Një deklaratë e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, se deri para se PS-ja të vinte në pushtet nuk kishte “kokërr flamingo” nuk u mor seriozisht nga ambientalistët edhe pse ishte drejtuar pikërisht atyre.
“…Ambientalistët që kjo laguna që ne flasim sot dhe jemi duke kërkuar që mos të vrasë qeveria këto flamingot dhe pelikanët, kokërr flamingo s’kishte në atë kohë. Janë dashur 12 vite nisma që ne të arrijmë në atë diversitet që është sot”, tha ministrja Ismaili.
Por mbështetja e kësaj narrative nga vetë kryeministri Edi Rama në një takim me gazetarët e huaj, nxiti Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë, drejtuar nga profesor doktor Taulant Bino, të publikonte të dhëna të hollësishme mbi evolucionin e popullatës dimëruese të flamingove dhe numrin e shpendëve në Vjosë-Nartë, si para qeverisë “Berisha” ashtu edhe pas saj, të dhëna që ornitologu Taulant Bino i vuri në dispozicion edhe për Faktoje.
Rama
“Le të flasim për mjedisin. Flamingot. A e dini se kur nisën të ktheheshin flamingot në Shqipëri? Sepse nuk ishin. Kur unë erdha në qeveri, kur ne e morëm qeverinë, nuk kishte atje flamingo.
Pse? Sepse Shqipëria ishte vendi i nxehtë i gjuetisë së paligjshme.
Ne humbëm shumë prej jetës sonë të egër për shkak të gjuetisë së paligjshme dhe ndërkohë flamingot bashkë me pelikanët e të tjerë nisën të ktheheshin pak vite pasi vendosëm moratorium në Shqipëri duke e shpallur gjuetinë të paligjshme për 10 vjet”, tha Rama
Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS)
“Qeveria Rama gjeti në Vjosë-Nartë rreth 20000 shpendë prej të cilëve 1322 ishin Flamingo. Në vitet 2014-2026, numri i shpendëve në Nartë është më i ulët se në 2013.
Flamingot kanë pësuar ndërkaq luhatje. Ata shënuan rënie në vitet 2015-2019, për tu rritur pas vitit 2020.
Shpendët në Vjosë-Nartë nuk i solli kjo qeveri dhe asnjë prej qeverive të mëparshme ndonëse është detyrim i qeverive të hartojnë politika dhe të marrin masa për të ruajtur shpendët dhe habitatet e tyre. Ky detyrim është akoma më i fortë për zonat e mbrojtura të Shqipërisë sikurse Pishë-Poro-Nartë, Divjakë-Karavasta, Butrint, Kune-Vain, etj”, thuhet në deklaratën e Shoqatës Ornitologjike e Shqipërisë.
Tabela e përgatitur nga ornitologu Taulant Bino
Shpendët
Grafiku si më sipër, sipas eskpertit dhe pedagogut të mjedisit Dr. Taulant Bino paraqet evolucionin e numrit total të shpendëve të ujit të regjistruar gjatë Censusit Ndërkombëtar të Shpendëve të Ujit (IWC) në kompleksin Vjosë–Nartë gjatë periudhës 1993–2026.
Kulmi historik u regjistrua në vitin 1997 me 81,223 shpendë, ndërsa një vlerë pothuajse e ngjashme u regjistrua edhe në vitin 2001 me 79,321. Pra, në vitet 2014-2026, numri i shpendëve në Nartë është më i ulët se në 2013.
Flamingot
Për Flamingot dimërues në kompleksin Vjosë–Nartë gjatë periudhës 1993–2026 situata, sipas AOS, është më ndryshe me rritjen më lartë të numrit të flamingove në vitin 2025
Tabela e përgatitur nga ornitologu Taulant Bino
“Gjatë periudhës 1993–2009, Flamingo ishte një specie relativisht e rrallë në zonë. Një rritje e ndjeshme u regjistrua në vitin 2011, kur u numëruan 857 individë, ndërsa në janar 2013 popullata arriti në 1322 individë. Kjo periudhë shënon fillimin e përdorimit më të rregullt të kompleksit Vjosë–Nartë nga Flamingot dimërues. Periudha e mëvonshme, 2014–2026 karakterizohet nga luhatje të konsiderueshme të numrit të individëve. Pas vlerës së lartë të regjistruar në vitin 2014 (1475 individë), popullata pësoi një rënie gjatë viteve 2015–2019, me numra që varionin nga 511 deri në 1042 individë. Pas vitit 2020 evidentohet një rritje e numrit të Flamingove me 3796 individë të regjistruar në vitin 2025”, thuhet në deklaratën e Shoqatës Ornitologjike e Shqipërisë.
Për vitin 2025, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) ka arritur të bllokojë pasuri të konsiderueshme të zyrtarëve të lartë të hetuar për korrupsion, por vetëm një pjesë e vogël ka kaluar përfundimisht në pronësi të shtetit, duke treguar diferencën mes pasurive të bllokuara dhe atyre të provuara ligjërisht përmes vendimit të formës së prerë
Në raportin e saj vjetor të punës depozituar në Kuvend, SPAK njofton se për veprën penale të korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë u sekuestruan pasuri me vlerë rreth 1.1 milion euro, ndërkohë ato të konfiskuara janë rreth 100,000 euro.
SPAK thotë në raportin vjetor se intensifikoi luftën kundër korrupsionit duke njoftuar rritje të hetimeve me (+17.7%), procedime të reja ndaj zyrtarëve të lartë, 18 (nga 30 nën hetim) janë dërguar në gjykatë ndërsa 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë
Procedimet
Në vitin 2025, SPAK hetoi 27 procedime (të mbartura dhe të regjistruara rishtazi) me 30 zyrtarë të lartë (nën hetim/të pandehur) për korrupsion.
Hetimet , sipas SPAK, zbuluan korrupsion të strukturuar në prokurime, legalizime pronash, polici dhe dogana, ku zyrtarët favorizonin procedurat për përfitime monetare, manipulonin dokumentet dhe shmangnin kontrollet, duke cenuar konkurrencën dhe transparencën.
Bien kallëzimet nga politika
SPAK vëren se bashkëpunimi institucional për hetime të filluara me referime nga Policia e Shtetit u rrit me rreth 70%, ndersa nga institucionet publike me rreth 15%. Por vërehet gjithashtu se kallëzimet nga subjektet politike dhe personat juridikë kanë ranë përkatësisht me rreth 50% dhe 75%.
“Arresti me burg”
SPAK ka nje përgjigje edhe për debatin që po mëshon kryeministri Edi Rama lidhur me numrin e lartë të masës së sigurimit “arrest më burg”
SPAk njofton se përdorimi i “arrestit me burg” ra me rreth 53.4%, duke u zhvendosur drejt masave alternative. Lidhur me korrupsionin (për vitin 2025) kjo masë zë vetëm 3.45% të personave nën hetim (nga 5% në 2024), ndërsa për krimin e organizuar 21.4% (nga 31% në 2024).
Sfidat
SPAK njofton se përballet me sfida në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta, ku gjithashtu retorika politike e mediatike, sipas saj, mund të ndikojë në perceptimin publik dhe mund të shërbejë si factor nxitës për rritjen e kërcënimeve nga krimi i organizuar.
Prokuroria e Posaçme vëren gjithashtu ndër radhë se ndërhyrjet ligjore apo institucionale që kufizojnë pavarësinë e tij do të përbënin rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe shtetin e së drejtës.
Transparenca dhe aksesi i qytetarëve në informacion në bashkitë e vendit ka patur rritje, por kjo rritje nuk shkon paralel me mbajtjen e premtimeve elektorale nga kryetarët e bashkive.
Kjo është një nga gjetjet kryesore të projektit “40 Premtime, 10 Bashki”, i realizuar nga Faktoje për vitin 2025 dhe i mbështetur nga National Endowment for Democracy.
Për vitin 2025, janë monitoruar 40 premtime elektorale, nga të cilat vetëm 5 janë realizuar plotësisht, 12 pjesërisht, ndërsa 23 rezultojnë të pambajtura ose të shtyra pa afate të qarta
Rezultatet e projektit u bënë publike në një tryezë ku morën pjesë ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, kryetarë dhe nënkryetarë të bashkive, agjenci ndërkombëtare, institucione të pavaruara, media dhe shoqëri civile.
Foto gjate tryezes se organizuar nga Faktoje
Puna
Ky është viti i 6-të i monotirmit të bashkive nga Faktoje. Drejtoresha Ekzekutive, Klodiana Kapo tha se, “Faktoje, pas gjashtë vitesh monitorimi të bashkive dhe këshillave bashkiakë, e ka vënë theksin tek dy fusha kryesore: zbatimi i ligjit të transparencës dhe përmbushja e premtimeve”.
Ne foto: Drejtoresha Ekzekutive e Faktoje, Klodiana Kapo
“Transparenca ka shënuar përmirësime, duke ndihmuar në ndërtimin e besimit të qytetarëve, ndërsa përmbushja e premtimeve mbetet sfidë, sidomos në çështje si uji i pijshëm, hapësirat e gjelbërta, këndet e lojërave, rrugët, shkollat dhe menaxhimi i mbetjeve”, vërejti ajo.
Premtimet
Bashkitë e monitoruara për vitin 2025 janë: Tirana, Elbasani, Durrësi, Kavaja, Fieri, Vlora, Korça, Saranda, Lezha dhe Shkodra.
Rezulton se premtimet e pambajtura përqendrohen kryesisht në rehabilitimin e rrugëve dytësore, përmirësimin e kanaleve kulluese, investimet në infrastrukturë, menaxhimin e mbetjeve, shërbimet sociale dhe transportin urban.
Shkaqet kryesore lidhen me vonesa disavjeçare, mungesa e investimeve konkrete, varësia nga fonde të jashtme dhe mungesa e planifikimit afatgjatë.
Monitorimi ka evidentuar premtime të ricikluara që përfshijnë: ndërtimin e një resorti skish në Korçë, rehabilitimin e qendrës së Libofshës (Fier), rindërtimi i pallateve DS5 (Durrës), tre pikat e grumbullimit bujqësor në Elbasan si dhe ngritja e një tregu bashkëkohor në Fier.
Ka gjithashtu premtime jashtë kompetencave të bashkive si ndërtimi i rrugës se Bregdetit (Kavajë) apo projekti i gazifikimit të Korçës.
6 vite monitorim
Ndërkohë, në gjashtë vite monitorim nga Faktoje, janë verifikuar premtimet e 22 bashkive. Më shumë premtime të verifikuara i përkasin bashkisë Lezhë (15), Shkodër (13) dhe e njëjta shifër (13) edhe për Durrësin
Më pak premtime i përkasin bashkive Patos, Kukës, Belsh, Pustec, Sarandë, Himarë, Tiranë.
Lezha ka realizuar 8 premtime nga monitorimi ndër vite (më e larta ndër bashkitë e monitoruara).
Ne foto: Kryetari i Bashkise Lezhe, Pjerin Ndreu
“Unë e quaj bashkinë si shportë që mbyll një vrimë këtu dhe shpohen dy të tjera. Është dinamikë e përditshme dhe s’është e thjeshtë të adresosh gjëra. Je përballë kërkesave të njerëzve të cilat jo gjithmonë janë konform ligjit, por presioni rritet dhe nga njohja që ke.
Jetojmë në Shqipëri, kur kryetari del nga shtëpia ka kushërinj, miq, familjarë, komshij, shokë klase pra është një presion i madh…”, tha kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu
Shkodra ndërkohë ka përmbushur 6 premtime në këtë afat kohor.
Bekim Memo nga Bashkia Shkodër tha gjatë tryezës se, “ne përmiqemi gjatë punës tonë që ajo që premtojmë të jetë diçka e realizueshme dhe e matshme”
Durrësi dhe Dibra renditen secila me nga katër premtime të mbajtura ndër vite.
Premtime më shumë të pambajtura ka Durrësi me tetë të tilla.
SHKAQET
Premtimet e pambajtura ndër vite lidhen me projekte madhore infrastrukturore, rikualifikime urbane, investime zhvillimore që kërkojnë fonde të mëdha dhe koordinim me qeverinë qendrore dhe donatorët. Këtu e vuri theksin edhe ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, nisur nga eksperienca e tij si ish-kryetar i Bashkisë së Beratit.
Ne foto: Ministri i Shtetit per Pushtetin Vendor, Ervin Demo
“Mund të ketë qenë një donator, mund të ketë qenë një partner, mund të ketë qenë qeveria qendrore. Është një amalgam burimesh që ty të japin mundësinë për të përmbushur nevojat që ka territori, jo thjesht premtimet, se premtimet për mua nuk janë qëllim në vetvete, por çdo kryetar bashkie është atje për të përmirësuar jetën e qytetarëve, dhe për t’i dhënë përgjigje atyre të cilët janë sfidat e territorit…”, tha ai
Shkaqet kryesore të mos mbajtjes së premtimeve gjatë monitorimit 6 vjeçar lidhen me planifikim jo realist gjatë fushatës, kapacitete të kufizuara administrative si dhe, varësi nga transfertat qendrore.
