Faqe anonime linçojnë aktivistët e Zall-Gjoçajt
Faqe anonime në Facebook dhe Instagram të quajtura “Zall Gjoçaj” dhe të hapura së fundmi, kanë nisur publikimin e një serie me materiale që synojnë të diskreditojnë, Dhimitër Kolecin dhe Jorgj Locajn, aktivistë nga Zall-Gjoçaj dhe fshati Lufaj të njohur për kundërshtimin e projekteve të hidrocentraleve të kompanisë “Seka Hydropower”.
Faqet u aktivizuan më 2 dhe 5 shkurt 2026 dhe deri më tani kanë botuar të paktën tre video të montuara, të cilat marrin pjesë nga intervistat dhe postimet e Kolecit dhe Locajt dhe shoqërohen me mbishkrime dhe “kundër-argumente”, të cilat synojnë t’i portretizojnë aktivistët si “mashtrues” dhe “gjobaxhinjë”.
Pavarësisht se faqja në Facebook (link) ka vetëm katër ndjekës dhe ajo në Instagram asnjë (link), videot kanë arritur shikueshmëri nga 9 mijë deri në 30 mijë shikime, çka lë të nënkuptohet se personat pas këtij linçimi mund ta kenë sponsorizuar përmbajtjen (të paktën videot në Facebook), për ta shpërndarë më shumë në rrjet.
Në komente vërehen reagime skeptike nga qytetarë që kërkojnë shpjegime për motivet e publikimeve.
Citizens.al vuri re se faqja “Zall-Gjoçaj” ndërvepronte ngushtë me dy faqe të tjera anonime: “Bukuritë Zall-Gjoçaj” (link) dhe “Alisa Interact” (link).
E para shpërndante të njëjtat video, ndërsa e dyta nuk kishte postime, por dukej se shërbente si profil mbështetës në komentet dhe përgjigjet ndaj qytetarëve.
Këto faqe nuk kanë transparencë mbi administratorët apo qëllimin e tyre teksa struktura e ndërveprimit sugjeron një veprimtari të koordinuar për të linçuar aktivistët në fjalë.
“Presion për të na heshtur”
I pyetur nga Citizens.al, Dhimitër Koleci hodhi dyshimin se pas sulmeve mund të qëndrojë kompania “Seka Hydropower”, ose persona të lidhur me të. Kompania në fjalë ka ndërtuar hidrocentralin në Zall-Gjoçaj.
“Dalin me profile false, i ndryshojnë herë pas here, njëherë nxjerrin bukuritë e Zall-Gjoçajt, njëherë një emër tjetër, nuk dimë se kush janë,” tha Koleci, “Është presion i hapur për të na dëmtuar si aktivistë.”
Citizens.al kontaktoi administratorin e “Seka Hydropower”, Bardhyl Muçeku, për të pyetur nëse kishte dijeni të situatës, por ai mohoi diçka të tillë, duke u shprehur se ishte kundër kësaj fushate linçimi.
Nga ana tjetër, Koleci theksoi se nuk ka pasur asgjë personale me drejtuesit apo njerëzit pas kompanisë “Seka Hydropower”, dhe e gjithë kjo fushatë po ndodh me qëllim dëmtimin e figurës së tij publike dhe demoralizimi i komunitetit që ka kundërshtuar hidrocentralet.
“Ky nuk është më vetëm problem personal. Kam familje dhe reputacion në shoqëri,” shtoi ai.
Aktivistë të angazhuar në mbrojtjen e Zall-Gjoçajt thanë për Citizens.al se sulmet në rrjetet sociale nisën menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lezhës, e cila më 28 janar pushoi çështjen penale për shpifje dhe fyerje, të ngritur nga “Seka Hydropower” ndaj Dhimitër Kolecit, Jorgji Locajt dhe Adem Xhokolës, që të tre banorë të zonës.
Sipas aktivistëve, ky zhvillim shënoi një zhvendosje të presionit nga gjykata drejt rrjeteve sociale.
“Pas vendimit, u aktivizua një faqe në Facebook, që publikon materiale të përsëritura, video, fotografike dhe me shkrime duke akuzuar publikisht aktivistët për mashtrim dhe shpifje,” thanë aktivistët e Zall-Gjoçajt për Citizens.al.
Padia e kompanisë kishte të bënte me deklaratat publike të tre banorëve gjatë protestave, ku ata ngrinin shqetësime për ndikimin e hidrocentraleve në lumenjtë Flim dhe Urakë.
Pas shqyrtimit të fushatës linçuese, Dhimitër Koleci dhe aktivistë të tjerë të Zall-Gjoçajt depozituan një ankesë pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ankesa ka të bëjë me përpunim të paligjshëm të të dhënave, cenim të privatësisë dhe dëmtim të reputacionit.
Sipas ankesës, materialet filmike janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe janë ripërdorur në mënyrë selektive për të ndërtuar një narrativë diskredituese. Aktivistët kanë kërkuar fshirjen e përmbajtjeve, gjetjen dhe marrjen e masave administrative ndaj personave përgjegjës.
“Unë do ta vazhdoj betejën, nuk do të ndalem, ata nuk do ta arrijnë atë që duan të arrijnë. Unë jam me zë, me figurë, ata janë të fshehur!” theksoi Koleci.
Lexoni gjithashtu:
- “Seka Hydropower” s’u paraqit, pushohet padia ndaj banorëve të Zall-Gjoçajt
- Aktivistët e Zall-Gjoçajt në gjyq me “Seka Hydropower”: “Fjala e lirë nuk është krim!”
- “Seka Hydropower” padit për shpifje dhe fyerje banorët e prekur nga hidrocentralet
The post Faqe anonime linçojnë aktivistët e Zall-Gjoçajt appeared first on Citizens.al.