Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Gjykata Kushtetuese: Vijimi i “Arrestit në shtëpi” për Berishën, në kundërshtim me Kushtetutën

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Gjykata Kushtetuese vlerësoi sot se vendimet e gjykatave të posaçme për vijimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha vijnë në kundërshtim me Kushtetutën.

Në 17 dhjetor, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare çështjen me kërkues Sali Berishën, i cili kërkonte shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën.

Pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, Gjykata Kushtetuese nënvizoi se në vitin 2023 ndaj kërkuesit rezulton se, për kërkesën e prokurorit, nga gjykatat e zakonshme janë vendosur masat e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

“Vendimet gjyqësore që kanë disponuar për këto masa sigurimi janë bërë objekt i shqyrtimit nga Gjykata, e cila, me vendimin e datë 21 nëntor 2024 ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës dhe shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që kishin vendosur ato masa, si të papajtueshme me Kushtetutën, vetëm për pjesën që kanë caktuar masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. “Kjo me arsyetimin se në caktimin ndaj kërkuesit të këtyre dy masave vendimeve të gjykatave u mungon arsyetimi, për rrjedhojë nuk rezulton që të kenë vlerësuar nevojën për caktimin tyre për të njëjtin procedim ndaj tij”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Për shkak se Berisha nuk respektoi një prej masave të sigurimit të caktuar nga gjykata, “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për kërkesën e prokurorit gjykatat e zakonshme, në datën 30 dhjetor 2023, ka zëvendësuar masat e sigurimit të vendosura ndaj kërkuesit me masën “Arresti në shtëpi”.

“Edhe procesi gjyqësor që disponoi për zëvendësimin e masave të sigurimit ndaj kërkuesit, duke caktuar masën “Arresti në shtëpi”, është bërë objekt i kontrollit kushtetues nga Gjykata, e cila, me vendimin e datës 17 janar 2025, ka vendosur rrëzimin e kërkesës”, bëri të ditur Gjykata Kushtetuese.

Ndërkohë rasti që u shqyrtua sot lidhet me një vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të datës 30 korrik 2024, përmes të cilit është disponuar për vijimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”.

Gjykata, bazuar në jurisprudencën e GjEDNj-së vlerësoi t’i analizojë vendimet gjyqësore në drejtim të kufizimit të lirisë personale për periudhën që ato kanë prodhuar pasoja juridike.

Në vlerësimin e kësaj çështjeje, Gjykata konstatoi se gjykatat në shqyrtimin e kushteve dhe të kritereve për vijimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi” kanë arsyetuar se nevojat e sigurimit paraqiten të pandryshuara me ato për të cilat në gjenezë është konkluduar se kërkuesi duhej të vendosej nën një masë sigurimi.

Në këtë kuptim, Gjykata Kushtetuese evidentoi se gjykatat që kanë lejuar vijimin e masës së sigurimit personal “Arresti në shtëpi”, u janë referuar të njëjtave nevoja sigurimi si në momentin fillestar, kur janë caktuar masat e sigurimit ndaj kërkuesit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Gjykata konstaton se për këtë të fundit, në vendimin e saj ka konsideruar që për sa kohë u konstatua mungesë në vlerësimin e elementit të nevojës për kufizimin e të drejtave dhe të lirive të kërkuesit, në raport me mbarëvajtjen e procedimit penal, kjo përbën shkak të mjaftueshëm për të konstatuar cenimin e parimit të proporcionalitetit në caktimin e masës “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Po kështu, Gjykata, mbi bazën e të njëjtave argumente, konstatoi se edhe vetëm masa e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” duket se i plotësonte nevojat e sigurimit.