Një problematikë që e preku edhe kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu. “Ne në premtime mundohemi të fokusohemi në ato prioritete që i kanë zona të ndryshme brenda një bashkie. Ne nganjëherë bëjmë rolin e lobuesit, pra nuk e kemi ne në dorë, por detyrohemi ta marrim përsipër se ne na shikojnë si njerëzit që mund ta bëjmë edhe lobimin në qeveri…”, tha Ndreu
Transparenca në rritje
Monitorimi i Faktoje bazuar mbi 16 indikatorë të transparencës dhe konsultimit publik tregoi diferenca mes bashkive që e kanë institucionalizuar tashmë transparencën (Shkodra, Lezha, Korça) dhe atyre që e trajtojnë si detyrim formal.
Në krye të renditjes 2025 renditen Lezha, Shkodra, Korça, Saranda dhe Durrësi me 100%.
Nënkryetari i bashkisë Durrës, Gentian Kallmi vlerësoi se procesi i transparencës për Bashkinë Durrës ka qenë një sfidë e veçantë.
“Është një mekanizëm shumë i mirë ky monitorim për qëllimin e pushtetit vendor. Demokracinë vendore, përfshirjen e qytetarëve, jo vetëm nëpërmjet komunikimit transparent, ne kemi si sfidë dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje për të qenë një bashki sa më transparente”, tha ai.
Nivele të larta transparence ka njohur gjatë vitit të monitorimit edhe Elbasani (93.75%), më pas vjen Tirana dhe Fieri (81.25%).
Në fund renditet Bashkia Kavajë, me problematika në publikimin e raporteve të buxhetit dhe dokumenteve vendimmarrëse, por me përmirësim krahasuar me vitet e mëparshme.
Impakti i Faktojes
Një gjetje e rëndësishme e raportit është se, bashkitë e monitoruara në mënyrë të vazhdueshme nga Faktoje kanë shfaqur përmirësim progresiv, përsa i përket komponentit të transparencës.
Ministri Ervin Demo vlerësoi punën e Faktojes në këtë drejtim duke përcjellë edhe një mesazh:
“Është e rëndësishme që bashkitë të kuptojnë dita ditës që transparenca punon në favor të tyre. Është e vështirë në fillim, por realisht transparenca punon për bashkinë në momentin që ajo kthehet në një nivel besimi më të madh të qytetarëve dhe patjetër puna e kryetarëve të bashkisë dhe suksesi i tyre pastaj është më i lartë”.
Edhe Znj. Sabine Piccard, Drejtore e Qeverisjes dhe Shëndetësisë, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, tha se, besimi tek institucionet nuk është automatik, ai fitohet.
“Monitorimi i pavarur nuk ka të bëjë me kritikën, por me forcimin e demokracisë. Duke matur transparencën dhe duke ndjekur realizimin e premtimeve elektorale, llogaridhënia në nivel vendor vetëm sa përforcohet. Nga perspektiva zvicerane, kjo është thelbësore…Përmes partneritetit tonë të ri me Faktoje, jemi të kënaqur të kontribuojmë në forcimin e zërit të shoqërisë civile dhe në mbështetjen e vlerave demokratike, duke vlerësuar atë që qeverisja vendore realizon në bazë të angazhimeve të saj, por edhe duke sjellë në qendër të vëmendjes çështjet që kërkojnë ndjekje dhe trajtim të mëtejshëm“
Fondi Social
Ndërkohë, monitorimi i Fondit Social (2023–2025) ka treguar se ka zgjerim në shtrirjen territoriale dhe mbështetjen financiare nga 33 bashki në vitin 2023 në 53 në vitin 2025, duke rritur numrin e shërbimeve dhe përfshirjen e grupeve vulnerabël
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, zhvilloi të premten një takim zyrtar me Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, z. Reinout Vos.
Gjatë këtij takimi, u diskutua mbi inicimin e bashkëpunimit ndërinstitucional midis Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe institucionit homolog holandez, Algemene Rekenkamer (Gjykata e Llogarive e Holandës).
KLSH njofton se ky bashkëpunim, i mundësuar me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Tiranë, synon të forcojë shkëmbimin e eksperiencave, praktikave më të mira të auditimit dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale.
“Ambasadori Vos shprehu vlerësimin e tij për punën dhe kontributin e deritanishëm të KLSH-së, veçanërisht në forcimin e rolit të institucionit në nivel ndërkombëtar përmes bashkëpunimeve me institucione homologe dhe organizata ndërkombëtare të auditimit”, thuhet në njoftimin për shtyp të KLSH.
Gjithashtu, Ambasadori vlerësoi bashkëpunimet ekzistuese të KLSH-së me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Faktoje.al, në kuadër të projekteve të përbashkëta që po zhvillohen me mbështetjen e Ambasadës së Holandës, me synim rritjen e transparencës, llogaridhënies publike dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile dhe medias në mbikëqyrjen e përdorimit të fondeve publike.
Bashkëbisedimi ndërmjet Kryetarit Shehu dhe Ambasadorit Vos u përqendrua gjithashtu në zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët institucional, me qëllim rritjen e ndikimit të auditimit të jashtëm publik në përmirësimin e qeverisjes dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Kur një port turistik është pjesë e një investimi strategjik të miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), ndërtimi dhe operimi i tij nuk do t’i nënshtrohet më procedurës koncesionare.
Në vend të kësaj, porti do të ndërtohet dhe operohet drejtpërdrejt nga investitori strategjik.
Një projektligj i shkurtër (dy nene) i propozuar nga deputetja e PS-së Vlorë, Zamira Sinaj, i hap dritën jeshile këtij procesi, për pasojë privatizimit të porteve detare.
Procedurat, rregullat dhe dokumentacioni i nevojshëm për lidhjen e kontratës për ndërtimin dhe operimin e portit/eve turistik/e do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave
Qëllimi
Referuar relacionit, drafti justiifikohet me faktin se ka mbivendosje mes dy ligjeve aktuale: ligjit për portet turistike (dhënien me koncesion ose forma të tjera konkurruese) dhe ligjit për investimet (procedura të asistuara)
Kjo, sipas deputetes Sinaj, ka sjellë vonesa dhe paqartësi edhe pse nuk shoqërohet me shembuj konkret.
Praktikat e BE
Ne relacion specifikohet se, projektakti nuk synon përafrim të drejtpërdrejtë me acquis Communautaire te BE-së. Thuhet se është në përputhje me Kushtetutën dhe me hirearkinë e akteve normative. Eshte specifikuar gjithashtu se projektakti nuk sjell efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.
Megjithatë referuar praktikave të BE-së rëndësi në këto procese duhet të ketë konkurrenca e lirë dhe transparenca.
Për rastin konkret, në njërën anë theksohen përfitimet që do të vijnë, si rritja e investimeve, zhvillimi rajonal, vende te reja pune, por nga ana tjetër lind dyshimi për reduktim të konkurrencës, transparencës dhe rritje privilegjesh për investitorë të caktuar.
Problematika
Nisur nga eksperienca e deritashme, eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, kritikon dhënien e statusit “investitor strategjik” nga qeveria si një mekanizëm që, sipas tij, ka shërbyer për të favorizuar klientë të saj, oligarkë dhe madje segmente të krimit të organizuar.
Argumenti kryesor, sipas tij, është se ky status u siguron bizneseve të përzgjedhura përfitime të pamerituara si përjashtime nga taksat, shpronësime të tokave dhe shmangie nga konkurrenca, duke anashkaluar parimet kushtetuese të garës së lirë.
Amendimet e propozuara, sipas Preçit, e përforcojnë këtë praktikë “duke u dhënë investitorëve të dyshimtë mundësinë të marrin edhe portet bregdetare, pa një master plan kombëtar për zhvillimin e tyre”.
“Sipas mendimit tim, ky amendim thjesht favorizon disa klientë të qeverisë duke shkelur ligje të tjera që janë në fuqi gjithashtu”, thotë për Faktoje.al, eksperti i ekonomisë, Zef Preçi
Grupi parlamentar i PS-së dorëzoi të hënën në Kuvend një projektligj që synon të ndalojë gjykatat të pezullojnë nga detyra funksionarë të lartë të shtetit.
Në listën e përjashtimeve përfshihen: Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat, Presidenti i Republikës, Avokati i Popullit, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Konkretisht, PS synon të prekë nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, që aktualisht nuk lejon pezullimin nga detyra vetëm të deputetit apo kryebashkiakut.
Sa më sipër, nisma ligjore e PS zgjeron listën e subjekteve në këtë drejtim.
Sipas relacionit, projektligji respekton Kushtetutën, balancën e pushteteve dhe parimin e proporcionalitetit.
PS argumenton se, ndryshimi nuk heq përgjegjësinë penale dhe as nuk pengon hetimin apo gjykimin.
Rama
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kryeministri Edi Rama tha se nisma erdhi si pasojë e një “boshllëku mendor” referuar vendimit pa vendim të gjykatës Kushtetuese për rastin “Balluku”.
Mosvendimi, sipas Ramës, krijon pasiguri. Sipas tij, funksionet e përfshira në projektligj mbeten të cenueshme ndaj pezullimit dhe se kufiri mes pushteteve (ekzekutivit dhe gjyqësorit bëhet i paqartë).
Rama tha gjithashtu se nisma ligjore nuk lidhet me pezullimin e Ballukut.
“Rasti konkret ka rrugën e vet, nuk ka fare lidhje me pezullimin, por pezullimi është i papranueshëm dhe për këtë arsye siç e kam shpjeguar në takimin e mëparshëm, ne do merremi me pezullimin, për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në Kuvend, ndërhyrjen në territorin kushtetues të pushtetit ekzekutiv. Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë dhe gurin dhe arrën për ta goditur këtë shumicë qeverisëse”, tha ai
Kryeministri njoftoi gjithashtu se kishte refuzuar tre herë dorëheqjet (sa duket të revokueshme) nga ana e Ballukut me argumentin se dorëheqja nën presionin e gjyqësorit cenon pavarësinë e pushtetit ekzekutiv.
“Unë nuk e pranoj dorëheqjen deri kur të plotësohen kushtet dhe se kur plotësohen kushtet, nuk e përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor”, tha ai.
Rama kritikoi praktikën e arrestimeve “të panevojshme” sipas tij ndërsa nënvizoi se punonjësit e administratës nuk duhet të përdoren si “mish për top” nga prokurorët për karrierë.
Ai sqaroi gjithashtu se Parlamenti do të shprehet fillimisht për imunitetin e Ballukut dhe më pas për nismën ligjore.
Berisha
Në të njëjtën ditë, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se nisma ligjore e propozuar nga PS do të shërbejë si “mburojë për korrupsionin e pushtetit ekzekutiv”.
Sipas tij, “projektligji është goditje ndaj shtetit ligjor dhe aspiratave europiane të Shqipërisë”.
Përmes këtij amendamenti, Berisha tha se, Rama dhe ministrat e tij synojnë të jenë mbi ligjin, duke u mbrojtur nga hetimi.
Anulimi i funksionit të pezullimit, sipas Berishës, i heq prokurorisë një mjet ligjor të rëndësishëm, duke e lënë imunitetin në dorën e kryeministrit.
Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik
1. Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.
2. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.
Bëhet:
…
2. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral “, shtohen fjalët:
“Presidentit të Republikës, Avokatit të Popullit, Kryeministrit, zëvendëskryeministrit dhe ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”
Prokuroria e Durrësit ka zbardhur vendimin për vendosjen e 33 masave sigurie ndaj administratorëve të kompanive private dhe zyrtarëve shtetërorë, pas hetimeve mbi menaxhimin e paligjshëm të 102 kontejnierëve me mbetje të rrezikshme të depozituara mes Porto Romanos dhe Shën Avlashit
Prokuroria e Durrësit njofton se nga analizat laboratorike të kryera në Itali u zbulua se, “mbetjet përmbanin elementë toksikë me rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, veçanërisht për ekosistemet ujore”.
Pas ekspertimit, Prokuroria Durrës vëren se “ jemi përpara jo thjesht një fakti penal, por një zinxhiri veprimesh të kundërligjshme që sjellin pasoja të rënda në disa drejtime si në mjedis, shëndet, veprimtarinë doganore, veprimtarinë e autoriteteve për sigurinë dhe cilësinë në mjedis”
ECURIA
Faktoje ka raportuar më herët për mungesë të laboratorëve të çertifikuar për kryerjen e analizave të 2800 ton mbetje, të dyshuara të rrezikshme. Ndërkohë pas një viti sorollatje Prokuroria e Durrësit mori vendimin që ekspertiza të kryhej në Itali.
