Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

E gjeneruar bora masive në Rusi që ka kthyer pallatet në pista skish

Pretendimi: Kjo video tregon njerëzit në Rusi që rrëshqasin nga kati i katërt pas një stuhie dëbore

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale dhe media, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon njerëz në Rusi duke rrëshqitur poshtë nga kati i katërt i një godine pasi një stuhi e kishte çuar nivelin e borës në lartësi ekstreme.

Gadishulli Kamchatka i Rusisë u godit nga stuhi dëbore që nga mesi i janarit, të shkaktuara nga një seri ciklonesh nga deti i Okhotskut. Këto stuhi bllokuan hyrjet e shtëpive, duke bllokuar banorët brenda, duke paralizuar transportin dhe aeroportet, dhe duke detyruar mbylljen e shkollave. Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik rus, hera e fundit që kishte rënë një dëborë e tillë ishte para më shumë se 30 vitesh.

Si fillim, që në pamje të parë vërehet që njerëzit në video nuk rrëshqasin nga kati i katërt i godinës, por nga shumë më lart, të paktën nga kati i tetë. 

Nëse kjo ju duket e jashtëzakonshme, keni instinkte të mira. Video e mësipërme nuk tregon ngjarje të vërteta. Ajo është krijuar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Kjo tregohet nga elementë të videos që duken të pamundur ose alogjikë. Me një grumbull bore kaq të pjerrët dhe të lartë, njerëzit që përpiqen të rrëshqasin poshtë tij ka shumë të ngjarë të fundosen në dëborë ose të shkaktojnë shembjen e formacionit të brishtë të dëborës.

Gjithashtu, një sy i vëmendshëm mund të konstatojë se dy personat që qëndrojnë në tarracën e pallatit mbajnë të njëjtat ngjyra veshjesh me ata që duken se rrëshkasin në pjesën e poshtme të borës. Këto gabime logjike janë një tjetër shenjë e përdorimit të inteligjencës artificiale. 

Videot AI karakterizohen nga një kinematografi shumë perfekte dhe një metodë dukshëm e panatyrshme e kuadrimit. Ato janë shumë të pastra dhe u mungojnë detajet si elementë të vegjël të qytetit. Detajet e vogla zhduken ose anashkalohen. 

Pamjet reale nga gadishulli tregojnë katet përdhese të mbuluara dhe njerëzit që përpiqen të hapin dyert. Në videon e mësipërme, grumbulli i borës shkon deri në lartësinë e një ndërtese nëntëkatëshe, që do ta bënte atë mbi 60 metra të lartë. Megjithatë, sipas autoriteteve vendase, shtresa e dëborës kishte arritur lartësinë maksimale 2,5 metra në pikat më ekstreme.

Më tej, në Kamchatka, nuk ka ndërtesa banimi shumëkatëshe. Për shkak të rreziqeve, përfshirë ato gjeologjike, Kamchatka karakterizohet nga ndërtesa të ulëta deri në rreth 5 kate.

The post E gjeneruar bora masive në Rusi që ka kthyer pallatet në pista skish appeared first on Faktoje.al.

Sigurimi i detyrueshëm nga tërmetet, jashtë skemës përmbytjet dhe zjarret

Shtatë vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, qeveria ende nuk ka miratuar ligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Ministri i Financave, Petrit Malaj, kishte deklaruar se ligji i ri do të miratohej brenda dhjetorit 2025, por drafti vijon pezull.

I paqartë mbetet edhe primi i sigurimit, duke lënë të hapur pyetjen se sa do të paguajnë qytetarët për të siguruar banesat nga tërmeti.

Esmeralda Topi

Në dhjetor 2025, ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se ligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet do të miratohej brenda muajit. Ai e paraqiti nismën si një hap të domosdoshëm për një vend me risk të lartë sizmik, duke theksuar se konsultimet kishin përfunduar dhe se drafti ishte gati për miratim në qeveri.

“Ky projektligj do të miratohet në qeveri këtë muaj.”- deklaroi Malaj, gjatë një interviste televizive.

Pavarësisht këtij zotimi, drafti ende nuk ka marrë dritën jeshile nga Këshilli i Ministrave. Këtë janar, Malaj u detyrua të përsëriste përpara gazetarëve se miratimi do të ndodhte “shumë shpejt”. Ai nuk dhe shpjegime për vonesën,e as një afat të ri. 

Primi i paqartë

Drafti për sigurimin e detyrueshëm u hodh për konsultim publik korrikun e vitit të shkuar.  Në të parashikohet krijimi i një Fondi Kombëtar, organizuar si shoqëri aksionare shtetërore, që do të administrojë skemën.

Ky fond do të mbështetet nga primet e qytetarëve, buxheti i shtetit, risigurimi dhe grante të ndryshme. Por detaji më i ndjeshëm, tarifa/primi që çdo familje do të duhet të paguajë për sigurimin e banesës, mbetet ende i paqartë.

“Primi do të jetë lehtësisht i përballueshëm nga qytetarët shqiptarë. ”- tha Malaj.

Kufiri maksimal i shumës së sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa metodologjia e llogaritjes së primit do të jetë e bazuar në klasifikimin e banesave sipas riskut.

Skema parashikon që buxheti i shtetit të mbulojë primin për personat që përfitojnë ndihmë sociale. Ndërsa njësitë e vetëqeverisjes vendore do të financojnë primin për banesat sociale.

Përjashtohen zjarret dhe përmbytjet

Skema e sigurimit përjashton zjarret dhe përmbytjet, ndonëse Shqipëria goditet çdo vit nga këto fatkeqësi natyrore, duke i lënë qytetarët të pambrojtur përballë rreziqeve të përsëritura.

“Përsa i përket fatkeqësive të tjera natyrore, zjarri, përmbytje e të tjera, ne nuk e kemi të parashikuar në këtë ligj. Pavarësisht se për çështjen e përmbytjeve kemi parashikuar diçka e cila më tej mund të shtjellohet me aktet nënligjore. Por për momentin ligji do të paraqitet vetëm për sigurimin e detyrueshëm nga tërmeti,”-argumentoi ministri i financave Petrit Malaj.

Drafti i konsultuar parashikon mbulim vetëm për banesat dhe seksionet brenda tyre, edhe kur përdoren si zyra apo njësi tregtare, ndërsa ndërtesat e ndërtuara me qerpiç, kallam apo struktura të përkohshme mbeten jashtë skemës.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e ministrit të financave Petrit Malaj se ‘projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet do të kalonte për miratim brenda dhjetorit 2025’, e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Sigurimi i detyrueshëm nga tërmetet, jashtë skemës përmbytjet dhe zjarret appeared first on Faktoje.al.

E manipuluar kjo foto e Ramës të prangosur nga DEA amerikane

Pretendimi: Kjo foto paraqet kryeministrin shqiptar të arrestuar nga forcat speciale amerikane

Verdikti: E pavërtetë/ Foto e manipuluar

Barbara Halla

Përgjatë janarit, në rrjetet sociale qarkulloi një imazh i kryeministrit shqiptar Edi Rama i arrestuar nga agjentë të Zyrës Federale për Zbatimin e Ligjit të Drograve (DEA) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pamjet paraqesin kryeministrin të rrethuar nga persona me uniforma dhe mbishkrimin DEA. Fotoja duket qartësisht që është manipuluar në mënyrë dixhitale (përmes programeve si Photoshop ose AI), por i shtohet rrebeshit të imazheve dhe deklaratave të manipuluara, sipas të cilave ShBA ka nisur hetime ndaj Ramës. 

Fotoja që është marrë për bazë për të krijuar këtë imazh filloi të qarkullonte në mediat sociale në fillim të janarit, pas arrestimit të presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga forcat speciale amerikane. Siç e ka treguar Faktoje, edhe fotoja e Maduros ishte e gjeneruar me AI, dhe postuar për herë të parë nga një përdorues i platformës X/Twitter. Pra, këtu kemi të bëjmë me një imazh të manipuluar dy herë. 

