Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

GJKKO lë në arrest me burg Ilir Metën

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) rrëzoi sot kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për lirimin nga qelia.

Meta kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë në një masë më të lehtë, me argumentimin se nuk përbën rrezik për prishjen e provave, intimidimin e dëshmitarëve apo të largohet nga vendi. Por gjyqtari Erion Çela vendosi të lërë në fuqi masën “arrest me burg”.

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani tha se nuk kishte asnjë bazë ligjore për rrëzimin e kërkesës.

“Mbeti gjykatë e kapur peng, mbeti gjyqtare-notere e prokurorisë. Ne do vazhdojmë betejën tonë, do kërkojmë zëvendësimin. Do e kërkojmë atë pasi jemi në të drejtën tonë procedurale. Nuk mund të mbahet në paraburgim një president për shkaqe që nuk varen nga ai. Nuk mund të mbahet Meta në paraburgim. Ai paraqitet në çdo seancë dhe shkaqet për zvarritje janë të gjykatës. Zvarritja e procesit gjyqësor duhet të shikohet nga prokuroria dhe gjykata.

“Mendova se vit i ri dhe gjykata do kishte reflektuar, me gjithë problematikat që ka shfaqur vitin e kaluar dhe menduam që ta niste vitin mbarë duke i dhënë një të drejtë procedurale, ligjore, që presidenti të vazhdonte hetimin ose gjykimin në një masë tjetër sigurimi që ne ia lamë në dëshirën e gjykatës”, tha ai.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka  përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Ilir Metës.

Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” në tre raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

/m.q/r.e/a.f/

The post GJKKO lë në arrest me burg Ilir Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD kërkon sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, kërkojnë sërish mbledhjen e Këshillit, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

PD kërkon që Këshilli i Mandateve të mblidhet ditën e martë, më datë 6 janar. Sipas PD-së, mazhoranca po bllokon procesin e heqjes së imunitetit për Ballukun, duke penguar në këtë mënyrë edhe drejtësinë që të kryejë hetim të plotë.

Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogorasë”.

/m.q/r.e/a.f/

The post PD kërkon sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejtoria e Burgjeve: Nuk ka pasur vonesa për transferimin e Veliajt

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve reagoi sot në lidhje me reagimet e publikuara në medie mbi pretendimet për moszbatimin e orarit të transferimit të kryebashkiakut Erion Veliaj drejt Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke i cilësuar si të pavërteta.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, “Forcat e Policisë së Burgjeve, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kanë njoftuar në kohë shtetasin E.V. për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore. Mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V. ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar”.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se “për çdo vonesë apo ndryshim orari, kancelaria e gjykatës njoftohet zyrtarisht dhe se nga ana jonë nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor”.

Ndërkaq, sipas medieve, seanca gjyqësore për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që ishte parashikuar të mbahej sot, u shty për në datën 19 janar.

/m.q/r.e/a.f/

The post Drejtoria e Burgjeve: Nuk ka pasur vonesa për transferimin e Veliajt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: SPAK ka shtuar akuzat ndaj meje, jep konkluzione alogjike

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së, për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të prokurorisë theksoi se ndaj tij është shtuar akuzë fakti që fëmijët e tij kanë përfituar nga privatizimi i banesave.

“Sa për t’ju informuar, se në akuzat kundër Sali Berishës rezulton edhe fakti se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë duke qëndruar në pushtet gjer në vitin 1997, shtetasit Malltezi, që në atë kohë nuk kanë asnjë lidhje me dosjen “Partizani”, konstatohet se kanë filluar investimet në përfitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme.

“Tani dëgjojeni se cilat janë pasuritë: Referuar deklaratave të dorëzuara në ILDKP të pasurisë, konstatohet se shtetasja Argita Malltezi ka evidentuar në deklaratën e saj për vitin 1993 pronësinë vetëm të një apartamenti banimi me sipërfaqe 77 metra katrorë në rrugën “Myzeqari”, përfituar nga privatizimi, pjesa që zotëron një e treta e apartamentit.

