Problematikat e sigurisë, transparencës dhe rehabilitimit në sistemin penitenciar shqiptar rikthehen vazhdimisht në vëmendjen e opinionit publik, zakonisht përmes ngjarjeve të rënda apo skandaleve që zbulojnë dobësi strukturore.
Në këtë intervistë, juristi Niazi Jaho ndalet te funksionimi i burgjeve, përgjegjësitë e administratës, boshllëqet ligjore dhe mungesa e transparencës institucionale, duke ofruar një lexim kritik të gjendjes aktuale dhe të standardeve që Shqipëria është e detyruar të zbatojë.
– Z. Jaho, herë pas here informohet publiku se në burgjet tona futen sende të ndaluara si p.sh. celularë, drogë, etj. A tregon kjo se niveli i sigurisë nuk është ai që kërkohet.
– Sigurisht që po, sidomos kur raste të tilla ndodhin shpesh. Ligji është i qartë. Shkeljet janë evidente: mungesë kontrolli, kontrolle të përcipta, korrupsion.
– Flagrante ishte ngjarja e Durrësit që u aratis i paraburgosuri A.N me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Kjo ngjarje u transmetua nga TV-të. Njerëzit u shqetësuan jo thjesht për rrezikshmërinë e këtij personi, por sidomos për faktin se mënyra e arratisjes tregonte haptazi implikimin e vet personelit të burgjeve me pasoja të rënda për sigurinë. Në fakt për rastin u morën disa masa të shpejta. A mendoni se ato do të jenë të efektshme?
– Në një rast të tillë natyrisht që duheshin marrë masa të shpejta: procedime penale, ndëshkime administrative, etj. Hetimi do të konkretizojë si u organizua kjo arratisje në mes të ditës.
Por unë jam i prirur ta shikoj çështjen në një aspekt tjetër. Konkretisht: mos vallë ka boshllëqe në ligjin dhe aktet nënligjore lidhur me rekrutimin (marrjen në punë) të personelit të burgjeve, ose mos vallë testimi nuk është rigoroz, është disi formal me justifikimin se duhet “të plotësojmë organikën”. Nëse ka ndodhur kështu, pasojat e dëmshme vërtetohen në praktikë. Pastërtia e figurës (integriteti) dhe aftësia profesionale janë kritere përcaktuese në zbatimin rigoroz të ligjit.
Në nenin 30 dhe 31 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” bëhet fjalë për detyrat e personelit të institucionit (burgut) si dhe për përgjegjësitë e Policisë së burgjeve. Megjithkëtë, kam mendimin se këto dispozita ka vend të rishikohen. Veç kësaj, mendoj se duhet të rishikohen rregullat (kriteret) për rekrutimin në burgje. Nxitje për këtë sugjerim u bë njohja me masat (normat) minimale që duhen zbatuar në burgjet dhe që janë miratuar nga OKB-ja. Këto norma janë të detyrueshme për zbatim. Në paragrafin 14 të këtij dokumenti të titulluar “çështje të kualifikimit” veç të tjerave, thuhet se kualifikimi duhet të përfshijë të paktën këto fusha: njohuri mbi të drejtat kushtetuese, të drejtën penale, dhe të procedurës penale, dispozitat që zbatohen në burgje, rregullat standart minimum të OKB-së, të drejtat e njeriut, njohuri mbi kriminologjinë, njohuri për parandalimin e vetëvrasjeve, si duhet vepruar për të burgosurit e dhunshëm, kur duhet përdorur forcë përfshirë vetëmbrojtjen, njohuri në fushën e psikologjisë, trajtimin e përdoruesve të drogës, etj (shih faqen 152-153 të Librit “Si ti bëjmë normat të zbatueshme”, botim i vitti 1995).
– Tërheq vëmendjen fakti se opinioni publik informohet kryesisht për ngjarje apo incidente të ndryshme, korrupsionin në burgje dhe procedimin penal të disa personave, për lëvizjet e shpeshta të drejtorëve, etj. Sipas jush përse ndodh kjo, përse transparenca është relativisht e dobët?
– Kjo është pyetje e rëndësishme dhe aktuale. Do të shpreh disa mendime edhe pse mund të jenë të diskutueshme. Së pari, mendoj se ky është problem që ka të bëjë me transparencën. Publiku i gjerë nuk di çfarë ndodh në burgje. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk zbaton pikën 7 të nenit 26 të ligjit nr. 81/2020 ku thuhet se ajo “duhet të informojë në mënyrë të vazhdueshme publikun për veprimtarinë e saj, në mnëyrë që të kuptohet më mirë roli i sistemit të burgjeve në trajtimin e të burgosurve”.
Së dyti: Ekziston koncepti i fshehtësisë. Në paragrafin 22 të manualit që përmendëm më lart thuhet se: “Ka një prirje që të burgosurit të konceptohen si qënie që kanë bërë mëkate dhe që duhet të hidhen në qeli të zymtë për një periudhë të konsiderueshme kohe”.
Së treti: Megjithse media ka për mision të marrë informacion dhe t’ja transmetojë atë publikut, ajo, kufizohet kryesisht me informacionin për incidentet, korrupsionin, futjen e sendeve të ndaluara, procedimet penale, etj. Përse media nuk kërkon informacion si punohet për rehabilimtin e të burgosurve, për të drejtat që ata kanë, si trajtohen të miturit, etj?
– A ka mbipopullim në burgjet tona?
– Këtë nuk e di. Nuk disponoj të dhëna. Por mund të them se nuk do të kishte mbbipopullim nëse do të siguroheshin standartet e përcaktuara në ligj, që kubatura e qelisë (dhomës) të jetë jo më pak se 9m3 dhe sipërfaqja e banimit jo më pak se 4m2 për çdo të burgosur, dritare që mundësojnë ajrim të mjaftueshëm dhe ndriçim natyral normal për të lexuar dhe punuar, ndërsa në regjimin e posaçëm duhet që ato të jenë jo më pak se 6m2 dhe kubatura jo më pak se 9m3.