Që nga arrestimi i Maduro me datë 3 janar 2026, në mediat shqiptare janë shpërndarë disa imazhe të manipuluar ose të gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Po ashtu, kanë marrë dhenë dhe disa narrativa sipas të cilave Edi Rama mund të arrestohet nga ShBA në të njëjtën mënyrë si është arrestuar Maduro. Për momentin nuk ka asnjë provë, deklaratë, apo çështje gjyqësore kundër Ramës në SHBA, siç e ka shpjeguar Faktoje në një artikull tjetër ku janë hedhur poshtë këto narrativa.   

Në këtë rast, është e qartë se imazhi në fjalë është një foto e manipuluar apo e gjeneruar me mjete digjitale. Deri në këto momente nuk ka asnjë arsye për të menduar se Rama është arrestuar nga marinsat e ShBA. 

The post E manipuluar kjo foto e Ramës të prangosur nga DEA amerikane appeared first on Faktoje.al.

Rama nuk udhëtoi në ShBA për hetimet ndaj McGonigal

Pretendimi: Kryeministri Edi Rama udhëton në 20 janar drejt ShBA për të dëshmuar në çështjen McGonigal

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Në ditët e para të janarit qarkulloi në media lajmi se kryeministri Edi Rama do të merrej në pyetje nga autoritetet amerikane në lidhje me hetimin mbi ish-agjentin e FBI-së, Charles McConigal. Më konkretisht, pretendohej se Rama do të udhëtonte drejt Uashingtonit më 20 janar për t’u marrë në pyetje dhe për të dëshmuar si “person në dijeni” lidhur me hetimin për korrupsion të zyrtarit amerikan.

Kjo deklaratë, e nisur në një studio televizive në News24, u pasua nga portale të ndryshme dhe më pas u përsërit edhe në diskutimet publike të politikanëve opozitarë duke aluduar se Rama rrezikonte “fatin e Maduro-s” në SHBA.

Pretendime të tilla mbështeten vetëm në burime të paidentifikuara dhe pa prova konkrete, dhe veçanërisht pa asnjë referencë zyrtare nga autoritetet amerikane ose ndonjë njoftim të Departamentit të Drejtësisë ose Ambasadës Amerikane që të konfirmonte një ftesë të tillë apo një thirrje për t’u marrë në pyetje një kryeministri në detyrë.

Me kalimin e datës 20 janar, nuk pati asnjë njoftim nga qarqe zyrtare që Rama kishte shkuar në Uashington, as që ai ishte marrë në pyetje apo kishte një seancë gjyqësore në ndonjë gjykatë federale amerikane. Në këtë ditë, Rama iu përgjigj ftesës së marrë nga presidenti Trump për të qënë pjesë e Bordit të Paqes, ndërkohë që një ditë më pas u shfaq publikisht në Kryeministri me familjarët e viktimave dhe në homazhet në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në 15-vjetorin e protestës së 21 janarit.

Vetë Rama i ka ironizuar pretendimet për një gjyq amerikan, duke i quajtur fantazi të opozitës dhe duke mohuar ekzistencën e çështjeve penale kundër tij në SHBA. Këto pretendime, siç e ka treguar Faktoje, janë shtuar që prej arrestimit të presidentit venezuelian, Nicolas Maduro me datë 3 janar, por nuk bazohen në fakte apo deklarata zyrtare. 

The post Rama nuk udhëtoi në ShBA për hetimet ndaj McGonigal appeared first on Faktoje.al.

Pavarësisht gëzimit për foshnjën, Romeo Veshaj nuk u bë baba

Pretendimi: Aktori dhe moderatori Romeo Veshaj është bërë baba për herë të parë

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Lajmi se aktori Romeo Veshaj është bërë baba për herë të parë ka ngjallur interes të lartë te lexuesit. Pretendimi (link, link, link) shoqërohet me disa fotografi ku Veshaj shihet duke mbajtur në krahë një foshnjë të porsalindur, si edhe me imazhe të tij së bashku me Heidi Bacin, partneren e tij prej edicionit të Big Brother Vip 3. Gjatë ditëve të para pas publikimit në Facebook, figurojnë mbi 195 mijë shikime të këtij njoftimi për çiftin e dashur të ekranit. Megjithatë, ky pretendim që do ketë gëzuar shumë nëna shqiptare, nuk është i saktë.

Sipas raportimeve të mediave të tjera dhe informacionit të konfirmuar nga familja, foshnja e porsalindur nuk është vajza e Romeo Veshajt. Bëhet fjalë për vajzën e vëllait të tij, Mario, i cili së bashku me partneren, janë bërë prindër për herë të parë. Lajmi për lindjen e vajzës është bërë publik dhe është pritur me entuziazëm, duke shënuar një moment të rëndësishëm për familjen Veshaj.

Fotografitë nga materniteti, ku shfaqen Romeo pranë foshnjës, kanë kontribuar në keqinterpretimin e situatës. Një tjetër element që rrëzon pretendimin është mospërputhja mes personave të shfaqur në fotografi. Gruaja e fotografuar në shtratin e spitalit, e cila ka lindur foshnjën, është brune dhe identifikohet si Kristina Mere. Ndërkohë, në postimin viral janë përfshirë qëllimisht edhe fotografi të Romeo Veshajt me Heidi Bacin, që nuk ka asnjë ngjashmëri me nënën e re në fotot e publikuara.

Mediat rozë kanë folur për një ndarje të çiftit prej më shumë se një viti duke e rënduar më tej keqpërdorimin që është bërë në këtë rast me dy personazhet e ekranit.  

The post Pavarësisht gëzimit për foshnjën, Romeo Veshaj nuk u bë baba appeared first on Faktoje.al.

Vendimi i KQZ në Kosovë për rinumërim dhe jo zgjedhje të parakohshme

Pretendimi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës ka vendosur të mbahen zgjedhje të parakohshme

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————————

Një postim i 19 janarit në Facebook jep lajmin: “Zgjedhje të parakohshme! KZQ sapo mori vendimin e PAPRITUR”, ndërsa fton lexuesit të marrin vesh më shumë duke klikuar lidhjen në komente.

Lajmi patjetër do të sjellë interes për publikun kosovar, i cili votoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28  dhjetor 2025, më pak se një muaj më parë, zgjedhje që u mbajtën pasi legjislatura e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 dështoi të konstituonte përbërjen e re të Kuvendit për muaj të tërë, duke e lënë vendin pa parlament funksional.

Megjithatë, votuesit kosovarë nuk duhet të gëzohen apo hidhërohen. Lajmi nuk është i vërtetë. 

Artikulli që referohet në komente përmban tekstin identik të një artikulli të Radio Evropa e Lirë me titull: “KQZ vendos për rinumërim të plotë të votave.” Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vendosur që do të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në 28 komuna për këto zgjedhje. 

Qartazi, në titull të artikullit është përmendur tërthorazi emërtimi “zgjedhje të parakohshme”, i cili i referohet zgjedhjeve të 28 dhjetorit, dhe vendimit të fundit të KQZ në Kosovë për të rinumëruar votat e këtyre zgjedhjeve. 

Titulli i paqartë i lajmit që synon të krijojë idenë e zgjedhjeve të parakoshme, keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve, reagimeve dhe komenteve.

The post Vendimi i KQZ në Kosovë për rinumërim dhe jo zgjedhje të parakohshme appeared first on Faktoje.al.

Të hershme këto pamje të zhytjes së Putin në ujit e akullt

Pretendimi: Kjo video tregon presidentin rus Vladimir Putin duke u zhytyr në ujë me rastin e festës së Epifanisë në janar 2026

Verdikti: Mungon konteksti

Më 19 janar 2026, ditën kur të krishterët orotdoksë festojnë Epifaninë, në rrjete sociale dhe mediat shqipfolëse u shpërnda një video e presidentit rus Vladimir Putin duke u zhytyr në një pishinë me ujë. Video shoqërohej me pretendimin se ajo tregonte zhytjen tradicionale që Putin kishte bërë në janar 2026. Kjo përmendet si një provë e mëtejshme e shëndetit të plotë që gëzon lideri rus, përkundër zërave në Perëndim se ai është i sëmurë. 