“Gjithashtu Sali Berisha deklaron se zotëron një apartament 3 plus 1, të privatizuar, të drejtë reale zotërojnë bashkëjetuesit, bashkëshortja dhe djali. Tani kjo, se vajza ime dhe djali im, në përputhje me ligjin, vajza ime ka zotëruar një të tretën e apartamentit siç i takonte në atë kohë, sepse ishte mbi 18 vjeç dhe ligji i privatizimit të banesave parashikonte që fëmijët mbi 18 vjeç të përfitojnë. Kjo është dhënë si një akuzë për korrupsion nga prokuroria politike”, tha Berisha.

Sipas Berishës, prokuroria jep konkluzione që jo vetëm nuk kanë lidhje me faktet, por janë alogjike.

“Për shembull, Prokuroria e Posaçme në mënyrë që të rëndojë sa më shumë faktet, pavarësisht se nuk jep natyrë penale, shprehet se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur president duke qëndruar në pushtet deri në vitin 1997, shtetasit Malltezi konstatohet se kanë filluar investime për fitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme. Shtetasit Malltezi kanë përfituar siç kanë përfituar 1 milion shqiptarë nga privatizimi i banesave. Në atë kohë që të dy nuk kanë qenë kryefamiljarë, por kanë qenë anëtarë të familjeve që kanë privatizuar në përputhje me Ligjin 7652”, tha Berisha.

Berisha shtoi se kjo është e reja e akuzës së ish-kreut të SPAK, Altin Dumanit.

Gjatë fjalës së tij Berisha bëri të ditur se ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese masën e Apelit të GJKKO “detyrim paraqitje”. Sipas Berishës, Gjykata Kushtetuese u mblodh në seancë plenare për masën e tij, por nuk shpalli vendim.

“Njoftimi u mor sepse avokati im bëri shkresë dhe kërkoi njoftim se çfarë vendimi morët. Po meqenëse votat nuk u dolën për vendimin që donin, atëherë thanë se nuk kishte seancë, dhe do mblidhen në seancë plenare. Këta ishin në seancë plenare. Këta tregojnë se janë një grup mjeranësh, organizatë e mirëfilltë e PS-së, gjykatë e turpit që vepron në këtë mënyrë”, tha Berisha.

Berisha dënoi gjithashtu edhe “dhunën policore ndaj protestës së organizuar nga “Shqipëria bëhet” e Adriatik Lapajt”.

“E kam dënuar me forcën më të madhe që dje. Akt i shëmtuar. Edi Rama i tmerruar nga çdo protestë, sepse çdo protestë iu kujton shqiptarëve dhe botës se Ramaduro është në pushtet”, tha ai.

I pyetur lidhur me zgjedhjen e Klodian Brahos si drejtues i ri i SPAK dhe qëndrimin e Partisë Demokratike, Berisha theksoi se opozita do ta vlerësojë çdo drejtues apo punonjës të institucioneve të drejtësisë në bazë të respektimit të ligjit.

“Drejtuesi i ri, e thashë dhe një herë, çdo drejtues dhe punonjës i këtij institucioni që zbaton ligjin, ka dhe do të ketë vlerësimin dhe mbështetjen e plotë të opozitës shqiptare”, tha Berisha.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

/m.q/r.e/a.f/

The post Berisha: SPAK ka shtuar akuzat ndaj meje, jep konkluzione alogjike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zënie e hapësirës publike dhe dhunë gjatë protestës, 4 të arrestuar dhe 9 në hetim

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Policia e Tiranës arrestoi katër protestues të Lëvizjes “Shqipëria bëhet” dhe vuri nën hetim gjashtë të tjerë, pasi sipas saj, gjatë protestës së zhvilluar dje, u hodhën sende të forta të drejtim të Policisë së Shtetit, ku për pasojë u plagosën dy efektivë.

Policia njoftoi se ka vënë në pranga shtetasit “E. H., 30 vjeç, A. M., 40 vjeç, E. H., 39 vjeç dhe E. Ll., 41 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit V. H., A. Sh., E. L., A. B., A. Sh. dhe M. Xh., pasi dje, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të protestës, kanë hedhur sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë. Si pasojë, u dëmtuan dy punonjës policie, njëri prej të cilëve vijon ende në spital”.

Gjithashtu, policia procedoi penalisht edhe tre protestues të tjerë, përfshirë edhe drejtuesin e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, për zaptim të hapësirës publike përpara Kryeministrisë

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. L., E. K. dhe A. P., pasi kanë pushtuar hapësirën publike përpara Kryeministrisë, duke vendosur një çadër dhe objekte të tjera, pa leje dhe në kundërshtim me urdhrin e punonjësve të Policisë”, njoftoi policia.

