Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, është përfshirë në mesin e 19 mbrojtësve më të mirë të vitit nga nominimet e publikuara për “EA Sports FC 26 Team of the Year”, një çmim prestigjioz që nderon futbollistët më të spikatur të vitit kalendarik.
Formacioni më i mirë do të zgjidhet nga votat e publikut, ndërsa futbollistët që marrin më shumë vota do të shpallen më 15 janar.
Të gjithë tifozët dhe dashamirësit e futbollit mund të japin votën e tyre për të ndihmuar Rrahmanin të bëhet pjesë e 11-shes më të mirë të vitit dhe të tregojë vlerësimin që meriton për kontributin e tij në fushë.
31-vjeçari ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm te Napoli, duke shënuar një gol në 16 paraqitje dhe duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e skuadrës.
Përveç performancave në klub, Rrahmani ka treguar udhëheqësi të madh edhe me Kombëtaren e Kosovës, duke konsoliduar vendin e tij si një nga mbrojtësit më të respektuar të futbollit shqiptar.
Si mund të votoni: Tifozët mund të hyjnë në faqen zyrtare të “EA Sports FC 26 Team of the Year” dhe të zgjedhin futbollistët e preferuar nga secili pozicion për të formuar 11-shen ideale të vitit. /Telegrafi/
Arsenal do të presë Liverpoolin në një përballje kyçe të Ligës Premier në Emirates Stadium, që pritet të jetë vendimtare për renditjen e dy ekipeve në tabelë.
Për Arsenalin, kjo është një mundësi për të shkëputur edhe më tej epërsinë ndaj kampionëve në fuqi, Liverpoolit, duke rritur diferencën në 17 pikë në rast fitoreje.
Gunners kanë treguar dominim të jashtëzakonshëm në shtëpi këtë sezon, me 14 fitore nga 15 ndeshjet e zhvilluara dhe një seri prej 12 triumfesh radhazi në kampionat.
Një fitore sot mund t’i japë Arsenalit një rekord të ri në historinë e Ligës Premier, duke mundur Liverpoolin tre herë radhazi në shtëpi për herë të parë.
Nga ana tjetër, Liverpooli vjen në Londër të motivuar për të marrë pikët dhe për të mbajtur shpresën për të qëndruar afër vendit të tretë, duke u përpjekur të ngushtojë diferencën me Aston Villan në vetëm gjashtë pikë. Arne Slot ka përgatitur skuadrën e tij për të kërkuar një rezultat pozitiv në një ambient të vështirë si Emirates.
Ndeshja çerekfinale e Kupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Bashkimit dhe Pejës u ndërpre pas incidenteve të papranueshme nga tifozët në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Shikuesit hodhën gjësende drejt parketit, duke shkaktuar ndërprerjen e takimit dhe alarmuar lojtarët dhe stafin teknik. Rezultati në ato momente ishte 32-21 në të mirë të Bashkimit.
Si pasojë e këtyre veprimeve, basketbollisti i Pejës, Dardan Berisha, pësuar lëndime në kokë nga goditjet dhe objekte të hedhura nga publiku, duke e detyruar skuadrën pejane të largohej nga parketi drejt dhomës së zhveshtjes.
“Basketbollistit tonë Dardan Berisha i është dëmtuar koka nga goditjet dhe hedhjet e publikut në Prizren. Për sigurinë e lojtarëve tanë, skuadra largohet në drejtim të zhveshtoreve”, thuhet në njoftimin e klubit të Pejës.
Autoritetet e klubit dhe organizatorët e ndeshjes po bëjnë vlerësimin e situatës për të vendosur masat e mëtejshme dhe sigurinë e lojtarëve dhe publikut.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në palestrën “Karagaçi”, ku pritet të garantohet një ambient i sigurt për të dy skuadrat. /Telegrafi/
Interi po e ndjek me kujdes Robinho Jr, sulmuesin 18-vjeçar të Santos dhe djalin e ish-yllit të Milanit, Manchester Cityt dhe Real Madridit, Robinhos.
Sipas mediave braziliane, përfshirë UOL Esporte dhe CalcioMercato, Nerazzurrët e shohin lojtarin si një investim afatgjatë dhe tashmë kanë filluar të hetojnë terrenin pas skenave.
Gazetari Lucas Musetti raporton se Interi ka parashikuar një buxhet rreth 22 milionë eurosh, përfshirë edhe bonuset, për të ndjekur sulmuesin e talentuar, megjithëse ende nuk është dorëzuar asnjë ofertë zyrtare te Santos.
Robinho Jr përdori periudhën e Krishtlindjeve për të vizituar ambientet e Interit në Itali. Ndërsa vizita nuk lidhet domosdoshmërisht me një transferim të afërt, ajo tregon seriozitetin e interesit të klubit italian dhe fazën eksploruese të bisedimeve.
Megjithatë, adoleshenti preferon të qëndrojë te Santos deri në fund të sezonit, duke kërkuar të zhvillohet më tej në Brazil para se të bëjë hapin drejt Evropës. Burimet e afërta me lojtarin thonë se diskutimet mund të rifillojnë sapo të ketë hapje nga vetë lojtari, familja dhe përfaqësuesit e tij. /Telegrafi/
Henrik Larsson, ish-sulmuesi suedez i njohur për dredhat e flokëve të tij karakteristike dhe stilin e veçantë, rikthehet në kujtime dhe zbulon se si e pa për herë të parë Lionel Messin te Barcelona.