Agjensia shtetërore ruse e lajmeve Tass raportoi më 19 janar 2026 se Putin e kishte bërë zhytjen tradicionale me rastin e Epifanisë. Megjithatë, lajmi i konfirmuar për agjensinë nga zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, nuk shoqërohej me pamje filmike apo fotografike.

Video e mësipërme është nga 5 vite më parë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video origjinale është transmetuar më 19 janar 2021 nga televizioni shtetëror rus.

Çdo vit për Epifaninë, besimtarët ortodoksë zhyten në lumenj dhe liqene për të përkujtuar pagëzimin e Krishtit në lumin Jordan.

Putini ka krijuar një reputacion prej vitesh me foto që e tregojnë duke bërë aktivitete pa bluzë, si noti, kalërimi ose gjuetia, të cilat janë etiketuar si përpjekje për të forcuar imazhin e tij si një personalitet mashkullor dhe burrë i fortë.

The post Të hershme këto pamje të zhytjes së Putin në ujit e akullt appeared first on Faktoje.al.

Zgjerimi i vonuar i autostradës Tiranë–Durrës

Vjeshtën e shkuar, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se 6 kilometrat e para të zgjerimit të autostradës Tiranë–Durrës do të hapeshin për qarkullim brenda muajit dhjetor 2025. Segmenti nga Casa Italia deri në mbikalimin e Kasharit, sipas saj, do të kthehej në një autostradë tip A, me 32.5 metra gjerësi, tre korsi në secilën anë dhe një korsi emergjence. 

“Ecuria e projektit është shumë e mirë. Pra, faza e parë është 65% ecuria dhe në fazën e dytë 85%. Domethënë ne shpresojmë që për festat e fundvitit ta kemi dorëzuar”, deklaroi Balluku. 

Rruga që lidh Tiranën me Durrësin është 38 km e gjatë. Punimet për zgjerimin e saj nisën në shtator të 2024-ës. Sipas kontratës, zgjerimi i rrugës Tiranë-Durrës në 6 kilometrat e parë përfundon këtë shtator. 

Por që në krye të herës, ministrja përgjegjëse pretendoi përfundim përpara afatit zyrtar.

Fakt 

Koha dëshmoi se puna në terren shkon përtej pritshmërive optimiste të qeverisë. 6 kilometrat e para të rrugës që lidh kryeqytetin me Durrësin nuk mbaruan në fund të vitit. Dhe si për ironi të fatit, këtë fillim vit, 16% i rrugës që duhet të ishte hapur për qarkullim u bë i pakalueshëm.

Rruga Tiranë-Durrës u përmbyt më 6 janar nga reshjet e dendura të shiut dhe autoritetet devijuan mjetet në drejtime të tjera.

Fotot tregojnë gjendjen e zgjerimit të autostradës Tiranë–Durrës gjatë ditës së verifikimit nga Faktoje, më 15 janar. Në pamje dallohet se një pjesë e segmentit është ende në punime, me mjete ndërtimi aktive dhe zona të papërfunduara, ndërsa qarkullimi i automjeteve zhvillohet pjesërisht. 

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), hapja e plotë e 6 km të para të rrugës u bë e pamundur për shkak se segmenti i urës pranë “Kullës Eiffel” mbeti i papërfunduar. 

“Afati i përfundimit të kontratës “Zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës (Faza I)” është 24.05.2026, ndërsa për Fazën II është 15 shtator 2026.” – sqaron për Faktoje ARRSH.

Edhe faza III, që përfshin mbikalimin e Kasharit dhe Laknasit, nisi më 9 tetor 2025 dhe ka afat përfundimi 18 muaj.

Por afatet rrezikojnë të shkelen për shkak të shpronësimeve. 

“Faktorë që mund të ndikojnë është procesi i shpronësimeve që akoma nuk është përmbyllur.”- thotë ARRSH për Faktoje.

Përfundim

Zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, me kosto 218 mln euro, por deri më tani ka prodhuar më shumë premtime të parealizuara sesa kilometra të dorëzuar. Deklaratat për hapjen e 6 km të para në dhjetor 2025 nuk u realizuan, ndërsa afatet kontraktuale tregojnë se punimet mbyllen majin e këtij viti.

Nisur nga verifikimet e kryera dhe informacionet e mbledhura, deklaratën e ministres Belinda Balluku se 6 km e para të rrugës Tiranë-Durrës do të hapen për qarkullim në fund të dhjetorit’ e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Zgjerimi i vonuar i autostradës Tiranë–Durrës appeared first on Faktoje.al.

Balluku në Kushtetuese, tri institucione kundër SPAK dhe GJKKO

Sebi Alla Qeveria, Parlamenti dhe Presidenca (tri palë të pavarura), ishin në një qëndrim kundër vendimit të SPAK dhe GJKKO-së e cila në masën e parë të sigurisë vendosi pezullimin nga detyra të zëvendës-kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku.

Para seancës plenare në Gjykatën Kushtetuese ata e konsideruan vendimin për pezullimin e Ballukut si anti-kushtetues, ndërhyrje në kompetenca të ekzekutivit dhe kuvendit, por edhe precedent të rrezikshëm (sipas përfaqësuesit të presidencës), që me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO-së “gjithë kabineti qeveritar mund të pezullohet”, në një situatë hipotetike.

SPAK

Në kundërshtim me ta ishte qëndrimi i SPAK i cili mbrojti vendimin si të bazuar në ligj dhe Kushtetutë, ndërsa kërkoi rrëzimin e ankimimit të kryeministrit Edi Rama.

GJKKO

GJKKO refuzoi pjesëmarrjen në këtë seancë, duke argumentuar se nuk mund të jetë palë në proces pasi cënohet parimi i ndarjes së pushteteve. “…një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor”, thuhet në njoftim.

Seanca

Gjykata Kushtetuese, më 12 dhjetor të vitit të kaluar rrëzoi vendimin e GJKKO-së që pezullonte nga detyra zëvendës-kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku.

Ajo pranoi kërkesën e qeverisë për pezullimin e këtij vendimi dhe që nga ajo kohë Balluku u rikthye në detyrë.

Për katër orë përfaqësuesit e këtyre institucioneve kundërshtuan vendimin e GJKKO-së për pezullimin, ndërsa SPAK mbrojti si të drejtë pezullimin dhe të bazuar në Kushtetutë, ligjet e vendit dhe në referim të Kodit të Proçedurës Penale.

Pas këtij vendimi që bënte të pazbatueshëm pezullimin e Ballukut, SPAK kaloi në një tjetër hap, duke i kërkuar Parlamentit leje për marrjen e autorizimit për arrestimin e Ballukut.

Kjo çështje ende nuk është shqyrtuar në Parlament, pasi mazhoranca ka vendosur ta shtyjë pa një afat kërkesën e Prokurorisë Speciale.

Tri palë, një mendim!

Sipas përfaqësueses së Kryeministrit pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave bllokon punën dhe kjo e detyron kreun e qeverisë që të propozojë shkarkimin e një ministri dhe emërimin e një tjetri, i kushtëzuar nga vendimi i gjykatës. Për pasojë, sipas saj, jemi para rastit të ndërhyrjes në kompetencat që i takojnë ekzekutivit, legjislativit dhe presidencës.

“Ky nuk është një ankim kushtetues individual, nuk kanë të bëjnë me objektin e procedimit penal, por kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes tre pushteteve”, tha përfaqësuesja e kryeministrisë Jona Qosja.

 “Nuk mund të mohohet se masa e sigurimit penal sjell pasoja në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave dhe kryeministrit”, theksoi ajo.

Në të njëjtën linjë në qëndrime ishte edhe përfaqësuesja e Presidentit të Republikës, Eriola Shia, e cila deklaroi se Kushtetuta e Shqipërisë nuk parashikon një mekanizëm për pezullimin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave. “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk njeh mekanizëm kushtetues pezullues për anëtarët e Këshillit të Ministrave”, tha ajo. Nga ana tjetër edhe përfaqësuesja e Kuvendit Mimiza Arbi tha se vendimi i GJKKO cenon parimin dhe ndarjen e pushteteve dhe të kompetencave kushtetuese. “Pezullimi i një ministri krijon një situatë ku pushteti gjyqësor ndërhyn në funksionimin e organeve të larta të ekzekutivit kushtetuese”, deklaroi ajo.