Fillimisht, Prokuroria e Durrësit i kërkoi tre institucioneve shtetërore, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Fakultetit të Gjeologji Minierave dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës që të merrnin kampionë në këto kontejnerë dhe kryenin analizat nëse mbetjet ishin toksike, apo “oksid hekuri” siç paraqitej në dokumentacion nga kompania transportuese “Sokolaj shpk”.
Të trija këto institucione i kthyen përgjigje zyrtare Prokurorisë së Durrësit (më herët edhe Faktojes përmes kërkesave për informacion) se nuk kishin as laboratorë dhe as ekspertë për kryerjen e kësaj ekspertize.
BAN
Organizata mjedisore ndërkombëtare “Basel Action Netëork” (BAN) me qendër në Seatle të Shteteve të Bashkuara, ngriti shqetësimin se në anijen “Molivia” të nisur nga Shqipëria më 4 korrik 2024 nëpërmjet Portit të Durrësit fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme. Mbetjet dyshohej se ishin marrë nga pluhuri i furnaltave të kompanisë Kurum në Elbasan e cila vepron në fushën e përpunimit të skrapit për prodhim hekuri.
BAN mori të dhëna që kjo anije bashkë me (Oksidin e Hekurit) po transportonte EAFD.
Përbërësi EAFD është material i cili vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike, si (Cadmiumi dhe Kromi), të cilat konsiderohen të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin, çka detyroi vendin pritës Tajlandën që të kthente pas mbetjet, duke e rikthyer anijen sërish në Durrës me 28 shtator të vitit të kaluar.
Porto Romano
Faktoje raportoi në tetor të vitit të kaluar se në pjesën lindore të zonës industriale të Porto Romanos ndodheshin 102 kontejnerët të dyshuara se mund të përmbajnë mbetje toksike. Ato vijojnë të jenë ende aty.
Zona ku janë vendosur është lagunore dhe çdo rrjedhje e mundshme dhe dekompozim nga qëndrimi i gjatë në kontejnerë mund të përbëjë rrezik si për kontaminimin e tokës dhe ujërave nëntokësorë, por edhe drejtpërdrejtë për banorët, shtëpitë e të cilëve nuk janë më shumë se 200 metra larg.
Prokuroria e Durrësit ka lëshuar të martën 33 masa sigurie në lidhje me çështjen e 102 kontejnerëve me mbetje të kompanisë “Kurum”, të cilat janë vendosur prej më shumë një viti në një zonë urbane mes Porto Romanos industriale dhe Shën Avlashit.
Masat e sigurisë janë firmosur për personat si të dyshuar për përfshirje në këtë çështje ku përfshihen administratori dhe drejtues drejtorish të të “Kurum International”, pronarja dhe drejtues të kompanisë “Sokolaj”, punonjës të doganës së Durrësit, zyrtarë të sektorit të monitorimit të lejeve mjedisore dhe drejtorisë së inspektimit në AKM si dhe ish-drejtoresha e kësaj agjencie (Arta Dollani) por edhe ajo aktuale (Marjeta Përlala)
Masë arresti edhe për dy inspektorë të Autoritetit Portual Durrës
Gjithsej janë 26 masa “arrest me burg”, ndërsa 7 masa janë “arrest shtëpie”.
Mbetje të rrezikshme
Nga analizat laboratorike në Itali dhe aktet e ekspertimit njoftohet se, bëhet fjalë për mbetje të koduara 10 02 07*, të cilat konsiderohen të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin.
“Duke iu referuar akteve të administruara dhe rezultateve të ekspertimit, rezulton se subjektet Sokolaj sh.p.k. dhe Kurum International, në dijeni të plotë të rrezikshmërisë së mbetjeve të rrezikshme, të cilat kualifikohen sipas kodit 10 02 07*, kanë kryer një sërë veprimesh për fshehjen e llojit të vërtetë të mbetjes, në bashkëpunim edhe me të tretë, me qëllim eksportimin jashtë Shqipërisë, duke iu shmangur të gjitha detyrimeve ligjore të parashikuara në legjislacionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.
Vendimi
Faktoje raportoi më herët se, në mungesë të laboratorëve të çertifikuar për kryerjen e analizave të 2100 ton mbetje, të dyshuara të rrezikshme, pas plot një viti sorollatje Prokuroria e Durrësit mori vendimin që ekspertiza të kryhej në Itali.
Ecuria
Fillimisht, Prokuroria e Durrësit si hap të parë i kërkoi tre institucioneve shtetërore, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Fakultetit të Gjeologji Minierave dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës që të merrnin kampionë në këto kontejnerë dhe kryenin analizat nëse mbetjet ishin toksike, apo “oksid hekuri” siç paraqitej në dokumentacion nga kompania transportuese “Sokolaj shpk”.
Të trija këto institucione i kthyen përgjigje zyrtare Prokurorisë së Durrësit se nuk kishin as laboratorë dhe as ekspertë për kryerjen e kësaj ekspertize.
BAN
Organizata mjedisore ndërkombëtare “Basel Action Network” (BAN) me qendër në Seatle të Shteteve të Bashkuara, ngriti shqetësimin se në anijen “Molivia” të nisur nga Shqipëria më 4 korrik 2024 nëpërmjet Portit të Durrësit fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme. Mbetjet dyshoheJ se ishin marrë nga pluhuri i furnaltave të kompanisë Kurum në Elbasan e cila vepron në fushën e përpunimit të skrapit për prodhim hekuri.
BAN mori të dhëna që kjo anije bashkë me (Oksidin e Hekurit) po transportonte EAFD.
Përbërësi EAFD është material i cili vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike, si (Cadmiumi dhe Kromi), të cilat konsiderohen të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin, çka detyroi vendin pritës Tajlandën që të kthente pas mbetjet, duke e rikthyer anijen sërish në Durrës me 28 shtator të vitit të kaluar.
Dokumentacioni
Kompania transportuese “Sokolaj shpk”, në dokumentacionin shoqërues përcaktonte se ngarkesa ishte me “Oksid Hekuri”, por dyshimet e “Basel Action Netëork”, mbeteshin se në kontejnerët që mbajnë 2100 ton material kishte mbetje të rrezikshme EAFD.
Drejtori Ekzekutiv i BAN, Jim Puckett erdhi në Shqipëri dhe u vetëofrua që të merrte pjesë në çdo proces të transportimit dhe analizimit të mbetjeve të dyshuara toksike, por hasi në një vështirësi të “pakalueshme” ndonëse zyrtarisht Prokuroria e Durrësit njoftonte se e kishin ftuar BAN për të paraqitur çdo dëshmi dhe dokumentacion.
Mbetjet në mes të fushës
Faktoje raportoi në tetor të vitit të kaluar se në pjesën lindore të zonës industriale të Porto Romanos ndodheshin ende 102 kontejnerët të dyshuara se mund të përmbajnë mbetje toksike.
Fillimisht ambienti ishte përdorur për automjetet e sekuestruara nga Policia e Durrësit, por pas vendimit për tu vendosur aty, u krye rrethimi i plotë dhe ruhet 24 orë nga një patrullë e Policisë së Shtetit.
Zona është lagunore dhe çdo rrjedhje e mundshme dhe dekompozim nga qëndrimi i gjatë në kontejnerë mund të përbëjë rrezik si për kontaminimin e tokës dhe ujërave nëntokësorë, por edhe drejtpërdrejtë për banorët, shtëpitë e të cilëve nuk janë më shumë se 200 metra larg.
Dy muaj pas fillimit të punës të komisionit parlamentar për reformën administrativo-territoriale, procesi ka hyrë në ngërç politik për shkak të bojkotit të Partisë Demokratike, qysh prej miratimit të Avokatit të Popullit në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës
Nga katër mbledhjet e deritashme të komisionit, vetëm një ka pasur pjesëmarrje të plotë të opozitës.
Afati i fundit
Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, caktoi ditën e sotme si afat të fundit për PD që të merrte pjesë në komision.
Në të kundërt rregullat e lojës do të ndryshonin.
“Besoj që sot në mbledhjen e komisionit, jo vetëm deputetët e opozitës të jenë prezent, por të marrin detyrat brenda këtij komisioni, në mënyrë që nesër të mos jemi të detyruar të vendosim mekanizmat zhbllokues”, tha Balla.
Mbledhja e sotme e komisionit të posaçëm parlamentar ishte njoftuar zyrtarisht edhe në faqen e Kuvendit.
Por disa orë më vonë, Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, tha nga selia e PD-së se mbledhja e parashikuar e Komisionit të Reformës Territoriale ishte e pavlefshme. Ai theksoi se, “thirrja e mbledhjes me ‘ultimatum’ nga Taulant Balla është e papranueshme dhe shkel normat e bashkëpunimit brenda komisionit”.
Komisioni
Më herët nga kjo deklaratë, mbledhja e komisionit të posacëm u zhvillua pa praninë e opozitës ndërsa kjo e fundit paralelisht ishte mbledhur në seli për axhendën e grupit parlamentar.
Gjatë fjalës, Berisha nuk e preku asfare publikisht debatin për territorialen.
Në anën tjetër të bulevardit, në kryesinë e Kuvendit, Kryetari i komisionit parlamentar për reformën territoriale, Arbjan Mazniku, tha gjatë mbledhjes, se opozitës i ishin dhënë garanci shtesë për bashkëkryesinë e Komisionit, porse mungesa e tyre, sipas tij, ka sjellë humbje kohe.
Ai nënvizoi se procesi duhet të përfundojë deri në korrik 2026.
Për pasojë Kuvendi, sipas tij, duhet të ndryshojë mënyrën e formimit të Komisionit për të shmangur bllokimin.
Propozimet
Duke ndjekur këtë argument, mazhoranca ka propozuar ndryshime në përbërjen e Komisionit, duke shtuar numrin e përfaqësuesve të saj dhe duke ndryshuar formulën e drejtimit:
“Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues I Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë. Kryetari i komisionit është përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”
Fillimisht komisioni u krijua me parimin e barazisë mes mazhorancës dhe opozitës, duke i dhënë opozitës garanci shtesë për bashkëkryesinë.
Propozimet e fundit që janë futur nesër për miratim në Kuvend i japin opozitës një faktor sekondar dhe jo më vendimmarrës krah për krah me PS-në.
Tërhiqet PD
Ndërkohë, në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të PD-së, disa deputetë kundërshtuan vendimin Berishës për bojkot të territoriales dhe asaj zgjedhore, duke kërkuar pjesëmarrje në komisione.
Pas mbledhjes së grupit, bashkëkryetari i PD në komision, Luçiano Boçi, përcolli qendrim tërheqës, duke njoftuar se do të marrin pjesë në komision.
“Mbledhja e sotme (e territoriales) është nul, u thirr në ultimatum. Është nul sepse mbledhja thirret në bashkëpunim me bashkëkryetarët, s’jam njoftuar. Jo vetëm për këtë mbledhje, por edhe mbledhje të tjera, që i kanë përdorur si argumente të bojkotit të PD. Nuk bashkëpunojmë me Ramën në nivele të tilla që konsiderohen si bashkëpunime politike, kjo është çështje e një komisioni të rëndësishëm. Qëndrimi i PD pas diskutimeve është që PD do vazhdojë të jetë pjesë e komisionit, në një mbledhje sa më të afërt të dakordësuar me bashkëkryetarët”, tha Boçi.
Kalendari i PS
Shkurt 2026 – Vizita në qarqe dhe takime me kryetarë bashkish, biznesin, shoqërinë civile dhe qytetarët.
Mars 2026 – Konsultime tematike mbi territorin, funksionet dhe financimin e pushtetit vendor.
Prill-Maj 2026 – Fillimi i procesit të hartimit formal të ligjit për reformën administrativo-territoriale.
Sondazhet dëshmojnë se ekziston një mendim i gjerë për rolin aktiv që kanë në procese zgjedhore grupet informale dhe kriminale.
Zgjedhjet nuk shihen më vetëm si garë për vota dhe emra kandidatësh, por edhe garë influencash të jashtme, sponsorizimesh, financimesh dhe ndikimesh informale.
Raporti i fundit i OSBE/ODIHR ishte i qartë në kritikat, adresimet dhe rekomandimet e tij. Shqipëria synon të bëhet anëtare e BE dhe për këtë do të duhet të kalojë paraprakisht pengesën kryesore, realizimin e zgjedhjeve të lira, përmes fushatave transparente dhe politikave konkurruese të bazuar në integritet, alternativë dhe llogaridhënie.