Larsson ishte pjesë e skuadrës suedeze që arriti vendin e tretë në Kupën e Botës 1994 dhe më vonë u bë një nga yjet e mëdhenj të Barcelonës, duke ndihmuar klubin katalanas të fitonte gjithçka, përfshirë Ligën e Kampionëve në vitin 2006.
Suedezi mbërriti në Barcelonë në vitin 2004, si një përforcim që shkaktoi dyshime tek tifozët dhe specialistët, pasi mendohej se nuk do t’i përshtatej stilit të klubit katalanas. Megjithatë, Larsson u integrua shpejt dhe u bë një lojtar kyç në sukseset e Blaugranëve.
Kur Lionel Messi filloi të hidhte hapat e tij të parë në ekipin e parë, Larsson ishte tashmë një veteran.
“Në vitin tim të parë, Messi nuk ishte ende pjesë e ekipit. Por në vitin e dytë, gjatë parasezonit, e pashë për herë të parë. Në fillim nuk më bëri shumë përshtypje. Pastaj e pashë në stërvitje dhe pyeta Giovanni (van Bronckhorst): ‘Kush është ky?’”.
Larsson kujton se mes viteve 2004 dhe 2006, Ronaldinho dominonte ekipin dhe kishte gjithë vëmendjen e mediave dhe shokëve të ekipit. Për këtë arsye, ishte e vështirë të imagjinohej se Messi do të mund ta tejkonte brazilianin.
“Ai mund të bënte gjithçka me topin dhe ishte efikas, por për mua ishte e vështirë të shihja dikë që mund të tejkalonte Ronaldinhon”, thotë Larsson.
Sot, ish-sulmuesi suedez reflekton mbi epokën e artë të Barcelonës dhe mbi magjinë që Messi solli në futboll. Ai tregon se ndonëse në fillim kishte dyshime, djali që Larsson e pa atëherë si një talent modest do të bëhej një nga lojtarët më të mëdhenj në histori.
Henrik Larsson, një emër legjendar i Celtic, Barcelonës dhe Suedisë, mbetet sot një dëshmitar i drejtpërdrejtë i lindjes së një ylli që do të ndryshonte futbollin për breza të tërë. /Telegrafi/
Tifozët e Tottenham Hotspur kanë reaguar me indinjatë pas publikimit në rrjete sociale të një fotografie ku trajneri i skuadrës, Thomas Frank, shihet duke pirë nga një gotë letre me stemën e Arsenalit, rivalit të përjetshëm të “Spurs”.
Në një moment delikat për klubin, ku Tottenhami renditet vetëm në vendin e 14-të në tabelën e Ligës Premier, imazhi ka shtuar edhe më shumë presion mbi trajnerin danez, i cili tashmë raportohet se është pranë shkarkimit.
Duke marrë parasysh rivalitetin historik mes dy klubeve londineze, fotografia është parë nga tifozët si e papranueshme.
I pyetur për situatën, Frank mohoi çdo qëllim të keq, duke sqaruar se gjithçka ka qenë një keqkuptim.
“Absolutisht nuk e kam vërejtur. Do të kishte qenë budallallëk i pastër nëse do ta dija që stema e Arsenalit ishte në gotë dhe do ta merrja. Nuk do të bëja kurrë diçka të tillë me qëllim”, deklaroi trajneri i Tottenhamit.
Megjithatë, pavarësisht shpjegimit të tij, besimi i tifozëve mbetet i lëkundur. Fati i Frank në stol duket se do të varet kryesisht nga rezultatet sportive. Mediat angleze raportojnë se një eliminim nga FA Cup ndaj Aston Villës këtë fundjavë mund t’i kushtojë atij vendin e punës, duke e bërë përballjen vendimtare për të ardhmen e tij në klub. /Telegrafi/
FC Drenica ka zyrtarizuar afrimin e sulmuesit brazilian Victor Da Silva, i cili nga sot është pjesë e skuadrës kuq e zi.
31-vjeçari vjen në stadiumin “Bajram Aliu” si një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv, me synimin për të rritur konkurrencën dhe efikasitetin në sulm.
Da Silva ka një karrierë të pasur ndërkombëtare. Së fundmi ai ishte pjesë e FK Partizanit në kategorinë superiore, ndërsa më herët është formuar dhe ka luajtur në futbollin italian te Chievo Verona dhe Brescia.
Ai ka pasur paraqitje të suksesshme edhe në rajon me Vllazninë e Shkodrës, si dhe në arenën aziatike me klubin Nasaf Qarshi.
Drejtuesit e klubit besojnë se përvoja dhe cilësitë e sulmuesit brazilian do të jenë një vlerë e shtuar për ekipin në objektivat e tij sportive gjatë sezonit.
FC Drenica i uron mirëseardhje Victor Da Silvës dhe shumë suksese me fanellën kuq e zi. /Telegrafi/
Boksieri britanik Anthony Joshua ka thyer heshtjen për herë të parë pas vdekjes tragjike të dy miqve të tij më të afërt, Sina Ghami dhe Kevin Latif Ayodele, të cilët humbën jetën në një aksident të rëndë automobilistik në Nigeri, në muajin dhjetor.