SPAK mbron procedurën

Në vlerësimin e SPAK pretendimi i kërkuesit është i pabazuar, pasi masa e pezullimit është vendosur pa përfshirë kryeministrin apo Këshillin e Ministrave. Nuk ekziston ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv. Masa, sipas SPAK, siguron që ushtrimi i funksionit publik të mos pengojë hetimin penal dhe shërben për ruajtjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

SPAK vlerëson se pezullimi nga Gjykata Kushtetuese i vendimit të GJKKO cenon parimin e ndarjes së pushteteve. “Kryeministri nuk mund të aktivizojë mekanizma që ndikojnë në një proces penal, pasi krijon rrezik real për ndërhyrje në pushtetin gjyqësor. Ndërhyrja e këtij lloji mund të krijojë një precedent të rrezikshëm ku ekzekutivi mund të ndikojë në vendimet gjyqësore duke cenuar balancën e pushteteve”, tha prokurori Dritan Prençi.

Po sikur…!

Pyetjeve të gjyqtarëve të kushtetueses iu përgjigjën përfaqësuesit e tre institucioneve, duke interpretuar ligjet, Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës Penale.

Debati thelbësor që bënte tre institucionet bashkë (në letra të pavarura), ishte se pezullimi nga detyra i një anëtari kabineti është precedent i rrezikshëm që nuk shkel vetëm parimet e ndarjes së pushteteve, por edhe të ndërhyrjes në kompetenca. Madje, Ilir Rusmali, këshilltari ligjor i Presidnetit të Republikës shkoi më tej teksa tha se “ekziston mundësia që me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO-së të pezullohet i gjithë kabineti qeveritar”.

Një qëndrim që në pyetje përgjigje më shumë solli disi ilaritet me nënqeshje të zgjatura, pavarësisht se presidenca zyrtarisht në kërkesën fundore tentoi të ishte e “balancuar” duke thënë se ia linte në dorë Gjykatës Kushtetuese për vendim.

Përfaqësuesit e SPAK kundërshtuan këto pretendime, duke argumentuar se ishin para një çështje konkrete që ka të bëjë me personin në fjalë nën akuzë Belinda Balluku.

Gjithashtu SPAK ngriti shqetësimin se një vendim gjykate, vetëm një gjykatë tjetër më e lartë mund ta rrëzojë dhe se pa kaluar të gjithë shkallët e gjyqësorit. Sipas SPAK, Kushtetuesja në këtë rast ka marrë kompetencat e institucioneve të tjera të drejtësisë (Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Speciale), apo edhe të Gjykatës së Lartë që ka të drejtë të vendosë për heqjen ose zbutjen e masave të sigurisë të marra nga një shkallë më e ulët.

Në fund SPAK kërkoi rrëzimin e kërkesës së kryeministrit dhe lënien në fuqi të vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të ministres Belinda Balluku.

Në rastin e saj, ata e konsideruan rrezik për prishjen e provave dhe se është nën hetim për “shkelje të barazisë në tendera” për shumë raste. Sipas SPAK, Balluku ka ndikuar në kërcënimin e dëshmitarëve dhe helmimin e provave.  

The post Balluku në Kushtetuese, tri institucione kundër SPAK dhe GJKKO appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo përplasje mes indigjenes dhe policit të ICE

Pretendimi: Kjo video tregon një amerikane indigjene Cherokee duke u ndeshur me një oficer të policisë amerikane të emigracionit (ICE)

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

Një video që ka marrë 15 mijë shikime në Facebook pretendohet se tregon një grua amerikane indigjene Cherokee duke u ndeshur me një oficer të policisë së emigracionit (ICE), i cili përpiqet ta arrestojë dhe ta deportojë si emigrante e paligjshme.

Populli Cherokee jetoi në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara juglindore para kolonizimit europian që nisi në shekullin e XV.

Në disa qytete amerikane, përfshirë Minneapolis, ka pasur përplasje midis qytetarëve dhe agjentëve të ICE pas bastisjeve të ndryshme dhe operacioneve të kontrollit të imigracionit, dhe veçanërisht vrasjesRenee Nicole Good nga një agjent federal më 7 janar 2026.

Megjithatë, kjo video nuk tregon një incident real. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Video u postua fillimisht më 3 janar nga një llogari që ndan përmbajtje të gjeneruar artificialishtmedia sociale, kryesisht duke shfaqur agjentë të ICE që bllokohen ose shtyhen nga qytetarë, protestues ose oficerë të tjerë të zbatimit të ligjit.

Këto variacione të temave që ngjallin zemërim, të gjeneruara nga IA, postohen shpesh njëra pas tjetrës. Një shembull tematik janë pastorë të zinj që përballen me agjentë të ICE në shkallët e kishës duke bërtitur: “Jo sot, dhe jo në këtë kishë!” Në një seri tjetër, shitëset e frutave thonë: “Mos më prek, jam amerikane, o racist!”

Seria e videove të përballjes fiktive në “Grand Central Market” paraqet sinjalistikë të një tregu të gjeneruar nga AI. Që nga viti 1917 ka pasur një treg të vërtetë të Los Angeles me këtë emër. 

Udhëzimi i dhënë programit AI duket se ka kërkuar që gruaja në secilën prej videove të jetë me lëkurë kafe, me flokë të gjatë të zinj, dhe që agjenti i ICE të jetë një burrë i bardhë me veshje taktike. Në shumicën e videove, gruaja mban çantë dhe mund të ketë veshur stile tradicionale veshjesh të Amerikës së Jugut ose Qendrore. Në shumicën e videove ajo bërtet një përzierje frazash angleze dhe spanjolle.

Në video mund të identifikojmë edhe disa gabime tipike të programeve gjeneruese AI. Për shembull, në sfond, një burrë tregohet duke ecur mbrapsht, dhe kur gruaja e godet agjentin në fytyrë, syzet e diellit që ai mban duket sikur zhduken në ajër.

Më tej, etiketa në krahun e majtë të gruas ka shkronja të padëshifrueshme, dhe rripi i çantës ndryshon nga shpatulla e djathtë në të majtën, dhe nga brenda në jashtë xhaketës kur gruaja kthehet.

Këto video janë shembuj i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.”
Llumi AI në Facebook zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit, si zemërimi. Llumi AI që nxit zemërim merr shumë angazhim.

The post E gjeneruar kjo përplasje mes indigjenes dhe policit të ICE appeared first on Faktoje.al.

Austriaku që foli për konfiskimin e bazave amerikane asnjë lidhje me NATO-n

Pretendimi: Një zyrtar i NATO ka kërcënuar ShBA se nëse ata marrin Groenlandën, të gjitha bazat amerikane në Europë do të konfiskohen dhe ShBA “do të duhet të largohej.”

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————————–

Në ditët e para të vitit 2026, pasi forcat speciale amerikane rrëmbyen presidentin venezuelian Maduro, presidenti amerikan Donald Trump rideklaroi ambicien e ShBA për të marrë Groenlandën, duke mos përjashtuar edhe ndërhyrje ushtarake.

Një numër mediash shqipfolëse njoftuan 9 janar se një zyrtar i NATO kishte kërcënuar ShBA duke thënë: “Nëse merrni Groenlandën, ne do të marrim çdo bazë amerikane nga Aviano në Ramstein, nga Rumania e të gjitha bazat e tjera ushtarake, do të konfiskohen.”

Artikujt e mësipërm shpesh shoqërohen dhe me imazhe ilustruese që përmbajnë foton e Trump dhe të Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO, duke lënë të nënkuptohet se Rutte mund të jetë zyrtari i NATO në fjalë.

Megjithatë, në brendinë e artikujve citohet një postim i Gunther Fehlinger-Jahn, i cili përshkruhet si zyrtar i NATO.

Në videon e postuar më 5 janar, Gunther Fehlinger-Jahn, një ekonomist austriak dhe mbështetës i integrimit evropian, kritikon dëshirën e administratës Trump për të marrë në zotërim Groenlandën, një ishull që ka qenë pjesë e Danimarkës që nga viti 1953.