Rasti i Jurgis Çyrbja, ish-deputet i PS-së në zgjedhjet e 2021 i cili ndodhet në burg për korrupsion në zgjedhje dhe përkrahje të krimit, tregoi se fenomeni i lidhjes së politikës me krimin nuk ishte i izoluar. Në zgjedhjet e fundit parlamentare u evidentuan raste të ngjashme në disa zona si Vora, Durrësi apo Elbasani ku elementë kriminalë ndikuan në procesin e votimit. “Duke mos i besuar anëtarësisë, projektit dhe programit të vet, partitë politike bëjnë lidhje të shkurtra me elementë të krimit me idenë se këta njerëz sigurojnë vota”, thotë eksperti Lutfi Dervishi në një dalje për A2CNN.
Krimi
Financimi nga grupet kriminale mbetet një nga problemet kyçe në çdo palë zgjedhje në vend Drejtori i ISP, Afrim Krasniqi, thotë në podkast për Faktoje se është e papranueshme që në vitin 2025 krimi i organizuar të ketë ndikim në përzgjedhjen e deputetëve. “Ky është dështimi më i madh i demokracisë shqiptare”, thotë ai Fenomeni, sipas tij, kërkon forcimin e mekanizmave të sigurisë si dhe, hetim të lidhjeve të kandidatëve me krimin
Ligji për financimin e partive
Procesi i reformimit të ligjit për partitë politike, i rekomanduar prej kohësh nga OSBE/ODIHR, është futur si pjesë e punës së komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, por ende mbetet e paqartë se deri ku do të shkojë ndërhyrja.
Instituti për Studime Politike ka organizuar disa tryeza konsultative në Tiranë (dhe jashtë saj) me partitë politike, ekspertë dhe shoqërinë civile, me fokus identifikimin dhe adresimin e çështjeve prioritare për ndërhyrje dhe ofrimin e rekomandimeve konkrete për hartimin e Ligjit për Partitë Politike/Kodit Zgjedhor.
Problematika
Problematikat janë të njohura dhe mbeten të njëjta. Shumë prej partive nuk kanë anëtarësi të deklaruar (dhe as detyrim ligjor për dorëzimin në gjykatë), regjistra të rregullt apo struktura funksionale.
Eksperienca ndër vite ka treguar gjithashtu se partitë në përgjithësi nuk zhvillojnë zgjedhje të brendshme. Në praktikë, sipas ekspertit Lutfi Dervishi, gjenden gjithnjë mënyra për të anashkaluar ligjin, duke e bërë transparencën një fasadë formale.
Financimet në fushatë
Kur bëhet fjalë për financat, KQZ verifikon vetëm dokumentet e dorëzuara. Audituesit e pavarur kanë për detyrë të verifikojnë saktësinë formale të deklarimeve, pa mundësi hetimi në terren apo në kohë reale. “Në takime informale na është thënë jo zyrtarisht nga kandidatët që shuma që ne kemi deklaruar nuk përputhet me shumën e shpenzuar, pra ka një lloj hipokrizie që partitë bëjnë sikur po raportojnë dhe institucionet bëjnë sikur po auditojnë dhe ky është një moment krejt i qartë dhe që duhet ndërhyrë”, thotë Dervishi
Roli i KLSH
Në tryezat e organizuara nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) është propozuar që Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) të ketë rol në mbikëqyrjen e partive politike. Qysh prej vitit 2000, si pasojë e një vendimi të Kushtetueses, partitë mbeten të vetmet institucione, që nuk i nënshtrohen kontrollit të KLSH.
Sipas ekspertit, Erion Tase, KLSH ka kompetencë ligjore vetëm mbi fondet publike dhe jo mbi financimet private, ç’ka e lë propozimin për kontrollin e partive në një boshllëk ligjor. Për këtë arsye, ekspertë nga shoqëria civile po shqyrtojnë mundësinë e propozimit të zgjerimit të kompetencave të KLSH ose krijimin e një organi të ri auditimi, që të mbikëqyrë financimet private të partive politike.
Ndarja parti-shtet
Raporti financiar i OSBE/ODIHR theksoi se zgjedhjet në Shqipëri nuk ishin të barabarta. Partia në pushtet përdori burimet shtetërore për avantazh elektoral. Problematike e përsëritur ishte edhe patronazhimi dhe presioni mbi administratën. Eksperienca e zgjedhjeve të fundit parlamentare tregoi gjithashtu se vendimet me efekt financiar u morën para periudhës së ndalimit ligjor, duke prodhuar pasoja gjatë fushatës. Kjo, sipas ekspertit Dervishi, tregon se ligji aktual nuk është i mjaftueshëm për të parandaluar deformimin e garës zgjedhore
Faqet anonime
Një tjetër problem i evidentuar në zgjedhjet e fundit ishte përdorimi i faqeve anonime në rrjetet sociale për sulme direkte ndaj kandidatëve kundërshtarë. Kufizimi i fushatave negative dhe raportimi i detajuar i shpenzimeve online po shihet nga ekspertë të shoqërisë civile si domosdoshmëri.
Reklamat
Ligji ndalon gjithashtu reklamat në media, por raportet e KQZ tregojnë miliona euro borxhe të partive ndaj televizioneve për reklama të papaguara, një problematikë që duhet riparë, referuar diskutimeve në këtë drejtim
“Një votë, një euro”
Aktualisht, financimi i partive politike në Shqipëri lidhet kryesisht me numrin e mandateve parlamentare dhe jo me votat e fituara. Drejtori i ISP, Afrim Krasniqi, ka propozuar modelin gjerman “një votë, një euro”, ku çdo votë përkthehet në mbështetje financiare të barabartë nga buxheti i shtetit, duke shmangur, sipas tij, deformimet që sjell sistemi i mandateve. “Kjo ka prodhuar situata absurde ku një parti me vetëm 8 mijë vota në një qark merr financim të rregullt parlamentar dhe zyra falas, ndërsa një parti lokale që fiton në dhjetëra bashki nuk merr asnjë mbështetje financiare. Ky model është projektuar për të ruajtur monopolin e PS dhe PD, duke shtypur prirjet e reja politike dhe duke i mbajtur partitë e vogla jashtë loje”, thotë Krasniqi.
Juristi Altin Gjeta e ka zgjeruar këtë ide, duke theksuar se ligji gjerman jo vetëm favorizon financimin publik mbi bazën e votave dhe kontributeve të anëtarësisë, por vendos edhe një tavan buxhetor dhe mekanizma penalizues efektivë për rastet e shkeljeve.
Partitë dhe “oligarkët”
Ligji ndalon financimet e partive nga kompani me kontrata publike, por deri më sot asnjë biznesmen i madh që ka fituar tendera nuk figuron në listën zyrtare të donatorëve të partive. Sipas të dhënave të Faktoje, në periudhën janar–prill 2025 është vërejtur një rritje e përqendrimit të parave publike në pak duar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur nuk kishte zgjedhje. Afrim Krasniqi thotë se financimet e partive nga grupe te caktuara të interesit realizohen në mënyra të tjera, shpesh të kamufluara përmes emrave fiktivë.
Propozimet
Legjislacioni mbi dekriminalizimin dhe integritetin (përfshirë AIDSSH) përcakton kritere të qarta për kandidatët në poste publike. ISP propozon që këto kritere të përfshihen edhe në ligjin për partitë politike dhe në statutet partiake, duke përfshirë pra edhe strukturat drejtuese. Sipas ISP, partitë duhet të publikojnë CV-të e stafeve drejtuese (kryesia, sekretariati ekzekutiv, kryetarët e degëve).
ISP propozon gjithashtu që ligji për partitë të ndalojë sponsorizimin financiar nga individë me të shkuar kriminale ose me aktivitet kriminal ekonomik. Në rast shkelje, ISP propozon vendosjen e sanksioneve.
Propozohet gjithashtu që individët me rekorde kriminale të përjashtohen nga e drejta për të marrë me qira ose blerë media vizive, audio ose të shkruara për përdorim electoral. Por sipas propozimeve të ISP, një subjekt politik duhet të humbasë mandatin nëse kandidati i zgjedhur rezulton i inkriminuar. Volitet gjithashtu dispozitë ligjore për të parandaluar presionin ndaj grave kandidate për dorëheqje paszgjedhore në listat shumëemërore.
ISP kërkon përmes një pakete propozimesh që kufizimet e votës sipas ligjit të dekriminalizimit, të aplikohen edhe tek partitë politike dhe listat e votuesve të diasporës. Ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen apo ushtrojnë funksione publike” dhe vendimi i Kuvendit në funksion të tij, sipas ISP, duhet të zgjerohet për tu aplikuar përtej BE-së, duke përfshirë vende të tjera evropiane dhe rajonale ku ka komunitete të mëdha shqiptare, si Zvicra apo Turqia.
Ky artikull bëhet në kuadër të projektit “Përmirësimi i kuadrit ligjor për partitë politike përmes Ligjit për Partitë Politike dhe/ose Kodit Zgjedhor”, i cili realizohet nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) me Fondacionin Westminster për Demokraci (WFD) me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë.
Konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, organizuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, u konceptua të martën si një takim i gjerë, në një sallë plot me përfaqësues nga qeveria, media, ambasadorë të akredituar në Tiranë, ku në qendër ishte një tryezë e rrumbullakët me fokus kryeministrin Edi Rama dhe drejtueset e katër organizatave të shoqërisë civile: Faktoje.al, “Together for Life”, “BIRN” dhe “SCiDEV”.
Diskutimet u fokusuan tek progresi i deritanishëm dhe problematikat serioze në zbatimin praktik të së drejtës për informim.
Kryeministri Edi Rama ne konferencen per te drejten e informimit
Dekriminalizimi i shpifjes
Kryeministri Rama e cilësoi panoramën e transparencës si “gotë gjysmë plot”, duke theksuar se pengesat burojnë nga përtacia burokratike dhe jo mungesa e vullnetit politik.
Ai propozoi vendosjen e sanksioneve për ministrat dhe sekretarët e përgjithshëm që tejkalojnë afatin ligjor prej 10 ditësh për dhënien e informacionit. “Nuk besoj te autorregullimi i shqiptarëve, ballkanasve…”, tha Rama kur foli për nevojen e sanksioneve
Për herë të parë, Rama premtoi edhe dekriminalizimin e shpifjes, por vetëm për gazetarët. Megjithatë, një piskamë (ai) e lëshoi.
“Ne nuk vuajmë nga liria e shprehjes, por liria e shpifjes”, tha Rama
Komisioneri Besnik Dervishi nënvizoi se problemet kryesore mbeten mosrespektimi i afateve, interpretimi i gabuar i përjashtimeve ligjore dhe neglizhenca administrative.
Platforma
Ministrja e Shtetit për administraten dhe antikorrupsionin, Adea Pirdeni, tha se platforma Transparent Albania, do të shërbejë në vijim si portë unike për aksesin në informacion publik, duke lehtësuar kërkesat online dhe monitorimin e performancës së ministrive.
Për herë të parë, sipas saj, qytetarët do të mund të paraqesin dhe ndjekin kërkesat për informacion online, ndërsa koordinatorët do të gjurmojnë zbatimin e tyre.
Ndërkohë, nga ana e partnerëve ndërkombëtarë ne tryezë u vlerësua rendësia e angazhimit për të përmirësuar qasjen e publikut dhe medias në informacion
Problematikat
Ne foto: Klodiana Kapo, Drejtore e Faktoje.al
Duke u bazuar në eksperiencën e saj personale, Klodiana Kapo, drejtore e Faktoje.al, tha se dikur gazetaria mbështetej në kontakt të drejtpërdrejtë me institucionet, ekspertët dhe vetë drejtuesit e partive, ndërsa verifikimi i informacionit ishte pjesë thelbësore e punës së përditshme.
Sot, sipas saj, ky ekuilibër është prishur. Ajo theksoi vështirësitë e gazetarëve për të marrë informacion në kohë, duke sjellë shembullin e 183 kërkesave të dërguara vetëm këtë vit nga Faktoje.al, shumica me përgjigje të pjesshme ose të vonuara.
Ne foto: Eglantina Bardhi, Drejtore e “Together For Life”
Eglantina Bardhi Drejtore e “Together for Life” nënvizoi se qasja e hapur në informacion nuk duhet parë si kërcënim nga institucionet.
Ndërsa Kristina Voko, Drejtore e BIRN, e cilësoi të drejtën e informimit si instrument thelbësor për mbrojtjen e interesit publik. Sipas saj, transparenca duhet kuptuar më gjerë se korniza ligjore, duke përfshirë konsultimin publik real, të dhënat e hapura dhe komunikimin e vazhdueshëm me qytetarët.
Blerjana Bino, Drejtore e SCiDEV ngriti shqetësime për mungesën e transparencës në procesin e negociatave për anëtarësim në BE dhe hendekun mes digjitalizimit dhe llogaridhënies demokratike.