Joshua ishte gjithashtu i përfshirë në aksident, por për fat të mirë pësoi vetëm lëndime të lehta. Automjeti tip SUV, me të cilin po udhëtonin, u përplas me një kamion të palëvizshëm në autostradën Lagos–Ibadan, në zonën Makun.
Përplasja rezultoi fatale për dy miqtë e tij të hershëm, të cilët ishin pjesë kyçe e ekipit profesional të boksierit. Kevin Latif Ayodele ishte trajneri personal i Anthony Joshuas, ndërsa Sina Ghami shërbente si trajner i forcës dhe përgatitjes fizike – dy figura që kishin luajtur rol vendimtar në karrierën e kampionit britanik.
Në një postim prekës në Instagram, ku ndau një grafikë kushtuar dyshes, Joshua shfaqi ndjenjat pas humbjes së madhe.
“Faleminderit për gjithë dashurinë dhe kujdesin që ua keni treguar vëllezërve të mi. As nuk e kuptova sa të veçantë ishin. Ecja me ta, qeshja dhe bëja shaka, pa e ditur se Zoti më kishte vendosur pranë njerëzve kaq të mëdhenj".
"Është 100% e vështirë për mua, por e di se është edhe më e vështirë për prindërit e tyre. Kam një mendje të fortë dhe besoj se Zoti i njeh zemrat e tyre. Zoti i mëshiroftë vëllezërit e mi”, shkroi boksieri i njohur.
Sipas mediave britanike, Anthony Joshua doli nga spitali në orët e vona të natës së Vitit të Ri dhe menjëherë pas kësaj realizoi një vizitë emocionale në një shtëpi funerale, për t’u shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave, përpara se trupat e tyre të riatdhesoheshin. /Telegrafi/
Juventus ka arritur marrëveshje me trajnerin kroat Igor Tudor për ndërprerjen e parakohshme të kontratës së tij, raportojnë mediat italiane, përfshirë Sky Sport Italia.
Edhe pse Tudor ishte shkarkuar nga drejtimi i “Zonjës së Vjetër” në muajin tetor, kontrata e tij me klubin ishte e vlefshme deri në vitin 2027.
Tashmë, palët kanë gjetur gjuhë të përbashkët për ta mbyllur bashkëpunimin, duke i hapur rrugë trajnerit kroat të jetë i lirë për një aventurë të re jashtë Italisë.
Sipas rregullave në fuqi, Tudor nuk ka të drejtë të drejtojë një klub tjetër të Serie A gjatë sezonit 2025/26, por ai mund të nënshkruajë menjëherë me një klub të huaj.
Igor Tudor kishte marrë drejtimin e Juventusit në mars të vitit 2024, duke zëvendësuar Thiago Mottën, dhe arriti ta kualifikojë ekipin në Ligën e Kampionëve në sezonin e kaluar.
Në total, kroati i udhëhoqi bardhezinjtë në 24 ndeshje zyrtare, me bilanc 10 fitore, 8 barazime dhe 6 humbje.
Pas shkarkimit të tij në tetor, Juventus emëroi Luciano Spallettin si trajner të ri. Spalletti ka kontratë me klubin deri në fund të këtij sezoni, ndërsa Thiago Motta, paraardhësi i Tudor, vazhdon të jetë i lidhur kontraktualisht me Juventusin deri në vitin 2027. /Telegrafi/
Ne jemi mësuar tashmë që Superkupa e Italisë dhe Superkupa e Spanjës nuk luhet më para fillimit të sezonit, siç ishte më parë rasti në Angli dhe Gjermani, por zhvillohet tani gjatë dimrit. Dhe të dy turnetë janë mbajtur disa herë në Arabinë Saudite.
Italianët tashmë e kanë zhvilluar Superkupën e tyre – në dhjetor, Napoli ngriti trofeun në një turne ku morën pjesë edhe Bologna, Inter dhe Milan.
Ndërkohë, në Spanjë, fituesi do të përcaktohet në fundjavë – me Real Madrid dhe Atletico Madrid që kërkojnë një vend në finale ku është Barcelona tashmë.
Por pse këto kompeticione nuk zhvillohen në vendet e tyre dhe pse tani luhet me format katër ekipe? Le të analizojmë.
Superkupa italiane “jashtë vendit” që nga vitet ’90 – Arabia Saudite siguron fondin më të madh të çmimeve
Arabia Saudite është vetëm stacioni më i fundit në historinë e gjatë të udhëtimeve të Superkupës italiane. Kompeticioni u luajt për herë të parë jashtë vendit në 1993 në Shtetet e Bashkuara, kur Milan mundi Torinon 1-0 në Uashington.
Që atëherë, Superkupa u zhvillua edhe një herë në SHBA, dy herë në Katar dhe katër herë në Kinë – gjatë një periudhe kur futbolli në Kinë po rritej ndjeshëm. Më e veçanta mbetet Tripoli, kryeqyteti i Libisë, ku Juventus mposhti Parmën 2-1 në vitin 2002.
