Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kosova parakalon në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore



Ceremonia zyrtare e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026 ka nisur sonte (e premte) në Itali, duke shënuar fillimin e një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë.

Lojërat do të zgjasin deri më 22 shkurt, ndërsa garat do të zhvillohen në dhjetë arena të shpërndara në tre rajone të Italisë veriore, me Milanon dhe Cortinën në qendër të vëmendjes.

Në këto Lojëra Olimpike Dimërore do të marrin pjesë 2,871 atletë nga 92 shtete, me një përfaqësim pothuajse të barabartë mes sportistëve dhe sportisteve. Programi përfshin 116 gara për medalje në 16 sporte dimërore.

Mes disiplinave që do të jenë pjesë e garave janë ski alpin, biatlon, hokej mbi akull, patinazh artistik dhe shpejtësie, skeleton, si dhe ski alpinizmi, i cili do të debutojë për herë të parë si disiplinë olimpike.

Kosova do të përfaqësohet në Milano–Cortina 2026 me dy skitarë, Drin Kokaj dhe Kiana Kryeziu.

Ata tashmë kanë parakaluar në ceremoninë madhështore të hapjes, e cila po mbahet në stadiumin legjendar “San Siro” në Milano.

Kjo është hera e tretë që Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore.

Kiana Kryeziu do të garojë në tri disiplina: super sllallom të madh, sllallom të madh dhe sllallom, ndërsa Drin Kokaj do të debutojë në disiplinën e sllallomit./Telegrafi/

Zbulohet se si arriti Yamal ta kapërcejë lëndimin që e mundoi për muaj të tërë



Ka qenë një sezon me ulje-ngritje për Lamine Yamalin, i cili në javët e fundit ka filluar t’i rikthehet nivelit të tij më të mirë te Barcelona.

Në fazën e hershme të edicionit, talenti i ri kishte probleme me pubalgjinë, gjë që ndikoi ndjeshëm në disa nga paraqitjet e tij.

Problemi u evidentua për herë të parë në muajin shtator dhe u përkeqësua gjatë angazhimeve me përfaqësuesen e Spanjës, çka bëri që Yamal të mungonte për disa javë.

Megjithatë, edhe pas rikuperimit fillestar, shqetësimi nuk u zhduk plotësisht.

Siç ka shpjeguar Santi Ovalle për Cadena SER, Lamine Yamal “nuk e dinte për dëmtimin, gjë që është normale, sepse është i ri dhe për të ishte diçka e re.

“Kishte ditë kur ishte perfekt dhe papritur një ditë tjetër dhimbja kthehej… dhe kjo e frustronte”, kanë thënë rrethi i ngushtë i futbollistit.

Pikërisht për këtë arsye, ai e pati të vështirë ta tejkalonte problemin, por situata u përmirësua dukshëm që nga muaji nëntor.

Në atë periudhë, Yamal iu nënshtrua një ndërhyrjeje të lehtë me radiofrekuencë në Belgjikë, e cila pastroi zonën e prekur nga pubalgjia.

Në javët pas ndërhyrjes, ai ende ndiente dhimbje herë pas here, por stafi mjekësor i Barcelonës e këshilloi të vazhdonte punën specifike në atë zonë, edhe në ditët kur nuk kishte dhimbje.

Ky moment rezultoi vendimtar dhe tani problemi konsiderohet pothuajse i tejkaluar.

Lamine Yamal e ka përballuar situatën me bindjen se do të bënte gjithçka për ta kapërcyer pubalgjinë dhe, për fat të mirë për të dhe për Barcelonën, duket se ia ka dalë, edhe pse menaxhimi i ngarkesës do të vazhdojë me kujdes./Telegrafi/

PSG në telashe të mëdha shkaku i Mbappes - ylli francez u ka dërguar përmbaruesin



Avokatët e Kylian Mbappes kanë dërguar, sipas raportimeve të L’Equipe, një ekzekutor gjyqësor te PSG-ja për bonuset e papaguara të pushimeve, në vlerë 5.9 milionë euro.

Ky veprim vjen pasi klubi parisien nuk ka paguar pjesën e kompensimit që ishte urdhëruar më parë nga një gjykatë.

Në një vendim të mëparshëm, PSG-ja u urdhërua të paguajë Mbappes 60.9 milionë euro për bonuset e papaguara, ku 55 milionë euro përfshijnë paga dhe bonuse të tjera.

Nëse klubi nuk përmbush detyrimin, sistemi i drejtësisë mund të shkojë deri te sekuestro e pronave të PSG-së për të rimarrë shumën e detyrueshme.

Mbappe nuk ka komentuar publikisht për veprimin e fundit ligjor, por ka mbajtur qëndrim të prerë për të marrë të gjithë të drejtën e tij të plotë.

Rasti shton tensionet e vazhdueshme mes PSG-së dhe ish-kapitenit të tyre, tashmë te Real Madrid, për çështje financiare dhe kontraktuale.

Ekspertët ligjorë sugjerojnë se sekuestrimi mund të ekzekutohet brenda javësh, nëse PSG-ja dështon të shlyejë borxhin./Telegrafi/

Thellohet kriza e lëndimeve te Real Madridi, lëndohet edhe një tjetër lojtar i rëndësishëm



Real Madrid ka konfirmuar se Rodrygo do të mungojë për një periudhë kohore pas një dëmtimi në kofshën e këmbës së djathtë.