“Ndërkohë, në vendimet e gjykatave të zakonshme objekt kontrolli, ndonëse kishin kaluar 7 muaj nga caktimi i masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi”’ në lidhje me rrezikun e ikjes, nuk ka ndonjë arsyetim, ndërsa për rrezikun e marrjes dhe të vërtetësisë së provave organi i prokurorisë, në vijim, por edhe gjykatat e zakonshme, në momentin fillestar të caktimit të masave të sigurimit, kanë vlerësuar se ajo përmbushej nga masa e sigurimit ‘Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore’”, vlerëson Gjykata Kushtetuese.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese konstaton se për të njëjtën nevojë sigurimi dhe pa evidentuar ndonjë rrethanë të re për ndonjë sjellje konkrete të kërkuesit në aspekt të kësaj nevoje sigurimi, në rastin në shqyrtim gjykatat e zakonshme kanë konsideruar se ajo përmbushej nga një masë sigurimi më e rëndë, ajo e “Arrestit në shtëpi”.

Nisur nga kjo, Gjykata konstatoi se arsyetimi i vendimeve gjyqësore nuk është i mjaftueshëm në aspektin kushtetues në vlerësimin e kësaj nevoje sigurimi, duke mbajtur parasysh edhe faktin se justifikimi për caktimin fillimisht të masës së sigurimit “Arresti në shtëpi” konsistonte në mosrespektimin, moszbatimin nga kërkuesi të masës “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Në vlerësimin e Gjykatës, vetëm një rrethanë e tillë nuk mund të justifikojë vijimin e zbatimit ndaj kërkuesit të masës “Arresti në shtëpi”, pra nuk mund të përbëjë arsye të mjaftueshme për zgjatjen në kohë të gjatë të kufizimit të lirisë, pa arsyetuar për ndonjë arsye të re që justifikon vijimin e masës konkrete.

Për këtë arsye, Gjykata vlerësoi se vendimet objekt i këtij gjykimi kushtetues, që kanë disponuar për vijimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, vijnë në kundërshtim me Kushtetutën.

Për shkak se masa e sigurimit “Arresti në shtëpi” nuk është më në fuqi, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datën 3 janar 2025 ka vendosur zëvendësimin e saj me masën e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, Gjykata vendosi të mos i shfuqizojë vendimet objekt të këtij shqyrtimi kushtetues.

Në përfundim të këtij gjykimi, Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe deklarimin si antikushtetuese të vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. “Shpenzimet e përfaqësimit të kërkuesit në vlerën 75.000 lekë i ngarkohen Ministrisë së Financave”, thuhet në vendim.

/m.m/a.f/r.e/

The post Gjykata Kushtetuese: Vijimi i “Arrestit në shtëpi” për Berishën, në kundërshtim me Kushtetutën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Negociatat me BE-në, Lamallari: Adresuam 51 nga 64 boshllëqet kritike të “Themelorëve”

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari zhvilloi sot një takim me Grupin Ndërinstitucional të Punës për Integrimin Evropian, ku u diskutua për ecurinë e negociatave në nivel teknik përgjatë vitit 2025.

Ministri vlerësoi se “falë bashkëpunimit serioz ndërinstitucional kemi arritur rezultate domethënëse duke adresuar 51 nga 64 boshllëqet kritike të grupkapitullit të Themelorëve, ndërsa pjesa tjetër është në proces të avancuar”.

Ndërkohë, Lamallari theksoi se Reforma në Drejtësi ka nevojë të konsolidohet më tej, ndërsa janë bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, në mbrojtjen e të drejtave themelore, në lirinë e medias dhe në përafrimin e legjislacionit penal me standardet e Bashkimit Evropian.

“2026 mbetet një tjetër vit sfidues për ecurinë e negociatave dhe për rrugën tonë pa kthim drejt përmbushjes së aspiratës për Shqipërinë në BE”, u shpreh Ministri i Drejtësisë.

/m.m/a.f/r.e/

The post Negociatat me BE-në, Lamallari: Adresuam 51 nga 64 boshllëqet kritike të “Themelorëve” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kushtetuesja: Arresti i shtëpisë për Berishën, i tejzgjatur

11 muaj në arrest shtëpie kanë qenë të tejzgjatur. Kështu i ka cilësuar Gjykata Kushtetuese vendimet e tre gjykatave të shkallëve më të ulëta, lidhur me kërkesën e kreut të PD Sali Berisha për masën e arrestit shtëpiak ndaj tij.