Në profilet e tij në rrjete sociale, Fehlinger-Jahn e përshkruan veten si “kryetar i Komitetit Austriak për Zgjerimin e NATO.” Artikujt e mësipërm e marrin të mirëqenë që ky vetëpërshkrim e bën austriakun zyrtar të NATO.

Megjithatë, një thellim i vogël do të zbulonte se ky komitet nuk duket se ka lidhje as me organet zyrtare të BE dhe as me NATO. 

Në vitin 2023, kur u kontaktua nga Reuters, Fehlinger-Jahn sqaroi se komiteti në fjalë përbëhet nga ai vetë dhe “disa miq nga vendet që duan të bashkohen me NATO për t’u mbrojtur nga Rusia” dhe se ai nuk ka lidhje me NATO. 

“Nuk kam asnjë lidhje me NATO. Asnjë nga postimet e mia nuk përfaqëson ndonjë qëndrim zyrtar,” deklaroi Fehlinger-Jahn. Në një deklaratë, NATO gjithashtu konfirmoi për median se Fehlinger nuk ka lidhje zyrtare me organizatën.

Më 16 janar 2026, përsëri për Reuters, zyrtarët e institucioneve europiane sqaruan se Fehlinger-Jahn nuk punon për dhe nuk flet në emër të Këshillit Evropian, Këshillit të BE, Parlamentit Europian apo Komisionit Europian. 

Një zyrtar i NATO përsëriti për Reuters se Fehlinger-Jahn nuk kishte lidhje zyrtare me organizatën. “Ai nuk është punonjës i NATO”, tha zyrtari. “Pikëpamjet dhe opinionet e tij janë personale dhe nuk pasqyrojnë ato të Aleancës. Gjithashtu, pavarësisht titullit – ‘Komiteti Evropian për Zgjerimin e NATO-s’ – ky nuk është një komitet apo organ i NATO.”

Ministria e jashtme e Austrisë tha se Fehlinger-Jahn nuk kishte asnjë rol me qeverinë dhe as me misionin e saj në NATO, i cili menaxhon marrëdhëniet e Vjenës me aleancën si një vend jo-anëtar.

Fehlinger-Jahn është ekonomist, konsulent menaxhimi dhe punonjës zhvillimi, sipas faqes së tij të internetit. Nuk ka asnjë tregues nga përvoja e tij profesionale se ai flet në emër të BE ose NATO. Ai aktualisht është i përfshirë në promovimin e bashkëpunimit ekonomik midis Austrisë dhe Shqipërisë. Në fillim të viteve 2000, ai ishte sekretar i përgjithshëm i Unionit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme të Partisë Popullore Evropiane, i cili promovon interesat e bizneseve të vogla dhe të mesme.

NATO është një aleancë politike dhe ushtarake kombesh. Një nga angazhimet e saj kryesore është që një sulm kundër njërit prej anëtarëve të saj të konsiderohet një sulm kundër të gjithëve. ShBA dhe Danimarka janë të dyja anëtare të NATO. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi më parë se një sulm i ShBA ndaj Groenlandës do të shënonte fundin e NATO.

The post Austriaku që foli për konfiskimin e bazave amerikane asnjë lidhje me NATO-n appeared first on Faktoje.al.

Reforma territoriale, PS ndryshon rregullat e ‘lojës’

Mazhoranca ndryshon rregullat e komisionit për reformën territoriale, duke hequr paritetin dhe veton. Lëvizja e papritur, sipas Arbjan Maznikut, zhbllokon punën e komisionit pas bojkotit të opozitës.  

Në ditën kur sytë e publikut ishin ngulur tek Kushtetuesja për çështjen “Balluku” dhe tek Bordi i Paqes, mazhoranca zgjodhi të lëvizë gurët e saj tek reforma territoriale. 

Komisioni i posaçëm, i ngritur për këtë proces, vendosi t’i propozojë Kuvendit ndryshimin e projektvendimit mbi mënyrën e funksionimit të tij. Pariteti i numrave mes mazhorancës dhe opozitës, si edhe e drejta e vetos, hiqen nga “loja”. 

“Dashamirësia e mazhorancës dhe e Kuvendit për të krijuar barazi dhe bashkëkryesi është kthyer tashmë në një mekanizëm bllokimi për vijimësinë e punës. Ne nuk kemi më kohë për të humbur. Koncepti i paritetit dhe bashkëkryesisë të mos jenë më, që t’i hapim vetes mundësi për të pasur kuorum për të arritur objektivat që brenda korrikut të kemi mbyllur reformën,” argumentoi Arbjan Mazniku në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit. 

“Mbetemi të hapur për opozitën…” theksoi më tej ai. 

Në një mbledhje që nuk i mbushi dhjetë minuta mazhoranca i hapi rrugën vetes për të marrë vendime mbi një nga reformat më të rëndësishme, territorialen. 

Në bazë të vendimit të Kuvendit, mbledhjet e Komisionit janë të vlefshme kur në to marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Komisioni synon që vendimmarrja të arrihet me konsensus për të gjitha çështjet që shqyrton.

Për çështje të veçanta për të cilat nuk kanë gjetur konsensus do të vlerësohet dhe mund të kërkohet ekspertiza e Komisionit të Venecias dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Lëvizja e fundit e mazhorancës i jep asaj  dorë të lirë për të çuar përpara diskutimet, duke shmangur bllokimin e krijuar nga bojkotet e fundit të opozitës. Strategjia e kryeministrit, e artikuluar më herët në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së, po zbatohet hap pas hapi. Propozimet e Komisionit të Posaçëm për reformen territoriale pritet t’i propozohen Kuvendit në një seancë plenare. 

The post Reforma territoriale, PS ndryshon rregullat e ‘lojës’ appeared first on Faktoje.al.

Të gjeneruara pamjet apokaliptike të borës rekord në Kamchatka

Pretendimi: Kjo video tregon dëborën masive që ra në Kamchatka të Rusisë në janar 2026

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————————

Një video që duket se tregon një grumbull gjigand bore që mbulon pjesën e poshtme të pallateve të banimit po qarkullon në media dhe rrjete sociale me pretendimin se ajo tregon borën që ka rënë në Kamchatka, Rusi në janar 2026.

Gadishulli Kamchatka i Rusisë u godit nga stuhi dëbore që nga mesi i janarit, të shkaktuara nga një seri ciklonesh nga Deti i Okhotskut. Këto stuhi bllokuan hyrjet e shtëpive, duke bllokuar banorët brenda, duke paralizuar transportin dhe aeroportet, dhe duke detyruar mbylljen e shkollave. Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik rus, hera e fundit që kishte rënë një dëborë e tillë ishte para më shumë se 30 vitesh.

Kjo situatë ekstreme e motit është ndarë si lajm në të gjitha mediat botërore dhe më pas edhe në ato shqiptare. Megjithatë, videot e mësipërme që janë publikuar nuk tregojnë rekordet e borës në Kamchatka. Ato janë gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Fotot reale nga gadishulli tregojnë katet përdhese të mbuluara dhe njerëzit që përpiqen të hapin dyert. Në videot e inteligjencës artificiale, grumbullimet e borës shpesh shkojnë deri në lartësinë e një ndërtese nëntëkatëshe, që do t’i bënte ato mbi 60 metra të larta. Megjithatë, sipas autoriteteve vendase, shtresa e dëborës kishte arritur 2,5 metra në pikat më ekstreme.

Videot reale tregojnë pajisje të rënda për heqjen e borës, ndërsa videot e inteligjencës artificiale tregojnë pamje të banorëve që rrëshkasin nga dritaret e kateve të larta me slita plastike që fluturojnë vetë tëposhtë shpateve vertikale.

Gjithashtu, në videot e gjeneruara, dritaret dhe muret e ndërtesave “fluturojnë” ose ndryshojnë formë me lëvizjen e kamerës. Në një prej tyre, pjesa e poshtme e një shtylle ndriçimi duket e shkëputur nga pjesa e sipërme. Ndërsa dy makina të mbuluara nga bora duket sikur janë vendosur njëra mbi tjetrën.