Sulmuesi brazilian nuk stërviti të premten, pasi pësoi dëmtimin të enjten, dhe emri i tij është shtuar në listën e mungesave për udhëtimin drejt Valencias.

‘Los Blancos’ kanë lëshuar një komunikatë të premten në mbrëmje, pas raportimeve se Rodrygo ishte në dyshim për ndeshjen në “Mestalla”, duke konfirmuar kështu dëmtimin.

Sipas Cadena Cope, dëmtimi do ta mbajë Rodrygon jashtë fushës për rreth 10 ditë.

Kjo do të thotë se ai nuk do të luajë ndaj Valencias të dielën në mbrëmje, dhe është në dyshim për ndeshjen kundër Real Sociedad fundjavën tjetër.

Parte médico de Rodrygo.
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) February 6, 2026

Në teori, ai do të ishte në dispozicion për të luajtur ndaj Benficas në Lisbonë, por për atë ndeshje është i pezulluar. Qëllimi kryesor është që ai të jetë i gatshëm për të përballuar Osasunan në “El Sadar” pas pak më shumë se dy javësh.

Kjo i shton dhimbjet e kokës Alvaro Arbeloas, teksa përgatiten për ndeshjen ndaj skuadrës së Carlos Corberan. Rodrygo pritej të luante në krahun e majtë të sulmit, në vend të Vinicius Junior, i cili është i pezulluar.

Edhe Jude Bellingham është në rikuperim për shkak të një dëmtimi të kofshës, që do të thotë se Real Madrid do të jetë pa tre yjet e tij të sulmit./Telegrafi/

“Njerëzit kanë qeshur me mua”, Granit Xhaka zbulon pse zgjodhi Sunderlandin



Granit Xhaka vazhdon të vlerësohet si një prej transferimeve më të mira të këtij edicioni në Ligën Premier. Në Angli, shumë njohës të futbollit e shohin edhe si transferimin më të mirë, duke marrë parasysh ndikimin e madh që po ka te Sunderlandi.

Sunderlandi po udhëhiqet në fushë nga Xhaka, i cili është edhe kapiteni i skuadrës. Ekipi është i vetmi në Ligën Premier pa humbje në shtëpi dhe po synon të sigurojë një vend në Evropë. Kthimi i Sunderlandit në elitë erdhi pas një kohe të gjatë, ndërsa me Xhakën si lider i mesfushës, skuadra po tregon nivel të lartë.

Megjithatë, për momentin Xhaka është i lënduar dhe do të mungojë në ndeshjen ndaj Arsenalit, që zhvillohet të shtunën nga ora 16:00.

Xhaka ka luajtur më parë me sukses të madh te Arsenal, përpara se të kalonte dy sezone te Bayer Leverkusen. Pas kësaj, ai vendosi të kthehej sërish në Angli, këtë herë te Sunderlandi.

Por vendimi i tij nuk u kuptua nga të gjithë. Madje, pati edhe njerëz që qeshën me zgjedhjen e tij, çka Xhaka e ka pranuar në një intervistë për BBC.

“Njerëzit kanë qeshur me mua, të jem i sinqertë. Edhe një pjesë e shokëve më të mirë më kanë thënë ‘pse po kthehesh?’”.

“Më kanë thënë ‘në rregull që po kthehesh, por pse në Sunderland?’. Sepse i dua sfidat. Kam pasur ndjenjë se më duhet një sfidë e re pas dy vjetësh në Gjermani”.

“Në vitin e parë i fituam thuajse të gjitha atje. E fituam Bundesligën pa humbje, e fituam Kupën e Gjermanisë. E humbëm finalen në Ligën e Evropës dhe kjo ishte shumë e dhimbshme”, ka thënë Xhaka.

Derisa ishte i shëndoshë, Xhaka ishte i pazëvendësueshëm në formacionin startues të Sunderlandit, por ai ka munguar në dy ndeshjet e kaluara për shkak të lëndimit. Në këtë sezon, ai ka regjistruar një gol dhe pesë asistime në 22 paraqitje në Ligën Premier.

Xhaka ka treguar se Sunderlandi ishte zgjedhja e duhur për të dhe familjen e tij.

“E kam pasur ndjenjën se është klubi i duhur për mua. Këtë ndjenjë e kam pasur kur kam folur me pronarin e Sunderlandit, kur kam folur me klubin, trajnerin. Njerëzit janë shumë modest këtu”.

“Është qytet i vogël dhe e kam parë saktësisht veten se si jam rritur. Dhe kam dashur të kthehem në realitet. Kam besuar se është drejtimi i duhur për mua dhe për familjen time”.

“Jam shumë i lumtur që çdo gjë ka shkuar shumë mirë, ashtu si kam shpresuar”, përfundoi 33-vjeçari./Telegrafi/

Sergio Ramos në bisedime me gjigantin evropian pas përfundimit të aventurës në Meksikë



Sergio Ramos mund të jetë pranë një rikthimi në futbollin evropian, pasi e kaloi vitin 2025 te klubi meksikan Monterrey.

Ramos konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave, duke fituar 22 trofe gjatë një periudhe 16-vjeçare te Real Madridi, ku përfshihen edhe katër tituj të Ligës së Kampionëve.

