Përplasja për bregdetin e Rrjollit në Velipojë, nga zonë e mbrojtur në resort €280 milionësh
Harmonia e peizazhit natyror të Rrjollit në Velipojë u thye nga zhurmat e makinerive të rënda që mësynë zonën javën e parë të muajit shkurt. Kamionë, ekskavatorë dhe dhjetëra punonjës nisën të hapnin trasenë e një rruge të re që i bashkohej rrugës kryesore me synim kantierin e resortit turistik “Blue Borgo”.
Rrjolli nuk është një fshat tipik turistik bregdetar. Nuk ka bulevard me palma, resorte dhe ndërtesa elitare. Në fakt në shumicën e horizontit të tij është i paprekur.
Ai shtrihet mes Lagunës së Vilunit në veri dhe Ranës së Hedhun në jug. Një brez toke me shkurre dhe pisha të ulëta, duna rëre dhe parcela toke e banesash të shpërndara që për dekada mbijetuan mes bujqësisë sezonale dhe emigracionit.
Të paktë kanë qenë turistët që thyenin vështirësitë e rrugës për ta frekuentuar këtë zonë. Por këto vështirësi janë tejkaluar së fundmi me rrugën e re Shëngjin-Velipojë, e cila të tregon që nga lart për lagunën e cekët, ku ende shihen gjurmë të gjallesave dhe shpendëve ujorë.
Pikërisht kjo ishte arsyeja pse për vite me radhë zona konsiderohej praktikisht e paprekshme nga ndërtimet masive. Ajo ishte pjesë e një brezi ekologjik që lidhte deltën e Bunës me sistemin e dunave të Shëngjinit, një korridor natyror që mbante në këmbë ekosistemin bregdetar të veriut.
Por ky korridor duket se do të thyhet shumë shpejt. Resorti Blue Borgo, një investim prej rreth 280 milionë eurosh nga kompania Gener 2, premton të ngrejë mbi 30 vila dhe 3 hotele deri në 10 kate me shtrirje deri në 146 hektarë.
Projekti i konceptuar nga Stefano Boeri mori dritën jeshile nga qeveria në vitin 2024, por buzë rrugës në Rrjoll tabela informuese u vu vetëm në shkurt të këtij viti. Tabela nuk shoqërohej me një dokument zyrtar lejeje nga Këshillit Kombëtar i Territorit dhe Ujit, pavarësisht se leja në fakt u zbardh nga Agjencia Kombëtare e Zhvillimit të Territorit vetëm në janar.
Një seri vendimmarrjesh të paqarta kanë lënë vend për përplasje dhe kontestime me banorët e zonës. Gener 2 provoi ta hapte kantierin edhe në fillim të vitit 2025, por u tërhoq pas protestave.
Nga tabela e vendosur këtë vit kuptohet se asokohe Gener 2 nuk kishte licencë zbatimi, teksa AZHT-ja nuk e kishte zbardhur ende lejen duke shtuar më shumë kontradiktat për këtë çështje.
Por, konflikti në Rrjoll nuk është thjesht për një resort. Është një konflikt mbi politikat e zhvillimit, statusin e territorit dhe pronësinë.
Zona ku po ndërtohet ishte pjesë e një brezi të mbrojtur bregdetar. Përfshihej në nënzonën 1b të “Peizazhit të mbrojtur Lumi i Bunës-Velipojë”.
Në këtë nënzonë zbatohej shkalla e dytë e mbrojtjes mjedisore, e cila synonte ruajtjen e biodiversitetit, duke lejuar aktivitete tradicionale, ekonomike dhe turistike, për sa kohë nuk cenonin objektivat e mbrojtjes.
Por, me ndryshimet e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, në vitin 2024, u përfshi edhe koncepti i “turizmit të ekselencës”,i cili parashikon struktura akomoduese me standarde të larta arkitektonike dhe mjedisore.

Kështu, sipas nenit 33 të ligjit të rishikuar, tashmë lejohet zhvillimi i strukturave turistike 5-yje dhe infrastrukturës mbështetëse, edhe brenda zonave të mbrojtura.
