Tatimet kontrolle në Durrës e Lezhë, raste evazioni fiskal në vlera të larta monetare
TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi sot se aksioni i kontrollit në agjencitë imobiliare dhe ato të ndërtimit është përqendruar në Durrës dhe Lezhë.
DPT, në një videomesazh, thekson se nga kontrollet e kryera në zbatim të planit operacional në sektorin e ndërtimit ka identifikuar shkelje të rëndë në legjislacionin tatimor, praktika të qëllimshme që agjencitë imobiliare apo subjektet ndërtuese aplikojnë me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore si dhe parregullsi në deklarim dhe dokumentimin e aktivitetit ekonomik.
Sipas DPT-së, në agjencitë imobiliare dhe ndërtuese në Lezhë dhe Durrës u konstatuan raste të përdorimit të dokumentacionit jotatimor dhe mospërputhje të theksuara mes të dhënave financiare të deklaruara dhe aktivitetit real ekonomik.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informon se njësoj si në Tiranë, Vlorë, Sarandë edhe në Durrës dhe Lezhë janë identifikuar raste të evazionit fiskal në vlera të larta. Me qëllim uljen e detyrimeve tatimore, subjektet imobiliare dhe ndërtuese shesin apartamente dhe pasuri të tjera me çmime shumë herë më të larta se ato të deklaruara në kontratat noteriale dhe të raportuara pranë Administratës Tatimore në shkelje të plotë të ligjit.
Sipas DPT-së, hetimi vijon me analizimin e mëtejshëm të deklarimeve të subjekteve për të dokumentuar fshehjen e të ardhurave përmes të dhënave të siguruara nga njësitë kompjuterike të sekuestruara ku rezulton se janë kryer shitje në cash, bonuese të paguara në cash, si dhe praktika të tjera në kundërshtim me ligjin.
Në përfundim të hetimit, Drejtoria e Hetimit Tatimor do të referojë pranë prokurorive përkatëse materialet për çdo rast ku evidentohen elementë të veprës penale të evazionit fiskal.
Drejtoria e Tatimeve, thekson se kontrollet do të shtrihen në mbarë territorin e vendit në funksion të formalizimit të pagave dhe rritjes së pensioneve.
/e.i/r.e/a.f/
The post Tatimet kontrolle në Durrës e Lezhë, raste evazioni fiskal në vlera të larta monetare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.