Ish-ylli i Madridit është lojtar i lirë që nga fillimi i dhjetorit, pas përfundimit të kontratës me skuadrën e Monterrey.

Pavarësisht se muajin e ardhshëm mbush 40 vjet, Ramos është i vendosur ta vazhdojë karrierën në nivelin më të lartë.

Madje, ai kishte ofruar të luante edhe falas për t’u rikthyer te klubi i fëmijërisë së tij, Sevilla, por oferta e tij u refuzua.

Vendimi për ta mos e rikthyer Ramosin lidhet me ambiciet e ish-reprezentuesit spanjoll për të investuar në klubin nga La Liga, çka do ta bënte atë rival në strukturat drejtuese të presidentit aktual, Jose Maria Del Nido Carrasco.

Megjithatë, Sevilla nuk është alternativa e vetme për një eksperiencë të fundit të Ramosit në Evropë. Sipas gazetarit spanjoll Roberto Gomez, Ramos është në bisedime me klubin francez Marseille.

Raporti thekson se përvoja, lidershipi dhe shpirti garues i mbrojtësit spanjoll përbëjnë një “përshtatje perfekte” për klubin e Ligue 1, i cili synon të rrisë ambiciet sportive.

Bisedimet po ecin në drejtimin e duhur dhe aktualisht nuk priten pengesa, ndërsa konfirmimi zyrtar mund të vijë së shpejti.

Marseille aktualisht renditet në vendin e tretë në kampionat, me nëntë pikë më pak se lideri dhe kampioni në fuqi, Paris Saint-Germain, skuadër me të cilën përballet këtë fundjavë./Telegrafi/

Barcelona identifikon yllin e Arsenalit si zëvendësues potencial të Raphinhas



Barcelona ka hedhur sytë nga Liga Premier për të gjetur një profil shpërthyes, që sjell ekuilibër dhe konkurrencë direkte në krahun e majtë të sulmit.

Në agjendën e drejtuesve të klubit katalanas spikat fort emri i Gabriel Martinellit, i cili po kalon një fazë tranzitore nën drejtimin e Mikel Artetës te Arsenali.

Nevoja për të përforcuar krahun e majtë vjen si pasojë e kalendarit të ngarkuar dhe ofertave të vazhdueshme nga Arabia Saudite për Raphinhan.

Përballë mundësisë së largimit të një prej lojtarëve kyç, Barcelona preferon të veprojë me kohë, duke kërkuar një profil të ri, agresiv dhe me përvojë në elitën e futbollit evropian.

Situata aktuale e sulmuesit brazilian në Londër i lehtëson synimet e klubit të drejtuar nga Joan Laporta, i cili po monitoron nga afër çdo zhvillim në “Emirates Stadium”.

Kontrata e Martinellit me “Topçinjtë” skadon në verën e vitit 2027, duke e bërë afatin kalimtar të radhës një moment vendimtar.

Me hyrjen në vitin e fundit efektiv të kontratës, çmimi i kartonit të tij mund të sillet rreth 45 milionë euro në treg.

Për Barcelonën, kjo përfaqëson një mundësi financiare të mençur për një futbollist që sapo ka kaluar moshën 23-vjeçare.

Nën Artetën, Martinelli ka humbur statusin e titullarit të padiskutueshëm, duke grumbulluar kryesisht minuta si lojtar rotacioni ose si zëvendësues me ndikim.

Megjithatë, pavarësisht se nuk është gjithmonë titullar, paraqitjet e tij janë mbresëlënëse: 10 gola dhe 2 asistime në vetëm 1.297 minuta të luajtura këtë sezon.

Pikërisht ky efikasitet para portës ka bindur analistët teknikë të Barcelonës se Martinelli është profili ideal për të përforcuar skuadrën aktuale./Telegrafi/

Ndihmëstrajneri i Hoffenheimit flet për interesimin e dy gjigantëve gjermanë për Fisnik Asllanin



Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani po kalon një edicion shumë pozitiv me Hoffenheimin në Bundesligën gjermane.

Deri më tani, 23-vjeçari ka shënuar shtatë gola dhe ka regjistruar gjashtë asistime në 21 paraqitje, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sukseset e skuadrës së tij.

Forma e mirë e Asllanit nuk ka kaluar pa u vërejtur në Gjermani.

Sipas mediumeve gjermane, për sulmuesin kosovar kanë shprehur interesim dy gjigantë të futbollit gjerman, Bayern Munichu dhe Borussia Dortmundi. Interesimi është konfirmuar të premten edhe nga mediumi T-Online.


Për paraqitjet dhe potencialin e Asllanit ka folur edhe ndihmëstrajneri i Hoffenheimit, Moritz Volz, i cili e ka vlerësuar lart sulmuesin kosovar.

“Fisniku është djalë i jashtëzakonshëm dhe me të vërtetë lojtar fantastik. Kënaqesh duke e parë jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje”.

“Megjithatë, prioriteti i tij është që të kalojë formë sa më të mirë në Bundesligë dhe me përfaqësuesen. Më pas do të shohim”.

“Fokusi jonë është që ta vazhdojmë punën me Fisin për potencialin që e ka. Deri tani ka shfaqur potencial të madh për moshën që e ka. Por, ka ende shumë hapësirë për zhvillim dhe për përmirësim”, ka deklaruar Volz.

