Afati kalimtar i janarit solli disa lëvizje të rëndësishme për futbollistët kosovarë, të cilët ndryshuan ambient për të gjetur më shumë hapësirë, stabilitet apo një hap të ri në karrierë.
Ilir Krasniqi dhe Lindon Emërllahu u bashkuan me Polissya, duke hapur një kapitull të ri pas largimit nga Kolosi, përkatësisht Cluj.
Në Turqi u mbyll aventura e Visar Bekajt, i cili u rikthye në Shqipëri te Tirana, ndërsa Emir Sahiti la Hamburgun për t’iu bashkuar Maccabi Tel Avivit.
Në Gjermani, Andi Hoti kaloi nga Magdeburgu te Eintracht Braunschweig, ndërsa Doni Arifi bëri hapin e madh nga KUPS drejt Greuther Fürth.
Florent Hasani vazhdoi karrierën në Turqi, duke kaluar nga Boluspor te Amedspor, kurse Indrit Mavraj u transferua nga Bari te Lechia Gdańsk.
Ndërkohë, Mirlind Kryeziu mbeti pa ekip pas largimit nga Winterthur, ndërsa Ardit Tahiri u rikthye te Kolos pas aventurës me Llapin. Këto lëvizje konfirmojnë praninë e vazhdueshme të lojtarëve kosovarë në tregun ndërkombëtar të transferimeve
Ilir Krasniqi - Nga Kolosi te Polissya
Lindon Emërllahu – Nga Cluj te Polissya
Visar Bekaj – Hatayspor - Tirana
Andi Hoti - Nga Magdeburgu te Eintracht Braunschweigu
Florent Hasani ishte protagonisti kryesor në fitoren bindëse 7-0 të Amedsporit ndaj Adana Demirsporit, në kuadër të Ligës së Parë të Turqisë.
Sulmuesi nga Vushtrria realizoi dy gola, duke shënuar në minutat 45’ dhe 59’, për golin e dytë dhe të pestë të skuadrës së tij.
Hasani qëndroi në fushë për 61 minuta, ndërsa paraqitja e tij u vlerësua me notën e lartë 9.5 nga SofaScore.
Me këta dy realizime, sulmuesi ka shkuar në kuotën e 16 golave, të shoqëruara edhe me 3 asistime, duke u konfirmuar si golashënuesi më i mirë i kampionatit.
Amedspor aktualisht mban vendin e parë në tabelë dhe konsiderohet favorit absolut për t’u ngjitur në Superligën e Turqisë, falë formës së shkëlqyer dhe vazhdimësisë së rezultateve.
Hasani iu bashkua Amedsporit në këtë afat kalimtar dimëror, duke u transferuar nga Boluspor, dhe menjëherë ka treguar ndikim vendimtar në repartin ofensiv të skuadrës. /Telegrafi/
Deputeti i BDI-së, Ilir Hasani sot theksoi se BDI nuk e votoi Ligjin për Kundërvajtje për shkak se nuk është respektuar gjuha shqipe. "Arsyeja që më ka bërë kundër, që të votojë kundër këtij ligji është mos shfrytëzimi i gjuhës shqipe në të gjitha fazat e zbatimit të ligji.
As VLEN-it as kurrkujt tjetër nuk i ka interesuar se porosit a do i marrim në gjuhën shqipe apo vetëm në maqedone", tha Hasani në "Click Plus".
Ai tha se në bisedimet nëmes grupeve parlamentare e kanë ngritur këtë shqetësim serioz.
Edhe deputeti i pavarur, Ilir Demiri i cili ishte i ftuar në emision, tha se përkrahi një ligj të tillë dhe ka gjithmonë votë për ligjet që shpëtojnë jetë. Mes tjerash, ai tha se ligji është me rekomandime të BE-së dhe se në mënyrë graduale vendi afrohet me normativat evropiane./Telegrafi/
Mbledhja e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme këtë të enjte ku u votua në parim për projektligjin e pjesmarrjes së Shqipërisë në Bordin e Paqes pas ftesës së presidentit Donald Trump, u shoqërua me debate. Kryetari i komisionit, deputeti i PS-së Igli Hasani dhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla patën një debat pasi ky i fundit i tha deputetit Agron Shehaj të ulet për të…
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Nait Hasani ka reaguar lidhur me manipulimin e votave ku nga procesi i rinumërimit të disa vendvotimeve atij i janë larguar deri më tani 3 mijë e 414 vota.
Sipas tij, procesi ka shkaktuar cenim të rëndë të vullnetit të lirë të qytetarëve dhe manipulim të emrit të tij.
“Me atë që pash në rinumërim, votat e mia janë rritur në mënyrë të padrejtë, duke u përdorur emri im për manipulime të papranueshme zgjedhore. Ky veprim përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe akt të rëndë moral dhe politik”, ka shkruar Hasani.
Ai refuzon çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarëve dhe siguron se qëndron pranë demokracisë dhe transparencës.
“Unë refuzoj kategorikisht çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarit. Nuk kam hyrë në politikë për të fituar me mashtrime, por për të fituar me besim. Nuk kam nevojë për vota të vjedhura, sepse respektoj votën e ndershme më shumë se çdo rezultat”, u shpreh Hasani.