Vendimi është dhënë në përfundim të seancës, ku palët nuk kanë qenë të pranishme, ndërkohë që gjatë seancave të raportimit dymujor avokatët e Berishës kundërshtonin vazhdimisht kërkesën e SPAK, i cili insistonte në vijimin e masës së arrestit shtëpiak.

Në janar të vitit 2025, masa e arrestit shtëpiak ndaj ish-kryeministrit u ndryshua në “detyrim paraqitjeje”, vendim i mbështetur tashmë edhe nga Gjykata Kushtetuese.

 

Marjeta Përlala emërohet në krye të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Këshilli i Ministrave emëroi sot Marjeta Përlalën në postin e drejtores së përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit është një institucion qendror publik në varësi të ministrit të Mjedisit, që ushtron juridiksionin e vet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, përmes zyrës qendrore dhe katër Agjencive Rajonale të Mjedisit.

AKM-ja ka për mision mbrojtjen, ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit si një pasuri jetike për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, parandalimin dhe pakësimin e rreziqeve ndaj jetës e shëndetit të njeriut.

Po ashtu, ajo sigurohet për përdorimin e matur dhe racional të natyrës e të burimeve të saj në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

/m.m/r.e/a.f/

The post Marjeta Përlala emërohet në krye të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komision ad hoc për përzgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Këshilli i Ministrave përcaktoi sot kriteret e veçanta dhe procedurat për përzgjedhjen, emërimin, vlerësimin e rezultateve në punë, disiplinën, lirimin dhe shkarkimin nga detyra të Inspektorit të Përgjithshëm.

Vendimi parashikon kriteret që duhet të plotësojë kandidati për Inspektor të Përgjithshëm, si dhe procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të tij.

Vendimi parashikon krijimin e një komisioni ad hoc të përbërë nga: një përfaqësues nga institucioni që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm; një përfaqësues nga Departamenti i Administratës Publike; një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë.

Ky komision shqyrton dokumentacionin dhe zhvillon intervistat me kandidatët, brenda një afati jo më shumë se 15 ditë kalendarike nga data e përfundimit të afatit për dorëzimin e aplikimeve.

“Vlerësimi i kandidatëve bëhet në një total prej 100 pikësh, ku me 60 pikë vlerësohet përvoja profesionale dhe me 40 pikë intervista e strukturuar me gojë.

Komisioni harton listën përfundimtare të kandidatëve të kualifikuar, të shoqëruar me renditjen sipas pikëve të grumbulluara, dhe ia paraqet sekretarit të Përgjithshëm të institucionit përgjegjës brenda 3 ditëve kalendarike nga përfundimi i procesit të vlerësimit.

Po ashtu, Komisioni garanton barazi, objektivitet dhe transparencë gjatë gjithë procesit të vlerësimit.

Ndërkohë vendimi parashikon se në rastet kur ka indicie të arsyeshme për shkelje disiplinore, sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, me iniciativë të tij ose pas informacionit zyrtar të ardhur nga institucione shtetërore, vendos fillimin e procedurës disiplinore dhe njofton me shkrim Inspektorin e Përgjithshëm për shkeljen e dyshuar dhe për fillimin e hetimit administrativ.

Për këtë urdhërohet ngritja e një grupi të posaçëm për hetimin administrativ të Inspektorit të Përgjithshëm, duke mbledhur prova, dëshmi, raportime dhe deklarata, sipas natyrës së shkeljes së pretenduar.

Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, në rast të konstatimit të shkeljes dhe në varësi të rrethanave të konstatuara, i propozon titullarit të institucionit përgjegjës edhe masat përkatëse disiplinore.

Inspektori i Përgjithshëm lirohet dhe shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të titullarit të institucionit përgjegjës, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm.

/m.m/a.f/r.e/

The post Komision ad hoc për përzgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parku “Dua të luaj” në Fier, 193,4 milionë lekë për shpronësimet

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Këshilli i Ministrave vendosi sot shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit të parkut “Dua të luaj” në Fier.

Sipas këtij vendimi, pronarët do të kompensohen me një vlerë të përgjithshme prej 193 385 534 lekësh, që përballohet nga buxheti i shtetit.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të tij është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi.

Pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

Ndërkohë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Fier për pasuritë e shpronësuara.

Kjo agjenci pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe të regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Fier për pasuritë e shpronësuara.

/m.m/a.f/r.e/

The post Parku “Dua të luaj” në Fier, 193,4 milionë lekë për shpronësimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zelensky i dorëzon Spiropalit Urdhrin e princeshës Olga, Klasi I

TIRANË, 15 janar/ATSh-Maela Marini/ Presidenti Volodymyr Zelensky i dorëzoi sot Urdhrin e princeshës Olga, Klasi I, një nga dekoratat më të larta të shtetit ukrainas, ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.

Urdhri i lartë iu akordua Spiropalit në cilësinë e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, detyrë që ajo e ka mbajtur në periudhën 2024-2025.

Dekreti i Presidentit të Ukrainës jepet me motivacionin: “Për kontributin e çmuar personal në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës si dhe për veprimtarinë e saj bamirëse në shërbim të shtetit ukrainas”.

Nga ana e saj, Spiropali u shpreh se ky nderim nuk i përket vetëm një personi, por qëndrimit të Shqipërisë dhe të çdo europiani që zgjedh të qëndrojë në anën e lirisë.

“Ukraina sot nuk po mbron vetëm tokën e saj. Ajo po mbron ndërgjegjen e Europës.
Në qytetet e saj të bombarduara, në rezistencën e popullit të saj, po shkruhet nëse kontinenti ynë do të jetojë në paqe dhe të drejtë, apo nën frikë dhe forcë”, u shpreh ajo.

Spiropali vlerësoi se ky urdhër mban emrin e princeshës Olga, një grua që udhëhoqi me dinjitet në kohë të errëta.

“Ta marr sot këtë dekoratë në mes të një lufte për mbijetesë dhe liri, është një përgjegjësi morale, po aq sa një nder. Shqipëria qëndron me Ukrainën jo nga protokolli, por nga bindja. Sepse historia na ka mësuar se liria nuk ruhet duke heshtur, por duke qëndruar drejt, edhe kur kjo ka kosto. Ukraina sot po e mban këtë vijë për të gjithë ne”, tha ajo.

Duke iu drejtuar presidentit Zelensky, Spiropali u shpreh se ky urdhër është një nga nderimet më të mëdha të jetës së saj publike.

“Nuk e konsideroj këtë vetëm si një shenjë nderimi dhe një vlerësimi të madh për mua personalisht, por edhe si një shenjë të marrëdhënieve të shkëlqyera mes kombeve, qeverive dhe popujve tanë, veçanërisht në kohë sfiduese. Ne lutemi për paqe, për Shqipërinë dhe Ukrainën”, tha Spiropali.

/a.f/r.e/

The post Zelensky i dorëzon Spiropalit Urdhrin e princeshës Olga, Klasi I appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Drejtësia për viktimat dhe rivendosja e sovranitetit të Ukrainës parakushte për paqen

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali deklaroi sot nga Kievi se “drejtësia për viktimat, mbajtja e përgjegjësisë për agresorin dhe rivendosja e plotë e sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nuk janë të negociueshme”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Kiev me homologun ukrainas, Sybiha, kryediplomatja shqiptare u shpreh se këto janë parakushte për paqen.

“Prej gati katër vitesh, Ukraina po përballet me një luftë të pajustifikuar dhe të paprovokuar agresioni, shkaktuar nga Federata Ruse, e cila vazhdon të sjellë shkatërrim, vuajtje dhe humbje. Gjithsesi, nuk ia ka dalë të mposhtë vullnetin dhe shpirtin e popullit ukrainas”, u shpreh ajo.

Spiropali theksoi se “ndërsa dimri ashpërsohet, Ukraina po përballet sërish së fundmi me sulme brutale dhe të qëllimshme të Rusisë ndaj sistemeve energjetike, instalimeve të ngrohjes dhe infrastrukturës tjetër kritike”.

Kjo, sipas saj, ka detyruar miliona ukrainas të luftojnë për përditshmërinë e tyre ekzistenciale, për të pasur shtëpi të ngrohta, spitale funksionale dhe shërbime thelbësore operative.