Që nga 2018 (me ndërprerje për shkak të COVID në 2020 dhe 2021), Superkupa italiane zhvillohet në Arabinë Saudite. Sikurse ndodhi më parë në Katar, kjo lëvizje ndikoi edhe në kohën e zhvillimit të turneut – në vend që të shërbente si ndeshje hapëse e sezonit, ajo zhvillohet tani gjatë dimrit për shkak të kushteve klimatike.
Arabia Saudite ka ndikuar edhe te formati i turneut. Që nga Superkupa e 2023 (luajtur në janar 2024), kalimi në një turne me katër ekipe – dy gjysmëfinale dhe një finale, në vend të një ndeshjeje të vetme – ishte një kërkesë kontratat e vendosura nga Arabia Saudite ndaj organizatorëve.
Në këmbim, mbreti i Gjirit paguan 23 milionë euro në vit për Serie A, prej të cilave 16.2 milionë euro shkojnë direkt në fondin e çmimeve – më i madh midis të gjitha superkupave evropiane. Fituesi merr 8 milionë euro, i dyti 5 milionë euro, ndërsa gjysmëfinalistët marrin nga 1.6 milion euro secili.
Superkupa spanjolle – më fitimprurëse, por e varur nga Real Madrid dhe Barcelona
Pas një eksperimenti në Marok në 2018, Spanja gjithashtu ka zhvilluar Superkupën e saj në Arabinë Saudite që nga 2020 (me ndërprerje në 2021 për shkak të COVID). Spanjollët ishin pionierë të formatit me katër ekipe, duke e futur atë për herë të parë në janar 2020. Në krahasim, Italia mbajti formatin tradicional deri në 2024.
Arabia Saudite paguan Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) më shumë sesa italianët – 40 milionë euro për çdo edicion deri në 2028. Megjithatë, vetëm rreth 12 milionë euro shkojnë direkt në fondin e çmimeve për klubet. Një pjesë e konsiderueshme e parave shpërndahet edhe para fillimit të turneut.
Ka gjithashtu një varësi të qartë nga Real Madrid dhe Barcelona. Nëse asnjë prej gjigantëve spanjollë nuk arrin finalen, federata rrezikon të humbasë 10 milionë euro, dhe një tjetër 5 milionë euro nëse njëri prej tyre nuk kualifikohet për turneun fare.
Derimë tani, federata ka shmangur çdo penalitet – çdo finale e zhvilluar në Arabinë Saudite ka përfshirë ose Real Madrid ose Barcelonën, me tre finalet e fundit që kanë qenë direkt midis këtyre dy klubeve. /Telegrafi/
Futbollisti brazilian Neymar ka vendosur të ndajë me ndjekësit e tij në Instagram, që janë mbi 232 milionë, një pamje nga jeta e tij luksoze.
Ylli i Santos, 33 vjeç, ish-lojtar i Barcelonës, ka postuar një foto të flotës së tij mbresëlënëse të automjeteve, vlera e të cilave llogaritet mbi 50 milionë euro.
Në vilën e tij në Mangaratiba, në Rio de Janeiros, Neymar ka shfaqur një automjet unik: një replikë e makinës së Batmanit, e njohur nga filmat e DC Comics. Vlera e saj është rreth 1.3 milion euro.
Avion privat dhe helikopter luksoz
Neymar nuk ndalet me makinat. Ai tregoi edhe avionin e tij privat, një Dassault Falcon 900LX, i personalizuar me inicialet e tij.
Avioni ka kapacitet për 14 pasagjerë dhe përfshin dhoma të veçanta, si sallë pritjeje, dhomë gjumi dhe zonë ngrënieje. Vlera e tij në treg arrin rreth 40 milionë euro.
Për të kompletuar koleksionin luksoz, Neymar shfaq edhe helikopterin Airbus H145, për të cilin ka shpenzuar rreth 8 milionë euro.
Me këtë postim, futbollisti brazilian ka zbuluar një pjesë të jetës së tij luksoze jashtë fushës, duke impresionuar ndjekësit dhe adhuruesit e tij në mbarë botën. /Telegrafi/
Real Madridi po planifikon të përforcojë repartin e mesfushës gjatë verës, me synimin për të zëvendësuar përfundimisht largimin e dy legjendave Toni Kroos dhe Luka Modric.
Drejtuesit e klubit kanë analizuar disa emra gjatë muajve të fundit dhe njëri prej tyre është mesfushori anglez Adam Wharton.
Zyrtarët e Real Madridit e kanë monitoruar Wharton që në fillim të vitit të kaluar. Në moshën 21-vjeçare, ai përputhet plotësisht me politikën e transferimeve të klubit dhe, nëse transferohet në “Santiago Bernabeu”, mund të bëhet pjesë kyçe e mesfushës së së ardhmes, përkrah Jude Bellingham, Aurelien Tchouaméni, Eduardo Camavinga, Federico Valverde dhe Arda Guler.
Sipas raportimeve, disa nga klubet më të mëdha të Anglisë – Manchester City, Liverpool, Manchester United dhe Chelsea – janë gjithashtu të interesuara për shërbimet e tij.
Megjithatë, sipas AS, edhe Real Madridi është seriozisht në garë dhe tashmë i është ofruar mundësia për të realizuar marrëveshjen.