Hoffenheimin të dielën nga ora 17:30 e pret një sfidë e madhe, pasi luan në udhëtim ndaj Bayern Munichut, skuadrës lidere të Bundesligës.

Vlen të theksohet se Hoffenheimi është i vetmi ekip në Bundesligë që i ka fituar të gjitha ndeshjet gjatë muajit janar, duke konfirmuar formën e lartë në këtë fazë të sezonit./Telegrafi/

Florentino Perez dëshiron ta përsërisë rastin Figo – ylli i Barcelonës objektivi i madh i Real Madridit



Në një zhvillim të madh, mediumi spanjoll ElDesmarque raporton se presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka në shënjestër një lëvizje për yllin e Barcelonës, Pedri, në vitin 2027.

Lajmi u bë fillimisht i ditur nga gazetari Siro Lopez në fillim të javës, i cili zbuloi se Perez e shihte nënshkrimin e Pedrit nga Barça si një operacion “ëndrrash”.

Në vitin 2000, Perez i rrëmbeu Barcelonës Luis Figon, në një nga transferimet më famëkeqe në historinë moderne të futbollit.

Tani, Perez ka në shënjestër një lëvizje të ngjashme, me Pedrin në fokus. Sipas raportimit, transferimi do të synohej për sezonin 2027/28, që do të thotë se presidenti i Real Madridit po mendon ta nënshkruajë reprezentuesin spanjoll në verën e vitit 2027.

Duhet kujtuar se Real Madridi ka qenë duke skanuar tregun për mesfushorë, pasi nuk ka arritur të zëvendësojë as Toni Kroos dhe as Luka Modric.

Për rrjedhojë, nënshkrimi i një mesfushori të ri për afatin e ardhshëm kalimtar veror është në krye të agjendës.

Megjithatë, Perez po shikon përtej kësaj dhe është i etur ta bëjë realitet një marrëveshje për Pedrin në vitin 2027.

Sidoqoftë, ky do të ishte një transferim pothuajse i pamundur për disa arsye. Pedri ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2030, ka një klauzolë lirimi prej 1 miliard eurosh dhe, mbi të gjitha, ndjen një përkatësi të fortë ndaj blaugranave.

Real Madridi kishte pasur një mundësi për të nënshkruar mesfushorin spanjoll 23-vjeçar kur atij iu ofrua një provë në moshë të re. Megjithatë, siç e ka konfirmuar vetë lojtari, klubi e refuzoi./Telegrafi/

Benzema përplaset me gazetarin në një intervistë tensionuese pas debutimit me Al-Hilalin



Karim Benzema u përplas me një gazetar në një intervistë të zjarrtë pasi shënoi një hat-trick në debutimin e tij për klubin e ri, Al Hilal.

Ish-sulmuesi i Real Madridit, Benzema, 38 vjeç, refuzoi ofertën për zgjatje kontrate te ish-klubi Al Ittihad për t’u transferuar të hënën te një nga rivalët e tyre më të mëdhenj, Al Hilal.

Ky transferim shkaktoi tronditje në të gjithë Superligën e Arabisë, me ESPN që pretendoi se ylli i Al Nassr, Cristiano Ronaldo, u përpoq të bllokonte kalimin e Benzemas, pasi e konsideronte të padrejtë.

Pretendohet se Ronaldo mendonte se transferimi “tregonte se Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite (PIF) donte t’i hapte rrugën Al Hilal për të fituar titullin” me nënshkrimin e ish-shokut të tij të skuadrës te Madridi.

Ronaldo refuzoi të luante në ndeshjen e Al Nassr kundër Al Riyadh të hënën dhe raportohet se është gati të bojkotojë edhe ndeshjen e radhës kundër ish-klubit të Benzemas, Al Ittihad, të premten.

Pavarësisht veprimeve të Ronaldos, Benzema e përfundoi transferimin te Al Hilal të hënën dhe e nisi në mënyrën perfekte aventurën e tij te klubi i ri – duke shënuar një hat-trick në fitoren 6-0 ndaj Al Akhdoud në transfertë, të enjten në mbrëmje.

Pas ndeshjes, Benzema u përplas me një gazetar pasi u pyet vazhdimisht pse zgjodhi të largohej nga Al Ittihad për t’u bashkuar me Al Hilal.

🚨| Karim Benzema visibly loses his cool after a journalist repeatedly questions him about Al-Ittihad. 😬🔥

📹 @MaanAlquiaepic.twitter.com/yXHl4M1JeW
— FÚTBOL HUB (@futbol_hubX) February 6, 2026

“A doni të flisni për ndeshjen apo doni të flisni për atë? Flisni për ndeshjen”, tha fituesi i Topit të Artë 2022.

“Ishte një paraqitje e bukur. Ndihem mirë. Me këta lojtarë në këtë skuadër, ne luajmë dhe luftojmë së bashku”.

Më pas, një gazetar pyeti: “A do të thotë kjo se ata [lojtarët e Al Hilal] ju ndihmuan më shumë se lojtarët e Al Ittihad?”

Benzema u përgjigj menjëherë: “Nuk thashë këtë. Thashë që ndihem mirë, është ndryshe”.

Sulmuesi u pyet më pas: “Pse nuk u përshëndetët me lojtarët e Al Ittihad?”