Në periudha të caktuara dhe në raste të veçanta, mund të krijohet përkohësisht mbipopullimi. Ai mund të bëhet shqetësues kur është i vazhdueshëm dhe që mund të diskutohet trajtimi çnjerëzor dhe degradues (Neni 3 i KEDNJ). Gjykata e Strasburgut kur ka trajtuar çështje të tilla, nuk i ka justifikuar pretendimet se mbipopullimi është shkaktuar për mungesë fondesh.
– Sipas jush cila është detyra kryesore e administratës së burgjeve?
– Rehabilitimi i të burgosurve, trajtimi me dinjitet i tyre, respektimi i të drejtave dhe lirive që u garanton ligji, parandalimi i sjelljeve ose trajtimit mizor, çnjerëzor, poshtërues apo degradues. Të miturit dhe gratë duhen trajtuar në mënyrë të veçantë. Të respektohet e drejta e ankimit dhe mos teprohet me masa ndëshkimore.
Rehabilitimi synon riintegrimin (riasocimin) në shoqëri (mbas lirimit). Pregatitja për integrim, sipas nenit 12 të ligjit fillon me paraburgimin, vazhdon gjatë kryerjes së dënimit si dhe pas lirimit.
– Ç’farë thuhet në ligje për regjimin e posaçëm?
– Ky regjim zbatohet në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë. Ai zbatohet ndaj personave me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, pjesëmarrës në grup të strukturuar kriminal, banda të armatosura, organizatë terroriste ose për vepra me qëllime terroriste. Ata që vendosen në këtë rregjim, kanë disa kufizime në krahasim me të tjerët. E megjithkëtë edhe këta kanë të drejtën e ankimit.
– Lidhur me takimet me të burgosur ka patur disa ankesa. Pretendohet se u kufizohet ose u mohoet kjo e drejtë. Ç’thuhet në ligje për këtë?
– Në nenin 49 të ligjit për takimet, vizitat, korrespondencat dhe informacionet në rastet e të paraburgosurve “merret miratimi paraprak me shkrim i prokurorit”. Të paraburgosurit kanë të drejtë të komunikojnë me median, me përjashtim të rasteve kur ka shkaqe të arësyeshme që përligjen dhe që kanë të bëjnë “me ruajtjen e sigurisë brenda institucionit…”. Për hyrjen e mediave në institucion në rastin e të paraburgosurve merret miratimi paraprak me shkrim i prokurorit.
Përsa i përket hyrjes në institucion të disa personave siç janë p.sh. Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, etj, nuk është e nevojshme marrja e autorizimit.
– Po përfaqësuesit e BE-së a mund të hyjnë në këto institucione pa autorizim?
– Në nenin 51 të ligjit nr. 81/2020 thuhet: “Të drejtën të hyjnë pa autorizim në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, e kanë edhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, në kuadër të angazhimeve të marra përsipër nga Republika e Shqipërisë gjatë kryerjes së vizitave monitoruese”.
– Më sipër u trajtua çështja e riasocimit që do të thotë lirimi i të burgosurve kur u mbaron koha e vuajtjes së dënimit. Në këto raste administrata e burgjeve a ka ndonjë detyrim ligjor?
– Për këtë çështje bëhet fjalë në nenin 59 të Ligjit. Midis të tjerave në pikën 3 të këtij neni thuhet: “Për të mbështetur procesin e riintegrimit të të liruarit, në rastet kur rezulton se ai do të përballet me vështirësi pas daljes nga institucioni, njoftohet njësia përkatëse e vetqeverisjes vendore e vendbanimit të tij për të mundësuar asistencë të mëtejshme.” Për të miturit dhe gratë pregatitet një plan i veçantë, ndërsa në pikën 6 të këtij neni thuhet: “Gjykata që ka dhënë vendimin, prokurori që ka udhëruar ekzekutimin e vendimit, ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike dhe policia e shtetit njoftohen mënjëherë për të dënuarin e liruar”.
– A është i mjaftueshëm ky detyrim ligjor dhe a ndiqet situata, veprimet që ndermerren, ndihmesa që u jepet të liruarve. Kështu p.sh. brenda 3 ose 5 vjetëve mund të jenë liruar 2000 persona. Ç’farë pune është bërë me ta, a janë sistemuar në punë ose jo, a janë strehuar, etj?
– Nuk ka ndonjë informacion për këtë. Siç përmendëm edhe më sipër ngarkohen disa institucione, por nuk është kryer ndonjë monitorim ose të jetë bërë ndonjë analizë. Kam përshtypjen se për këtë nuk ka patur interes. Në fakt, përmbajtja e nenit 59 të ligjit ka qenë vetëm një orientim apo “detyrim formal” i disa institucioneve. Prandaj do të sugjeroja që ky problem të shqyrtohet për të realizuar synimin. Ekziston mundësia (rreziku) që nëse ato që përmenden në nenin 59 të ligjit, nuk shoqërohen me ndjekjen dhe zbatimin e tyre në praktikë një pjesë e të liruarve mund të kthehen përsëri në burg, për arsye nga më të ndryshmet siç mund të jenë: kryerja e veprave penale, përfshirja në grupe kriminale, etj.
Lidhur me këtë çështje do të sugjeroja që ky problem të vlerësohej seriozisht, të analizohej gjendja për një periudhë 3 ose 5 vjeçare. Kam parasysh se së shpejti sipas amnistisë penale që do të miratohet mund të lirohen rreth 500 të dënuar.
Intervistoi: Zylyftar Bregu