Video e mësipërme u postua fillimisht në TikTok, ku ishte etiketuar nga krijuesi si e gjeneruar me AI.

Videot AI karakterizohen nga një kinematografi shumë perfekte dhe një metodë dukshëm e panatyrshme e kuadrimit. Ato janë shumë të pastra dhe u mungojnë detajet si elementë të vegjël të qytetit. Detajet e vogla zhduken ose anashkalohen. 

Më tej, në Kamchatka, nuk ka ndërtesa banimi shumëkatëshe. Për shkak të rreziqeve, përfshirë ato gjeologjike, Kamchatka karakterizohet nga ndërtesa të ulëta deri në rreth 5 kate.

Mediat serioze që ranë pre e këtyre imazheve të gjeneruara korigjuan gabimin pas pak kohësh, ndërsa në mediat shqiptare pamjet apokaliptike vijojnë të ngjallin habi mes lexuesve.

The post Të gjeneruara pamjet apokaliptike të borës rekord në Kamchatka appeared first on Faktoje.al.

Mbetet në fuqi fyerja dhe shpifja, PS rrëzon në parim nismën “Tabaku”

Sebi Alla Me forcën e kartonit, pa shumë diskutime, nëntë deputetët e mazhorancës votuan kundër projektligjit për disa ndryshime në ligjin aktual të “Kodit Penal”

Në fokus të kësaj nisme ligjore, e inicuar nga deputetja e PD,  Jorida Tabaku, ishte dekriminalizimi i plotë i fyerjes dhe shpifjes, aktualisht në referencë të neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal  në fuqi si dhe disa shtesa në nenet e tjera 237, 238 dhe 261, ku specifikisht kërkohej mbrojtja e gazetarit dhe punonjësve të medias në ushtrim të detyrës.

Nisma

Deputetja Tabaku, në relacionin e paraqitur para Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike theksoi rëndësinë e këtyre ndryshimeve jo vetëm në mbrojtje të gazetarëve dhe punonjësve të medias, por edhe për një qëllim më të madh për lirinë e fjalës dhe mendimit.

Ajo nënvizoi se për draftin e paraqitur ishte punuar më shumë se tre muaj në konsultim të gjerë me përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe ekspertë vendas e ndërkombëtarë, duke u mbështetur në progres-raportet e BE-së, dokumentet e Këshillit të Evropës dhe diskutimet institucionale të Shqipërisë me këto struktura.

Në fjalën e saj para Komisionit, Tabaku theksoi se liria e shprehjes është një shtyllë themelore e demokracisë dhe se përdorimi i instrumenteve penale për fyerjen dhe shpifjen krijon një efekt frenues mbi gazetarinë dhe debatin publik.

Ajo solli në vëmendje jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe rekomandimet e BE-së, të cilat kërkojnë qartësisht shmangien e ndjekjes penale për shpifjen dhe zhvendosjen e mbrojtjes së reputacionit në sferën civile.

Sipas saj, tre vende të rajonit Bosnjë- Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë dekrimilazizuar shpifjen.  

PS: “Kemi draftin tonë”

Relatori i çështjes, deputeti i PS-së, Olsi Komici, në një qëndrim fare të shkurtër, propozoi rrëzimin e nismës “Tabaku”.

Mbi arsyet e këtij rrëzimi dha shpjegim disi më të hollësishëm kreu i Komisionit Parlamentar të Çështjeve Ligjore dhe Administratës Publike Ulsi Manja. “Sugjerojmë rrëzimin e nismës në parim sepse për ato shqetësime që ngrenë ka reflektim në propozimin e qeverisë”, tha Manja.

Më herët kryeministri njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka deklaruar gjatë një tryeze me përfaqësues të shoqërisë civile, më tej edhe në mbledhjen e grupit parlamentar socialist se është dakord me dekriminalizimin e shpifjes vetëm për gazetarët. Të njëjtën qëndrim përforcoi  edhe deputeti Manja.

Por deputetja Jorida Tabaku nënvizoi se nuk mund të kemi dekriminalizim të pjesshëm dhe selektiv. “Liria e shprehjes nuk është privilegj profesional, por e drejtë universale,” theksoi ajo

Edhe pse nisma u rrëzua nga shumica, Tabaku nënvizoi se beteja për lirinë e medias dhe kundër padive SLAPP do të vijojë, duke kërkuar që komentet dhe propozimet e saj të merren parasysh në çdo ndryshim të ardhshëm ligjor.

Sipas saj, ky është një test real për vullnetin e shumicës për integrimin europian dhe për respektimin e standardeve themelore të shtetit të së drejtës.

The post Mbetet në fuqi fyerja dhe shpifja, PS rrëzon në parim nismën “Tabaku” appeared first on Faktoje.al.

Ushtarët gjermanë nuk u tërhoqën nga Groenlanda prej presionit të Trump

Pretendimi: Gjermania tërhoqi papritur trupat e saj nga Groenlanda pasi dërgoi 13 ushtarë për të mbrojtur Groenlandën nga kërcënimet e presidentit amerikan Trump për të pushtuar ishullin.

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————

Më 18 janar 2025, në media dhe rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi lajmi se Gjermania kishte tërhequr papritur 13 ushtarë që kishte dërguar për të mbrojtur Groenlandën nga kërcënimet e presidentit amerikan Trump për të pushtuar ishullin.

Megjithatë, largimi i togës gjermane nuk ishte i fshehtë, i papritur apo i ndikuar nga frika e tarifave që kërcënoi Trump. Largimi i misionit ishte parashikuar dhe njoftuar që në kohën e dërgimit të tij në Groenlandë. 

Ministria e Mbrojtjes gjermane kishte njoftuar paraprakisht se 13 ushtarët do të kishin një mision zbulues, i planifikuar të zgjaste për tri ditë nga 15 deri më 17 janar. Ushtarët gjermanë shkuan atje me ftesë të Danimarkës.

Ekipi kishte për qëllim të vlerësonte kushtet për ushtrime të mundshme të NATO, ndërsa zëdhënësi i qendrës së kontrollit të komandës tha më 18 janar se misioni kishte përfunduar. “Rezultatet e zbulimit do të analizohen në ditët në vijim,” tha ai.

Ndërkaq, Trump kërcënoi se Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Hollanda dhe Finlanda do të përballen me tarifa 10% mbi të gjitha mallrat duke nisur nga shkurti dhe se ajo do të rritet në 25% më 1 qershor nëse nuk arrihet një marrëveshje për “blerjen e plotë dhe totale të Groenlandës” nga Shtetet e Bashkuara.

Ky kërcënim erdhi më 17 janar, ndërsa kohëzgjatja e misionit zbulues gjerman ishte lajmëruar tri ditë më parë, më 14 janar.

Deklarata e Ministrisë gjermane së Mbrojtjes shtoi se qëllimi i misionit, i cili përfshinte disa vende të tjera evropiane, ishte të shqyrtonte kushtet për një stërvitje të përbashkët ushtarake në territorin sfidues të ishullit si dhe vlerësuar kontribute të mundshme ushtarake për të mbështetur Danimarkën në shtimin e sigurisë në rajon.

Ushtarët gjermanë gjithashtu u larguan nga Groenlanda më 18 janar, sipas një zëdhënësi të komandës operative të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, një ditë më vonë se sa ishte njoftuar fillimisht.

Vizita e planifikuar tri-ditore u zhvendos një ditë më vonë në mënyrë që ushtria e Gjermanisë të mund të përfitonte nga oferta e Danimarkës për të fluturuar së bashku në Groenlandë më 16 janar, tha Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë, në një deklaratë online.

The post Ushtarët gjermanë nuk u tërhoqën nga Groenlanda prej presionit të Trump appeared first on Faktoje.al.

Sjellja e ujit në hapësirë nuk provon “gënjeshtrat e NASA”

Pretendimi: Një gotë me ujë që shihet në videot e astronautëve kinezë vërteton se pamjet nuk janë filmuar në të vërtetë në hapësirë

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————–

Një gotë uji e palëvizshme në një video që tregon disa astronautë kinezë po përdoret në rrjetet konspiracioniste si provë se “NASA po gënjen.”