“Këto sulme janë të paprovokuara, të pajustifikuara dhe të kryera në shpërfillje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe dinjitetit njerëzor, duke rrezikuar qëllimisht jetën e civilëve dhe duke goditur infrastrukturën kritike. Goditjet masive, përfshirë përdorimin e raportuar të një rakete balistike me rreze të ndërmjetme, përfaqësojnë një përshkallëzim shumë më të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm”, u shpreh Spiropali.

Ato, sipas saj, “synojnë jo vetëm të terrorizojnë dhe të thyejnë shpirtin e popullit ukrainas, por edhe të dërgojnë një mesazh kërcënues përtej kufijve të Ukrainës”.

Spiropali theksoi se veprime të tilla rrezikojnë sigurinë e të gjithë rajonit dhe vazhdojnë të minojnë stabilitetin global.

“Shqipëria i dënon këto krime pa asnjë rezervë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim, asnjë paqartësi përballë një agresioni kaq brutal. Ata që janë përgjegjës për këto mizori, duhet mbajnë përgjegjësi të plotë. Mosndëshkimi nuk është opsion”, shtoi ajo.

Kryediplomatja shqiptare nënvizoi se Shqipëria ka qenë një mbështetëse e qëndrueshme dhe e palëkundur e Ukrainës që nga fillimi i agresionit të paprovokuar të Rusisë.

“Ne jemi rreshtuar plotësisht me sanksionet dhe masat kufizuese të BE-së, si edhe me ato të organizatave të tjera ndërkombëtare, kemi mbështetur integrimin evropian të Ukrainës dhe kemi përkrahur të gjitha nismat për pezullimin e Rusisë nga organizatat ndërkombëtare. Në mbështetjen tonë, nuk jemi kushtëzuar nga përmasat e dimensionit tonë gjeografik, por nga qartësia e qëllimeve, vlerave, kontributeve dhe veprimeve tona”, u shpreh Spiropali.

Si çdo komb tjetër demokratik dhe i qytetëruar që e çmon paqen, Spiropali theksoi se “ne dëshirojmë që vuajtjet të marrin fund dhe të nisë rindërtimi, në mënyrë që fëmijët të mund të flenë pa frikë”.

“Por, për ta arritur këtë, është thelbësore një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme. Shqipëria mirëpret përpjekjet ndërmjetësuese të Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump, të Bashkimit Evropian dhe të gjithë partnerëve që sinqerisht kërkojnë një zgjidhje që nderon sakrificat e jashtëzakonshme të Ukrainës. Çdo nismë që na afron realisht drejt përfundimit të kësaj lufte meriton angazhimin tonë”, theksoi ajo.

Gjithsesi, Spiropali theksoi se “një paqe e drejtë do të thotë garanci reale sigurie”.

“Një paqe e drejtë do të thotë kthimi në shtëpi i fëmijëve të rrëmbyer, kthimi i të burgosurve, hetimi dhe ndjekja penale e krimeve të luftës dhe mbajtja e përgjegjësisë nga ana e agresorit. Me sytë nga e ardhmja, besoj se është po aq e rëndësishme të shohim përtej fushëbetejës. Të fillojmë që tani të projektojmë të ardhmen e Ukrainës. Kjo e ardhme përcaktohet nga perspektiva jonë e përbashkët si anëtarë të ardhshëm të familjes evropiane”, theksoi ajo.

Nga ana tjetër, Spiropali siguroi se Shqipëria do ta mbështesë këtë vizion. “Ne do ta mbështesim pa asnjë hezitim rrugën evropiane të Ukrainës në çdo forum shumëpalësh dhe jemi të gatshëm të ndajmë përvojën tonë, përfshirë punën teknike të negociatave dhe reformave”, u shpreh ajo.

“Sot zhvilluam diskutime të sinqerta dhe konstruktive edhe sa i takon mënyrave për të avancuar marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të harmonizuar më tej lidhjet tona të forta politike me një bashkëpunim më të fuqishëm në shumë fusha. Bashkërisht ramë dakord që, pavarësisht vështirësive, të përqendrohemi në mundësitë për tregti dhe investime, edhe në rrethana të jashtëzakonshme; Kontakte më të thella ndërmjet komuniteteve të biznesit; Bashkëpunim në sektorë ku Shqipëria dhe Ukraina mund të krijojnë vlerë të shtuar, si energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe teknologjia”, theksoi Spiropali.