Një Benzema dukshëm i irrituar u përgjigj menjëherë: “Çfarë? Ju e dini? Ju e dini? Pyetini ata”./Telegrafi/

Pamje të rralla: Çfarë fshihet pas maskave misterioze në stërvitjen e Real Madridit?



Lojtarët e Real Madridit kanë tërhequr vëmendjen e publikut ditët e fundit duke u stërvitur me maska blu të pazakonta që në shikim të parë ngjajnë me pajisje për stërvitje në kushte të larta lartësie.

Megjithatë, këto maska kanë një qëllim krejtësisht të ndryshëm. Pas aplikimit të tyre qëndron Antonio Pintus, trajneri i kondicionimit të Real Madridit, detyra e të cilit është të monitorojë dhe përmirësojë gjendjen fizike të lojtarëve.

Maskat përdoren gjatë testeve të stresit, dhe Pintus i shpjegoi Real Madrid TV se ato janë "të dizajnuara për të përcaktuar pragjet aerobe dhe anaerobe të lojtarëve, si dhe forcën e tyre aktuale fizike".

Këto janë maska Cosmed K5, të cilat i mundësojnë stafit profesional të matë me saktësi sasinë maksimale të oksigjenit që trupi mund të përdorë gjatë sforcimeve me intensitet të lartë.

🎭 ¡Las máscaras han vuelto! pic.twitter.com/cEiwwYPiUg
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) February 4, 2026

Fizioterapisti sportiv Ben Warburton shpjegoi për BBC Sport se kjo është teknologji e përparuar.

"Real Madridi përdor pajisje të teknologjisë së lartë që u lejojnë lojtarëve të testohen drejtpërdrejt gjatë stërvitjes. Ky është një avantazh i madh sepse ata stërviten dhe mbledhin të dhëna në të njëjtën kohë", tha ai.

Ai shtoi se testet klasike në një pistë vrapimi ose biçikletë do të merrnin shumë kohë dhe do të kërkonin një ndërprerje të stërvitjes, dhe sipërfaqja është dukshëm e ndryshme nga bari.

Kjo qasje i mundëson klubit të kursejë kohë, por edhe të njohë problemet e mundshme më herët, siç janë muskujt e tendosur ose një rënie e parametrave fizikë, duke zvogëluar kështu rrezikun e lëndimeve.

🔛 @ViniJr
🔛 @KMbappe pic.twitter.com/qj5k4aTsLX
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) February 4, 2026

Maskat prodhohen nga kompania italiane Cosmed, e cila deklaron se ato kanë një dizajn anatomik, një mbështetje elastike për një përshtatje të rehatshme dhe të sigurt, si dhe një mbështetje të integruar në mjekër për stabilitet.

Sipas The Athletic, çmimi i një kompleti është rreth 30,000 euro.

Antonio Pintus mbërriti për herë të parë te Real Madridi në vitin 2016 dhe e ka përdorur këtë teknologji që nga vitet 1990, kur punonte te Monaco.

Maskat janë përdorur më parë gjatë mandateve të Carlo Ancelottit, Zinedine Zidanes dhe herë pas here gjatë periudhës kur ekipi drejtohej nga Xabi Alonso./Telegrafi/

Liam Rosenior akuzon Arsenalin për mungesë respekti



Liam Rosenior ka akuzuar Arsenalin për mungesë respekti pas shpërthimit të tij verbal me fjalor të ashpër, përpara humbjes së Chelseat ndaj “Topçinjve” në gjysmëfinalen e Kupës së

Trajneri i ri i Chelseat u filmua duke bërtitur me fjalë fyese drejt lojtarëve të Arsenalit, teksa ata po futeshin në gjysmën e fushës së “Bluve” gjatë nxehjes para ndeshjes.

Rosenior u pa qartë në pamjet e regjistruara gjatë nxehjes para përballjes mes Chelseat dhe Arsenalit në EFL Cup, duke reaguar ashpër ndaj ekipit kundërshtar.

Kamera nuk tregoi saktësisht se kujt po i drejtohej ai, por pas ndeshjes, të cilën Chelsea e humbi 1-0 dhe 4-2 në total, Rosenior akuzoi Arsenalin për mungesë respekti.

Megjithatë, ai sqaroi më vonë se zemërimi i tij nuk ishte i drejtuar ndaj lojtarëve të Arsenalit, por ndaj stafit të tyre trajnerial, të cilin e akuzoi se nuk kishte treguar respektin e duhur ndaj Chelseat.

“Nuk ishin lojtarët. Unë jam respektues. Gjatë nxehjes, secila skuadër ka gjysmën e saj të fushës”.

“Unë kurrë nuk i kam kërkuar ekipit tim apo stafit tim të futen në territorin e kundërshtarit. Në atë moment, nuk mendova se ishte e drejtë mënyra se si ata po vepronin”.

“Ata po ndikonin në nxehjen e lojtarëve të mi dhe të stafit tim. Prandaj u kërkova, ndoshta jo në mënyrën më të sjellshme, që të qëndronin në gjysmën e tyre”.

“Nuk jam këtu për lojëra psikologjike. Thjesht bëhet fjalë për atë që unë e konsideroj të drejtë dhe respektuese. Shpresoj që ne ta respektojmë këtë dhe që edhe skuadrat e tjera ta bëjnë”.