/m.q/a.f/r.e/

The post Zënie e hapësirës publike dhe dhunë gjatë protestës, 4 të arrestuar dhe 9 në hetim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Beci: Zhbllokohet aksi Qafë Thore-Theth, nesër nis ndërhyrja për hapjen e rrugës Kir-Shosh

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Aksi rrugor Qafë Thore-Theth është tashmë i hapur për qarkullim, pas bllokimit si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, theksoi se zhbllokimi i aksit rrugor u krye pas punës intensive në terren.

“Qarkullimi vijon normalisht, ndërsa ndërhyrjet kanë garantuar siguri për drejtuesit e mjeteve”, shkroi Beci.

Sipas Becit strukturat përgjegjëse mbeten në monitorim të vazhdueshëm, në varësi të kushteve të motit.

“Këshillohet lëvizje me kujdes dhe respektim i rregullave të sigurisë”, nënvizoi Beci.

Gjithashtu, Beci bëri të ditur se nesër do të nisë ndërhyrja për hapjen e rrugës Kir-Shosh.

“Në vendin e quajtur Gështenja e Thaçit, në Njësinë Administrative Pult, pjesë e segmentit Kir-Shosh, është evidentuar rrëshqitje inertesh, e cila ka shkaktuar bllokimin e qarkullimit rrugor. Bashkia ka organizuar grupin e ndërhyrjes dhe do të nisë punën në terren për hapjen e segmentit dhe rikthimin e qarkullimit sa më shpejt të jetë e mundur”, njoftoi Beci.

Beci u bëri thirrje qytetarëve që deri në përfundimin e punimeve të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet në këtë aks.

“Jemi në ndjekje të situatës dhe do të informojmë në vijim për çdo zhvillim”, tha ai.

/m.q/r.e/

The post Beci: Zhbllokohet aksi Qafë Thore-Theth, nesër nis ndërhyrja për hapjen e rrugës Kir-Shosh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IGJEO: Të dielën priten reshje me intensitet të lartë kryesisht në veri dhe jug

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Vendi ynë është përfshirë sot nga reshje shiu. Instituti i Gjeoshkencave njoftoi se sot pasdite dhe nesër do të ketë reshje me intensitet të lartë kryesisht në veri dhe jug të vendit.

IGJEO bëri të ditur se “në qarqet Shkodër dhe Kukës mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve”.

Sipas llogaritjeve të IGJEO përgjatë datave (3 -7 janar) priten reshje intensive, kryesisht në veri dhe jug të vendit. Këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, në liqenin e Shkodrës, si dhe në lumenjtë Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Në qarqet qarqet Dibër, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër nesër priten reshje mesatare deri lokalisht intensive, shoqëruar me shtrëngata. Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare.

1 nga 2

/m.q/r.e/

The post IGJEO: Të dielën priten reshje me intensitet të lartë kryesisht në veri dhe jug appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kamerat kurth zbulojnë larmishmërinë e botës së egër në parqet kombëtare

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Kamerat kurth të vendosura në zonat e mbrojtura kanë dokumentuar jetën e botës së egër në vendin tonë, duke regjistruar imazhe e video të kafshëve në habitatin e tyre natyror.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ndau sot një video nga bota e larmishme e faunës së egër.

“Nga parqet tona kombëtare e natyrore, vijnë pamjet unike të “banorëve” të këtyre habitateve, falë kamerave kurth dhe kujdesit të specialistëve të zonave të mbrojtura”, shkruan Jaupaj.

Nga kamerat kurth janë arritur të identifikohen kafshë të ndryshme si ujku, macja e egër, kormorani i madh (shpend shtegtar), baldosa (vjedulla), dhelpra, pata e egër, sorkadhja, një tufë çakejsh si dhe lejleku.

Vendosja e kamerave kurth në zonat e mbrojtura ka për qëllim vrojtimin e faunës së egër që ndodhet në këto zona si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e natyrës. Llojet e faunës së egër jetojnë të qeta në habitatet e tyre falë moratoriumit të gjuetisë.