Hasani thekson gjithashtu rëndësinë e drejtësisë dhe përkushtimin e tij për të mbrojtur të ardhmen demokratike të vendit.
“Drejtësia nuk duhet të heshtë. As unë nuk do të hesht. Unë do të vazhdoj të qëndroj në anën e qytetarëve, në anën e votës së lirë dhe në anën e së vërtetës, edhe nëse kjo rrugë është më e vështirë. Ky reagim nuk është për të mbrojtur vetëm emrin tim, por për të mbrojtur të ardhmen demokratike të Kosovës”, ka shkruar ai. /Telegrafi/
11 aktakuza për krime lufte janë ngritur deri në dhjetorin e vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhë janë akuzuar 36 persona, në mesin e tyre 33 për gjykim në mungesë.
Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Speciale, derisa ka thënë se numri total i aktakuzave në mungesë është 20, ku akuzohen 102 persona, shkruan KosovaPress.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ju njofton se gjatë vitit 2025, konkretisht deri më 01 dhjetor të këtij viti janë ngritur 11 aktakuza për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile. Gjatë kësaj periudhe janë akuzuar 36 persona, prej tyre 33 persona të akuzuar për gjykim në mungesë, ndërsa janë parashtruar 8 kërkesa për caktim te paraburgimit ndaj 10 personave. Ndërsa, numri total i rasteve me aktakuza është: 74 raste me 80 aktakuza ndaj 216 personave. Numri i aktakuzave të dorëzuara me gjykim në mungesë është: 20 aktakuza për gjykim në mungesë ndaj 102 personave”, thuhet në këtë përgjigje.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani flet për vështirësitë që kanë autoritetet vendore për të ndjekur penalisht kriminelët e luftës. Ai thekson se ka kaluar kohë e gjatë dhe se “provat janë lehtësisht të zhdukshme”.
“Mirë është bërë që është lejuar gjykimi në mungesë për krimet e luftës, domethënë krimet kundër njerëzimit, gjenocidit dhe krimit e luftës. Edhe pse në aspektin e efekteve nuk besoj që ka me pasur shumë efekte, për faktin se ligji atje thotë se në momentin që personat e tillë bëhen të qasshëm për organet e ndjekjes të Kosovës, procedura, nëse ata kërkojnë, duhet menjëherë të rigjykohen, të kthehet edhe njëherë çështja nga e para.
Kështu që problem është e para për t'i pasur të qasshëm për ta mbajtur dënimin dhe nëse vendimet marrin formën e prerë. E dyta ne e dimë që nuk kemi kurrfarë bashkëpunimi me Serbinë që pak është e besueshme se ajo mund t'i dorëzojë personat e tillë. Besoj që pavarësisht çfarë do presioni që i zhvillohet, ajo nuk është e gatshme që t'i dorëzojë. Kështu që e para është vështirë për të besuar se ato do të dorëzohen në Kosovë për ta mbajtur dënimin dhe e dyta është problem që Serbia të ekzekutojë vendimet tona edhe nëse ndërkohë arrin ndonjë marrëveshje”, thotë Hasani.
Ai thotë ndër tjera se është me rëndësi që Kosova të ketë aktgjykime të formës së prerë për krime lufte.
“Domethënë ato mund të ngelin vetëm aktgjykime në letër, po që mos të ekzekutohen kurrë. Po sido që të jetë, për neve është me rëndësi që Kosova me pas procese të përfunduara, me pasur aktgjykime të formës së prerë, pastaj e kemi më lehtë edhe në raport të negociatave që patjetër do të zhvillohen në të ardhmen me Serbinë, që ato vendime të ekzekutohen ose eventualisht që të personat e dënuar që të dorëzohen në Kosovë për ta mbajtur dënimin”, shton ai.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se vitet e fundit kanë dominuar aktakuzat në mungesë për krime lufte.
“Këto dy-tre vitet e fundit gjykimet në mungesë apo aktakuzat të cilat ngriten ndaj të akuzuarve të cilët nuk gjenden në territorin e Kosovës janë duke dominuar karshi aktakuzave ndaj personave të cilët janë të arrestuar apo të cilët janë prezent në gjykatë. Siç e kemi parë edhe këtë vit ka pasur edhe aktgjykim të shkallës së parë edhe për dhunim seksual si krime lufte ndaj dy personave të akuzuar në mungesë. Ky është aktgjykimi i parë në mungesë për këtë lloj të veprës penale, pra të dhunimit seksual. Më herët ka pasur edhe dy apo tre aktgjykime të tjera të shkallës së parë në mungesë”, shprehet Alija.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e konsideron vitin 2025 si vit të drejtësisë.
