dhe marrëdhëniet diplomatike me Pekinin janë tensionuar ndjeshëm.
Incidentet e fundit që shtuan tensionet përfshinë dy bombardues strategjikë rusë ”Tu-95” dhe dy bombardues kinezë ”H-6”, që fluturuan së bashku rreth Japonisë, duke detyruar Tokion të ngrejë në ajër avionët e saj luftarakë.
Ky zhvillim erdhi vetëm disa javë pasi kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi deklaroi se Japonia do të ndërhynte nëse Kina sulmonte Tajvanin, një deklaratë që zemëroi Pekinin.
Ushtria japoneze tha se manovrat me SHBA-në vërtetuan vendosmërinë e dy aleatëve për të mos lejuar ndryshime të njëanshme të status quo-së me forcë.
Në manovra morën pjesë bombardues amerikanë ”B-52” dhe avionë luftarakë japonezë ”F-35” dhe ”F-15”.
Manovrat u zhvilluan në Detin e Japonisë dhe u konsideruan një demonstrim i qartë force në një moment tensioni të shtuar.
Ndërkohë, Uashingtoni kritikoi hapur Pekinin pasi avionë luftarakë kinezë ”J-15” dyshohet se kishin fiksuar me radar avionë japonezë pranë Okinavës, një veprim që mund të interpretohet si hap paraprak për përdorim force.
Japonia protestoi zyrtarisht dhe thirri ambasadorin kinez, por Pekini e akuzoi Tokion se kishte ndërhyrë në zonën e stërvitjeve të tij dhe se po ”kërkonte të krijonte tensione”./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post TOKIO – Manovra ushtarake ajrore amerikano-japoneze pas patrullimeve ruso-kineze appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.