/m.q/r.e/

The post Kamerat kurth zbulojnë larmishmërinë e botës së egër në parqet kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sistem ngrohje dhe infrastrukturë moderne në shkollën “Naim Frashëri” në Elbasan

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Në Elbasan ka nisur puna dhe shumë shpejt shkolla “Naim Frashëri” do të ofrojë kushte më të mira për 673 nxënësit e saj.

Kështu bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “projekti sjell infrastrukturë moderne për nxënësit me sisteme ngrohjeje, laboratorë, sallë multifunksionale dhe ambiente sportive të brendshme e të jashtme”.

Gjithashtu Rama theksoi se “do të krijohen hapësira të reja për t’iu përgjigjur numrit të madh të nxënësve dhe për të ofruar një mjedis të denjë edhe për edukimin parashkollor”.

Shkolla “Naim Frashëri” – e themeluar për herë të parë në vitin 1908 – është një ndër institucionet më të hershme arsimore në qytetin e Elbasanit. Godina aktuale ku funksionon shkolla është ndërtuar në vitin 1967 dhe që prej asaj kohe ka shërbyer si një vatër e rëndësishme formimi për breza të tërë nxënësish.

Me këtë rikonstruksion, ajo nuk do të jetë vetëm një shkollë moderne, por edhe një simbol i respektit për trashëgiminë dhe përkushtimit për të ardhmen.

/m.q/r.e/

The post Sistem ngrohje dhe infrastrukturë moderne në shkollën “Naim Frashëri” në Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në Crans Montana, ambasada zvicerane në Tiranë: Kujtojmë 40 të rinjtë që humbën jetën

TIRANË, 2 janar /ATSH/ Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, shprehu sot ngushëllimet për humbjet e jetëve nga zjarri që shpërtheu në një bar, në Crans Montana në Zvicër.

“Në këtë fillim të Vitit të Ri, ndalemi për të kujtuar 40 të rinjtë që humbën jetën në një zjarr shkatërrues gjatë festimeve në Crans Montana, Zvicër”, shkruan ambasada zvicerane.

Më tej ambasada theksoi se “siç deklaroi Presidenti i Zvicrës, kjo është “një nga tragjeditë më të këqija që ka përjetuar vendi ynë”.

“U shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të tyre dhe urime të përzemërta për shërim dhe rikuperim të plagosurve”.

Ambasada zvicerane e mbyll reagimin duke falenderuar të gjithë ata që “kanë shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin e tyre”.

/m.q/j.p/

The post Zjarri në Crans Montana, ambasada zvicerane në Tiranë: Kujtojmë 40 të rinjtë që humbën jetën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Proda: Bashkëpunim profesional i policisë me prokurorisë për zbardhjen e vrasjes në Shkodër

TIRANË, 2 janar /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, përgëzoi policinë e Shkodrës për zbardhjen e vrasjes me lëndë eksplozive të komanduar në distancë dhe për bashkëpunimin dhe koordinimin mjaft efikas me Prokurorinë e Shkodrës.

“Falënderoj dhe përgëzoj publikisht Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, strukturat hetimore dhe të gjitha forcat e angazhuara, si dhe Prokurorinë, për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional që çoi në zbardhjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale, të kryer me përdorimin e lëndës eksplozive të komanduar në distance”, shkroi Proda.

Proda theksoi se “ky është një nga rastet ku pasqyrohet puna serioze dhe profesionale, e koordinuar dhe këmbëngulëse e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të plotë me organin e akuzës”.

“Këto rezultate dekurajojnë veprimtarinë kriminale dhe forcojnë më tej besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, e cila do të vijojë të jetë e vendosur në misionin e saj për garantimin e rendit, sigurisë, jetës, dhe pronës së qytetarëve”, e përmbylli Proda reagimin e tij.

/m.q/j.p/

The post Proda: Bashkëpunim profesional i policisë me prokurorisë për zbardhjen e vrasjes në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zbardhet vrasja me eksploziv në Shkodër, 4 të arrestuar

TIRANË, 2 janar /ATSH/ Policia e Shkodrës njoftoi sot se ka zbardhur vrasjen me lëndë eksplozive të H. Y., e kryer më 29 dhjetor 2025, në lagjen “Manush Alimani” dhe ka vënë në pranga 4 persona.

Policia bëri të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Shadows”, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: G. B., 27 vjeç; E. I., 27 vjeç; E. H., 25 vjeç; Gj. Z., 24 vjeç.