Konferenca evidentoi kontrastin mes cilesimit që i dha vetë kryeministri Rama “gotës gjysmë bosh” të shoqërisë civile dhe “gotës gjysmë plot” të qeverisë, duke e lënë të hapur debatin mbi efektivitetin real të së drejtës për informim në Shqipëri.
Nga dje Belinda Balluku me vendim të GJKKO-së është e pezulluar nga detyra e zv-kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Asgjë nuk ka ndryshuar nga dje sot, e as pas takimit disa orësh që kryeministri Edi Rama zhvilloi me Ballukun në zyrën e tij të kryeministrisë.
E vetmja lëvizje konkrete është ankimimi i vendimit të GJKKO-së nga kryeministria në Gjykatën Kushtetuese.
GJKKO
Një vendim më shumë për të marrë kohë sesa për të mos e “lëshuar”, kur në të njëjtën ditë GJKKO zbardhi vendimin për Ballukun dhe miratoi 28 leje të reja për kontrolle personale.
“Në rastin konkret për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve të sipërcituar, duke qenë në ushtrimin e funksioneve respektive të tyre për shkak të detyrës, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen, kjo lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet qendrore që ata drejtojnë”, thuhet në vendimin e GJKKO.
Mbrojtja
Në përfundim të Samitit formal të Growth Plan “Our Pathway to the EU”, në krah të Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, kryeministri Edi Rama iu përgjigj enkas pyetjeve të tre gazetarëve, që në thelb kishin një qëllim: A do ta shkarkonte Belinda Ballukun pas vendimit të marrë nga GJKKO për pezullimin e saj nga ta gjitha funksionet qeveritare?
Rama
Kryeministri Edi Rama e konsideroi vendimin e pezullimit të ministres dhe zv/kryeministres Belinda Balluku si një rast të paprecedentë të ndërhyrjes së drejtësisë në kompetencat e ekzekutivit, por theksoi se qeveria nuk do të reagojë në të njëjtën mënyrë ndaj sistemit gjyqësor.
Ankimimi
Rama deklaroi se vendimi do të respektohet, ndërsa çështja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me argumentin se duhet përcaktuar qartë kufiri mes pushteteve.
“Pezullimi është vendim i një gjykate që ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese, si një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e Pushtetit Ekzekutiv dhe Gjykata Kushtetuese do duhet të na thotë se cili është qëndrimi i saj bazuar mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pra, nuk jemi në kushtet, kur duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë. Kështu që, për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zëvendës kryeministër dhe nuk ka një ministër të infrastrukturës dhe energjisë, që funksionon. Kaq!”, tha ai
Pakënaqësia
Rama vuri në dukje se Shqipëria po përjeton një drejtësi të re, “të brishtë dhe fëminore”, që sipas tij shpesh shfaq reflekse të vjetra antidemokratike, por që qeveria duhet ta mbrojë edhe kur “na godet padrejtësisht”.
“Është një pushtet i ri fëmijëror, i ndërtuar mbi një të kaluar, që nuk e ndihmon drejtësinë e pavarur, s’ka traditë, s’ka kulturë historike të një drejtësie të pavarur. Aftësitë e prokurorëve dhe gjykatësve janë një pjesë shumë e rëndësishme që duhen rritur dhe forcuar, duhet kohë, duhet durim dhe duhet vendosmëri.
Ne këtë vendosmëri e kemi dhe për sa kohë do ta kemi, do të jetë kështu dhe kur them për sa kohë do ta kemi, flas për veten time, që sa të jem unë në këtë detyrë, nuk do shikoni luftëra me drejtësinë apo akuza për të kundërshtuar akuzat që bën drejtësia”.
Ai kritikoi gjithashtu kulturën e “gjyqeve popullore” në televizione dhe rrjedhje e sekreteve hetimore nga prokurorët, duke e quajtur praktikë të dëmshme për drejtësinë.
Marta Kos
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, nuk komentoi rastin konkret, por theksoi se pavarësia gjyqësore është një ndër arritjet kryesore të Shqipërisë vitet e fundit dhe se vendimet e gjykatave duhet të respektohen. “…Sigurisht që raste të tilla ndodhin gjithandej, por e rëndësishme është që ne të ndjekim vendimet e gjykatës dhe ajo që kam dëgjuar nga kryeministri që do të ndodhë në fakt”, nënvizoi ajo.
Këtu ndërhyri sërish Rama, më shumë si mesazh për BE-në, duke përcjellë të kundërtën e deklaratës së “rasteve që ndodhin gjithandej”.
“Nuk bën vaki në Bashkimin Europian, që njerëzit të pezullohen nga funksionet, është unike në historinë e Europës kjo, duke qenë të zgjedhur, nuk bën vaki në Bashkimin Europian që kryetarët e bashkisë të merren nga zyra dhe të çohen në burg, pa gjyq dhe të mbahen në paraburgim për muaj e muaj të tërë, nuk bën vaki në Bashkimin Europian që siç e thotë jo qeveria e Shqipërisë, po ‘komisioni i torturës i Strasburgut’ – një vend të ketë më shumë të paraburgosur, sesa njerëz të gjykuar dhe të burgosur me gjyq”, tha Rama.
Standardi i BEdhe rasti “unik”
Politologu Afrim Krasniqi në një postim në Linkedin solli standardet e BE-së dhe jo vetëm, duke kundërshtuar tezën e Ramës.
”Në Europën Perëndimore ka standard tjetër: asnjë zyrtar i lartë nën akuzë dhe masë sigurie nuk vonon, por jep menjëherë dorëheqjen. Kështu që duhen kërkuar vende ‘si Shqipëria’ për të krahasuar. Ja p.sh., Brazili ka indeksin e shtetit së të drejtës 10 pikë më të lartë sesa Shqipëria dhe aty ka pasur raste të njëjta për zyrtarë të lartë, në Ekuador, një vend me nivel pak më të ulët sesa Shqipëria në indeks, është shkarkuar në detyrë zv/presidenti i zgjedhur me një vendim gjyqësor; në vende të tjera ka ndodhur të shkarkohen zyrtarë edhe më të lartë, përfshirë presidentë e kryeministra.
Në një vend të BE, si Spanja, kryeministri pezulloi funksionet e tij për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, në republikat baltike me nivel shumë më të lartë demokracie sesa ne, rasti i fundit është pezullimi i një deputeti nga gjyqtari”, shkruan ai
Parimi i demokracisë, sipas tij, kudo në botë është i njëjtë: “asnjëherë dhe në asnjë rast një vendim gjyqësor nuk është quajtur ‘grusht shteti’, e kundërta, moszbatimi i vendimeve të gjykatave është konsideruar akt kundër shtetit”.
Zgjedhjet e lira
E pyetur mbi vërejtjet e raportit të OSBE-ODHIR për zgjedhjet (ku u bazua edhe raporti I Komisionit Europian) Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos u përgjigj: “Po, zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme. Është gjithmonë mirë kur marrim sugjerime për përmirësime dhe kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë, por edhe për BE”
Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 thekson se progresi në lirinë e shprehjes dhe medias në Shqipëri mbetet i kufizuar. Në këtë kontekst, Faktoje.al dhe Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SciDev), me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë të Vendeve të Ulëta në Shqipëri, organizuan një tryezë të rrumbullakët me pjesëmarrjen e institucioneve, deputetëve nga forcat kryesore politike por dhe partitë e reja, gazetarëve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë për veprime konkrete.
Roli i medias
Nën moderimin konçiz të tryezës nga eksperti Neritan Sejamini, Klodiana Kapo, Drejtoresha Ekzekutive e Faktoje.al, theksoi në fillim të takimit se interesat e pronarëve dhe presioni politik janë faktorët kryesorë që minojnë besimin ndaj medias.
Ajo nënvizoi se media duhet të shërbejë jo vetëm si transmetuese e lajmit, por edhe si instrument edukues që krijon besim në këtë mjedis polarizues.
Realiteti
Blerjana Bino, Drejtoreshë Ekzekutive e SciDev, vuri në dukje se përparimi i vogël i evidentuar në raport nuk ka ndikim real tek gazetarët. Ajo paralajmëroi se pa çmontimin e një sistemi të kapur nga interesat monetare dhe politike, gazetaria cilësore mbetet e pamundur. Bino shtoi se pa gazetarë të mbrojtur, informacioni i besueshëm është i vështirë.
Perspektiva ndërkombëtare
Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, Reinout Vos, theksoi se pa media të lirë, demokracia nuk funksionon dhe, kur gazetarët nuk janë të sigurt, llogaridhënia vihet në rrezik.
Kritikat
Koloreto Cukali kritikoi raportin e BE për mosreflektimin e fenomenit të “zhdukjes së lajmit” nga mediat kryesore dhe kërkoi transparencë të fondeve publike. Për këtë të fundit, Erion Tase kërkoi rregullim konkret.
Aleksandra Bogdani e BIRN theksoi se vullneti politik është “thembra e Akilit” për zhvillimin e medias, duke kritikuar praktikat e shpërndarjes së materialeve të gatshme nga institucionet dhe po aq, transmetimit të tyre nga tv e licensuara, në një kohë kur vetë frekuenca e transmetimit shfrytëzohet si një e mirë publike.
Kushtet e punës
Isa Myzyraj (AGSH) kërkoi shkëputjen e lidhjeve mes qeverisë dhe pronarëve të mediave, sidomos kur ata shpallen investitorë strategjikë. Ai ngriti shqetësime për kushtet e punës, pagesat e vonuara dhe mungesën e mbrojtjes ligjore.
Osman Stafa një tjetër gazetar denoncoi mungesën e aksesit në informacion, censurën dhe autocensurën që, sipas tij, po dëmtojnë interesin publik.
Perspektiva politike
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, solli në vëmendje kontrollin e informacionit nga MIA dhe theksoi tre detyrime që burojnë nga integrimi: Dekriminalizimi i shpifjes, mbrojtja nga paditë SLAPP dhe pavarësia e AMA/RTSH
Armela Krasniqi, Drejtoreshë e AMA, kërkoi gjatë diskutimeve një përkufizim ligjor për “median” dhe “gazetarin”, duke mbrojtur në të njëjtën kohë pavarësinë e AMA me vendime konsensuale të pakontestuara, sipas saj, as nga partitë politike e as nga shoqëria civile
Në anën tjetër, Erald Kapri deputeti i Partisë “Mundësia” paralajmëroi se çdo iniciativë ligjore rrezikon të kthehet në kontroll, duke mbrojtur tezën e vetërregullimit të medias.
Dekani i Fakultetit e Historisë dhe Filologjisë, profesor Mark Marku, sugjeroi konsensus për standardizimin e medias shqiptare
Konkluzionet
Në fund të diskutimeve, nga tryeza rezultoi nevoja për pavarësi politike të medias, transparencë financiare dhe pronësie, sidomos mbi përdorimin e fondeve publike, mbrojtje ligjore për gazetarët, një status i qartë juridik për median dhe gazetarët, dallimet mes mediave tradicionale dhe atyre online, vetërregullim dhe konsensus për standardizimin e sektorit.
Gjatë tryezës u evidentua se presioni i BE-së, donatorëve dhe vetë komunitetit të gazetarëve shihet si i domosdoshëm për të detyruar qeverinë të ndërmarrë hapa konkretë ne drejtim të pavarësisë së medias.
Më 4 Tetor 2025, Faktoje, platforma e parë dhe e vetme e verifikimit të fakteve u bë objektiv i një sulmi kibernetik.
Hakerët depërtuan në databazën e WordPress dhe fshinë një pjesë të konsiderueshme të artikujve.
Nga një raport i hollësishëm i ekipit teknik rezulton se ky nuk ishte një sulm i rastësishëm apo amator.
Veprimet e kryera tregojnë një operacion të organizuar, me njohuri të avancuara teknike dhe synim të qartë: pengimin e punës se Faktoje-s në tre linja kryesore:
1. Anti-dezinformimimin që lidhej me lajmet e rreme që qarkullonin në rrjet
2. Luftën ndaj ekspozimit të narrativave hibride, sidomos ato të lidhura me burime pro-Kremlinit
3. Llogaridhënia e institucioneve brenda vendit
Synimi
Fshirja e artikujve kishte si synim dobësimin e besueshmërisë së Faktojes dhe hapjes terren të narrativave të rreme
Pasoja: Mbi 200 artikuj të fshirë nga databaza, shumë prej të cilave kishin kërkuar muaj punë kërkimore.
Çfarë ndodhi konkretisht?
Pas një përpjekje që nisi nga data 4 tetor, faqja e internetit e Faktoje.al u nxor thuajse jashtë funksionit për 13 ditë, duke lënë publikun pa akses në qindra verifikime faktesh, raporte investigative, databaza të publikuara, podcaste, video-seri, newsletter dhe raporte.