Fatmire Haliti nga kjo organizatë thotë se ka pasur progres në aspektin e qasjes në drejtësi të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Gjatë vitit 2025 janë zhvilluar dhe kanë përfunduar tre gjykime për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, ndërsa dy gjykime janë duke u zhvilluar aktualisht, ku presim që të kemi gjykime sa më shpejt që është e mundur. Në mesin e tre gjykimeve që janë mbajtur, kemi një aktgjykim dënues me 15 vjet burgim, ku i akuzuari është dënuar dhe është në vuajtje të dënimit, si dhe kemi aktgjykimin e parë në mungesë për dhunë seksuale, ku janë dënuar dy kryes të dhunës seksuale me nga 15 vjet burgim.... Pra, në vitin 2025 e kemi pasur aktgjykimin e parë në mungesë, ku janë dënuar dy të akuzuar, Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, me nga 15 vjet burgim. Dhe ky rast domethënë ka hapur rrugë edhe për raste të tjera, ka krijuar domethënë një farë standardi se si të trajtohen, duke pasur parasysh që janë raste më të ndjeshme për sistemin e drejtësisë, sepse duhet të ndjekin një varg procedurash paraprakisht para se të fillojnë procesi gjyqësor”, përfundon Haliti.
Aktgjykimi i parë në mungesë është shpallur gjatë vitit 2024, ku i dënuari është Çedomir Aksiq i cili kreu krime lufte në Reçak, Mulapolc dhe Petrovë - fshatra në komunën e Shtimes.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka emëruar Rasim Hasanin në pozitën e Drejtorit të Arsimit.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë kryetari Ahmeti përmes një njoftimi publik.
“Sot kam emëruar Rasim Hasanin në pozitën e Drejtorit të Arsimit. I uroj suksese dhe punë të mbarë”, ka deklaruar Ahmeti.
Emërimi i drejtorit të ri vjen në kuadër të funksionimit të rregullt të institucioneve komunale dhe organizimit të sektorit të arsimit në Komunën e Lipjanit. /Telegrafi/
Sulmuesi kosovar Florent Hasani gjatë janarit bëri një lëvizje të bujshme për t’iu bashkuar liderit aktual të Ligës së Parë Turke, Amedspor nga Boluspori.
28-vjeçari ka qenë padyshim lojtari më i mirë te Boluspori, ku realizoi 14 gola brenda vetëm 19 paraqitjeve, ndërsa kishte raportime se largimi erdhi si pakënaqësi për disa paga të papaguara.
Megjithatë, Hasani në një intervistë për Telegrafi ka bërë me dije se këto nuk janë të vërteta, por thjesht e ka bindur oferta e Amedsporit.
Ai fillimisht falënderoi Bolusporin për mbështetjen, sidomos trajnerin që edhe ia dha shiritin e kapitenit, gjë që ndikoi t’i rritet besimi.
“Gjashtë muajt e parë kanë qenë fantastik, me ndeshje të mira e gola. Shpresoj që edhe në pjesën e dytë të sezonit të vazhdoj me këtë ritëm”.
“Sekreti ishte tek vetëbesimi që kisha. Isha i sigurt që do të kaloja një sezon të mirë, po ashtu edhe trajneri që më gradoj me shiritin e kapitenit ishte një shtysë e madhe që të jem lider dhe të jap më shumë se 100 për qind”.
I pyetur për arsyet e largimit, Hasani ishte i qartë: Erdhën ofertat pas formës së mirë, ndërsa Amedspori rezultoi të jetë skuadra e duhur.
“Jo, për pagat e papaguara gjithmonë ka zgjidhje, por pas gjysmë sezone shumë të mirë ofertat erdhën dhe kuptohet, bisedova me klubin dhe zgjodha ofertën më të mirë që erdhi”.
“Klubi mori shumën e transferit ngase kisha ende kontratë, kurse unë tash vazhdoj tek Amedspori, klub i madh me shumë tifozë pas vetës dhe favoriti kryesor për t’u inkuadruar në Superligë”.
Hasani ka mbetur i mahnitur gjithashtu edhe me pritjen fantastike që i është bërë që kur iu bashkua skuadrës turke.
“Pritja ishte jashtëzakonisht e mirë nga të gjithë, sidomos prej tifozëve. Filluam gjysmën e sezonit të dytë me një ndeshje derbi dhe kundërshtar direkt për inkuadrimin në Superligë. Atmosfera ishte perfekte, si dhe festa me tifozët pas ndeshjes”.
Në fund, sulmuesi kosovar nënvizoi se synimi kryesor mbetet inkuadrimi në elitën e futbollit turk.
“Objektivat e mia janë që të vazhdoj me të njëjtin ritëm dhe me gola deri në fund, si dhe që të inkuadrohemi në Superligë me ekipin”, përfundoi ai.
Në ndeshjen e parë, Hasani u inkuadrua në pjesën e dytë gjatë fitoes 1-0 të Amedsporit kudër Corum. Ai zhvilloi 24 minuta./Telegrafi/
Sulmuesi Florent Hasani i është bashkuar liderit të Ligës së Parë Turke, Amedspor nga Boluspori.
Hasani njoftoi disa orë më parë largimin nga Boluspor, duke falënderuar tifozët përmes një postimi në rrjetin social, ndërsa Amedspor e ka prezantuar zyrtarisht si afrim të fundit.
Hasani ka nënshkruar kontratë për një vit e gjysmë, pra deri në fund të edicionit 2026/27.
“Klubi ynë ka nënshkruar kontratë profesionale me futbollistin Florent Hasani, i cili ka mbajtur fanellën e Boluspor. Shpresojmë që transferimi të jetë përfitues për klubin, lojtarind he tifozët dhe i urojmë suksese lojtarit tonë për të garuar në këtë fanellë”, njoftoi Amedspor.
