Rama: Vlerësimi i Diellës është një arritje e rëndësishme për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale
TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Platforma shqiptare “Diella” u vlerësua me çmimin Future Fit Seal në edicionin e këtij viti të çmimeve të Samitit Botëror të Qeverisjes në Dubai.
Kryeministri Edi Rama, në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, theksoi se ky vlerësim është një arsye për krenari për arritjet e Shqipërisë në fushën e teknologjisë dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në shërbim të interesit publik.
“Vlerësimi i Diellës me çmimin Future Fit Seal është një inkurajim shumë i madh dhe shumë domethënës, duke pasur parasysh faktin se Shqipëria vendoset në piedestalin e vendeve që marrin çmime nga ky samit prestigjioz”, tha Rama.
Ai shtoi se Samiti Botëror i Qeverisjes është një nga platformat globale për të ardhmen e qeverisjes, ku diskutohet sesi teknologjia po riformëson marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarëve.
“Shqipëria vendoset edhe një herë në fokus, këtë herë për një produkt për të cilin ne po vazhdojmë punën dhe mbi të cilin, jo vetëm shqiptarët, por edhe bota do të dëgjojë të reja më shpejt sesa vonë”, theksoi Kryeministri.
/r.e/
The post Rama: Vlerësimi i Diellës është një arritje e rëndësishme për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.










