Rio de Janeiro do të presë edicionin e parë të Kupës Botërore të Legjendave, një turne special ku do të marrin pjesë 160 yje të futbollit nga 8 vende të botës. Mes tyre spikasin braziliani Romario, spanjolli Carles Puyol, argjentinasi Sergio Agüero, italiani Gianluigi Buffon, holandezi Clarence Seedorf apo francezi Thierry Henry.
Turneu i ri botëror do të bashkojë disa nga idhujt më të mëdhenj në mënyrë që brezat e rinj të mund t’i njohin ata dhe brezat e vjetër t’i kujtojnë ata, njoftuan organizatorët e tij në ceremoninë e prezantimit.
“Nuk do të jetë vetëm një ekspozitë. Do të jetë gjithashtu një garë dhe lojtarët që e kanë pranuar tashmë ftesën kanë thënë se janë shumë të emocionuar që të garojnë përsëri dhe për mundësinë për një titull botëror”, tha themeluesi dhe presidenti i Ëorld Legends Cup, biznesmeni saudit Nasr Jawid Buyadi.
Edhe pse data për edicionin e këtij viti nuk është përcaktuar ende – me shumë mundësi do të jetë në gjysmën e dytë të vitit.
Ndërkohë, është konfirmuar formati i kompeticionit, ku shtatë ndeshjet kualifikuese do të luhen në stadiumin olimpik “Nilton Santos” dhe finalja në legjendarin “Maracanã”.
Garuesit në edicionin e parë do të jenë Argjentina, e udhëhequr nga Sergio Agüero dhe e trajnuar nga Gabriel Batistuta; Brazili, i udhëhequr nga Cafu dhe me Zicon në stol; Spanja, me Carlos Puyol si kapiten dhe Fernando Hierro si trajner, Franca, me Thierry Henry si kapiten dhe Patrick Vieira si trajner. Listën e plotësojnë Italia, e udhëhequr nga Gianluigi Buffon dhe e trajnuar nga Paolo Maldini; Holanda, me Clarence Seedorf që udhëheq ekipin në fushë dhe Ruud Gullit në stol; Arabia Saudite, e udhëhequr nga Yasser Al-Qahtani dhe e trajnuar nga Majed Abdullah; dhe Nigeria, e udhëhequr nga Nëankëo Kanu dhe me Khalilou Fadiga në stol.
Sipas rregullave të turneut, ndeshjet do të zgjasin 60 minuta (dy pjesë 30-minutëshe) me njëmbëdhjetë lojtarë në fushë dhe nëntë në stol, por nuk do të ketë kufizim në zëvendësimet. Sipas organizatoreve, turneu pritet të ndiqet nga më shumë se 900 milion shikues në 75 vendet e botës ku ndeshjet do të transmetohen direkt dhe 1 miliard të tjerë në mediat sociale.