Problemi i Real Madridit nuk ishte Xabi Alonso

Rezultatet e fundit po tregojnë qartë se përgjegjësi kryesor për momentin e dobët të Real Madridit është Florentino Perez.
Realiteti i futbollit evropian ka dhënë verdiktin e tij, duke nxjerrë në pah se kriza e thellë institucionale dhe sportive që po kalon klubi madrilen nuk ishte një çështje stoli trajnerësh.
Pas largimit të hidhur të Xabi Alonsos, i shoqëruar me tensione të brendshme, bilanci ka qenë katastrofik: eliminim nga Kupa e Mbretit përballë Albacetes modest dhe turpi i përfundimit në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampionëve pas humbjes ndaj Benfikës së drejtuar nga Jose Mourinho.
Klubi tani përballet me një realitet të ashpër, ku as hija e legjendave nuk arrin të fshehë një planifikim sportiv të dobët që ka minuar ambiciet e sezonit.
Alvaro Arbeloa, aktualisht përgjegjës teknik, duket se ka trashëguar një situatë të pamundur për t’u menaxhuar, duke konfirmuar se problemet e skuadrës janë më të thella se emri i trajnerit në stol.
Ndërtimi i ekipit paraqet çarje serioze, veçanërisht në repartin defensiv, ku mungesa e autoritetit dhe hierarkisë është evidente dhe rotacioni nuk përmbush kërkesat e elitës evropiane.
Raul Asencio dhe Dean Huijsen, të hedhur në formacion më shumë nga nevoja sesa nga merita, kanë treguar se ende nuk zotërojnë pjekurinë e nevojshme për të përballuar presionin e klubeve të mëdha të Evropës.
Në qendër të kritikave qëndron Florentino Perez, i cili duket se ka humbur busullën që dikur ndërtoi cikle fituese.
Real Madridi po vuan pasojat e një filozofie ndërtimi të skuadrës që ka harruar se suksesi vjen nga arsyeja dhe harmonia, jo nga grumbullimi i lojtarëve me vlerë të lartë tregu, por pa lidhje funksionale mes tyre.
Menaxhimi i dobët sportiv nga zyrat ka krijuar një boshllëk identiteti që Albacete dhe Benfica e shfrytëzuan me një lehtësi të papranueshme për një klub me këtë histori.
Është e qartë se, edhe pse Xabi Alonso mund të ketë bërë gabime të izoluara, problemi real dhe i thellë i projektit qëndron te një drejtuesi që ka neglizhuar arkitekturën bazë futbollistike për t’u mbështetur në një model marketingu tashmë të konsumuar. /Telegrafi/






