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet origjinale janë nga një leksion shkencor i vitit 2021 nga ekuipazhi i Shenzhou-13 i Tiangong, stacionit hapësinor kinez. 

Megjithatë, gota me ujë të palëvizshëm në video nuk është provë mashtrimi: Ekziston një fenomen themelor shkencor që shpjegon sjelljen e ujit.

Në mikrogravitet, objekte si uji dhe enët qëndrojnë në vend përveç nëse diçka i shtyn ose i tërheq. Meqenëse asgjë nuk e shqetësoi ujin në video, ai mbeti i palëvizshëm në gotën e tij. Ky është një shembull i Ligjit të Parë të Njutonit: objektet në qetësi qëndrojnë në qetësi përveç nëse veprohet mbi to nga një forcë e jashtme.

“Molekulave të ujit u pëlqen të ngjiten në xham dhe në molekula të tjera uji më shumë sesa të shpërndahen në ajër”, tha për Associated Press Jordan Bimm, një studiues postdoktoral dhe historian i hapësirës në Universitetin e Çikagos. “Pra, nëse nuk ka forcë të jashtme, uji mbetet në ‘grumbullime’ në mjedisin pa peshë, dhe në këtë rast brenda xhamit.”

Ai shtoi se tensioni sipërfaqësor, një veti e sipërfaqes së një lëngu që ndihmon në përcaktimin e formës së tij dhe i lejon atij t’i rezistojë forcave të jashtme, “gjithashtu punon për të ndihmuar në ruajtjen e formës statike dhe paraqet iluzionin se si do të vepronte uji në tokë”.

Një video e postuar në Weibo, një media sociale popullore në Kinë, në qershor 2022 nga programi hapësinor i Kinës tregon pamje prapa skenave të ekuipazhit Shenzhou-13 duke u përgatitur për mësimin e tyre duke derdhur me kujdes ujë në gotë përmes një pipe në mënyrë që ajo të qëndrojë në vend. Gjithashtu tregon qartë shirita që ngjitin gotën në tavolinë.

Gjatë mësimit të tyre, astronautët demonstruan gjithashtu një sjellje tjetër të ujit unike për mjediset me gravitet zero duke zhytur një top pingpongu në gotë. Topi do të pluskonte në sipërfaqe të ujit nëse do të ishin në Tokë për shkak të lundrueshmërisë së ujit, por në hapësirë ​​ai mbetet i zhytur.

Astronautë të tjerë nga e gjithë bota kanë postuar gjithashtu video rreth mënyrës se si funksionojnë lëngjet në hapësirë, duke përfshirë se si bëjnë kafe ose çfarë ndodh kur shtrydhin një peshqir të lagur.

The post Sjellja e ujit në hapësirë nuk provon “gënjeshtrat e NASA” appeared first on Faktoje.al.

Çfarë solli ndërprerja e energjisë elektrike në QSUNT

Sebi Alla- Më shumë se si mjek, shefi i Pavionit të Reanimacionit Qëndror në QSUNT, Krenar Lilaj, foli si “specialist” në fushën elektrike, për rastin e mbrëmjes së të hënës kur për më shumë se një orë u shkëput energjia, duke u rrezikuar jeta e pacientëve në repartin e Reanimacionit.

“Ndërprerja e energjisë zgjati disa minuta, nga informacionet që morëm bëhej fjalë për një defekt të rëndë dhe rikthimi i energjisë ishte i pakonfirmuar. Në këto kushte për të shmangur rënien e apo mosfunksionimin e njëkohshëm të aparateve respiratore, vendosëm kalimin e të sëmurëve në godinën tjetër të spitalit. Zhvendosja e u bë vetëm 20 metra më larg duke siguruar vazhdimin e trajtimit. Vendosëm që të transportojmë vetëm 10 të sëmurë, 9 të cilët ishin në respiracion të drejtuar”, tha Lilaj.

Pamjet e publikuara nga familjarë të pacientëve tregonin se stafi mjekësor dhe infermieror lëvizte pacientët me pompa manuale oksigjeni, për t’i dërguar në një tjetër repart, ku energjia nuk ishte shkëputur.

Reagimi

Mjeku shqiptar që punon në Gjermani, Erion Dasho, ka komentuar ngjarjen.

“Më lejoni që të tregoj se si planifikohet mbarëvajtja në një spital. Në spital ka dy linja. Të cilat nëse dëmtohen, të cilat garantojnë energjinë, madje dhe pavionet, ku ndodhen të sëmurë në gjendje të rëndë, ato pajisje qëndrojnë në punë edhe nëse ndërpritet energjia. Më pas është gjeneratori, nëse ndërpritet energjia, që hyn në funksionim.

Dy linja të pavarura nga njëra tjetra. Jetën nga vdekja në disa raste e ndajnë disa sekonda. Ndaj këto pjesë të spitalit duhet të kenë mbështetje. Është e papranueshme që në një qendër speciale, të kemi ndërprerje me minuta apo orë të energjisë elektrike. Kjo dëmton cilësinë e kujdesit, sigurinë e pacientit, pasi vihet në rrezik jeta e tyre. Pa energji vihet në pikëpyetje siguria e pacientit me aspirim apo me probleme kardiake…”, tha ai

Spitali

Ndonëse duhet të ishin funksionale gjeneratorët në raste emergjence ata nuk janë aktivizuar menjëherë referuar pamjeve nga familjarë të pacientëve.

Zyrtarisht ka një tjetër pretendim. QSUT në një reagim zyrtar thotë se është aktivizuar sistemi (UPS Gjeneratorë).

“Për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike. Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve”, deklaroi QSUNT për mediat. Fakt mbetet se energjia ka munguar, duke e kategorizuar deklaratën zyrtare të QSUT thjesht propagandë kur thotë se situata u vu nën kontroll menjëherë si pasojë e aktivizimit të  gjeneratorëve

Ngjarja

Pacienti N.M i trasferuar nga Spitali i Burgut humbi jetën mëngjesin e ditës së sotme, por sipas shefit të repartit të Reanimacionit Qëndror në QSUNT, gjendja e tij ka qenë e rëndë dhe pasoja fatale nuk ka ardhur si shkak i mosfunksionimit të aparaturave nga shkëputja e energjisë elektrike. “Gjendja e tij ishte e rëndë që në ardhje ditën e dielë pasdite. Ka pasur cirroza hepatike dhe ka pasur hemoragji masive për të cilën është trajtuar kirurgjikalisht. Saktësisht i sëmuri është ndarë nga jeta 4:13 minuta”, tha Lilaj.

The post Çfarë solli ndërprerja e energjisë elektrike në QSUNT appeared first on Faktoje.al.

Konkursi kombëtar i verifikimit të fakteve “Fatos Baxhaku”

Faktoje hap thirrjen për konkursin kombëtar të verifkimit e fakteve. Një mundësi për gazetarët që duan të kontribuojnë në kërkim të së vërtetës dhe, të nderojnë kujtimin e gazetarit të shquar Fatos Baxhaku. 

Si të Aplikoni:

Plotësoni formularin dhe më pas dërgojeni së bashku me CV-në tuaj në info@faktoje.al
Afati: 10 Shkurt 2026!

Kush mund të aplikojë?

Gazetarë të apasionuar pas verifikimit dhe raportimeve të bazuara në fakte për të promovuar mendimin
kritik mbi çështje me rëndësi publike. Ne po kërkojmë produktet më të mira nga gazetarë që përdorin teknikat më efektive të kontrollit të
fakteve dhe shfaqin kërkime që përfshijnë analizën e të dhënave, përmbajtje me të dhëna të hapura dhe të tjera burime inovative.


Mos e humbisni mundësinë për të faktuar të vërtetën!

The post Konkursi kombëtar i verifikimit të fakteve “Fatos Baxhaku” appeared first on Faktoje.al.