Hasani po kalon ndoshta periudhën më të mirë të karrierës, ku është golashënuesi i dytë më i mirë në ligë me 14 gola, dy më pak se tashmë bashkëlojtari, Diagne.
Përndryshe, Amedspor është favorit për t’u kualifikuar në elitën e futbollit turk me 39 pikë, dy mbi Pendikspor, që renditet e dyta në tabelë./Telegrafi/
Sulmuesi Florent Hasani e ka konfirmuar largimin nga Boluspor përmes një shkrimi në rrjetin social “Instagram”.
Hasani falënderoi të gjithë për mbështetjen e dhënë gjatë kësaj periudhe, ku mund të thuhet se e “ringjalli” karrierën.
“Krenar i këtij rrugëtimi! Dua të falënderoj klubin. Një falënderim i veçantë shkon për bashkëlojtarët, stafin dhe personelin e mrekullueshëm që ishin më shumë, ishin familje dhe të ndaja fushën me ju ka qenë kënaqësi”.
“Për tifozët, faleminderit për mbështetjen, pasionin dhe energjinë që po sillni në secilën lojë. Do t’i mbaj gjithmonë këto kujtime pranë meje. I uroj klubit asgjë përpos suksesit në të ardhmen. Krenar për këtë rrugëtim. Faleminderit klubit”.
“Kurrë nuk do t’i harroj njerëzit e këtij qyteti të bukur. Do t’i mbaj mend këto kujtime”, shkroi ai ndër të tjera.
Futbolli për vitin 2025 në Kosovë ka marrë fund dhe tanimë skuadrat janë në pushim të merituar pas angazhimit 12 mujor.
Drita është kampione e Kosovës të shpallur në maj për sezonin 2024/25, derisa në stinorin e ri 2025/26, në pozitën e parë e ka mbyllur Ballkani dhe dimëron si lider.
Redaksia e Telegrafi Sport vazhdon të zgjedh formacionin e vitit si gjithmonë dhe këtë e ka bërë edhe për vitin 2025, duke përzgjedhur 11 futbollistë që kanë lënë gjurmë gjatë 12 muajve në futbollin kosovar.
Përkundër se ka pasur konkurrencë të madhe në të gjitha pozitat, Telegrafi Sport ka zgjedhur 11 futbollistë që kanë dhënë kontribut të madh për skuadrat e tyre, kanë pasur arritje personale dhe ato ekipore.
Portieri:
Faton Maloku ka qenë fantastik këtë vit me Dritën. Maloku në vitin 2025 zhvilloi 47 ndeshje, ku ruajti 17 herë portën e paprekur si dhe ishte vendimtar për Dritën edhe kur siguruan play-offin e Ligës së Konferencës për herë të parë në histori.
34-vjeçari ishte disa herë edhe i grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës.
Mbrojtja:
Në krahun e djathtë të mbrojtjes është Besnik Kransiqi, i cili vazhdon të shkëlqejë përkundër moshës. 35-vjeçari ishte i jashtëzakonshëm gjatë vitit 2025 ku në 48 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar në nëntë të tjerë.
Qendra e mbrojtjes përbëhet nga Egzon Bejtullai i Dritës dhe Ardian Limani i Prishtinës. Bejtullai ka qenë një “Mur i pakalueshëm”, ku zhvilloi 50 paraqitje në të gjitha garat si dhe dhuroi dy gola e pesë asistime.
Partner i Bejtullait është Ardian Limani, që ka qenë lojtari që ka shkëlqyer te Prishtina gjatë gjithë vitit. Limani zhvilloi 39 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar katër gola dhe duke dhuruar 3 asistime, ku njëri nga ta ishte në finalen e Kupës së Kosovës, e ku Prishtina arriti të fitonte trofeun.
Mbrojtja kompletohet me anësorin kongolez të Dritës, Raddy Ovouka i cili ishte i pakalueshëm në mbrojtje e i pandalshëm në sulm. 26-vjeçari zhvilloi 50 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar dy gola dhe duke dhuruar tetë asistime.
Mesfusha:
Albert Dabiqaj është në qendër të mesfushës falë një viti fantastik ku shkëlqeu si në kampionat ashtu edhe në Evropë. Këtë edicion për “Intelektualët”, “Dabi” zhvilloi plot 53 paraqitje, ku kontribuoi me shtatë gola e dy asistime.
Së bashku me Dabiqajn në mesfushë është Etnik Brruti, i cili ishte lojtari kryesor i Malishevës. 21-vjeçari ishte motor në mesfushën e Malishevës, derisa në 38 ndeshje gjatë vitit 2025 kontribuoi me katër gola e gjashtë asistime.
Në krahun e djathtë të mesfushës është talenti i Llapit, Arianit Hasani që ishte edhe zbulimi i këtij sezoni. Pavarësisht se vetëm 21 vjeçar, Hasani zhvilloi 31 paraqitje si dhe shënoi pesë gola e dhuroi shtatë asistime.
Ndërkohë në të majtë të mesfushës është Almir Kryeziu i Ballkanit, i cili mbajti ritmin gjatë gjithë sezonit. 27-vjeçari në 30 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat ka shënuar 8 gola dhe ka dhuruar 9 asistime.