“Ka disa etiketa në futboll. Unë gjithmonë përpiqem të jem sa më respektues. Gjithmonë dua të fitoj, por kurrë nuk u kam kërkuar trajnerëve të mi të tejkalojnë këto kufij. Nuk kam asnjë problem me askënd te Arsenali”, ka deklaruar Rosenior./Telegrafi/

Barcelona vendos në shitje yllin e skuadrës– tre gjigantët anglez ‘trokasin në derë’



Barcelona raportohet se po shqyrton mundësinë e shitjes së një lojtari kyç, teksa tri klube të mëdha të Ligës Premier janë duke “monitoruar” situatën e yllit në prag të afatit kalimtar të verës.

Klubi katalanas aktualisht kryeson La Ligën me një pikë avantazh ndaj rivalëve të përjetshëm, Real Madridit, me edhe 16 ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.

Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick ka qenë në formë të shkëlqyer në repartin ofensiv, duke shënuar 60 gola në kampionat deri tani këtë sezon, me Ferran Torres, Lamine Yamal, Robert Lewandowski, Raphinha, Dani Olmo dhe Marcus Rashford që kanë dhënë kontributin e tyre.

Megjithatë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për repartin mbrojtës, pasi Barcelona ka pësuar mesatarisht më shumë se një gol për ndeshje në La Liga.

Pavarësisht se ka zhvilluar 34 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, e ardhmja e mbrojtësit francez Jules Kounde mbetet e paqartë, për shkak të shqetësimeve të raportuara lidhur me nivelin e tij të qëndrueshmërisë dhe udhëheqjes në fushë.

27-vjeçari, i cili ka kontratë me Barcelonën deri në qershor të vitit 2030, ka hasur vështirësi javët e fundit dhe, sipas mediumit spanjoll Fichajes, është një nga disa lojtarët që po vëzhgohen nga afër nga klubi.

Një transferim i mundshëm mund të ndikohet edhe nga problemet e vazhdueshme financiare të klubit, me Kounde që shihet si një aset i vlefshëm, largimi i të cilit mund të sjellë përfitime të konsiderueshme financiare.

Sipas Fichajes, vlera e kartonit të mbrojtësit llogaritet rreth 56 milionë euro, një çmim që mund të tundonte disa klube të paraqesin oferta gjatë verës.

Megjithatë, thuhet gjithashtu se kjo shifër mund të rritet deri në rreth 70 milionë euro në rast të një lufte ofertash mes klubeve angleze.

Manchester United, Chelsea dhe Liverpool raportohet se po ndjekin nga afër situatën e lojtarit, duke qenë të impresionuar nga aftësia e tij për të luajtur si qendërmbrojtës ashtu edhe si mbrojtës i djathtë.

Ndërkohë, edhe Bayern Munich po e mban nën vëzhgim Kounden, pasi profili i tij përputhet me kërkesat e klubit gjerman, falë përvojës dhe qëndrueshmërisë fizike që ai ofron./Telegrafi/

“Si e kuptova brenda 20 minutash se Mbappe ishte i veçantë” – Campos rrëfen gjithçka



Para se të vinte në Paris Saint-Germain si drejtor sportiv, Luis Campos mbante të njëjtin rol te AS Monaco, ku zbuloi talentin e Kylian Mbappe.

“Unë e dija emrin e tij para se ta shihja të luante. Rreth tij kishte tashmë shumë diskutime. Kur mbërrita në Monaco”, tregon Campos.

“Unë kërkova të shkoja në qendrën e stërvitjes në La Turbie. Ishte ora 10:00. Ndeshja kishte nisur vetëm prej njëzet minutash. Pas njëzet minutash, rezultati ishte 3-0. Tre gola nga Kylian”.

“Nuk të duhej të ishe një specialist i madh për të kuptuar se me kë po merreshim. Vendimi për ta mbajtur u mor brenda pesëmbëdhjetë, njëzet minutash”.

“Duhej të adaptohej projekti kolektiv i klubit në raport me projektin e tij individual. E kam kuptuar me kalimin e kohës, dhe gjithmonë e kam aplikuar që atëherë”.

“Duhet të pajtohet projekti kolektiv i klubit me projektin kolektiv të lojës, por edhe me projektet individuale të lojtarëve. Duhet të punojmë çdo herë për t’i bashkuar ato një brenda tjetrit”.

“Kur flas me një lojtar që duhet të vijë në Paris, unë i theksoj rëndësinë e adaptimit të projektit të tij individual me projektin tonë kolektiv”.

“Ata duhet të jenë në harmoni. Adaptimi i projektit të Mbappe, një djalë 14-15 vjeç, duke punuar në një projekt kolektiv, mbetet një nga përvojat e mia më të mira”, ka deklaruar Campos./Telegrafi/

Emir Sahiti shpërthen në Izrael me Maccabi Tel Avivin – shënon dy gola në ndeshjen e Kupës



Maccabi Tel Avivi ka marrë një fitore të thellë me rezultat 5-0 në udhëtim ndaj Maccabi Yafos në kuadër të Kupës së Shtetit.

Me këtë fitore, mysafirët kanë arritur të sigurojnë kalimin tutje në fazën e gjysmëfinales.

Më meritori për këtë triumf të thellë të Maccabi Tel Aviv ishte padyshim futbollisti kosovar Emir Sahiti.

Sahiti ishte autor i dy golave të realizuar në këtë ndeshje, ku që të dytë i realizoi në pjesën e dytë.