Gjatë kësaj periudhe, sulmuesit fshinë vazhdimisht përmbajtje, eliminuan llogari përdoruesish, përfshirë ato të redaktorëve dhe administratorëve si dhe penguan ndjeshëm përpjekjet për rikuperim.
Origjina
Analiza e kryer nga ekipi teknik që mbështet Faktoje dhe partnerë ndërkombëtarë që u angazhuan në këtë hetim, zbuloi se shumica e adresave IP të përdorura për sulmin kishin origjinën nga Serbia.
Megjithatë, një shqyrtim i detajuar i përmbajtjes së fshirë zbulon se artikujt e fshirë nuk kishin fokus të veçantë vetëm Serbinë apo temat lidhur me të dhe rajonin.
Çfarë u fshi?
Përmbajtja e fshirë përfshinte një gamë të gjerë temash që nisnin që nga dezinformimi rus dhe narrativat anti-perëndimore, pjesë e punës tre vjecare të Faktoje-s në bashkëpunim me pesë partnerë në rajon, konkretisht marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe gjeopolitika rajonale, narrativat e tensioneve ndërkufitare dhe propagandës ruse, dezinformim i ricikluar për NATO-n, Ukrainën, SHBA-në, dezinformim rajonal mbi politikën ndërkombëtare.
Fokus i fshirjes gjithashtu ishin narrativat mbi shëndetin dhe COVID-19 kryesisht teori konspirative të adaptuara lokalisht, çështjet mjedisore dhe energjia me fokus keqmenaxhimin dhe pretendimet e rreme për progres, foto fake të aktorëve politik kryesore në botë të gjeneruara me AI si dhe fusha e medias dhe transparenca me fokus mungesën e qasjes në të dhëna dhe komunikimi i dobët publik nga institucionet shtetërore.
Janë fshirë gjithashtu edhe artikuj për tema sensitive si çështja “gender”, dhe debati i fundit për barazinë gjinore.
Screenshot e lajmeve te fshira
Qëllimi
Selektimi i artikujve që u fshinë, tregon planifikim dhe jo një sulm i rastësishëm që mund të vijë nga një individ i caktuar.
Sulmi zgjati për dy javë me ndërhyrje të përsëritura, dhe targetimi i verifikimeve të dezinformimit tregon se motivi ka qenë strategjik.
Sulmuesit shfrytëzuan një akses për shumë ditë, duke fshirë vazhdimisht përmbajtje edhe gjatë përpjekjeve të rikuperimit, ç’ka tregon vendosmëri dhe një fushatë të qëndrueshme, tipike për grupe të strukturuara.
Origjina e IP-ve nga Serbia është gjithashtu e rëndësishme, sa kohë që pjesë e fshirjes janë përmbajtje që lidhen me luftën e qëndrueshme të Faktoje-s ndaj dezinformimit në nivel rajonal.
Rikuperimi
Faktoje.al ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të rivendosur bazën e të dhënave dhe për të forcuar mbrojtjet e sistemit.
Ekipi teknik nisi një operacion të ngjashëm me një hetim kriminalistik. Importuan databazat me kodim të sigurt për të ruajtur karakteret shqipe, ndërtuan një version të konsoliduar ndërsa rezultati ishte i qartë. Është restauruar gjithashtu databaza finale dhe forcuar mbrojtja e sistemit, duke rritur në të njëjtën kohë vigjilencën gjatë monitorimit të përditshëm.
Pse Faktoje?
Besojmë se ky nuk është vetëm një sulm kundër Faktoje.al, por një kërcënim ndaj medias shqiptare që guxon të përballet me dezinformimin vendas dhe të huaj.
Puna e përditshme për të verifikuar pretendimet, ekspozuar gënjeshtrat, por edhe bashkëpunimit të ngushtë me pesë partnerë në nivel rajonal, e vendosi Faktoje-n në objektiv.
Në një rajon ku dezinformimi shpesh përdoret si armë, heshtja e përkohshme e një platforme fact-checking mund të ketë pasoja të mëdha.
Pavarësisht sulmeve kibernetike, Faktoje mbetet e përkushtuar për të vazhduar misionin e saj të verifikimit të fakteve si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë rajonal.
Kryeministri Edi Rama ka marrë të martënprogres-raportin 95-faqësh të Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili evidenton përparim të kufizuar në disa fusha, ndërsa thekson nevojën për reforma të thella në demokraci, sundimin e ligjit dhe qeverisje.
Demokracia
Në kapitullin për demokracinë, Komisioni Europian i referohet zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR, duke kërkuar një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.
Duke cituar raportin e OSBE/ODIHR, Komisioni Europian vëren se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë profesionale, por u shoqëruan edhe më mangësi “përfshi mungesën e kushteve të barabarta për të gjithë garuesit dhe abuzim me burimet publike”
Kuvendi cilësohet si funksional “vetëm pjesërisht”, për shkak të “polarizimit politik, mungesës së dialogut politik të sinqertë dhe përplasjeve mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, ndërkohë që proceset e konsultimit publik mbetën të kufizuara”
Kuvendi pengohet gjithashtu nga mbikëqyrja e kufizuar ndaj ekzekutivit, ndërsa politizimi i emërimeve parlamentare në pozicione të larta në organet kushtetuese ose institucionet e pavarura të krijuara me ligj mbetet një çështje serioze
Referuar raportit, procesi i integrimit në BE duhet të jetë më gjithëpërfshirës, ndërpartiak dhe i mbështetur nga mekanizma efektivë konsultimi.
SPAK dhe lufta kundër korrupsionit
SPAK vlerësohet gjerësisht për rezultatet në hetimin e korrupsionit në nivele të larta. Nuk thuhet e njëjta për Prokurorinë e Përgjithshmë dhe Policinë e Shtetit.
“Që nga themelimi i saj, SPAK ka dhënë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit. Organet e tjera të ngarkuara me luftën kundër korrupsionit, në veçanti Prokuroria e Përgjithshme dhe policia e shtetit, kanë ende nevojë të përmirësojnë rezultatet e tyre në këtë fushë”, thuhet në progres-raport.
Sipas raportit, policia e shtetit mbetet e cenueshme ndaj korrupsionit.
Raporti vëren se rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë përmirësuar për rastet në nivele të larta por janë përkeqësuar lehtë për rastet që nuk prekin ato nivele.
Sipas raportit, “kuadri institucional për parandalimin e korrupsionit vazhdon të ketë ndikim të kufizuar, përfshi sektorët vulnerabël, dhe koordinimi me organet e zbatimit të ligjit mbetet i dobët”
“Duhet të garantohet menaxhimi në kohë dhe i duhur i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, përfshirë asetet virtuale dhe kriptovalutat, pasi nuk ka një portofol digjital shtetëror të disponueshëm”, thuhet në raport.
Raporti vëren gjithashtu mungesë të një qasjeje strategjike për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale jashtë vendit.
Drejtësia dhe emërimet
Ndërkohë, efiçenca e sistemit të drejtësisë mbetet e kufizuar. Sipas raportit, ajo mbetet e penguar nga zvarritja e procedurave dhe akumulimi i çështjeve të prapambetura, sidomos në gjykatat e Apelit.
Publikimi i vendimeve shpesh vonohet përtej afateve ligjore, ndërsa menaxhimi i dobët i seancave dhe mungesa e avokatëve mbrojtës përbëjnë pengesa shtesë për funksionimin e sistemit.
Ndërkohë, sipas raportit, proceset e emërimeve në sistemin e drejtësisë në Shqipëri mbeten sfiduese dhe kërkojnë përmirësim të standardeve të meritës dhe pavarësisë.
Komisioni Europian nënvizon se duhet garantuar një procedurë konkurruese dhe transparente për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.
Raporti evidenton pasiguri ligjore lidhur me përfundimin e mandatit të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe probleme në zbatimin e meritokracisë për magjistratët.
Qeverisja dhe ndarja e pushteteve
Në fushën e qeverisjes, raporti përmend nevojën për më shumë transparencë, koordinim institucional dhe respektim të ndarjes së pushteteve.
Komisioni kritikon retorikën politike si nga shumica qeverisëse ashtu edhe nga opozita ndaj sistemit gjyqësor, e cila sipas raportit “rrezikon të dëmtojë ndarjen e qartë mes pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësorit”.
Qeveria, gjithashtu duhet të përmbahet nga “retorika dhe masat që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së”.
Përmendet gjithashtu nevoja për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe digjitalizimin e administratës vendore.
Ndërhyrjet e qeverisë në bashki dhe vala e dorëheqjeve në korrik 2025 janë cilësuar shqetësuese në kontekstin e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore.
“Ndarja e qartë e përgjegjësive mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore mbetet një çështje problematike”, thuhet në raport.
Mjedisi dhe ndryshimet klimatike
Referuar progres-raportit mjedisi mbetet fusha ku Shqipëria nuk ka bërë përparim.
Nuk është arritur progres në menaxhimin e mbetjeve, cilësinë e ujit dhe ajrit apo mbrojtjen e biodiversitetit.
As për elimimin e zhurmës, vërehet se nuk është bërë përparim, pasi Shqipëria nuk ka përgatitur harta strategjike dhe plane veprimi
BE kërkon miratimin urgjent të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe paralajmëron se vendime te marra më herët si ndërtimi i një TEC-i në mars të këtij viti (për të cilin ka shkruar më herët edhe Faktoje) “mund të rrezikojë aftësinë e vendit për të përmbushur objektivat klimatike dhe për t’u përafruar me ato të BE-së”.
Vërehet gjithashtu se ligji për paketën e maleve “mund të sjellë pasoja për pëdorimin lokal të tokës dhe menaxhimin mjedisor”.
Ekonomia, biznesi dhe investimet
Edhe pse raporti njeh disa përmirësime në klimën e biznesit dhe reformën në drejtësi, zvarritja e proceseve gjyqësore mbetet pengesë. Ligji i unifikuar për investimet është shtyrë, ndërsa ai për investimet strategjike është zgjatur deri në vitin 2026.
Edhe pse masat e marra deri më tash synojnë të nxisin aktivitetin ekonomik, raporti vëren se “ato kanë ngritur shqetësime lidhur me transparencën dhe aksesin e barabartë, favorizimin dhe mungesën e proceseve konkurruese”.
Vërehet gjithashtu se është bërë përparim i kufizuar në përafrimin e kuadrit ligjor për prokurimin publik.
Ndërkohë, ndërmarrjet shtetërore, sipas raportit, paraqesin risqe fiskale. Ndaj dhe monitorimi i tyre, sipas Komisionit Europian, është thelbësor.
Liria e shprehjes dhe media
Raporti evidenton se liria e shprehjes mbetet problematike. Gazetarët përballen me frikësime, sulme verbale dhe fizike, si dhe fushata denigruese online. Shqipëria nuk ka bërë përparim në mbrojtjen ligjore të gazetarëve, ndërsa përqendrimi i pronësisë mediatike dhe mungesa e transparencës mbi financimin vazhdojnë të rrezikojnë pluralizmin mediatik, sipas raportit.
Progres-raporti nënvizon gjithashtu se Kodi Penal nuk ofron mbrojtje specifike për gazetarët në ushtrimin e detyrës.
Shoqëria civile
Organizatat e shoqërisë civile vijojnë të punojnë në një mjedis “pjesërisht mundësues”, me vështirësi në sigurimin e financimeve publike dhe rritjen e narrativave negative dhe fushatave denigruese në internet ndaj tyre.
Një projektligj i propozuar nga Partia Demokratike, i relatuar nga deputeti Tritan Shehu, mori një vëmendje të gjerë në komisionin parlamentar të Shëndetësisë, aty ku shumica e deputetëve me profesion janë mjekë.
Propozimi i PD-së synon të shtojë një nen në ligjin për gjendjen civile, duke përcaktuar se në Republikën e Shqipërisë ekzistojnë vetëm dy gjini biologjike, mashkull dhe femër, të pandryshueshme që nga lindja.
Ndarja
Deputetët e PD-së dhe ajo e pavarur Mesila Doda përcollën një qasje tradicionale që “synon të ruajë strukturat shoqërore ekzistuese” . Ndërsa deputetët e PS konkretisht Eduard Shalsi dhe Enriketa Jaho ishin më gjithëpërfshirës duke kërkuar mbrojtjen, por edhe njohjen në një të ardhme të diversitetit gjinor.
Pyetjet
“Ku ndryshon seksi nga gjinia?
Me sa sekse mund të lindë një njeri biologjikisht?
Keni dëgjuar për personat interseks dhe mbi rreth 54 vihem në dijeni se ka dhe nëse keni dëgjuar çfarë gjinie kanë këta persona interseks dhe si përcaktohet gjinia e tyre?”, ishin disa nga pyetjet që shtroi deputeti Eduard Shalsi.