Crystal Palace kërkon të paktën 70 milionë euro për kartonin e Wharton, ndërsa vetë lojtari pritet të kërkojë një pagë të nivelit “galaktik”, në përputhje me statusin e një transferimi te gjiganti spanjoll.
Pse Real Madridi e vlerëson Adam Wharton?
Edhe pse Wharton nuk është një organizator klasik i lojës si Vitinha apo Pedri – profile që zakonisht pëlqehen nga Real Madridi – drejtuesit e klubit besojnë se ai përshtatet shumë mirë me filozofinë e skuadrës së drejtuar nga Xabi Alonso.
Wharton shihet si një mesfushor pragmatik, me disiplinë të lartë taktike, inteligjencë në lojë dhe ndikim të madh në ritmin e ndeshjes. Ajo që bie veçanërisht në sy është pjekuria e tij në moshën vetëm 21-vjeçare, një cilësi shumë e vlerësuar nga drejtuesit madrilenë.
Mbetet për t’u parë nëse Real Madridi do ta intensifikojë interesimin për Wharton në muajt e ardhshëm. Megjithatë, shuma prej 70 milionë eurosh konsiderohet e arsyeshme për një lojtar me potencialin për t’u shndërruar në një nga mesfushorët më të mirë në botë në vitet që vijnë. /Telegrafi/
Lionel Messi, sulmuesi i Inter Miami, ka folur hapur për planet e tij për pas karrierës së futbollit dhe ka përjashtuar mundësinë që të bëhet trajner, duke treguar se dëshiron të mbetet i lidhur me futbollin në mënyrë tjetër.
Intervista u zhvillua për kanalin argjentinas Luzu, ku “10-shi” surprizoi të gjithë duke folur për jetën personale, karrierën dhe planet për të ardhmen.
Një ide për të pasur klubin e tij
Pyetja klasike që i bëhet lojtarëve të mëdhenj për pensionimin është se çfarë do të bëjnë pas lamtumirës nga fusha.
Messi u shpreh qartë: nuk e sheh veten si trajner, ashtu si bëri Diego Maradona me Kombëtaren e Argjentinës, por dëshiron të ketë një rol të ndryshëm.
“Teknikisht nuk e shoh veten si trajner, por nëse do të më duhej të zgjidhja, më pëlqen ideja të jem pronar. Do të doja të kisha klubin tim, të filloja nga e para dhe të jepja mundësi për djemtë dhe njerëzit të rriten dhe të bëjnë një klub të rëndësishëm”, shpjegoi Messi, duke shtuar se tashmë ka një projekt të ngjashëm me Luis Suarezin në Uruguai.
Fokus në finalet e fundit dhe planet personale
Në moshën 38-vjeçare, Messi është i përqendruar te përfaqësimi i Argjentinës në Botërorin e fundit të karrierës, ku synon të mbrojë titullin e fituar në 2022. Megjithatë, ai e pranon se vitet në futboll janë të pakta dhe po mendon për të ardhmen jashtë fushës.
Ai gjithashtu foli për shëndetin mendor dhe për përvojën e tij me terapinë gjatë kohës që luante te Barcelona.
“Tani nuk e bëj më terapinë, por atëherë e bëja. Kam qenë shumë i mbyllur, i mbajta problemet për vete. Kam ndryshuar shumë”, shpjegoi Messi.
Sulmuesi argjentinas shtoi gjithashtu se i pëlqen të kalojë kohë vetëm dhe të ketë pak paqe në shtëpi.
“Më pëlqen të jem vetëm. Kur fëmijët luajnë në shtëpi ka shumë zhurmë dhe rrëmujë (qesh), ndaj herë pas here shijoj qetësinë”, deklaroi ai. /Telegrafi/
Klubi i Futbollit Drenica ka bërë një thirrje publike për ndihmë dhe solidaritet, pas dëmeve të mëdha që reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar në fushën e stadiumit të klubit, duke e bërë atë të papërdorshme për zhvillimin e ndeshjeve dhe stërvitjeve.
Sipas njoftimit të klubit, gjatë muajve të fundit janë bërë investime të konsiderueshme në përmirësimin e fushës së stadiumit, me shumë mund, përkushtim dhe sakrificë, me synimin që infrastruktura sportive t’i përgjigjet standardeve dhe nevojave të lojtarëve, klubit dhe gjithë qytetit.
Megjithatë, brenda pak orësh, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme serioze, duke shkatërruar punën e ndërtuar me aq përkushtim.
Klubi ka publikuar edhe video që tregojnë gjendjen e fushës para investimeve, pas përfundimit të punimeve dhe pas dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore, duke theksuar se pamjet flasin qartë për situatën e rëndë aktuale.
FC Drenica i është drejtuar me respekt institucioneve të Republikës së Kosovës, në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe institucioneve të tjera relevante, duke kërkuar përkrahje urgjente për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e stadiumit në funksion.
Sipas klubit, ndihma institucionale është jetike për vazhdimin e garave në kampionat dhe pa këtë përkrahje ekziston rreziku real që rrugëtimi sportiv i klubit të vihet në pikëpyetje.
Njëkohësisht, FC Drenica ka bërë thirrje për solidaritet edhe ndaj komunitetit sportiv, tifozëve dhe gjithë dashamirëve të futbollit, duke theksuar se klubi është më shumë se një ekip futbolli – është pjesë e historisë, e rinisë dhe e identitetit sportiv të rajonit.