27-vjeçari realizoi fillimisht në minutën e 52-të për rezultatin 4-0, teksa golin e dytë e realizoi në minutën e 72-të për epilogun përfundimtar të takimit 5-0.

וולקאם סהיטי 🤩 pic.twitter.com/a71y2hAmK6
— Maccabi Tel Aviv FC (@MaccabiTLVFC) February 5, 2026

Kujtojmë se Sahiti u transferua në Izrael në formë huazimi me opsion blerje nga Hamburgu.

Sahiti me shokë do të rikthehen në aksion sërish të hënën, ku do të jenë nikoqir të Maccabi Bney Reine në kuadër javës së 22-të të elitës së futbollit izraelit./Telegrafi/

Deco po shqyrton mundësinë t’ia ndërprejë kontratën yllit të Barcelonës



Barcelona shpreson të jetë sërish brenda kufirit të pagave këtë verë, dhe si rrjedhojë të ketë mundësi të shpenzojë më lirshëm, por aktualisht, drejtori sportiv, Deco, do të punojë sërish me një buxhet të ngushtë.

Ai mund të kërkojë të kursejë disa para nga një prej lojtarëve veteranë të klubit.

Në mes të raportimeve se Barcelona mund t’i ofrojë Robert Lewandowskit një kontratë të re me kushte të reduktuara, Deco po konsideron largimin e njërit prej shokëve më të afërt të tij.

Sipas Sport, Barcelona mund të kërkojë që portieri Wojciech Szczesny të rikthehet në pension këtë verë.

Szczesny aktualisht është portieri i dytë, pasi u rikthye nga pensioni para 18 muajsh për të zëvendësuar Marc-Andre Ter Stegen, pas një dëmtimi të portierit gjerman.

Verën e kaluar, Barcelona arriti një marrëveshje për zgjatje dyvjeçare të kontratës së Szczesnyt, duke e mbajtur atë si zëvendësues të Joan Garcias këtë herë.

Portieri polak u aktivizua në nëntë ndeshje më herët në këtë sezon për shkak të një dëmtimi të meniskut tek Garcia.

Zgjatja e kontratës përfshinte një klauzolë që i lejon Barcelonës të anulojë në mënyrë të njëanshme marrëveshjen në vitin 2026.

35-vjeçari fiton rreth 2 milionë euro në sezon, por duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira mes Szczesnyt dhe klubit, ata me shumë gjasa do të arrinin një marrëveshje të përbashkët nëse Barcelona vendos të ndahen.

Aktualisht, si Ter Stegen ashtu edhe Inaki Pena janë huazuar dhe ata mund të kthehen për të qenë zëvendësues të parë për Joan Garcian./Telegrafi/

Ylli i Real Madridit merr një dënim të rëndë nga UEFA pas kartonit të kuq ndaj Benficës



Ylli i Real Madridit, Rodrygo Goes, do të humbasë të dyja ndeshjet kundër Benficës në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampionëve, pasi UEFA i ka shqiptuar një pezullim prej dy ndeshjesh për përdorim të gjuhës “në mënyrë abuzive” ndaj gjyqtarit,

Ky vendim disiplinor vjen pas ndeshjes së zhvilluar më 28 janar në Lisbonë, ku madrilenët pësuan një humbje me rezultat 4-2 në fushën e Benficas në fazën e ligës të Ligës së Kampionëve.

Në minutat shtesë të ndeshjes, Rodrygo u ndëshkua me dy kartonë të verdhë radhazi, me të dytin që çoi në karton të kuq direkt për protestë ndaj gjyqtarit, pasi braziliani u frustrua nga taktikat e Benficës për të humbur kohën.

Fitorja 4-2 e Benficës i ndali Real Madridit mundësinë e sigurimit automatik të një vendi në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve përmes fazës së ligës, duke detyruar “Los Blancos” të luajnë në 'play-off 'për kualifikim.

🚨 BREAKING: Rodrygo will miss BOTH games vs. Benfica.

He has been given a TWO GAME ban in the Champions League for “abusive language.” @TheAthleticFC pic.twitter.com/WCGqOwMgC8
— Madrid Xtra (@MadridXtra) February 5, 2026

Për pasojë, skuadra madrilene do të përballet pikërisht me Benficën në çiftet e fazës eliminatore, ku Rodrygo do të mungojë në të dyja ndeshjet për shkak të pezullimit.

Pas ndëshkimit, sulmuesi brazilian publikoi edhe një kërkim faljeje në rrjetet sociale, duke pranuar se ra pre e emocioneve në momentin e incidentit.

“U rrëmbeva nga momenti kur u ankova për kohën e humbur. Nuk është mënyra ime e të bërit të gjërave”.

“Nuk më kishin përjashtuar kurrë nga fusha duke luajtur me Real Madridin dhe jam i vetëdijshëm për pasojat. U kërkoj ndjesë tifozëve, klubit, shokëve të ekipit dhe trajnerit”, kishte deklaruar Rodrygo.