Sulmi:
Në qendër të sulmit janë dyshja Arb Manaj i Dritës dhe Senad Jarovic i Gjilanit.
Duke zhvilluar plot 48 ndeshje, ku shënoi 15 gola dhe 8 asistime, Manaj arriti edhe një rekord fantastik për të realizuar gol në çdo kompeticion që ka luajtur Drita, pra në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës, Ligën e Konferencës dhe Superligë.
“Ndeshje e vështirë, ritmi më i madh në Evropë se në Superligë”, Arb Manaj flet pas barazimit ndaj Omonoian telegrafi.com
Përkrah lojtarit më të mirë të viti 2025 në Kosovë, është Senad Jarovic i Gjilanit. Në Superligën e Kosovës përgjatë vitit 2025, Jarovic shënoi plot 14 gola dhe dhuroi 10 asistime gjatë 37 paraqitjeve.
Trajneri më i mirë i vitit 2025 në Kosovë është padyshim Zekirija Ramadani i Dritës. Shkupjani u shpall kampion me Dritën, derisa arriti ta fus në grupe të Ligës së Konferencës, madje edhe kaloi në fazën 'Play-Off'. /Telegrafi/
Redaksia e Sportit në Telegrafi, portalit lider në vend, ka shpallur fituesit e çmimeve për lojtarët më të mirë të Superligës së Kosovës në futboll për vitin 2025.
Gjatë vitit 2025, futbolli ynë shënoi periudha të mbushura me rivalitete dhe garë të fortë mes ekipeve, ku futbolli kosovar vazhdoi të tregojë zhvillim dhe përmirësim të qëndrueshëm.
Përveç sukseseve të mëdha ekipore, lojtarët e Superligës treguan rritje individuale dhe performanca të larta, ku veçohet suksesi i ekipit kampion, Drita, që fitoi titullin e tretë me radhë si dhe siguroi play-offin e Ligës së Konferencës.
Më të mirët për vitin 2025 së bashku me redaksinë e sportit të Telegrafi
Telegrafi, që mbetet burim i besueshëm dhe i përkushtuar ndaj ndjekjes nga afër të futbollit vendor, ka zgjedhur të ndajë sërish çmimet për lojtarët më të dalluar të vitit 2025 në ligën elitare të Kosovës, por edhe atë të femrave.
Arb Manaj, sulmuesi i Dritës është emëruar futbollisti më i mirë i vitit nga redaksia e Telegrafit, si dhe e ka fituar çmimin “Lojtari i preferuar i lexuesve”.
Pas paraqitjeve të mrekullueshme, Telegrafi ndau çmime edhe për portierin, mbrojtësin, mesfushorin, sulmuesin dhe trajnerin më të mirë të vitit.
Faton Maloku (Drita), Egzon Bejtullai (Drita), Albert Dabiqaj (Drita) dhe Sead Jarovic (Gjilani) morën këto çmime. Ndërsa, Zekirija Ramadani e fitoi çmimin trajneri më i mirë i vitit.
Më të mirët e vitit në futbollin e Kosovës për vitin 2025
Arb Manaj – Futbollisti i vitit 2025 dhe I preferuari i lexuesve të Telegrafi Sport
Qendërsulmuesi Manaj ka fituar dy çmime gjatë eventit të Telegrafi Sport pas edicionit mahnitës që kaloi te skuadra e Dritës.
Duke zhvilluar plot 47 ndeshje, ku shënoi 15 gola dhe 8 asistime, Manaj arriti edhe një rekord fantastik për të realizuar gol në çdo kompeticion që ka luajtur Drita, pra në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës, Ligën e Konferencës dhe Superligë.
Përpos kësaj, Manaj e fitoi edhe çmimin “I preferuari i lexuesve”, pasi mori plot 13 mijë e 582 vota nga 30 mijë gjithsej. Garë t’i ashpër i bëri vetëm braziliani i Ballkanit, me plot 11 mijë vota.
Arb Manaj dhe Lavdim Pireva Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Faton Maloku – Portieri më i mirë i vitit
Portieri i Dritës Faton Maloku në vitin 2025 ishte ndër lojtarët kyç për suksesin e jashtëzakonshëm që kaloi skuadra gjilanase.
Me prite vendimtare, ai ndihmoi klubin ta fitojë titullin si dhe ta sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës.
Maloku në vitin 2025 zhvilloi 47 ndeshje, ku ruajti 17 herë portën e paprekur si dhe ishte vendimtar për Dritën edhe kur siguruan play-offin e Ligës së Konferencës për herë të parë në histori.
Faton Maloku dhe gazetari Romak Zeqiri Foto: Ridvan Slivova/ Telegrafi
Egzon Bejtullai – Mbrojtësi më i mirë i vitit
Qendërmbrojtësi Egzon Bejtullai është shpallur mbrojtësi më i mirë i vitit 2025. Ylli i Dritës ishte i jashtëzakonshëm këtë vit, për ta ndihmuar klubin gjilanas që ta fitojë titullin kampion.
Bejtullai ka qenë një “Mur i pakalueshëm”, ku zhvilloi 49 paraqitje në të gjitha garat si dhe dhuroi dy gola e pesë asistime.