“Me ndihmën e të gjithëve, shpresojmë të ngrihemi sërish dhe t’u ofrojmë lojtarëve tanë kushtet që i meritojnë. Kërkojmë përkrahje që infrastruktura të përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme, për të tashmen dhe të ardhmen, për fëmijët tanë dhe brezat që vijnë”, thuhet në thirrjen e klubit.
FC Drenica thekson se kjo thirrje është një apel për ruajtjen dhe zhvillimin e sportit në Kosovë, duke përmbyllur mesazhin me sloganin: “Drenica është e Kosovës!”. /Telegrafi/
Manchester City ka lëshuar dy pikë të rëndësishme në garën për titull, duke barazuar 1-1 ndaj Brighton në ndeshjen e javës së 21-të të Ligës Premier.
Kampionët në fuqi dominuan pjesërisht lojën, por nuk arritën ta mbyllnin ndeshjen në favorin e tyre, ndërsa vendasit shfrytëzuan një moment të mirë në pjesën e dytë.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe Brighton rrezikoi seriozisht që në minutat e para. Gianluigi Donnarumma ishte protagonist absolut për Man Cityn, duke ndalur fillimisht një goditje të rrezikshme të Pascal Gross nga afërsia dhe më pas një tentim të Ferdi Kadıoğlu nga distanca.
Manchester City gradualisht mori kontrollin dhe në minutën e 41-të fitoi penallti pas ndërhyrjes ndaj Jeremy Doku, vendim i konfirmuar edhe nga VAR-i.
Erling Haaland u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke e dërguar topin në këndin e djathtë të portës dhe duke i dhënë epërsinë skuadrës së Pep Guardiolës (1-0).
Në pjesën e dytë, Man City pati raste për të dyfishuar rezultatin. Bernardo Silva goditi shtyllën në minutën e 47-të, ndërsa Haaland dhe Rayan Cherki humbën mundësi të mira për gol.
Megjithatë, Brighton nuk u dorëzua dhe në minutën e 60-të arriti barazimin. Kaoru Mitoma kontrolloi bukur një pasim nga Yasin Ayari dhe me një goditje të fuqishme nga jashtë zone e dërgoi topin në cepin e poshtëm të portës për 1-1.
Minutat e mbetura sollën disa raste nga të dyja skuadrat, por pa ndryshim rezultati. Haaland u ndal dy herë nga portieri Bart Verbruggen, ndërsa në fund ndeshja u shoqërua edhe me disa kartonë të verdhë pas ndërhyrjeve të ashpra.
Me këtë barazim, Manchester City ngjitet në kuotën e 43 pikëve, duke mbetur pesë pikë prapa Arsenalit lider. /Telegrafi/
Barcelona ka dhuruar një paraqitje spektakolare në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës, duke mposhtur bindshëm Athletic Bilbaon me rezultat të thellë 5–0.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick dominoi nga minuta e parë deri në të fundit dhe tashmë pret fituesin e përballjes mes Real Madridit dhe Atletico Madridit në finalen e madhe.
Katalanasit e nisën furishëm takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e 22-të. Ferran Torres përfitoi nga një pasim i shkëlqyer brenda zonës dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në cepin e majtë të portës për 1–0.
Dominimi i Barcelonës u thellua edhe më shumë në minutën e 30-të, kur Fermín López realizoi një gol të bukur (2-0), duke goditur fuqishëm topin në këndin e sipërm të djathtë dhe duke mos i lënë asnjë shans portierit të Athletic Bilbaos.
Vetëm katër minuta më vonë, Roony Bardghji u shfaq protagonist. Talenti i ri i Barcelonës përfitoi nga një pasim i saktë dhe me një goditje të ulët në cepin e djathtë realizoi golin e tretë të ndeshjes.
Në minutën e 38-të, Bardghji u shndërrua në asistues, duke dërguar një krosim perfekt në zonë, ku Raphinha u tregua i saktë dhe me një goditje të shpejtë e çoi topin në rrjetë për 4–0.
Athletic Bilbao pati një mundësi të artë për të ngushtuar rezultatin në minutën e 42-të, por Oihan Sancet goditi shtyllën nga zona, duke humbur rastin më të mirë për baskët në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, Barcelona vazhdoi me të njëjtin ritëm. Në minutën e 52-të, Raphinha kompletoi dopietën pas një pasimi të shkëlqyer brenda zonës, duke vulosur fitoren 5-0.
Me këtë fitore të thellë, Barcelona siguron kalimin në finale të Superkupës së Spanjës, ku do të përballet me fituesin e ndeshjes gjysmëfinale mes Real Madridit dhe Atletico Madridit. /Telegrafi/
Meriton Korenica është shumë pranë një transferimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mesfushori i CFR Cluj pritet t’i bashkohet DC United, skuadrës së MLS, ndërsa negociatat konsiderohen të përfunduara në rreth 90 për qind.
Sipas burimeve të FANATIK, pronari i CFR Cluj, Neluțu Varga, do të përfitojë një shumë të konsiderueshme nga kjo marrëveshje, duke shitur 75 për qind të të drejtave federative të lojtarit kosovar.