“Ndalimi i tyre u bë pasi ka dyshime të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta shtetas, kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi H. Y”, njoftoi policia.

Sipas policisë “gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të vendeve dhe ambienteve, si dhe kontrolleve personale, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provave materiale: 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop”.

Policia bëri të ditur se vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim; dhe “Prishja e qetësisë publike”.

/m.q/j.p/

The post Zbardhet vrasja me eksploziv në Shkodër, 4 të arrestuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksident në aksin Lezhë-Mabë, humb jetën çifti i bashkëshortëve

TIRANË, 2 janar /ATSH/ Një aksident i rëndë, me pasojë me dy të vdekur, ndodhi mëngjesin e sotëm në Lezhë.

Policia njoftoi se “rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Lezhë–Mabë”, në vendin e quajtur Gocaj, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete: automjeti me drejtues shtetasin F. L. dhe automjeti me drejtues shtetasin P. F.

“Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtetasi P. F., rreth 53 vjeç, si dhe pasagjerja në këtë mjet, shtetasja E. F., rreth 45 vjeç, bashkëshortë”, njoftoi policia.

Gjithashtu, sipas policisë janë dëmtuar 3 pasagjerë që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin F. L., konkretisht bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.

/m.q/j.p/

The post Aksident në aksin Lezhë-Mabë, humb jetën çifti i bashkëshortëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Liqeni i Shkodrës në Zogaj, “shtëpi” për larmi lloje zogjsh

TIRANË, 2 janar /ATSH/ Fshati Zogaj, i ndodhur 3-4 km përtej Shirokës, buzë liqenit të Shkodrës, ofron një biodiversiteti të larmishëm dhe peizazhe piktoreske, duke e bërë këtë fshat një nga më të bukurit për t’u vizituar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga tufa zogjsh të cilët fluturojnë mbi liqenin e Shkodrës në fshatin Zogaj.

Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut. Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionale, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuar nga turistët.

Zogaj është i njohur jo vetëm për peshkimin, bimët mjekësore, natyrën e virgjër dhe klimën alpine, por dhe për gatimet tradicionale. Këtu mund të gjeni tavën e famshme të krapit, gatimin tradicional të këtij peshku, të cilin banorët e ruajnë me pasion.

Kjo zonë të jep shumë mundësi argëtimi, sepse ka ujëra të pastër dhe një natyrë të paprekur.

/m.q/j.p/

The post Liqeni i Shkodrës në Zogaj, “shtëpi” për larmi lloje zogjsh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARRSH plan masash për fundvitin, 800 punonjës në terren 24 orë dhe 130 borëpastruese

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hartuar një plan masash, me qëllim garantimin e qarkullimit të sigurt gjatë ndërrimit të viteve.

Drejtori i përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli bëri me dije se temperaturat do të jenë ndjeshëm të ulëta dhe për këtë arsye janë ndërmarrë masa paraprake, veçanërisht në akset rrugore që rrezikojnë bllokimin nga reshjet e dëborës.

Sipas Kozelit, në terren do të jenë në gatishmëri 130 borëpastruese, 577 mjete të tjera ndihmëse, si dhe rreth 800 punonjës, të cilët do të jenë në gatishmëri 24 orë.

“Po ashtu, janë prokuruar 5300 tonë kripë dhe 1800 tonë granil për siguruar që të gjitha akset të jenë të lira nga dëbora”, tha ai.

Kozeli u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve “që të pajisen me goma dimërore dhe të kenë zinxhirë në makinat e tyre kjo për të siguruar që mos të kenë bllokime të akseve dhe qarkullimi të jetë i vazhdueshëm”.

/m.q/a.f/r.e/

The post ARRSH plan masash për fundvitin, 800 punonjës në terren 24 orë dhe 130 borëpastruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla urim për Vitin e Ri: Mbështetje dhe zhvillim për bujqësinë shqiptare

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla përcolli një mesazh urimi për qytetarët dhe fermerët shqiptarë me rastin e ndërrimit të viteve, duke vënë theksin te roli i fermerëve në zhvillimin e vendit dhe tek objektivat për vitin e ri.