Ndeshja e parë mes Real Madridit dhe Benficës do të luhet më 17 shkurt në Lisbonë, ndërsa ajo e kthimit një javë më vonë më 25 shkurt në ‘Santiago Bernabeu’./Telegrafi/

Mikel Arteta i bën ftesë ish-yllit të Arsenalit t’i bashkohet stafit të tij të trajnerëve



Alex Oxlade-Chamberlain po hedh hapa konkretë drejt një karriere trajneriale te Arsenali, me trajnerin Mikel Arteta që është i interesuar ta përfshijë atë në stafin e klubit sapo të tërhiqet nga futbolli aktiv, sipas Daily Mail.

32-vjeçari ka qenë duke përfunduar licencën e trajnerit UEFA B në stadiumin “Emirates” gjatë muajve të fundit.

Si pjesë e përgatitjeve të tij, Oxlade-Chamberlain është stërvitur gjithashtu me ekipin U-21 të Arsenalit, për të ruajtur formën fizike, ndërkohë që po kërkon një klub të ri si lojtar i lirë.

Ish-reprezentuesi i Anglisë është pa ekip që prej largimit nga klubi turk Besiktas në muajin gusht dhe raportohet se është në bisedime të avancuara me Celtic për të vazhduar karrierën e tij si futbollist.

Arteta thuhet se është një admirues i hershëm i Oxlade-Chamberlain, me të cilin ka luajtur së bashku te Arsenali mes viteve 2014 dhe 2016, duke zhvilluar gjithsej 198 paraqitje gjatë periudhës së tij gjashtëvjeçare në klub.

Dyshja raportohet se kanë një lidhje të fortë, e cila ka ndikuar në interesimin e Artetës për ta afruar atë në një rol si trajner.

Aktualisht, licenca UEFA B i mundëson Oxlade-Chamberlainit të drejtojë ekipet U-18 ose U-19 të Arsenalit./Telegrafi/

Ish-lojtari i Barcelonës shokon me deklaratën: Klubi më detyroi të them se Messi është më i miri



Kevin-Prince Boateng ka zbuluar se i është dashur “të gënjejë” për dashurinë e tij ndaj Cristiano Ronaldos, vetëm që të bëhej bashkëlojtar i Lionel Messit te Barcelona.

Ish-reprezentuesi i Ganës realizoi një transferim befasues drejt “Camp Nou” në vitin 2019.

Pas finalizimit të këtij kalimi, atij iu bë e qartë se nuk duhej të fliste me tone pozitive për CR7 apo për rivalët e përjetshëm të Barcelonës, Real Madridin.

Kjo ishte veçanërisht e vështirë për Boatengun, pasi ai kishte qenë tifoz i Real Madridit që në fëmijëri.

Me “ngjyrat” e tij të lidhura fort me “Santiago Bernabeu”, Cristiano Ronaldo, fitues i pesë herë i Topit të Artë dhe golashënuesi më i mirë në historinë e klubit, ishte për të një burim frymëzimi.

Duke folur për Unscripted me Josh Mansour, Boateng tregoi për udhëzimet që ia ndalonin çdo simpati ndaj Ronaldos.

“Gjithmonë kam thënë se doja të luaja për Real Madridin”, u shpreh ai.

“Më është dashur të gënjej në një konferencë për shtyp, sepse dy vite më parë, kur luaja te Las Palmas, më pyetën kush ishte lojtari im i preferuar dhe unë thashë Cristiano Ronaldo. Po ashtu thashë se skuadra ime e preferuar ishte Real Madridi”.

“Kur nënshkrova për Barcelonën, më thanë: ‘Skuadra jote e preferuar është Barcelona dhe lojtari më i mirë në botë është Lionel Messi’”.

“Më thanë: ‘Duhet ta thuash, përndryshe është e pamundur të luash këtu’. Unë u ula në konferencën për shtyp dhe pyetja e parë ishte kush është lojtari më i mirë në botë, dhe unë thashë: ‘Lionel Messi’”, deklaroi Boateng./Telegrafi/

UEFA shkruan për rizgjedhjen e Agim Ademit si president i FFK-së



UEFA ka raportuar menjëherë për rizgjedhjen e Agim Ademit në postin e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), pas mbajtjes së Kuvendit të Rregullt Zgjedhor.

Në uebfaqen zyrtare të shtëpisë së futbollit evropian thuhet se Ademi është rizgjedhur për mandatin e tretë radhazi në krye të FFK-së, duke marrë mbështetje unanime nga delegatët e Kuvendit, i cili u mbajt të enjten.

Agim Ademi, që udhëheq Federatën e Futbollit të Kosovës që nga viti 2018, ka siguruar kështu një mandat të ri katërvjeçar.

UEFA thekson se kjo rizgjedhje konfirmon besimin ndaj punës së deritanishme dhe vazhdimin e angazhimit për zhvillimin dhe avancimin e futbollit në Kosovë.

Tutje, UEFA ka përcjellë edhe deklaratën e presidentit Ademi pas rizgjedhjes, ku ai ka vlerësuar mbështetjen e dhënë nga delegatët dhe rëndësinë e këtij besimi për të ardhmen.

“Vota e sotme është besim për mua dhe për ekipin tim, por mbi të gjitha është vlerësim për punën e bërë bashkërisht dhe përkrahje për rrugëtimin që na pret përpara”, ka deklaruar Ademi, cituar nga UEFA.

Me këtë mandat të ri, pritet që FFK të vazhdojë projektet e saj strategjike, me fokus në rritjen e cilësisë së garave, zhvillimin e futbollit të të rinjve dhe forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare./Telegrafi/

❌