Korenica prej kalimit te Cluj, ka shkëlqyer, duke qenë lojtar kryesor i klubit rumun.
4 milionë dollarë për Korenicën, Cluj mban 25% të kartonit
Pas transferimit të Louis Munteanu për 7 milionë dollarë në MLS, DC United ka kthyer vëmendjen edhe nga një tjetër lojtar kyç i kampionëve të Rumanisë. Klubi amerikan është i gatshëm të paguajë rreth 4 milionë dollarë për Meriton Korenicën, ndërsa CFR Cluj do të mbajë 25 për qind të të drejtave federative të lojtarit për një shitje të ardhshme.
“Ka shanse shumë të mira që Korenica të transferohet te DC United. Është çështje ditësh,” deklaroi ekskluzivisht për FANATIK pronari i CFR Cluj, Neluțu Varga.
Trajneri i DC United, Rene Weiler, është një admirues i madh i mesfushorit kosovar dhe po e shtyn fort realizimin e këtij transferimi, i cili pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.
Paga e Korenicës në MLS
Nëse marrëveshja finalizohet, Meriton Korenica do të përfitojë një kontratë shumë të mirë financiare. Ai pritet të ketë një pagë vjetore prej rreth 800 mijë dollarësh, duke u bërë një nga lojtarët e rëndësishëm të DC United në repartin e mesfushës.
Sipas Transfermarkt, vlera aktuale e tregut e Korenicës është 2.4 milionë euro. Në karrierën e tij, ai ka luajtur për klube si Liria, Rshoveci, Ballkani dhe Prishtina në Kosovë. /Telegrafi/
Legjenda e futbollit anglez, Kevin Keegan, 74 vjeç, është diagnostikuar me kancer, njoftoi familja e tij në një deklaratë zyrtare.
Ish-sulmuesi dhe trajneri i kombëtares së Anglisë u shtrua së fundmi në spital për shkak të problemeve të gjatë me barkun, dhe testet zbuluan kancerin për të cilin ai së shpejti do të fillojë trajtimin.
Familja e Keegan shprehu mirënjohje për ekipin mjekësor për veprimin e tyre të shpejtë dhe kujdesin e vazhdueshëm, duke kërkuar gjithashtu privatësi gjatë kësaj kohe të vështirë.
“Këto teste zbuluan një diagnozë të kancerit, për të cilën Kevin do të marrë trajtim. Ai është mirënjohës ekipit mjekësor për ndërhyrjen dhe kujdesin e tyre të vazhdueshëm. Gjatë kësaj kohe të vështirë, familja kërkon privatësi dhe nuk do të bëjë asnjë koment të mëtejshëm,” thuhet në deklaratë.
Reagimi i Newcastle United
Newcastle United, klubi me të cilin Keegan lidhet ngushtë si lojtar dhe trajner, reagoi menjëherë duke publikuar një mesazh mbështetjeje në rrjetet sociale.
"Ish-lojtari dhe trajneri ynë Kevin Keegan do të fillojë trajtimin pas një diagnoze me kancer, pas shtrimit në spital për vlerësim të mëtejshëm të simptomave të barkut që kanë ekzistuar prej kohësh. Mbreti Kev, ne jemi me ty në çdo hap të rrugës. Të urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë".
Keegan ka një lidhje të veçantë me Newcastlen, ku ka luajtur dhe ka drejtuar ekipin mes viteve 1992–1997 dhe më pas në vitin 2008. Lajmi i diagnostikimit të tij ka nxitur reagime mbështetëse nga tifozët dhe komuniteti i futbollit anglez, të cilët kujtojnë karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Our former player & manager, Kevin Keegan will undergo treatment after being diagnosed with cancer having been admitted to hospital for further evaluation of ongoing abdominal symptoms.
Kevin Keegan lindi më 14 shkurt 1951 në Armthorpe dhe konsiderohet një nga ikonat më të mëdha të futbollit anglez. Ai e filloi karrierën e tij profesionale në Scunthorpe, duke u bërë yll në Liverpool (1971–1977), ku fitoi tre tituj të Ligës Premier, një Ligë Kampionësh dhe dy Kupa UEFA.
Në vitin 1977, ai u transferua te Hamburger SV në Gjermani, ku fitoi dy herë Topin e Artë (1978 dhe 1979), Bundesligën dhe luajti në finalen e Ligës së Kampionëve.
Më pas, ai luajti për Southampton, Newcastle United dhe Blacktown City, ku përfundoi karrierën e tij të pasur.
Keegan luajti gjithsej 63 herë për Anglinë, duke shënuar 21 gola, dhe mori pjesë në Kupën e Botës 1982 në Spanjë.
Si trajner, ai udhëhoqi Newcastle United drejt dy vendeve të dyta radhazi në Ligën (1995/96 dhe 1996/97), dhe gjithashtu ka qenë trajner i kombëtares së Anglisë nga viti 1999 deri në 2000. /Telegrafi/
Drejtori sportiv i Sparta Pragës, Tomas Rosicky, ka dhënë një vlerësim të qartë për sulmuesin e Kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani, duke e përshkruar si një lojtar shumë fleksibël dhe me aftësi për të luajtur në disa pozita sulmuese.