Në mesazhin e tij, ministri Salla theksoi se ndërrimi i viteve është një moment reflektimi dhe shprese, duke shprehur mirënjohjen për punën, sakrificën dhe kontributin e përditshëm të fermerëve në ndërtimin e një bujqësie më të fortë dhe të një Shqipërie më të zhvilluar. Ai nënvizoi se fermerët shqiptarë janë shtylla e sigurisë ushqimore dhe e ekonomisë rurale, duke mbajtur gjallë tokën, traditën dhe prodhimin vendas edhe në kohë të vështira.

Ministri Salla bëri të ditur se Viti i Ri nis me ambicie të reja për sektorin bujqësor, me më shumë mbështetje për fermerët, më shumë investime, rritje të digjitalizimit dhe zgjerim të mundësive për produktet shqiptare në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

Në përmbyllje të mesazhit, ai uroi që viti i ri të shënojë një hap përpara drejt zhvillimit, bashkëpunimit dhe mirëqenies për çdo familje shqiptare, duke përcjellë urimet për shëndet, paqe dhe mbarësi.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e mbylli mesazhin e tij me urimin: Gëzuar Vitin e Ri!

/m.q/a.f/r.e/

The post Salla urim për Vitin e Ri: Mbështetje dhe zhvillim për bujqësinë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Urimi i ambasadës së SHBA për Vitin e Ri: Partneriteti ynë forcohet përmes vlerave të përbashkëta

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë uroi sot qytetarët për Vitin e Ri.

Përmes një videomesazhi, Ambasada amerikane nënvizoi se “ndërsa viti po i afrohet fundit, duam të festojmë arritjet tona më të mëdha dhe gjithë entuziazmin për atë që do të vijë në vitin 2026!”.

Ambasada e SHBA theksoi se partneriteti mes dy vendeve vazhdon të forcohet përmes qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta.

“Nga vizita historike e USS Mount Whitney në brigjet e Shqipërisë, te Shtetet e Bashkuara që do të presin ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare në botë, partneriteti ynë vazhdon të forcohet përmes qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta! Gëzuar Vitin e Ri nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë!”, shkroi Ambasada amerikane.

/m.q/a.f/r.e/

The post Urimi i ambasadës së SHBA për Vitin e Ri: Partneriteti ynë forcohet përmes vlerave të përbashkëta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërrimi i viteve, urgjenca e QSUNT-së në gatishmëri të pandërprerë

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Në prag të ndërrimit të viteve, urgjenca kombëtare e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, së bashku me ekipet e urgjencës mjekësore në të gjithë vendin qëndron në vijën e parë të shërbimit, larg tryezave familjare, por pranë çdo qytetari që ka nevojë për ndihmë shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala zhvilloi sot një vizitë në QSUNT, prej nga uroi bluzat e bardha për Vitin e Ri.

“Kam ardhur t’ju falënderoj për punën që bëni për mbështetjen që jepni sepse jeni ju këtu në QSUT, por edhe në të gjitha urgjencat e tjera në vend, që ushtroni një profesion fisnik por edhe sakrifikon sepse nuk jeni me familjet tuaja. Bashkëpunoni shumë mirë dhe me shërbimin e urgjencave dhe është një koordinim i mirë, në të gjithë vendin.

“Ju uroj që nata të jetë e qetë faleminderit që jeni në krye të detyrës, sepse kur jeni në një gatishmëri të tillë qytetarët ndihen më të qetë për të kaluar një natë festive siç duhet të jetë dhe ndërrimi i vitit”, tha Sala.

Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se “me gatishmëri të pandërprerë, 24/7, duke garantuar reagim profesional dhe shërbim të sigurt, gjatë 2025, vetëm në QSUNT janë trajtuar 125 mijë raste, ku ditët e fundit kanë marrë shërbim rreth 300 pacientë në ditë.

Mesazhin e ndau në rrjetet sociale edhe kryeministri Edi Rama, i cili shkruan “në prag të ndërrimit të viteve, së bashku me ata që çdo ditë punojnë në shërbim të kujdesit tuaj shëndetësor”.

/m.q/a f/r.e/

The post Ndërrimi i viteve, urgjenca e QSUNT-së në gatishmëri të pandërprerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha mesazh urimi për Vitin e Ri: 2026-a, viti i shpresës së madhe

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në vigjilje të ndërrimit të viteve përmes një mesazhi uroi shqiptarët për Vitin e Ri 2026. Gjatë fjalës së tij Berisha, tha se viti që lamë pas ishte një nga më të vështirët për shqiptarët.