Gazetari Bardh Maxhuni dhe Egzon Bejtullai Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Albert Dabiqaj – Mesfushori më i mirë i vitit
Mesfushori i Dritës Albert Dabiqaj mbetet një nga lojtarët më të mirë në futbollin kosovar, ku zhvilloi një tjetër sezon fantastik.
Këtë edicion për “Intelektualët”, “Dabi” zhvilloi plot 51 paraqitje, ku kontribuoi me shtatë gola e dy asistime në proces.
Menaxherja e shitjes ne Telegrafi, Vlorentina Hasanaj dhe Albert Dabiqaj Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Senad Jarovic – Sulmuesi më i mirë i vitit 2025
Pas një “shpërthimi” te Gjilani, Senad Jarovic e ka fituar çmimin e sulmuesit më të mirë të vitit 2025.
Në Superligën e Kosovës përgjatë vitit 2025, Jarovic shënoi plot 14 gola dhe dhuroi 10 asistime gjatë 37 paraqitjeve.
Pergjegjese per PR dhe Evente, Alisa Buzhala dhe Senad Jarovic Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi/
KF Drita – Klubi më i mirë i vitit 2025
Siç pritej, kampioni Drita e ka fituar titullin “Klubi më i mirë i vitit 2025”, pasi e fitoi titullin kampion.
Përpos titullit, Drita e bëri të gjithë Kosovën krenar duke siguruar një vend edhe në play-offin e Ligës së Konferencës.
KF Drita, "Klubi më i mirë i vitit 2025" nga Telegrafi Sport telegrafi.com
Arianit Hasani – Talenti i vitit 2025
Mesfushori Arianit Hasani ka fituar çmimin “Talenti i vitit 2025” pasi zhvilloi paraqitje të vazhdueshme pozitive për Llapin si dhe Kosovën U21.
Pavarësisht se vetëm 21 vjeçar, Hasani zhvilloi 31 paraqitje si dhe shënoi pesë gola e dhuroi shtatë asistime.
Arianit Hasani, "Talenti i vitit 2025" dhe Producenti i podcastit "Arena e Yjeve, Pjetër Monreca Foto: Ridvan Slivova
Aurona Racaj – Futbollistja e Vitit 2025
Futbollistja Aurona Racaj zhvilloi një tjetër vit të shkëlqyer, ku ndihmoi KFF Dukagjinin ta fitojë Kupën e Kosovës.
Me plot 30 gola dhe tetë asistime në vetëm 22 paraqitje, Racaj e dëshmoi se ka qenë “ylli i Dukagjinit”.
Futbollistja Aurona Racaj dhe gazetarja Lavdije Rexhepi telegrafi.com
Zekirija Ramadani – Trajneri i vitit
“Ariktekti” i suksesit të Dritës, Zekirija Ramadani është shpallur trajneri më i mirë i vitit.
Ai drejtoi skuadrën për ta rikthyer titullin në Gjilan pas katër vitesh, ndërsa ishte edhe pikërisht titulli i katërt personal për të.
Zekirija Ramadani, "Trajneri i vitit 2025" Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Përpos suksesit në Kosovë, Ramadani gjithashtu udhëhoqi me sukses ekipin drejt kualifikimit në Ligën e Konferencës, ku edhe siguruan play-offin./Telegrafi
Redaksia e Sportit në portalin më të madh vendor Telegrafi, ka ndarë çmimet për futbollistët më të mirë të vitit 2025 në Superligën e Kosovës në futboll.
Redaksia e Sportit në portalin më të madh vendor Telegrafi, duke qenë gjithmonë pranë ndeshjeve dhe raportimit të përditshëm të ndeshjeve të futbollit vendor – ka vendosur t’i ndajë përsëri çmimet për futbollistët më të mirë të vitit 2025 në Superligën e Kosovës në futboll.
Arianit Hasani – Talenti i vitit 2025
Mesfushori Arianit Hasani ka fituar çmimin “Talenti i vitit 2025” pasi zhvilloi paraqitje të vazhdueshme pozitive për Llapin si dhe Kosovën U21.
Arianit Hasani, "Talenti i vitit 2025"Foto: Ridvan Slivova
Pavarësisht se vetëm 21 vjeçar, Hasani zhvilloi 31 paraqitje si dhe shënoi pesë gola e dhuroi shtatë asistime.
Shkumbin Pireva dhe Arianit HasaniFoto: Ridvan Slivova
Sulmuesi kosovar, Florent Hasani, vazhdon sezonin fantastik në ligën e dytë turke, duke qenë njeriu kyç në fitoren e madhe të Bolusporit me rezultat 6-1 në udhëtim te Adana Demirsport.
Ylli nga Vushtrria shkëlqeu me një het-trik spektakolar, duke e vulosur një paraqitje të hatashme për ekipin e tij dhe duke treguar edhe një herë formën e jashtëzakonshme që po e kalon.
Hasani e nisi festivalin personal të golave në minutën e 21-të, kur shënoi për rezultatin 0-2, për të vazhduar pastaj me golin e dytë në minutën 34-të, që e çoi ndeshjen në 0-3.
Spektaklin e tij e kompletoi në pjesën e dytë, kur në minutën e 76-të shënoi për 0-6, duke e mbyllur me stil një ndeshje perfekte.