Po ashtu, ajo theksoi se do të inkurajohen kontakte më të ngushta mes njerëzve dhe do të thellohet bashkëpunimi në kulturë, arsim, shkencë dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Në këtë drejtim, Spiropali vlerësoi shumë rolin e konsoliduar prej vitesh të komunitetit të diasporës shqiptare në Ukrainë, e cila shërben si një urë e rëndësishme për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve tona.

“Diskutuam edhe për gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në projektet e pasluftës dhe në rindërtim, në koordinim me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare. Ukraina po shkruan një nga historitë e mëdha të kohës sonë, një histori rezistence, dinjiteti dhe refuzimi për t’u dorëzuar përballë tiranisë. Shqipëria është krenare të jetë pjesë e kësaj historie, si një mike që zgjodhi të qëndrojë në krahun tuaj në momentet vendimtare. Dhe do të vazhdojmë të jemi, për sa kohë të kërkohet, sepse nuk mund të jesh neutral mes zjarrit dhe zjarrfikëses. Nuk ka terren të mesëm moral mes një kombi që lufton për mbijetesën e tij dhe një lufte perandorake që synon ta fshijë atë nga ekzistenca”, u shpreh Spiropali.

/m.m/a.f/r.e/

The post Spiropali: Drejtësia për viktimat dhe rivendosja e sovranitetit të Ukrainës parakushte për paqen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sybiha: Shqipëria partner kyç, vlerësojmë mbështetjen e palëkundur ndaj Ukrainës

TIRANË, 15 janar/ATSh-Maela Marini/ Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha u shpreh sot se Shqipëria mbetet partner kyç në rajon dhe shumë aktiv në formatin Ukrainë-Europa Juglindore.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kiev me homologen shqiptare, Elisa Spiropali, ministri Sybiha vlerësoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës.

Ai kujtoi se një vit më parë Shqipëria hapi ambasadën e saj në Ukrainë dhe kjo është ambasada e parë dhe e vetme që është hapur pas fillimit të invazionit masiv rus.

Ky sipas tij, është një tregues i mbështetjes, solidaritetit dhe besimit të cilin Ukraina e vlerëson shumë.

“Sot diskutuam një gamë të gjerë çështjesh mbi bashkëpunimin dypalësh, mbi rrugën tonë të përbashkët drejt anëtarësimit në BE. Shqipëria mbetet partneri ynë kyç në këtë rajon dhe një partner shumë aktiv në formatin Ukrainë-Europa Juglindore”, u shpreh ai.

Sybiha informoi për situatën në fushë betejë si dhe për pasojat që po përjeton Ukraina pas goditjeve në sektorin energjetik. “Ndajmë të njëjtën bindje se Moska duhet të detyrohet drejt paqes përmes rritjes së presionit”, u shpreh ai.

Ai vlerësoi gjithashtu Shqipërinë për mbështetjen e saj të palëkundur në kundërshtimin e agresionit rus, si dhe kryeministrin Edi Rama për qëndrimin e tij të fortë gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit.

“Ju falënderojmë gjithashtu për pjesëmarrjen tuaj në Koalicionin e Vullnetmirëve, për përpjekjet për kthimin e fëmijëve ukrainas dhe për angazhimin për rikthimin e një paqeje të drejtë në vendin tonë”, u shpreh ai.

Ministri Sybiha u shpreh se Ukraina mbështet vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe regjimin e vizave për qytetarët e e saj.

“Do t’i kushtojmë vëmendje mbajtjes së përgjegjësisë që ka Rusia, ngritjes së një tribunali special për krimin e agresionit, si dhe të mekanizmave të tjerë të drejtësisë në bashkëpunim me Shqipërinë. Ukraina dhe Shqipëria janë të bashkuara nga vlerat tona të përbashkëta europiane dhe jemi partnerë në këtë rrugë drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh ai.