“Sonte ne presim vitin e ri 2026! Ndaj dhe unë nga zemra ju uroj, kudo që ndodheni, në votrat familjare, në lokale, në udhëtime, në Shqipëri, në botë, në institucionet e vuajtjes së dënimit, në spitale: Gëzuar vitin e ri 2026! Viti i ri për të gjithë shqiptarët, për të gjithë njerëzit, është vit shprese.

“Por, siç është tradita, nuk mund të ndahemi nga ky vit pa hedhur një vështrim drejt tij. Viti 2025 ishte një vit që shqiptarët kurrë nuk e meritonin. Ky vit i gjen ata qytetarët më të keqpaguar në Europë. Qytetarët me tavolinat më të pakta, sepse blejnë me çmimet më të shtrenjta, me rroga më të ulëta, me pensionet më të ulëta. Por ky vit i gjen ata gjithashtu me drejtorët, ministrat, qeveritarët më të pasur në Evropë.

“Viti që lamë pas ishte një vit në të cilin kombi u pakësua dhe më shumë. Viti 2025 ishte viti i agonisë së plotë të demokracisë shqiptare. Viti që lamë pas ishte viti i zjarreve, përmbytjeve më të mëdha, të cilat nuk ndodhën vetëm në Shqipëri, por ato për ne shqiptarët erdhën si në një vend pa shtet”, tha Berisha.

Gjatë mesazhit të tij, Berisha tha se “me besim të plotë mund të themi se viti 2026 është viti i shpresës së madhe, për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

“Do bashkohen si kurrë më parë për të shpëtuar demokracinë shqiptare, rikthimin e votës së lirë; Për të shpëtuar familjen shqiptare nga një ligj shkatërrimtar për gjininë dhe familjen; Për të shpëtuar Shqipërinë nga rrokullisja e saj e madhe. Pra, këtë vit çdo shqiptar që e do këtë vend, e fillon si misionar, e fillon në lartësinë e një misioni të madh shpëtimtar. Ndaj dhe unë dua sonte t’ju uroj ju, gëzuar kudo që ndodheni: Një vit të mbarë në lartësinë e shpresave dhe pritshmërive tuaja!”, tha Berisha.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha mesazh urimi për Vitin e Ri: 2026-a, viti i shpresës së madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

441 mijë thirrje në QKUM gjatë 2025, Brataj: Festoni me përgjegjësi

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore u bëri sot thirrje qytetarëve që të festojnë me përgjegjësi dhe kujdes për jetën tyre dhe të të tjerëve.

Kreu i QKUM, Skënder Brataj theksoi se gjatë këtij viti “patëm 441 mijë thirrje, nga të cilat 144 mijë ishin vizita të kryera në shtëpitë tuaja dhe 50 mijë konsulta mjekësore nga njësia e koordinimit”.

Brataj gjithashtu theksoi se qytetarët duhet të tregohen të kujdeshëm në përdorimin e mjeteve piroteknike.

“Mjetet piroteknike përdoren gjatë festave, por keqpërdorimi i tyre përbën rrezik serioz, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë. Rreziqet kryesore janë djegiet e rënda të duarve, fytyrës dhe trupit, dëmtime të syve deri në humbje shikimi, zjarre në ambiente të hapura dhe të mbyllura”, tha ai.

Brataj theksoi se duhet të përdoren vetëm mjetet e certifikuara dhe të lejuara me ligj.

Gjithashtu ai bëri thirrje që fëmijët të mbahen larg tyre.

“Mbani distancë sigurie, mbani fikëse zjarri afër. Mos i ndizni në dorë, mos i drejtoni nga njerëzit, mos i përdorni në ndikimin e alkoolit. Në rast aksidenti si djegie, ftoheni zonën me ujë të rrjedhshëm për 20-25 minuta. Syrin e dëmtuar mos e fërkoni, por mbulojeni lehtë”, tha Brataj.

Brataj gjithashtu bëri thirrje që mos të teprohet në konsumin e alkoolit.

“Festa mbaron, por pasojat zgjasin gjatë gjithë jetës”, e përmbylli Brataj mesazhin.

/m.q/r.e/a.f/

The post 441 mijë thirrje në QKUM gjatë 2025, Brataj: Festoni me përgjegjësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