Performanca e tij ka marrë jehonë edhe te statistikat, pasi faqja e specializuar e statistikave Sofascore e ka vlerësuar Hasanin me notën maksimale, 10, një tregues i dominimit të tij në çdo aspekt të lojës.
Me këtë fitore, Boluspor ngjitet në vendin e 7-të me 26 pikë, duke u futur seriozisht në garë për zonën e ‘play-off’-it.
Ndërkohë, Hasani vazhdon të jetë një prej lojtarëve më të frikshëm të kampionatit, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve me gjithsej 13 gola. /Telegrafi/
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili mori pjesë si folës në konferencën përmbyllëse të Projektit Kundër Krimit Ekonomik (PECK III) të Këshillit të Evropës, i cili theksoi se përmbyllja e shënon një moment të rëndësishëm për forcimin e integritetit financiar, transparencës dhe sundimit të ligjit në vend.
Rezultatet kanë ndikuar drejtpërdrejt në modernizimin e qasjes mbikëqyrëse të BQK-së dhe në përafrimin e kornizës rregullatore me standardet evropiane.
Guvernatori Ismaili nënvizoi se PECK III nuk ka qenë thjesht mbështetje teknike, por një partneritet strategjik që ka forcuar kapacitetet institucionale për luftimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe rritjen e integritetit të sistemit financiar.
Ai u ndal në transformimin e rëndësishëm të filozofisë së mbikëqyrjes, duke kaluar nga një model formal i pajtueshmërisë në një qasje të plotë të bazuar në vlerësimin e rrezikut.
Sipas tij, kjo qasje e re është thelbësore për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Po ashtu, Guvernatori Ismaili tha se BQK-ka falë mbështetjes së PECK III, ka avancuar dukshëm në modernizimin e kornizës së vlerësimit të rrezikut, ka integruar teknologji të reja mbikëqyrëse dhe ka finalizuar një manual gjithëpërfshirës për mbikëqyrjen e bazuar në rrezik, duke përfshirë edhe sektorin e aseteve virtuale.
Një ndër rezultatet kryesore është miratimi i Rregullores së re AML/CFT, e harmonizuar me standardet e BE-së dhe FATF, e cila shënon një hap të rëndësishëm në përgatitjen e Kosovës për procesin SEPA.
Po ashtu, është harmonizuar Rregullorja për informacionin që shoqëron transfertat e fondeve me kërkesat e BE-së, duke rritur gjurmueshmërinë dhe transparencën e transfereve me asete virtuale. Po ashtu, bashkëpunimi ndërinstitucional është intensifikuar ndjeshëm, duke forcuar zbatimin e rregullit të udhëtimit dhe integritetin e tregut financiar.
Guvernatori Ismaili tutje theksoi se këto rezultate vendosin një bazë të qëndrueshme për vlerësimin e ardhshëm nga MONEYVAL, i cili do të jetë një test i rëndësishëm për integritetin financiar të Kosovës.
Në përmbyllje të adresimit, Guvernatori Ismaili theksoi se BQK-ja mbetet plotësisht e përkushtuar për të thelluar reformat strukturore në sistemin financiar, për të avancuar përputhshmërinë me standardet e BE-së dhe ato globale, dhe për të garantuar stabilitet të qëndrueshëm, integritetin dhe sovranitetin monetare dhe financiar të vendit. Ai shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe të gjithë partnerët që kanë kontribuar në këtë proces transformues, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi në fazat e ardhshme.
Ndërsa në vazhdimësi të punimeve, u diskutua edhe për rolin e BQK-së në projektin PECK III. Në këtë panel diskutimi, Udhëheqësi i Divizionit për Pajtueshmëri PPP/LFT, z. Ilir Hasani diskutoi lidhur për forcimin e regjimit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, progresi, sfidat dhe mësimet e nxjerra nga ky projekt.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës riafirmon se mbrojtja e integritetit financiar dhe forcimi i mbikëqyrjes së bazuar në rrezik mbeten prioritete kyçe, në funksion të një sistemi financiar modern, të sigurt dhe të besueshëm për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Redaksia e sportit në mediumin më të madh online në Kosovë, Telegrafi.com do të vazhdojë traditën për të zgjedhur më të mirët e vitit në futbollin kosovar.
Si gjithmonë do të ndahen çmimet për secilën pozitë: portieri, mbrojtësi, mesfushori, sulmuesi e talenti i vitit duke mos harruar edhe trajnerin e vitit dhe futbollisti i vitit.
Gjithashtu në çmimet që ndahen nga Telegrafi janë edhe 'Futbollistja e vitit' dhe klubi më i mirë për vitin 2025.
Duke marrë parasysh që lexuesit janë të shenjtë për ne, Telegrafi tanimë për vitin e tretë do të ndajë edhe çmimin e lexuesve.
Telegrafi ka zgjedhur 20 emra të futbollistëve që kanë lënë gjurmë brenda vitit 2025 në futbollin kosovar dhe që janë ende pjesë e futbollit tonë, ku votat e lexuesve do ta zgjedhin më të mirin.
Sondazhi i Telegrafit do të zgjatë 10 ditë, ku është krejtësisht transparent dhe lexuesit do ta zgjedhin më të mirin e vitit.