Megjithatë, ai ka lënë të hapur mundësinë e një shitjeje të Rrahmanit gjatë këtij afati kalimtar, duke treguar se klubi nuk do të kishte asgjë kundër largimit të tij nëse shfaqet një ofertë e mirë.
“Nuk ka kurrë problem të kesh tre sulmues cilësorë. Albioni mund të përdoret në më shumë pozicione, dhe ne mund të shkojmë në pranverë me ta kështu. Nuk do të zemërohem nëse të gjithë qëndrojnë, por gjithashtu mund të humbasim një prej tyre,” theksoi Rosicky të mërkurën gjatë një konference për media.
Ai gjithashtu rikujtoi interesin e mëparshëm për Rrahmanin nga gjiganti francez, Lyon, dhe pret një ofertë të tillë edhe tani.
“E dini që sezonin e kaluar Albioni pati një ofertë shumë interesante nga Lyon, gjë që mund të ndodhë edhe tani”, deklaroi legjenda çeke e futbollit.
Rrahmani, 25-vjeçar, po kalon një sezon të fortë me Sparta Pragën. Ai ka shënuar 12 gola dhe ka kontribuar me dy asistime në 32 ndeshje në të gjitha garat, duke treguar konsistencë dhe aftësi për të bërë diferencën në sulm.
Forma e tij ka tërhequr vëmendjen e klubeve evropiane dhe e vendos atë në qendër të bisedimeve gjatë afatit të janarit. /Telegrafi/
Ekipi kombëtar i futbollit të Nigerisë po përballet me një krizë të re në mes të Kupës së Kombeve të Afrikës.
Lojtarët dhe stafi i trajnerëve kërcënuan të bojkotojnë stërvitjen dhe udhëtimin për ndeshjen vendimtare çerekfinale për shkak të primeve dhe bonuseve të papaguara, një situatë që kujton incidentet e mëparshme që kanë tronditur futbollin nigerian, shkruan Premium Times.
Bonuset për katër fitore ende në pritje
Sipas gazetarit së BBC-së, Oluwashina Okeleji, lojtarët dhe stafi ende presin pagesat e premtuara pavarësisht performancave të shkëlqyera të Nigerisë në turne.
"Lojtarët dhe stafi i trajnerëve të Nigerisë presin pagesat e bonuseve për AFCON2025. Bonuset për fitoret nga katër ndeshje – kundër Tanzanisë, Tunizisë, Ugandës dhe Mozambikut – ende nuk janë marrë," shkroi Okeleji në profilin e tij X të mërkurën.
Players and coaching staff of #Nigeria are waiting on #AFCON2025 bonus payments.
Win bonuses from four matches - vs Tanzania, Tunisia, Uganda & Mozambique - have yet to be received.
Squad remain focus but will NOT train or travel to Marrakech on Thursday if this isn't resolved. pic.twitter.com/sCuln7Fpzn — Olúwashínà Okeleji (@oluwashina) January 7, 2026
Sipas saj, skuadra mbetet e fokusuar, "por NUK do të stërvitet ose udhëtojë për në Marrakesh të enjten nëse kjo çështje nuk zgjidhet".
Nigeria ka pasur një performancë mbresëlënëse në turne deri më tani, duke fituar të tre ndeshjet e fazës së grupeve dhe më pas duke mundur Mozambikun 4-0 në raundin e 16-tave për të siguruar një vend në çerekfinale kundër Algjerisë. Megjithatë, mosmarrëveshja për bonuset kërcënon përgatitjet e ekipit për fazën vendimtare të garës.
Three-time #AFCON champions #Nigeria have a strange ability to self-sabotage.
Officials made a promise to the players & coaching staff ahead of the #AFCON2025 tournament.
Situata kujton incidentet e mëparshme, veçanërisht gjatë kualifikimeve afrikane të vitit të kaluar për Kupën e Botës 2026 në Marok, kur lojtarët dhe stafi bojkotuan stërvitjen në Rabat për shkak të tarifave dhe bonuseve të papaguara.
Në atë kohë, ish-kapiteni William Troost-Ekongo udhëhoqi kërkesën për pagesa para ndeshjes kundër Gabonit, duke rihapur pyetje mbi trajtimin e lojtarëve dhe administratën e futbollit nigerian.
Mosmarrëveshja e fundit vjen vetëm 24 orë pas deklaratës së Federatës së Futbollit të Nigerisë (NFF), e cila hodhi poshtë raportet për trazira në kamp. Pas fitores ndaj Mozambikut, pati spekulime për tensione midis Victor Osimhen dhe Ademola Lookman.
Administratori i ekipit, Dayo Enebi Achor, u shpreh: "Nuk ka probleme në kampin tonë. Ajo që u pa si një krizë u zgjidh brenda disa orësh. Gjithçka është në rregull dhe aktualisht jemi në stërvitje".
Ai shtoi gjithashtu se sulmuesi Jerome Akor Adams nuk ka pasur probleme disiplinore: "Ai mori leje për të vizituar nënën e tij e cila ishte shtruar në spital këtu në Fes dhe u kthye në më pak se një orë".
Megjithatë, federata ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike lidhur me pagesat e diskutueshme të bonuseve për lojtarët dhe stafin teknik. /Telegrafi/