Ndaj, ministri Sybiha siguroi se do të vazhdohet me këmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh.

“Kemi një potencial të madh për t’iu kundërvënë kërcënimeve hibride të Rusisë, veçanërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jam dakord të vazhdojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin në fushat e sigurisë, fushën humanitare dhe atë ekonomike, përfshirë edhe formatin Ukrainë-Europa Juglindore. Ne vlerësojmë komunitetin shqiptar në Ukrainë që jeton më së shumti në Odesa dhe ju falënderojmë për mikpritjen e bashkatdhetarëve tanë që u larguan drejt vendit tuaj pas agresionit rus, si dhe për lehtësimin e përpjekjeve për riatdhesimin e fëmijëve tanë ukrainas. Do të vazhdojmë të forcojmë lidhjet mes Ukrainës dhe Shqipërisë”, u shpreh ai.

/a.f/r.e/

The post Sybiha: Shqipëria partner kyç, vlerësojmë mbështetjen e palëkundur ndaj Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkarkimi i Cërlojt pas arratisjes së Altin Ndocit, emërohet drejtori i ri i burgut të Durrësit – EMRI

Edmond Llabani është emëruar drejtor i ri i komanduar i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës, pas shkarkimit të drejtuesit të mëparshëm, Indrit Cërloj. Shkarkimi i Cërlojt u firmos të mërkurën nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, një ditë pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, i cili u largua gjatë një shoqërimi […]

The post Shkarkimi i Cërlojt pas arratisjes së Altin Ndocit, emërohet drejtori i ri i burgut të Durrësit – EMRI appeared first on BoldNews.al.

Ndërtonte pa leje dhe mbetjet i hidhte në lumin e Tiranës, arrestohet 43-vjeçari/ VIDEO

Një 43-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi dyshohet se ka ndërtuar pa leje një kapanon dhe nga verifikimet rezultoi se ai kishte filluar punimet për ndërtimin e një objekti tjetër, gjithashtu pa leje. Mbetjet nga punimet e ndërtimit, 43-vjeçari i hidhte në lumin e Tiranës, dhe si pasojë, shkaktonte ndotje. “Gjatë kontrolleve të kryera në të […]

The post Ndërtonte pa leje dhe mbetjet i hidhte në lumin e Tiranës, arrestohet 43-vjeçari/ VIDEO appeared first on BoldNews.al.

Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës/ SPAK kërkon burg të përjetshëm për Altin Hajrin

SPAK ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Altin Hajrin, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Hajri po gjykohet në mungesë pasi ndodhet në arrati. Jan Prenga u rrëmbye mesditën e 17 janarit 2020 pranë banesës së tij, në rrugën ‘London’ në Kamëz. Disa persona e dhunuan dhe e futën me […]

The post Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës/ SPAK kërkon burg të përjetshëm për Altin Hajrin appeared first on BoldNews.al.

Përmbytjet në Durrës/ Berisha: Patronazhistët vodhën 3 pompa të hidrovorit të Hamallës

Kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar qeverinë Rama për përgjegjësi direkte në përmbytjet e rënda që përfshinë Durrësin dhe disa qarqe të tjera të vendit. Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se Shqipëria e nisi vitin e ri me mijëra banesa u përmbytën, ndërsa shteti, sipas tij ishte shkaktari kryesor i […]

The post Përmbytjet në Durrës/ Berisha: Patronazhistët vodhën 3 pompa të hidrovorit të Hamallës appeared first on BoldNews.al.

Kërkesat për azil nga shqiptarët në BE u rritën sërish në tetor

Kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian kanë shënuar tendencë rritëse në fundin e vitit të kaluar, pasi kishin qene në rënie gjatë periudhës së verës. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në tetor 2025 u regjistruan gjithsej 505 kërkesa për azil, që është niveli më i lartë […]

The post Kërkesat për azil nga shqiptarët në BE u rritën sërish në tetor appeared first on BoldNews.al.