Vlen të theksohet se vitin e kaluar këtë çmim e fitoi sulmuesi Drilon Hazrollaj, që aktualisht luan në Rumani te Rapid Bukureshti. /Telegrafi/
Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kapiteni Ymërdin Hasani, ka diplomuar me sukses në Kursin e Çështjeve Civile në Fort Bragg, Karolina e Veriut, në Qendrën dhe Shkollën e Luftës Speciale “John F. Kennedy” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Siç njofton FSK, gjatë trajnimit, Kapiten Hasani është vlerësuar për rezultatet e larta dhe është nderuar me Medaljen për Arritje Ushtarake, një shpërblim që u jepet pjesëtarëve të cilët shfaqin performancë të jashtëzakonshme gjatë programeve të specializuara.
Ky kurs përqendrohet në përgatitjen e oficerëve për bashkëpunim me komunitete lokale, vlerësim të nevojave civile dhe koordinim të projekteve që kontribuojnë në stabilitetin dhe zhvillimin e zonave operacionale.
Përmes këtij trajnimi, Kapiten Hasani ka fituar njohuri të avancuara në menaxhimin e situatave civile, bashkëpunimin me institucionet vendore dhe organizatat partnere, si dhe në forcimin e ndërveprimit ndërmjet forcave ushtarake dhe popullsisë civile.
Sipas FSK-së, ai do t’i kthejë këto njohuri në shërbim të vendit, duke kontribuuar në zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Çështjeve Civile brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës. /Telegrafi/
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka kritikuar vendimin e presidentes për të mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë, duke e cilësuar atë si një “abuzim klasik me pushtetin”.
Hasani tha se në një situatë ku shumica dërrmuese e subjekteve politike kanë deklaruar se nuk janë të gatshme të marrin mandatin, presidentja nuk ka pasur bazë ligjore për të vepruar njëanshëm.
“Ai është abuzim klasik me pushtetin, sepse nëse ty të thonë 60 përfaqësues, forcat politike që kanë shkuar te presidentja dhe kanë thënë ‘ne nuk e marrim’, atëherë çka mbetet?” u shpreh Hasani në Kanal10.
Ai shtoi se sistemi politik i Kosovës funksionon mbi marrëveshje dhe koordinim mes partive, jo mbi logjikë presidenciale. “Fjala është për sistem parlamentar me sistem proporcional, i cili asnjëherë pa marrëveshje politike nuk mundet me u formu,” theksoi Hasani, duke nënvizuar se mandati për qeveri nuk mund të imponohet vetëm me vullnet të presidentes.
Reagimi i Hasanit vjen në një moment kur procesi i formimit të Qeverisë në Kosovë mbetet i bllokuar, duke theksuar tensionet ndërmjet institucioneve dhe subjekteve politike.
Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Bajram Curri” në Sllatinë e Madhe ka njoftuar prindërit dhe kujdestarët për vendimin e ri që ndalon ardhjen e nxënësve në shkollë me trotinetë elektrikë.
Sipas drejtorit të shkollës, Fidan Hasani, vendimi është marrë pas konsultimeve me Stacionin Policor në Fushë Kosovë, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në ambientet shkollore dhe për të parandaluar rreziqet apo lëndimet e mundshme gjatë rrugës për në shkollë ose në hapësirat përreth saj, përcjell Telegrafi.
Duke pasur parasysh ligjin në fuqi, përdorimi i trotinetëve elektrikë lejohet vetëm nga personat mbi 16 vjeç. Prandaj, shkolla kërkon bashkëpunimin e prindërve për të siguruar që fëmijët nën këtë moshë të mos përdorin trotinetët për të ardhur apo për të shkuar nga shkolla.
Në rast të konstatohet përdorimi i trotinetëve elektrikë nga nxënës të moshës nën 16 vjeç, rasti do të njoftohet organeve të rendit dhe mjeti do të konfiskohet sipas procedurave ligjore përkatëse.
Drejtori Hasani ka falënderuar prindërit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të rregullt për nxënësit. /Telegrafi/
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që të lejon që paradite të marrësh vendime në Qeveri, e pasdite të shkosh në kuvend si deputet.
Hasani në emisionin “Konfront” në KTV, deklaroi se historia politike e kushtetuese, do ta mbajë në mend kryeministrin në detyrë Albin Kurti, si uzurpator të pushtetit.
“Jam i sigurt që historia politike dhe kushtetuese do ta rekordojë, një njeri ka uzurupuar pushtetin dhe është deputet. Paradite shkon voton ligj aty. Qeveri në detyrë është ajo që ka shkëputur çdo legjitimitet politik me parlamentin, shumë e thjeshtë është mund të pyesësh edhe në ‘chatgpt’."
"Ky po sillet si me qenë qeveri në dorëheqje, edhe ashtu ska të drejtë. Nga Qeveria voton ligje, pasdite shkon parlament dhe voton. Ky është uzurpim. Cila Kushtetutë e lejon këtë? Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që e lejon një gjë të tillë”, deklaroi Hasani.
Hasani tutje tha se me ligj “ekziston qeveri që i ka përfunduar mandati por ata nuk mbajnë edhe postin e deputetit”.