PD
Gjatë përgjigjeve, deputeti i PD-së, Tritan Shehu tha se projektligji synon të “mbushë një hapësirë bosh” në legjislacionin aktual dhe të forcojë, sipas tij, kolonat tradicionale të shoqërisë shqiptare, siç është familja.
Ai tha se gjinia është një kategori biologjike e përcaktuar shkencërisht dhe nuk duhet të ngatërrohet me orientimin seksual. Duke iu referuar pyetjeve të Shalsit, (përfshi interseksin) Shehu tha se, “deformimet nga norma” duhen trajtuar nga shkenca mjekësore, por “nuk mund të përmbysin”, në interpretimin e tij, “kolonat e sotme të shoqërisë”.
“Unë jam mjek dhe në lindje themi mashkull apo femër. Ka edhe deformime nga norma absolutisht që ka, shohim fëmijë dy bashkë, ashtu si një fëmijë mund të lindë edhe pa organe gjenitale, këto janë probleme të deformimit nga norma dhe këta duhen trajtuar rehabilituar për një jetë sa më normale, por pa dëmtuar kolonat e shoqërisë njerëzore. Thelbi i shoqërisë njerëzore nuk varet nga raste të veçanta. Interseksi është pak e shumë ajo që thashë më siper. Norma është burrë dhe grua…”, tha Shehu
Gjykatat shqiptare për gjininë
“Një tjetër pyetje është se ka disa vendime gjyqësore. Gjykatat shqiptare kanë marre disa vendime gjyqësore për të ndryshuar gjininë. Shkodra ishte një rast me të cilin u njoha pak minuta më parë. A jeni në dijeni të këtyre vendimeve”, pyeti Shalsi.
“Gjyqësori duhet të shohë ligjet që miratojmë ne”, u përgjigj, si i zënë në befasi, Shehu.
“Ne po diskutojmë për Shqipërinë një vend ku ka rëndësi edhe ruajtja e traditës dhe mbrojtja e thelbit të shoqërisë sonë, që është familja shqiptare”, mbështeti deputeti tjetër i PD-së, Bardh Spahia
PS
Deputetë të Partisë Socialiste si Eduard Shalsi apo Enriketa Jaho ngritën pyetje mbi përputhshmërinë e projektligjit me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, duke paralajmëruar se iniciativa mund të përballet me sfida ligjore në Gjykatën e Strasburgut.
“Kufizimi ligjor vetëm në burrë dhe grua përjashton ata që nuk identifikohen në këto kategori, një shtet që njeh më shumë se dy kategori është më gjithëpërfshirës dhe më në përputhje me barazinë e dinjitetit njerëzor. Ligji duhet të jetë pasqyrë e realitetit shoqëror dhe jo kufizim i tij, për këtë arsye jam kundër”, tha Jaho.
Pasaporta shqiptare
Kundër u pozicionua edhe deputeti tjetër i PS-së, Eduard Shalsi, duke përmendur në fund të mbledhjes një argument shtesë
“Për çfarë kërkoni ndryshimin në gjendjen civile? Çfarë kërkoni se në pasaportën shqiptare ju e keni mashkull dhe femër? Çfarë po kërkoni të ndryshoni?!. Keni sjellë një ndryshim në ligjin e gjendjes civile, sot në ligj e keni të qartë, a i keni parë pasaportat shqiptare? Psh Gjermania përvec mashkull, femër ka një shenjë x interseksin, ne nuk e kemi ashtu. Ne e kemi të qartë këtë gjë.
Ligji shqiptar është i qartë. Pasaporta është e qartë. Nuk do të ndryshojë asgjë në këtë drejtim. Po debatojmë për diçka që nuk ka lidhje fare. Pasaporta shqiptare mbetet siç është. Mashkull dhe femër. Për çfarë e keni sjellë këtë ndryshim? Vetëm ju e dini!”, ndërhyri Shalsi
“Në të ardhmen duhet të përcaktojmë një kategori të caktuar… Ajo që keni propozuar bie ndesh me konventat europiane, jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut dhe Marrëveshjen e Stabilizim – Asocciimit”, vijoi ai.
Referendumi
Deputeti i PD-së, Tritan Shehu, këmbënguli se propozimi nuk shkel konventat ndërkombëtare dhe sfidoi mazhorancën me referendum ku publiku të vendosë:
“Seksi nuk ka të bëjë me gjininë, a do lejohen të bëjnë ndryshimet seksuale apo jo është çështje tjetër pastaj si ajo e vendeve të tjera Italia psh nuk e lejon. Janë veprime kriminale ta pyesësh një vajzë tre vjecare se si e ndjen veten ti mashkull apo vajzë?!
Ne duhet të caktojmë linjat. Ne duhet të ndjekim opinionin publik shqiptar në këtë drejtim dhe nuk ka asnjë konventë obliguese kombëtare që të fusësh ‘gender’-in në shkolla apo 72 gjinira, ju si të doni, por po ju them se nëse do ndryshojmë kolonat hajde shkojmë në referendum”.
Në mungesë konsensusi, projektligji kaloi për votim në seancë plenare
Një projektligj për barazinë gjinore i depozituar në Kuvend ka ndezur debat mbi përkufizimin e termit “gjini”.
Për një pjesë, ky hap shihet si i domosdoshëm referuar realitetit të ri shoqëror pasi lufton pabarazinë dhe ndihmon në politika më gjithëpërfshirëse, ndërsa për kritikët është një lëvizje që cenon konceptin tradicional të gjinisë, duke e zëvendësuar me një përkufizim më fluid e të paqartë.
Pse u hartua një draft i ri
Debati për hartimin e këtij projektligji është fokusuar në një pikë, ndërkohë që qëlllimi i vetë projektligjit është shumë herë më i gjerë.
Aktualisht ka një ligj për barazinë gjinore në Shqipëri që është në fuqi qysh prej vitit 2008 dhe nuk ka pësuar ndryshime.
Në relacionin shoqërues të projektligjit thuhet se, pavarësisht se realiteti ligjor, shoqëror dhe ndërkombëtar ka evoluar ndjeshëm, ligji për barazinë gjinore ka mbetur i pandryshuar
Ndërsa janë bërë rregullime të shumta në ligje të tjera, si ai për mbrojtjen nga diskriminimi, dhunën në familje, apo Kodin e Punës, ligji për barazinë gjinore ka mbetur i pandryshuar, duke krijuar boshllëqe dhe vështirësi në zbatim.
Referuar relacionit, mos-harmonizimi i ligjit aktual me aktet sa më sipër ka sjellë mungesë koherence në trajtimin e diskriminimit, të dhunës me bazë gjinore, të barazisë në punësim, apo në media.
Një tjetër arsye shtesë është edhe përafrimi me acquis të Bashkimit Evropian dhe direktivat e reja ndërkombëtare, të cilat vendet e rajonit dhe të BE-së i kanë implementuar.
Kush e përgatiti
Në dokumentet zyrtare (që i bashkëlidhen këtij projektligji) sqarohet se drafti ‘Për barazinë gjinore’ është miratuar nga një grup pune e ministrisë së Shëndetësisë.
Më tej, në regjistrin elektronik për njoftimet dhe konsultimet publike, janë regjistruar 1,403 shikime/vizitorë dhe është postuar 1 koment nga Komiteti Shqiptar i Helsinikit.
Ministria njofton gjithashtu se ka bashkërenduar të gjithë procesin konsultativë duke u bazuar tek strategjia kombëtare për barazinë gjinore 2021-2030, rekomandimet dhe konventat ndërkombëtare të GREVIO, CEDAW dhe Konventën e Stambollit si dhe Direktivat e Acquis në fushën e barazisë gjinore.
Konsultimet
Nga sugjerimet e përcjella nga shoqëria civile u morën parasysh dhe u pasqyruan në tekstin përfundimtar rreth 12 komente kryesisht të karakterit administrativ, por ajo që tërhoqi vëmendjen dhe nxiti debatin ishte përkufizimi ligjor i gjinisë.
Drafti fillestar
Fillimisht, projektligji i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, i hedhur për konsultim publik në mars 2025, përfshinte një përkufizim tradicional të gjinisë ku termi gra dhe burra në kuptim të këtij ligji nënkuptonte edhe vajza dhe djem. Në thelb, kuptimi i gjinisë mbetej strikt binar, i kufizuar te dy kategori; femër dhe mashkull.
Drafti përfundimtar
Gjatë procesit të konsultimeve, ministria e Shëndetësisë njofton në korrespondencën zyrtare se aleanca LGBTI kërkoi që projektligji të mos kufizohej vetëm në dy kategori gjinore.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e reflektoi këtë propozim duke zgjeruar përkufizimin, dhe në versionin përfundimtar që është depozituar në Kuvend, termi “gjini” merr një kuptim të ri juridik: Gjini, sipas këtij ligji, ka kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore.
Në kuptim të këtij përkufizimi është reflektuar edhe një tjetër ndryshim e propozuar nga qendra AWEN sipas së cilës përfaqësimi i barabartë gjinor nënkupton përfaqësimin e secilës prej gjinive, në të gjithë diversitetin e tyre.
Kush mori pjesë në kosultime
Në kuadër të procesit të hartimit të projektligjit të ri “Për barazinë gjinore”, ministria e Shendetesisë ka njoftuar se në takimet konsultuese parapërgatitore morën pjesë një grup i gjerë përfaqësuesish nga institucione dhe organizata kombëtare e ndërkombëtare, konkretisht: 9 institucione në nivel qendror dhe të varësisë, pjesë e grupit të punës;
18 përfaqësues të organizatave joqeveritare, përfshirë qendra sociale ditore dhe rezidenciale, shoqata të shoqërisë civile dhe grupe interesi aktive në fushën e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut; 5 organizata ndërkombëtare: UNDP, UN Women, UNICEF, UNOPS dhe IOM; 7 përfaqësues nga ambasada dhe agjenci ndërkombëtare: Ambasada e Suedisë, Ambasada e Vendeve të Ulëta, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, GIZ, OSBE, AICS dhe ADA.
Debati për Soros
Në media ndërkohë qarkulloi një lajm sipas të cilit “Kryeministri Edi Rama ka pranuar se për hartimin e projektligjit të ‘Për Barazinë Gjinore’ është këshilluar me organizata të shoqërisë civile që ndër vite kanë marrë financime nga Fondacioni ‘Soros”
Xheni Karaj nga komuniteti LGBTI (që bëri edhe propozimin) e kundërshtoi këtë narrativë.
“Unë e përmend shpesh sepse gjithnjë jemi targetuar si komuniteti që financohemi nga Soros si pjesë e axhendës së Soros në Shqipëri. Por në të vërtetë nëse e shihni dhe cdokush mund të shkojë të kontrollojë çdo gjë është transparente dhe kushdo mund të shohë se Soros nuk ka dhënë kurrë para për LGBTI”, tha Xheni Karaj për gazetaren Alice Taylor në Euronews Albania
Burime zyrtare nga Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros thanë për Faktoje.al se nuk kanë qenë të përfshirë në hartimin apo diskutimet konsultative të projektligjit “Për Barazinë Gjinore”
Faktoje.al ndërkohë është në pritje të një kërkese për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë për debatin në fjalë.
Projektligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” ka ngritur pikëpyetje gjatë seancës dëgjimore nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, në komisionin e Ekonomisë, konkretisht mbi rolin që do të ketë Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, kostot që shoqëron zbatimi i këtij drafti dhe fati i inceneratorëve.
AKEM
Përmes deputetëve të opozitës Ledina Aliolli, dhe Enno Bozdo, Partia Demokratike ngriti shqetësimin se AKEM shkel autonominë e bashkive dhe rrezikon të hapë derën për interesa private.
Ministri Jaupaj u përgjigj se agjencia nuk do të centralizojë kompetencat, duke theksuar se bashkitë mbeten përgjegjëse për menaxhimin brenda territorit të tyre, ndërsa AKEM do të koordinojë procesin në nivel kombëtar.
Më tej ministri solli shembullin nga Hungaria për ngritjen e AKEM, duke e krahasuar më atë shqiptar, rasti i OST në sektorin e energjisë. Por deputeti Bozdo nënvizoi se modeli hungarez ishte i lidhur me privatizim dhe koncesione. “Modeli hungarez duhet të jetë jashtë. Doni ta jepni AKEM me PPP ose ndryshe koncesion. Ka disa të dhëna që e çoni drejt këtij modeli në projektligj siç lidhet me pronësinë private të landfilleve
Ju nuk mundet ta çoni këtë me model koncesionar dhe t’i hapni derën asnjë privati të hyjë në zinxhirin e integruar të mbetjeve
AKEM nuk mund të jetë sipas modelit hungarez dhe të shkojë në duart e privatit. Privati në Shqipëri në sektorin e mbetjeve është e barabartë me mafien”, tha Bozdo.
