TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Muaji nëntor 2025 do të jetë një periudhë e ngjeshur dhe emocionuese për sportet në vendin tonë, me një kalendar të mbushur me ngjarje të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau sot kalendarin e aktiviteteve sportive të muajit nëntor.
Gonxhja theksoi se nëntori vjen me një kalendar të pasur aktivitetesh sportive, nga kampionatet kombëtare dhe kupat e federatave olimpike e joolimpike, deri te ngjarjet ndërkombëtare.
“Nga shah në Gjirokastër, bilardo në Tiranë, deri tek alpinizmi dhe badminton në qytete të ndryshme, sportistët shqiptarë tregojnë talent, pasion dhe përkushtim, duke promovuar kulturën e garës dhe shëndetin fizik në çdo moshë dhe disiplinë”, theksoi Gonxhja.
Në futboll, Kombëtarja shqiptare do të përballet me Andorrën në transfertë më 13 nëntor dhe me Anglinë në Tiranë më 16 nëntor, në kuadër të eliminatoreve për kompeticionet ndërkombëtare. Ndeshjet do të jenë të rëndësishme për shanset e Shqipërisë për t’u kualifikuar në Botërorin 2026 dhe pritet të sjellin emocion për tifozët.
Në basketboll, Shqipëria do të ndeshet me Sllovakinë në 27 nëntor dhe me Kosovën në 30 Nëntor në kuadër të “FIBA EuroBasket 2029 – Pre Qualifiers”, duke sjellë intensitet dhe mundësi për të avancuar në këtë kompeticion të madh.
Volejbolli shqiptar do të ketë një muaj të mbushur me finale, përfshirë Kupën e Shqipërisë për Superligën e femrave dhe meshkujve, dhe finale të Kupës së Pavarësisë mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Ngjarjet do të zhvillohen gjatë gjithë muajit dhe pritet të ofrojnë një konkurrencë të fortë për skuadrat më të mira të vendit.
Peshëngritësit shqiptarë do të garojnë në disa aktivitete të rëndësishme si kampionati evropian për të Rinjtë dhe U23 në Durrës, Europianet e Peshëngritjes për Cadet në Greqi dhe Europianet për Junior në Zvicër.
Gjimnastët shqiptarë do të marrin pjesë në Kampionatin Ballkanik të Gjimnastikës Artistike në Kroaci dhe në Turneun Ndërkombëtar të Gjimnastikës Ritmike në Gjeorgji.
Shahu do të sjellë emocionet e tij në Gjirokastër me Kupën e Republikës dhe Kampionatin Kombëtar Ekipor nga 14 deri më 21 nëntor, si dhe me kampionatet individuale Rapid dhe Blitz më 22-23 nëntor.
Në sportet motorike, Federata Shqiptare e Motoçiklizmit do të organizojë Kampionatin Kombëtar MotorRally më 28 nëntor, dhe një tjetër ngjarje të rëndësishme do të jetë Kampionati Superlotto më 23 nëntor.
Një ngjarje e veçantë për studentët e sporteve do të jenë edhe Lojërat Studentore të Lirisë Shqipëri-Kosovë, që do të organizohen më 27-28 nëntor, nga Federata Shqiptare e Sportit Universitar. Kjo do të jetë një mundësi për sportistët e rinj që të forcojnë marrëdhëniet sportive ndërmjet tyre.
Në tenisin shqiptar do të zhvillohen Festivali Rajonal i Tenisit më 8-9 nëntor, Finalet e Kampionatit Kombëtar për meshkuj, demra dhe Senior nga 13 deri më 21 nëntor, si dhe Kupa e Pavarësisë në Vlorë më 28-29 nëntor.
Alpinistët do të kenë mundësinë të garojnë në “Open Balkan Cup” – Kupa Ndërkombëtare e Ngjitjes Sportive, e cila do të mbahet më 8-9 nëntor në Durrës, duke sjellë garues nga e gjithë Juglindja e Europës.
Në nëntor do të zhvillohen gjithashtu aktivitete të tjera, si Kampionati Kombëtar i Ping Pongut më 15-16 nëntor, Turneu i Bilardos në Tiranë më 8-9 nëntor, dhe Kampionati Kombëtar i Teqball më 14 nëntor. Po ashtu, në sportet e qitjes do të zhvillohet Gara e 12 Sportistëve më të Mirë më 1 nëntor dhe Kupa e Pavarësisë më 22 nëntor.
/gj.m/a.f/r.e/
The post Nga futbolli tek alpinizmi, aktivitetet sportive të nëntorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.