Por kjo seri ndryshimesh tregon qartë se teksa qeveria punonte për të tjetërsuar këtë kuadër rregullator, paralelisht sipërmarrësit e tregut imobiliar po hartonin planet për ndërtim, të sigurt se do të kishin rrugë të lirë për ta zbatuar projektin.
Kjo ndodhi në të njëjtën kohë me një tjetër faktor: Rruga e re Shëngjin-Velipojë, e cila nuk është thjesht infrastrukturë, por një sinjal për transformim. Në fakt, aktualisht në zonë po punohet edhe për dy resorte të tjera.
Në terma urbanistikë, kjo është hapja e një fronti të ri ndërtimi: një “Riviere të dytë” ose “Riviera e Veriut”. Por, vlen të thuhet se në letra, zyrtarisht, investimi i vetëm strategjik në zonë është “Dukagjini Resort”. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka konfirmuar për Citizens.al se “Blue Borgo” nuk ka një status investimi strategjik aktiv.
Paralelisht, banorët e Rrjollit nuk protestojnë vetëm për mjedisin. Ata protestojnë për pronësinë. Sipas tyre, parcela kryesore ku po ndërtohet “Blue Borgo” përfshin toka që i takojnë rreth 60 familjeve të zonës. Ata thonë se toka është kaluar tek investitori përmes dokumenteve të falsifikuara dhe se për këtë ka procese gjyqësore që vijojnë.
Në vitin 2025 ata iu drejtuan Prokurorisë së Posaçme, ku kërkuan hetim për mënyrën se si toka përfundoi tek projekti i “Gener 2”. Por pas kësaj, vetëm heshtje.

Një vit më vonë, ata detyrohen sërish të përplasen me kompaninë për të ndaluar fizikisht punimet. Konflikti ka kaluar dukshëm nga një çështje administrative dhe ligjore në një konflikt social: shteti po garanton investimin qindra milionësh teksa banorët kërkojnë veçse njohjen e pronës.
Rasti Blue Borgo ekspozon një problem tipik të zhvillimit bregdetar në Shqipëri: procedurat administrative nuk ecin paralel me realitetin në terren, kantieri hapet para zbardhjes së lejeve, konsultimi publik formalizohet më pas dhe lejet publikohen kur ndërtimi praktikisht ka nisur.
Raste të ngjashme kemi hasur edhe në Tiranë, sidomos kur në lojë janë kompani të mëdha me ndikime të forta ekonomike dhe politike.
Sipas dokumenteve mjedisore, konsultimi publik për “Blue Borgo” ishte zhvilluar në shtator 2024 dhe statusi i investitorit strategjik u dha në dhjetor 2024. Megjithatë banorët thonë se nuk kanë qenë realisht pjesë e procesit dhe e kanë mësuar projektin vetëm kur mbërritën ekskavatorët.
Rrjolli është një rast model për një proces më të madh. Shqipëria nuk po zhvillon vetëm turizëm. Po ndryshon strukturën e pronës dhe përdorimit të bregdetit.
Nëse projekti vazhdon, Rrjolli do të ndryshojë përgjithmonë – nga zonë ekologjike dhe gjysmë-bujqësore në zonë resortesh. Nëse ndalet, do të krijojë precedent për të gjitha investimet strategjike në bregdet. Dhe kjo është arsyeja pse beteja për një fshat të vogël në Velipojë është, në të vërtetë, një debat mbi të ardhmen e gjithë vijës bregdetare shqiptare.
Lexoni gjithashtu:
- Banorët e Rrjollit: “Kërkojmë pronat tona”
- Resorti “Blue Borgo”: Banorët përplasen me policinë, punimet vijojnë
- Banorët e Rrjollit, në SPAK për të drejtën e pronës
The post Përplasja për bregdetin e Rrjollit në Velipojë, nga zonë e mbrojtur në resort €280 milionësh appeared first on Citizens.al.