Ministri Jaupaj u përgjigj se AKEM do të jetë shoqëri me kapital shtetëror dhe do të financohet nga buxheti i shtetit.
“AKEM është një shoqëri me kapital shtetëror, pra është një institucion publik që parashikohet në nenet e projektligjit, pra është me kapital shtetëror dhe i bie që të jetë një institucion publik. Sa i përket modelit ndërkombëtar e kisha për qendërzimin e trajtimit fundor të mbetjeve dhe jo modeleve. Modeli është shumë qartë i përcaktuar në projektligj”, replikoi ministri.
Sa do të paguajnë qytetarët?
Një nga pikat më të nxehta lidhet me faturën financiare, që nuk është e parashikuar në projektligj. Deputetë të opozitës kërkuan të dinë se sa do të paguajnë familjet dhe bizneset pas hyrjes në fuqi të projektligjit.
“Flasim për kosto dhe tarifa. Kostot janë për pushtetin vendor, tarifat janë për qytetarët.
A mund të me thoni ju një qytetar sot i Shqipërisë sa paguan sot dhe sa do të paguajë nesër me këtë model të ri sepse ndjesia ime me këtë draft është se pataten e nxehtë po ia hidhni pushtetit vendor sepse ne i kalojmë kompetenca pushtetit vendor por nuk e financojmë kurrë atë. Ju këtu duhet të vinit me tarifa dhe kosto e kuptoj që nuk mund të jenë 100% të sakta”, pyeti Bozdo. Deputeti i PD-së foli për përllogaritje paraprake tarifash 3 deri në 6 herë më të larta.
Ministri Jaupaj u përgjigj se tarifat do të përcaktohen nga një vendim i veçantë i Këshillit të Ministrave, sipas një metodologjie të hartuar me ekspertë ndërkombëtarë. Ai vuri gjithashtu në dukje se, “Shqipëria ka aktualisht tarifat më të ulëta në Europë për menaxhimin e mbetjeve”
“Metodologjia dhe përcaktimi i tarifave lidhet ngushtësisht me tipologjinë, metodologjinë e zhvillimit ekonomik të një njësie vendore, nëpërmjet diskutimeve edhe në këshillat bashkiakë. Megjithatë ne do t’i asistojmë me një metodologji për të përcaktuar tarifa të drejta në bazë edhe të mënyrës se si menaxhimi i mbetjeve kryhet në atë zonë të caktuar të territorit …”, tha ministri
Inceneratorët
Ashtu si edhe në seancat e tjera dëgjimore për draftin e ri të mbetjeve, polemika u fokusua tek trashëgimia e inceneratorëve. Deputeti Enno Bozdo akuzoi qeverinë se, 11 vite pas dështimit të projektit të inceneratorëve, Shqipëria ende përballet me pirgje mbetjesh. “Është turp që në vitin 2025 ende ndodhemi në këtë situatë”, tha ai
“Pse nuk vihet në punë inceneratori i Fierit jo për tu marrë me mbetjet që krijohen tani apo kur të hyjë ligji në fuqi dhe normalisht të trajtohen mbetjet sipas këtij ligji, por për të zhdukur ato pirgje male të mëdha me mbetje që janë krijuar veçanërisht në atë territor në territorin e qarkut të Fierit, por edhe më gjere ato janë mbetje që nuk riciklohen më, janë mbetje që janë dëmtuar përfundimisht nuk mund të kthehen në ekonomi.
Tani ky inceneratori i Fierit që është pronë publike tashmë sepse e ka marrë nën administrim Agjencia e Pasurive të Sekuestruara pse nuk e vë në punë këtë gjënë?, ngriti pyetjen deputeti i PS, Erion Braçe.
“Incenerimi në fakt është një pjesë e trajtimit të mbetjeve dhe pavarësisht gjithë elementëve që ju përmendët, ne vlerësojmë dhe në asnjë moment ne nuk mendojmë që incenerimi nuk duhet të jetë pjesë e trajtimit të mbetjeve.
Ministria e Mjedisit është duke bashkëpunuar me Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara për të gjithë procesin e transferimit të këtyre aseteve publike të cilat janë zhveshur nga të gjithë kufizimet ligjore që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve në mënyrë që më pas përmes Operatorit të trajtimit të mbetjeve të kryejmë vlerësimin teknik dhe fillimin e operimit të infrastrukturës pasi siç e kam thënë, ne nuk flasim për incinerator por flasim për incenerim që është një proces që lidhet ngushtësisht me landfillimin, kompostimin dhe riciklimin”, u përgjigj Jaupaj.
Në Komisionin e Ligjeve u zhvillua një debat i gjatë (mbi tre orë) mbi projektligjin e ri për “Menaxhimin e integruar mbetjeve”, një akt prej 85 nenesh dhe 5 shtojcash, që qeveria e konsideron të domosdoshëm për afrimin me standardet e BE-së dhe kapitullin 27 të negociatave për mjedisin dhe ndryshimet klimatike
Negociatat
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Sofjan Jaupaj, theksoi se drafti është fryt i një pune trevjeçare, me konsultime publike dhe asistencë ndërkombëtare (ekspertë nga Gjermania, Suedia dhe Banka Boterore), duke garantuar, sipas tij, përputhshmëri të plotë me direktivat europiane si dhe ruajtje të autonomisë vendore.
Një fjalë e parapërgatitur e ministrit të ri të Turizmit dhe Mjedisit, Sofjan Jaupaj, pas një shqetësimi të gjatë të ngritur nga deputetët e opozitës, rreth projektligjit në fjalë.
Ministri sqaroi se nëpërmjet organizimit të territorit në 10 zona menaxhimi, (7 janë aktualisht të ngritura) projektligji promovon kalimin nga një model linear “prodho-përdor-hidh” në një ekonomi qarkulluese.
Opozita
Anëtari i komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, vuri në dyshim qëllimet e hartimit të një projektligji të ri që shfuqizon ligjin aktual për mbetjet (i miratuar në vitin 2011), transparencën e ndjekur për hartimin e tij se kush e ka përgatitur dhe në bashkëpunim me kë, si dhe, vuri theksin tek nxitimi i mazhorancës për ta miratuar sa më shpejt.
Në kalendarin e punimeve projektligji për mbetjet është parashikuar të kalojë për miratim në seancën e 16 tetorit.
Sipas opozitës, nevojiten paraprakisht disa seanca dëgjimore kryesisht me përfaqësues të pushtetit vendor dhe ekspertë.
PS
Por Damian Gjiknuri nga ana tjetër i parapriu debatit kur propozoi që seancat dëgjimore të fokusohen tek çështja e ligjshmërisë dhe respektimit të kompetencave të pushtetit vendor, ndërsa aspektet teknike (që mund të përfshijnë edhe objeksionet e ekspertëve ambientalistë) të trajtoheshin në komisionin përgjegjës dhe jo tek Ligjet.
AKEM
Nga opozita lindën gjithashtu dyshime mbi vendimmarrjen e një agjencie të re kombëtare që përfshihet në projektligj, AKEM.
“Pse e kthyet Agjencinë Kombëtare për Ekonominë e Mbetjeve (AKEM) nga një institucion publik në SH.A pra në një subjekt tregtar?”, ishte pyetja e ngritur nga Bylykbashi.
Ministri Jaupaj tha se i ishin referuar rasteve të suksesshme sipas tij të disa modeleve të huaja por edhe Shqipërisë duke përmendur OSHE dhe OST.
Por ministri nuk i dha përgjigje një tjetër pyetje të ngritur nga deputeti Gent Strazimiri nëse ai garantonte që AKEM do të ishte nje shoqëri aksionere terësisht shtetërore apo do të përfshijë edhe aksioner privat. “Unë garantoj cfarë është parashikuar në projektligj”, u përgjigj ministri.
Kompetencat
“Autonomia e bashkive mbetet e pacenuar, grumbullimin dhe menaxhimin vendor të mbetjeve e kanë përsiper bashkitë ndërsa operatori (AKEM) merr përsipër trajtimin fundor dhe infrastrukturën”, tha ndër radhë ministri Jaupaj.
Ministri sqaroi disa here se bashkitë kanë kompetenca të plota dhe se qeveria shqiptare për shkak të imponimit të standardeve që sjell zbatimi i këtij projektligji do të merrte përsipër kostot financiare.
Jaupaj nuk dha shpjegime specifike në këtë drejtim, ndërsa pyetjet nga deputetët lidheshin deri me kostot që mund të vinin që nga ndarja në burim i mbetjeve, kompetencë e bashkisë.
Pyetjet pa përgjigje
Po aq të rëndësishme ishin edhe pyetjet disa prej të cilave nuk morën përgjigje nga ministri i ri i Mjedisit.
Sofjan Jaupaj iu shfaq më së shumti teknicien në përgjigjet e tij duke u përgjigjur ndër radhe se ai kishte shkuar në ministri në vitin 2021 (kur u pyet për inceneratorët) paçka se kryetari i komisionit, Ulsi Manja, u përpoq ta prezantonte si zyrtarin me shumë eksperiencë në këtë drejtim.
Ministri shmangu përgjigjet për pyetjet mbi ekzistencën e inceneratorëve në Tiranë, Elbasan e Fier, pagesat për shërbime të pakryera, përgjegjësinë politike për aferën, tha se nuk kishte informacion mbi juridiksionin e menaxhimit të mbetjeve në Gjadër dhe nuk dha përgjigje direkte nëse qeveria ishte konsultuar për hartimin e këtij projektligji edhe me agjencitë që sot administrojnë impiantet e trajtimit të mbetjeve.
Brenda 24 orësh nga depozitimi i kërkesës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar datën 9 nëntor për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën.
Begaj shpalli dekretin për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, në një proces të diskutueshëm ligjor, kur Kushtetuesja ende nuk ka folur për padinë “Veliaj”.
Fillimisht Presidenti i Republikës sqaron se për vakancën në Tiranë, ai shqyrtoi procedurën e ndjekur nga Këshilli Bashkiak i Tiranës e më pas nga kryeministria.
Më tej, Presidenti Begaj argumenton se Këshilli i Ministrave e ka bazuar vendimin për shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut në një dispozitë të veçantë ligjore (Ligji për “Vetqeverisjen vendore”) pas mungesës 3-mujore në punë, e cila dallon sipas tij nga rasti i shkarkimit për shkelje të Kushtetutës që referon neni 115.
Për këtë arsye, Presidenti vlerëson se vendimi për shkarkimin e Veliajt nuk bie nën juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, por të Gjykatës Administrative.
Ndërkohë referuar dekretit, zgjedhje të pjesshme më 9 Nëntor do të kemi edhe në Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik
Debatet juridike
Avokatët e Veliajt pretendojnë në padinë e tyre se çështja duhet të trajtohet në Kushtetuese, pasi lidhet me rastet e shkeljes së Kushtetutës nga një i zgjedhur nga populli dhe se, vetë legjislatori, sipas tij, ka përcaktuar se ligji ku është referuar edhe shkarkimi i tij, ka dalë edhe në bazë dhe për zbatim të nenit 115 të Kushtetutës. Neni në fjalë pezullon automatikisht vendimin për shkarkimin, nëse i zgjedhuri i shkarkuar i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Pikërisht këtu qëndron edhe i gjithë debati.
Për të shmangur nenin 115 e për pasojë pezullimin e proçesit, Qeveria e kanalizon debatin në një tjetër interpretim ligjor se, mungesa 3-mujore e kryebashkiakut, që parashikohet në pikën c të nenit 62 të Ligjit për “Vetëqeverisjen vendore” nuk lidhet me shkarkimin për shkelje të Kushtetutës (neni 115), por me një shkarkim formal thjesht mungesë paraqitje në punë, raste të cilat i shqyrton Gjykata Administrative.
Veliaj
Në të njëjtën ditë me dekretin e Presidentit Bajram Begaj, kryebashkiaku i shkarkuar Erion Veliaj është shprehur përmes një postimi në Facebook se nuk do të heqë dorë nga beteja e tij ligjore.
“Jam mirë, më i fortë e më i vendosur se kurrë në betejë me të ligën!”, komentoi Veliaj në cilësinë e “kryetarit të Bashkisë Tiranë”
PD
Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi, tha se, përmes dekretit, Presidenti i Republikës kishte kryer puç kushtetues.
“Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë janë futur në një ngërç kushtetues për shkak të aktit të sotëm të Presidentit të Republikës. Juridiksionin e shqyrtimit të ankimit ndaj VKM-së së shkarkimit nuk e cakton Edi Rama në relacion, por Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Një mandat kushtetues nuk mund të ndërpritet veçse për shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kushtetutë dhe kjo i nënshtrohet kontrollit kushtetues”, shkruan Bardhi