Kërcënim për bombë në bordin e aeroplanit të “Turkish Airlines” gjatë uljes në Barcelonë

Një alarm u dha në aeroportin El Prat të Barcelonës sot në mëngjes, (15 janar), kur një avion i Turkish Airlines bëri një ulje emergjente pas një kërcënimi për bombë. Avioni, një Airbus A321, po operonte fluturimin TK1853 me një mbërritje të planifikuar në Barcelonë në orën 11:00 të mëngjesit, pasi ishte ngritur nga Stambolli […]

The post Kërcënim për bombë në bordin e aeroplanit të “Turkish Airlines” gjatë uljes në Barcelonë appeared first on BoldNews.al.

Zbulohen EMRAT, kush janë 33 personat e rrezikshëm që u transferuan nga burgu i Durrësit

Altin Ndoci u arratis dy ditë më parë nga ambientet e spitalit të Durrësit ku kishte shkuar për kontroll mjekësor, pasi goditi dy policët që po e ruanin, ndërsa jashtë e prisnin dy persona me makinë. Ai ende nuk është kapur, ndërsa policia vijon kontrollet për gjetjen e tij. Pas arratisjes së tij, 33 të […]

The post Zbulohen EMRAT, kush janë 33 personat e rrezikshëm që u transferuan nga burgu i Durrësit appeared first on BoldNews.al.

Vlora sërish pa ujë! Të premten ndërprerje të furnizimit në disa zona të qytetit

Pasi qytetarët e Vlorës u ngritën në protesta për shkak të mungesës së ujit, si pasojë e një defekti disa ditë më parë, të premten rikthehet në disa pjesë të këtij qyteti ndërprerja. Sipas njoftimit të Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Vlorë, të premten nga ora 08:00 deri në 18:00, do të stakohet Stacioni nr. 4 sepse do […]

The post Vlora sërish pa ujë! Të premten ndërprerje të furnizimit në disa zona të qytetit appeared first on BoldNews.al.

Ngjarja në Durrës/ Ish-vjehrrës i dërgoi mesazh i dashuri? Nëna: ‘Qielli me tokën’ të bashkohet nuk heq dorë nga fëmijët

Pas pamjeve të publikuara të ambienteve të një banese në Durrës ku shiheshin tre fëmijë në gjendje të vështirë dhe shtëpia e shkatërruar, nëna e tyre, në një deklaratë në emisionin “Me Zemër të Hapur”, ka dhënë versionin e saj, duke mos i pranuar akuzat. Ajo u shpreh se çështjen ia ka lënë drejtësisë e […]

The post Ngjarja në Durrës/ Ish-vjehrrës i dërgoi mesazh i dashuri? Nëna: ‘Qielli me tokën’ të bashkohet nuk heq dorë nga fëmijët appeared first on BoldNews.al.

Seanca për dosjen “Plumbi i artë”/ Drejtoria e Burgjeve njofton GJKKO: Altin Ndoci u arratis, po e kërkon policia

Në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion sot ishte parashikuar seanca për personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, mes të cilëve edhe Altin Ndoci, i cili dy ditë më parë u arratis nga spitali i Durrësit ku kishte shkuar për vizitë mjekësore. Në seancë, Drejtoria e Burgjeve ka njoftuar zyrtarisht Gjykatën e Posaçme […]

The post Seanca për dosjen “Plumbi i artë”/ Drejtoria e Burgjeve njofton GJKKO: Altin Ndoci u arratis, po e kërkon policia appeared first on BoldNews.al.

Kushtetuesja kufizon SPAK-un: Ndalohet përdorimi pa kriter i të dhënave personale nga celularët e sekuestruar

Gjykata Kushtetuese i ka vendosur kufij SPAK-ut për sekuestrimin dhe përpunimin e të dhënave të nxjerra nga telefonat celularë. Kushtetuesja ka pranuar pjesërisht ankimin e Onejda Ymerajt dhe ka konstatuar cenimin e fshehtësisë së korrespondencës dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, për aq sa të dhënat e sekuestruara nga telefoni i saj […]

The post Kushtetuesja kufizon SPAK-un: Ndalohet përdorimi pa kriter i të dhënave personale nga celularët e sekuestruar appeared first on BoldNews.al.

❌