I rremë titulli për rritje tronditëse pensionesh këtë fillimviti

Pretendimi: Kryeministri Edi Rama jep njoftimin për rritje pensionesh që po trondit pensionistët

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————

“Rritje pensionesh?! Edi Rama jep njoftimin që po trondit pensionistët – Shpresë apo zhgënjim i ri?”, lajmëron një postim në Facebook më 14 janar 2026, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.

Megjithatë, pensionistët dhe dashamirësit e tyre nuk duhet të gëzohen para kohe. Ky lajm, dhe gjithë artikulli, janë të rreme.

Në brendinë e artikullit pretendohet se në një komunikim publik, Rama ka lënë të kuptohet se qeveria “po shqyrton mundësinë e një ndërhyrjeje të re në skemën e pensioneve.” Rama gjithashtu citohet të ketë thënë se “pensionistët janë një shtresë që ka dhënë shumë për këtë vend dhe meriton më shumë dinjitet.”

Një tregues fillestar që duhet të na bëjë dyshues është mungesa e ndonjë burimi, reference, apo detaji identifikues si data dhe vendi i deklaratës së Ramës. 

Artikulli flet gjithashtu për debat në opinion publik pa iu referuar ndonjë burimi specifik, përdor fjalë të pacaktuara si “disa” dhe “shumëkush” dhe flet për “ekspertë të ekonomisë” pa dhënë asnjë emër apo institucion.

Termat e vagullt dhe të përgjithshëm të përdorur në artikull, si dhe mungesave e detajeve specifike, na bën të dyshojmë më tej se artikulli jo vetëm që është i rremë, por me gjasa është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale. 

Është e vërtetë se Rama foli për pensionet së fundmi në podkastin e tij të 11 janarit. Megjithatë, ai nuk foli për ndonjë ndryshim në skemën e pensioneve dhe nuk tha se pensionistët kanë dhënë shumë për vendin dhe meritojnë më shumë dinjitet, siç pretendohet në artikull.

Çfarë tha Rama për pensionet në podkastin e 11 janarit 2026

Më herët, në tetor 2025, Rama ka deklaruar se nga janari 2026, pensionet do të rriteshin çdo muaj me 600-1800 lekë në varësi të llojit.

Profili i Facebook që ka ndarë këtë lajm të rremë ka ndarë dhe më parë lajme të rreme të ngjashme, duke pretenduar se gazetari shqiptar Enkel Demi kishte ndërruar jetë dhe se vrasësi i politikanit të ndjerë Sokol Olldashi ishte zbuluar.

The post I rremë titulli për rritje tronditëse pensionesh këtë fillimviti appeared first on Faktoje.al.

Përmbytja e Vlorës në 2024 nuk ishte nga reshjet

Esmeralda Topi 

Mëngjesi i 4 tetorit 2024 e gjeti Vlorën të zhytur nën ujë. Shiu i rrëmbyer mbuloi lagje të tëra, aq sa nga dronët e mediave qyteti i ngjante “Venezias”, ku në vend të gondolave lundronin makinat. 

Vlora u gjunjëzua nga reshjet për disa ditë, duke nxjerrë në pah dobësitë e një sistemi kullimi të amortizuar dhe mungesën e reagimit institucional. Mirëpo, kryeministri Edi Rama kishte një tjetër shpjegim për përmbytjen masive të qytetit bregdetar. 

“E kemi parë se çfarë ndodhi në Austri dhe pamë se çfarë ndodhi në ditët kur këtu u përmbyt Vlora, në Bosnjë ku humbën jetën shumë njerëz… Ka një shpjegim të thjeshtë përtej analizave popullore dhe tendencioze që i bëhen përmbytjeve, që ka ndryshuar formacioni i reshjeve,” tha ai. 

Kryeministri e vendosi theksin tek intensiteti i reshjeve, duke sugjeruar se edhe një infrastrukturë “ekselente” nuk do të përballonte goditjen e parë pa organizim dhe trajnim të strukturave. Auditimet nxorrën në pah të kundërtën.

Përmbytja ishte e parandalueshme

Një raport i detajuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi përmbytjet masive të vitit 2024 në Vlorë, i publikuar së fundmi, ka gjetje të cilat rrëzojnë narrativën e “formacionit të reshjeve”. 

Shkaku kryesor i përmbytjeve sipas KLSH-së lidhet me mungesën e pastrimit të kanaleve kulluese prej dekadash, të cilat janë arteriet kryesore të kullimit të reshjeve për relievin e qytetit.  

Kanalet kulluese KK2 Akërni, KK3 Akërni dhe KUL Orikum, rezultuan më shumë se 15 vjet të pa pastruara, ndërsa segmente brenda qytetit nuk janë pastruar për mbi 30 vite”- KLSH. 

Pastrimi i kanaleve dhe rehabilitimi i sistemit kullues është një detyrë urgjente thekson Kontrolli i Lartë i Shtetit, sepse në të kundërt, qyteti është i rrezikuar gjithmonë nga përmbytjet.

Një tjetër problematikë sipas KLSH-së ka qënë mosfunksionimi në kapacitet të plotë të Hidrovorit të Akërnisë. Në ditën e përmbytjes ky hidrovor punoi vetëm me 45% të kapacitetit, pa pompa rezervë, pa gjenerator emergjence dhe me tension elektrik të ulët. KLSH shton se Këshilli i Qarkut nuk e shpalli gjendjen e emergjencës civile, ndërkohë që Bashkia nuk kërkoi kryerjen e vlerësimit të dëmeve për banesat.

“Në përfundim, nëse e gjithë infrastruktura dhe sistemi i kanaleve kulluese do të kishin qenë funksionale dhe do të operonin me kapacitet të plotë, rreziku që qyteti i Vlorës të pësonte përmbytje, si ajo e datës 04.10.2024, do të ishte i ulët”, argumenton Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Si pasojë e përmbytjeve, Bashkia e Vlorës evidentoi 375 familje të dëmtuara, për të cilat ndau një fond dëmshpërblimi prej 54 milionë lekësh. 

Përgjegjësia është institucionale

Përmbytjet e Vlorës në tetor 2024 nxorën në pah jo vetëm dobësitë teknike të sistemit të kullimit, por edhe problemet e thella të qeverisjes. 

Agron Haxhimali thekson se ato ishin “pasojë e dështimeve të akumuluara në menaxhimin e infrastrukturës së kullimit nëntoksore dhe mbitokësore dhe jo thjesht e reshjeve intensive”. “Përmbytja u përshkallëzua nga pastrimi i pamjaftueshëm i kanaleve dhe kapaciteti i kufizuar i hidrovorit”, shton ai.  

Në të njëjtën linjë kritike, Zef Preçi e sheh konstatimin e KLSH-së si dëshmi të mënyrës se si qeveriset vendi. “Kanalet kulluese kanë më shumë se 15 vjet që nuk janë pastruar, një tregues i paqartësisë së kompetencave, korrupsionit dhe klientelizmit në rritje”, thotë ai. 

Preçi akuzon qeverinë për mungesë transparence dhe për tendera të dyshimtë.

“Qershia mbi tortë’ qeveria që nuk mban asnjë përgjegjësi por ‘e kthen dhimbjen në forcë’ duke kryer tendera të rinj, edhe këta shumica të dyshuar si korruptivë”,  thekson Preçi.

Të dy ekspertët bien dakord se rrënja e problemit është neglizhenca institucionale dhe mungesa e mirëmbajtjes, duke kërkuar një reformë të thellë në menaxhimin e ujërave dhe një ndarje të qartë përgjegjësish mes institucioneve.

Përfundim 

Përmbytja e 4 tetorit 2024 në Vlorë ishte e parandalueshme dhe nuk mund të justifikohet me reshje të pazakonta, por sepse sistemi i kullimit mungon. Dhe ky fakt e bën narrativën e qeverisë jo vetëm të pasaktë, por edhe të rrezikshme, sepse fsheh përgjegjësinë dhe vonon zgjidhjet që nevojiten me urgjencë në Vlorë.

Nisur nga të dhënat e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se përmbytja e Vlorës në tetor të 2024 ishte pasojë e “formacionit të reshjeve” e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Përmbytja e Vlorës në 2024 nuk ishte nga reshjet appeared first on Faktoje.al.

❌